ATV

Author: G.O.

  • Rita Ora shfaqet mahnitëse në VMA

    Rita Ora shfaqet mahnitëse në VMA

    Rita Ora tregoi stilin e saj fantastik të veshjes teksa arriti në tapetin e kuq në “MTV Video Music Awards 2023” në New Jersey të martën.

    Vasha nga Kosova kishte veshur një fustan të zi pa shpatulla, i cili ishte dizajnuar me mëngë të gjata dramatike për këtë rast.

    Ajo e kompletoi veshjen me taka argjendi me shkëlqim dhe platformë.

    Këngëtarja i stiloi flokët e saj duke i lënë të lëshuara dhe të ndara në mes.

    Ajo po ashtu zgjodhi grim joshës.

    Rita dukej në humor të shkëlqyeshëm teksa pozonte para kamerave.

     

  • Osmani i kërkon komandantit në ardhje të KFOR-it thellim të bashkëpunimit

    Osmani i kërkon komandantit në ardhje të KFOR-it thellim të bashkëpunimit

    Në prag të marrjes së detyrës së komandantit të ri të KFOR-it, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti dje në takim gjeneralmajor Özkan Ulutaş, shoqëruar nga komandanti aktual, gjeneralmajor Angelo Michele Ristuccia.

    Me këtë rast, Presidentja Osmani shprehu besimin e plotë në bashkëpunimin e ngushtë me Gjeneral Ulutaş gjatë udhëheqjes së tij të KFOR-it në përmbushjen e synimeve të përbashkëta për paqe dhe siguri në Kosovë dhe rajon.

    Po ashtu, gjatë takimit Presidentja Osmani ka theksuar nevojën për rritjen dhe thellimin e bashkëpunimit në mes të KFOR-it dhe institucioneve të Republikës së Kosovës, në funksion të menaxhimit efektiv të sfidave të mjedisit të sigurisë rajonale dhe më gjerë. Ajo e njoftoi komandantin në ardhje të KFOR-it për këto sfida të sigurisë, të cilat në veri të vendit shkaktohen për shkak të strukturave ilegale të dirigjuara nga Serbia, të cilat poashtu kanë udhëhequr sulmet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it më 29 maj si dhe sulmet e njëpasnjëshme ndaj policisë së Kosovës dhe gazetarëve.

  • A e ka hundën operacion Nora Istrefi? Flet doktoresha

    A e ka hundën operacion Nora Istrefi? Flet doktoresha

    Doktoresha Sanie Abazi e cila me profesion është kirurge plastike, e ftuar në emisionin e mëngjesit “Alarm”, në ATV, foli për trajtimin e djegieve, deformimet e veshëve, të hundës e shumëçka tjetër.

    Derisa Abazi foli për operimin e hundës dhe komplikimet e mundshme gjatë këtij intervenimi, ajo iu përgjigj edhe pyetjes se kush nga estrada kosovare ka hundën më të bukur, madje edhe pyetjes nëse mendon se këngëtarja Nora Istrefi ka bërë intervenim në hundë.

    “Për këtë mundet me u përgjigj dikush që e njeh personin para dhe pas intervenimit. Nuk e di por mendoj që po Nora Istrefi e ka hundën operacion, nuk e di saktësisht sepse nuk e kam parë nga afër. Kur e sheh nga afër dikë që e ka kryer një intervenim në hundë, vërehet se kush është koca, kush është kërci, anatomia e saj tregon se ai/ajo ka kryer operacion në hundë”, tha ajo./atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

    LEXONI EDHE:

    “Sa herë mund të operohet hunda”, përgjigjet doktoresha Sanie Abazi

     

  • Për 12 vjet është dyfishuar numri i qytetarëve nga Kosova në Gjermani

    Për 12 vjet është dyfishuar numri i qytetarëve nga Kosova në Gjermani

    Për 12 vjet gati është dyfishuar numri i qytetarëve të Kosovës që jetojnë në Gjermani. Rrjedhimisht në këtë periudhë kohore shënohet rritje nga 291 mijë në 542 mijë qytetarë, që rezulton në 251 mijë ose 86 për qind më shumë persona, thuhet në një analize të publikuar nga Instituti GAP.

    Sipas GAP-it disa nga gjetjet kryesore të raportit tregojnë se sipas matjes së fundit të vitit 2022, në Gjermani jetojnë 542 mijë persona me sfond migrimi nga Kosova, nga të cilët 330 mijë kanë lindur në Kosovë.

    “Nga këta 542 mijë persona, 289 mijë (53%) janë burra ndërsa 254 mijë ose 47% janë gra. Nga krahasimi i të dhënave të vitit 2022 me ato të vitit 2010, konstatohet se numri i qytetarëve me origjinë nga Kosova që jetojnë në Gjermani pothuajse është dyfishuar. Rrjedhimisht, në një periudhë kohore 12 vjeçare shënohet rritje nga 291 mijë në 542 mijë, që rezulton në 251 mijë ose 86% më shumë persona me sfond migrimi nga Kosova. Në vitin 2021, 21,468 persona kanë hyrë nga Kosova në Gjermani, dhe 4,323 persona me origjinë nga Kosova janë larguar nga Gjermania ku migrimi neto në këtë vit ishte 17,164 persona”, thuhet në raportin statistikor “Migrimi i kosovarëve në Gjermani: Analizë statistikore”, të publikuar nga GAP.

    Sipas Institutit GAP në mikrocensusin e vitit 2022, 110 mijë persona deklaruan se bashkimi familjar është arsyeja kryesore e emigrimit të tyre nga Kosova në Gjermani; 85 mijë persona deklaruan se arsyeja kryesore është arratisja, azil-kërkimi dhe mbrojtja ndërkombëtare; 64 mijë persona deklaruan si arsye punësimin; ndërkaq, 41 mijë të tjerë emigruan për të krijuar familje.

    “Të dhënat e vitit 2022 tregojnë se nga gjithsej 330 mijë persona të lindur në Kosovë, mosha mesatare në kohën kur ata emigruan në Gjermani ishte 22 vjeç. Po ashtu, nga 264 mijë kosovarë aktivë në tregun e punës në Gjermani, 251 mijë janë të punësuar, ndërsa 13 mijë janë të papunë”, thuhet në raport.

  • Von der Leyen: E ardhmja e Ballkanit Perëndimor dhe Ukrainës është në BE

    Von der Leyen: E ardhmja e Ballkanit Perëndimor dhe Ukrainës është në BE

    Presidentja e Komisionit Evropian (KE), Ursula von der Leyen, tha më 13 shtator se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor dhe e Ukrainës është në Bashkimin Evropian (BE).

    Gjatë një fjalimi vjetor për gjendjen e BE-së para deputetëve të Parlamentit Evropian në Strasburg, Von der Leyen tha se unioni “nuk mund t’i lërë vetëm bashkëkombësit tanë”.

    “E ardhmja e Ukrainës është në unionin tonë. E ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në BE. E ardhmja e Moldavisë është në BE. Dhe, e di se sa e rëndësishme është perspektiva evropiane edhe për shumë njerëz në Gjeorgji”, deklaroi Von der Leyen.

    Fjalimi për “Gjendjen në Union” është momenti më i rëndësishëm vjetor për BE-në. Është fjalimi i përgjithshëm vjetor i presidentit të Komisionit Evropian në seancën plenare të Parlamentit Evropian, dhe mbahet rregullisht në shtator. Fjalimi përfshin veprime që Komisioni Evropian synon të ndërmarrë përmes legjislacionit dhe nismave të tjera deri në fund të vitit të ardhshëm.

    Von der Leyen tha se “Evropa përgjigjet ndaj thirrjeve historike. Historia na fton që të përmbyllim ndërtimin e unionit tonë. Në botën ku disa tentojnë t’i nënshtrojnë vendet një nga një, ne nuk mund t’i lëmë vetëm bashkëkombësit tanë evropianë. Në botën ku madhësia dhe pesha janë të rëndësishme, përmbyllja e unionit tonë, pa dyshim, është interes strategjikë i BE-së”.

    Ajo e përmendi rajonin e Ballkanit edhe kur foli për bashkëpunimin në menaxhimin e migrimit ilegal.

    “Pakti për migrim i BE-së ka siguruar një baraspeshë mes të drejtave të njeriut dhe ruajtjes së kufijve, mes sovranitetit dhe solidaritetit, mes sigurisë dhe njerëzisë. Kemi bashkëpunuar ngushtë me vendet e Ballkanit Perëndimorë dhe kemi zvogëluar valët ilegale të migrimit”, theksoi ajo.

    Në gusht, edhe presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, bëri thirrje që viti 2030 të caktohet si afati deri kur Bashkimi Evropian dhe vendet kandidate të jenë të gatshëm për zgjerim, gjatë Forumit Strategjik të Bledit.

    Vendeve të Ballkanit Perëndimor u është premtuar perspektivë evropiane prej vitit 2003, në një samit në Selanik. Nga ajo kohë, vetëm Kroacia nga vendet e rajonit është anëtarësuar në BE, në vitin 2013.

    Negociatat për anëtarësim ka vite që i kanë nisur Mali i Zi dhe Serbia, ndërsa në korrik të vitit 2022 i kanë nisur edhe Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.

    Bosnjë e Hercegovina e ka marrë statusin e vendit kandidat në dhjetor të vitit të kaluar, ndërsa Kosova ka vetëm Marrëveshje Stabilizim-Asociimi (MSA) me BE-në.

    Von der Leyen bëri thirrje për një vizion për zgjerimin e suksesshëm të BE-së.

    “… Një union i plotësuar, ku më shumë se 500 milionë njerëz jetojnë në liri, demokraci dhe prosperitet. Një union i plotësuar ku të rinjtë mund të jetojnë dhe studiojnë në liri. Union në të cilin ka demokraci, ku gjykatat janë të pavarura, ku opozita respektohet dhe gazetarët mbrohen. Këto do të jenë themelet e unionit tonë në vendet e tashme dhe të ardhme anëtare“, tha ajo.

    Ajo rikujtoi se para 20 vjetëve, kur kishte ndodhur zgjerimi i madh, e kishin quajtur këtë si “dita e mirëseardhjes“ dhe prej atëherë ato vende kanë shënuar “përparim të madh në secilin aspekt.”

    Megjithatë, ajo përsëriti se Komisioni Evropian do ta ruajë gjithmonë parimin e meritave individuale në procesin e reformave gjatë procesit të zgjerimit.

    Zgjerimi i fundit i BE-së ka ndodhur me 1 korrik të vitit 2013 kur Kroacia ishte bërë vendi më i ri anëtar.

    Von der Leyen, po ashtu, bëri thirrje që të tejkalohen debatet e vjetra që krijojnë dilema mes reformave të brendshme dhe zgjerimit, sepse, sipas saj, është dëshmuar se këto dy gjëra mund të shkojnë paralelisht.

    “Nuk mund t’i presim ndryshimet e traktateve për t’u zgjeruar. Kjo duhet të ndodhë më shpejt, duhet të gjejmë përgjigje në pyetjen se si do të funksionojë BE-ja me më shumë se 30 anëtarë“, theksoi ajo, duke rikujtuar se me 27 vende anëtare BE-ja ka dëshmuar se mund të funksionojë.

    Von der Leyen përsëriti disa herë mbështetjen për Ukrainën, e cila është duke u përballur për pushtimin e jashtëligjshëm nga Rusia tash e 18 muaj.

    “Do të jemi me Ukrainën deri në fund. Mbi katër milionë ukrainas kanë gjetur strehim në BE. Do të jenë të mirëpritur dhe dyert tona për ta do të jenë të hapura“, nënvizoi ajo.

    Ajo tha se bashkë me anëtarët tjerë të Komisionit Evropian i kanë përmbushur mbi 90 për qind të synimeve që i kishte shprehur në fillim të mandatit në vitin 2019.

    Ky ishte fjalimi i saj i fundit për gjendjen e BE-së, por edhe fillimi indirekt i fushatës së saj parazgjedhore. Përkatësisht, në qershor të vitit të ardhshëm do të mbahen zgjedhjet evropiane, të cilat do të rezultojnë me një strukturë të re në të gjitha institucionet evropiane.

  • Osmani: Lokacioni i stadiumit nacional s’është caktuar ende

    Osmani: Lokacioni i stadiumit nacional s’është caktuar ende

    Zëvendësministrja e Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport ka thënë se Qeveria e Kosovës ka zotuar 250 milionë euro për organizimin e Lojërave Mesdhetarë në Kosovë në vitin 2030.

    Ajo ka thënë se kjo shifër është e ndarë në tri fusha, ku mbi 300 milionë do të shkojnë për përgatitjen dhe ndërtimin e infrastrukturës sportive, ndërsa pjesa tjetër për shpenzime operacionale si dhe 2.5 milionë euro për pagesën që duhet t’i bëhet Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare.

    “Janë 250 milionë euro të zotuara nga Qeveria e Kosovës për këtë organizim. 204 milionë e 337 mijë e 500 euro të ndara për infrastrukturën sportive, 49 milionë e 108 mijë euro për programe dhe shpenzime operacionale për të arritur të organizojmë lojëra të suksesshme në vitin 2030 si dhe janë 2.5 milionë euro për pagesën që duhet t’i bëhet Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare për dhënien e të drejtave ekskluzive Kosovës për organizimin e kësaj ngjarje”, theksoi Osmani.

    Ajo foli edhe për ndërtimin e stadiumit nacional për të cilin tha se duhet të jetë i gatshëm në vitin 2030, por për të cilin tha se ende nuk është caktuar lokacioni dhe se kjo do të bëhet pas studimit të fizibilitetit.

    “Stadiumi nacional, temë dhe projekt ndër vite i përmendur në komunitetin sportiv por edhe më gjerë. Kosova ka pasur dhe ka nevojë për një stadium nacional, andaj tani është futur në kuadër të kësaj platforme, kësaj kornize të cilën duhet të mobilizohemi maksimalisht që të sigurohemi që në vitin 2030 të jetë i gatshëm që të mirëpres sportistët e 26 shteteve anëtare të Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare. Sa i përket lokacionit dhe projektit, përgjigjet e kësaj çështje do të na i kthej studimi i fizibilitetit, analizat të cilat do të bëhen, e të cilat do të na tregojnë se ku është vendi ideal për ndërtimin e këtij stadiumi, për shkak se duhet të kemi parasysh që ndërtimi e ka një kosto”, tha Osmani.

    Përveç stadiumit, Osmani theksoi se do të ndërtohen e rinovohen edhe shumë palestra sportive, ndërtohen pishina olimpike si dhe një shteg për biçikleta.

  • Sulmi fizik ndaj të moshuarës në Pejë – caktohet seanca fillestare ndaj tri infermiereve të akuzuara

    Sulmi fizik ndaj të moshuarës në Pejë – caktohet seanca fillestare ndaj tri infermiereve të akuzuara

    Ndonëse pas afatit të paraparë ligjor, Gjykata Themelore në Pejë e ka caktuar seancën fillestare për gjykimin ndaj infermiereve, të cilat dyshohen për sulm fizik ndaj një të moshuare  në strehimoren “Orenda” në Pejë.

    Zëdhënësja e kësaj gjykate, Tringa Zhuti, për Telegrafin ka treguar se seanca është caktuar me datë 31 Tetor në orën 10:00.

    Prokuroria Themelore në Pejë katër muaj më parë ka ngritur aktakuzë ndaj tri të pandehurave me inicialet A.P., A.R., dhe R.K., të dyshuara për këtë rast.

    Sipas aktakuzës, tri të pandehurat në cilësinë e infermiereve në shtëpinë e kujdesit për të moshuar “Orenda”, me dashje dhe në bashkëkryerje kanë përdorur forcë ndaj të moshuarës, e cila ishte e vendosur në ketë strehimore.

    “Në atë mënyrë që pasi të pandehurat planifikojnë ta vënë nën kontroll viktimën e ndjeshme, me kërkesën e të pandehurës A.P., e pandehura R.K., e incizon me telefon, kurse e pandehura A.R., e kap përdore viktimën duke e mbajtur, e pandehura A.P., e godet disa herë me shuplakë viktimën e tri herë me gjunjë në pjesë abdominale,  e të gjitha këto veprime përcjellën me video incizim dhe të qeshura nga tri të pandehurat”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

    Me këto veprime ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurat kanë përmbushur elementet e veprës penale “Sulmi”.

    Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes se aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që të pandehurat të shpallën fajtore dhe të dënohen sipas ligjit për veprën penale e cila ju vihet në barrë.

    “Gjithashtu në departamentin e krimeve të rënda në këtë prokurori janë duke u ndërmarrë veprime hetimore për procesin e strehimores për veprat penale nga kapitulli i korrupsionit”, përfundon njoftimi.

  • Haxhiu: Institucionet s’po i marrin parasysh gjetjet e organizatave për dhunën në familje

    Haxhiu: Institucionet s’po i marrin parasysh gjetjet e organizatave për dhunën në familje

    Dhuna në familje është vazhdimisht në rritje në Kosovë, e për parandalimin e saj, mes tjerash, duhet një angazhim më i madh institucional. Kështu u tha gjatë prezantimit të raportit “Efektiviteti i institucioneve në trajtimin e rasteve të dhunës në familje” nga Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) dhe Zyra e UN Women në Kosovë, raporton Ekonomia Online.

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se e ka mirëpritur këtë raport, të parin e këtij lloji në vend, si një mundësi të mirë për t’i monitoruar institucionet. Mirëpo, sipas saj, institucionet e Kosovës nuk i marrin parasysh raportet e dala nga organizatat që monitorojnë punën e tyre.

    Si sfidë, për ministren është bashkëpunimi institucional, sidomos me Policinë dhe Prokurorinë, dhe dënimet e ulëta për kryerësit e kësaj vepre.

    “Si ministre e Drejtësisë e mirëpres raportin, si të parin e këtij lloji në vend, nuk ka pasur ndonjëherë një raport të tillë, për rastet e dhunës. Është mundësi e mirë për t’i monitoruar institucionet, për të ndarë sfidat së bashku për rastet e dhunës në familje”.

    Haxhiu tha se MD-ja ka bashkëpunuar ngushtë me ZKA-në për këtë raport.

    “Gjatë kësaj faze të auditimit MD-ja ka bashkëpunuar ngushtë me ZKA-në, ne kemi pranuar draftin e parë, kemi dërguar komentet tona. Institucionet e Kosovës nuk është që i marrin parasysh raportet e organizatave që monitorojnë punën e institucionet”.

    Ajo shtoi se janë ndarë 1 milion euro për strehimoret e dhunës në familje, e se kjo shifër do të rritet nga viti në vit.

    “Gjykatat kanë probleme serioze në përgjegjshmërinë në zbatimin e memorandumit. Për herë të parë janë ndarë 1 milion euro për strehimoret e dhunës në familje, kjo shifër do të rritet nga viti në vit, besoj që do të rritet në vitin e ardhshëm”.

    “Ende kemi shumë sfida, kërkoj bashkëpunimin institucional, sidomos me Policinë dhe Prokurorinë, problemin e kemi me dënimet, ende nuk kemi asnjë dënim, dënimi për rastet e dhunës në familje është 3 vjet, por ende nuk kemi asnjë dënim maksimal për rastet e dhunës në familje”.

    Vlora Nushi, drejtoresha e UN Women në Kosovë, tha se synimi i zyrës që ajo drejton është që ta bëjnë Kosovën pjesë të rajonit e se është momenti kritik për t’u zbatuar rekomandimet e raporteve të tilla.

    “Synimi ynë është që Kosovën përmes projekteve ta bëjmë pjesë të rajonit, për të mësuar dhe shkëmbyer informata”.

    “Është momenti kritik që të gjithë së bashku të ndërmarrim masa dhe t’i zbatojmë këto rekomandime”, u shpreh Nushi.

    Vlora Spanca, Auditore e Përgithshme, tha se ZKA-ja e sheh si detyrë krijimin e organizmave që e luftojnë dhunën në familje. Mirëpo, edhe pse janë ndërmarrë disa hapa, rezultatet tregojnë që angazhimi institucional nuk është i kënaqshëm.

    “Dhuna në familje nuk njeh kufi, është detyrë e jona të krijojnë organizma për ta ndihmuar atë. Veprimi në interes të qytetarëve është prioritet i ZKA-së”.

    “Problemi i dhunës në familje ka qenë një diskutim i gjerë i kohëve të fundit, ishte një nga raportet edhe për progresin e Kosovës në kohët e fundit. Numri i viktimave është në rritje të vazhdueshme”.

    “Rezultatet tona tregojnë që edhe pse institucionet kanë marrë një serë reagimesh ende nuk është e kënaqshme, kërkohet më shumë angazhim institucional”.

    “Shpesh mbrojtësit e viktimave angazhohen në minutat e fundit, ka raste që janë bartur nga viti në vit, dhe zgjat 1 vit e më shumë, mungojnë edhe programet për trajtimin e kryesit të veprës”.

    “Për përmirësimin e këtyre kërkohet një angazhim më i madh institucional. Nuk është vetëm detyrë, është përgjegjësi morale e gjithsecilit prej nesh”.

    Ndërsa Avokati i Popullit, Naim Qelaj, tha se të të gjeturat e raportit janë në përputhje me gjetjet që institucioni i Avokatit të Popullit i ka dhënë që disa vite.

    Ai ka treguar procedurat e shqyrtimit të rasteve të dhunës në familje, ndërsa ka kërkuar nga Kuvendi dhe Qeveria që ta rregullojnë legjislacionin për këto raste.

    “Në tërësi, të gjeturat janë në përputhje me gjetjet që institucioni i Avokatit të Popullit i ka dhënë në vite. Ajo që është për t’u theksuar është se duhet t’i marrim të gjitha masat e nevojshme për mbrojtjen e jetës së qytetarëve. Në çdo rast ku cenohet jeta e një qytetari, prej Avokatit të Popullit fillimisht vlerësohet se a kanë qenë të njoftuara autoritetet, a ka pas reagim në kohë, masat që i kanë ndërmarrë dhe a janë të duhurat”.

    Rritjen e rasteve të dhunës, Qelaj e sheh si rezultat të rritjes së raportimit të rasteve, e kjo, sipas tij, e shton edhe më shumë nevojën për masa urgjente.

    “Përkundër angazhimit, rastet e dhunës janë rritur, kjo mund të merret edhe si rezultat i raportimit të rasteve, dhuna është prezente dhe kjo e shton nevojën që masat që duhet të merren janë urgjente dhe në duhet të reagojmë”.

    “Deri më sot përveç strategjisë kombëtare për mbrojtën e viktimave nga dhuna në familje, nuk është marrë asnjë veprim tjetër. Akoma është në proces ligji për viktimat e dhunës në familje. Në këtë rast Ministria e Drejtësisë duhet të jetë me e fuqishme, nuk janë të rregulluara me ligj, është detyrë e qeverisë e kuvendit. Duhet në mënyrë urgjente të krijojnë ligje për këtë pjesë”.

    “Roli i avokatit është i shumëfishtë, puna e parë është parandalimi i dhunës në familje dhe marrja e vendimeve konkrete, kemi dhënë rekomandime për vendimet konkrete që duhet te merren në ministri dhe dikaster”.

    “Rekomandimet tona ndaj autoriteteve nuk kanë gjetur zbatim, mungesa e koordimit mundet me u kthy në dështimin e autoriteteve për mbrojtjen e dhunës në familje”.

    “Ne kemi reagu fuqishëm edhe në ndryshimet ligjore, ligjin për financimin e pushtetit lokal është që 8 vite si draft, që lidhet me fuqizimin e buxhetit lokal, që lidhet me përkrahjen e viktimave të dhunës në familje. Të gjitha autoritetet të caktuara nga Konventa e Stambollit duhet të reagojnë me efikasitet”.

  • Krasniqi: Largimi i kryetarëve në veri me peticion është e vetmja rrugë për mbajtjen e zgjedhjeve të reja

    Krasniqi: Largimi i kryetarëve në veri me peticion është e vetmja rrugë për mbajtjen e zgjedhjeve të reja

    Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, tha se Udhëzimi Administrativ që rregullon iniciativën e qytetarëve për largimin e kryetarëve të komunave në veri të vendit, është e vetmja rrugë për mbajtjen e zgjedhjeve të reja, raporton Ekonomia Online.

    Krasniqi pohoi se largimi i kryetarëve do të bëhet në mënyrë demokratike përmes kërkesës së qytetarëve duke mbledhur 20 mijë nënshkrime.

    Ai në një konferencë për medie pas mbledhjes së Qeverisë shtoi se Udhëzimi është në përputhje me Ligjin për vetëqeverisje lokale, madje tha se Udhëzimi Administrativ është kërkesa demokratike dhe vullnet i qytetarëve.

    “Udhëzimi administrativ e ka bazën në vetëqeverisjen lokale dhe synim ka mbledhjen e 20 mijë nënshkrimeve të qytetarëve ku ata jetojnë, e më pastaj procedimin në Kuvend Komunal. Ky Udhëzim nuk është vetëm për katër komuna, por përgjithësi komunat në Republikën e Kosovës”.

    “Pengimi i qytetarëve për të marrë pjesë në këto zgjedhje e ka bërë Beogradi dhe aty janë kryetarët e komunave. Largimi i tyre mund të bëhet në mënyrë demokratike përmes kërkesës së qytetarëve duke mbledhur 20 mijë nënshkrime. Udhëzimi Administrativ është kërkesë demokratike dhe vullnet i qytetarëve”.

  • Vendos Qeveria – Të papunët do të punësohen në procesin e regjistrimit të popullsisë

    Vendos Qeveria – Të papunët do të punësohen në procesin e regjistrimit të popullsisë

    Qeveria e Kosovës ka miratuar propozim-vendimin e Ministrisë së Financave për shtimin e një mase të re në kuadër të masave për Mbështetjen e Punësimit.

    Bazuar në propozimin e ministrit Hekuran Murati, personat e papunë do të kenë mundësi të angazhohen si punonjës në procesin e regjistrimit të popullsisë që pritet të nisë këtë vit.

    Murati tha se personat e papunë do të kenë përparësi në këtë proces punësimi të përkohshëm.

    “Pika e radhës [e rendit të ditës] ka të bëjë me shtimin e një mase të re në kuadër të masave për mbështetjen e punësimit në ofrimin e shërbimeve publike dhe synimi është që përgjatë procesit të regjistrimit, të mundësojmë punësimin e personave të papunë dhe t’i angazhojmë në procesin e regjistrimit”.

    “Pra, sado pak, personat që janë të papunë në Republikën e Kosovës të angazhohen qoftë edhe përkohësisht, në mënyrë që të ndihmojnë në ofrimin e shërbimeve publike dhe të angazhohen përkohësisht”.