ATV

Author: G.O.

  • EULEX po kryen bastisje në shtëpinë e Behar Berishës, ish-pjesëtar i UÇK-së

    EULEX po kryen bastisje në shtëpinë e Behar Berishës, ish-pjesëtar i UÇK-së

    Njësitë e Policisë së EULEX-it janë duke e bastisur një shtëpi banimi në Kodër të Trimave në Prishtinë.

    Sipas burimeve, shtëpia është e Behar Berishës, ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Berisha ka qenë bashkëluftëtar i Sali Mustafës – Calit.Sipas këtyre burimeve, supozohet se do të ketë edhe arrestime.

    Përndryshe dje me urdhër të Prokurorisë së Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, zyrtarë të EULEX-it ia kanë konfiskuar telefonin Arben Mustafës, vëllait të Salih Mustafës – Calit.

    Lajmin e ka konfirmuar avokati i Mustafës, Betim Shala, i cili tha se ngjarja ka ndodhur rreth orës 16:00.

    “Po është e vërtetë. Ka ndodhur sot rreth orës 16:00. Telefonin e ka konfiskuar policia e EULEX-it. Kjo është bërë me vendim të gjyqtarit të Gjykatës së Dhomave të Specializuara në Hagë”.

    “Ekziston dyshimi i kryerjes së veprës penale ‘pengim i drejtësisë’. Për momentin vetëm ky hap procedural është marrë, pra konfiskimi i telefonit”, tha Shala.

    Tutje, Shala tha se pas ekzaminimit të telefonit të Mustafës atëherë do të vërtetohet se nuk ka asgjë të vërtetë në pretendimet e Prokurorisë.

  • Kurti e Vuçiq sot në Bruksel, takim trepalësh me Borrellin

    Kurti e Vuçiq sot në Bruksel, takim trepalësh me Borrellin

    Sot është dita kur do të mbahet takimi i nivelit të lartë mes Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Brukseli. Do të takohen kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

    Takimi i sotëm është i pari pas tensioneve në veri të Kosovës në fund muajit maj dhe ne fillim muajin qershor.

    BE ka njoftuar se Borrell dhe emisari Miroslav Lajçak do të zhvillojë takime të veçanta me liderët përkatës që nga ora 9:00, të cilët do të pasohen nga një takim i përbashkët trepalësh.

    “Takimi do të fokusohet në zbatimin e marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit, si dhe çështjet aktuale”, thuhet në njoftimin e BE-së.

    Pasi të përfundojnë takimet, Borrell ka paralajmëruar se do të mbajë një konferencë për media, e cila do të transmetohet drejtpërdrejt.

    Kurti dhe Vuçiç janë takuar për herë të fundit më 2 maj, nëntë ditë pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme në veri të Kosovës.

    Pas shpërthimit të tensioneve në veri të vendit, s’janë mbajtur takime të nivelit të lartë, përveç atyre të nivelit teknik.

    Dje, një ditë para takimit “të madh” janë ulur edhe pritjet e mëdha. Kurti ka kritikuar BE-në për sanksionet e padrejta, ShBA dhe BE kanë paralajmëruar masa të reja nëse nuk ka përparim në dialog dhe nëse palët nuk tregohen të përgjegjshme. Çfarë pritet nga takimi i 14 shtatorit?

    Kryeminstri i Kosovës, Albin Kurti, në prag të takimit të 14 shtatorit në Bruksel, ka dhënë një intervistë të gjatë për mediumin e njohur gjerman “Duetche Welle”.

    Kurti për DW ka folur për shumë tema, përfshirë dialogun me Serbinë, takimin e radhës në Bruksel dhe masat e BE-së. Në intervistën e gjatë, Kurti ka vlerësuar se masat e BE-së po e dëmtojnë Kosovën.

    Tutje, shefi i ekzekutivit vlerësoi se BE ka dëmtuar dialogun me masat ndëshkuese ndaj Kosovës.

    “Këto janë sanksione të cilat po na dëmtojnë neve, po na dëmtojnë sa i përket marrëveshjes se Stabilizim Asociimit, po na dëmtojnë sa i përket kredive dhe granteve dhe po na dëmtojnë sa i përket takimeve të nivelit të lartë. Merreni me mend, ministrit tim Nenad Rashiq i është anuluar takimi në Bruksel. Ai është serb nga Kosova, ministër në qeverinë time për fushveprimtarinë e komuniteteve dhe kthimit. Por, ata nuk i kanë quajtur sanksione, por i kanë quajtur masa në mënyrë që mos të jenë të detyruar ti votojnë në Bashkimin Evropian. Po t’i hidhnin në votim, jam i bindur që shumica dërmuese e shteteve nuk do të ishin për, por e kanë përdorur një metodë të konsensusit të heshtur me një email që është dërguar nga Brukseli dhe na i kanë vendosur masat.” – theksoi Kurti.

    “Tavolina në Bruksel në këtë mënyrë është dëmtuar dhe dialogu është dëmtuar me këto masa dhe unë besojë që sa më parë që të hiqen ato është mirë edhe për Bashkimin Evropian që prezanton vlera edhe për Kosovën që ka nevojë për zhvillim.” – shtoi Kurti

    Ndërsa, emisari amerikan për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Gabriel Escobar, si disa ditë me parë presidenti francez, Emanuel Macron, ka paralajmëruar dy vendet se do të këtë pasoja nëse nuk shënojnë përparim në kuadër të dialogut.

    Escobar për Zërin e Amerikës, ka përmendur si masa ndëshkuese ndaj Kosovës, çështjen e njohjeve të reja, konferencë donatorësh, dialogun strategjik me SHBA-në, dhe marrëdhëniet më të afërta me NATO-n.

    “Tashmë po fillojmë t’i shohim pasojat. Megjithëse Kosova i quan sanksione, ato nuk janë vërtet sanksione – masat që BE-ja ka vendosur, për të mos vazhduar me disa nga mekanizmat e anëtarësimit, janë mjaft serioze. Edhe për Serbinë, do të jetë po kështu. Por, për Kosovën – mundësitë për njohje të reja, për konferencë donatorësh, për dialog strategjik dypalësh me Shtetet e Bashkuara dhe për një marrëdhënie të afërt me NATO-n. Fatkeqësisht, nëse nuk shënojmë përparim, do ta humbim këtë (mundësi) këtë vit. Edhe për Serbinë do të jetë shumë e ngjashme. Bashkimi Evropian do të dëshirojë të shohë shenja më të qarta nga Serbia se është e interesuar ta zbatojë këtë marrëveshje të normalizimit ndërkohë që vendos për përparimin e Serbisë në rrugën e saj drejt integrimit.” – ka thënë Escobar.

  • Çitaku për takimin në Bruksel: Për herë të parë Kosova është pala e sanksionuar në përballje me Serbinë

    Çitaku për takimin në Bruksel: Për herë të parë Kosova është pala e sanksionuar në përballje me Serbinë

    Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka folur për takimin që do të mbahet ndërmjet kryeministrit, Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiqit.

    Ajo ka thënë se për herë të parë Kosova shkon në dialog si palë e sanksionuar nga aleatët.

    Çitaku ka thënë se krejt kjo po ndodhë për shkak të qasjes së papërgjegjshme dhe avantureske të kryeministrit, Albin Kurti.

    “Sot, Kryeministri duhet të sillet përgjegjëshëm. Kosova është më e rëndësishme se egoja e tij”, ka shkruar ndër të tjera ajo në Facebook.

  • Kaçanik: Një person lëndohet në vendin e punës

    Kaçanik: Një person lëndohet në vendin e punës

    Është lënduar një person në vendin e punës në Kaçanik. Sipas policisë, ai ka marrë lëndime në gishtin e dorës.

    Personi i lënduar është dërguar për trajtim mjekësor në QKUK. Rasti në hetime.

    “Kaçanik 13.09.2023 – 12:45. Raportohet se viktima mashkull kosovar derisa kishte qenë duke punuar në një punëtori, kishte pësuar lëndime në gishtin e dorës. Lidhur me rastin në vendngjarje kanë dalë njësitë policore dhe inspektorati i punës. Personi i lënduar është dërguar për trajtim mjekësor në QKUK. Rasti në hetime”, thuhet në njoftimin e policisë.

  • Kuvendi sot mban dy seanca

    Kuvendi sot mban dy seanca

    Kuvendi i Kosovës sot (e enjte) mban dy seanca.

    Seanca plenare është paraparë për në ora 10:00 dhe në rend ditë ka edhe votimin e Poropozim-Rezolutës për punën dyvjeçare të Qeverisë së Kosovës.

    Ndërsa nga ora 14:00 është paraparë të mbahet seanca e jashtëzakonshme, ku do të ketë “debat parlamentar lidhur me dështimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për sigurimin e teksteve shkollore për nxënësit e nivelit të arsimit fillor dhe arsimit të mesëm të ulët për vitin shkollor 2023/2024”.

  • Dy të maskuar plaçkitin një person në Prishtinë

    Dy të maskuar plaçkitin një person në Prishtinë

    Të mërkurën rreth orës 03:48, një burrë ka raportuar në Polici se dy persona të maskuar nën kërcënimin e armës së gjatë i kanë grabitur para.

    Sipas raportit 24-orësh të Policisë, të dyshuarit pas kryerjes së veprës janë larguar me veturë nga vendi i ngjarjes.

    “Lidhur me rastin janë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për procedura të mëtejme hetimore”, thuhet në raport.

  • Të shtëna me armë zjarri në Prishtinë, i dyshuari në arrati

    Të shtëna me armë zjarri në Prishtinë, i dyshuari në arrati

    Dy burra kanë njoftuar policinë se pas një mosmarrëveshjeje, një person i panjohur ka shtënë me armë zjarri.

    Policia tha se rasti ka ndodhur të mërkurën në fshatin Buei të Prishtinës, rreth orës 13:50.

    Sipas njoftimit, pas hetimeve të zhvilluara është identifikuar i dyshuari ku është bërë bastisja në shtëpinë dhe objektet përcjellëse të tij, dhe gjatë kontrollit në veturën e të dyshuarit është gjetur dhe sekuestruar një gëzhojë.

    “I dyshuari ndodhet në arrati, ndërsa me rastin janë duke u marrë njësitë kompetente policore për procedura të mëtejme hetimore”, thuhet në raportin 24-orësh të PK-së.

  • Me urdhër të Speciales i konfiskohet telefoni vëllait të Salih Mustafës

    Me urdhër të Speciales i konfiskohet telefoni vëllait të Salih Mustafës

    Me urdhër të Speciales i është konfiskuar telefoni Arben Mustafës, vëllait të ish-komandant Calit. Këtë për KosovaPress e ka konfirmuar avokati i Mustafës, Betim Shala, sipas së cilit klienti i tij nuk ka kryer ndonjë vepër penale e as pengim të administrimit të drejtësisë.

    Ai ka bërë të ditur se telefoni i është konfiskuar sot në bazë të dyshimit për kryerje të veprës penale të pengimit të drejtësisë.

    “Po, i është konfiskuar telefoni. Ekziston dyshimi i kryerjes së veprës penale dhe është bërë në bazë të urdhëresës së gjykatës së Dhomave të Specializuara. Bëhet fjale për pengim të drejtësisë. Prokuroria do të bëjë ekzaminimin këtij telefoni dhe në bazë të rezultateve do të rezultoi a mbështetët ai dyshim apo jo, për çka unë besoj që nuk ka me u vërtetu ai dyshim. Aq sa kam unë informata nuk besoj që klienti im Arben Mustafa ka kryer ndonjë vepër penale, por as pengim të drejtësisë”, ka thënë Shala.

    Në dhjetor të vitit të kaluar Gjykata Speciale e ka dënuar në shkallë të parë Salih Mustafën më 26 vjet burg pasi është shpallur fajtor për akuzat për krime të pretenduara të luftës.

  • Kurti takon ambasadorin e Francës, flasin për takimin e sotëm në Bruksel

    Kurti takon ambasadorin e Francës, flasin për takimin e sotëm në Bruksel

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi mbrëmë një takim me Ambasadorin e Francës në Kosovë, Olivier Guerot.

    Ambasadori Guerot e uroi Kryeministrin për kandidaturën e suksesshme për organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030 dhe ofroi ndihmën dhe përvojën e Francës nga organizimi i këtyre lojërave në vitin 1993.

    Kryeministri e mirëpriti gatishmërinë e Francës për mbështetje dhe tha që ne synojmë të mësojmë nga Franca dhe të bashkëpunojmë për organizim sa më të mirë.

    “Në takim u diskutua edhe për marrëdhëniet bilaterale, çështjet aktuale dhe për takimin e nesërm të nivelit të lartë në Bruksel, pritjet nga ai takim dhe për rëndësinë e zbatimit të plotë, të shpejt dhe pa kushte të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të saj”, thuhet një njoftimin e qeverisë.

  • ShBA: Kosova dhe Serbia të marrin seriozisht obligimet nga Marrëveshja për normalizim

    ShBA: Kosova dhe Serbia të marrin seriozisht obligimet nga Marrëveshja për normalizim

    Shtetet e Bashkuara kërkojnë nga Kosova dhe Serbia që të marrin seriozisht obligimet e tyre që dalin nga Marrëveshja për normalizimin e raporteve.

    Një zëdhënës i Ambasadës amerikane në Prishtinë tha për Radion Evropa e Lirë se në mesin e obligimeve përfshihet edhe themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

    “Ne i kërkojmë Kosovës dhe Serbisë që të marrin seriozisht obligimet e tyre që dalin nga Marrëveshje për normalizim, të cilët e kanë arritur më herët gjatë këtij viti dhe të nisin të lëvizin përpara edhe në obligimet ekzistuese dhe të mëhershme të dialogut dhe të Marrëveshjes së Ohrit, përfshirë themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, tha zëdhënësi i Ambasadës amerikane.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 14 shtator do të takohen në Bruksel, në kuadër të dialogut për normalizimin e raporteve.

     

     

    Nga ambasada thanë se SHBA-ja vazhdon “ta mbështesë fuqishëm dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja si një mënyrë për të arritur raporte paqësore dhe produktive mes Kosovës dhe Serbisë”.

    Sipas agjendës së paralajmëruar, Kurti dhe Vuçiq do të diskutojnë për zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve, por edhe për çështje aktuale.

    Këtë marrëveshje Kosova dhe Serbia e arritën në shkurt në Bruksel, ndërkaq në mars në Ohër u pajtuan për aneksin e zbatimit të saj.

    Marrëveshja prej 11 nenesh nuk përfshin njohjen reciproke për të cilën insiston Kosova, por kërkon nga Kosova dhe Serbia që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat.

    Takimi i 14 shtatorit do të jetë i teti mes Kurtit dhe Vuçiqit. Në shtatë takimet e kaluara, ata nuk kanë nënshkruar asnjë marrëveshje, përfshirë edhe atë për normalizim në shkurt, e cila është arritur vetëm gojarisht.

    “Angazhimi konstruktiv dhe përpjekjet në mirëbesim nga Kosova dhe Serbia do të sjellin përfitime të qëndrueshme për qytetarët, përfshirë rritjen ekonomike dhe do të sigurojnë stabilitet afatgjatë rajonal”, tha zëdhënësi i Ambasadës amerikane.

    Disa ditë para takimit të Brukselit, Kurti bisedoi me të dërguarin e e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Esocobar, “për rëndësinë e zbatimit të shpejtë dhe të plotë të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të saj”.

    Ndërkaq, në një intervistë për Zërin e Amerikës, Escobar tha më 13 shtator se nuk kishte marrë kurrfarë zotimi nga Kurti për zbatimin e kësaj marrëveshjeje.