ATV

Author: G.O.

  • Nga sot fillon zvogëlimi i pranisë së Policisë edhe për 25 për qind rreth komunave në Veri

    Nga sot fillon zvogëlimi i pranisë së Policisë edhe për 25 për qind rreth komunave në Veri

    Nga sot do të fillojë zvogëlimi i pranisë së Policisë edhe për 25 për qind në objektet komunale dhe rreth tyre, në veri të Kosovës.

    Vendimi vjen pas një vlerësimi të përbashkët të Policisë së Kosovës, EULEX-it dhe KFOR-it.

    Në njoftim thuhet se ekipet e Policisë, bashkë me EULEX-in dhe KFOR-in, do të vazhdojnë koordinimin dhe do t’i ndërmarrin veprimet e nevojshme, sipas vlerësimit të rregullt të situatës së sigurisë në komunat veriore.

    Qysh më 13 korrik është larguar 25 për qind e Policisë nga objektet komunale dhe rreth tyre, në veri.

  • Vrasja e Marigona Osmanit, sot merret vendimi për Krivaqën dhe Sejdiun

    Vrasja e Marigona Osmanit, sot merret vendimi për Krivaqën dhe Sejdiun

    Gjykata Themelore në Ferizaj sot (e premte) do të mbajë seancën e shpalljes së aktgjykimit ndaj Dardan Krivaqës dhe Arbër Sejdiut, të cilët akuzohen për dhunimin dhe vrasjen e Marigona Osmanit.

    Seanca do të mbahet në ora 11:00 dhe do të jetë e hapur për publikun.

    Para fillimit të seancës, në ora 10:30 para objektit të Gjykatës së Ferizajt do të mbahet një protestë të organizuar nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist “për të kërkuar drejtësi për Marigonën dhe ndëshkim maksimal për vrasësit”.

    “Dhuna mizore të cilën e ushtroi Krivaqa me ndihmën e Sejdiut ndaj Marigonës deri kur e vrau dhe humbja e saj na e bën të pamundur të harrojmë. Ne nuk mund të harrojmë që Marigona do të mund të ishte gjallë sot nëse shteti do ta mbronte me kohë atë. Të indinjuar/a e me shumë dhimbje, ne mblidhemi këtë të premte dhe thërrasim në drejtësi për Marigonën”, thuhet në njoftimin e Kolektivit për Mendim dhe Veprim Feminist.

    Përndryshe, gjatë kësaj jave është zhvilluar seanca gjyqësore për dhunimin dhe vrasjen e Marigona Osmanit. Avokati i familjes Osmani, Gazmend Rexhepi, ka kërkuar burg të përjetshëm ndaj Dardan Krivaqës dhe Arbër Sejdiut.

    Në këtë seancë fjalën përfundimtare e dha prokurori i rastit, Valdet Avdiu, i cili ka bërë një përmbledhje nga seancat e kaluara, dëshmitarët dhe provat.

    Pas tij, fjalën përfundimtare e pati avokati i familjes Osmani, Gazmend Rexhepi, i cili ka thënë se të akuzuarit Dardan Krivaqa e Arbër Sejdiu të dënohen me burgim të përjetshëm.

    Rexhepi ka thënë se deklaratat e Sejdiut nuk përputhen me provat e gjetura në vendin e ngjarjes ku u vra dhe u dhunua Marigona Osmani.

    Avokati theksoi se në video-incizimet e siguruara pamjet janë të tmerrshme.

    Sipas aktakuzës, “I pandehuri Dardan Krivaça, me 21 gusht 2021, rreth orës 10:14, në banesën e tij në Ferizaj, pa pëlqim e saj e detyron të ndjerën Marigona Osmani për të kryer marrëdhënie seksual, e cila përcillet me tortura, në atë mënyrë që fillimisht pa dëshirën e saj kryen marrëdhënie seksuale në sallon, pas kryerjes së aktit seksual të njëjtën të zhveshur e dërgon në banjo, nga aty me dhunë e dërgon në dhomën e gjumit, mirëpo me kalimin e kohës për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore si pasojë e dhunës së ushtruar humb aftësinë për të rezistuar, e ku në dy raste në mbrëmje kryen marrëdhënie seksuale pastaj të zhveshur e dërgon në banjë, e ku i vërehen edhe lëndimet në trup”.

    “Nga ora 10:56 deri në orën 14:43, i pandehuri i parë merr një shkop, e së bashku me të pandehurin e dytë hyjnë në dhomë dhe e godasin në pjesë të ndryshme të trupit, me ç’rast të njëjtës i shkaktojnë, dhimbje të mëdha fizike dhe psikike, ku nga goditjet pëson politrauma-lëndime të shumëfishta, ku vdekja shkaktohet drejtpërdrejtë nga asfiksia mekanike, si dhe shoku hemorragjik dhe traumatik, të cilat janë pasojë e gjakderdhjes së jashtme dhe gjakderdhjes së brendshme, nga thyerje e ashtit të nofullës së poshtme, thyerje e brinjëve, klavikulës së majtë, unazave të qafës, gjakderdhjes epidurale dhe subdurale në pjesën e pasme të trurit të madh dhe në trurin e vogël, këputje parciale të palcës së kurrizit në qafë, të njëjtën e dërgojnë në Spitalin e Përgjithshëm – Qendrën Emergjente në Ferizaj dhe largohen nga aty”.

  • Çitaku: Korrupsioni dhe skandalet kanë mbuluar Qeverinë Kurti, prokuroria të hetojë të gjitha rastet

    Çitaku: Korrupsioni dhe skandalet kanë mbuluar Qeverinë Kurti, prokuroria të hetojë të gjitha rastet

    Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, në një konference për medie, ka denoncuar korrupsionin dhe aferat e njëpasnjëshme të Qeverisë, të cilat kanë prekur shumicën e sektorëve dhe institucioneve.

    Çitaku tha se është e pakuptueshme mbrojtja e Qeverisë dhe Kryeministrit ndaj këtyre aferave, derisa i ka bërë thirrje prokurorisë që të hetojnë secilin rast të raportuar nga mediat.

    “Siç e keni parë gjatë kësaj kohe, çdo ditë po pasurohet albumi i korrupsionit të kësaj Qeverie. Raportimet e mediave, po tregojnë që eksponentë të partisë-shtet, nuk kanë lënë asnjë sektor pa shtrirë rrjetin e korrupsionit, përfshirë edhe në gjërat më esenciale: Rrymë, grurë e vaj. Dje, pamë edhe raportimet për abuzim të fondeve që janë të paraparave për komunitete dhe rastësisht na doli që personat që kanë përfituar, të jenë familjarë të ministrave të kësaj Qeveri. Shumë prej tyre nuk e kishin as idenë më të vogël se për çka kanë përfituar ato fonde. Përballë krejt kësaj situate, më skandaloze se aferat, kanë qenë reagimet e Kryeministrit Kurti dhe eksponentëve të Qeverisë. Në rastin më të mirë ka pasur indiferencë dhe shpërfillje – derisa – në rastin më të keq, ka pasur një mbrojtje të pashpjegueshme të akterëve të përfshirë në korrupsion dhe një sulm histerik kundër prokurorisë dhe mediave. Ftojmë institucionet e rendit, policinë dhe prokurorinë, që urgjentisht të hetojnë të gjitha aferat e kësaj Qeverie dhe të mos lejojnë prishjen dhe humbjen e provave: Sikur që kanë humbur vajin dhe grurin!”, theksoi ajo.

    Nënkryetarja Çitaku tha se Qeveria Kurti nuk i ka shpallur luftë korrupsionit, por gazetarëve të cilët po i zbulojnë rastet korruptive dhe rendit e ligjit, që po i hetojnë ato.

    “Ambasadori Martin Berishaj vazhdon të jetë në detyrë, përkundër fakteve të shpalosura të cilat e lidhin me shpërdorimin e miliona eurove. Nagip Krasniqi, i dyshuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, mik i Kryeministrit Kurti, përkundër arrestimit të tij ai është vetëm i pezulluar nga detyra, por jo edhe i përjashtuar. Rozeta Hajdari, e cila ka blerë grurë prej kompanive të ndërtimit, e gruri nuk ka ardhë asnjëherë në Kosovë, vazhdon të mbetet ne detyrë. Pesë ministra, zëvendësministra e shumë zyrtarë të tjerë, në shumë institucione, sot janë nën hetime nga Task-Forca Anti-Korrupsion në Policinë e Kosovës. Asnjë llogaridhënie deri më tash, përkundrazi, kjo Qeveri nuk i ka shpallur luftë korrupsionit, por gazetarëve, të cilët po e zbulojnë korrupsionin dhe rendit e ligjit, të cilët po e hetojnë atë”, shtoi ajo.

    Çitaku theksoi se audio-incizimet e publikuara në media kanë shpërfaqur presionin e madh që po u bëhet administratës publike dhe shërbyesve civilë nga zyrtarët shtetërorë, për ta shkelur ligjin.

    “Çdo ditë e më shumë, po rrënohet aura e epërsisë morale, të cilën VV ia kishte mveshur vetes, si parti me duar të pastra. Faktet po tregojnë që këto kanë qenë vetëm fraza boshe. Audio-incizimet po tregojnë edhe për presionin e madh që po u bëhet administratës publike dhe shërbyesve civilë, jo për ta respektuar ligjin, por për ta shkelur atë. Derisa aferat po shtohen, keqpërdorimet e detyrës zyrtare po prekin të gjitha institucionet e kësaj Qeverie, fatkeqësisht, janë qytetarët të cilët po i vuajnë pasojat. Rritja e çmimeve, papunësia dhe varfëria, janë tri problemet me të mëdha me të cilat po ballafaqohen qytetarët tanë sot! Në vend të zgjidhjeve, kjo Qeveri ka ofruar vetëm cikle të pafundme të krizave dhe skandaleve. Edhe një herë, po e ripërsëris thirrjen për institucionet e hetuesisë dhe drejtësisë që të veprojnë”, përfundoi Çitaku.

  • Lizzo akuzohet për ngacmim seksual

    Lizzo akuzohet për ngacmim seksual

    Tre nga ish-vallëtarët e reperes Lizzo-s e kanë akuzuar atë për ngacmim seksual dhe krijimin e një mjedisi armiqësor pune në një padi të ngritur ditën e djeshme.

    Ata gjithashtu pretendojnë se ajo i bëri presion njërit prej tyre që të prekte një person nudo në një klub të Amsterdamit .

    Tutje ata akuzuan Lizzo-n se I kishte tërhequr vëmendjen për shtimin në peshë të një balerini dhe më vonë e qortoi, më pas e qëlloi atë .

    Lizzo akuzohet po ashtu bashkë me koreografen Tanisha Scott se gjatë turneut ishte tallur me peshën e tyre.

    Menaxhmenti I artistes nuk u përgjigjen asnjë pyetje të bëra nga mediat, duke vazhduar të qëndrojnë në heshtje.

  • Liam Payne flet për arritjen e famës me One Direction, thotë se i la ‘plagë’

    Liam Payne flet për arritjen e famës me One Direction, thotë se i la ‘plagë’

    Liam Payne ka treguar për momentet e vështira pas ngritjes së famës me One Direction.

    Krijuesi i hitit të Strip That Down kujtoi se po luftonte me famën ndërsa pranoi se atëherë nuk e kuptoi se për çfarë nënshkroi, pasi iu bashkua grupit të famshëm.

    Liam në një intervistë ka thënë se është mirënjohës për jetën e tij të mrekullueshme për punën e tij, por kjo i ka kushtuar atij sa I përket shëndetit mendor.

    “Kam qenë shumë me fat që e mbaja këtë punë për aq gjatë, gjë që është e mrekullueshme, por mendoj se padyshim që më la plagë”, shtoi ai.

    “Në qoftë se mundem të ndihmoj dikë në situatën e njëjtë si timen, jo nga ana e famës, por për gjërat që më kanë ndodhur përpara dhe do ta ndaloja çdo gjë të keqe t’i ndodhte dikujt tjetër, kjo është ëndrra ime’’.

    Payne vazhdoi: Ka të bëjë vetëm me të pasurit e njerëzve të duhur rreth teje në kohën e duhur dhe unë isha me fat që kisha njerëz që të më ruanin kur isha në vendin tim më të keq dhe të më ndihmonin të marr ndihmën që kam nevojë dhe jo të gjithë janë aq me fat.

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • Shitet për 355,000 dollarë shtëpia e Aretha Franklin

    Shitet për 355,000 dollarë shtëpia e Aretha Franklin

    Shtëpia ku Aretha Franklin u rrit në Detroit është shitur për 355,000 dollarë. Pesë vite pas vdekjes ,shtëpia ku ajo kaloi vitet e fëmijërisë, tashmë i përket një familjeje të re.

    Sipas TMZ, rezidenca është shitur të mërkurën e kaluar, ku blerësit, të cilët nuk janë të famshëm, por njerëz të thjeshtë, kanë arritur ta blejnë me një çmim shumë më të ulët se origjinali.

    Në maj, shtëpia doli në shitje për 380,000 pasi u listua fillimisht dhe përfundimisht u tërhoq nga tregu.

    Pas negociatave, blerësit ishin në gjendje të ulnin çmimin në 355,000 dollarë.

    Ajo përfshin 6 dhoma gjumi, 5 banjo dhe përbëhet nga 6000 metra katrorë.

    Pothuajse në të gjitha dhomat ka oxhaqe, ndërsa në katin e sipërm ka një dhomë gjumi tjetër që mund të përdoret si shtëpi për mysafirë./atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • Dafina Zeqiri në gjendje jo të mirë shëndetësore, anulon koncertin

    Dafina Zeqiri në gjendje jo të mirë shëndetësore, anulon koncertin

    Këngëtarja e njohur, Dafina Zeqiri padyshim që është një nga artistet më të suksesshme të skenës muzikore shqiptare.

    Dafina, e cila numëron miliona klikime më këngët e saj në youtube, gjatë kësaj kohë është duke realizuar koncertet e shumta të sezonit të verës.

    Mirëpo së fundmi, këngëtarja duket se nuk ka qenë në gjendje të mirë shëndetësore.

    Dafina mesa duket është sëmurë, dhe për këtë arsye ajo i ka njoftuar fansat e saj se është detyruar ta anulojë koncertin e saj të fundit.

    “Kërkoj falje për mungesën në Pejë sonte, për shkaqe shëndetësore, ju premtoj që shumë shpejt do tju sjell një super show për ju! E juaja Dafina”, ka shkruar Dafina në Instastory.

  • Sekuestrohen pesë armë zjarri në ahengje familjare në rajonin e Prishtinës

    Sekuestrohen pesë armë zjarri në ahengje familjare në rajonin e Prishtinës

    Vetëm në rajonin e Prishtinës janë sekuestruar pesë armë zjarri në ahengje familjare.

    Policia e Kosovës njoftoi se janë iniciuar raste për veprat penale përdorim i armës dhe mjetit të rrezikshëm, si dhe për mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.

    “Nisur nga fakti se akoma është prezent si dukuri, përdorimi i armëve të zjarrit në ndeja dhe ahengje të ndryshme, strukturat operative rajonale të policisë së Prishtinës, po vazhdojnë punën për parandalimin e kësaj dukurie.  Që nga data 29 korrik 2023 deri sot, policia e Rajonit të Prishtinës,  ka sekuestruar 5 armë zjarri, të cilat dyshohet të jenë përdorë në ahengje familjare.  Pas përfundimit të procedurave dhe konsultimit me prokurorin e shtetit ndaj të dyshuarve janë iniciuar raste për veprat:  Përdorim i armës dhe mjetit të rrezikshëm,  Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, thuhet në njoftimin e policisë.

    “Policia e Rajonit të Prishtinës, komfor detyrimit ligjor që ka, obligohet që në rastet e tilla të filloj kërkimin për armët e përdorura në rast, të ndaloj kolonat e dasmorëve për t’i kontrolluar ato dhe personat e dyshuar dhe në situata të caktuara të ndërmarrë edhe bastisje në shtëpitë ku dyshohet për raste të tilla. Andaj mbështetur mbi këtë bazë, apelojmë të gjithë qytetarët që tu shmangen veprimeve të tilla për arsye të sigurisë së tyre, sigurisë së të tjerëve dhe ceremonitë festive t’i kalojnë pa ndonjë incident”, thuhet tutje në njoftim.

  • Gjatë 24 orëve të fundit nga prokuroritë themelore janë ngritur 40 aktakuza

    Gjatë 24 orëve të fundit nga prokuroritë themelore janë ngritur 40 aktakuza

    Prokurori i Shtetit ju njofton se gjatë 24 orëve të fundit nga prokuroritë themelore janë ngritur dyzet (40) aktakuza kundër dyzetekatër (44) personave, për kryerjen e veprave të ndryshme penale.

    Po ashtu, me urdhër të Prokurorit të Shtetit janë ndaluar njëzetetetë (28) persona dhe janë paraqitur dy (2) kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit ndaj dy (2) personave dhe një (1) kërkesë për caktimin e masës së ndalimit për t’iu afruar vendit apo personit të caktuar, ndaj një (1) personi.

    Prokuroria Themelore në Prishtinë, gjatë 24 orëve të fundit, ka ndaluar njëmbëdhjetë (11) persona, ka ushtruar dy (2) kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit për dy (2) persona si dhe ka ngritur njëzetetetë (28) aktakuza kundër njëzetetetë (28) për vepra të ndryshme penale.

    Prokuroria Themelore në Prizren, ka ngritur dhjetë (10) aktakuza kundër katërmbëdhjetë (14) personave, për vepra të ndryshme penale.

    Prokuroria Themelore në Pejë, me urdhër të prokurorit ka ndaluar katër (4) persona të dyshuar dhe ka ushtruar një (1) kërkesë për caktimin e masës së ndalimit për t’iu afruar vendit apo personit të caktuar, ndaj një (1) personi.

    Prokuroria Themelore në Gjilan, me urdhër të prokurorit në tri raste të ndara ka ndaluar katër (4) persona, në kohëzgjatje prej 48 orëve.

    Prokuroria Themelore në Gjakovë, gjatë 24 orëve të fundit, me urdhër të prokurorit kujdestar, ka ndaluar tre (3) persona në kohëzgjatje prej 48 orësh për kryerjen e veprave të ndryshme penale.

    Prokuroria Themelore në Mitrovicë, gjatë 24 orëve të fundit, ka ndaluar pesë (5) persona dhe ka ngritur një (1) aktakuzë kundër një (1) personi.

    Prokuroria Themelore në Ferizaj, gjatë 24 orëve të fundit, ka ndaluar një (1) person të dyshuar dhe ka ngritur një (1) aktakuzë kundër një (1) personi.

  • Osmani: Prezenca e ushtrisë amerikane në Kosovë, garanci e sigurisë

    Osmani: Prezenca e ushtrisë amerikane në Kosovë, garanci e sigurisë

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka vizituar sot kampin në Bondsteel.

    Ajo ka marrë pjesë në ndërrimin e komandës ndërmjet Kol. Matthew O. Dinenna dhe Kol. Terry A. Saul.

    Me këtë rast, Osmani ka potencuar se prezenca e ushtrisë amerikane në Kosovë është garanci e stabilitetit dhe sigurisë në vend.