ATV

Author: G.O.

  • Një 39-vjeçar gjendet i vdekur në breg të detit në Durrës

    Një 39-vjeçar gjendet i vdekur në breg të detit në Durrës

    Një 39-vjeçar është gjetur i pajetë në orët e para të mëngjesit të sotëm, në lagjen nr. 13, në breg të detit të Durrësit.

    Policia thotë se është gjetur i pajetë shtetasi M. A., 39 vjeç, banues në lagjen nr.15.

    Nga këqyrja paraprake e trupit të 39-vjeçarit, nuk janë konstatuar shenja dhune. Paraprakisht, dyshohet se ai ka humbur jetën, për shkaqe natyrale.

    Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe vijon punën për identifikimin e këtij shtetasi, si dhe për sqarimin e rrethanave të kësaj ngjarjeje./TCh/

  • Arrestohen dy persona në Leposaviq, të dyshuar për kontrabandim me mallra

    Arrestohen dy persona në Leposaviq, të dyshuar për kontrabandim me mallra

    Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona në Leposaviq, të dyshuar për kontrabandim me mallra.

    Policia ka njoftuar, se ata janë shtetas kosovarë dhe përmes rrugëve ilegale me automjete kanë kontrabanduar mallra të ndryshme.

    Rasti ka ndodhur pasditen e së mërkurës dhe automjetet e malli i janë dorëzuar doganës.

    Ndërsa me vendim të prokurorit, të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt.

  • Sulmohet një mjek në QKMF-në e Suharekës

    Sulmohet një mjek në QKMF-në e Suharekës

    Sulmet ndaj stafit shëndetësor janë shpeshtuar kohët e fundit. Një sulm i tillë ka ndodhur edhe dje në QKMF-në e Suharekës.

    Rastin e ka bërë të ditur drejtoresha e Shëndetësisë në komunën e Suharekës Besa Kuçi.

    Përmes një postimi në rrjetin social Facebook ajo e ka dënuar ashpër sulmin dhe ka kërkuar që përgjegjësi të dënohet.

    Po ashtu drejtoresha Kuçi ka thënë se është e nevojshme që stafi shëndetësor të kenë një status të veçantë i cili do t’i sanksiononte juridikisht këto incidente.

    “Sapo u Informova nga kordinatori i QKMF-së se dje është sulmuar njëri nga mjekët në Qendrën e Mjekësisë Famijare “Rexhep Kuçi” në Suharekē. E dënoj ashpër sulmin ndaj stafit mjekësor, duke kërkuar njëkohësisht edhe sjelljen para drejtesise të atij që e ka kryer këtë veper te ultë. Dhuna ndaj mjekeve nuk duhet toleruar, per këtë arsye është e nevojshme qe mjekët dhe punonjësit shëndetësor te kenë status te veqantë, i cili do ti sankisononte juridikisht kto incidente, me qëllim qe raste te tilla te mos trajtohen ne te ardhmen si sulme te thjeshta”, ka shkruar ajo.

  • Policia arreston tre persona në Prishtinë, sekuestron thika dhe substanca narkotike

    Policia arreston tre persona në Prishtinë, sekuestron thika dhe substanca narkotike

    Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar tre persona në Prishtinë, si dhe sekuestruar dy thika dhe substanca narkotike.

    Në njoftimin e bërë për media thuhet se, Policia sot, rreth orës 03:00, në rrugën “Hamëz Jashari” në Prishtinë, ka kryer një kontroll ndaj një veture dhe tre të dyshuarve, me ç’ rast ka gjetur dhe sekuestruar dy thika, dhe një sasi të substancës narkotike që dyshohet të jetë e llojit kanabis (marihuana).

    Policia bën të ditur se ndaj tre të dyshuarve, K.R, L.H dhe B.N me rekomandimin e prokurorit të shtetit është iniciuar hetim në drejtim të veprave penale “Mbajtje në pronësi kontroll ose posedim të pa autorizuar të armës” si dhe “Posedim i paautorizuar i substancave narkotike, psikotrope ose analoge”.

    “Ndërkohë që janë kryer veprimet policore të fazës fillestare, në konsultim me prokurorin e shtetit të dyshuarit janë proceduar më tej, ndërkaq i dyshuari i tretë ka rezultuar të jetë i kërkuar me urdhëresë gjykate dhe i njëjti pas arrestimit është dërguar në vuajtje të dënimit”, thuhet mes tjerash në njoftimin e Policisë.

  • Avokatët e Kosovës njihen zyrtarisht nga Gjermania, Rohde: Një hap i rëndësishëm përpara

    Avokatët e Kosovës njihen zyrtarisht nga Gjermania, Rohde: Një hap i rëndësishëm përpara

    Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, e ka cilësuar si lajm të mirë regjistrimin e avokatëve kosovarë në Gjermani.

    Rohde, theksoi se ky hap do të ndihmojë që të rritet bashkëpunimi ekonomik mes dy vendeve.

    “Zhvillim emocionues! Avokatët kosovarë tani mund të regjistrohen pranë shoqatave të avokatëve gjerman. Ky hap premton të rrisë bashkëpunimin ekonomik dhe të përmirësojë ekzekutimin e projektit ndërkufitar gjermano-kosovar. Një hap i rëndësishëm përpara!”, shkroi Rohde.

    Kujtojmë, që ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, njoftoi se avokatët nga Republika e Kosovës tashmë njihen zyrtarisht nga Gjermania.

    Me anë të një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ai bën të ditur se tani e tutje avokatët e licencuar nga Republika e Kosovës do të mund të ushtrojnë funksionin e tyre edhe në Republikën Federale të Gjermanisë, duke e cilësuar këtë si një arritje të jashtëzakonshme jo vetëm për marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet dy shteteve tona, por edhe për drejtësinë kosovare.

  • Policia kërkon ndihmë për kapjen e “Dukës”, të dyshuarin për sulmin në “Bon Vivant”

    Policia kërkon ndihmë për kapjen e “Dukës”, të dyshuarin për sulmin në “Bon Vivant”

    Policia e Kosovës është vënë në kërkim ndaj Dukagjin Nikollës i njohur me nofkën “Duka”.

    Ai po kërkohet për “Vrasje të rënde në tentativë”, “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, “Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm”, “Mbajtja në pronësi kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve”.

    Duka është njëri nga personat e përfshirë në përleshjen me armë në lokalin “Bon Vivant”, ku u vra një person dhe mbetën të lënduar 20 të tjerë.

    Tutje, Policia e Kosovës ka kërkuar edhe ndihmë nga qytetarët për kapjen e “Dukës”.

    “Me qëllim të zbatimit efikas të procedurës, kërkojmë nga publiku i gjerë kontributin qytetar që me informacionet e tyre të ndihmojnë lokalizimin e vendndodhjes së të dyshuarve të shpallur në kërkim. Ne vlerësojmë lartë bashkëpunimin me komunitetin për një shoqëri pa krim, andaj presim që informacionet tuaja t’i kontribuojnë arrestimit sa më të shpejtë të tyre”, thuhet në njoftim.

     

  • Portugali, më shumë se 70 komuna në rrezik maksimal nga zjarri

    Portugali, më shumë se 70 komuna në rrezik maksimal nga zjarri

    Rreth 70 komuna në pjesën e brendshme të Veriut dhe Qendrës dhe në rajonin e Algarve janë në rrezik maksimal nga zjarri të premten, sipas Institutit Portugez për Detin dhe Atmosferën (IPMA).

    Sipas këtij instituti, më shumë se 70 komuna në rrethet Bragança, Vila Real, Guarda, Viseu, Coimbra, Castelo Branco, Portalegre, Santarem, Leiria dhe Faro janë në rrezik maksimal, raporton LUSA.

    Në rrezik shumë të lartë IPMA vendosi rreth 90 komuna në rrethet Faro, Beja, Lisbona, Leiria, Santarem, Portalegre, Castelo Branco, Coimbra, Viseu, Guarda, Aveiro, Porto, Braga dhe Vila Real.

    Por në rrezik të lartë është pothuajse i gjithë rajoni Alentejo, një komunë Algarve dhe më shumë se 40 të tjera në rrethet e Setubal, Lisbonës, Santarem, Leiria, Aveiro, Porto, Vila Real, Braga dhe Viana do Castelo.

    Rreziku i zjarrit i përcaktuar nga IPMA ka pesë nivele, duke filluar nga i ulëti deri në maksimum, dhe përllogaritjet janë marrë nga temperatura e ajrit, lagështia relative, shpejtësia e erës dhe sasia e reshjeve në 24 orët e fundit.

    Për ditën e sotme IPMA parashikon një rritje të vogël të temperaturave maksimale në të gjithë territorin dhe një rritje të vogël të temperaturave minimale në pjesën e brendshme të veriut dhe qendrës, dhe gjithashtu në Algarven lindore.

    Do të fryjë erë nga veriperëndimi, herë pas here e fortë në zonat malore dhe pasdite në brezin bregdetar. Gjithashtu do të ketë mjegull në mëngjes.

    Sa i përket temperaturave, minimaleet do të jenë ndërmjet 16ºC në Bragança, Vila Real, Viseu dhe Sines, dhe 25ºC në Faro, ndërsa maksimalet midis 26ºC në Braga dhe Aveiro dhe 42ºC në Faro.

  • Numri i të vdekurve në Hawai shkon në 53, pasi zjarret kanë shkatërruar shtetin

    Numri i të vdekurve në Hawai shkon në 53, pasi zjarret kanë shkatërruar shtetin

    Zjarret në Hawai kanë marrë jetën e 53 personave deri më tani, ndërsa përpjekjet e ekipeve të kërkim-shpëtimit vazhdojnë për të pagjeturit.

    Gjithsej janë gjashtë zjarre në Big Island dhe Maui, ku ka ndodhur pjesa më e madhe e shkatërrimit që nga shpërthimi i zjarreve të martën.

    Gati 1700 shtëpi dhe ndërtesa janë shkatërruar dhe mijëra banorë dhe turistë janë evakuuar nga zonat e rrezikshme, shkruan AA, transmeton KosovaPress.

    “Jill dhe unë shprehim ngushëllimet tona më të thella për familjet e atyre që humbën më të dashurit në zjarret në Maui dhe lutjet tona janë me ata që kanë parë shtëpitë, bizneset dhe komunitetet e tyre të shkatërruara,” tha Presidenti Joe Biden në një deklaratë të lëshuar nga Shtëpia e Bardhë.

    Biden ka miratuar një deklaratë fatkeqësie për të ndihmuar në përgjigjen emergjente dhe përpjekjet për rimëkëmbje.

    Rojet Bregdetare të SHBA-së kanë shpëtuar më shumë se dhjetëra njerëz që u hodhën në oqean për t’i shpëtuar zjarreve, dhe Garda Kombëtare e Hawait u thirr në veprim për të ndihmuar zjarrfikësit dhe personelin tjetër të urgjencës.

    “Ne u jemi mirënjohës zjarrfikësve të guximshëm dhe reaguesve të parë që vazhdojnë të vrapojnë drejt rrezikut, duke e vënë veten në rrezik për të shpëtuar jetë”, tha Biden. “Kam urdhëruar të gjitha asetet federale të jenë në dispozicion në ishuj për të ndihmuar gjatë reagimit”.

    Erërat e fuqishme 60 milje në orë (96 kilometra në orë) nga Uragani Dora në Oqeanin Paqësor kanë ndezur flakët e zjarreve shkatërruese.

    Guvernatori i Hawait, Josh Green, tha më herët të enjten se ai priste që numri i të vdekurve të rritet “dukshëm” nga numri 36 sa ishte më parë, ndërsa reaguesit e parë shkojnë nëpër shtëpitë dhe ndërtesat që u dogjën deri në themel.

    “Ne nuk kemi pasur një rast të humbjes së jetëve si kjo për shumë vite,” tha Green në një intervistë për CNN.

    “Ndërsa hyjmë në qindra shtëpi që u pushtuan nga zjarri…ne kemi shqetësim të madh se do të gjejmë mbetjet e njerëzve që nuk mundën të shpëtonin”.

    Dy mijë udhëtarë u bllokuan në Aeroportin Ndërkombëtar Maui për shkak të anulimeve të fluturimeve. Zyrtarët thanë se 4,000 vizitorë dhe banorë të tjerë po strehoheshin në Qendrën e Konventës në Hawai në Honolulu. Autoritetet u kërkojnë turistëve dhe banorëve që të qëndrojnë larg zonave të rrezikshme

    “Ne u bëjmë thirrje banorëve që të marrin parasysh paralajmërimet e sigurisë nga zyrtarët dhe t’u përmbahen urdhrave të evakuimit dhe udhëzimeve të sigurisë të lëshuara nga autoritetet lokale,” tha Roja Bregdetare në një deklaratë.

  • Pas 10 vitesh në kurbet i vjen vajza në Kosovë, emocionohet babai

    Pas 10 vitesh në kurbet i vjen vajza në Kosovë, emocionohet babai

    Në aeroportin “Adem Jashari” edhe këtë javë kanë ateruar mërgimtarë të shumë, të cilët vijnë në vendlindje me zemrën plotë, për t’i kaluar pushimet e tyre.

    Por të shumtë ishin edhe ata të cilit kishin dalë për t’i pritur më të dashurit e tyre, në mesin e të cilëve edhe një burrë, i cili nuk ishte parë me vajzën e tij, për 10 vite.

    “Jam tu e prit vajzën, se qe 10 vite ka qenë jashtë, fillimisht në Gjermani e pastaj ka shkua në Itali atje edhe ku i ka bo letrat, i ka pri fati. Bile erën me ja nij, se me telefon folshim çdo ditë, por çka me ba, normal që malli të merr. Është një ndjenjë e papërshkrueshme, Zoti deshi kështu.”, tha ai.

    Edhe vajza përshkroi kthimin e saj në vendlindje, pas 10 vitesh.

    “E lumtur që pas 10 vitesh po e takoj familjen, ka qenë e vështirë por jam shumë e kënaqur “, tha ajo.

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • Gjendet pa shenja jete një person në Pejë, Policia gjen një revole në vendin e ngjarjes

    Gjendet pa shenja jete një person në Pejë, Policia gjen një revole në vendin e ngjarjes

    Një person është gjetur të enjten pa shenja jete në një shtëpi të pabanuar, në Pejë.

    Në raportin e Policisë së Kosovës bëhet e ditur se në vendin e ngjarjes është gjetur dhe konfiskuar një revole me 15 fishekë dhe një gëzhojë e armës së zjarrit.

    “Pejë, 10.08.2023-13:50. Është gjetur pa shenja jete, në një shtëpi të pa banuar viktima mashkull kosovar. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësorë në vendin e ngjarjes. Në vendin e ngjarjes është gjetur dhe konfiskuar një revole me 15-fishekë dhe një gëzhojë e armës së zjarrit”, thuhet në njoftim.

    Trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore, për obduksion.