ATV

Author: G.O.

  • SPAK godet rrjetin e mashtrimit me kriptomonedha – një i arrestuar, mbi 1 milion euro dëme

    SPAK godet rrjetin e mashtrimit me kriptomonedha – një i arrestuar, mbi 1 milion euro dëme

    Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në bashkëpunim me autoritetet franceze dhe Eurojust, ka goditur një rrjet mashtrimi përmes call center-ave që synonin qytetarë francezë.

    Operacioni u zhvillua në Tiranë, ku u sekuestruan pajisje elektronike, para dhe prova të tjera, ndërsa një person u arrestua si i dyshuar kryesor për transferimin e fondeve.

    Dëmi nga skema e investimeve të rreme në kriptomonedha arrin mbi 1 milion euro. Hetimet vijojnë.

  • ShBA-ja sekuestron një anije iraniane me naftë

    ShBA-ja sekuestron një anije iraniane me naftë

    Ushtria amerikane ka sekuestruar të enjten një tjetër cisternë me naftë iraniane, duke përshkallëzuar tensionet me Iranin, një ditë pasi Garda e saj paraushtarake Revolucionare mori kontrollin e dy anijeve në Ngushticën e Hormuzit.

    Departamenti i Mbrojtjes ka publikuar videopamje të forcave amerikane në kuvertën e cisternës së naftës Majestic X, e cila u sekuestrua në Oqeanin Indian.

    “Ne do të vazhdojmë zbatimin global të ligjit detar për të ndërprerë rrjetet e paligjshme dhe për të ndaluar anijet që ofrojnë mbështetje materiale për Iranin, kudo që ato veprojnë”, ka thënë Pentagoni në një deklaratë.

  • “Për ne, ai ka qenë gjithmonë hero”: Jeta e Afrim Bunjakut nga kujtimet e gruas së tij

    “Për ne, ai ka qenë gjithmonë hero”: Jeta e Afrim Bunjakut nga kujtimet e gruas së tij

    E veja e rreshterit Afrim Bunjaku, i cili u vra në detyrë kur Policia e Kosovës u sulmua në veri të vendit nga një grup i armatosur serbësh më 2023, rrëfen për Radion Evropa e Lirë kujtimet për jetën e tij. Lumnije Bunjaku thotë se po e pret me ankth vendimin gjyqësor që do të shpallet më 24 prill ndaj të akuzuarve për sulmin në Banjskë, ku vdiq bashkëshorti i saj, i shpallur Hero i Kosovës.

    Trim dhe patriot.

    Këto janë dy fjalët e vetme që Lumnije Bunjaku thotë se e përshkruajnë më së miri burrin e saj, policin Afrim Bunjaku, i cili u shpall Hero i Kosovës pasi u vra në detyrë kur një grup i armatosur serbësh e sulmuan atë dhe kolegët e tij, në vitin 2023.

    “Nganjëherë them: Vetëm një herë po të më kishte hidhëruar, do t’ia kisha kujtuar”, shprehet Lumnija, teksa sheh fotografinë e tij të madhe me shirit të zi, që zë vendin kryesor në dhomën e ndejës në shtëpinë e familjes.

    Ajo thotë se kishte frikë nga rreziqet e profesionit të cilin burri i saj e synonte, që nga koha kur u martuan, 30 vjet më parë.

    Por, siç kujton Lumnija, ishte një pasion që nuk kishte si të mos e përkrahte.

    “E ka dashur këtë profesion gjithmonë. Thonë se edhe si fëmijë, kur e kanë pyetur në shkollë se çfarë dëshironte të bëhej, ai thoshte: ‘Dua të bëhem polic’”, kujton ajo për Radion Evropa e Lirë (REL).

    Kjo dëshirë, Afrim Bunjakut iu plotësua në vitin 2001, kur nisi punën si polic i Kosovës.

    Gjatë gjithë jetës së tyre të përbashkët, çifti Bunjaku, së bashku me prindërit e Afrimit, dhe katër fëmijët e tyre, jetuan në Samadrexhë të Vushtrrisë.

    Fshati ndodhet rreth gjysmë ore larg nga zona e veriut të Kosovës, ku tensionet ndëretnike ishin të vazhdueshme që nga përfundimi i luftës së vitit 1999.

    Kjo zonë, e banuar me shumicë serbe, në vazhdimësi ka kundërshtuar njohjen e autoriteteve të Kosovës, ndërsa tensionet atje kulmuan më 24 shtator të vitit 2023, me një sulm të armatosur ndaj Policisë në fshatin Banjskë të komunës së Zveçanit, ku mbeti i vrarë rreshteri Bunjaku.

    Sipas autoriteteve të Kosovës, me këtë sulm u tentua të aneksohej pjesa e veriut të vendit.

  • IPK-ja rekomandon suspendimin e një polici trafiku në Prishtinë

    IPK-ja rekomandon suspendimin e një polici trafiku në Prishtinë

    Inspektorati Policor i Kosovës i kanë rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e një zyrtari policor i angazhuar në Njësinë  e Komunikacionit Rrugor, Drejtoria Rajonale e Policisë në Prishtinë.

    Sipas IPK-së, hetimet ndaj zyrtarit janë duke u zhvilluar në drejtim të veprës penale “Ndihma në kryerjen e veprës penale”.

    Teksa ka njoftuar tutje se pas konsultave me prokurorin, rasti do të trajtohet në procedurë të rregullt.

    “Fillimisht hetimet lidhur me këtë rast janë filluar nga Policia e Kosovës kurse pas dyshimeve për përfshirjen si të dyshuar edhe të një zyrtari policor, bazuar në fushëveprimin ligjor janë njoftuar edhe hetuesit e IPK-së. Hetuesit e IPK-së në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës pritet të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore lidhur me këtë rast për të sqaruar rrethanat e këtij rasti, thuhet në njoftimin e IPK-së.

  • Instituti Albanologjik nesër mban mbledhje komemorative për Rexhep Qosjen

    Instituti Albanologjik nesër mban mbledhje komemorative për Rexhep Qosjen

    Instituti Albanologjik, të cilin Qosja e ka udhëhequr për shumë vjet, ka njoftuar se nesër në orën 12:00 do të mbahet mbledhje komemorative me rastin e vdekjes së akademikut.

    Rexhep Qosja ka vdekur sot në moshën 89 vjeçare.

    Vdekjen e tij e kanë konfirmuar familjarët të cilët edhe kanë njoftuar se ceremonia e varrimit është zhvilluar në një organizim privat familjar.

  • BE miraton kredinë prej 90 miliardë eurosh për Ukrainën – Hungaria heq veton

    BE miraton kredinë prej 90 miliardë eurosh për Ukrainën – Hungaria heq veton

    Bashkimi Evropian ka dhënë miratimin përfundimtar për kredinë prej 90 miliardë eurosh për Ukrainën, pasi Hungaria hoqi veton e saj.

    Procedura e brendshme u nis nga ambasadorët të mërkurën dhe u finalizua të enjten.

    Nuk u ngritën kundërshtime dhe rregullorja e fundit në pritje, e cila kërkon unanimitet për të ndryshuar buxhetin e BE-së, u miratua.

    Përparimi i shumëpritur erdhi dy ditë pasi presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky njoftoi se tubacioni Druzhba , i cili transporton naftë të lirë ruse në Hungari dhe Sllovaki, ishte riparuar dhe mund të rifillonte operacionet.

    Bëhet e ditur se ndërprerja e rrjedhave të naftës përmes Druzhbës ishte në thelb të vendimit të Orban për të vënë veton ndaj kredisë prej 90 miliardë eurosh në shkurt.

    Bllokimi i minutës së fundit zemëroi udhëheqësit e tjerë të BE-së, të cilët e dënuan atë si një përpjekje “të papranueshme” për të “shantazhuar”.

    Fakti që Orban e kishte miratuar kredinë në dhjetor dhe kishte siguruar një mundësi për t’u tërhequr nga BE-ja ishte veçanërisht shqetësues për shtetet e tjera anëtare.

    Një diplomat i lartë e përshkroi veton si një “pikë kthese” në marrëdhëniet midis Brukselit dhe Budapestit.

    Ndryshe, Komisioni Evropian, i cili do të menaxhojë skemën financiare, thotë se pagesa e parë për Kievin do të bëhet “sa më shpejt të jetë e mundur” sapo të jenë gati të gjitha dokumentet ligjore dhe teknike.

    Për vitin 2026, Brukseli synon të transferojë gradualisht 45 miliardë euro, ku 16.7 miliardë euro do të ndahen për mbështetje financiare dhe 28.3 miliardë euro për mbështetje ushtarake.

    Pagesat do të bëhen me kusht që të miratohen reformat nga Kievi.

    Çdo ndryshim në luftën kundër korrupsionit mund të shkaktojë një pezullim të përkohshëm të ndihmës.

    Veçanërisht, pjesa ushtarake e kredisë do të ketë dispozita “Made in Europe” për të siguruar që sa më shumë fonde të shkojë te prodhuesit vendas.

    45 miliardë eurot e mbetura do të mbahen për vitin 2027 dhe do të mbulojnë dy të tretat e nevojave të financimit të Ukrainës.

    Aleatët perëndimorë pritet të mbulojnë një të tretën e fundit.

    Huamarrja e përbashkët do të përjashtojë Hungarinë, Sllovakinë dhe Republikën Çeke. Si rezultat, 24 shtetet e tjera anëtare do të paguajnë rreth 3 miliardë euro në norma interesi vjetore .

    Ukrainës do t’i kërkohet të kthejë kredinë prej 90 miliardë eurosh vetëm nëse Rusia pranon ndonjëherë dëmshpërblimet e luftës, diçka që Moska e ka përjashtuar kategorikisht. /Telegrafi/

  • Kuvendi miraton Ligjin për Shtetësinë e Kosovës

    Kuvendi miraton Ligjin për Shtetësinë e Kosovës

    Më 68 vota ‘për’ ka kaluar Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.10/L-023 për Shtetësinë e Kosovës.

    Paraprakisht deputetët kanë refuzuar përfshirjen e disa amandamenteve. Dy vota ishin kundër.

    Opozita në anën tjetër nuk mori pjesë në votim.

  • Gërvalla: Kosova do t’i çojë përpara reformat në drejtësi

    Gërvalla: Kosova do t’i çojë përpara reformat në drejtësi

    Sundimi i ligjit, garanci e forcimit të shtetit ligjor dhe e barazisë para ligjit. Kështu ka thënë zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla pas takimi që ka zhvilluar me kryesuesin e Komisionit për Çështje Juridike në Parlamentin Evropian, Ilhan Kyuchyuk.

    Ajo ka thënë se në këtë takim folën për zhvillimet në fushën e drejtësisë dhe sfidat që lidhen me forcimin e sundimit të ligjit, luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.

    “Theksi u vu në çështjet që prekin integritetin dhe funksionalitetin e sistemit, përfshirë procesin e Vetingut, funksionalizimin e Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, si dhe paketën e pesë projektligjeve që synojnë konsolidimin e kornizës ligjore dhe institucionale”, ka shkruar Gërvalla në Facebook.

    Tutje ajo ka thënë se reformat në drejtësi nuk janë opsion, por parakusht për shtet funksional.

    “Kosova do t’i çojë përpara me vendosmëri, përmes një sistemi që garanton drejtësi reale, lufton korrupsionin dhe krimin e organizuar në mënyrë efektive, dhe e bën të pakthyeshme rrugën tonë evropiane”, ka shkruar tutje Gërvalla.

     

  • Nesër Kuvendi mban seancë plenare, ky është rendi i ditës

    Nesër Kuvendi mban seancë plenare, ky është rendi i ditës

    Gjatë ditës së nesërme pritet të mbahet seanca e radhës e Kuvendit.

    Sipas njoftimit për media, seanca pritet të mbahet duke nisur nga ora 10:00.

    Po ashtu në njoftim është bërë i ditur edhe rendi i ditës:

    1. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.10/L-030 për Masat e Përkohshme të Produkteve Themelore në Raste të Veçanta të Destabilizimit në Treg,
    2. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.10/L-028 për Sigurimin e Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor,
    3. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.10/L-025 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.06/L-032 për Kontabilitet, Raportim Financiar dhe Auditim,
    4. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.10/L-026 për Shërbimet e Pagesave,
    5. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.10/L-027 për Lojërat Mesdhetare XXI Prishtina 2030,
    6. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.10/L-021 për Financimin e Menaxhimit të Resurseve Ujore,
    7. Shqyrtimi i dytë ë iProjektligjit nr.10/L-022 për Banim Social dhe të Përballueshëm,
    8. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.10/L-023 për Shtetësinë e Kosovës,
    9. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.10/L-024 për Lëndët Plasëse,
    10. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.10/L-029 për Provimin e Maturës Shtetërore.

  • Numri i imigrantëve në BE është rritur në 64 milionë – më së shumti prej tyre jetojnë në Gjermani

    Numri i imigrantëve në BE është rritur në 64 milionë – më së shumti prej tyre jetojnë në Gjermani

    Numri i imigrantëve që jetojnë në Bashkimin Evropian është rritur në një rekord prej 64,2 milionë në vitin 2025, që është rreth 2,1 milionë më shumë se një vit më parë, sipas një raporti të publikuar nga Qendra për Kërkime dhe Analizë të Migracionit.

    Para 16 vitesh, pra në vitin 2010, numri i imigrantëve ishte 40 milionë, thuhet në raport, duke u bazuar në të dhënat e Eurostat-it dhe Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Refugjatët.

    Gjermania vazhdon të jetë vendi më i madh në BE për nga numri i personave të lindur jashtë vendit, me gati 18 milionë, nga të cilët 72 për qind janë në moshë pune, ndërsa Spanja ka shënuar rritjen më të shpejtë së fundmi, duke shtuar rreth 700 mijë persona, çka e ka çuar numrin e banorëve të lindur jashtë vendit në 9,5 milionë.

    “Gjermania mbetet destinacioni kryesor për migrantët në Evropë, si në shifra absolute, ashtu edhe në mënyrë të konsiderueshme në raport me popullsinë e saj”, tha Tommaso Frattini, një nga autorët e raportit, shkruajnë mediat.

    Studimi thekson se modelet e migracionit janë të pabarabarta në gjithë bllokun, ku Luksemburgu, Malta dhe Qipro kanë një përqindje më të lartë të imigrantëve në raport me madhësinë e popullsisë së tyre.

    Kërkesat për azil gjithashtu janë të përqendruara në disa vende, ku Spanja, Italia, Franca dhe Gjermania përbëjnë gati tre të katërtat e të gjitha kërkesave për azil. Gjermania ka pasur gjithashtu numrin më të madh të përgjithshëm të refugjatëve, me 2,7 milionë. /Telegrafi/