ATV

Author: G.O.

  • Pritje deri në një orë te Dheu i Bardhë dhe në Merdarë

    Pritje deri në një orë te Dheu i Bardhë dhe në Merdarë

    Pika kufitare mes Kosovës dhe Serbisë, Dheu i Bardhë dhe Merdarë, vazhdon të jetë e ngarkuar nga fluksi i madh i bashkatdhetarëve që po kalojnë përmes kësaj pike kufitare, e cila ua mundëson hyrjen dhe daljen në territorin e Kosovës.

    Kështu bëhet e ditur në të dhënat e publikuara nga Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar.

    Pritjet për në hyrje te Dheu i Bardhë zgjasin 30 minuta, ndërkaq në dalje prej 45 deri në 60 minuta.

    Ndërsa, sa i përket pikë kalimit kufitar në Merdarë, pritjet për hyrje zgjasin 15 deri 20 minuta, ndërkaq për të dal nga kjo pikë kufitare pritjet zgjasin 45 deri 60 minuta.

    Kolona në hyrje të kësaj pike raportohet të jetë tek Dheu i Bardhë nga 100 metra për hyrje, po ashtu edhe për dalje.

    Kolona për hyrje në Kosovë përmes pikës kufitare në Merdarë arrijnë deri në 100 metra kolonë, ndërsa për dalje 150 deri në 200 metra kolonë.

    Ndërsa, në vendkalimet e tjera kufitare, nuk ka probleme të pritjeve të gjata, bashkatdhetarët hyjnë dhe dalin nga Kosova me pritje të shkurtër prej 3 deri në 5 minuta.

  • Ministri Krasniqi do të inaugurojë dy salla sportive në Lipjan

    Ministri Krasniqi do të inaugurojë dy salla sportive në Lipjan

    Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, pritet të marrë pjesë në inaugurimin e dy sallave sportive në shkolla të Lipjanit.

    Sipas njoftimit të ministrisë, Krasniqi këtë aktivitet pritet ta zhvilloj në bashkëpunim me kryetarin e Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti.

    Aktiviteti pritet të mbahet me fillim nga ora 9:00.

    “Kryetari i Komunës së Lipjanit pret në takim ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, pas së cilit do të bëhet inaugurim i dy sallave sportive në shkolla. (Objekti i Komunës së Lipjanit)”, thuhet në njoftim.

  • PDK-ja zhvillon aksion tek ministria e Rozeta Hajdarit

    PDK-ja zhvillon aksion tek ministria e Rozeta Hajdarit

    Aktivistët e Partisë Demokratike të Kosovës do të mbajnë sot një aksion simbolik te Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.

    Aksioni do të zhvillohet nga ora 11:00.

    “Aktivistë të Rinisë Demokratike të Kosovës organizojnë sot aksion simbolik tek Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë”, thuhet në njoftim.

  • Kryeministri Kurti mirëpriti mërgimtarët në shënim të Ditës së Diasporës

    Kryeministri Kurti mirëpriti mërgimtarët në shënim të Ditës së Diasporës

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mbrëmë për nder të Ditës së Diasporës ka organizuar pritje të veçantë për mërgimtarët në ambientet e “Ballkonit të Hapur të Qeverisë”, i cili tashmë është shndërruar në vend të këndshëm për takime e pritje.

    Duke iu uruar mirëseardhje, kryeministri Kurti njoftoi mërgimtarët e pranishëm mbi progresin e dukshëm demokratik e ekonomik të Kosovës të evidentuar nga të gjitha raportet ndërkombëtarë kredibile, duke përmendur kështu rritjen mesatare ekonomike, rritjen e të hyrave tatimore, eksportet e investimet e huaja direkte.

    Njëkohësisht, rritjen e vendeve të punës, miratimin e ligjit për pagën minimale, e së fundmi edhe ligjin për njohjen e kontributeve të punëtoreve të viteve ‘90-ta, kryeministri para mërgimtarëve i cilësoi hapa të rëndësishëm në zhvillimin e Kosovës.

    Paralelisht me këto progrese, kryeministri Kurti veçoi se edhe mërgata jonë ka evoluuar dukshëm vit pas viti duke e zgjeruar përfaqësimin tonë kombëtar.

    “Atë sot e gjejmë në format më të suksesshme në art, në kulturë, në sport, financa, e tash së fundmi edhe përfaqësim politik në shtetet e tyre, nga niveli komunal e deri te ai qendror. Disa prej tyre janë këtu në mesin tonë sonte”, shtoi kryeministri.

    Tutje, ai i prezantoi mërgimtarët edhe me programin për diplomaci publike “Citizen Diplomacy Fellowship”, që ka për qëllim ndërlidhjen me vendin e origjinës përmes angazhimit profesional, si dhe lansimin e platformës “Shijo Kosovën”, përmes së cilës mërgatës, sidomos gjeneratave të reja, i’u mundësohet njohja e vendit me anë të aktiviteteve kulturore, sportive e natyrore.

    Gjithashtu, me anë të lehtësimit të procesit së votimit për mërgatën rritet edhe më shumë pjesëmarrja e tyre aktive, derisa në kuadër të investimeve, kryeministri tha se po themelojmë Fondin Sovran përmes së cilit bashkatdhetarët tanë dëshirojmë t’i bëjmë aksionarë në ekonominë tonë.

    Pas gjithë kësaj mbrëmjeje të frytshme e argëtuese, kryeministri Kurti i lumtur për takimin, falënderoi përzemërsisht gjithë bashkatdhetarët.

    Në këtë pritje, ku të ftuar ishin pjesëtarë e figura të ndryshme nga mërgata, artistë, veprimtarë, përfaqësues të shoqatave që veprojnë në mërgatë e përfaqësues të rinj politikë atje, bashkë me kryeministrin ishin të pranishëm edhe ministra e ministre të kabinetit qeveritar dhe zëvendësministra.

    Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

    Mirëmbrëma dhe mirë se vini,

    Për rastësi, ose ndoshta edhe jo, nesër bëhen fiks një vit prej se e kemi inauguruar “Ballkonin e Hapur” këtu në Kryeministri. Megjithatë, përvjetorin po e shënojmë sonte sepse ishim pikërisht bashkë, këtu, një vit më parë, prej kur kjo hapësirë e objektit të qeverisë, që dikur nuk shfrytëzohej, është bërë vend kaq i këndshëm për pritje e takime.

    E edhe një vit pas, Ballkoni ynë vazhdon të jetë i hapur, sonte, për mërgatën tonë të dashur, për juve bashkatdhetarë. Bashkë e shpallëm. Bashkë po e shënojmë edhe përvjetorin e parë. Bashkë do të takohemi për shumë mote. Mirë se vini e gëzuar!

    Kosova ka bërë përparim të dukshëm gjatë këtyre dy viteve të fundit. Që nga shpallja e pavarësisë përparimi ka qenë i theksuar si për popullin e shoqërinë ashtu edhe për shtetin edhe institucionet. Ndërkaq, në këto dy vitet e qeverisjes sonë nuk ka raport ndërkombëtar kredibil i cili nuk e ka evidentuar progresin tonë demokratik dhe ekonomik. E sërish kur themi progresin tonë nuk e mendojmë vetën tonë, por e mendojmë edhe një herë popullin e shoqërinë, shtetin e institucionet e tij. Kemi bërë hapa të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik, tërheqjen e investimeve të huaja dhe krijimin e vendeve të punës.

    Rritja mesatare ekonomike në këto dy vite ka qenë 7.35% të bruto produktit vendor. Të hyrat tatimore janë rritur për 2/3, pa e ndryshuar politikën fiskale dhe eksportet e investimet e huaja direkte janë dyfishuar. Sivjet pritet të jetë viti i parë kur eksportet do ta kalojnë shifrën prej 1 miliard euro.

    Mesatarisht, gjatë çdo viti të qeverisjes, i kemi shtuar më shumë ekonomisë sonë sesa në tre vitet e mëparshme marrë së bashku për bazë.

    Për herë të parë, ekonomia e ka kaluar shifrën prej 400 mijë vendeve aktive të punës. Punësimi ka qenë zotim dhe prioritet i ynë. Kjo është dëshmi që politika dhe masat e shumta të punësimit po funksionojnë.

    Miratuam ligjin në Kuvend për rritjen e pagës minimale në Kosovë, pas më shumë se 10 viteve. Tash për punëtorët mbi 35 vjeç kemi rritje të pagës minimale prej 55%, ndërkaq prej atyre që janë nën 35 vjeç është rritja 103%. Me këtë Ligj e kemi larguar edhe tatimin në të ardhurat personale për pagat deri në nivelin e pagës minimale. Për fatin tonë jo të mirë, ky Ligj, sipas vullnetit të opozitës, përfundoi në Gjykatë Kushtetuese dhe duhet ta presim verdiktin e saj.

    E javën e kaluar në Kuvend i kemi dhënë fund padrejtësisë ndaj pensionistëve që u larguan dhunshëm nga puna gjatë viteve ‘90-ta. Falë ndryshimeve të bëra në ligj, rreth 70 mijë pensionistë të cilët po të mos ishin larguar dhunshëm nga puna në vitet e ‘90-ta do të arrinin kushtin prej 15 vitesh kontribut deri më 01.01.1999, tani e tutje, do të marrin pensionin parcial kontributpagues.

    Bashkë me Kosovën, edhe mërgata jonë ka evoluuar dukshëm. Nga streha e veprimtarisë së çështjes kombëtare dhe burimi i mbijetesës financiare në kohë të vështira për vendin, ajo vit pas viti po e zgjeron përfaqësimin tonë kombëtar. Atë sot e gjejmë në format më të suksesshme në art, në kulturë, në sport, financa, e tash së fundmi edhe përfaqësim politik në shtetet e tyre, nga niveli komunal e deri te ai qendror. Disa prej tyre janë këtu në mesin tonë sonte.

    Mërgata jonë gjithmonë ka qenë e rëndësishme për fatin tonë politik, përpjekjet tona historike e për mirëqenien tonë sociale. Çlirimi, shpallja e pavarësisë dhe krijimi e ndërtimi i shtetit të pavarur të Kosovës nuk ka qenë i mundur dhe as i paramenduar pa mërgatën tonë. Sa më shumë që e zhvillojmë shtetin, aq më shumë na forcohen edhe lidhjet. Një shtet i fortë reflektohet edhe me një mërgatë më të fuqishme dhe anasjelltas.

    Për të gjitha këto, ne po përpiqemi ta ofrojmë infrastrukturën e nevojshme.

    Për forcimin e lidhjeve, qeveria jonë, për herë të parë fillimisht ka zbatuar programin për diplomaci publike “Citizen Diplomacy Fellowship”, për çfarë e falënderoi Zëvendëskryeministrin dhe ministrin tonë të Punëve të Jashtme dhe Diasporës, zonjën Donika Gërvalla-Schwarz dhe zëvendësen e saj Liza Gashi, e që ka për qëllim ndërlidhjen me vendin e origjinës përmes angazhimit profesional. Ndërkaq pak ditë më parë e lansuam platformën “Shijo Kosovën”, përmes së cilës mërgata, e sidomos te gjeneratat e reja, do të mund ta njohin më mirë vendin e tyre të origjinës përmes aktiviteteve kulturore, sportive e natyrore.

    Për pjesëmarrje aktive, kemi miratuar në parim ligjin e ri për zgjedhje që lehtëson pjesëmarrjen e mërgatë tonë në procesin e votimit, duke mundësuar votimin edhe në ambasada dhe konsullata po gjithashtu edhe votimin me postë brenda shtetit ku jetojnë bashkatdhetarët tanë, përveç asaj mundësisë që të votojnë me postë direkt në Kosovë ose edhe të vijnë në Kosovë atëherë kur mbahen zgjedhjet.

    Për investime, po themelojmë Fondin Sovran për të cilin për herë të parë kemi folur para gjashtë vjetëve, nëpërmjet të cilit synojmë ta bëjmë indeksimin e kompanive tona publike po edhe private në ekonominë e vendit dhe dëshirojmë që edhe bashkatdhetarët t’i bëjmë aksionarë në ekonominë tonë.

    Ne e dimë që katragjyshet tona e katragjyshet tanë kanë definuar pasurinë si tokë dhe shtëpi. Mirëpo në shekullin 21 do të duhej që të mendojmë për aksionet e kompanive tona të cilët indeksohen në bursë në treg të kapitalit, e pikërisht këtë gjë e mundëson Fondi Sovran i cili na shpëton 44 mijë hektarë tokë bujqësorë nga ndërtimet e egra dhe tjetërsimet e tjera. Po gjithashtu edhe 17 ndërmarrjet politike i vendos në një çati për çfarë na nevojitet mbështetja e mërgatës për një bord profesional dhe për një kryeshef i cili zgjidhet për një mandat më të gjatë se sa ciklet elektorale katërvjeçar që janë tek ne.

    Ju e dini që në Kosovë mund të blesh bono të thesarit, por nuk mund të shesësh atë. Ne kemi nevojë ta bëjmë më dinamike ekonominë tonë dhe pronësinë e bashkatdhetarëve tanë të mos shndërrohen thjesht në pronësi që shtë gati kapitalizëm në vete sepse shfrytëzohet dy javë në vit, si banesë në Prishtinë për shembull, po të vijë dita që bashkatdhetari ynë në vend se ta blejë ndoshta edhe një banesë në Prishtinë, të blejë 0.1% të aksioneve në Trepçë, ose në KEK, ose në Telekom e kështu me radhë.

    Pra në duam që të ju ftojmë juve që, pra jo të kontribuoni duke sakrifikuar, po të fitoni edhe ju duke investuar.

    Mirë se vini edhe një herë e gëzohem shumë që po takohemi.

    Gëzuar!

  • Weber: Nuk ka vullnet nga asnjëra palë që të zbatohet Marrëveshja e Ohrit

    Weber: Nuk ka vullnet nga asnjëra palë që të zbatohet Marrëveshja e Ohrit

    Analisti gjerman, Bodo Weber, thotë se Kosova nuk po trajtohet e barabartë me Serbinë në tavolinën e negociatave që po ndërmjetësohet nga unioni evropian.

    Sipas tij, shtetet Perëndimore kanë krijuar një perceptim se problemi qëndron tek Prishtina për krizën në veri.

    “Albin Kurti ka plotësisht të drejtë kur po thotë se procesi i dialogut momentalisht është i pa balancuar. Është mese e qartë se Perëndimi është duke përdorur një politikë të butë ndaj Beogradit. Me atë se çfarë ka ndodhur gjatë periudhës së fundit shtetet Perëndimore kanë krijuar një perceptim se Prishtina është problemi kryesor. Një qasje e tillë ndëshkuese e Perëndimit ka munguar ndaj Beogradit kur për shembull serbët vendosën të largohen nga institucionet e më pas i bojkotuan zgjedhjet”, vlerësoi Weber.

    Por Weber nuk po sheh vullnet nga asnjëra palë që ta zbatojë marrëveshjen e Ohrit.

    “Është e qartë se ka nuk ka vullnet nga Prishtina dhe Beogradi që ta respektojnë marrëveshjen e arritur në Ohër. Ky është rezultat i gjithë procesit të negociatave që është projektuar keq nga Perëndimi duke u qasur shumë butë ndaj Beogradit, dhe si rrjedhojë marrëveshjet nuk merren seriozisht. E për shkak të një qasje të tillë të pa balancuar e pafavorshme ndaj Prishtinës, ka ndikuar që kjo e fundit të humbas besimin tek ndërmjetësuesit e këtij procesi. Kjo në një farë forme i justifikon edhe veprimet e Prishtinës që të mos i zbatojë fare marrëveshjet”, deklaroi Weber për teve1.

    Për shtensionimin e situatës në veri BE dhe SHBA kanë kërkuar zgjedhje të reja në katër komunat veriore.

  • Serbia mbushet me grafite “Kur të kthehet ushtria në Kosovë…”, ekspertja: E rrezikshme!

    Serbia mbushet me grafite “Kur të kthehet ushtria në Kosovë…”, ekspertja: E rrezikshme!

    Rrugët e Serbisë janë mbushur me grafite ku shkruhet “Kur të kthehet ushtria në Kosovë…”, që si slogan për herë të parë u pa në një ndeshje futbolli në të cilën mori pjesë edhe ish-ministri i Millosheviqit, presidenti aktual i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

    Ekspertja serbe e sigurisë që jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Ivana Stradner, duke shpërndarë një video ku shihet duke u punuar një lloj i tillë grafiti në një rrugë të Serbisë tha se kjo është e rrezikshme.

    “Kështu funksionon lufta hibride. Është e rrezikshme”, shkroi ajo në Twitter.

    https://twitter.com/ivanastradner/status/1686505226981855232

    Ndërsa, edhe eksperti kosovar i sigurisë, Agim Musliu, shkroi se kjo është rruga që ndjek një ish-ministër i propagandës e cila dy dekada më parë ishte ndërprerë nga NATO.

    “E gjithë Serbia është mbushur me këtë lloj grafiti. Për këtë është i specializuar Vuçiq! Si ministër i propagandës së Millosheviqit, atij i pëlqen të vazhdojë rrugën e tij, të thyer nga NATO më 1999”, shkroi Musliu.

    https://twitter.com/agim_musliu/status/1686610292191457280

    Reagime të ashpra ndaj parullave të tilla në Serbi ka pasur në Kosovë si dhe disa personalitete ndërkombëtare.

  • Trump akuzohet për përpjekje për ndryshim rezultati në zgjedhjet e vitit 2020

    Trump akuzohet për përpjekje për ndryshim rezultati në zgjedhjet e vitit 2020

    Ish-presidenti amerikan Donald Trump po përballet me katër akuza për përpjekje për të ndryshuar rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020 në favor të tij të cilat ai i humbi ndaj presidentit aktual amerikan Joe Biden.

    BBC raporton se aktakuza e ngritur në gjykatën federale të qarkut në Uashington, e ngarkon Trumpin me akuzën e komplotit për të mashtruar Shtetet e Bashkuara, akuzë për komplot për të penguar një procedurë zyrtare, pengim dhe përpjekje për të penguar një procedim zyrtar dhe komplot kundër të drejtave.

    Gjatë 45 faqeve, aktakuza e ngritur nga prokurori i posaçëm Jack Smith shpjegonte në detaje se si Trump dhe aleatët e tij përhapën me vetëdije pretendime të rreme për mashtrime zgjedhore dhe u përpoqën të bllokonin certifikimin e zgjedhjeve më 6 janar.

    Trump, 77 vjeç, i cili kandidon sërish për president, mohoi akuzat. Në rrjetet sociale ai e quajti rastin ndaj tij si “qesharak”.

    Aktakuza rendit gjithashtu gjashtë bashkëpunëtorë të cilët luajtën role qendrore në komplotin për të mbajtur Trumpin në detyrë.

    Sipas BBC, ndërsa bashkëpunëtorët janë të paidentifikuar, përshkrimet e pesë nga gjashtë të akuzuarit përputhen me ato të avokatëve të Trump, Rudy Giuliani, Sidney Poëell, John Eastman, Ken Chesebro si dhe ish-zyrtarit të departamentit të drejtësisë amerikane Jeff Clark.

    “Pavarësisht se kishte humbur, i pandehuri ishte i vendosur të mbetej në pushtet. Pra, për më shumë se dy muaj pas ditës së zgjedhjeve më 3 nëntor 2020, i pandehuri përhapi gënjeshtra se kishte pasur mashtrim përcaktues për rezultatin në zgjedhje dhe se ai në fakt fitoi. Këto pretendime ishin të rreme dhe i pandehuri e dinte se ishin të rreme. Por i pandehuri i përsëriti dhe i shpërndau gjerësisht ato gjithsesi – për t’i bërë pretendimet e tij të rreme me vetëdije të duken legjitime, për të krijuar dhe atmosferë intensive kombëtare mosbesimi dhe zemërimi dhe për të gërryer besimin e publikut në administrimin e zgjedhjeve”, thuhet në aktakuzë.

    Është hera e parë që një president amerikan përballet me akuza penale për përpjekje për të përmbysur zgjedhjet.

  • Bislimi priti në takim shefin e ri të EULEX-it, Giovanni Pietro Barbano

    Bislimi priti në takim shefin e ri të EULEX-it, Giovanni Pietro Barbano

    Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, priti në takim shefin e ri të EULEX-it, Giovanni Pietro Barbano.

    Duke e uruar Barbanon për pozitën dhe rolin e ri në krye të misionit të EULEX-it, zëvendëskryeministri Bislimi shprehu përkushtimin e angazhimin e tij maksimal në vazhdimin e bashkëpunimit mes Qeverisë dhe EULEX-it.

    Derisa u bisedua për bashkëpunimin ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe institucioneve të rendit dhe sigurisë me misionin e EULEX-it, me qëllim të forcimit të sundimit të ligjit, si dhe për zhvillimet në vend.

    Zëvendëskryeministri Bislimi theksoi përkushtimin e Qeverisë për mbrojtje të lirive dhe të drejtave të njeriut të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës pa dallim, si dhe ruajtjen e paqes, rendit dhe sigurisë në vend.

     

  • Dita Nacionale e Zvicrës, uron Haradinaj: Ishte strehë e shumë shqiptarëve në kohë të vështira historike

    Dita Nacionale e Zvicrës, uron Haradinaj: Ishte strehë e shumë shqiptarëve në kohë të vështira historike

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka uruar Zvicrën me rastin e Ditës Nacionale të saj.

    Haradinaj ka thënë se Zvicra ishte strehë e shumë shqiptarëve në kohë të vështira historike.

    “Zvicra ka qenë strehë e shumë shqiptarëve në kohë të vështira historike, dhe sot me të drejtë vazhdon të jetë shtëpia e dytë e shumë bashkatdhetarëve tanë”, ka thënë Haradinaj.

    Urimi i plotë i Haradinajt:

    Në Ditën Nacionale të Zvicrës, shpreh urimet më të përzemërta për këtë vend mik.Zvicra ka qenë strehë e shumë shqiptarëve në kohë të vështira historike, dhe sot me të drejtë vazhdon të jetë shtëpia e dytë e shumë bashkatdhetarëve tanë.Kosova mbetet e vendosur për thellim të marrëdhënieve mes dy vendeve tona. Në të njëjtën kohë jemi mirënjohës dhe falënderues për kontributin e jashtëzakonshëm që Zvicra ka dhënë në secilën etapë të historisë sonë.Urime!

  • Policia e Kosovës dhe Shqipërisë nisin patrullimet e përbashkëta

    Policia e Kosovës dhe Shqipërisë nisin patrullimet e përbashkëta

    Me qëllim të parandalimit të aksidenteve dhe rritjen e sigurisë në trafikun rrugor, Policia e Kosovës dhe Policia e Shtetit Shqiptar, kanë hartuar memorandum bashkëpunimi për patrullime të përbashkëta të dy policive rrugore në territorin e Republikës së Shqipërisë.

    Sipas Policisë, referuar numrit të shtetasve nga Kosova që shkojnë për pushime në Shqipëri dhe numrit të madh të mjeteve që qarkullojnë në akset rrugore në mes të dy vendeve, është vlerësuar i suksesshëm ky patrullim i përbashkët.

    “Ky patrullim ka për synim rritjen e efikasitetit në sigurinë rrugore, parandalimin e kundërvajtjeve dhe aksidenteve si dhe krijimin e një ambienti të sigurt për të gjithë pjesëmarrësit në trafik”, thuhet në njoftim.