ATV

Author: G.O.

  • Ky është parashikimi i motit për sot dhe nesër

    Ky është parashikimi i motit për sot dhe nesër

    Në Kosovë sot do të mbajë mot me diell dhe vranësira të herëpashershme, derisa priten edhe reshje shiu në zonat malore.

    Temperaturën minimale për ditën e sotme e ka shënuar Prishtina me 12 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Prizreni me 25 gradë Celsius.

    Edhe dita e nesërme pritet të jetë me kushte të njëjta atmosferike.

    Temperaturën minimale, për ditën e nesërme do ta mbajë qyteti i Prishtinës me 11 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Prizreni me 24 gradë Celsius.

    Ndërkohë, në Shqipëri do të ketë mot me kthjellime. Temperaturën minimale do e ketë Korça me 10 gradë Celsius, ndërsa ajo maksimale do të jetë në Berat me 32 gradë Celsius. /atvlive.tv/

    Parashikimin e plotë të motit, për rajon dhe Evropë, mund ta gjeni në videon e mëposhtme:

  • Merdarë: Mbi tri orë pritje për të dalë nga Kosova

    Merdarë: Mbi tri orë pritje për të dalë nga Kosova

    Deri në tri orë është koha e pritjes për të dalë nga territori i Republikës së Kosovës nga pika kufitare e Merdares. Jo në nivel më ndryshe janë edhe kolonat.

    Sipas Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kufitar, kolonat për të dalur nga pika kufitare e Merdares arrijnë në 600 metra. Njësoj edhe tek pika kufitare e Dheut të Bardhë ndërsa me kolona më të shkurtra është pika kufitare e Muçibabës, me kolonë deri në 200 metra gjatësi.

    Me pritje në dalje dallohet edhe pika kufitare e Dheut të Bardhë. Pritja arrin deri në 1 orë e gjysmë, gjersa hyrja deri në 10 minuta.

  • 23 persona të lënduar nga tërmeti 5.3 ballësh që goditi mbrëmë Turqinë

    23 persona të lënduar nga tërmeti 5.3 ballësh që goditi mbrëmë Turqinë

    23 persona kanë mbetur të lënduar pas tërmetit 5.3 ballë që goditi mbrëmë Turqinë, saktësisht Malatyan.

    Lajmin e ka bërë të ditur Ministri i Shëndetësisë në Turqi, Fahrettin Koca. Ai ka thënë se ata janë lënduar si pasojë e rënies dhe kërcimit nga lartësia.

    “Në tërmetin 5.3 ballë me qendër në Malatya Yeşilyurt: 23 qytetarë tanë, duke përfshirë 22 persona në Malatya dhe 1 person në Adiyaman, u plagosën si pasojë e rënies ose kërcimit nga lartësia”, ka shkruar ai në Facebook.

    Pos në Malatya, tërmeti u ndje edhe në Kahramanmaraş, Adiyaman, Şanlıurfa dhe Gaziantep.

    Shumë qytetarë kanë dalë në rrugë menjëherë pas lëkundjes.

  • Kurti viziton sot Maqedoninë e Veriut, rruga Tetovë-Prizren temë diskutimi

    Kurti viziton sot Maqedoninë e Veriut, rruga Tetovë-Prizren temë diskutimi

    Kryeministri Albin Kurti, sot do të qëndrojë në Maqedoninë e Veriut, teksa pritet të marrë pjesë në inaugurimin e një rruge në Tetovë.

    Pikërisht për aksin rrugor Tetovë – Prizren, zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, tha se dy Qeveritë janë para nënshkrimit të marrëveshjes financiare për hartimin e projektit kryesor për tunelin që do të ndërtohet bashkërisht.

    “Rrugën në pjesën e Kosovës e projektojmë dhe e ndërtojmë ne, kurse rrugën në territorin e Maqedonisë së Veriut e projekton dhe e ndërton Maqedonia e Veriut. Kosova ka bërë hapat parë në këtë drejtim, duke finalizuar hartimin e projektit kryesor nga dalja e tunelit e deri në kyçjen në autostradën “Ibrahim Rugova”. Ndërkaq, pikërisht ky aks rrugor do të jetë temë diskutimi në vizitën që Kryeministri Albin Kurti të premten do ta zhvillojë në Maqedoni të Veriut”, tha Kryeziu për ATV-në.

    Kurti do të marrë pjesë në inaugurimin e rrugës së re që lidh fshatin Sellcë dhe fshatin Vicë që parashihet të rrisë kapacitetet e turizmit malor dhe do të përafrojë Tetovën me Prizrenin.

    Me ndërtimin e këtij aksi, rruga Tetovë-Prizren, nga rreth 3 orë sa është aktualisht, do të mund të kalohet vetëm për 30 minuta./atvlive.tv/

  • Presidentja Osmani e Hovenier flasin për zbatim të marrëveshjes së Bratisllavës

    Presidentja Osmani e Hovenier flasin për zbatim të marrëveshjes së Bratisllavës

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim të rregullt ambasadorin e Shteteve të Bashkuara, Jeffrey Hovenier me të cilin bisedoi për zhvillimet në vend dhe vijueshmërinë e hapave konkret që po ndërmerren në përputhje me atë se çfarë është dakorduar në Bratislavë.

    “Në takim u diskutua edhe për projektet zhvillimore të cilat po realizohen nga ShBA-të në Kosovë, përkrahjen e SHBA-ve për sektorin e sigurisë si dhe rëndësinë e shtimit të bashkëpunimeve të tilla në fusha të interesit të përbashkët”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Presidentes.

  • ​“Operacioni Alba”, kontingjenti prej 3000 ushtarësh që zbarkoi në Shqipëri më 1997

    ​“Operacioni Alba”, kontingjenti prej 3000 ushtarësh që zbarkoi në Shqipëri më 1997

    Më 11 gusht 1997 përfundoi një nga misionet më të mëdha të zhvilluara nga forcat e ndryshme ushtarake në Shqipëri i cili njihet nën emrin “Operacioni Alba”.

    Të gjendur pas klimës së pasigurisë me ngjarjet e ndodhura gjatë atij viti, qeveria shqiptare e pa të udhës të kërkonte ndihmesën e një force shumëkombëshe për të kryer operacione humanitare në vend.

    Kërkesa ju drejtua OKB-së më 27.03.1997 nga pala shqiptare dhe Këshilli i Sigurimit e miratoi atë duke i hapur udhë një kontingjenti prej 3000 ushtarësh nga shtete si Franca, Turqia, Greqia, Spanja, Rumania, Austria dhe Danimarka.

    Shteti koordinues i kësaj trupe do të ishte Italia e cila u përzgjodh të drejtonte këtë mision. Bazat operacionale të trupave do të ishin në qytete si Tirana, Durrësi, Vlora dhe Fieri.

    Gjatë këtij operacioni janë zhvilluar rreth 1700 operacione ku mendohet se në dobi të popullatës është shpërndarë rreth 5700 tonë ndihma në ushqim, ilaçe, veshje etj.

    Trupa ushtarake gjatë gjithë kohës monitorohej nga programi i OSCE.

  • Dyshime për shkelje të ligjit- Ministria e Mjedisit dërgon dy raste në Prokurorinë Speciale

    Dyshime për shkelje të ligjit- Ministria e Mjedisit dërgon dy raste në Prokurorinë Speciale

    Zëvendësministri i Mjedisit, Avni Zogiani, ka bërë të ditur se MMPHI ka dërguar në Prokurorinë Speciale dy raste të dyshimit për shkelje të rënda të ligjit.

    Zogiani ka thënë se rasti i parë ka të bërë me hapjen e procedurës për trajtimin termik të mbeturinave, ndërsa rasti i dytë ka të bëjë me dyshime për keqpërdorime në punët në fushën e ujërave.

    “Rasti i parë ka të bëjë me hapjen e procedurës për trajtimin termik të mbeturinave, për të cilin grupet e ekspertëve të MMPHI kanë gjetur shkelje serioze dhe dyshime për manipulim të të dhënave e dokumenteve. Rasti i dytë po ashtu ka të bëjë me dyshime për keqpërdorime serioze në punët në fushën e ujërave, të cilat punë sipas Raportit të bërë nga Grupi i ekspertëve janë bërë pa kritere, me shkelje serioze të ligjit deri në masën që ka dyshime se punët janë paguar pa u vënë kurrë në praktikë!”, ka shkruar Zogiani.

     

  • Vrasjet e fundit në Kosovë, deputeti Berisha kërkon orë policore

    Vrasjet e fundit në Kosovë, deputeti Berisha kërkon orë policore

    Ngjarjet e fundit në Kosovë që kanë përfunduar me vrasje, kanë ngritur shqetësimin e qytetarëve.

    E me këtë rast ka reaguar deputeti nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Bekë Berisha.

    Berisha për të parandaluar këto ngjarje ka kërkuar aplikimin e “Orës Policore”.

    “Para se të gjejmë fajtorin dhe të flasim për fenomenin apo për defektet të mos efikasitetit të sistemit të sigurisë, rendit dhe drejtësisë në vendin tonë. I bëj thirrje drejtorit të policisë të dal me plan konkret, duke ndërmarrë veprimet e duhura, që kjo gjendje të stabilizohet”, tha Berisha.

    Vetëm gjatë dy javëve të fundit në Kosovë kanë ndodhur tri vrasje.

    Të premten e kaluar, në lokalin “Bon Vivant” u vra një person dhe u plagosën 17 të tjerë.

    Ndërkaq të hënën, në Klinë u vra një person.

    Gjithashtu në mesnatën e së mërkurës, në një kafene në Runik të Skenderajt u vra një person dhe u plagosën tre të tjerë.

  • Tre të vrarë në më pak se një javë nëpër lokale në Kosovë, katër të dyshuar në arrati

    Tre të vrarë në më pak se një javë nëpër lokale në Kosovë, katër të dyshuar në arrati

    Që nga 4 gushti 2023, janë shënuar tri raste të vrasjeve të cilat kanë ndodhur në lokale në Prishtinë, Klinë dhe Skenderaj.

    Vrasja e parë përgjatë këtyre ditëve ndodhi në lokalin “Bon Vivant” në Prishtinë më 4 gusht, ku përveç vrasjes së një personi, shumë të tjerë mbetën të plagosur nga gërvishtjet e xhamave dhe gjësendeve të tjera aty, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Tre të dyshuarve për përfshirje në rastin “Bon Vivant”, Andi Pajaziti, Hisni Gecaj dhe Gëzim Zakuti, Gjykata Themelore në Prishtinë ua ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh (secilit veç e veç). Ndërsa, i dyshuari i katërt për përfshirje në këtë rast, Dukagjin Nikollaj, gjendet në arrati.

    Në vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tre të dyshuarve thuhet se ekziston dyshimi i bazuar se pas një përleshjeje fizike në mes të pandehurve Andi Pajaziti dhe Gëzim Zakuti në njërën anë, me të pandehurit Dukagjin Nikollaj dhe tani të ndjerin K.R dhe personit të paidentifikuar deri më tani në anën tjetër, me dashje që ta privojnë nga jeta njëri-tjetrin, fillimisht janë përleshur fizikisht, e më pas janë shkrepur edhe armët, ku si pasojë e ka ndërruar jetë K.R.

    Vrasja e dytë ka ndodhur më 7 gusht 2023, në një lokal qytetin e Klinës, ku fillimisht ishte plagosur një person i cili më pas kishte vdekur nga plagët e marra.

    Personi i cili dyshohet se e ka kryer veprën penale është Tush Frroku, e i cili është në arrati. Policia e Kosovës ka kërkuar ndihmë edhe nga qytetarët për gjetjen e tij, pasi që është shpallur në kërkim. I dyshuari Frroku, në të kaluarën ka kryer edhe vepra tjera penale.

    Përmes një përgjigje dhënë për “Betimi për Drejtësi”, Prokuroria Themelore në Pejë ka njoftuar se Frroku është akuzuar edhe për dy vepra tjera penale dhe se ndaj tij kishte procedurë edhe për veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”.

    Në vitin 2012, Prokuroria Themelore e Pejës kishte ngritur aktakuzë ndaj Frrokut për veprën penale “Armëmbajtje paleje”. Po ashtu, ndaj tij ishte ngritur edhe aktakuzë për veprën penale “Vjedhje e shërbimeve”. Kurse, në vitin 2016, sipas Prokurorisë ndaj të dyshuarit Frroku, ka pasur procedurë të zhvilluar për veprën penale “Përdorimi armës apo mjetit të rrezikshëm”.

    Vrasja e fundit ndodhi në orët e para të ditës së sotme në një lokal në Runik të Skenderajt, ku mbeti i vrarë një 39-vjeçar, ndërsa tre të tjerë të plagosur. Të plagosurit janë duke u trajtuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

    Sipas Policisë, dyshohet se dy persona të maskuar kanë hyrë në lokal, kanë shtënë me armë zjarri, ku mbeti i vdekur një person e u plagosën tre të tjerë.

    Të dyshuarit e rastit në Skenderaj, ashtu sikurse të dyshuarit Nikollaj dhe Frroku, gjenden në arrati./BetimipërDrejtësi

  • Sherr në familje, një grua ankohet se burri ia dëmtoi pasaportën me vizë amerikane dhe ai mori veturën

    Sherr në familje, një grua ankohet se burri ia dëmtoi pasaportën me vizë amerikane dhe ai mori veturën

    Një grua në Fushë-Kosovë është ankuar se bashkëshorti i saj ia ka dëmtuar pasaportën dhe ID të lëshuara nga shteti Amerikan, po ashtu i dyshuari pa pëlqimin e saj ia ka marrë veturën e saj me targa të huaja dhe ia ka ndaluar që të ketë qasje në kartelat bankare, të cilat i kanë të përbashkëta.

    Në raportin 24-orësh të Policisë thuhet se rasti ka ndodhur të enjten e kaluar, derisa në lidhje me këtë rast është konsultuar prokurori i shtetit dhe rasti po vazhdon të hetohet nga njësitë relevante.

    Rasti është iniciuar si “Dhunë në familje”.