ATV

Author: G.O.

  • I vazhdohet mandati shefit të AKI-së

    I vazhdohet mandati shefit të AKI-së

    Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka bërë me dije se Petrit Ajetit i është vazhduar mandati në krye të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë.

    “Sot, së bashku me Kryeministrin Albin Kurti, nënshkruam vendimin për vazhdimin e mandatit të z. Petrit Ajeti në krye të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë edhe për pesë vjet të tjera.

    Ky vendim pasqyron besimin tonë në profesionalizmin, integritetin dhe lidershipin e tij në mbrojtje të sigurisë kombëtare, si dhe në forcimin e institucioneve tona të sigurisë.

    Gjatë këtij takimi, e falënderuam z. Ajeti për punën e shkëlqyer dhe përkushtimin e treguar gjatë mandatit të kaluar” u shpreh Haxhiu.

  • Macron kërkon rifillimin e bisedimeve SHBA–Iran për të shmangur përshkallëzimin

    Macron kërkon rifillimin e bisedimeve SHBA–Iran për të shmangur përshkallëzimin

    Presidenti francez Emmanuel Macron ka bërë thirrje për rifillimin e negociatave mes SHBA-së dhe Iranit, pasi raund i parë i bisedimeve përfundoi pa marrëveshje.

    Ai tha se ka zhvilluar biseda me Donald Trump dhe Masoud Pezeshkian, duke theksuar nevojën për të “qartësuar keqkuptimet dhe për të shmangur përshkallëzimin”.

    Macron kërkoi që armëpushimi të respektohet plotësisht

    nga të gjitha palët dhe të përfshijë edhe Libanin, ndonëse SHBA e konsideron këtë çështje të ndarë nga negociatat me Iranin raporton CNN.

    Ai gjithashtu theksoi rëndësinë e rihapjes së ngushticës së Hormuzit pa kushte, për të mundësuar rifillimin e shpejtë të dialogut. Sipas tij, Franca dhe Mbretëria e Bashkuar do të organizojnë një videokonferencë me vende të tjera për të diskutuar një mision mbrojtës që synon rikthimin e lirisë së lundrimit në këtë zonë strategjike.

  • Ukraina dhe Gjermania nisin planet për prodhimin e dronëve të përparuar

    Ukraina dhe Gjermania nisin planet për prodhimin e dronëve të përparuar

    Ukraina dhe Gjermania po fillojnë punën mbi planet për prodhimin e përbashkët të dronëve të përparuar dhe sistemeve të tjera mbrojtëse të testuara në betejë, tha të martën presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, ndërsa Kievi synon të shkallëzojë luftën e tij më shumë se katërvjeçare kundër pushtimit të plotë të Rusisë.

    “Ne i kemi propozuar Gjermanisë një marrëveshje dypalëshe për dronë që mbulon lloje të ndryshme dronësh, raketash, softuerësh dhe sistemesh moderne mbrojtëse. Ekipet tona po fillojnë punë konkrete”, tha Zelensky në një konferencë të përbashkët për shtyp me Kancelarin gjerman Friedrich Merz gjatë një vizite në Berlin, raporton Associated Press.

    Merz tha se angazhimi i Gjermanisë për të mbështetur përpjekjet e luftës së Kievit është “një sinjal shumë i qartë” për Rusinë.

    “Ne nuk do të lëkundemi në përpjekjet tona për të mbrojtur Ukrainën”, tha ai.

    Përpjekjet diplomatike të udhëhequra nga SHBA-të për t’i dhënë fund luftës së Rusisë ndaj fqinjit të saj janë zbehur së fundmi, ndërsa lufta me Iranin po tërheq vëmendjen e administratës Trump, megjithëse Tammy Bruce, zëvendësambasadorja e SHBA-së në Kombet e Bashkuara, i tha Këshillit të Sigurimit të OKB-së të hënën se Uashingtoni “do të vazhdojë të shtyjë për një fund të negociuar dhe të qëndrueshëm” të luftës.

    Rusia ka pushtuar rreth 20% të Ukrainës deri më tani. Kjo përfshin Gadishullin e Krimesë, të cilin Rusia e pushtoi në vitin 2014.

  • Sekuestrimi i mbi 17 kg heroinë, Sveçla përgëzon aksionin e Policisë dhe Prokurorisë Speciale

    Sekuestrimi i mbi 17 kg heroinë, Sveçla përgëzon aksionin e Policisë dhe Prokurorisë Speciale

    Ministri i Punëve së Brendshme, Xhelal Sveçla ka përgëzuar aksionin e Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë Speciale i cili rezultoi me sekuestrimin e 17.9 kilogramëve të substancave narkotike.

    Sipas një postimi në rrjetin social në Facebook, Sveçla ka shkruar se lufta ndaj këtij krimi është jo vetëm në funksion të sigurisë publike, por edhe të shëndetit e mirëqenies së fëmijëve e të rinjve.

    “Përgëzoj aksionin e suksesshëm të Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë Speciale që rezultoi me sekuestrimin e 17.9 kilogramëve substancë narkotike të llojit heroinë. Lufta ndaj këtij krimi është jo vetëm në funksion të sigurisë publike, por edhe të shëndetit e mirëqenies së fëmijëve e të rinjve tanë. Nuk ka asnjë kompromis përballë kësaj dukurie jashtëzakonisht të dëmshme për shoqërinë tonë dhe as në luftimin e këtyre grupeve kriminale”, ka shkruar Sveçla.

    Tutje bëhet e ditur se angazhimi do të vazhdojë me vendosmëri të plotë për të parandaluar dhe goditur çdo veprimtari kriminale që cenon sigurinë dhe të ardhmen e shoqërisë sonë. /Telegrafi/

  • Sulm masiv me dron rus në rajonin e Odesës

    Sulm masiv me dron rus në rajonin e Odesës

    Një sulm masiv me dron rus gjatë natës të së martës shënjestroi infrastrukturën civile dhe portuale në rajonin e Odesës, duke dëmtuar një anije me flamur panamez, një skelë dhe një barkë në portin Izmail.

    Kështu bëri me dije të martën Guvernatori Rajonal i Odesës, Oleh Kiper. Në rrethinën përreth, një sulm shkatërroi një punishte riparimi makinash, duke shkaktuar një zjarr që përpiu dy autobusë pasagjerësh dhe shtatë makina.

    Shërbimi Shtetëror i Emergjenca vetë Ukrainës në rajonin e Odesës publikoi pamje që tregonin ekipet e shpëtimit duke luftuar me flakët. Reuters nuk ishte në gjendje të konfirmonte vendndodhjen dhe datën e pamjeve; megjithatë, nuk u gjetën versione më të vjetra të videos të postuara para 14 prillit.

    Zyrtarët lokalë raportuan se gjashtë shtëpi private dhe një ambulancë u dëmtuan gjithashtu në breshëri. Zjarrfikësit arritën të shuanin flakët pavarësisht se u penguan vazhdimisht nga sirenat e sulmeve ajrore. Nuk u raportuan viktima ose lëndime, dhe shërbimet komunale mbeten në vend për të pastruar mbeturinat.

    Një sulm me dron ukrainas në Jelets, në rajonin e Lipetskut (Rusia perëndimore), la një grua të vdekur dhe pesë të plagosur (katër prej të cilëve u shtruan në spital).Guvernatori i rajonit, Igor Artamonov, raportoi sulmin, siç raportohet nga Tass dhe Interfax: “Jelets u godit nga një sulm me dron. Fatkeqësisht, ka viktima”.

    Një grua vdiq në një shtëpi në rrugën Cherokmanova. Pesë persona tët jerë u plagosën, katër prej të cilëve u shtruan në spital. Të gjithëve po u ofrohet kujdesi i nevojshëm mjekësor, shkruan A2CNN.

    Forcat ukrainase konfirmuan se goditën me dronë uzinën ruse Cherepovets-Azot, e cila prodhon kimikate të nevojshme për të bërë eksplozivë. Gjigandi kimik me bazë në rajonin e Vologdës prodhon qindra mijëra ton amoniak, nitrat dhe acid nitrik çdo vit. Produktet e tij shërbejnë si lëndë të para për prodhimin e TNT-së, heksogjenitdhe përbërësve të tjerë për prodhimin e municioneve.

  • Kina paralajmëron masa kundër ShBA-së për shkak të kërcënimit me rritje tarifash

    Kina paralajmëron masa kundër ShBA-së për shkak të kërcënimit me rritje tarifash

    Kina ka kërcënuar me “masa kundërpërgjigjeje” nëse Shtetet e Bashkuara vazhdojnë me rritjen e tarifave ndaj saj, të cilat Pekini thotë se bazohen në raportime të rreme mediatike që e akuzojnë Kinën për dhënie të mbështetjes ushtarake për Iranin.

    “Raportimet mediatike që akuzojnë Kinën për ofrim të mbështetjes ushtarake për Iranin janë krejtësisht të sajuara,” tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze në platformën X.

    “Nëse SHBA vazhdon me rritjen e tarifave ndaj Kinës mbi bazën e këtyre akuzave, Kina do të përgjigjet me masa kundërpërgjigjeje.”

    Ai shtoi se Kina vepron gjithmonë në mënyrë të kujdesshme dhe të përgjegjshme në eksportin e produkteve ushtarake dhe ushtron kontroll të rreptë në përputhje me ligjet e saj dhe detyrimet ndërkombëtare. /a2cnn

  • Kryediplomati belg nis vizitën 6-ditore në rajon, përfshirë edhe Kosovën: Ballkani Perëndimor është në Evropë

    Kryediplomati belg nis vizitën 6-ditore në rajon, përfshirë edhe Kosovën: Ballkani Perëndimor është në Evropë

    Maxime Prevot, ministër i Punëve të Jashtme, Çështjeve Evropiane dhe Bashkëpunimit për Zhvillim i Belgjikës, ka njoftuar se sot do të nis një vizitë 6-ditore në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

    Kryediplomati belg, ka bërë të ditur se gjatë këtyre ditëve do të vizitojë Kosovën, Malin e Zi, Serbinë, Maqedoninë e Veriut, dhe Bosnjë Hercegovinën, kurse Shqipërinë, ka bërë të ditur ai, do ta vizitojë në një tjetër fazë, kur do të ketë ‘’kënaqësinë të hap ambasadën’’ belge në Tiranë.

    “Angazhimi me Ballkanin Perëndimor është strategjik për sigurinë dhe stabilitetin e kontinentit tonë. Ballkani Perëndimor nuk është në pragun e Evropës — ai është në Evropë. Siguria e tyre është siguria jonë, stabiliteti i tyre është stabiliteti ynë”, ka shkruar ai mes tjerash.

    Postimi:

    Duke filluar nga sot, një vizitë pune 6-ditore në Ballkanin Perëndimor.

    Do të vizitoj Malin e Zi, Serbinë, Maqedoninë e Veriut, Kosovën dhe Bosnjë e Hercegovinën. Shqipërinë do ta vizitoj në një fazë të mëvonshme, gjatë një misioni të veçantë, kur do të kem kënaqësinë të hap Ambasadën tonë në Tiranë.

    Angazhimi me Ballkanin Perëndimor është strategjik për sigurinë dhe stabilitetin e kontinentit tonë. Ballkani Perëndimor nuk është në pragun e Evropës — ai është në Evropë. Siguria e tyre është siguria jonë, stabiliteti i tyre është stabiliteti ynë. Disa prej këtyre vendeve kanë pritur për më shumë se njëzet vjet për t’u anëtarësuar në BE. Prandaj është e rëndësishme të ruhet një perspektivë e besueshme integrimi, por procesi mbetet i bazuar në merita: presim prej tyre të kenë guximin për të zbatuar reformat e nevojshme, në lidhje me sundimin e ligjit, sistemin gjyqësor, luftën kundër korrupsionit dhe pajtimin rajonal.

    Belgjika është dhe do të mbetet një partner i angazhuar në rajon, si politikisht ashtu edhe ekonomikisht. Jam këtu për të thelluar partneritetet tona.

  • Tahiri: Nuk do të dorëzohem derisa të ketë drejtësi

    Tahiri: Nuk do të dorëzohem derisa të ketë drejtësi

    “Historia kurrë nuk vdes, ne do të vdesim”, ka thënë gruaja e parë që e dorëzoi publikisht kallëzim penal për rastin e saj pranë Prokurorisë Speciale.

    E mbijetuara e dhunës seksuale, Shyhrete Tahiri u bëri thirrje të gjithë grave dhe burrave që ende hezitojnë t’i qasen drejtësinë duke thënë “le ta kthejmë frikën tonë në guxim”.

    Ajo tha se asnjëherë nuk do të dorëzohet derisa ta gëzojë drejtësinë, raporton kp.

    Ky mesazh i saj u dha pikërisht në Ditën Memoriale për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale.

  • Dhuna seksuale gjatë luftës, Vasfije Krasniqi: 14 prilli ma prishi jetën dhe fëmijërinë

    Dhuna seksuale gjatë luftës, Vasfije Krasniqi: 14 prilli ma prishi jetën dhe fëmijërinë

    “14 prilli për shumë prej juve është një ditë në kalendar, për mua është një ditë që ma prishi jetën dhe fëmijërinë”.

    Kështu u shpreh gruaja e parë që rrëfeu publikisht në vitin 2018 tmerrin e përjetuar gjatë luftës.

    Vasfije Krasniqi në Ditën Memoriale për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale ka folur pikërisht në ditën që përkon me përvjetorin e ditës së tmerrit për të.

    Ajo tha se si 17 vjeçare e raportoi rastin pranë institucioneve të atëhershme të drejtësisë, por përjetoi padrejtësinë.

    Krasniqi bëri thirrje që këto raste të trajtohen me prioritet duke shtuar se “shpirti im do të ketë paqe kur të ketë drejtësi”, raporton kp.

    “Ambasadorja e Guximit” ka folur në konferencën rajonale në shënim të 14 prillit me temën “Avancimi i qasjes në drejtësi për të mbijetuarit e dhunës seksuale të luftës: Përgjegjësia penale dhe e drejta për kompensim”.

  • HRW: Sulmet e Izraelit ndaj depove të naftës në Iran mund të jenë krime lufte

    HRW: Sulmet e Izraelit ndaj depove të naftës në Iran mund të jenë krime lufte

    Organizata për të drejtat e njeriut, Human Rights Watch (HRW), tha se sulmet ajrore izraelite në depot e naftës përreth Teheranit në muajin mars, mund të kenë shkaktuar dëme serioze afatgjata për civilët dhe mund të përbëjnë krime lufte.

    Në një raport të publikuar më 13 prill, organizata tha se sulmet ndaj infrastrukturës që është kryesisht civile në natyrë, “janë shkelje e ligjit ndërkombëtar humanitar” dhe “ka të ngjarë të jenë krime lufte”, transmeton Radio Evropa e Lirë.

    Sulmet ndodhën më 7 mars, kur Izraeli shënjestroi katër depo nafte në zonën e Teheranit.

    Autoritetet iraniane raportuan të nesërmen se “katër lokacione të përdorura për ruajtjen dhe shpërndarjen e produkteve të naftës dhe një qendër transporti për produkte të naftës… u sulmuan nga avionët armiqësorë”.

    Në të njëjtën ditë, Forcat e Mbrojtjes së Izraelit njoftuan se kishin goditur “disa komplekse të magazinimit të karburanteve” në Teheran, që i përkisnin Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC).

    HRW-ja tha se sulmet mund të kenë pasoja të rënda afatgjata për ata që jetojnë në Iran.

    Sulmet “mund të kenë pasoja shkatërruese në mjedis dhe në shëndetin e njerëzve për shumë vite dhe ka të ngjarë të përbëjnë krime lufte”, shkroi studiuesja e HRW-së, Bahar Saba.

    “Forcat izraelite nuk duket se e kanë marrë parasysh dëmin e parashikueshëm afatgjatë… dhe duhet të mbahen përgjegjëse”, shtoi ajo.

    Organizata tha se i bazoi gjetjet e saj në intervista me tetë persona në Teheran dhe Karaj, në konsultime me nëntë ekspertë mjedisorë dhe shëndetësorë dhe në analizë të imazheve satelitore dhe videove të verifikuara.

    HRW-ja u shkroi edhe autoriteteve izraelite dhe iraniane më 26 mars, për të kërkuar sqarime.

    Zyrtarët iranianë nuk u përgjigjën, ndërsa zyrtarët izraelitë u përgjigjën më 30 mars, duke thënë se sulmet “u kryen në përputhje me parimet e dallimit, proporcionalitetit dhe masave paraprake”.

    Ata shtuan se objektet e shënjestruara ishin “për të siguruar karburante direkt për njësitë në forcat e armatosura të regjimit… duke përfshirë aviacionin, UAV-të dhe anijet detare”.

    HRW-ja tha se ka konfirmuar se depot e naftës u përdorën për “qëllime civile”, por vuri në dukje se nuk mund të përcaktonte nëse ato u përdorën edhe për mbështetje ushtarake.

    Një burim i informuar i tha organizatës se “depot e naftës përmbanin vetëm benzinë dhe naftë… nuk përdoren për aviacion, UAV ose anije detare”.

    Grupi i të drejtave të njeriut arriti në përfundimin se, duke pasur parasysh dëmin e parashikueshëm mjedisor dhe shëndetësor, sulmet ngrenë shqetësime serioze sipas ligjit ndërkombëtar humanitar dhe mund të përbëjnë krime lufte./REL