ATV

Author: G.O.

  • Presidentja Osmani sot viziton Klinën

    Presidentja Osmani sot viziton Klinën

    Presidentja Vjosa Osmani do të vizitojë sot Komunën e Klinës.

    Sipas njoftimit, atje, e para e vendit do të takohet me institucionet komunale, me qytetarë, si dhe do të vizitojë biznese e organizata joqeveritare.

    Në ora 12:00, ajo do të pritet në takim nga kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj. Ndërkaq në ora 12:40, Osmani dhe Elezaj do të deklarohen për media.

    Kjo është vizita e dytë e Osmanit në kuadër të vizitave në komunat e vendit për këtë javë, pasi të martën ajo qëndroi në Dragash.

  • Ekzekutohen pagat, ndërpritet greva e minatorëve në “Trepçë”

    Ekzekutohen pagat, ndërpritet greva e minatorëve në “Trepçë”

    Dhjetëra minatorë të ndërmarrjes “Trepça” edhe të enjten paradite në Stantërgë ishin në grevë shkaku i mosrealizimit të pagave për muajin korrik.

    Ndërkohë, u.d. i kryeshefit ekzekutiv të ndërmarrjes “Trepça”, Enis Abdurrahmani ka konfirmuar se në mesditë kanë ekzekutuar pagat e muajt korrik për të gjithë minatorët e minierës së Trepçës.

    Kryetari i Sindikatës së minatorëve të Trepcës, Ibrahim Januzi, ka thënë për KosovaPress se minatorët gjenden në kushte shumë të rënda financiare, andaj po grevojnë për shkak të vonesës së pagave.

    “Për shkak të mosrealizimit të pagave të minatorëve, ata po shprehin pakënaqësi përmes kësaj greve…Minatorët janë në kushte shumë të rënda për shkak të obligimeve ndaj institucioneve bankare, obligimeve familjare, planifikimeve të jetës së përditshme’, ka thënë Januzi.

    Minatori, Miftar Mehmeti theksoi se ka qenë i detyruar të krijojë raport me një bankë komerciale dhe tani për shkak të vonesës së pagesës së këstit mujor iu kanë paraqitur probleme.

    Ai shpreh hallin e tij se banka komerciale i ka dërguar disa herë mesazhe telefonike për të paguar këstin mujor.

    “Është duke më ardhur mesazhi që tre herë prej banke për kredi’, u shpreh ai.

    Në anën tjetër, Enis Abdurrahmani, u.d. i kryeshefit ekzekutiv të ndërmarrjes “Trepça” ka konfirmuar për KosovaPress se sot gjatë ditës, siç u shpreh ai falë subvencioneve të ndara nga qeveria, kanë ekzekutuar pagat për të gjithë minatorët e “Trepçës”.

    Abdurrahmani thekson se ndërmarrja ka pasur disa kriza financiare si rezultat i rënies së çmimit të metaleve në bursë, kursit të paritetit mes dollarit dhe euros, si dhe disa problemeve tjera, të cilat, sic thekson ai, kanë ndikuar drejtëpërdrejt në vonesë të pagave.

    “Sot janë ekzekuruar pagat për të gjithë punëtorët e ndërmarrjes “Trepça” Sh. A. Pagat janë ekzekutuar falë subvencioneve të ndara nga Qeveria e Kosovës dhe falë angazhimit të madh të Ministrisë së Ekonomisë….Kemi pasur disa kriza si rezultat i disa faktorëve të jashtëm të cilat janë të pa menaxhueshme nga ana jonë, siç janë rënia e çmimit të metaleve në bursë, kursi i paritetit të dollarit dhe euros, edhe shumë probleme tjera që kanë qenë si rezultat i krizës së energjisë… Të gjithë këta faktorë kanë prekur në formë direkte të hyrat e ndërmarrjes, ndërsa kjo është shoqëruar me rënie të produktivitetit, si shkak i vjetërsisë dhe zhvlerësimit të makinave produktive në miniera dhe flotacione’, u shpreh Abdurrahmani.

    Minatorët kanë nis protestën një javë më parë shkaku i mosekzekutimit të pagave të muajit korrik.

    Minatorët në Mitrovicë patën hyrë në grevë edhe një muaj më parë, në korrik për mos ekzekutimin e pagave të muajit qershor.

  • 45 fëmijë dhe 20 të rritur janë prekur nga meningjiti në Kosovë

    45 fëmijë dhe 20 të rritur janë prekur nga meningjiti në Kosovë

    Në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, nga muaji korrik i këtij viti, e deri më sot, janë trajtuar 45 pacientë me meningjit tek moshat pediatrike dhe 20 raste tek të rriturit.

    Dy muajt e fundit vërehet rritje e numrit të pacientëve, krahasuar me muajt paraprak, por situata është nën kontroll të plotë dhe Klinika Infektive ka kapacitete të mjaftueshme profesionale dhe hapësinore për të trajtuar pacientët.

    Aktualisht, në Klinikën Infektive janë duke u trajtuar 11 raste me meningjit, 2 prej tyre pediatrike.
    Nga muaji janar, deri në muajin korrik të këtij viti në trajtim ishin 38 pacientë.

    Këto shifra u bënë të ditura gjatë takimit që pati drejtori përgjithshëm i ShSKUK-së, Elvir Azizi, me drejtorin e Klinikës Infektive, Arben Vishaj dhe stafin e klinikës.

    Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës apelon tek qytetarët të respektojnë me përpikëri masat e rekomanduara nga Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike.

    Shkaktar i sindromës meningjeale janë infeksionet bakteriale ose virale. Ndërsa, si rrugë e përhapjes së infeksionit mund të jenë pishinat, vendet e freskimit, kontakti dhe uji për pije.

    Simptomat

    Disa nga simptomat e sëmundjes janë të ngjashme me ato të një gripi normal, por që rëndohen për një kohë shumë të shkurtër. Meningjiti mund të shfaqet menjëherë ose 3-7 ditë pas marrjes së infeksionit.
    Tek simptomat e sëmundjes përfshihen: të vjella, marramendje, temperaturë e lartë e trupit, dhimbje e muskujve, ndjeshmëri ndaj dritës, dhimbje e kokës, konfuzion, gjymtyrë të ftohta, skuqje e lëkurës.
    Ndërsa tek fëmijët mund të ketë edhe simptoma si frymëmarrja e shpejtuar, irritim dhe të qara për një kohë të gjatë, humbje të përqëndrimit dhe mungesë oreksi.

    Sapo të vëreni simptomat e mësipërme apo gjendje të rënduar shëndetësore, duhet menjëherë të konsultoheni tek mjeku.

    Meningjiti trajtohet vetëm në spital!

  • Shefi i EULEX-it: I shqetësuar me dorëheqjen e tre policëve serbë, duhet t’i kontribuojnë komunitetit të tyre

    Shefi i EULEX-it: I shqetësuar me dorëheqjen e tre policëve serbë, duhet t’i kontribuojnë komunitetit të tyre

    Shefi i EULEX-it, Giovanni Pietro Barbano, tha se është i shqetësuar me dorëheqjen e tre policëve serbë nga Policia e Kosovës.

    Ai tha se këto zhvillime shqetësuese po i ndjekin nga afër dhe tha se përbërja e policisë duhet të jetë përfaqësuese e komuniteteve që jetojnë në Kosovë.

    “Po i shoh me shqetësim dorëheqjet e fundit të tre serbëve të Kosovës të saporekrutuar, pjesëtarëve të Policisë së Kosovës. EULEX po i ndjek nga afër këto zhvillime shqetësuese. Përbërja e policisë duhet të pasqyrojë dhe përfaqësojë shoqërinë të cilës i shërbejnë dhe mbrojnë”, tha ai.

    Ai tha se anëtarët joshumicë të Policisë së Kosovës mund të kontribuojnë në sigurinë e komuniteteve të tyre përmes punës të orientuar nga komuniteti.

    “Misioni është i përkushtuar të mbështesë përpjekjet e PK-së që synojnë zhvillimin e policimit efektiv, efikas, përfaqësues dhe të përgjegjshëm në fushëveprim më të gjerë”, ka shkruar ai.

  • Uji i këtij kroi në këtë vend të Kosovës thuhet se ka veti shëruese, flet banori

    Uji i këtij kroi në këtë vend të Kosovës thuhet se ka veti shëruese, flet banori

    Emisioni veror i ATV-së, “n’mal An’det”, vazhdon të sjellë për shikuesit argëtim, intervista dhe eksplorim kulturor.

    Një prej rubrikave eksploruese në këtë emision është rubrika “Ku me shku n’mal”, në të cilën çdo ditë për shikuesit sjellin nga një reportazh nga fshatrat e ndryshëm të Kosovës.

    Në emisionin e mbrëmshëm, ekipi i ATV-së transmetoi një reportazh për Novobërdën, derisa në kuadër të kësaj rubrike, u mësua se vetëm pak metra pas kalasë së Novobërdës gjendet edhe një burim i ujit që ndryshe njihet si kroi i Vllasalive.

    Sipas një banori të këtij vendi, shumë turistë vijnë te ky krua për të marrë ujë, pasi që, sipas tij, ky ujë i këtij kroi ka veti shëruese.

    “Ky vend i pasur për shumëçka, me ajër e me ujë të mirë, ndihmon ata persona që janë të sëmurë prej problemeve me zemër, rruaza të gjakut, etj. Ka plot vizitorë që vijnë prej vende të ndryshme. Ky vend njihet edhe si vend shërues, pasi uji i këtij kroi ka veti shëruese. Skam lanë mjek pa vizitu, po ilaç m’doli veç ky krua”, tha Behtullah Vllasalihu, banor i këtij vendi./ atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • Kurti takohet me kryesuesin e KGjK-së, flasin për reformat në drejtësi e gjykatën në Mitrovicë të veriut

    Kurti takohet me kryesuesin e KGjK-së, flasin për reformat në drejtësi e gjykatën në Mitrovicë të veriut

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot ka pritur në takim Kryesuesin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj.

    Temë e takimit ishin planifikimet e Këshillit Gjyqësor për efikasitetin dhe efektivitetin e sistemit gjyqësor, rezultatet e deritanishme të Gjykatës Komerciale pas funksionalizmit të saj, reformat në drejtësi dhe gjithashtu funksionimi i Gjykatës në Mitrovicën e Veriut.

    U dakorduan për intensifikimin e bashkëpunimit rreth reformës në drejtësi, si dhe çështjeve të tjera, të cilat kanë të bëjnë me forcimin e sundimit të ligjit.

    Në këtë takim, kryeministri Kurti ishte i shoqëruar nga ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe zëvendësministri, Blerim Sallahu, ndërkaq nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, përveç kryesuesit, e pranishme ishte edhe anëtarja e KGjK-së, Drita Rexhaj.

  • Ushtarja e FSK-së përzgjidhet për Akademinë Ushtarake Mbretërore në Britani, Abbott e takon

    Ushtarja e FSK-së përzgjidhet për Akademinë Ushtarake Mbretërore në Britani, Abbott e takon

    Pjesëtarja e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Lirjona Bajraktari, është përzgjedhur për të ndjekur Akademinë Ushtarake Mbretërore në Sandhurst të Mbretërisë së Bashkuar.

    Ambasadori britanik në Kosovë, Nicholas Abbott, ka takuar atë, duke thënë se i vjen mirë të shohë që më të përkushtuarit e FKS-së do të ndjekin këtë akademi.

    “Kam pasur kënaqësinë të takoj sot anëtaren e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Lirjona Bajraktari, e cila është përzgjedhur për të ndjekur Akademinë Ushtarake Mbretërore në Sandhurst. Është e mrekullueshme të shohësh më të shkëlqyeshmit dhe më të përkushtuarit e FSK-së duke marrë pjesë në një nga institucionet ushtarake kryesore në botë në Mbretërinë e Bashkuar”.

  • Caktohet masa “Arrest në burg” ndaj ish-asambleistit të VV-së Besnik Mujecit

    Caktohet masa “Arrest në burg” ndaj ish-asambleistit të VV-së Besnik Mujecit

    Gjykata Penale e Tiranës ka caktuar masën e burgimit pa afat për pesë të arrestuarit e operacionit antidrogë, ku u sekuestruan 11300 doza ekstazi.

    Arrest në burg u caktua për dy kosovarët Mithat Ramadani dhe Besnik Mujeci, si dhe për tre të tjerët Kalem Picari, Ambra Myftari dhe Daniel Avdia, shkruan abcnews.al.

    Një prej të cilëve, Besnik Mujeci ish-aktivist i Vetëvendosjes. Gjyqtari Gert Hoxha pranoi kërkesën e prokurorit Ndini Tavani që pesë të arrestuarit të vijojnë të hetohen në qeli.

  • Malajzi, avioni rrëzohet në autostradë dhe shpërthen gjatë përplasjes, raportohet për të vdekur

    Malajzi, avioni rrëzohet në autostradë dhe shpërthen gjatë përplasjes, raportohet për të vdekur

    Një avion me tetë persona në bord u rrëzua në një autostradë në shtetin Selangor të Malajzisë të enjten në mëngjes, duke shkaktuar 10 viktima, sipas një njoftimi të policisë.

    Autoriteti i Aviacionit Civil të Malajzisë tha se përplasja ndodhi në qytetin Elmina, duke shtuar se avioni mbante gjithsej gjashtë pasagjerë dhe dy anëtarë të ekuipazhit.

    Policia ka konfirmuar se dhjetë persona (8 personat në bord, një çiklist dhe një shofer makine) kanë vdekur si pasojë e rrëzimi të avionit.

    Sipas Ministrisë së Zhvillimit, një motoçikletë është goditur nga avioni dhe zjarrfikësit janë nisur për operacionet e shuarjes së zjarrit dhe shpëtimit.

    Shefi i policisë lokale, i cili konfirmoi incidentin, tha se një ekip policie është dërguar gjithashtu në vendngjarje.

    Raportohet se avioni ra në tokë dhe shpërtheu gjatë përplasjes, sipas Free Malaysia Today.

  • “Financial Times”: Italianët vërshojnë në resortet me kosto të ulët të Shqipërisë

    “Financial Times”: Italianët vërshojnë në resortet me kosto të ulët të Shqipërisë

    Kryeministrja italiane Giorgia Meloni zhvilloi një vizitë të papritur në Shqipëri këtë javë, duke iu bashkuar mijëra pushuesve verorë që kanë zgjedhur vendin ballkanik për shkak të çmimeve në rritje të Italisë dhe motit ekstrem, sipas “The Financial Times”.

    Meloni zgjodhi një rrugë me kosto të ulët, duke marrë një traget nga rajoni jugor italian i Pulias, ku ishte me pushime me familjen e saj drejt portit shqiptar të Vlorës.

    Një nga vendet më të varfra të Evropës, Shqipëria ka luftuar për dekada për të hequr reputacionin e korrupsionit dhe krimit të organizuar që ka nxitur qindra mijëra shqiptarë të emigrojnë. Por, tani vendi po gëzon një rimëkëmbje ekonomike pjesërisht për shkak të një bumi turistik, shkruan Atsh, përcjell KosovaPress.

    “Të tërhequr nga plazhet e tij mesdhetare me çmime konkurruese, pasagjerët e linjave ajrore në Shqipëri u dyfishuan në qershor krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë”, sipas ACI Europe, një shoqatë e operatorëve të aeroporteve.

    “Hapja e linjave me kosto të ulët për në aeroportet shqiptare kontribuoi në këtë rritje”, tha ACI.

    Gjithashtu, u rritën edhe qëndrimet gjatë natës, pasi shifrat e fundit të Eurostat raportuan 261 000 netë të kaluara nga turistë të huaj në Shqipëri në tremujorin e parë, ose 152 për qind më shumë nga e njëjta periudhë e 2019-ës.

    Turizmi i huaj në Shqipëri ka lulëzuar që nga viti 2019 ndërsa udhëtimet në disa destinacione tradicionale evropiane si, Italia nuk janë kthyer në nivelet e para pandemisë.

    Shumë pushues në Shqipëri janë italianë dhe i kanë shmangur udhëtimet brenda vendit.

    “Ndërsa turistët e huaj vazhdojnë të dynden në Itali, me 43 për qind në katër muajt e parë. Krahasuar me të njëjtën periudhë në 2022, udhëtimet brenda vendit ranë 20-30 për qind në krahasim me vitin e kaluar në rajone të caktuara”, sipas organit të tregtisë së turizmit “Federturismo”.

    Marina Lalli, kryetare e Federturismo, tha se rënia e numrit të turistëve vendas shërben si një kambanë alarmi.

    Ministria italiane e Financave tha se ishte duke u mbështetur tek turistët për të rritur produktin e brendshëm bruto (PBB) të vendit në tremujorin e tretë pas të dhënave zhgënjyese të tremujorit të dytë, kur prodhimi u tkurr 0,3 për qind krahasuar me tre muajt e mëparshëm.

    Përveç çmimeve të larta, valët e të nxehtit, zjarret në jug dhe stuhitë veriore kanë çuar në anulime udhëtimeve në minutën e fundit këtë verë. Në Siçili, një zjarr dhe një shpërthim vullkanik mbylli aeroportin e Katanias, duke çuar në mijëra anulime dhe akuza për përgjigjen e ngadaltë të autoriteteve.

    Mediet tradicionale në Itali e kanë cilësuar gjithashtu Shqipërinë si destinacionin “trend”, duke i cilësuar plazhet e saj me rërë fildishi si Karaibet e Evropës.

    Melonit u shoqërua në udhëtimin e saj të profilit të ulët nga partneri i saj dhe vajza e tyre gjashtëvjeçare.

    “Ata u takuan me homologun e saj, Edi Rama, dhe familjen e tij të hënën dhe të martën”, sipas një burimi.

    Një zyrtar italian tha se Meloni mori pjesë në një darkë të organizuar nga Edi Rama të martën.

    Megjithatë, disa media vendase dhe një tjetër zyrtar italian thanë se ajo u kthye në Itali të martën për të festuar “Ferragosto”, një festë kombëtare.

    Zëdhënësit e kryeministres nuk iu përgjigjën kërkesave për koment.

    Rama në fillim të kësaj jave e përshkroi Melonin si një “tigër”.

    I njohur për stilin e tij konfrontues, kryeministri shqiptar u mburr në rrjetet sociale me foto që tregonin tragete plot me turistë italianë.