ATV

Author: G.O.

  • BE nis transferimin e 61.8 milionë eurove për Kosovën nga Plani i Rritjes

    BE nis transferimin e 61.8 milionë eurove për Kosovën nga Plani i Rritjes

    Pas ratifikimit në Kuvend të Marrëveshjeve të lidhura me Planin e BE-së për Rritje Ekonomike dhe dorëzimit të dokumentacionit të nevojshëm nga Qeveria, Komisioni Evropian ka nisur bartjen e mjeteve të parafinancimit prej 61.8 milionë eurosh për Kosovën përmes Instrumentit për Reforma dhe Rritje sipas Planit të BE-së për Rritje Ekonomike për Ballkanin Perëndimor, duke i dhënë kështu një stimul të rëndësishëm avancimit të reformave.

    Siç njofton Zyra e BE-së në Kosovë, parafinancimi përfaqëson 7% të totalit prej 882.6 milionë eurosh grante dhe kredi të favorshme në dispozicion të Kosovës në kuadër të Planit për Rritje Ekonomike deri në fund të vitit 2027.

    Këto mjete, sipas njoftimit, do të përkrahin zbatimin e Agjendës së Reformave të Kosovës dhe projekte kyçe në infrastrukturë të mbështetura nga Korniza e Investimeve të Ballkanit Perëndimor (WBIF), duke e afruar edhe më shumë Kosovën me BE-në.

    “Prej 61.8 milionë eurove, sot në buxhetin e Kosovës janë bartur 28.74 milionë euro kredi, ndërsa shuma e mbetur – 33.04 milionë euro (17.73 milionë grante dhe 15.31 milionë kredi) – do të kanalizohet përmes WBIF-it”, tha Nikola Gaon, zëdhënës i BE-së në Kosovë.

    Në njoftim theksohet se në Agjendën e vet të Reformave, që është bazë për ndarjen e mjeteve të Planit të BE-së për Rritje Ekonomike, Kosova është zotuar të zbatojë 111 hapa reformash, duke mbuluar fusha kyçe si sundimi i ligjit, qeverisja, zhvillimi ekonomik, tranzicioni i gjelbër dhe ai digjital, si dhe kapitali njerëzor.

    BE thotë se secili hap i reformave është i ndërlidhur me një alokim specifik financiar.

    “Pagesat sipas Planit për Rritje Ekonomike do të bëhen në mënyrë progresive me zbatimin nga Kosova të reformave të dakorduara. Nëse nuk përfundohen brenda afateve të përcaktuara hapa të caktuar të reformave, nuk do të disbursohen mjetet përkatëse”, u tha më tej në njoftim.

    Zyra e BE-së në Kosovë thotë se afati i parë përfundimtar i pret 13 hapa të reformave që së bashku kapin vlerën prej 90.8 milionë eurosh, të cilat priten të barten deri më 30 qershor 2026. Për më tepër, BE thotë se fundi i këtij viti shënon afatin përfundimtar për 27 hapa të tjerë të reformave që kapin vlerën prej 165.9 milionë eurosh.

    “Bashkimi Evropian qëndron përkrah Kosovës në rrugën e integrimit në BE. Plani për Rritje Ekonomike ofron mundësi konkrete për përshpejtim të reformave të lidhura me BE-në dhe për afrim më të madh të ekonomisë së Kosovës me tregun e përbashkët të BE-së. Përmes kësaj përkrahje, BE-ja synon t’i ndihmojë Kosovës të forcojë sundimin e ligjit, të avancimin e tranzicionit të gjelbër dhe atij digjital, si dhe të nxitjen e rritjes së qëndrueshme ekonomike”, u shpreh shefja në detyrë e BE-së në Kosovë, Eva Palatova.

    Ndërkaq, kryeministri Albin Kurti, u shpreh se Kosova është e përkushtuar për zbatim në kohë të Agjendës së Reformave, si dhe për t’i shfrytëzuar plotësisht mundësitë e ofruara nga Plani për Rritje Ekonomike.

    “Vërtet është humbur pak kohë, por ne do të bëjmë çmos t’i përshpejtojmë reformat dhe t’i përmbushim zotimet tona. Kjo është detyrë e vështirë, por e arritshme”, u shpreh Kurti.

    BE-ja thotë se është ofruesi më i madh i asistencës financiare dhe partneri më i besueshëm i Kosovës, me më shumë se 3.7 miliardë euro grante të investuara në mbarë sektorët që nga viti 1999, dhe 421 milionë euro shtesë në grante të IPA-s (Instrumenti i BE-së për Ndihmën e Para-anëtarësimit) aktualisht në dispozicion të Kosovës.

    Veç kësaj, përmes Planit për Rritje Ekonomike, BE-ja vazhdon të përkrahë përpjekjet e Kosovës për reforma dhe përparimin e vendit në rrugën drejt integrimit evropian.

  • Gërvalla në Qendrën e Paraburgimit në Gjilan: Marrëveshja me Danimarkën rrit përgjegjësinë për sistemin korrektues

    Gërvalla në Qendrën e Paraburgimit në Gjilan: Marrëveshja me Danimarkën rrit përgjegjësinë për sistemin korrektues

    Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla ka vizituar të mërkurën Qendrën e Paraburgimit në Gjilan, gjersa ka folur edhe për Marrëveshjen Ndërkombëtare me Mbretërinë e Danimarkës.

    Gërvalla në një postim në Facebook shkruan se sistemi korrektues mbetet një nga testet më të drejtpërdrejta të seriozitetit të shtetit ndaj drejtësisë dhe nuk lë hapësirë për standarde të dyfishta.

    “Në këtë drejtim, edhe angazhimet ndërkombëtare që kemi marrë, përfshirë këtu Marrëveshjen Ndërkombëtare me Mbretërinë e Danimarkës, e rrisin përgjegjësinë tonë për të ndërtuar një sistem korrektues funksional, të besueshëm dhe në përputhje të plotë me standardet që kërkojmë vetë t’i përfaqësojmë.

    Me stafin drejtues dhe atë korrektues, folëm për përgjegjësinë konkrete që kemi në garantimin e respektimit të të drejtave të personave të privuar nga liria, si dhe për nevojën që standardet të zbatohen në praktikë, jo vetëm të mbeten në letër, sepse si trajtohen të privuarit nga liria, tregon sa vlen realisht sundimi i ligjit”, tha ajo.

    Gërvalla tha tutje se angazhimi institucional në këtë fushë do të jetë i çdoditshëm dhe i pandërprerë, ndërsa rritja e llogaridhënies dhe e përgjegjësisë institucionale mbetet detyrim dhe jo zgjedhje, që do të ndiqet me vendosmërinë më të madhe. /Telegrafi/

  • Ministri i Jashtëm i Belgjikës sot në Kosovë, takohet me krerët e shtetit

    Ministri i Jashtëm i Belgjikës sot në Kosovë, takohet me krerët e shtetit

    Ministri i Punëve të Jashtme i Belgjikës, Maxime Prévot sot do të jetë për vizitë zyrtare në Kosovë, në kuadër të së cilës deri më tani janë konfirmuar zyrtarisht dy takime nga pala kosovare.

    Ministri belg do të takohet me kryeministrin Kurti në orën 13:30, njoftoi Zyra e kryeministrit.

    Ndërsa, në orën 15:15 Prevot do të takohet me zëvendëskryeministrin e parë dhe ministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës Glauk Konjufca.

    Pas këtij takimi, dy homologët do të mbajnë konferencë të përbashkët për media.

    Kryediplomati belg ka bërë të ditur se gjatë këtyre ditëve do të vizitojë Kosovën, Malin e Zi, Serbinë, Maqedoninë e Veriut, dhe Bosnjë Hercegovinën, kurse Shqipërinë, ka bërë të ditur ai, do ta vizitojë në një tjetër fazë, kur do të ketë ‘’kënaqësinë të hap ambasadën’’ belge në Tiranë,

    Duke njoftuar për vizitën në vendet e rajonit, kryediplomati belg ka shkruar se është me rëndësi që për gjashtëshen e Ballkanit Perëndimor të ruhet perspektivë e besueshme integrimi.

    “Por procesi mbetet i bazuar në merita: presim prej tyre të kenë guximin për të zbatuar reformat e nevojshme, në lidhje me sundimin e ligjit, sistemin gjyqësor, luftën kundër korrupsionit dhe pajtimin rajonal”, ka thënë Prevot.

  • Distria Krasniqi kualifikohet në gjysmëfinale të Evropianit

    Distria Krasniqi kualifikohet në gjysmëfinale të Evropianit

    Distria Krasniqi është kualifikuar në gjysmëfinale të Kampionatit Evropian të xhudos.

    Kampionia olimpike në çerekfinale e eliminoi polaken Aleksandra Kaleta.

    Paraprakisht, ajo e kaloi rrethin e parë pa luftë, ndërsa në atë të dytë e eliminoi çeken Tereza Bodnarova.

    Krasniqi synon të fitojë medalje në Evropian.

  • Zelensky tregon suksesin e dronëve ukrainas në luftën ndaj Rusisë

    Zelensky tregon suksesin e dronëve ukrainas në luftën ndaj Rusisë

    Lufta e së ardhmes është tashmë një realitet i mirënjohur për teknikët ushtarakë ukrainas dhe njësitë e dronëve të vendosura në frontin rus.

    Imagjinoni jo vetëm dronë në qiell që vëzhgojnë lëvizjet e armikut dhe nisin sulme kamikaze, por edhe automjete të vogla të blinduara, të drejtuara nga distanca, dronë tokësorë që qëllojnë dhe vendosin mina, dhe mbi të gjitha, ushtarë robotë që sulmojnë krejtësisht të pashqetësuar nga zjarri armik.

    Një mënyrë e shkëlqyer për të shpëtuar jetën e ushtarëve, veçanërisht kur zyrat e rekrutimit raportojnë mungesë rekrutësh të rinj dhe fronti është i pambrojtur.

    Volodymyr Zelensky njoftoi të martën se “për herë të parë, një pozicion rus është mposhtur dhe kapur duke përdorur vetëm robotë tokësorë dhe dronë”. Sipas tij, ishte një sukses i plotë. Dhe një rast që padyshim do të krijojë një precedent.

    “Operacioni ynë i detyroi rusët të dorëzoheshin. Ne nuk humbëm asnjë ushtar”, ​​specifikoi presidenti ukrainas. Nuk është për t’u habitur në këtë kontekst që si Arabia Saudite ashtu edhe Emiratet kanë nënshkruar së fundmi kontrata të mëdha bashkëpunimi ushtarak me kompanitë ukrainase të mbrojtjes.

    Pavarësisht refuzimit të hapur nga Donald Trump të ofertave të Zelensky-t për të ofruar teknologji ukrainase të dronëve në konfliktin me Iranin, interesi i tregut në këtë sektor po rritet me shpejtësi.

    Në fazat e hershme të luftës, dronët ajrorë dhe detarë dominuan prodhimin ushtarak. Por puna në robotët tokësorë ka qenë duke u zhvilluar për ca kohë. Gjatë tre muajve të fundit, këto dronë të rinj raportohet se kanë kryer mbi 22,000 operacione.

    “Kjo do të thotë që jetët e ushtarëve tanë janë shpëtuar më shumë se 22,000 herë. Ne dërguam dronë mekanikë në zona të rrezikshme të vijës së frontit në vend të heronjve tanë. Është një rast për të thënë se teknologjia e lartë mbron vlerën e lartë të jetës njerëzore”, tha Zelensky.

    Presidenti më pas identifikoi disa nga sistemet robotike të përdorura në operacion: Ratel, TerMit, Ardal, Rys, Zmiy, Protector dhe Volia. Dhjetorin e kaluar, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ukrainës, Oleksandr Syrskyi, kishte përsëritur publikisht qëllimin e tij për të intensifikuar përdorimin e dronëve tokësorë.

    Në gjashtë muajt e fundit, ka pasur të paktën 2,000 misione të tilla, ekuivalente me rreth një të dhjetën e të gjitha operacioneve. Duhet shtuar se afërsisht 90% e humbjeve në të dy ushtritë shkaktohen nga dronët.

    Ukrainasit tregojnë pamje të kapura nga kamerat e dronëve që tregojnë ushtarë rusë duke valëvitur shami të bardha si shenjë dorëzimi. Dronët po përdoren gjithashtu për të evakuuar të plagosurit nga fronti. Në Kiev, besohet se humbja zgjedhore e Viktor Orbán do të zhbllokojë 90 miliardë eurot e ndara nga BE, të cilat do të jenë jetike për financimin e industrisë lokale të mbrojtjes dhe sigurimin e bashkëpunimit të saj me kompanitë evropiane.

    Zelensky sapo ka nënshkruar kontrata të mëdha me Norvegjinë dhe Gjermaninë. Ndërsa londra ka filluar të dorëzojë 120,000 dronë të gjeneratës së fundit në Kiev.

  • Nënshkruhet marrëveshja për eliminimin e tatimit të dyfishtë ndërmjet Kosovës dhe Belgjikës

    Nënshkruhet marrëveshja për eliminimin e tatimit të dyfishtë ndërmjet Kosovës dhe Belgjikës

    Ministri i Financave, Hekuran Murati dhe Zëvendëskryeministri e Ministri i Financave i Mbretërisë së Belgjikës, Jan Jambon, kanë nënshkruar marrëveshjen për Eliminimin e Tatimit të Dyfishtë në lidhje me Tatimet mbi të Ardhurat dhe Kapitalin, si dhe për Parandalimin e Evazionit dhe Shmangies Tatimore.

    Marrëveshja u nënshkrua në Washington DC.

    Ministri Murati theksoi se marrëveshja krijon kushte më të favorshme për investime dhe lehtëson veprimtarinë e bizneseve në të dy vendet.

    Ndërkaq, Ministri Jambon vlerësoi bashkëpunimin me Kosovën dhe rikonfirmoi mbështetjen e vazhdueshme të Belgjikës në proceset integruese të Kosovës.

    “Kjo marrëveshje forcon tutje partneritetin ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Belgjikës dhe dëshmon angazhimin e përbashkët për thellimin e bashkëpunimit bilateral. Gjatë kësaj jave, Ministri Murati po qëndron në Washington DC, ku po merr pjesë në Takimet Pranverore të organizuara nga Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar”, thuhet në njoftim.

  • Pacolli emëron Adem Berishën u.d të drejtorit të Inspektoratit

    Pacolli emëron Adem Berishën u.d të drejtorit të Inspektoratit

    Ministrja e Mjedisit dhe Planfikimit Hapësinor, Fitore Pacolli ka emëruar Adem Berishen si Ushtrues Detyre të Drejtorit të Inspektoratit.

    Këtë Pacolli e ka bërë të ditur përmes një postimi në profilin e saj në rrjetin social Facebook.

    Njoftimi i plotë:

    Në kuadër të reformës së brendshme në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor kam emëruar Ushtrues Detyre i Drejtorit të Inspektoratit z. Adem Berisha.

    Me emërimin e kryesinspektorit të ri synojmë forcimin e funksionimit të Inspektoratit, rritjen e efikasitetit në zbatimin e ligjit dhe përmirësimin e mbikëqyrjes në fushën e mjedisit dhe planifikimit hapësinor.

  • Keqtrajtimi i 5-vjeçarit në Lipjan, Hoti pranon raportin final – institucionet dështuan në trajtimin e rastit

    Keqtrajtimi i 5-vjeçarit në Lipjan, Hoti pranon raportin final – institucionet dështuan në trajtimin e rastit

    Ministri për Punë dhe Familje, Andin Hoti, e ka pranuar raportin final për trajtimin e rastit të familjes së pesëvjeçarit nga Janjeva e Lipjanit nga ana e Qendrës për Punë Sociale.

    Ky raport është pranuar, vonë pasditen e së mërkurës nga Divizioni për Inspektimin e Shërbimeve Sociale dhe Familjare.

    Ministri Hoti e konfirmoi për KosovaPress se në gjetjet e këtij raporti, konstatohet se në këtë rast është fajtore QPS-ja, por edhe institucione të tjera, andaj paralajmëroi masa ndëshkuese për të gjithë që janë evidentuar për mostrajtim të duhur të rastit.

    “Raportin çuditërisht e kam pranuar sot. Njëra prej të gjeturave të raportit thotë që në vendimin e Gjykatës të vitit 2023 i ka obliguar Qendrën për Punë Sociale për monitorimin e familjes në raport me fëmijët. Pra, e ka obliguar Qendrën për Punë Sociale në raport edhe me prindërit për shëndetin mendor të tyre, që QPS-të nuk merren me shëndetin mendor, janë Qendrat për Shëndetin Mendor që merren me shëndetin mendor, jo QPS-së. Sidoqoftë, është nën hetim prej Prokurorisë. Çka mund të ndërmarrim tjetër ne është një propozim ndaj kryetarit të komunës së Lipjanit që me i qit në masa disiplinore të gjithë stafin e Qendrës për Punë Sociale që është në Lipjan dhe këtë do ta bëjmë nesër, sepse sot është jashtë afatit të punës dhe të shqyrtohen nëse ata vërtetë i kanë ndjekur masat”, shtoi ai.

    Ministri Hoti në këtë intervistë është pyetur edhe për shkeljet tjera që ka konstatuar ky raport, për çka është rezervuar në përgjigje.

    “Nuk mund t’i them të gjitha shkeljet që konstaton për shkak se është nën hetim prej prokurorisë. Por, të tregova çka konstaton raporti, një është që çështje ndërministrore, problemi nuk është vetëm te QPS-ja, por edhe te disa institucione tjera. A ka shkelje prej zyrtarëve komunal të QPS-së ose neglizhencë, mund ta konfirmoj që po, por më shumë nuk mund të flas në këtë aspekt. Këto dy veprime do të ndërmerren prej meje, neve, kërkesën për ta ftuar Donika Gërvallën që të ftojë këtë grupin koordinues dhe e dyta që t’i propozohet kryetarit të komunës që të ndërmerr masa disiplinore zyrtarëve aty. Licencën ndaj shefes së QPS-së, menaxheres së rastit, ne e kemi përgatitur dhe jemi për të ja tërhequr, por për një gjë të tillë na duhet koordinim ndërministror e ndoshta edhe prokurorisë…Jo qendrës, menaxheres së rastit dhe shefes së QPS-së nëse 100 për qind vërtetohet që nuk i kanë ndërmarrë veprimet që i ka obliguar gjykata në vitin 2023”, ka thënë Hoti.

    Ai paralajmëroi se do të ftohet grupi ndërministror dhe po ashtu do të kërkohet nga kryetari i Lipjanit që të vendos masa disiplinore ndaj stafit të kësaj qendre.

    “Po, raporti mua më ka ardhur, ju e dini që ky rast është nën hetim edhe nga Prokuroria e Kosovës, kështu që unë do të rezervohem shumë për të gjeturat e raportit. Dy gjëra që mund t’i tregojë që do t’i bëjmë është që t’i propozojmë koordinatores kombëtare, që në këtë rast është Donika Gërvalla që me thirr takimin e grupit koordinues ndërministror për mbrojtjen nga dhuna në familje. Sepse, e përmenda më herët Departamenti për Shërbime Sociale (QPS), politikat për to i bëjmë ne. Por, Qendrat e Shëndetit Mendor janë në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë. Policia e Kosovës është në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme, kështu që nevojitet një koordinim ndërministror në këtë rast për të parë se çfarë veprime do të ndërmerren dhe ku saktë është problemi”, deklaroi ai.

    Për këtë vendim, Hoti tha se janë në pritje të disa hapave që po ndërmerren edhe nga institucione të tjera.

    “Jemi në pritje sepse janë edhe disa hapa duke u ndërmarrë Inspektorati, në këtë rast janë duke ndërmarrë një verifikim me Policinë e Kosovës. Disa herë po them që nuk po dua të tregojë më shumë detaje në këtë raport, sepse nuk e di se çka mund të më bëjë mua pastaj. Por, në momentin që bëhen koordinimet me Policinë e Kosovës dhe verifikohet kjo që thash, po. Unë nuk mund të mos e marrë sepse një fëmijë sot është në spital, me gjymtyrë të dëmtuara, për faj të dikujt. Kështu që dikush këtu duhet të marrë përgjegjësi”, përfundon ai.

    Një muaj më parë, ngjarja e pesëvjeçarit e ka tronditur vendin. Për shkak të keqtrajtimit nga prindërit, ai mori trajtim mjekësor në Kujdesin Intensiv Pediatrik.

    Për dy prindërit e tij, me vendim të Gjykatës Themelore të Prishtinës ishte caktuar masa e paraburgimit. Ndërkaq, gjashtë fëmijët të kësaj familje janë marrë nën përkujdesje nga Qendra për Punë Sociale të Lipjanit. /Kp/

  • Trump thotë se bisedimet për paqe mund të rifillojnë së shpejti teksa bllokada vazhdon

    Trump thotë se bisedimet për paqe mund të rifillojnë së shpejti teksa bllokada vazhdon

    Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë të mërkurën se bisedimet për paqe me Iranin mund të rifillojnë brenda një ose dy ditësh, ndërkohë që ushtria amerikane po pengon tregtinë detare të tij në përpjekje për ta detyruar Teheranin të rikthehet në tryezën e negociatave.

    Trump urdhëroi vendosjen e bllokadës detare ndaj anijeve që shkojnë drejt Iranit ose vijnë nga portet iraniane, pasi SHBA-ja dhe Irani dështuan të arrinin marrëveshje për t’i dhënë fund luftës që nisi më 28 shkurt gjatë bisedimeve për paqe në Islamabad më 11-12 prill.

    Në një intervistë për Fox Business News të mërkurën, Trump tha se mendon se lufta mund të përfundojë “shumë shpejt”.

    Ndërkohë, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmaeil Baqaei, theksoi në një konferencë javore për shtyp në Teheran se, që nga përfundimi i bisedimeve, Irani ka qenë në komunikim me Shtetet e Bashkuara përmes Pakistanit.

    “Mendoj se [lufta] mund të përfundojë shumë shpejt. Do të marrë fund së shpejti”, tha Trump në intervistën për Fox.

    Paraprakisht, Trump kishte thënë për New York Post se negociatorët mund të takohen sërish brenda disa ditësh.

    Por, armëpushimi dyjavor i arritur mes SHBA-së dhe Iranit më 7 prill po shkon drejt përfundimit dhe Trumpi tha se nuk e ka ndër mend ta zgjasë marrëveshjen për të.

    Thuhet se Pakistani po përpiqet ta ndërmjetësojë një rund të ri bisedimesh, ndërsa nënpresidenti amerikan, JD Vance, i cili udhëhoqi delegacionin amerikan në rundin e parë, ngriti mundësinë e takimeve të tjera duke thënë se ishte arritur “shumë përparim” gjatë bisedimeve të 11-12 prillit.

    “Topi është në fushën e Iranit”, sipas Vance, i cili tha se mosmarrëveshjet mbi programin bërthamor të Iranit përfundimisht çuan në dështimin e bisedimeve.

    Më vonë, në një aktivitet në shtetin jugor amerikan të Xhorxhias, Vance tha se Trump dëshiron të arrijë “marrëveshje të madhe” me Iranin, por se ka shumë mosbesim mes dy vendeve.

    Presidenti iranian, Masud Pezeshkian, e fajësoi Uashingtonin për dështimin e bisedimeve, por gjithashtu tha se “diplomacia është rruga e duhur për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve”.

    Një nga çështjet më të diskutueshme ka qenë mbyllja e Ngushticës së Hormuzit nga Irani, një rrugë ujore nëpër të cilën kalon rreth një e pesta e dërgesave botërore të naftës dhe gazit në kohë paqeje.

    Pasi bisedimet në Islamabad përfunduan pa marrëveshje, Trump njoftoi vendosjen e bllokadës amerikane ndaj anijeve që shkojnë drejt Irani apo vijnë nga Irani.

    Ngushtica lidh Evropën me Azinë përmes Kanalit të Suezit dhe cilësohet si një nga rrugët më të rëndësishme të tregtisë detare në ekonominë globale.

    Komanda Qendrore e SHBA-së, përgjegjëse për operacionet në rajon, tha në një postim në platformën X se gjatë 24 orëve të para, asnjë anije nuk arriti të kalojë bllokadën amerikane dhe gjashtë anije tregtare iu bindën urdhrave të forcave amerikane për t’u kthyer mbrapsht drejt një porti iranian në Gjirin e Omanit.

    “Bllokada e porteve iraniane është zbatuar plotësisht, ndërsa forcat amerikane ruajnë epërsinë detare në Lindjen e Mesme”, tha Brad Cooper, komandanti i CENTCOM, në një postim në X të martën.

    “Në më pak se 36 orë nga vendosja e bllokadës, forcat amerikane kanë ndalur plotësisht tregtinë ekonomike që hyn dhe del nga Irani përmes detit”.

    Në të njëjtën kohë, të dhënat nga shërbimet e gjurmimit treguan se të paktën katër anije, dy prej të cilave kishin qenë së fundmi në porte iraniane, kaluan ose po kalonin nëpër Ngushticën e Hormuzit, në orët pasi bllokada hyri në fuqi në orën 10:00 sipas kohës lindore të SHBA-së të hënën.

    Ndërkohë, të mërkurën, Irani kërcënoi se do t’i rifillojë sulmet në rajonin e Gjirit nëse bllokada rrezikon sigurinë e anijeve dhe tankerëve iranianë të mallrave, duke thënë se kjo do të përbënte shkelje të marrëveshjes së armëpushimit.

    Lufta me Iranin, e cila praktikisht mbylli Ngushticën e Hormuzit, ka shkaktuar tronditje në çmimet globale të energjisë, ndërsa ndalimi i dërgesave të mallrave të tjera me vlerë miliarda dollarë që kalojnë nëpër këtë rrugë të ngushtë detare ka kërcënuar ekonomitë në mbarë botën./REL

  • Arben Gashi reagon pasi u la jashtë kryesisë nga Abdixhiku: LDK-së i duhet lidership i ri me energji të re

    Arben Gashi reagon pasi u la jashtë kryesisë nga Abdixhiku: LDK-së i duhet lidership i ri me energji të re

    Ish-deputeti i LDK-së, Arben Gashi, ka reaguar pasi është lënë jashtë Kryesisë së LDK-së nga Lumir Abdixhiku.

    Gashi ka thënë se ka folur hapur brenda partisë për problemet të cilat i ka konsideruar, megjithatë thotë se s’janë marrë veprime ndonëse në realitet është konstatuar se ato ekzistojnë.

    Gashi ka thënë se ekziston hendek i madh në mes të LDK-së dhe votuesve prandaj partisë i duhet lidership dhe energji e re.

    Reagimi i plotë:

    Të nderuar përkrahës, votues e simpatizantë të LDK-së, qytetarë të Kosovës,

    Pas publikimit të Kryesisë së re të LDK-së, kam pranuar shumë telefonata dhe mesazhe nga ju dhe nga mediat. Prandaj, po e them qartë:

    Unë nuk jam pjesë e Kryesisë së re të LDK-së.

    Që nga përfundimi i zgjedhjeve të shkurtit 2025, kam folur hapur brenda strukturave të LDK-së për gjendjen në parti dhe për humbjen e besimit të brendshëm. Kam propozuar veprime konkrete për distancim nga parregullsitë dhe për krijimin e një momentumi të ri, gjithëpërfshirës, konkurrues dhe me vizion të qartë.

    Këto propozime nuk gjetën përkrahje në votim, edhe pse realiteti u pranua në fjalë.

    Kam refuzuar përjashtimet dhe kam kërkuar unitet. Jo për individë, por për një ide: që një parti që synon të udhëheqë, duhet së pari të jetë e bashkuar dhe e drejtë me vetveten.

    Edhe pas zgjedhjeve të dhjetorit 2025, ku rezultati nuk ishte ai që e meriton LDK-ja, paraqita sërish analiza dhe rrugëdalje konkrete. U zgjodh një drejtim tjetër. E pranoj këtë si fakt politik, por jo si fund të bindjeve të mia.

    Sot e them pa dilemë:

    Hendeku mes LDK-së dhe votuesit nuk është rastësi, është pasojë e mungesës së guximit për të ndryshuar në kohë.

    Një cikël politik ka përfunduar.

    LDK-së i duhet një cikël i ri, me lidership dhe energji të re, me besim të rikthyer mbi vlerat e saj autentike.

    Sepse:

    Besimi nuk kërkohet – fitohet.

    Shpresa nuk premtohet – ndërtohet.

    Ndryshimi nuk pret – bëhet.

    Sot, Kosovës i mungon më shumë se gjithçka tjetër besimi dhe shpresa. I duhet një politikë që pranon realitetin, por ndërton të ardhmen. I duhet një angazhim i sinqertë që e kthen qytetarin në qendër, i duhen vlerat e vërteta të LDK-së.

    Unë besoj se këto vlera mund të rikthehen. Dhe për këtë do të angazhohem pa hezitim.

    A do ta gjejë LDK-ja forcën për ta bërë këtë?

    Kjo mbetet për t’u parë.

    Unë do të vazhdoj të jem aty ku kam qenë gjithmonë:

    në anën e parimeve, të votuesit dhe të së vërtetës.

    Ju priftë e mbara!