ATV

Author: G.O.

  • Dyshohet se ndërroi pronësinë e një kompanie disa milionëshe, arrestohet 58-vjeçari

    Dyshohet se ndërroi pronësinë e një kompanie disa milionëshe, arrestohet 58-vjeçari

    Një person është ankuar në Policinë e Kosovës se persona të dyshuar përmes dokumenteve të falsifikuara të paraqitura në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve, në mënyrë të kundërligjshme dhe pa pëlqimin e tij, i kanë bartur pronësinë dhe aksionet e kompanisë te një person tjetër.

    Policia tha se vlera e aksioneve, apo kapitali i kësaj kompanie, sipas ankuesit është disa milionë euro.

    Policia në koordinim me prokurorinë kompetente, kanë ndërmarr veprime hetimore, janë siguruar prova dhe dëshmi të dokumenteve të falsifikuara siç janë: Një autorizim, një vendim për ndryshim të statutit të biznesit dhe një kontratë për falje të aksioneve, me të cilat është bërë edhe ndryshimi i pronësisë dhe aksionarit të këtij biznesi.

    Lidhur me rastin është intervistuar i dyshuari M.A., viti i lindjes 1965, mashkull kosovar, në prezencë të avokatit mbrojtës.

    Pas përfundimit dhe sigurimit të provave dhe dëshmive është iniciuar rasti “falsifikim i dokumenteve” dhe me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje deri në 48 orë.

  • Moti për sot dhe nesër

    Moti për sot dhe nesër

    Sot në vendin tonë pritet të mbajë mot me diell dhe kthjellime.

    Temperaturën minimale për ditën e sotme e ka shënuar Gajkova me 14 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Prizreni me 34 gradë Celsius.

    Edhe dita e nesërme pritet të jetë me kushte të njëjta atmosferike.

    Temperaturën minimale, për ditën e nesërme do ta mbajë qyteti i Pejës me 17 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Gjilani me 35 gradë Celsius.

    Ndërkohë, në Shqipëri do të ketë mot me diell dhe kthjellime. Temperaturën minimale do e ketë Korça me 13 gradë Celsius, ndërsa ajo maksimale do të jetë në Berat me 39 gradë Celsius. /atvlive.tv/

    Parashikimin e plotë të motit, për rajon dhe Evropë, mund ta gjeni në videon e mëposhtme:

  • Papa takohet me viktimat e abuzimit seksual nga klerikët

    Papa takohet me viktimat e abuzimit seksual nga klerikët

    Papa Françesku ka zhvilluar një takim privat me viktimat e abuzimit seksual nga klerikët gjatë qëndrimit në Portugali.

    Vatikani bëri me dije se takimi, i mbajtur në misionin diplomatik të Selisë së Shenjtë në Portugali, përfshiu 13 viktima të abuzimit dhe zgjati më shumë se një orë. Të pranishëm ishin edhe zyrtarë të Kishës Portugeze përgjegjëse për mbrojtjen e të miturve, raportoi BBC.

    Në një shërbim të mbrëmjes në Lisbonë, Papa tha se Kisha duhet të dëgjojë “klithmën e ankthshme të viktimave”, ndërsa shtoi se “skandali na thërret në një pastrim të përulur dhe të vazhdueshëm” dhe se zemërimi i përhapur mbi të kishte kontribuar në një shkëputje në rritje nga praktika e besimit”.

    Në shkurt, një komision i pavarur i ngritur nga Kisha Katolike në Portugali publikoi një raport që dokumentonte përvojat e 564 personave që thanë se ishin abuzuar nga priftërinjtë ose zyrtarë të tjerë të Kishës, teksa u shqyrtuan rastet që datonin nga 1950-ta.

    Një raport i këtij viti arriti në përfundimin se të paktën 4,815 fëmijë ishin abuzuar në Portugali dhe se Kisha kishte kërkuar “sistematikisht” ta fshehë këtë çështje.

    Papa Françesku ndodhet në Portugali për të shënuar Ditën Botërore të Rinisë, një festival njëjavor i ngjarjeve fetare dhe kulturore që organizohet nga Kisha çdo disa vjet në qytete anembanë botës.

  • LDK pret mërgatën, Abdixhiku: Ju ftoj për ringritje të madhe rugoviste

    LDK pret mërgatën, Abdixhiku: Ju ftoj për ringritje të madhe rugoviste

    Në selinë qendrore është organizuar takimi tradicional i LDK-së me mërgimtarët. Deputetë, anëtarë të kryesisë, kryetarë komunash e struktura të tjera partiake kanë hapur dyert për të bashkëbiseduar me bashkatdhetarët. Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka ftuar ata për ringritje të madhe rugoviste, siç e quajti ai, duke shtuar se shtyllë e veçantë mbetet mërgata.

    Teksa u ka uruar mirëseardhje të gjithë pjesëmarrësve nga mërgata, Abdixhiku tha se të njëjtit janë në shtëpinë e tyre.

    “Është nder t’ju kemi këtu, është nder t’ju takojmë sërish çdo verë. Pritja këtu është shumë më modeste se çfarë pritje na bëni ju sa herë që vijmë atje, por me rëndësi është që të jemi bashkë, të qëndrojmë bashkë, të flasim bashkë dhe të takohemi më shpesh gjithherë. Siç e dini LDK është në proces të riorganizimit të brendshëm, jemi në proces zgjedhor. Deri më tani kemi përmbyllur rreth 50 për qind të zgjedhjeve në LDK, në pjesëmarrje rekorde prej 21 mijë anëtarë në këtë proces zgjedhor. Dhe pas këtij procesi zgjedhor tani në gusht do të vazhdojmë dhe zgjedhjet në degët e mbetura, me synim për të arritur në një numër impresiv të 40 mijë anëtarëve që marrin pjesë në festën e madhe të demokracisë”, deklaroi ai para bashkëatdhetarëve.

    Abdixhiku i ka bërë thirrje mërgatës për pjesëmarrje sa më aktive në strukturat partiake të LDK-së.

    Ndërsa shprehu mirënjohjen për bashkëatdhetarët të cilët kanë kontribuar për vendin.

    “Këto procese jetike për ne, shtyllë e veçantë mbetet mërgata. Prandaj ju lus e ju ftojë, e ju bëjë thirrje që në dy muajt e ardhshëm sa pritet të zgjas procesi ynë zgjedhor, të angazhohemi të gjithë bashkërisht për pjesëmarrje sa më aktive në strukturat tona politike, në mënyrë që të japim Kosovës një lëvizje rugoviste, demokratike të vërtetë, një shtëpi për të cilën Kosova po thërret në vazhdimësi. Në këtë rrugëtim ju do të keni vend të veçantë, jo vetëm në mendjet dhe zemrat tona, do të keni vend të veçantë në të gjitha strukturat politike përfaqësuese të LDK-së. Për këtë jemi të interesuar të gjithë, jemi bashkë, kemi një mision, një qëllim, në këtë moment të rëndësishëm politik të Kosovës duhet të kuptojmë dhe pozicionin tonë historik, rolin e madh që e kemi si parti politike më e vjetra në vend por si parti që ka dhënë shumë për vendin dhe që ka nisur procese historike të paimagjinueshme e pa përsëritshme. Kemi bërë angazhimin e përbashkët për liri, kemi bërë angazhimin e përbashkët për demokraci, kemi bërë angazhimin e përbashkët për pavarësi, dhe për këtë Kosova, qytetarët tanë, mërgatës sonë i janë mirënjohës përherë”, shtoi kreu i LDK-së.

    Si partia më e vjetër politike në vend, siç tha ai, kanë zgjedhur rrugën e Ibrahim Rugovës si udha tradicionale e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

    “Sot ju ftoj për ringritje të madhe rugoviste, të djathtë, patriotë gjithandej në Kosovë, në mërgatë, në çdo shtet evropian e më gjerë për të bërë rikthimin tonë të madh. Ne do t’ia dalim të gjithë bashkërisht, kemi nisur një rrugë të re politike. Një rrugë e re për Kosovën, një rrugë tradicionale për Lidhjen Demokratike të Kosovës. Ajo rrugë është rruga e Ibrahim Rugovës dhe nuk do të bëhet ndryshe”, përfundoi ai.

    Zeqir Gjuka, i cili është veprimtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës nga dega në Zvicër, tha se është hera e dytë që merr pjesë në takimin tradicional për mërgatën, të organizuar nga ky subjekt politik.

    “Na shërben për ofrimin tonë si veprimtarë, shkëmbimin e mendimeve dhe ideve, por njëkohësisht edhe paraqitjen e preokupimeve tona si mërgatë pranë Lidhjes Demokratike të Kosovës, subjektit që i takojmë… Ndër preukupimet është që të përpiqemi që bashkë të ruajmë rininë tonë të pastër”, tha ai.

    Arbesa Dermaku nga Gjilani, e cila jeton në Zvicër, u shpreh se është e angazhuar në Forumin e Rinisë, për çka tha se ndihet mirë sa herë që merr pjesë në këto takime.

    “Më pëlqen shumë energjia që e ka LDK… Mua më pëlqen shumë Forumi i Rinisë që e ka LDK dhe Forumi i Grave që e kanë për gratë, jam që një kohë të gjatë… Çfarë do t’i thosha kryetarit Abdixhiku? Do t’i thosha faleminderit, si rini me ardh këtu kënaqem shumë me këtë forumin”, tha ajo.

    Ky takim me mërgatën organizohet për herë të dytë në selinë qendrore të Lidhjes Demokratike të Kosovës. /

  • 8 vjet nga miratimi i Gjykatës Speciale

    8 vjet nga miratimi i Gjykatës Speciale

    Deputetët e Kuvendit të Kosovës, tetë vjet më parë, pikërisht më 3 gusht 2015 kanë votuar pro ndryshimit të amendamentit kushtetues, që i hapi rrugë themelimit të Gjykatës Speciale.

    Ishin 82 vota pro, 5 kundër dhe një abstenim, që i hapën rrugë Qeverisë t’i dërgojë edhe dy projektligje të tjera sa i përket Speciales.

    Opozita e atëhershme ishte ajo që u tregua më e zëshmja në kundërshtimin e themelimit të Gjykatës Speciale, duke e quajtur të padrejtë, selektive dhe e cila do ta cenojë sovranitetin e vendit.

    Qeveria dhe pozita e quajtën të padrejtë këtë votim, por të domosdoshme për t’i hequr dyshimet për çdo pretendim për krime të supozuara nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës në luftën e fundit.

    Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) për krime lufte në Kosovë ka ngritur aktakuza ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, ish-kryetarit të Kuvendit dhe ish-zëdhënësit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqi, ish-eprorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Rexhep Selimi e Salih Mustafa, ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, si dhe ndaj ish-pjesëtarit të UÇK-së, Pjetër Shala.

    Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar janë pjesë e sistemit të drejtësisë të Kosovës, por ndodhen në Holandë dhe kanë staf ndërkombëtar.

  • Policia shpëtoi katër shtetas që rrezikuan të mbyteshin në Vlorë dhe në Dhërmi

    Policia shpëtoi katër shtetas që rrezikuan të mbyteshin në Vlorë dhe në Dhërmi

    Shërbimet e Policisë Kufitare u dolën në ndihmë katër shtetasve, që rrezikuan të mbyteshin në det në Vlorë dhe Dhërmi.

    Në rastin e parë, kërkuan ndihmë tre shtetas, pasi mjeti me të cilin lundronin, kishte pësuar defekt, ndërsa në rastin e dytë, kërkoi ndihmë një shtetas që bënte sërf, pasi për shkak të detit të trazuar, nuk dilte dot në breg.

    Policia e Shtetit njoftoi sot se në rastin e parë, shërbimet e Policisë Kufitare të Vlorës ndërhynë menjëherë dhe bënë të mundur nxjerrjen në breg, në gjendje të mirë shëndetësore, të tre shtetasve që kishin mbetur në det, për shkak se mjeti me të cilin lundronin, kishte pësuar defect, shkruan Atsh. Në rastin e dytë, shërbimet e SPK Dhërmi ndërhynë për të nxjerrë në breg një shtetas të cilit i ishte rrezikuar jeta, teksa bënte sërf, për shkak të detit të trazuar. Ky shtetas është në gjendje të mirë shëndetësore.

    Shërbimet e Policisë Kufitare ftojnë çdo qytetar/pushues që gjendet në nevojë që lidhet me detyrat funksionale të Policisë së Shtetit, të kërkojë ndihmë dhe ndërhyrja nga shërbime të specializuara për secilin rast, do të jetë e menjëhershme.

  • Udhëheqësit e Armenisë dhe Azerbajxhanit thonë se paqja është e mundur

    Udhëheqësit e Armenisë dhe Azerbajxhanit thonë se paqja është e mundur

    Rrjeti televiziv Euronews ka zhvilluar intervista me presidentin e Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, dhe kryeministrin e Armenisë, Nikol Pashinyan.

    Nagorno-Karabakh ka qenë skena e disa prej episodeve më të dhunshme në historinë e fundit të Kaukazit jugor. Pavarësisht nga një marrëveshje armëpushimi e ndërmjetësuar nga Rusia në vitin 2020, tensionet nuk kanë përfunduar, transmeton Klan Kosova.

    Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë luajtur një rol më të madh në ndërmjetësimin e krizës – që nga vakuumi i lënë nga Rusia (një ndërmjetës më tradicional i pushtetit rajonal, tashmë i zhytur në Ukrainë). Dhe bisedimet i kanë mbushur njerëzit me shpresë për paqe të qëndrueshme.

    Por zhvillimet e fundit rreth mosmarrëveshjeve mbi Korridorin e Laçinit dhe pretendimet se Azerbajxhani po bllokon të vetmen kalim që lidh Armeninë me armenët brenda Nagorno-Karabakut, duket se tregojnë se rruga drejt paqes do të jetë e gjatë.

    Euronews negocioi për muaj të tërë për të qenë në gjendje të bisedojë me liderët e Armenisë dhe Azerbajxhanit – të përfshirë në një nga konfliktet më të gjata në botë.

    Euronews u bëri të njëjtat pyetje si Presidentit të Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, ashtu edhe kryeministrit armen, Nikol Pashinyan – dhe u ofroi atyre një shans për të shprehur pikëpamjet e tyre pa ndërprerje apo kontest.

    Kryeministri Pashinyan tha se “jo vetëm që mundet, por duhet të ketë paqe”, ndërsa presidenti Aliyev tha “Unë mendoj se është e drejtë të kesh shpresë”.

    Ideja ishte t’u jepej të dyja palëve një platformë për të shprehur pikëpamjet e tyre për konfliktin dhe për shanset për paqe.

  • ​Shtohen lëndët civile të pazgjidhura në gjykata, shqetësim edhe kohëzgjatja e trajtimit të rasteve

    ​Shtohen lëndët civile të pazgjidhura në gjykata, shqetësim edhe kohëzgjatja e trajtimit të rasteve

    Numri i lëndëve të pazgjidhura në fushën civile nëpër gjykatat e vendit është dyfishuar në vitin 2022 në krahasim më vitin 2021. Kjo e dhënë doli nga raporti “Drejtësia civile 2022” të hartuar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) e të prezantuar paraditen e së mërkurës në Prishtinë.

    Aurela Mërlaku, hulumtuese në IKD, deklaroi se përderisa në vitin 2021 kanë qenë gjithsej 85,087 lëndë të pazgjidhura të cilat janë bartur në vitin pasues, viti 2022 ka shënuar rekord të ngritjes së numrit të lëndëve të pazgjidhura të cilat barten vit pas viti, me 99,407 lëndë të pazgjidhura.

    Ajo tha se arsye kryesore për rritjen e numrit të lëndëve të pazgjidhura e ka ngritja eksponenciale e numrit të lëndëve të pranuara, ku në vitin 2022 janë pranuar 40,826 lëndë, por edhe mosefikasiteti i gjykatësve.

    “Numri i gjykatësve për të trajtuar lëndë kontestimore gjatë vitit 2022 ka qenë 107, derisa numri i lëndëve të zgjidhura ka qenë 25,632. Kjo i bie se secili gjykatës në mesatare brenda një viti ka zgjidhur 239.5 lëndë përkundër detyrimit nga KGJK që çdonjëri prej tyre është i obliguar t’i zgjidh 329 lëndë brenda vitit. Sikur të arrihej kjo normë, sistemi gjyqësor do të kishte për rreth 9 mijë e 500 lëndë civile më pak’’, tha ajo.

    Moszbatimi i kontratave kolektive është arsyeja kryesore e ngritjes së numrit të lëndëve civile të pranuara nga gjyqësori. Sipas IKD-së, kjo jo me fajin e gjyqësorit, por të Qeverisë që nuk ndau buxhet për implementimin e këtyre kontratave, duke detyruar përfituesit që të drejtat e veta t’i realizojnë në rrugë ligjore, duke e ngarkuar gjyqësorin me lëndë dhe duke e dëmtuar buxhetin me shpenzime procedurale.

    Mërlaku shtoi se për të marrë epilog një lëndë civile, vetëm në shkallë të parë, qytetarët duhet të presin gjithsej 3.8 vite kurse, mesatarja e kohëzgjatjes së trajtimit të lëndëve nga Gjykata e Apelit është 1.7 vite.

    Gjykatat themelore dhe degët e tyre gjatë vitit 2022 kanë pasur në punë lloje të ndryshme të kontesteve, duke përfshirë kompensimin e dëmit, kontestet familjare, të punës, shpifje dhe fyerje, konteste që rrjedhin nga kontratat kolektive etj.

    Sipas të dhënave të KGJK-së, gjykata më e ngarkuar me lëndë del të jetë ajo e Prishtinës me një total prej 32 mijë e 453 lëndë, ndërsa gjykata më e pak e ngarkuar del të jetë, Gjykata Themelore në Mitrovicë, dega në Zubin Potok me gjithsej 39 lëndë në punë.

    “Sipas llogaritjeve të KGJK-së, të bëra në bazë të një formule të Komisionit Evropian për Efikasitet të Drejtësisë (CEPEJ), mesatarja e kohëzgjatjes së lëndëve të zgjidhura vetëm në shkallë të parë është 1,415 ditë. Kjo i bie se për të marrë epilog një lëndë civile, vetëm në shkallë të parë, qytetarët duhet të presin gjithsej 3.8 vite. Sipas të njëjtës formulë, mesatarja e kohëzgjatjes së trajtimit të lëndëve nga Gjykata e Apelit është 638 ditë apo 1.7 vite. Kështu, në total, kohëzgjatja e një lëndë civile nga momenti i parashtrimit në gjykatë e deri në momentin kur e njëjta përfundon në Gjykatën e Apelit është gjithsej 5.5 vite. Mesatarja e përgjithshme e kohëzgjatjes së lëndëve gjyqësore qartazi flet për një trajtim të lëndëve gjyqësore civile brenda një afati jo të arsyeshëm kohor. Në këtë drejtim, IKD ka gjetur se kanë ndikuar shumë faktorë, duke nisur nga keqadministrimi i institucioneve administrative dhe performanca e gjykatave, e edhe administrimi jo adekuat i drejtësisë”, tha Mërlaku.

    Edhe më rëndë situata duket të jetë te kohëzgjatja e trajtimit të lëndëve lidhur me çështjet pronësore në shkallë të parë e që IKD thotë se është 9 vite e 3 muaj.

    Nuraje Bllaca, hulumtuese në IKD, tha se gjetjet tregojnë se kohëzgjatja në trajtimin e këtyre rasteve paraqet zvarritje të veçantë përtej zvarritjes së përgjithshme.

    “Zvarritja në këto raste është një zvarritje më specifike se zvarritja në përgjithësi e rasteve për arsye se mesatarja e trajtimit të rasteve pronësore del të jetë 9 vite e 3 muaj në shkallë të parë krahasuar me rastet që dalin nga kontratat kolektive, nga analizimi i 20 aktgjykimeve të tilla del të jetë mesatarja e trajtimit 1 vit e 7 muaj. Kjo diferencë e madhe bën që sistemi i drejtësisë në vitin 2022 të anashkalojë trajtimin e rasteve pronësore dhe të fokusohet në rastet e kontratave kolektive”, tha Bllaca.

    Bllaca shtoi se edhe Gjykata e Apelit nga 20 aktgjykime 14 raste ka kthyer në rigjykim dhe rigjykimi i rasteve dhe kthimi në rivendosje dhe rigjykim bën që të ketë një zvarritje më të madhe të rasteve pronësore.

    “Mesatarja nga vendimi i shkallës së parë në vendimin e shkallës së dytë si Gjykata e Apelit ka qenë 3 vite e 5 muaj mesatarja kurse 7 vite e 8 muaj del të jetë nga parashtrimi i padisë në raste pronësore deri te një vendim i shkallës së dytë por pa e përmendur fare rastin e procedurës së kthimit në rigjykim”, tha Bllaca.

    Raporti i prezantuar është rezultat i monitorimit të drejtpërdrejtë që Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) i ka bërë drejtësisë civile në Kosovë.

    IKD ka monitoruar gjithsej 492 seanca gjyqësore të natyrës civile vitin e kaluar. Prej tyre, 401 seanca janë mbajtur, derisa 91 të tjera janë shtyrë. Shprehur në përqindje, i bie se 81.5% e seancave gjyqësore civile janë mbajtur kurse 18.5% e tyre janë shtyrë.

    Arsyeja më e madhe e shtyrjes së seancave gjyqësore del të jetë mungesa e paditësit (37 raste), pasuar nga mungesa e të paditurit (35 raste). Por, në jo pak raste, edhe vet gjykatësit kanë qenë arsyeja pse seancat gjyqësore në rastet civile janë shtyrë.

  • ​Kosova-Danimarka, nesër fillon shitja e biletave

    ​Kosova-Danimarka, nesër fillon shitja e biletave

    Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) përmes një komunikate ka bërë të ditur se nga nesër do të fillojë shitja e biletave për ndeshjen e Kombëtares së Kosovës kundër Danimarkës.

    Gjithashtu, FBK ka bërë të ditur se biletat do të shiten në katër qytete të ndryshme si Prizreni, Prishtina, Peja dhe Mitrovica, raporton KosovaPress.

    Ndërkaq, çmimi i një bilete do të jetë tri euro.

    Biletat në Prizren do të shiten më 3, 4 dhe 5 gusht te “Shadërvani”, në Prishtinë më 4 gusht tek Amfiteatri “Zahir Pajaziti”, ndërsa në Mitrovicë dhe Pejë te fan clubs më 4 dhe 5 gusht.

    Përballja mes Kosovës dhe Danimarkës i takon raundit të tretë parakualifikues për Eurobasket 2025, dhe do të zhvillohet të shtunën (5 gusht) me fillim nga ora 20:45.

  • Qytetarët e huaj evakuohen nga Nigeri, pas rritjes së tensioneve nga puçi

    Qytetarët e huaj evakuohen nga Nigeri, pas rritjes së tensioneve nga puçi

    Qytetarët e huaj pritën në radhë në aeroportin e Nigerit të mërkurën në mëngjes për fluturimin e tretë të evakuimit, pas puçit në vendin e Afrikës Perëndimore.

    Forcat franceze në kryeqytet, Niamey, i evakuuan qindra të huaj, kryesisht francezë, drejt Parisit me dy aeroplanë të martën, pas shqetësimeve se qytetarët e tyre dhe evropianët e tjerë rrezikojnë të ngujohen nga grusht shteti ushtarak i javës së kaluar, në të cilin u rrëzua dhe arrestuar presidenti Mohamed Bazoum.

    Franca, Italia dhe Spanja njoftuan se po i evakuojnë qytetarët e vet dhe evropianët e tjerë nga Nigeri.

    Shtetet e Bashkuara ende nuk kanë njoftuar nëse do t’i evakuojnë qytetarët e vet, por disa amerikanë janë larguar me ndihem e shteteve evropiane tashmë.

    Një aeroplan ushtarak italian ateroi në Romë të mërkurën me 99 udhëtarë, përfshirë 21 amerikanë dhe civilë nga vendet e tjera, tha Ministria e Mbrojtjes e Italisë.

    Dy aeroplanët e parë që ateruan në Paris gjatë natës kishin 12 foshnje, në mesin e 262 udhëtarëve në bord, shumica e të cilëve francezë. Ministria e Punëve të Jashtme e Francës tha se në mesin e të evakuarëve kishte edhe qytetarë nga Nigeri, Portugalia, Belgjika, Etiopia dhe Libani.

    Të dielën, blloku rajonal i vendeve të Afrikës Perëndimore, ECOWAS, tha se do ta përdorë forcën kundër juntës së Nigerit, nëse ajo nuk e liron dhe rikthen në pushtet presidentin e vendit brenda një jave. Por, kjo deklaratë u kundërshtua menjëherë nga Mali, Burkina Faso dhe Guineja, të cilat udhëhiqen nga ushtarët kryengritës që i rrëzuan qeveritë e tyre.

    Liderët e Malit dhe Burkina Fasos thanë se ndërhyrja ushtarake në Nigerit “do të nënkuptonte shpallje të luftës” kundër tyre.

    Të martën, Shtetet e Bashkuara thanë se sekretari i tyre Antony Blinken foli me presidentin Bazoum dhe e theksoi se SHBA-ja e kundërshton çdo përpjekje për ta prishur rendin kushtetues, dhe se ajo e përkrah popullin e Nigerit, ECOWAS-in, si dhe Unionin Afrikan dhe partnerët ndërkombëtarë në mbështetje të qeverisjes demokratike dhe respektimit të sundimit të ligjit dhe të drejtave të njeriut./REL/