ATV

Author: G.O.

  • Tahiri kërkon angazhim nga Kurti e ndërkombëtarët për lirimin e zyrtarëve policor

    Tahiri kërkon angazhim nga Kurti e ndërkombëtarët për lirimin e zyrtarëve policor

    Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka kërkuar më shumë angazhim nga kryeministri Albin Kurti e faktori ndërkombëtar që tre policët e kidnapuar nga Serbia të lirohen sa më parë.

    Në një deklarim për gazetarë pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, Tahiri deklaroi se kjo situatë do të ndikojë në përkeqësim të raporteve ndëretnike.

    “Në emër të Partisë Demokratike të Kosovës kërkoj një angazhim më serioz së bashku me partnerët ndërkombëtare për lirimin e tre zyrtarëve policor të kidnapuar të cilët janë duke u mbajt peng realisht nga dhe kidnapuar nga forcat paramilitare të Serbisë e të cilët kanë bërë një cenim të integritetit territorial të Republikës së Kosovës”.

    “Është e papranueshme që ata policë të mbahet atje dhe njëkohësisht do të ndikojë që në një formë apo tjetrën në përkeqësim të raporteve ndëretnike”, u shpreh Tahiri.

  • Gjakova lufton për medaljen e artë në Grand Slam të Kazakistanit

    Gjakova lufton për medaljen e artë në Grand Slam të Kazakistanit

    Edhe një tjetër medalje është siguruar për Kosovën në garat e xhudos, përkatësisht në Grand Slamin e Kazakistanit.

    Bëhet fjalë për Nora Gjakovën, e cila në kuadër të kategorisë deri në 57 kilogram do të luftojë në finale të këtij Grand Slami për medaljen e artë, raporton KosovaPress.

    Në raundin e Gjakova ishte e lirë, kurse në xhiron e dytë ajo mposhti me Ippon, garuesen nga Letonia, Anastasija Sokirjanska. Nora në çerekfinale mposhti me Ippon edhe polaken, Julia Kowalczyk.

    Në gjysmëfinale garuesja jonë mposhti me tri dënime për Ippon, holandezen, Julie Beurskens.

    Tani, Nora Gjakova, e cila gjithashtu është edhe kampione Olimpike, në finale do të ndeshet me xhudisten franceze, Sarah Leonie Cysique.

  • Kurti: Rrëmbimi i tre policëve akt i agresionit të Serbisë ndaj Kosovës

    Kurti: Rrëmbimi i tre policëve akt i agresionit të Serbisë ndaj Kosovës

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, gjatë pjesëmarrjes në Forumin e Prespës, pati një takim me Livia Leu, Sekretaren e Shtetit të Federatës së Zvicrës.

    Kryeministri Kurti dhe Sekretarja Leu biseduan mbi raportin mes dy shteteve, gjegjësisht marrëdhënieve të shkëlqyeshme bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës. Me këtë rast, kryeministri shprehu falënderimin e tij për përkrahjen e vazhdueshme të Zvicrës ndaj Kosovës.

    Sipas një komunikate të Qeverisë, në takim u vlerësua roli i rëndësishëm i mërgatës shqiptare në Zvicër, si urë lidhëse ndërmjet dy shteteve dhe mundësinë që ajo paraqet për zhvillimin ekonomik të vendit.

    Lidhur me situatën aktuale në vend, kryeministri riktheksoi kërkesën për lirim të menjëhershëm të tre policëve të rrëmbyer, pasi ky veprim është një akt i agresionit të Serbisë ndaj Republikës së Kosovës, teksa përsëriti nevojën për deeskalim dhe normalizim të situatës.

    Në këtë drejtim, kryeministri Kurti nënvizoi propozimin e tij për deeskalim të situatës në katër komunat në veri të Republikës së Kosovës, të paraqitur ditën e hënë dhe nevojën për zbatim të plotë, të shpejtë dhe të pakushtëzuar të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të saj.

    Duke falënderuar Agjencinë për Zhvillim dhe Bashkëpunim të Zvicrës, kryeministri Kurti shtoi që komunat ende kanë nevojë për zhvillim dhe njëkohësisht kërkoi që të ketë edhe më shumë mbështetje në vazhdimësi. Ai gjithashtu falënderoi edhe për kontributin e Zvicrës në KFOR nëpërmjet Sëisscoy.

    Në takim, ishte i pranishëm Ambasadori i Republikës së Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Florian Qehaja.

  • Tahiri: Murati duhet të jap llogari – Qeveria i ka bllokuar investimet, infrastruktura në kolaps

    Tahiri: Murati duhet të jap llogari – Qeveria i ka bllokuar investimet, infrastruktura në kolaps

    Shefi i Deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri, tha se me kërkesë të kësaj partie, të enjten do të diskutohet me ministrin e Financave, Hekuran Murati.

    Ministri Murati është ftuar në interpelancë për “Rishikimin e buxhetit të Republikës së Kosovës dhe rritjen e pagave në sektorin publik”.

    Tahiri shtoi Qeveria i ka bllokuar krejtësisht investimet kapitale dhe se infrastruktura rrugore është në kolaps.

    “Të enjten do të mbahet seancë e rregull, me një pikë të rendit të ditës interpelanca e ministrit Murati. E para lidhet me bllokimin total që Qeveria u ka bërë investimeve kapitale”.

    Infrastruktura rrugore është në kolaps dhe në këtë interpelancë do ta diskutojmë me ministrin”, tha ai, teksa shtoi se kërkesa e dytë do të jetë rritja e koeficientit të Ligjit për paga.

    Murati në interpelancë të enjten për rishikimin e buxhetit dhe rritjen e pagave në sektorin publik

  • Krasniqi i kërkon Qeverisë ta tërheqë vendimin ndaj Klan Kosovës

    Krasniqi i kërkon Qeverisë ta tërheqë vendimin ndaj Klan Kosovës

    Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka reaguar pas vendimit të MINT-it për pezullimin e certifikatës së biznesit të Klan Kosovës, duke thënë se ky veprim është kundër fjalës së lirë dhe kundër parimeve të demokracisë.

    Krasniqi tha se vetëm sistemet autokratike dhe totalitare kanë tendenca për t’i mbyllur mediat e pavarura.

    “Sot, më shumë se kurdoherë, Kosova ka nevojë për media të lira, të pavarura dhe të pandikuara. Kërkoj nga Qeveria që t’a tërheqë mbrapa menjëherë vendimin e saj dhe ta heqë këtë njollë që e ka vënë mbi shtetin dhe shoqërinë tonë”, tha Krasniqi.

    Tutje, ai përgëzoi televizionet dhe mediat në vend, të cilat qysh nga marrja e vendimit nga ana e qeverisë, kanë shprehur solidarizimin e plotë me Klan Kosovën.

  • Gjykimi kundër Shalës, dëshmitari i tetë dëshmon pa masa mbrojtëse

    Gjykimi kundër Shalës, dëshmitari i tetë dëshmon pa masa mbrojtëse

    Dëshmitari i tetë në gjykimin kundër ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Pjetër Shala, po dëshmon pa masa mbrojtëse dhe ai është Zbynek Dolejsi, ekspert për identifikimin e ADN-së.

    Në gjykatoren e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, Dolejsi ka deklaruar se aktualisht është shef i Departamentit Gjenetik në Institutin Kriminalistik të Pragës, në Republikën Çeke.

    Sipas tij, në këtë institut shërben prej vitit 2004.

    Në pjesën e parë të seancës ZPS e ka intervistuar atë rreth një raporti të vitit 2009 dhe më pas për një analizë të vitit 2023.

    Ky është dëshmitari i parë në cilësinë e ekspertit dhe i cili po dëshmon pa masa mbrojtëse.

    Pjetër Shala ndodhet në qendrën e paraburgimit në Hagë prej marsit të vitit 2021.

    Sipas Speciales “Krimet për të cilat akuzohet z.Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999 kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës(Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

    Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021 nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill të atij viti, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

  • Kurti takohet me Ali Ahmetin në Forumin e Prespës

    Kurti takohet me Ali Ahmetin në Forumin e Prespës

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, po merr pjesë në Forumin e Prespës në Strugë të Maqedonisë se Veriut.

    Në kuadër të këtij Forumi, kryeministri Kurti ka takuar kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti, me të cilin biseduan për zhvillimet e fundit në vend, pas agresionit serb ndaj Kosovës, me rastin e rrëmbimin të tre policëve kosovarë të mërkurën brenda territorit të Kosovës, ku kryeministri kërkoi dënimin e këtij akti të agresionit.

    Në takim u diskutua edhe për procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë në kuptim të zbatimit të plotë dhe të pakushtëzuar të Marrëveshjes Bazike dhe të deeskalimit të situatës në katër komunat në veri të Republikës së Kosovës.

    Njëkohësisht u fol edhe për marrëdhëniet bilaterale në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut, zhvillimin e infrastrukturës, me theks të veçantë për rëndësinë dhe statusin e projektit të rrugës që lidh Prizrenin dhe Tetovën dhe për bashkëpunimin e komunave rreth malit Sharr.

    Kryeministri Kurti shoqërohej nga ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Florian Qehaja ndërkaq nga ana e tij, kryetari Ahmeti shoqërohej nga Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani dhe deputeti i BDI-së, Artan Grubi.

  • Kamionët me mallra serbe as sot nuk lejohen të hyjnë në Kosovë

    Kamionët me mallra serbe as sot nuk lejohen të hyjnë në Kosovë

    Asnjë kamion me mallra me origjinë nga Serbia nuk ka hyrë në territorin e Kosovës, që kur Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për ndalimin e hyrjes se kamionëve me produkte dhe targa serbe në Kosovë dy ditë më parë.

    “Nuk kemi pasur asnjë hyrje, është duke u zbatuar masa e sigurisë për ndalimin e hyrjes”, tha zëdhënësi i Doganave të Kosovës Adriatik Stavileci.

    Qeveria e Kosovës, më 14 qershor, ka marrë vendim për të shtrënguar kontrollet kufitare me Serbinë.

    Ky vendim është marrë pas arrestimit të tre pjesëtarëve të Policisë së Kosovës nga forcat serbe, raporton Radio Evropa e Lirë.

    Kosova e konsideron arrestimin e tre zyrtarëve policorë si rrëmbim nga autoritetet e Serbisë në territorin e saj. Sipas Policisë së Kosovës, zyrtarët policorë janë arrestuar në Tresave/Bare që gjendet në komunën e Leposaviqit, brenda territorit të Kosovës.

    Më 15 qershor, dhjetëra kamionë me targa të Serbisë dhe me të Kosovës, u panë të parkuar në anën serbe të kufirit në Merdare, pasi nuk u lanë të futen në Kosovë.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të enjten se institucionet e sigurisë e kanë shtrënguar kontrollet kufitare me Serbinë, në përgjigje të situatës së krijuar pas arrestimit të tre pjesëtarëve të Policisë së Kosovës nga forcat serbe.

    Kryeministri Kurti mohoi të ketë ndalim të hyrjes së mallrave nga Serbia duke theksuar se masat “nuk janë ekonomike apo tregtare, por janë masa të sigurisë”.

    Serbia është një ndër pesë shtetet që eksporton më së shumti në Kosovë.

    Para vendimit të ekzekutivit, brenda një dite ky shtet eksporton mallra në vlerë prej një milion euro.

    Vetëm gjatë vitit të kaluar në tregun vendor kanë hyrë mallra në vlerë prej 372 milionë euro, derisa Kosova ka shitur në Serbi produkte në vlerë prej rreth 62 milionë euro./REL/

  • Begaj në Forumin e Prespës për dialog: Askush s’mund të verë në pikëpyetje integritetin territorial të Kosovës

    Begaj në Forumin e Prespës për dialog: Askush s’mund të verë në pikëpyetje integritetin territorial të Kosovës

    Kosova është një realitet politik i pakthyeshëm, sovraniteti dhe integriteti territorial i së cilës nuk mund të vihet në pikëpyetje nga askush, tha presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj.

    Në adresimin e tij në Forumin e Prespës, presidenti shqiptar foli për nevojën për kompromis dhe njohje të ndërsjellë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si kontribut për stabilitetin në rajon.

    Ndërsa, duke iu referuar marrëveshjes së Prespës, Presidenti Begaj, nënvizoi se është koha e duhur që liderët e Kosovës dhe Serbisë të ndërmarrin përgjegjësitë historike, për ta çuar përpara procesin e pajtimit dhe të normalizimit të marrëdhënieve midis tyre.

    Presidenti Begaj, vlerësoi gjithashtu edhe zhvillimet aktuale gjeopolitike dhe influencën e tyre në proceset demokratizuese, duke nënvizuar, se nga historia kemi mësuar se demokracia nuk është e pakthyeshme dhe tolerimi apo mosveprimi i menjëhershëm e i koordinuar në mbrojtje të institucioneve dhe vlerave demokratike e bën kalimin nga demokracia në autokraci thjesht çështje kohe.

    Në mbyllje të fjalës, Presidenti Begaj bëri thirrje për përcjelljen e një mesazhi të përbashkët të liderave nga ky forum, duke nënvizuar, se pavarësisht situatave gjeopolitike, e ardhmja e rajonit do të jetë në familjen evropiane dhe euroatlantike.

  • Për 24 orë 63 aktakuza kundër 77 personave

    Për 24 orë 63 aktakuza kundër 77 personave

    Prokuroria e Shtetit njoftoi se gjatë 24 orëve të fundit nga prokuroritë themelore janë ngritur 63 aktakuza kundër 77 personave, për kryerjen e veprave të ndryshme penale.

    Po ashtu, me urdhër të Prokurorit të Shtetit janë ndaluar gjashtëmbëdhjetë (16) persona dhe janë paraqitur nëntë (9) kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit ndaj dhjetë (10) personave, të dyshuar se kanë kryer vepra të ndryshme penale.

    Prokuroria Themelore në Prishtinë, gjatë 24 orëve të fundit, me urdhër të prokurorit ka ndaluar shtatë (7) persona, ka paraqitur tri (3) kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit ndaj katër (4) personave, si dhe ka ngritur njëzetepesë (25) aktakuza kundër tridhjetekatër (34) personave për vepra të ndryshme penale.

    Prokuroria Themelore në Prizren, gjatë 24 orëve të fundit, me urdhër të prokurorit ka ndaluar një (1) person të dyshuar, si dhe ka ngritur tri (3) aktakuza kundër tre (3) personave, për vepra të ndryshme penale. 

    Prokuroria Themelore në Pejë gjatë 24 orëve të fundit ka ndaluar dy (2) persona të dyshuar për vepra penale, ka parashtruar tri (3) kërkesa për caktimin e masës se paraburgimit ndaj tre (3) personave dhe ka ngritur pesë (5) aktakuza kundër shtatë (7) personave, për vepra të ndryshme penale.

    Prokuroria Themelore në Gjilan, me urdhër të prokurorit ka ndaluar tre (3) persona, ka paraqitur një (1) kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit kundër një (1) personi dhe ka ngritur njëmbëdhjetë (11) aktakuza kundër dymbëdhjetë (12) personave.

    Prokuroria Themelore në Gjakovë, gjatë 24 orëve të fundit, me urdhër të prokurorit kujdestar, ka ndaluar një (1) person në kohëzgjatje prej 48 orësh, ka paraqiturnjë (1) kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj një (1) personi dhe ka ngritur një (1) aktakuzë ndaj një (1) personi.

    Prokuroria Themelore në Mitrovicë, ka ndalur një (1) person dhe ka ngritur shtatë (7) aktakuza kundër shtatë (7) personave për vepra penale të ndryshme.

    Prokuroria Themelore në Ferizaj, gjatë 24 orëve të fundit, ka ndaluar një (1) person të dyshuar, ka parashtruar një (1) kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit kundër një (1) personi, si dhe ka ngritur njëmbëdhjetë (11) aktakuza kundër trembëdhjetë (13) personave, për vepra të ndryshme penale.