ATV

Author: G.O.

  • Horoskopi 25 prill – çfarë parashikojnë yjet për ju?

    Horoskopi 25 prill – çfarë parashikojnë yjet për ju?

    Dashi
    Sot ke shumë energji dhe kjo të shtyn të marrësh iniciativa të reja. Mund të dalin mundësi interesante në punë, por kërkojnë vendime të shpejta. Në dashuri, shmang impulsivitetin.

    Demi
    Dita të fton të ngadalësosh ritmin dhe të reflektosh. Financat kërkojnë pak më shumë kujdes dhe planifikim. Një bisedë e sinqertë me një person të afërt do të të qetësojë.

    Binjakët
    Komunikimi është pika jote e fortë sot dhe mund të zgjidhësh një keqkuptim. Një ide e re mund të kthehet në diçka konkrete nëse e ndjek. Në mbrëmje, gjej kohë për veten.

    Gaforrja
    Ndjeshmëria jote është më e theksuar dhe të bën më intuitiv/e. Mund të ndihesh pak i/e lodhur emocionalisht, ndaj mos e tepro me angazhimet. Familja do të jetë burim mbështetjeje.

    Luani
    Sot është një ditë e mirë për të marrë vëmendjen që meriton. Në punë mund të dallohesh për idetë e tua kreative. Në dashuri, një surprizë e vogël mund të ndryshojë atmosferën.

    Virgjëresha
    Detajet bëjnë diferencën sot, ndaj fokusohu te organizimi. Mund të të ngarkojnë disa detyra shtesë, por do t’i menaxhosh mirë. Kujdes me stresin dhe mos harro pushimin.

    Peshorja
    Balanca është çelësi i ditës për ty. Mund të përballesh me një zgjedhje të rëndësishme në marrëdhënie. Dëgjo intuitën, jo vetëm logjikën.

    Akrepi
    Intensiteti yt emocional është i lartë dhe mund të ndikojë në vendimet që merr. Në punë, mbaji planet për vete derisa të konkretizohen. Në dashuri, shmang xhelozinë e panevojshme.

    Shigjetari
    Dita sjell dëshirë për lëvizje dhe ndryshim. Mund të planifikosh një udhëtim ose një aktivitet të ri. Një takim i papritur do të të sjellë humor të mirë.

    Bricjapi
    Fokusi yt është te qëllimet afatgjata dhe sot bën hapa të rëndësishëm. Mund të ndihesh pak i/e tërhequr në aspektin social. Në mbrëmje, relaksohu dhe mos mendo vetëm për punën.

    Ujori
    Idetë e tua janë të veçanta dhe mund të të hapin dyer të reja. Bashkëpunimet janë të favorshme sot. Në dashuri, një bisedë e thellë do të sjellë afrim.

    Peshqit
    Intuita është udhërrëfyesi yt më i mirë sot. Mund të ndjesh nevojën për qetësi. Një moment reflektimi do të të ndihmojë të qartësosh ndjenjat.

  • Zhduket 59-vjeçari në Gjakovë – u largua nga shtëpia dhe nuk u kthye më, familja në ankth

    Zhduket 59-vjeçari në Gjakovë – u largua nga shtëpia dhe nuk u kthye më, familja në ankth

    Një rast i personit të zhdukur është raportuar në Gjakovë, ku një burrë është larguar nga shtëpia dhe që prej asaj dite nuk ka asnjë gjurmë të tij, mëson Sinjali.

    Bëhet fjalë për Muharrem Pozhegun, rreth 59-vjeçar, i cili sipas burimeve të afërta me familjen është larguar më 20 prill 2026 rreth orës 13:00 nga banesa e tij në rrugën “14 Qershori”, duke marrë me vete disa gjëra personale.

    Që nga ai moment, ai nuk i është përgjigjur telefonatave të familjarëve, përfshirë djalin, vëllain dhe motrën, duke shtuar shqetësimin për fatin dhe gjendjen e tij.

    Familja ka raportuar rastin në Polici, ndërsa me udhëzim të Prokurorit kujdestar është iniciuar rasti si “Person i zhdukur”.

    Policia ka nisur hetimet për gjetjen e tij dhe apelon për bashkëpunim nga qytetarët që mund të kenë ndonjë informacion.

  • Ministri Sveçla: Drejtësia për Banjskën s’përfundon këtu

    Ministri Sveçla: Drejtësia për Banjskën s’përfundon këtu

    Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar pas vendimit të gjykatës për rastin e sulmit terrorist në Banjskë, ku dy nga të akuzuarit janë dënuar me burgim të përjetshëm, ndërsa i treti me 30 vite burg.

    Përmes një postimi në Facebook, Sveçla e ka cilësuar këtë vendim si një moment të rëndësishëm për drejtësinë në Republikën e Kosovës, duke theksuar se dënimet maksimale duhet të vlejnë për të gjithë të përfshirët në këtë rast, përfshirë edhe pjesëtarët e një rrjeti më të gjerë prej 45 personash të identifikuar.

    “Sulmi i 24 shtatorit 2023 nuk ishte një akt i izoluar, por një operacion i organizuar me mbështetje shtetërore nga Serbia, me synim cenimin e rendit kushtetues dhe aneksimin e një pjese të territorit të Kosovës”, tha ministri.

    Ai ka theksuar se përballimi i këtij sulmi nga Republika e Kosovës ndali një skenar të rrezikshëm për ndarje, duke shtuar se faktet dhe provat dokumentojnë përfshirjen e drejtpërdrejtë të Serbisë.

    Sveçla ka bërë të ditur gjithashtu se strukturat kriminale dhe paramilitare në veri janë çmontuar dhe se rendi kushtetues është mbrojtur.

    Ai i ka bërë thirrje Serbisë që të mbahet përgjegjëse për rolin e saj politik, financiar dhe logjistik në këtë agresion.

    Ministri ka theksuar se ky vendim nuk mund ta kthejë heroin Afrim Bunjaku, por përbën një hap drejt drejtësisë për sakrificën e tij dhe dhimbjen që mbetet te familja, kolegët dhe qytetarët.

    “Drejtësia për Banjskën nuk përfundon këtu. Ajo përmbyllet vetëm kur të gjithë përgjegjësit të dalin para drejtësisë, me në krye Milan Radoiçiqin”, ka shkruar Sveçla.

  • ATV Media pjesë e Panairit të Karrierës në Kolegjin AAB, interesim i madh i studentëve për punësim dhe praktikë

    ATV Media pjesë e Panairit të Karrierës në Kolegjin AAB, interesim i madh i studentëve për punësim dhe praktikë

    Në Kolegjin AAB është hapur edicioni i pestë i Panairit të Karrierës dhe Punësimit, duke mbledhur mbi 85 kompani nga industri të ndryshme, përfshirë edhe ATV Media.

    Ky panair synon të lidhë studentët me tregun e punës, duke ofruar mundësi konkrete për praktikë, punësim dhe zhvillim profesional, si brenda ashtu edhe jashtë vendit. Organizimi ka bashkuar studentë, institucione dhe kompani për të krijuar ura bashkëpunimi mes arsimit dhe sektorit privat.

    Vlen të theksohet se interesimi i studentëve ka qenë shumë i lartë, veçanërisht për t’u bërë pjesë e ATV Media, duke reflektuar kërkesën në rritje për mundësi në fushën e medias dhe komunikimit.

    Për të gjithë ata që dëshirojnë ta vizitojnë këtë panair, panairi do të zgjasë edhe të shtunën e 25 prillit.

     

     

  • Detarët malazezë “në gjendje të mirë”, pasi Irani sekuestron anijen e tyre

    Detarët malazezë “në gjendje të mirë”, pasi Irani sekuestron anijen e tyre

    Detarët malazezë, që ndodhen në anijen e sekuestruar nga Irani në Ngushticën e Hormuzit, janë në gjendje të mirë, tha ministri i Detarisë i Malit të Zi, Filip Radulloviq.

    Ata ndodhen në anijen MSC Francesca, e cila lundron nën flamurin e Panamasë, njëra nga dy anijet që u kapën nga marina e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit, nën akuza se kishin shkelur rregullat dhe kishin tentuar të “largoheshin fshehurazi” nga Ngushtica e Hormuzit.

    Radulloviq për Radio Televizionin e Malit të Zi tha se përfaqësuesit e Ministrisë së Detarisë janë në kontakt me kapitenin e anijes “MSC Francesca”, i cili është shtetas malazez, dhe se ai ka konfirmuar se të gjithë në bord janë mirë dhe në gjendje stabile.

    “Anija është e ankoruar nëntë milje detare larg bregdetit iranian. Negociatat mes kompanisë MSC dhe Iranit po shkojnë mirë. Detarët tanë janë mirë, Ministria e Punëve të Jashtme është e informuar për zhvillimet. Jemi në kontakt edhe me kompaninë MSC Francesca. Sot në mëngjes patëm një bisedë me kapitenin e anijes, i cili është shtetas malazez”, tha Radulloviq të mërkurën në mbrëmje, njofton rel.

    SHIKONI EDHE:

    Irani thotë se i ka kapur dy anije në Ngushticën e Hormuzit

    Ai tha se familjarëve të detarëve u është premtuar se shteti do të bëjë gjithçka për t’i kthyer ata në shtëpi.

    Ministria e Punëve të Jashtme e Panamasë, sipas raportimeve të mediave, ka njoftuar se anija MSC Francesca është zhvendosur “me forcë” në ujërat iraniane.

    Panamaja e ka akuzuar Iranin për shkelje të së drejtës ndërkombëtare, duke thënë se ky veprim përbën një “sulm serioz ndaj sigurisë detare” dhe një “përshkallëzim të panevojshëm” të tensioneve.

    Sipas njoftimit të Gardës Revolucionare Islamike, anija MSC Francesca dhe anija greke Epaminondas janë ndaluar nën akuzën se kanë tentuar të dalin “fshehurazi” nga Ngushtica e Hormuzit “pa autorizim” dhe për “shkelje të shumta dhe manipulim të sistemeve të ndihmës në navigim, duke rrezikuar sigurinë detare”.

    Marina e Gardës njoftoi se këto anije janë transferuar në ujërat territoriale iraniane për inspektim të ngarkesës dhe dokumenteve.

    Menjëherë pasi Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli nisën sulmin ndaj Iranit më 28 shkurt, Irani praktikisht bllokoi Ngushticën e Hormuzit, përmes së cilës para luftës kalonte një e pesta e furnizimeve globale me naftë dhe gaz.

    Pavarësisht armëpushimit, Irani vazhdon të bllokojë kalimin përmes Ngushticës së Hormuzit, ndërsa SHBA-ja ka vendosur një bllokadë ndaj porteve iraniane.

  • Vdekja e Rexhep Qosjes, Kurti: S’ka një akademik tjetër bashkëkohor i cili kaq shumë kontribuoi për gjuhën dhe kombin

    Vdekja e Rexhep Qosjes, Kurti: S’ka një akademik tjetër bashkëkohor i cili kaq shumë kontribuoi për gjuhën dhe kombin

    Vdekja e akademik Rexhep Qosjes ka nxitur reagime të shumta në Kosovë dhe Shqipëri, ku figura e tij po nderohet nga liderë politikë e institucionalë, si dhe nga njerëz të kulturës, letërsisë dhe artit.

    Në mesin e tyre është edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili përmes një postimi në Facebook ka vlerësuar lart jetën dhe veprën e akademikut të ndjerë.

    Kurti ka shkruar se vepra e Qosjes do të vazhdojë të jetojë edhe pas vdekjes së tij, duke marrë një dimension të ri leximor pa autorin.

    Sipas tij, librat e shumtë të akademikut, nga studimet gjuhësore, kritika letrare, ditarët historikë e deri te veprat letrare, do të vazhdojnë të lexohen dhe të interpretohen nga gjeneratat e ardhshme, duke mbetur burim i rëndësishëm dijeje dhe inspirimi.

    Postimi i plotë:

    Ngushëllimi na vjen prej jetës së tillë

    Rexhep Qosja ndërroi jetë sot. Vepra e tij padyshim që do të jetojë shumë më gjatë se shekulli i tij. Mirëpo, fillimisht, vepra e tij nis një jetë të re sot: jetën pa autorin.

    Dhjetëra libra të Rexhep Qosjes tash fitojnë një tjetër lloj leximi dhe sigurisht edhe lexues të rinj. Nga studimet gjuhësore dhe kritika letrare te ditarët historikë, nga tregimet e dramat te romanet voluminoze, tani do të mund të ripërjetohen ndryshe. Dhe nga ai rilexim i yni dhe i gjeneratave në vijim do të varen mësimet e insiprimet e së ardhmes. Është fat i madh për një komb të ketë regjistrues të këtillë të kohëve të veta, të mendimit dhe të situatave.

    Natyrisht që askush nuk do të mund të thotë që ky apo ai shkrimtar a veprimtar ishte rilindasi ynë i fundit. Por sigurisht që të gjithë duhet ta themi që askush nuk i ka njohur dhe ditur më thellë si dhe çmuar e afirmuar më lart rilindasit tanë sa akademik Rexhep Qosja.

    Në akademi ishte gjuhëtar e në gjuhë ishte historian, në publik ishte shkrimtar e në shkrim ishte mendimtar, në shoqëri ishte politikan e në politikë dijetar. Midis trashëgimisë së iluminizmit evropian dhe jetëshkrimit të Gjergj Kastriotit Skënderbeut, sikurse edhe midis romantizmit dhe postmodernes, qarkullonte mahnitshëm dhe frymëzonte parreshtur.

    Shkruante edhe për shkak se kishte lexuar shumë. Shkruante shumë sidomos për shkak se kishte çfarë të thoshte. Jetën e kaloi midis librave, jo pak prej të cilëve e kanë për autorë vetë atë, në bibliotekën e secilit prej nesh.

    Populli shqiptar nuk ka një akademik tjetër bashkëkohor i cili kaq shumë kontribuoi për gjuhën dhe kombin tonë e njëkohësisht aq shumë u sulmua nga politika dhe kolegët e tij. Do të mbahet mend siç ishte dhe ishte siç mbeti – i paepur.

    Dy muaj pa i mbushur nëntë dekada që ia kanë vlejtur fort për shqiptarët mbarë. U nda nga jeta, por i rron gjallë vepra.

  • Nipi publikon amanetin e fundit të Rexhep Qosjes: Jam kujdesur të jetoj thjesht, ashtu dua të jem edhe i varrosur

    Nipi publikon amanetin e fundit të Rexhep Qosjes: Jam kujdesur të jetoj thjesht, ashtu dua të jem edhe i varrosur

    Valjet Qosja, nipi i shkrimtarit të ndjerë Rexhep Qosja, ka bërë publike një letër të cilën e ka cilësuar si amanetin e fundit të akademikut.

    Në dokumentin e shkruar në vitin 2016, Qosja shpreh dëshirën që të varroset pa ritual fetar, pa prani zyrtare dhe pa ceremoni publike, duke kërkuar vetëm pjesëmarrjen e familjarëve.

    Ai thekson se ka jetuar me bindje shkencore dhe kritike ndaj pushtetit, ndërsa varrimin e kërkon të thjeshtë, pranë bashkëshortes së tij, pa fjalime apo mbulim mediatik.

    Në letrën e tij, Rexhep Qosja shprehet se ka jetuar dhe vepruar në shërbim të lirisë, kulturës dhe shoqërisë shqiptare, duke lënë vlerësimin për trashëgiminë e tij në dorë të historisë.

  • Seanca ndaj Jelena Gjukanoviq për spiunazh – Prokuroria kërkon 25 vjet burgim

    Seanca ndaj Jelena Gjukanoviq për spiunazh – Prokuroria kërkon 25 vjet burgim

    Është mbajtur sot seanca gjyqësore në Gjykatën Themelore në Prishtinë ndaj të akuzuarës Jelena Gjukanoviq, e cila ngarkohet për veprën penale të spiunazhit.

    Në fjalën përfundimtare, Prokuroria ka kërkuar dënimin maksimal prej 25 vjetësh burgim, duke e cilësuar rastin si një ndër më të rëndësishmit në fushën e sigurisë kombëtare.

    Prokurori theksoi se çështja nuk është vetëm individuale, por prek drejtpërdrejt sigurinë e shtetit dhe besimin e qytetarëve në institucionet e Republikës së Kosovës.

    “Dënimi i drejtë dhe proporcional në këtë rast është dënimi maksimal i paraparë me nenin 124, paragrafi 3 të Kodit Penal, me qëllim që të mbrohet rendi kushtetues dhe siguria e zyrtarëve dhe qytetarëve të Republikës, si dhe për të dërguar një mesazh të qartë se veprimtari të tilla nuk do të tolerohen në shtetin tonë”, ka thënë ndër të tjera prokurori gjatë seancës.

    Aktgjykimi për këtë rast pritet të shpallet më 27 prill 2026, në ora 13:15.

    Ky është rasti i radhës i hetuar dhe realizuar nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI) në kuadër të luftës kundër spiunazhit.

    Serbja Jelena Gjukanoviq, punonjëse e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), ishte arrestuar më 28 shkurt të vitit 2025 në pikën kufitare të Jarinjës, në veri të Kosovës, dhe që atëherë ndodhet në paraburgim.

    Gjukanoviq dyshohet për spiunazh në bashkëpunim me një tjetër person, i cili po ashtu është nën hetime.

    Sipas Kodit Penal të Kosovës, spiunazhi konsiderohet krim i rëndë dhe, në rast të konfirmimit të fajësisë, dënohet me minimum pesë vjet burg.

    Gjukanoviq dyshohet të ketë bashkëpunuar me Agjencinë Serbe të Sigurisë dhe Inteligjencës (BIA).

  • Rita Ora risjell skenat e hitit “Praising You”: Fatboy Slim do të jetë gjithmonë legjendë

    Rita Ora risjell skenat e hitit “Praising You”: Fatboy Slim do të jetë gjithmonë legjendë

    Artistja shqiptare me renome botërore, Rita Ora, ka rikthyer së fundmi kujtimet nga një prej bashkëpunimeve të saj më të komentuara, duke ndarë me ndjekësit në Instagram një seri fotografish nga xhirimet e klipit “Praising You” (2023), këngë e realizuar në bashkëpunim me DJ-in e famshëm britanik Fatboy Slim.

    Në setin e publikuar, Rita shfaqet në disa momente prapa skenike, ku bie në sy energjia e xhirimeve dhe atmosfera e stilit “club”, të cilën këngëtarja e ka përmendur edhe në mbishkrimin që shoqëron postimin.

    Në disa prej fotove ajo pozon me veshje sportive dhe pamje natyrale, duke dhënë përshtypjen e një dite intensive pune, ndërsa në të tjera shihet mes ekipit të kërcimtarëve dhe stafit, me buzëqeshje e gjendje të mirë – detaje që e bëjnë postimin të duket më shumë si një kujtim personal sesa thjesht promovim.

    Një tjetër fotografi e veçantë është ajo ku Rita shfaqet krah Fatboy Slim, duke e nënvizuar edhe më shumë raportin profesional mes dy artistëve dhe “kiminë” e bashkëpunimit që u reflektua edhe në projektin muzikor.

    Krahas imazheve, Rita Ora ka ndarë edhe një mesazh të ndjerë për DJ-in britanik, duke shkruar: “Si një fëmijë i viteve ’90 që po i jeton prapë ditët e saj të klubeve, Fatboy Slim do të mbetet gjithmonë një LEGJENDË. Ishte një ëndërr të ‘rimendonim’ hitin e tij dhe ta shndërronim në ‘PRAISING YOU’… 2023”, ka shkruar ajo, duke e përshtatur nostalgjinë e saj me respektin për një emër ikonë të skenës elektronike.

    – YouTube youtu.be

    Kujtojmë se Fatboy Slim vitin e kaluar ishte në Kosovë për një performancë në festivalin “Sunny Hill”, ku kishte dhënë edhe një intervistë ekskluzive për Telegrafin, duke e vlerësuar lart bashkëpunimin e tij me Ritën dhe energjinë që ajo solli në projekt.

    Postimi i fundit i Ritës u prit me reagime të shumta nga fansat, të cilët e komentuan nostalgjinë e saj për periudhën e vitit 2023 dhe pamjet nga prapaskenat, duke rikthyer edhe një herë vëmendjen te “Praising You” dhe tek bashkëpunimi me një prej DJ-ëve më të njohur në botë. /Telegrafii

  • Aksident i rëndë në Thumanë, humb jetën 53-vjeçari

    Aksident i rëndë në Thumanë, humb jetën 53-vjeçari

    Një 53-vjeçar ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti në aksin Thumanë-Mamurras.

    Siç raporton Euronews.al, aksidenti ndodhi ndërmjet dy veturave, ndërsa viktima nuk mundi të iu bëjë ballë plagëve të marra.

    I përfshirë në aksident raportohet të jetë edhe një 20-vjeçar që drejtonte njërën veturë dhe një pasagjere, ku të dy janë në kujdesin e mjekëve dhe jashtë rrezikut për jetën.

    Policia arrestoi 20-vjeçarin si shkaktar i aksidentit me pasojë vdekjen.

    Një aksident po ashtu me fatalitet është regjistruar edhe të mërkurën në Thumanë, ku një person mbeti i vdekur.