ATV

Author: G.O.

  • Debati për librat, Dreshaj: Përgjegjësit duhet të identifikohet dhe të sillen para drejtësisë

    Debati për librat, Dreshaj: Përgjegjësit duhet të identifikohet dhe të sillen para drejtësisë

    Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Shemsedin Dreshaj deklaroi se përgjegjësit për dështimin e sigurimit të teksteve shkollore, duhet të sillen para drejtësisë. Sipas tij, politika nuk duhet të ngufat vendin dhe as të ketë interferime.

    Në emër të AAK-së tha se ky debati parlamentar për librat është i vonë. Dreshaj në seancë të jashtëzakonshme u shpreh se nuk ka arsyetime për dështim.

    “Arsyetime për dështim nuk ka. Përgjegjësit duhet të identifikohen dhe të sillen para drejtësisë, kushdo qofshin ata. Ju përkujtoj që politika nuk është për të penguar dhe për të ngulfatur vendin, por është për të ndihmuar dhe për t’i larguar pengesat eventuale. A ka pasur interferime? Po ka pasur. Bie fjala në një tekst të vitit të parë shkollor, për të cilin është prononcuar edhe Nagavci. Ju përkujtoj që recensioni mund të jetë pozitiv apo negativ, nuk mund të jetë recension i gjatë apo i shkurtër. Janë hallkat që duhet të kalojnë nëpër të. Po ka pasur edhe në vitin e pestë kur është bërë presion që një nga recensentët që ka pasur recension negativ të bëjë pozitiv, ai tekst është publikuar”, deklaroi Dreshaj.

    Sipas tij, pushteti aktual ka premtuar shumë për arsimin, por që një gjë e tillë nuk po ndodhë.

    “A e kemi ditur numrin e nxënësve? Po. A e kemi ditur çmimin e teksteve? Po. A i kemi pasur shtëpitë botuese në kontakt? Po. Dhe çfarë ndodhi, u desh të pritej dhjetë ditë përpara të paraqitet ky problem, që të jetë edhe një ngarkesë për librat dhe për nxënësit tanë që ashtu-ashtu janë të pakënaqur me procesin dhe vendin”, deklaroi ai.

    Në diskutimin e AAK-së me drejtorët e arsimit në komuna, deputeti Shemsedin Dreshaj tha se kanë ardhur në përfundim që ky vendimi i qeverisë konsiderohet i jashtëligjshëm dhe se ka shkaktuar pabarazi sociale.

  • Dumoshi: Po qeverisemi nga njerëz që nuk e duan punëtorin e që na prishën më aleatët

    Dumoshi: Po qeverisemi nga njerëz që nuk e duan punëtorin e që na prishën më aleatët

    Deputetja e LDK-së, Vlora Dumoshi, ka thënë se për herë të parë Kosova është nën sanksione nga miqtë e saj ndërkombëtar që e ndihmuan në shtetndërtim, raporton Ekonomia Online.

    Duke folur për ngritjen e çmimeve e inflacionin e lartë, Dumoshi ka thënë se mbi 70 për qind e qytetarëve janë shprehur se rritja e çmimeve ka vështirësuar jetën e tyre.

    Vendi, sic tha ajo, ka mbetur pa punëtorë dhe po qeveriset nga “njerëz që nuk e duan punëtorin e as mirëqenien”

    “Falë kësaj qeverie jemi nën sanksione nga aleatët tanë, nga ata që na ndihmuan në shtetndërtim. Mbi 70 për qind e qytetarëve janë shprehur se rritja e çmimeve ka vështirësuar jetën e tyre. Sektorë të tërë kanë mbetur pa punëtorë dhe për herë të parë po ikin mjekë, policët e po mbesim pa të rinj. Për herë të parë, Kosova po udhëhiqet nga njerëz që nuk e duan punëtorin e as mirëqenien”.

    “Ky vend ka pasur parti politike dhe në kohën kur VV-ja nuk ka qenë në Kuvend, sot shumica e VV-së kanë qenë nga regjimet e vjetra. Sot ju keni dështuar, në ekonomi dhe shihni çmimet që kemi mbi 50 për qind rritje të shportës familjare”, tha ajo.

  • Haradinaj viziton myftiun Naim Tërnava: I lumtur që e pashë në gjendje të mirë shëndetësore

    Haradinaj viziton myftiun Naim Tërnava: I lumtur që e pashë në gjendje të mirë shëndetësore

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka vizituar sot kreun e Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), Naim Tërnava pasi ky i fundit ka pasur probleme shëndetësore.

    Kështu ka bërë të ditur vetë Haradinaj pas vizitës përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook.

    “Sot pata nderin dhe kënaqësinë që me mikun tim Behgjet Pacolli, në selinë e Bashkësisë Islame të Kosovës të takoj myftiun Naim Tërnava, pas një periudhe të vështirë shëndetësore”.

    “I lumtur që e kam parë në gjendje të mirë dhe shpresoj që shëndeti i tij të vazhdojë të përmirësohet. Faleminderit Myftiut dhe bashkëpunëtorëve të tij për mikpritjen e ngrohtë”, ka thënë Haradinaj.

  • Përfundon takimi trepalësh në Bruksel, Kurti në bisedime për herë të dytë me ndërmjetësuesit evropianë

    Përfundon takimi trepalësh në Bruksel, Kurti në bisedime për herë të dytë me ndërmjetësuesit evropianë

    Ka përfunduar takimi trepalësh në Bruksel mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç me përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Josep Borrell dhe dhe të dërguarit të posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

    Pas kësaj, ka nisur takimi i dytë i Kurtit me ndërmjetësuesit e BE-së, përfaqësuesit të lartë Borrell dhe emisarit për dialogun Lajçak.

    Kurti dhe Vuçiç zhvilluan paraprakisht takime të ndara me diplomatët. Takimet filluan rreth orës 09:00, ndërsa takimi trepalësh, nisi rreth orës 11:00, dhe zgjati afërisht dy orë.

    Sipas njoftimit të BE-së, temë e takimit trepalësh është zbatimi i Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve, e arritur gojarisht mes Kurtit dhe Vuçiçit në muajin shkurt. Do të flitet gjithashtu edhe për çështjen e komunitetit serb që jetojnë në Kosovë.

    Pas përfundimit të takimeve do të ketë një deklaratë për mediat nga Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, i cili do të njoftojë nëse ky takim ishte pozitiv apo jo.

    Borrell postoi në platformën X, e njohur më herët si Twitter, disa foto nga Brukseli ndërsa tha se sot do të shohim nëse ata janë gati të marrin përgjegjësi.

    “Jam duke pritur Presidentin Vuçiç dhe kryeministrin Kurti për një takim të nivelit të lartë të dialogut në Bruksel. Është koha për të filluar zbatimin seriozisht të Marrëveshjes në rrugën e normalizimit. Sot do të shohim nëse janë gati të marrin përgjegjësi”, tha Borrell.

    Analistë të ndryshëm megjithatë, i shohin të pakta mundësitë që edhe kjo përballje të prodhojë rezultatet e shpresuara nga BE-ja e SHBA-ja.

  • Hoxhaj: Kurti po diskuton në Bruksel se si të mbahen zgjedhjet në veri

    Hoxhaj: Kurti po diskuton në Bruksel se si të mbahen zgjedhjet në veri

    Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Enver Hoxhaj deklaroi se në Bruksel diskutohet se si të mbahen zgjedhjet dhe se Kosova është pjesë e menysë. Në proces të dialogut, ai shtoi se vendi është pa aleat dhe pa Uashingtonin. Ai u ka bërë thirrje deputetëve që të shpërbëhet Kuvendi dhe të mos blejnë kohë, ashtu siç po bën pushteti.

    Në seancë plenare, Hoxhaj u shpreh se vendi është në gjendje të jashtëzakonshme.

    “Zotëri Kurti ka ardhur në qeveri me premtimin që e ka marrë barrën e dialogut dhe të një marrëdhënie të vështirë me Serbinë dhe do ta zgjidhë këtë temë më mirë se sa në kohën tonë. Ka thënë që do të ketë dialog jo për Kosovën, por do të ketë dialog me Kosovën. Kosova nuk do të jetë një temë në meny, por Kosova do të jetë një palë në tavolinë. Unë dua të ju them që sot Kosova është pjesë e menysë dhe faqja e fundit e menysë dhe tema kryesore është mbajtja e zgjedhjeve në veri. Ne diskutojmë në Bruksel për atë se si të mbahen zgjedhjet në veri. Kosova po ashtu është në një meny tjetër, dhe në faqen e parë të menysë dhe faqja e parë e menysë është në sanksione të BE-së”, deklaroi Hoxhaj.

    Hoxhaj shtoi se sot në dialog, Kosova është pa asnjë mik dhe aleat dhe se nuk ka fare dialog me Uashingtonin.

    “Sot askush prej Kosovës nuk e thirr askënd në Uashington, në Bruksel, në Londër, në Berlin, në Paris. Nuk ka fare komunikim, fare, as sms, as telefonata, as vizita. Dhe, në këtë lloj dialogu është. Në vend që dialogu t’i shërbente përmbushjes, përmbylljes së shtetësisë tonë e ka bërë Kosovën një çështje të sigurisë evropiane. As paqe, as luftë, as marrëveshje, as përkushtim dhe as zbatim”, shtoi Hoxhaj në sallë plenare.

    Hoxhaj u shpreh se Kurti gjatë qeverisjes së tij ka treguar se nuk guxon të marrë vendime të mëdha.

    “I ftojë të gjithë deputetët e shumicës edhe të opozitës që ne ta shpërbëjmë këtë Kuvend. Neve na duhet një qeveri e re, një lidership i ri, neve na duhet një mandat i ri i këtij institucioni dhe i këtij Kuvendi me qëllim që Kosovën ta kthejmë tek parimet kyçe të dialogut dhe parimet kyçe të dialogut janë marrëveshje obligative ligjore jo bazike, marrëveshje finale jo të përkohshme, marrëveshje për njohje të ndërsjellë dhe jo marrëveshje që është në fakt mosmarrëveshje. Dhe këtë e them se e kam bindjen që në procesin ku është Kosova, unë nuk pres personalisht jo në 2023 apo 2024, por nuk pres për një kohë të gjatë që të arrihet ndonjë marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë për njohje të ndërsjellë. Nuk duhet të blejmë kohë ne si opozitë, nëse qeveria e ka politikën e blerjes së kohë, unë ju ftoj të gjithëve që të mos blejmë kohë, ta shkurtojmë mandatin e këtij Kuvendi”, përfundoi Hoxhaj.

  • Mbi 200 persona të arrestuar në Shqipëri që shpërndanin drogë afër shkollave

    Mbi 200 persona të arrestuar në Shqipëri që shpërndanin drogë afër shkollave

    Autoritetet në Shqipëri i kanë arrestuar 214 persona në kuadër të një operacioni antidrogë, që është zhvilluar të enjten.

    Sipas tyre, 82 persona tjerë janë në kërkim.

    Po këtë ditë janë miratuar vendimet për kryerje të kontrolleve në 356 ambiente.

    Sipas drejtorit të Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, në kuadër të këtij aksioni janë goditur 23 grupe kriminale.

    “Njëzet e tre grupe kriminale që merreshin me shpërndarjen e lëndëve narkotike afër shkollave në lokale dhe blloqe banimi janë goditur në kuadër të operacionit të koduar ‘Tempulli’. Janë sekuestruar lëndë narkotike si, kokainë, heroinë, kanabis sativa, gjithashtu edhe armë zjarri dhe armë të ftohta. Operacioni është shtrirë në Tiranë, Durrës, Korçë, Elbasan dhe Vlorë”, ka thënë ai.

    Operacioni është kryer në të njëjtën kohë, në disa qytete.

    Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Taulant Balla e ka konsideruar alarmues faktin që po rritet numri i të rinjve që përdorin substanca narkotike.

    “Përdorimi i drogave nga të rinjtë po rritet, dhe po ulet mosha e atyre që po përdorin për herë të parë lëndë narkotike, duke e nisur në shkolla. Është shtuar edhe përdorimi i drogave sintetike. Edhe sot gjatë operacionit të Policisë janë zbuluar lloje drogash që për ne ishin të panjohura më parë për ekzistencën e tyre në Shqipëri. Ky është një lloj alarmi për institucionet, prindërit dhe shoqëria duhet të reagojnë së bashku.”

    Balla ka thënë se pikërisht për këtë arsye e ka shpallur një plan të ri masash sigurie në shkolla, në nisje të vitit të ri shkollor.

    Sipas tij, Ministria e Brendshme është e angazhuar për ta vijuar këtë luftë deri në qelizën e fundit.

    Ai ka kërkuar aleancë të gjerë me institucionet e tjera, shkollat, familjen dhe shoqërinë civile për parandalimin e përdorimit të drogës.

    “Do të ketë masa konkrete në terren që të eliminojmë kërcënimin që i vjen shëndetit dhe sigurisë publike nga përdorimi i drogave. Do të bëjmë gjithçka që brenda perimetrit të sigurisë në shkolla grupet kriminale të mos afrohen”, ka deklaruar Balla.

    Ai ka bërë të ditur se shumë shpejt do të publikohen propozimet për ndryshime në Kodin Penal për dyfishim të dënimit për krimet që ndodhin brenda perimetrit të sigurisë në shkolla.

  • Ish-oficeri i ushtrisë britanike thotë se shqiptarët kishin karakter të fortë kombëtar dhe ndjesi të lartë patriotike

    Ish-oficeri i ushtrisë britanike thotë se shqiptarët kishin karakter të fortë kombëtar dhe ndjesi të lartë patriotike

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, dëshmitari i 25-të (me kodin 03724), Douglas Young, ish-oficer i ushtrisë britanike ka thënë se shqiptarët kishin karakter të fortë kombëtar dhe ndjesi të lartë patriotike.

    Këtë deklarim, ai e bëri duke u përgjigjur në kundër-pyetjet e mbrojtjes së Selimit, avokatit Geoffrey Roberts, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    “Nga marrëdhëniet e mia të zgjeruara me shqiptarët dhe veteranët e UÇK-së ishte pjesërisht nga psikologjia kombëtare dhe karakteri kombëtar që ata dëshironin që forca e tyre të shihej si e nderuar dhe përfaqësues të fitores kombëtare, dua të them se kishin karakter të fortë kombëtar dhe ndjesi të lartë patriotike”, tha dëshmitari Young.

    Këtë e tha si arsyetim se pse kishte thënë se pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dëshironin të shiheshin si ushtri e organizuar.

    Kurse, si arsye të parë ai tha se kishte që UÇK-ja të prezantohej në mënyrë sa më të mirë para organizatave ndërkombëtare në mënyrë që të demonstronin legjitimitet dhe të ekzagjeronin nivelin e organizimit në krahasim me çka ishte në realitet për të inkurajuar shtetet të ndihmonin UÇK-në.

    Po ashtu, dëshmitari Young tregoi se sa i përket komunikimit kishte qenë dëshmitar se ushtarët nuk kishin pasur radio-lidhje dhe se ishin shkrepur plumba në ajër dhe me armë pa pushim, sipas tij për të dhënë udhëzimin Komandant Drini për armëpushim.

    Lidhur me pikat e kontrollit, ai tha se personalisht kishte kaluar në dy prej tyre por se kishte parë edhe të tjera.

    Në anën tjetër, i pyetur për deklarimin e mëparshëm se kolegu i tij kishte takuar “10-shin”, ai tha se nuk kishte qenë në njohuri se kush ishte apo nëse ishte një person apo një departament.

    Duke i lexuar pjesë të deklaratës së dëshmitarit në TPNJ u tha se kishte deklaruar se kolegu i tij e kishte njohur “10-shin” si përfaqësuesin e shefit të inteligjencës apo se në raportin për incidentin të misionit verifikues kishte thënë se kolegu njohu shefin e operacioneve sekrete të UÇK-së.

    Dëshmitari sërish u pyet për takimin e tij me Fatmir Limaj, ku dha detaje se fillimisht kishte qenë takimit me Skenderin, i cili i udhëzuar nga Komandant Drini i kishte çuar në vendtakim në Trepezë.

    Ai tha se në atë takim i njëjti kishte qenë me qëndrimin se Komandat Drini iu kishte dhënë qasje te personi në fjalë, por se aty kishte qenë i vetëdijshme se kishte të bënte me një nivel më të lartë dhe mbi Komandant Drinin.

    Young tha se para se të largohej nga takimi, kolegët e tij i kishin informuar se personi që takuan ishte Fatmir Limaj – Komandat Çeliku.

    I njëjti sqaroi se ai takim ka qenë me mosmarrëveshje pasi sipas tij Limaj i kishte thënë se Young ka simpati ndaj serbëve dhe kishte përmendur personin e zhdukur, andaj sipas tij nuk ishte e kuptueshme që të kthehej nga makina për të verifikuar identitetin e tij.

    Sipas tij, shqetësuesi ishte edhe fakti se po përballej me një person që nuk ishte nën kontrollin e Komandat Drinit dhe se ai ishte ndjerë i pasigurt.

    Dëshmitari tha se ky person po fliste në emër të niveleve më të larta dhe qartësisht iu kishte thënë se personi tanimë është nën kontroll të Shtabit të Përgjithshëm dhe se sipas tij i binte se negociatat e deritanishme me Komandant Drinin nuk kishin vlerë.

    Ndërkaq, i pyetur nëse asnjëherë s’kishte pasur dyshime se ai ishte personi që i ishte thënë se ishte, dëshmitari tha se ai kishte pasur njohuri të mëparshme për llojet e operacioneve që personi ishte i përfshirë në parë dhe se emri përputhej me paraqitjen e tij.

  • OVL-UÇK thërret protestë kundër ZPS-së dhe EULEX-it

    OVL-UÇK thërret protestë kundër ZPS-së dhe EULEX-it

    Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Faton Klinaku, ka thënë që Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë dhe EULEX-i janë, duke i shqetësuar familjet e bashkëluftëtarëve dhe familjet e dëshmorëve, duke dërguar pa ”paralajmërim njerëz të panjohur e me kapela në kokë, për gjoja intervistime e duke ua konfiskuar edhe telefonat e tyre personal”.

    Klinaku në një postim në Facebook, ka njoftuar se Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka thirrur protestë kundër ZPS-së dhe EULEX-it, te selia e tyre në Fushë Kosovë, nesër me datë 15 shtator 2023, ora 12:00.

    ”Kjo gjë kështu, siç po bëjnë këta të panjohur për ne, po bëhet në shtetin tonë sikur dikur në kohën e pushtuesit, dhe institucionet tona vetëm po heshtin. Prandaj, duke pasur parasysh këtë, ne thërrasim protestë kundër ZPS-së dhe EULEX-it, te selia e tyre në Fushë Kosovë, nesër me datë 15 shtator 2023, ora 12:00. Ju ftojmë që të merrni pjesë në protestë”, ka shkruar Klinaku.

    Mëngjesin e sotëm EULEX dhe Policia e Kosovës kanë bastisur shtëpinë e ish ushtarit të UÇK-së, Behar Berishës në rrugën Ramë Govori në Prishtinë.

    Berisha ka qenë bashkëluftëtar i Sali Mustafës – Calit.

    Ndryshe, EULEX me urdhër të Dhomave të Specializuara ka sekuestruar telefonat personal të ish-komandantit të Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa – Remit, ish-të burgosurit politik, Nait Hasanit, vëllait të luftëtarit të UÇK-së, Sali Mustafës, si dhe ka bastisur shtëpinë e heronjve Fahri e Bahri Fazliu.

  • Abazi hedh në Kuvend fletushka me mbishkrimin “Zdravo”, kritikon pushtetin

    Abazi hedh në Kuvend fletushka me mbishkrimin “Zdravo”, kritikon pushtetin

    Deputeti Haki Abazi ka thënë se duke folur për Lojërat Mesdhetare që do të mbahen më 2030 Lëvizja Vetëvendosje po synon të largojë vëmendjen nga koordinimi me Listën Serbe dhe Milan Radojçiqin.

    “Shumë kisha dashtë të them fillim të mbarë, kur del partia në pozitë dhe flet për Lojërat Mesdhetare që kanë me u mbajtë në vitin 2030, është duke dashur me humbë vëmendjen prej Radojçiqit. Ka kësi, ka edhe qesi”, tha Abazi, teksa ngriti duart me fotot e aferës ‘Zdravo’.

    “Ka edhe Radojçiq edhe koordinim me ata shokët e juaj që erdhën këtu e nuk guxoni më bë zë”, deklaroi Abazi.

    Ai iu drejtua deputetëve të pozitës dhe kabinetit qeveritar për vazhdimin e mandatit të EULEX-it.

    “Jeni të njëjtit që i vazhdoni mandatin EULEX-it, veturat e të cilëve dikur i keni rrotulluar e ata sot bastisin shtëpitë e ish-ushtarëve të UÇK-së”, theksoi Abazi.

    Abazi ka vazhduar t’i përmend edhe shumë raste tjera si të drejtësisë ashtu edhe të degradimit urban e që sipas tij qeveria i mbyllë sytë.

  • Borrell reagon për takimin trepalësh: Sot do të shohim nëse janë gati të marrin përgjegjësi

    Borrell reagon për takimin trepalësh: Sot do të shohim nëse janë gati të marrin përgjegjësi

    Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, është deklaruar për takimin e sotëm në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimit Evropian.

    Borrelli dhe i dërguari special i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, fillimisht kanë pritur në takim nga ora 9:00, presidentin serb Aleksandar Vuçiq, ndërsa më pas kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

    Në lidhje me këtë pak momente më parë ka dalë me një reagim Borrelli, ku ka thënë se është koha për të filluar zbatimin e marrëveshjes.

    “Është koha për të filluar seriozisht zbatimin e marrëveshjes në rrugën e normalizimit. Sot do të shohim nëse janë gati të marrin përgjegjësi”, shkroi Borrelli.

    Përndryshe, edhe takimi trilateral në mes palëve ka filluar minuta më parë.