Një person është arrestuar dje në Pejë, pasi ka kërcënuar prindërit e tij me jetë.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar nën dyshimin se i njëjti ka kanosur me jetë prindërit e tij kosovarë. I dyshuari pas intervistimit me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje.”, ka bërë të ditur Policia.
Rasti i cilësuar si “Dhunë në familje” është duke u hetuar.
Britania e Madhe i kërkoi të premten Kosovës dhe Serbisë që të ulin tensionet dhe bëri thirrje për lirimin e menjëhershëm të tre policëve të Kosovës të arrestuar nga Serbia më 14 qershor.
Një ditë ma parë edhe Shtetet e Bashkuara kërkuan lirimin pa kushte të tre pjesëtarëve të policisë së Kosovës.
Në një komunikatë të ministrisë së Jashtme britanike, thuhet se u bëhet thirrje palëve të ushtrojnë përmbajtje maksimale, të shmangin masat e njëanshme dhe të ndërmarrin veprime të menjëhershme për të ulur tensionet.
“Ne përsërisim thirrjet tona për kryeministrin (Albin) Kurti dhe qeverinë e tij që të sigurojnë që kryetarët e zgjedhur të komunave në veri të Kosovës, të kryejnë detyrat e tyre kalimtare nga zyra alternative jashtë ndërtesave komunale dhe që njësitë e posaçme të policisë të tërhiqen nga ndërtesat komunale”, thuhet në komunikatë në të cilën theksohet se “zgjedhjet e reja, gjithëpërfshirëse duhet të shpallen sa më shpejt të jetë e mundur. Ne presim dhe inkurajojmë serbët e Kosovës që të marrin pjesë në ato zgjedhje”.
Britania e Madhe pret që Kosova dhe Serbia të angazhohen menjëherë në bisedimet e lehtësuara nga Bashkimi Evropian dhe “në veçanti të fillojnë punën pa vonesa të mëtejshme për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”, thuhet në komunikatë.
Shefi i politikës se Jashtme të Bashkimit Evropian Josep Borrell, paralajmëroi të enjten se do t’i thërras Kosovën dhe Serbinë në një takim javën e ardhshme në Bruksel, për menaxhimin e krizës, në dritën e tensioneve të larta të cilat u shtuan pas arrestimit të policëve të Kosovës.
Autoritetet në Prishtinë thanë se policët janë rrëmbyer brenda territorit të Kosovës duke e akuzuar Serbinë për “cenim të sovranitetit dhe tërësisë tokësore” të Kosovës.
Beogradi thotë se policët janë kapur brenda territorit të Serbisë.
Tensionet janë të larta që nga 26 maji prej kur grupe qytetarësh serbë po protestojnë duke kundërshtuar vendosjen në zyra komunale të kryetarëve shqiptarë të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit, që u bojkotuan nga partitë politike serbe. Të hënën e 29 majit protestat u përshkuan me dhunë nga e cila mbetën të plagosur 30 pjesëtarë të forcave paqeruajtëse të NATO-s, të cilat shtuan praninë e tyre në terren mes shqetësimeve për mundësinë e ripërtëritjes së konflikteve në rajon.
Pesë persona kanë mbetur të lënduar në një aksident trafiku, i cili ka ndodhur herët në mëngjes në kryeqytet.
Zëdhënësja e Policisë, Flora Ahmeti, ka thënë se aksidenti ka ndodhur në kryqëzimin që lidhë rrugën “Nazim Gafurri” dhe rrugën “Haxhi Zeka”.
“Sot rreth orës 06:30 në kryqëzimin që lidhë rrugën “Nazim Gafurri” dhe rrugën “Haxhi Zeka” në Prishtinë, ka ndodhur një aksident trafiku në mes të një autobusi dhe një veture. Si pasojë e aksidentit pesë persona kanë pësuar lëndime trupore. Të njëjtit kanë pranuar tretman mjekësor”, ka thënë ajo.
Këshilli për Mbrojtjen, të Drejtat dhe Liritë e Njeriut u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që të mos udhëtojnë nëpër Serbi, derisa të qetësohet situata në veri të vendit.
KMDLNJ nëpërmjet një reagimi ka theksuar se gjatë pushimeve mërgata shqiptare përballet me shumë probleme gjatë udhëtimit nëpër Serbi, duke filluar nga vjedhja e gjësendeve nga automobili, gjobat e larta dhe të shpifura nga policia serbe e deri te arrestimi i tyre.
Për këtë çështje, në një lidhje direkte për emisionin e mëngjesit “Alarm”, në ATV ka folur edhe Valentina Demolli nga KMDLNJ.
“Në çdo rast te themi që në Kosovë situata e sigurisë apo ajo politike që gjithmonë lidhet me pakicat serbie, gjithmonë shteti i Serbisë, është ai që ngacmon që shfrytëzon këtë mundësi që të ndalojë dhe të maltretojnë qytetarët e Kosovës që kalojnë nëpër pikat kufitare me Serbinë dhe jo vetëm me kaq sepse ka raste kur ata arrestohen me ditë e ndoshta edhe me muaj. Prandaj për këtë arsye ne kemi apeluar që përderisa situata e sigurisë është më e ndjeshme për të gjithë qytetarët e Kosovës, të mos kalojnë nëpër këto pika kufitare për arsye sepse mund të përballen me të gjitha këto situata”, tha ajo.
Tutje ajo rekomandoi që mërgata të shfrytëzojë pikëkalimet kufitare, qoftë me Shqipëri, Mal të zi apo Maqedoni./atvlive.tv/
Një TikToker belg falsifikoi vdekjen e tij për të zbuluar se kush kujdesej për të dhe më pas u paraqit në funeralin e tij.
David Baerten, 45 vjeç, dhe gruaja dhe fëmijët e tij vendosën të bëjnë shaka me miqtë dhe anëtarët e familjes për të zbuluar se çfarë mendonin në të vërtetë për të.
Për të përhapur lajmin për vdekjen e zotit Baerten, një nga fëmijët e tij në mediat sociale shkroi një homazh babait të saj.
Ajo ka shkruar: “U prehsh në paqe babi, nuk do të ndalem kurrë së menduari për ty. “Pse është jeta kaq e padrejtë, pse ti, do të bëheshe gjysh dhe e kishe gjithë jetën përpara. “Të dua! Të duam! Nuk do të të harrojmë kurrë.”
Në funeralin, i cili u organizua fundjavën e kaluar pranë qytetit të Liege, morën pjesë shumë miq dhe anëtarë të familjes të veshur me të zeza.
Të gjithë prisnin fillimin e ceremonisë, por në vend të kësaj, ata u pritën nga një helikopter uljeje.
Në videon e postuar në TikTok nga një pjesëmarrës në funeral, zoti Baerten doli nga helikopteri së bashku me një ekip kamerash dhe më pas u përshëndet nga vajtuesit.
Disa nga familja dhe miqtë e zotit Baerten shihen duke vrapuar drejt tij në pamjet mes shkëmbimeve emocionale, ndërsa të tjerët mbeten të hutuar.
Sipas “The Times”, TikToker tha se ai falsifikoi vdekjen e tij sepse ndihej “i nënvlerësuar” prej tyre.
Ai shtoi: “Ajo që shoh në familjen time shpesh më lëndon, nuk më ftojnë kurrë në asgjë. Askush nuk më sheh.
“Ne të gjithë u ndamë. U ndjeva i pavlerësuar. “Kjo është arsyeja pse unë doja t’u jepja atyre një mësim jete dhe t’u tregoja se nuk duhet të prisni derisa dikush të vdesë për t’u takuar me ta.”
Z. Baerten, i njohur gjithashtu si Ragnar le Fou në TikTok, pohoi se disa të dashur kanë kontaktuar me të që nga shakaja duke shtuar se “dëshmon se kush kujdeset vërtet për mua. Ata që nuk erdhën, më kontaktuan për t’u takuar. Kështu që në një farë mënyre, unë fitova”.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama priti sot me një ceremoni shtetërore kryeministrin e Hungarisë, Viktor Orban, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në Tiranë.
Në bulevardin pranë Kryeministrisë u zhvillua ceremonia e mirëseardhjes të kryeministrit të Hungarisë, Viktor Orban.
Pas ekzekutimit të himneve të Shqipërisë dhe Hungarisë, kryeministri Rama dhe homologu hungarez iu drejtuan selisë së Kryeministrisë për të zhvilluar takimin zyrtar.
Në vijim, në orën 10:30 pritet nënshkrimi i marrëveshjeve mes dy vendeve.
Konferenca e përbashkët për shtyp e kryeministrit Edi Rama me homologun e tij hungarez do të mbahet në orën 10:40.
Orban publikoi në rrjetet sociale foto lidhur me vizitën e tij zyrtare në vendin tonë duke shkruar: “Mbërritëm në Shqipëri, na presin negociata të rëndësishme”.
Amritsar, një qytet i Indisë veriore me dy milionë banorë, është i famshëm për shumë gjëra: kuzhinën e shijshme, qytetin e tij të vjetër historik dhe Tempullin e Artë – faltorja më domethënëse e fesë Sikh.
Megjithatë, ajo që bie në sy kudo, nga tempulli te njerëzit në rrugë, është një ndjenjë bujarie që lidhet me vetë themelimin e qytetit.
Amritsar u krijua në shekullin e 16-të nga një guru Sikh dhe ndodhet në rajonin e Punjabit ku filloi sikhizmi.
Feja është e njohur për traditën e saj të sevës – një shërbim vullnetar i kryer për të tjerët pa asnjë pritshmëri apo reciprocitet.
Sikët në të gjithë botën bëjnë të ashtuquajturën ‘seva’ më shpesh në veprime të thjeshta si pastrimi i dyshemeve, shërbimi i vakteve dhe ruajtja e rendit në tempull.
Në prill 2021 kur Covid preku shumë familje në të gjithë Indinë, komuniteti Sikh u ngrit në sfidën e dërgimit të bombolave të oksigjenit dhe furnizimeve të tjera mjekësore për ata që kishin nevojë të dëshpëruar.
Mirëpo fryma e bujarisë në Sikizëm mund të shihet në të gjithë botën.
Është e njohur në të gjithë Indinë se asnjë person nuk duhet të shkojë në shtrat i uritur në Amritsarm, kjo sepse ka gjithmonë një vakt të nxehtë gati për këdo në Tempullin e Artë.
Ky tempull si një kuzhinë e lirë, e përbashkët, është më e madhja në botë, duke u shërbyer 100,000 njerëzve në ditë, shtatë ditë në javë.
Të gjithë janë të mirëpritur të hanë këtu, pa diskriminim, për aq kohë sa kanë nevojë për strehim dhe ushqim, dhe vaktet janë të disponueshme 24 orë në ditë.
Tempulli i Artë drejtohet pa probleme dhe me disiplinë maksimale nga një armatë vullnetarësh, të cilët shërbejnë një vakt bazë por të shijshëm me thjerrëza, bukë të sheshtë dhe kos në pjata inoks çdo ditë./ATVLIVE.TV/
Një person është arrestuar dje në Ferizaj, nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Dhunë në familje”.
Policia njoftoi se ai dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij.
“Ferizaj, 15.06.2023 – 15:43. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij viktimës femër kosovare. Viktima ka refuzuar tretmanin mjekësor”, thuhet në raportin e Policisë.
Tutje bëhet e ditur se me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje./atvlive.tv/
Tri shpërthime kanë ndodhur rreth mesnatës në veri të vendit, saktësisht në Mitrovicë të Veriut dhe Zveçan.
Lajmin e ka konfirmuar Policia e Kosovës.
Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Veriut, Veton Elshani ka thënë se shpërthimi i parë ka ndodhur në rrugë gjatë patrullimit të policisë, ku vetura e policisë është gjuajtur me gurë dhe dyshohet se është hedhur një shok-bombë.
Shpërthimi tjetër, ka ndodhur në oborrin e stacionit të Policisë në Mitrovicë të Veriut, derisa edhe dy shpërthime të tjera të njëpasnjëshme kanë ndodhur në Zveçan, në afërsi të stacionit policor.
Derisa nga këto shpërthime, nuk raportohet për ndonjë të lënduar.
“Në intervalin kohor prej orës 23:30 deri në orën 01:30, kanë ndodhur tri shpërthime. Një ka ndodhur në rrugë gjatë patrullimit të policisë vetura e policisë është gjuajtur me gurë dhe dyshohet se është hedhur një shok bombë. Një ka ndodhur në stacion të Policisë në Mitrovicë të veriut, saktësisht në oborr. Shpërthimi tjetër, dy të njëpasnjëshme, kanë ndodhur në Zveçan, në afërsi të stacionit të policisë. Nuk ka të lënduar. Te rasti i parë, vetura është dëmtuar nga gjuajtja me gurë, e në dy rastet tjera s’kemi dëme”, ka thënë Elshani