ATV

Author: G.O.

  • Zyrtari i lartë amerikan viziton Kosovën, policia me njoftim për qarkullimin rrugor

    Zyrtari i lartë amerikan viziton Kosovën, policia me njoftim për qarkullimin rrugor

    Gjatë ditës së sotme dhe nesër në vendin tonë do të qëndrojë për vizitë zyrtare Ambasadori i SHBA-së në NATO,  Matthew Whitaker.

    Me këtë rast Policia e Kosovës, gjatë kësaj vizite do të kujdeset për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike si dhe rregullimin e trafikut, gjatë kohës së lëvizjes së eskortës dhe kohës së qëndrimit të delegacionit në Kosovë.

    Për të mundësuar qarkullim të lirë të eskortës sipas itinerarit të lëvizjes si dhe zhvillimin e aktiviteteve sipas agjendës zyrtare të vizitës, Policia e Kosovës do të bëjë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut (në intervale të shkurtra kohore) të disa segmenteve rrugore (ku pritet të kalojë eskorta), ku edhe mund të ketë riorientim të trafikut në rrugë alternative. Policia e Kosovës kërkon mirëkuptim të plotë nga ana e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik.

  • Çfarë thuhet në raportin e Amnesty International për Kosovën?

    Çfarë thuhet në raportin e Amnesty International për Kosovën?

    Dhuna me bazë gjinore, thirrjet raciste, sulmet ndaj gazetarëve dhe mungesa e ligjit për bashkësi civil mes personave të gjinisë të njëjtë vlerësohen si ngecjet për Kosovën në raportin mbi gjendjen e të drejtave të njeriut të organizatës Amnesty International të publikuar më 21 prill. Ndërkaq, zhvillim pozitiv është vlerësuar shfuqizimin i një ligji për rregullatorin e mediave.

    Në raportin vjetor, kjo organizatë për të drejtat e njeriut tha se bota është në prag të një epoke të re të rrezikshme, e nxitur nga sulmet e shteteve të fuqishme dhe lëvizjeve kundër të drejtave të njeriut, ndaj multilateralizmit, ligjit ndërkombëtar dhe të drejtave të njeriut.

    Shtetet, institucionet ndërkombëtare dhe shoqëria civile “duhet të refuzojnë politikën e pajtimit dhe të rezistojnë kolektivisht ndaj këtyre sulmeve për të parandaluar që ky rend i ri të zërë vend”, tha organizata në raportin e saj mbi gjendjen e të drejtave të njeriut në 144 vende.

    Sa i përket dhunës me bazë gjinore në Kosovë, Amnesty përmend një raport të Komisionit Evropian të publikuar në nëntor ku thuhet se dhuna me bazë gjinore është në nivel të lartë, veçmas dhuna në familje, shkruan Evropa e Lirë.

    “Aty pranohet se janë bërë përpjekje për të rritur vetëdijen për këtë çështje dhe për të adresuar ngecjet sa i përket mbrojtjes institucionale dhe ligjore për gratë. Megjithatë, raporti gjeti se këto përpjekje nuk ishin të mjaftueshme për të luftuar në mënyrë efektive dhunën me bazë gjinore”, tha Amnesty International.

    Shumica e viktimave të dhunës në familje janë gra, sipas autoriteteve.

    Po ashtu, nga viti 2010 e deri më tani afër 60 gra janë vrarë në Kosovë.

    Organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, në disa raste, kanë fajësuar autoritetet për dështim në mbrojtjen e grave të rrezikuara nga dhuna. Në të shumtën e rasteve, autorë të vrasjeve kanë qenë bashkëshortët, pastaj baballarët dhe djemtë.

    Në seksionin për të drejtat e grave dhe diskriminimin po ashtu përmendet edhe vendimi i Gjykatës Supreme për të mbajtur në fuqi e një udhëzim administrativ të vitit 2014 që ndalon veshjet fetare në shkolla, që sipas Amnesty International, “kufizon qasjen e vajzave që mbajnë shami në edukim”.

    Tetorin e vitit të kaluar, Supremja hodhi poshtë padinë e ngritur nga Rrjeti i Femrave për Zhvillim Profesional “Arrita”, që kërkonte lejimin e bartjes së shamisë islame. Ky rrjet kishte kërkuar që të shpallej i paligjshëm një udhëzim i Ministrisë së Arsimit, lidhur me rregullat e veshjes së nxënësve në shkolla, duke argumentuar se ndalimi i shamisë cenon të drejtat kushtetuese për lirinë e besimit.

    Si zhvillim pozitiv, Amnesty International vlerëson vendimin e Gjykatës Kushtetuese të majit të vitit 2025 që shfuqizoi ligjin për të zgjeruar fuqitë e Komisionit të Pavarur të Mediave.

    “Organizatat e shoqërisë civile e vlerësuan ligjin si jokushtetues, duke thënë se kërcënon lirinë e medias dhe pavarësinë”, u tha në raport.

    Sa i përket mediave, Amnesty tha se Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës gjatë vitit 2025 – deri në nëntor – raportoi për 63 raste të kërcënimeve dhe sulmeve ndaj gazetarëve.

    Të drejtat e komunitetit LGBTI+ dhe të komuniteteve joshumicë

    Sikurse edhe në raportin e kaluar, edhe në raportin e ri, Amnesty International përmend mosmiratimin e një ligji që do të mundësonte regjistrimin e bashkësive civile mes personave të gjinisë së njëjtë. Në raport u tha se në këtë drejtim “nuk është bërë përparim” dhe legjislacioni nuk është çuar përpara gjatë krizës politike.

    Organizata po ashtu përsëriti se për pjesëtarët e komunitetit LBTI+ (lesbikë, gej, biseksual, transgjinorë, ndërgjinorë, etj) ende nuk është hapur një strehimore e specializuar, ku do të qëndronin anëtarët e komunitetit që përballen me dhunë.

    Ndërkaq, në seksionin e të drejtave për komunitetin rom dhe ashkali, Amnesty tha se familjet rome përballen me frikë nga dëbimi nga vendbanimet joformale, për shkak se nuk kanë dokumente zyrtare. Mungesa e dokumenteve, sipas raportit, është për shkak të kostos dhe pengesave burokratike.

    Po ashtu, përmendet rasti i futbollistit nga komunitetit ashkali, Belgin Jashari, 15 vjeç, i cili u përball me dhunë fizike gjatë një ndeshjeje.

    “Ai më pas tha se ishte përballur shpesh me ofendime raciste, drejt tij janë hedhur shishe dhe është përballur me dhunë gjatë ndeshjeve”, duke shtuar se Policia e Kosovës e arrestoi të dyshuarin dhe ndaj tij është ngritur akuzë për sulm.

    Dënimet për përdhunimet gjatë luftës

    Raporti i organizatës për të drejtat e njeriut, Amnesty International po ashtu adreson edhe çështjen e dhunës seksuale gjatë luftës. Këtu përmendet rasti i Ramadan Nishorit, i cili në prill të vitit të kaluar u bë burri i parë që publikisht pranoi se është i mbijetuar i dhunës seksuale gjatë luftës dhe foli publikisht për përvojën e tij.

    Sa i përket veprës penale të dhunës seksuale gjatë luftës, raporti kujton se në qershor, Gjykata Themelore në Prishtinë e dënoi Zhivojin Neshiqin, ish-pjesëtar i policisë serbe dhe forcave ushtarake, me 15 vjet burgim për krime të luftës të kryera më 1999, përfshirë përdhunim.

    Amnesty International kujton po ashtu se në korrik, në një gjykim të mbajtur në mungesë, Gjykata Themelore në Prishtinë e dënoi Dragan Deniqin dhe Ivica Rajkoviqin me nga 15 vjet burgim për përdhunimin e një gruaje shqiptare gjatë luftës më 1998-1999.

    Raporti po ashtu përmend ngritjen e aktakuzës në gusht nga Prokuroria Speciale e Kosovës ndaj 21 personave në mungesë për dëbimin e 800.000 shqiptarëve civilë gjatë luftës.

    Kur flitet për akuza për krime lufte, Amnesty përmend edhe proceset gjyqësore që janë zhvilluar në Dhomat e Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë.

    “Në maj, Qeveria [e Kosovës] u patua që të pranonte pretendime për kompensim nga viktimat e ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që u gjetën fajtorë në Dhomat e Specializuara në Hagë”, u tha në raport.

    Ish-komandanti i UÇK-së, Sali Mustafa, është dënuar për krime lufte dhe gjykata ka urdhëruar që ai të paguajë 207 mijë euro në emër të kompensimit të dëmeve për tetë viktimat në procesin ndaj tij. Megjithatë, Mustafa ka deklaruar se nuk ka mjete që të paguajë zhdëmtimin.

    Amnesty po ashtu përmend edhe njoftimin nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur se në mars të vitit të kaluar u identifikuan edhe 11 persona të zhdukur, teksa shtoi se që nga lufta janë afër 1.600 persona që vazhdojnë të jenë të zhdukur.

    Në raportin vjetor vihet në pah edhe kriza politike, pas zgjedhjeve të shkurtit të vitit 2025, kur deputetët dështuan të konstituonin Kuvendin dhe Kosova mbajti sërish zgjedhje të reja parlamentare më 28 dhjetor. Po ashtu, theksohet se Kosova ka pranuar migrantë të dëbuar nga Shtetet e Bashkuara, teksa vendi ka njoftuar për negociata me Mbretërinë e Bashkuar për ndërtimin e një qendre për ndalimin e azilkërkuesve, aplikimet e të cilëve refuzohen nga Britania.

  • Këto janë përfitimet shëndetësore që merrni nga konsumimi i bukës së misrit

    Këto janë përfitimet shëndetësore që merrni nga konsumimi i bukës së misrit

    Misri vazhdon të jetë numër një për të mbajtur konstant nivelin e kolesterolit në gjak, pasi ul ndjeshëm nivelin e yndyrës.

    Ai luan rol në prodhimin e energjisë trupore te njeriu.

    Misri është një burim i vërtetë proteinash dhe vitaminash.

    Në një studim të bërë me meshkuj të cilët kishin kolesterol të lartë, pas një trajtimi me produkte misri, si dhe me ushqime të varfra në yndyrë, u arrit në rezultate mjaft të kënaqshme.

    Misri gjithashtu është burim energjie sepse përmban vitaminën B, të domosdoshme për njeriun.

    Në vendin tonë një përdorim të veçantë ka zënë buka e misrit dhe gjithmonë është rekomanduar për njerëzit që vuajnë nga hipertensioni.

    Rezultatin më të mirë e jep nëse konsumohet me kos, i cili duhet të ketë sa më pak yndyrë.

  • Kuvendi i Kosovës miraton dërgimin e FSK-së në mision ndërkombëtar stabilizues në Gaza

    Kuvendi i Kosovës miraton dërgimin e FSK-së në mision ndërkombëtar stabilizues në Gaza

    Kuvendi i Kosovës ka vendosur për dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës jashtë vendit, si pjesë e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese në Gaza.

    Vendimi kaloi me 89 vota pro, asnjë kundër, asnjë abstenim.

    Për të hyrë në fuqi, ky vendim tani duhet të nënshkruhet nga presidenti i Kosovës, në këtë rast ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, e cila vjen nga partia në pushtet.

    Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, tha se ky vendim forcon edhe më tej profilin ndërkombëtar të Kosovës, afirmon profesionalizmin e FSK-së dhe vendosë vendin në mesin e shteteve, që jo vetëm që përfitojnë nga siguria ndërkombëtare, por edhe kontribuojnë në ruajtjen e paqes dhe rendit ndërkombëtar.

    “Përmes këtij angazhimi, Kosova dëshmon që është partner i besueshëm, i përgjegjshëm dhe i gatshëm të veprojë krah aleatëve në mbështetje të paqes, sigurisë, mbrojtjes ë civileve dhe mandateve ndërkombëtare”, tha ministri Maqedonci.

    Më 30 mars, Qeveria e miratoi propozimin e Ministrisë së Mbrojtjes për dërgimin e pjesëtarëve të FSK-së në Gazë.

    Dërgimi i trupave të FSK-së parashihet të bëhet në kuadër të Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese (FNS), një mekanizëm i krijuar si pjesë e nismës së ashtuquajtur Bordi i Paqes, i propozuar nga presidenti amerikan, Donald Trump, për arritjen e paqes në botë.

    Kosova është në mesin e pesë shteteve të para – së bashku me Indonezinë, Marokun, Kazakistanin dhe Shqipërinë – që janë zotuar për angazhim në këtë mision, me qëllim ofrimin e sigurisë dhe mbikëqyrjen e armëpushimit në Rripin e Gazës.

    Megjithatë, ende nuk dihet se kur saktësisht do të ndodhë dislokimi i trupave dhe sa do të jetë numri i tyre.

    Përveç autorizimit për dërgimin e trupave, Kuvendi duhet të miratojë edhe marrëveshjen për anëtarësimin e Kosovës në Bordin e Paqes.

    Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka qenë ndër themelueset e Bordit të Paqes, e ka mbështetur publikisht këtë nismë.

     

  • Maqedonci kërkon nga deputetët të mbështesin vendimin për dërgimin e FSK-së në Gaza

    Maqedonci kërkon nga deputetët të mbështesin vendimin për dërgimin e FSK-së në Gaza

    Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, u ka bërë thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës që të votojnë pro dislokimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Gaza, në kuadër të një misioni ndërkombëtar.

    Gjatë prezantimit para deputetëve të vendimit të Qeverisë për dërgimin e FSK-së jashtë vendit, si pjesë e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese në Gaza, ai ka theksuar rëndësinë e mbështetjes së këtij vendimi, duke nënvizuar se pjesëmarrja në operacione të tilla rrit besimin e aleatëve ndërkombëtarë ndaj Kosovës.

    “Më datën 30 mars të këtij viti, Qeveria e Republikës së Kosovës në mbledhjen e saj të 197-të ka aprovuar propozim-vendimin e Ministrisë së Mbrojtjes për të kërkuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës marrjen e vendimit për dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës jashtë vendit, si pjesë e forcës ndërkombëtare stabilizuese në Gaza”, ka thënë ai, duke dhënë detaje tjera.

    “Ministria e Mbrojtjes mbi bazën e objektivave dhe planifikimeve strategjike për bashkëpunim me shtetet aleate, mbi bazën e ftesës së pranuar nga Komanda Qendrore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të nënshkruar me datë 8 dhjetor e e pranuar me datën 10 dhjetor 2025 në Ministrinë e Mbrojtjes, dhe që i referohet Rezolutës 2803 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, vullnetit politik të shprehur në botën e paqes, si dhe ligjit për dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës jashtë vendit, ka iniciuar procedurat për të kërkuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës marrjen e vendimit për dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës jashtë vendit, përkatësisht si pjesë e forcës ndërkombëtare stabilizuese në Gaza”, është shprehur Maqedonci.

  • Çmimet e naftës bien ndjeshëm pas hapjes së Ngushticës së Hormuzit

    Çmimet e naftës bien ndjeshëm pas hapjes së Ngushticës së Hormuzit

    Çmimet e naftës kanë shënuar rënie të fortë pas njoftimit për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit për anijet tregtare.

    Nafta Brent po tregtohet rreth 91 dollarë për fuçi, duke rënë me 8.3%, ndërsa nafta amerikane WTI ka zbritur në rreth 85 dollarë për fuçi, me një rënie mbi 9%.

    Vendimi për hapjen e përkohshme të ngushticës u bë i ditur nga ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi, në kuadër të armëpushimit të shpallur, duke lejuar kalimin e anijeve tregtare në këtë rrugë strategjike detare.

  • Punëtori bie nga kati i dytë në Ferizaj, dërgohet me urgjencë në QKUK

    Punëtori bie nga kati i dytë në Ferizaj, dërgohet me urgjencë në QKUK

    Një punëtor ka rënë nga një objekt në ndërtim në rrugën “Uran Tinova” në Ferizaj dhe është dërguar për trajtim mjekësor në Qendrën Emergjente, e më pas në QKUK në Prishtinë.

    Rasti është konfirmuar për Sinjalin nga zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Kanun Veseli, i cili bëri të ditur se ngjarja ka ndodhur rreth orës 12:40 dhe i lënduari është një punëtor 46-vjeçar.

    Sipas tij, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore dhe hetimore, ndërsa janë njoftuar edhe inspektori i punës dhe prokurori i shtetit. Hetimet për rastin janë duke vazhduar.

  • Sulme të rënda ruse në Ukrainë, 16 të vdekur dhe dhjetëra të plagosur

    Sulme të rënda ruse në Ukrainë, 16 të vdekur dhe dhjetëra të plagosur

    Rusia ka kryer sulmin më vdekjeprurës të këtij viti ndaj Kievit dhe disa qyteteve të tjera të Ukrainës, duke lënë të vdekur të paktën 16 persona dhe rreth 100 të plagosur.

    Sipas autoriteteve ukrainase, viktima janë raportuar në Kiev, Odesa dhe Dnipro, ku janë goditur ndërtesa banimi dhe infrastrukturë kritike.

    Presidenti Volodymyr Zelensky ka deklaruar se sulmet tregojnë se Rusia nuk duhet të ketë lehtësime në sanksione, ndërsa mbrojtja ajrore ukrainase ka rrëzuar dhjetëra raketa dhe qindra dronë gjatë sulmit.

  • Konjufca pas takimit me homologun belg: Presim anëtarësim të shpejtë në Këshillin e Evropës

    Konjufca pas takimit me homologun belg: Presim anëtarësim të shpejtë në Këshillin e Evropës

    Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, pas takimit me homologun belg Maxime Prévot, ka vlerësuar marrëdhëniet mes dy vendeve dhe ka theksuar pritjet e Kosovës për integrime evropiane.

    Konjufca tha se Belgjika ka qenë një partnere e rëndësishme e Kosovës në rrugën e saj euroatlantike dhe në forcimin e institucioneve shtetërore.

    Ai u shpreh se Kosova pret që proceset integruese, përfshirë anëtarësimin në Këshillin e Evropës, të ndodhin sa më shpejt, duke theksuar nevojën për hapa konkretë nga Bashkimi Evropian.

  • Zjarr në një punëtori në Ferizaj, lëndohet një person

    Zjarr në një punëtori në Ferizaj, lëndohet një person

    Në Ferizaj ka shpërthyer një zjarr në një punëtori në rrugën “Selman Kadria”, ku si pasojë është lënduar një person.

    Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Kanun Veseli, ka konfirmuar për Sinjalin se zjarrfikësit kanë intervenuar dhe kanë arritur ta shuajnë zjarrin para arritjes së patrullës policore.

    Si pasojë e incidentit, B.Sh. (44 vjeç) ka pësuar lëndime derisa po tentonte të shuante zjarrin dhe po trajtohet në emergjencën e Ferizajt, ku gjendja e tij është stabile.

    Në vendngjarje kanë dalë njësitë hetimore dhe forenzika, ndërsa rasti është duke u hetuar.