Dita e sotme në vendin tonë do të jetë kryesisht me temperature të larta dhe mot me diell.
Temperaturën minimale për ditën e sotme do ta mbajë Prishtina me 17 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Prizreni me 32 gradë Celsius.
Edhe dita e nesërme pritet të jetë me mot të kthjellët dhe intervale me diell.
Temperaturën minimale për ditën e nesërme do ta mbajë qyteti i Gjakovës me 17 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Prizreni me 32 gradë Celsius.
Ndërkohë, në Shqipëri do të ketë mot me diell. Temperaturën minimale do e ketë Korça me 15 gradë Celsius, ndërsa ajo maksimale do të jetë në Berat me 38 gradë Celsius. /atvlive.tv/
Parashikimin e plotë të motit, për rajon dhe Evropë, mund ta gjeni në videon e mëposhtme:
Domatja po hiqet nga menytë e gjigandëve të ushqimeve të shpejta.
Ato janë jashtë menysë në Indi, ndërsa “Burger King” bëhet zinxhiri më i fundit i ushqimit të shpejtë që ndikohet nga rritja e çmimeve të produktit bazik në kuzhinë.
Muajin e kaluar edhe rrjeti i ushqimeve të shpejta, “McDonald’s” njoftoi se shumë nga restorantet e tij në të gjithë vendin do të hiqnin përkohësisht domatet nga hamburgerët e tyre, duke përmendur çështjet e cilësisë dhe mungesën e furnizimit, ka raportuar CNN.
Në një seksion pyetjesh të shpeshta në faqen e tyre të internetit, Burger King i siguroi klientët se domatet do të kthehen së shpejti, duke thënë se mungesa e tyre aktuale ishte “për shkak të kushteve të paparashikueshme mbi cilësinë dhe furnizimin e kulturave të domates”.
Nuk ishte e qartë nëse heqja e domateve do të aplikohej për të gjithë ose vetëm disa nga dyqanet e tyre.
Vendimi i Burger King vjen pasi banka qendrore e Indisë rriti parashikimin e inflacionit për vitin financiar aktual në 5.4% nga 5.1% më parë, duke përmendur rritjen e çmimeve të disa ushqimeve në vendin më të populluar në botë.
“Duke shkuar përpara, rritja në çmimet e perimeve, kryesuar nga domatet, do të ushtronte presione të mëdha në rritje në trajektoren afat-shkurtër të inflacionit,” shkruhej në deklaratë.
Javën e shkuar edhe brendi tjetër i ushqimit të shpejtë ,“Subëay” njoftoi se degët e saj indiane do të ngarkonin 30 rupi (0.40 dollarë) shtesë për një copë djathi në shumicën e sandviçëve, raportoi Reuters.
Sa për domatet, kuzhina indiane është e pamendueshme pa frutat e kudondodhura. Por përbërësi i dashur është gjithnjë e më i paarritshëm për shumë veta.
Sipas Boiteau, vetëm disa rajone në jug të Indisë kanë kushte të përshtatshme për rritjen e domateve gjatë muajve të verës, kështu që çdo çështje e lidhur me klimën në këto zona mund të ketë një ndikim në nivel kombëtar në furnizimin me domate të freskëta.
Këtë verë, India është tronditur si nga sasitë e pashembullta të shiut, ashtu edhe nga valët e nxehta që vërshojnë, duke theksuar se si vendi më i populluar në botë është ndër më të pambrojturit ndaj efekteve të krizës klimatike./atvlive.tv/
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, sot do të mbajë konferencë për media në orën 13:00.
“Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci mbanë konferencë për media. Konferenca mbahet sot (21 gusht 2023), ora 13:00, kati I, MAShTI.”
Në njoftim nuk është bërë e ditur arsyeja, mirëpo ditëve të fundit ka pasur kritika ndaj Nagavcit për mosshpërndarjen e teksteve mësimore.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sot do të niset drejt Greqisë, ku do të marr pjesë në një darkë joformale diskutimi mbi zgjerimin dhe të ardhmen evropiane të Ballkanit Perëndimor, darkë kjo që do të organizohet nga kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis. Ndërsa, lajmi u bë i ditur nga mediat greke.
Pas darkës të së hënës, të martën do të ketë takim të ndarë me kryeministrin grek.
Ndërkohë, Shqipëria e ftuar në nivel presidenti nuk do të përfaqësohet në këtë takim, për shkak të agjendës së paracaktuar.
Agjencia e lajmeve ANA – MPA, raporton se nisma e kryeministrit Mitsotakis për të ftuar liderët e Ballkanit Perëndimor dhe vendeve anëtare të BE-së në Mansionin Maximos për një darkë joformale diskutimi mbi zgjerimin dhe të ardhmen evropiane të rajonit, nënvizon rolin e Greqisë si shtyllë për stabilitetin, paqen dhe sigurinë energjetike në Ballkan dhe në Evropën Juglindore.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel i janë përgjigjur pozitivisht ftesës së Mitsotakis, diçka që është sa thelbësore dhe simbolike.
Përpos Kurtit, nga liderët rajonalë do të marr pjesë edhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovaçevski, presidenti malazez, Jakov Milatoviç, kryetarja e Këshillit të Ministrave të Bosnjës dhe Hercegovinës, Borjana Kristo si dhe presidenti serb, ish-ministri i Millosheviqit, Aleksandër Vuçiq.
Në darkën joformale do të marrin pjesë edhe liderët e vendeve që janë anëtare të BE-së si kryeministri i Bullgarisë, Nikolai Denkov, i Kroacisë, Andrej Plenkoviq, dhe i Rumanisë Ion-Marsel Ciolacu.
Komuna e Prishtinës ka njoftuar se sot do të nis edhe zyrtarisht funksionimi i Dhomës së Monitorimit të Zhurmave dhe pajisjeve për matjen e zhurmës, të cilat tashmë janë të instaluara në lokalet e Gastronomisë.
Sipas njoftimit, kjo zyre do të nis punën në objektin e Inspektoratit të Kryeqytetit, që nga ora 10:30.
Përndryshe, Komuna e Prishtinës së bashku me përfaqësues të gastronomëve ka bërë një rregullore sa i përket zhurmës në kryeqytet dhe tash e disa muaj janë duke u njoftuar bizneset me dënimet që janë paraparë për ato lokale që nuk vendosin pajisjet për matjen e zhurmës, si dhe nuk respektojnë atë rregullore.
Sot mbushen gjashë vjet që kur u nda nga jeta ish-kryeministri i parë i Kosovës në kohën e pasluftës, Bajram Rexhepi.
Në prill 2017, ish-kryeministri u shtrua në QKUK për shkak të një sulmi shëndetësor në organet vitale, ndërsa më pas është dërguar në Turqi për shërim jashtë vendit.
Pas një beteje prej pesë muajsh me sëmundjen, Rexhepi ndërroi jetë më 21 gusht 2017 duke lënë pas vetes bashkëshorten dhe vajzën.
Bajram Rexhepi u lind në Mitrovicë më 3 qershor 1954. Studimet pas-universitare i kreu në Zagreb në vitin 1985. Punoi si kirurg i përgjithshëm dhe specialist endoskopik në spitalin rajonal të Mitrovicës deri në vitin 1990.
Rexhepi e kaloi shumicën e karrierës së tij si kirurg dhe fitoi famën si kirurgu më i mirë në rajonin e Mitrovicës.
Gjatë luftës së Kosovës më 1999, Rexhepi u bashkua me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe kaloi tre muaj duke shërbyer si mjek në terren. Ai shërbeu si kryetar i Mitrovicës jugore, duke punuar me paqeruajtësit e Kombeve të Bashkuara dhe NATO-s për të zvogëluar trazirat civile.
Ndërsa serbët dhe shqiptarët kishin prishur të gjithë dialogun, Rexhepi ofroi të heqë dorë nga pozita e tij në favor të një administratori të OKB-së, por serbët e refuzuan këtë propozim. Njëherësh ishte edhe kreu i degës së Partisë Demokratike të Kosovës për qytetin e Mitrovicës.
Më 4 mars 2002, pas tre muaj bisedimesh dhe me ndërmjetësimin e shefit të atëhershëm të UNMIK-ut Michael Steiner, Kuvendi i Kosovës zgjodhi Bajram Rexhepin si kryeministrin e parë të Kosovës së pasluftës.
Më 1 prill 2010, Rexhepi u emërua ministër i Punëve të Brendshme. Viteve të fundit të jetës ishte tërhequr krejtësisht nga politika duke iu përkushtuar profesionit të tij prej kirurgu.
Komuna e Vushtrrisë ka blerë një autoambulancë të re për Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare.
Këtë e ka bërë të ditur kryetari i komunës, Ferit Idrizi, me anë të një postimi në Facebook.
“Me qëllim të përmirësimit të ofrimit të shërbimeve shëndetësore për qytetarët, si komunë kemi blerë një autoambulancë të re për QKMF-në e Vushtrrisë”, thuhet në njoftimin e tij.
Idrizi po ashtu bëri të ditur se automjeti në fjalë ka vlerën e 57 mijë eurosh.
Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe autoritetet shëndetësore amerikane, kanë thënë të premten se janë duke e vëzhguar nga afër një variant të ri të koronavirusit, ndonëse ndikimi i tij potencial nuk dihet.
OBSH-ja e ka klasifikuar variantin e ri si nën vëzhgim “për shkak të numrit të madh (më shumë se 30) të mutacioneve që bart”, është thënë në buletinin e kësaj organizate për pandeminë.
Deri më tani, varianti i ri BA.2.86, është identifikuar në Izrael, Danimarkë dhe Shtetet e Bashkuara.
Qendrat amerikane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve, kanë thënë, po ashtu, se janë duke e vëzhguar variantin.
Shumica e shteteve që kanë krijuar sisteme vëzhgimi për këtë virus, tashmë i kanë pezulluar të gjitha operacionet, duke thënë se koronavirusi nuk është më aq i ashpër dhe nuk ia vlen barra qiranë – veprim që është dënuar nga OBSH-ja, duke bërë thirrje për më shumë monitorim.
Në periudhën e fundit raportuese, në periudhën 17 korrik – 13 gusht, janë regjistruar më shumë se 1.4 milion raste të reja me koronavirus, bashkë me mbi 2.300 vdekje, sipas një deklarate të OBSH-së.
Kjo shifër e infektimeve përbën rritje prej 63 për qind, në krahasim me periudhën paraprake 28-ditore, përderisa shifra e viktimave është 56 për qind më e vogël.
Për koronavirusin e ri është raportuar për herë të parë në dhjetor të vitit 2019 në Vuhan të Kinës.
Organizata Botërore e Shëndetësisë e pati shpallur koronavirusin si pandemi më 11 mars të vitit 2020.
Më shumë se 6.9 milionë njerëz kanë vdekur që prej shpërthimit të pandemisë në gjithë botën.
Shtetet e Bashkuara kanë regjistruar numrin më të madh të viktimave, të përcjella nga India dhe Brazili./REL/
Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Berat Rukiqi tha se vjedhja e rezervave shtetërore është bërë me vendim qeveritar, raporton Ekonomia Online. Rukiqi pohoi se dorëheqja e Rozeta Hajdarit është e padiskutueshme.
Rukiqi mbajti konferencë për medie, në lidhje me arrestimin e tre personave për shkak të skandalit të grurit dhe vajti.
Sipas tij, pushteti i udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, ka treguar zell për kapjen e shtetit.
“Dua të theksoj që ky rast është pjesë e mozaikut të gjerë të sistemit korruptiv dhe kriminal i vendosur nga VV-ja. Ky pushtet ka treguar në një anë pa aftësi të kashtë zakonshme për me qeverisë nga ana tjetër ka treguar zell për kapjen e shtetit. Ky nuk është vetëm rast korruptiv gjitha element na qojnë deri të një niveli i mirë”.
“Qeveri Kurti me vendim ju ka bërë më të lehte dhe të shpejt për vjedhjen e grurit këtyre akterëve… Dorëheqje për ministre nuk mjafton ajo duhet që të jep përgjegjësi tekë organet e rendit. Dorëheqja. I bëjmë thirrej pushteti që të mos ndikoj në hetimet. Do të angazhohemi që të krijojmë komisionin hetimore në kuadër të parlamentit në lidhje me këtë rast”, tha ai.
Ai i pyetur se a do ta përkrahin mocionin e AAK për rrëzimin e Qeverisë, Rukiqi tha se LDK-ja është e angazhuar çdo ditë që të ketë zgjedhje të reja, por jo me format që tani janë në tavolinë.
“Ne e kemi thënë, nuk është çështje a duhet të ketë zgjedhe apo jo. Duhet që të shkohet me opsioni që është i sigurti, qytetar duhet që të ja japin përgjigjen kësaj qeverie. Rruga që në po angazhohemi është ta kalojmë krizën që jemi, ne vendi do t’i sjellim qeverisje përmes rrugës se re. Ne angazhohemi çdo ditë që të kemi zgjedhje më shpejt por jo në format që tani janë në tavolinë”, tha ai.
Ministri për Komunitete dhe kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, ka reaguar pasi që tre policë të rinj nga radhët e komunitetit serb kanë dhënë dorëheqje nga Policia e Kosovës, një muaj pasi e kanë marr detyrën.
Sipas Rashiqit ata e kanë filluar dhe përfunduar “karrierën e tyre të shkurtër me shënjestrim, fyerje, nënçmim, me kërcënime ndaj tyre por edhe ndaj familjarëve”.
Sipas tij nuk ka asnjë serb të Kosovës që s’i ka ndjerë kërcënimet e tilla të paktën njëherë.
“Fatkeqësisht, ndoshta nuk ka asnjë serb të Kosovës që të paktën një herë personalisht të mos i ketë ndjerë kërcënimet e egra nga ‘forca e padukshme malore’ që shkatërron çdo vepër dhe çdo dëshirë për bashkëjetesë në Kosovën tonë të bukur me metodat e saj shkatërruese. Në 11 vjetët e fundit të mbijetesës dhe qëndrimit tonë këtu i janë bërë dëme të pariparueshme dhe sigurisht që nuk mbaron me kaq, na thonë se do të ‘luftojnë’ deri në serbin e fundit kosovar”, thuhet në reagimin e ministrit Rashiq.
Ai u ka thënë pjesëtarëve të rinj serb të Policisë së Kosovës se se di se çfarë po kalojnë ata dhe familjet e tyre.
“Një brigadë mercenarësh të pashpirt na ndjek me detyrën për të vjedhur planet dhe ëndrrat tona … Mund të mos ju njoh personalisht, por më besoni e njoh mirë metodologjinë mizore të punës së tyre dhe e di se sa e vështirë është të qëndrosh i ndërgjegjshëm dhe i moralshëm në kushtet jo normale dhe jo morale që na imponohen me dhunë”, thuhet në reagimin e tij.
“Nga sot, dua t’ju premtoj se do të jem me ju me të gjithë kapacitetin tim personal dhe institucional. Dera ime do të jetë e hapur për të gjithë ju. Unë personalisht, si dhe Ministria për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, vihemi në dispozicionin tuaj, për të ju ndihmuar në çdo mënyrë të mundshme që të ngadhënjejmë mbi frikën, sfidat, e dyshimet tona…”, thuhet në reagimin e Rashiqit.