ATV

Author: G.O.

  • Bill Clinton: Eliot Engel ishte një aleat i palodhur dhe mik i vërtetë

    Bill Clinton: Eliot Engel ishte një aleat i palodhur dhe mik i vërtetë

    Ish-presidenti amerikan, Bill Clinton, ka reaguar pas ndarjes nga jeta të kongresmenit amerikan Eliot Engel, duke e cilësuar atë si një nga aleatët më të besueshëm dhe një figurë të përkushtuar në shërbim të qytetarëve.

    Në reagimin e tij të publikuar në platformën X, Clinton ka theksuar rolin e Engel si përfaqësues i palodhur i interesave të zgjedhësve të tij, si dhe kontributin e tij në çështje të rëndësishme të politikës së brendshme dhe asaj ndërkombëtare.

    Ai ka shtuar se Engel ka qenë një bashkëpunëtor i rëndësishëm gjatë periudhës së tij në Shtëpinë e Bardhë, duke e përshkruar si një mik të vërtetë dhe njeri me vlera të larta njerëzore.

    “Eliot Engel ishte një mbrojtës i palodhur i zgjedhësve të tij, një aleat i domosdoshëm për mua në çështje të brendshme dhe ndërkombëtare, një mik i vërtetë dhe një njeri i mirë. Jam mirënjohës për jetën e tij në shërbim publik dhe do të më mungojë shumë”, ka shkruar Clinton.

    Clinton ka shprehur gjithashtu mirënjohje për jetën dhe shërbimin publik të Engel, duke theksuar se trashëgimia e tij do të mbetet e vlerësuar në politikën amerikane dhe më gjerë. /Telegrafi/

  • Hoxhaj kujton takimet me kongresistin Engel: Mbështetja e tij nuk ishte vetëm politike

    Hoxhaj kujton takimet me kongresistin Engel: Mbështetja e tij nuk ishte vetëm politike

    Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka kujtuar kohën e bashkëpunimit me kongresmenin Eliot Engel.

    Ai ka vlerësuar se Engel ishte një autoritet i pazëvendësueshëm politik dhe moral.

    Në profilin e tij në Facebook, Hoxhaj ka shkruar se ai do të mbetet përgjithmonë i lidhur me miqësinë e madhe mes Kosovës dhe Amerikës.

    “Ndarja nga jeta e Eliot Engel më preku thellë, jo vetëm si një mik i madh i Kosovës, por edhe si një zë i fuqishëm në ShBA për të vërtetën e shqiptarëve. Për mua dhe për çdo shqiptar, ai ishte një autoritet i pazëvendësueshëm politik dhe moral. Kam pasur privilegjin të punoj me të në përpjekjet për njohjen e Kosovës dhe rrugëtimin e saj euro-atlantik, prandaj mbështetja e tij nuk ishte vetëm politike, por edhe thellësisht njerëzore e personale. Emri i tij do të mbetet përgjithmonë i lidhur me miqësinë e madhe mes Kosovës dhe Amerikës, ndërsa besimi i tij në të ardhmen e vendit tonë nuk do të harrohet kurrë”, ka shkruar ai.

  • Instituti i Krimeve të Kryera Gjatë Luftës mbledh arkiva në Tetovë

    Instituti i Krimeve të Kryera Gjatë Luftës mbledh arkiva në Tetovë

    Instituti i Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë ka realizuar një vizitë zyrtare në Tetovë, me fokus mbledhjen dhe dokumentimin e materialeve arkivore që dëshmojnë krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.

    Sipas njoftimit zyrtar, vizita ka nisur në Bibliotekën e Tetovës, ku janë skanuar materiale me rëndësi të veçantë, të cilat lidhen me dokumentimin e dëbimit të popullsisë shqiptare gjatë viteve 1998–1999.

    Këto materiale pritet të shërbejnë si dëshmi të rëndësishme në ndërtimin e arkivave dhe në forcimin e bazës dokumentare për trajtimin e krimeve të luftës, si dhe në funksion të ruajtjes së kujtesës historike.

  • Thaçi për shkëmbimin e territoreve: Qëllimi im kryesor ishte sigurimi i një paqeje të qëndrueshme mes Kosovës dhe Serbisë

    Thaçi për shkëmbimin e territoreve: Qëllimi im kryesor ishte sigurimi i një paqeje të qëndrueshme mes Kosovës dhe Serbisë

    Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, edhe nga Qendra e Paraburgimit në Hagë ka komentuar idenë e tij për shkëmbim territoresh me Serbinë.

    Në një intervistë për “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, ai ka bërë të ditur se ky propozim kishte për qëllim sigurimin e një paqeje të qëndrueshme mes Kosovës dhe Serbisë.

    “Qëllimi im kryesor ishte sigurimi i një paqeje të qëndrueshme mes Kosovës dhe Serbisë, që do t’u mundësonte të dyja vendeve të ecin përpara dhe Kosovës integrim të plotë ndërkombëtar. Do të ishte e pafalshme të lihen probleme të pazgjidhura për brezat e ardhshëm”, është shprehur Thaçi.

  • 19-vjeçari nga Kosova humb jetën në një aksident tragjik në Austri

    19-vjeçari nga Kosova humb jetën në një aksident tragjik në Austri

    Një 19-vjeçar me prejardhje nga Kosova ka vdekur në orët e hershme të mëngjesit të sotëm në rrugën Eferdinger, në Alkoven të Austrisë, pas një aksidenti të rëndë trafiku.

    Sipas mediave lokale, i riu ishte përplasur me një kamion, ndërsa bëhet e ditur se përplasja ka qenë shumë e fortë, saqë shoferi ka mbetur i bllokuar brenda automjetit dhe është dashur ndërhyrja e zjarrfikësve për ta nxjerrë.

    Vdekja e tij është konstatuar nga mjekët në vendin e ngjarjes, ndërsa janë njoftuar edhe familjarët për rastin tragjik.

    Si erdhi deri te ky aksident?

    Media austriake “orf” ka raportuar se i riu nga Kosova, i cili jetonte në Eferding, ishte duke u nisur për në punë pak pas orës 07:00 të mëngjesit të së shtunës.

    Për arsye ende të panjohura, ai ka dalë në shiritin e kundërt të rrugës, siç kanë deklaruar shoferë të tjerë.

    Kamioni me të cilin u përplas i riu nga Kosova po drejtohej nga një 63-vjeçar. Makinat janë ndeshur kokë më kokë dhe më pas janë rrokullisur.

    Goditja ka qenë aq e fortë sa shoferi i ri ka mbetur i ngujuar në automjetin e shkatërruar dhe ka pësuar lëndime të rënda.

    Një mjek që ndodhej rastësisht pranë vendit të ngjarjes ka ofruar menjëherë ndihmën e parë. Më pas kanë intervenuar edhe zjarrfikësit e Brigadës Polsing dhe Alkoven, të cilët e kanë nxjerrë të riun nga rrënojat, por ai nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve dhe ka vdekur në vendin e ngjarjes.

    Një kushëri i viktimës ka arritur me shpejtësi në vendin e ngjarjes dhe ka informuar babanë e 19-vjeçarit për tragjedinë.

    Familjarët kanë marrë edhe mbështetje psikologjike, ndërsa shoferi i kamionit ka pësuar tronditje nga ngjarja.

  • Tre të vrarë nga sulmet ajrore izraelite në Liban

    Tre të vrarë nga sulmet ajrore izraelite në Liban

    Tre persona janë vrarë pasi Izraeli sulmoi qytetin Zefta në Nabatieh, në jug të Libanit, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të këtij vendi.

    Ministria thotë se një nga të vrarët ishte pjesëtar i Mbrojtjes Civile të Libanit. Dy persona të tjerë janë plagosur.

    Nuk është e qartë se kur saktësisht kanë ndodhur vrasjet. Pamjet e publikuara nga Reuters tregojnë tym që ngrihet pas sulmeve ajrore në Liban sot.

    Ushtria izraelite tha të premten se kishte goditur 40 “infrastruktura shtesë” në jug të Libanit.

  • Abdixhiku: S’ka gjasa të vetëpropozohem për president, LDK s’mbështet skenarin ku tri pozitat kryesore në shtet i ka LVV

    Abdixhiku: S’ka gjasa të vetëpropozohem për president, LDK s’mbështet skenarin ku tri pozitat kryesore në shtet i ka LVV

    Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se në takimin me kryeministrin Albin Kurti nuk është diskutuar për emra konkretë për president, duke hedhur poshtë spekulimet për kandidatura të mundshme dhe duke theksuar se LDK-ja nuk do të mbështesë një zgjidhje ku të gjitha pozitat kryesore shtetërore i takojnë një partie të vetme.

    Ai tha se diskutimi ka qenë vetëm për propozimet aktuale të Lëvizjes Vetëvendosje, për të cilat LDK-ja ka dhënë përgjigje negative.

    “Kam dëgjuar shumë spekulime dje. Janë vetëm spekulime, nuk janë të vërteta. Pra, nuk kemi folur për emra, aq më pak për emrin tim. Pra kemi folur për dy propozimet aktuale që janë të Lëvizjes Vetëvendosje dhe dje në mëngjes i kam dërguar përgjigje që LDK-ja nuk mund të mbështet një skenar në të cilin të tri kandidaturat, të tri pozicionet shtetërore i takojnë një partie politike”, tha ai.

    Abdixhiku bëri të ditur se gjatë javës së ardhshme mund të ketë takime të reja, por se aktualisht nuk ka zhvillime konkrete në këtë drejtim.

    “Tani shohim gjatë javës së ardhshme për të parë mundësinë e takimeve të tjera. Kaq është e vërteta, nuk ka zhvillime të tjera. Nuk kemi propozuar emër, nuk kemi dhënë asgjë, dhe nuk na është kërkuar ende asgjë. Kjo është e vërteta e vetme. Dhe mbi këtë të vërtetë do shohim se si do zhvillohen çështjet tutje”, tha ai.

  • Zyrtari amerikan mohon pretendimet se Uashingtoni ka rënë dakord të zhbllokojë asetet iraniane

    Zyrtari amerikan mohon pretendimet se Uashingtoni ka rënë dakord të zhbllokojë asetet iraniane

    Mediat amerikane po raportojnë se një zyrtar amerikan ka mohuar se janë liruar ndonjë aset i ngrirë iranian, pavarësisht raportimeve të mëhershme që sugjeronin të kundërtën.

    Kryetari i parlamentit të Iranit, Mohammad Bagher Ghalibaf, i cili po udhëheq delegacionin, kishte thënë se një gjë e tillë do të duhej të ndodhte para se të fillonin negociatat.

    Një veprim i tillë do të ishte shumë i vështirë për t’u justifikuar para mbështetësve të Donald Trump në Shtetet e Bashkuara, raporton BBC.

    Burime brenda qeverisë së Pakistanit dhe delegacionit iranian i kanë thënë BBC-së se kryeministri Shehbaz Sharif është takuar me zyrtarë të lartë iranianë. Është publikuar edhe një foto ku Sharif shihet duke u takuar me zëvendëspresidentin amerikan JD Vance.

    Megjithatë, mbetet e paqartë nëse ndërmjetësimi i Pakistanit mes dy palëve do të çojë në bisedime historike ballë për ballë apo në një marrëveshje mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit.

  • Bordi i Transparencës ndryshon sërish çmimin e naftës në Shqipëri

    Bordi i Transparencës ndryshon sërish çmimin e naftës në Shqipëri

    Bordi i Transparencës në datë 11 Prill 2026 ndryshoi sërish çmimin e naftës.

    Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gazoil i standardit SSH EN 590 të jetë jo më shumë se 209 lekë/litër, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 197 lekë/litër.

    Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN të jetë jo më shumë se 175 lekë/litri,ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 163 lekë/litër.

    Çmimet e caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi sot datë 11 ora 16.00 dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.
    Tërheqim vëmendjen e çdo operatori të shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës mbi detyrimin e zbatimit të këtëj vendimi.

    Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm do të vendoset pezullimi i aktivitetit.

    Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit sëbashku me Ministrinë e Financave dhe Ministirinë e Infrastrukturës dhe Energjisë janë angazhuar të mbrojnë interesat e konsumatorëve shqiptarw dhe ruajtjes së parimeve të konkurencës së ndershme në treg.

    SQARIM: Referuar Aktit Normativ nr. 1, Datë 3.4.2026 “Për një shtesë në ligjin nr. 61/2012, “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë,” të ndryshuar, ku është parashikuar, se në rast se çmimi i shitjes me pakicë, për gazoili është më i lartë se 220 lek/litri, apo për benzinën është më i lartë se 200 lek/litri, zbatohet niveli 80% i akcizës. Bazuar në zbatimin e metodologjisë per llogaritjen e cmimeve tavan te shitjes me pakice, çmimet janë nën kufirin e Aktit Normativ nr. 1, datë 3.4.2026, dhe për rrjedhojë niveli i akcizës do të zbatohet i plotë, 100%.

  • Filmi “KARMA” nga 16 Prilli në kinema

    Filmi “KARMA” nga 16 Prilli në kinema

    Nga 16 prilli 2026, publiku do të ketë mundësinë të ndjekë në kinema filmin e gjatë artistik “KARMA”, me skenar dhe regji nga Esat Fejza.

    Filmi sjell një histori që ndërthur dramën, humorin e zi dhe reflektimin social, duke prekur një temë universale dhe gjithmonë aktuale: raportin mes zgjedhjeve tona dhe pasojave që ato lënë pas.

    Në qendër të rrëfimit janë tre miq që ribashkohen pas vitesh dhe, të shtyrë nga rrethanat dhe dëshira për ta ndryshuar fatin e tyre, përfshihen në një plan sa absurd, aq edhe të rrezikshëm. Ajo që nis si një përpjekje për t’i shpëtuar realitetit, shndërrohet shpejt në një vorbull ngjarjesh të papritura, ku humori, tensioni dhe drama ndërthuren pandërprerë. Në këtë përballje, secili prej tyre detyrohet të përballet me të kaluarën, me veten dhe me peshën e vendimeve që nuk mund të zhbëhen.

    “KARMA” nuk vjen vetëm si një histori me kthesa dramatike, por edhe si një reflektim i thellë mbi fatin, ndërgjegjen dhe përgjegjësinë morale. Përmes një gjuhe filmike të drejtpërdrejtë dhe emocionale, filmi ngre një pyetje thelbësore për secilin shikues: a mund t’i shpëtojë njeriu vërtet pasojave të veprimeve të veta?

    Filmi është realizuar nga Prolog Film, në bashkëprodhim me G-On Film Production, dhe është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës. Edona Keçmezi është producentja e filmit, ndërsa Agron Krasniqi mban rolin e bashkëproducentit. Kolona zanore është kompozuar nga Arber Krasniqi, duke i dhënë filmit një dimension të veçantë emocional dhe atmosferik.

    Me një qasje autoriale të dallueshme dhe me një ndërtim që lëviz mes absurdit, dramës dhe ironisë së jetës, “KARMA” synon të sjellë një përvojë të veçantë kinematografike. Filmi pritet të tërheqë vëmendje jo vetëm për temën që trajton, por edhe për atmosferën, ritmin narrativ dhe personazhet e tij, të cilët vijnë të afërt, të brishtë dhe thellësisht njerëzorë.

    “KARMA” nis shfaqjen nga 16 prilli 2026 në Cineplexx Prishtinë dhe Cineplexx Prizren, duke e ftuar publikun të përjetojë një histori ku asgjë nuk ndodh rastësisht dhe ku çdo veprim lë gjurmën e vet.