ATV

Author: G.O.

  • Lirohet ish-kryeshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqi

    Lirohet ish-kryeshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqi

    Kryeshefi ekzekutiv i Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi, është liruar nga paraburgimi, me vendim të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

    Gjykimi i Krasniqit do të vazhdojë në procedurë të rregullt.

    Mirëpo i njëjti nuk do të lejohet t’i afrohet disa dëshmitarëve të rastit, siç e ka vënë kushtin gjykata, për lirimin e tij nga paraburgimi.

    Krasniqi ishte arrestuar më 19 prill, nën dyshimet për tri vepra penale, të keqpërdorimit të pozitës zyrtare, ushtrimit të ndikimit dhe konfliktit të interesit.

    Rasti përfshin dy kontrata njëburimore në vlerë 3.5 milionë euro.

  • Policia në Pejë identifikon mbi 130 vetura me regjistrim të skaduar

    Policia në Pejë identifikon mbi 130 vetura me regjistrim të skaduar

    Njësia Rajonale e Komunikacionit Rrugor në Pejë nga 11 shtatori ka filluar aktivitetin e tyre me vetura zyrtare me pajisje inteligjente dhe se deri tani ka identifikuar mbi 130 vetura me regjistrim të skaduar.

    Policia në Pejë njofton se gjatë këtyre tri ditëve ka arritur ti identifikoi dhe të procedoi sipas ligjit mbi rregullat në komunikacion mbi 130 kundërvajtës, dhe atë për skadim te regjistrimit te automjeteve.

    Ndërsa në përgjithësi nga 1 shtatori e deri dje (e enjte), njësia policore në fjalë dhe stacionet policore në kuadër të Drejtorisë rajonale të Policisë në Pejë, kanë shqiptuar rreth 3000 flet gjoba për kundërvajtësit në trafikun rrugor.

    “Aktivitete dhe detyra të shumta policore, që janë të planifikuara në kuadër të Njësisë rajonale të komunikacionit rrugor në Pejë, do të vazhdojnë në mënyrë intensive në ditët në vijim, pa asnjë tolerim ndaj secilit kundërvajtës. Krejt kjo në të mirë të rregullimit të komunikacionit, si dhe parandalimit të aksidenteve. Pasi që gjatë muajve që kemi lënë pas aksidentet në komunikacion nuk ishin të paktë me ketë edhe dëmet, lëndimet trupore, por edhe humbje jete”, thuhet në njoftim.

    Policia në Pejë apelon te të gjithë pjesëmarrësit ne komunikacion te respektojnë rregullat dhe shenjat e komunikacionit.

  • Ndihma milionëshe, Hovenier: SHBA e përkushtuar për partneritetin e vazhdueshëm me popullin kosovar

    Ndihma milionëshe, Hovenier: SHBA e përkushtuar për partneritetin e vazhdueshëm me popullin kosovar

    Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeff Hovenier, në profilin e tij zyrtar ka shkruar për marrëveshjen e nënshkruar sot në mes të USAID dhe presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e ku Kosova do të fitojë 34.7 milionë dollarë për avancimin e zhvillimit demokratik dhe ekonomik.

    Hovenier ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të përkushtuara për partneritetin e vazhdueshëm me popullin kosovar.

    “Ne jemi të përkushtuar për partneritetin tonë të vazhdueshëm me popullin kosovar. Sot kemi nënshkruar një marrëveshje me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, për të ofruar një financim shtesë prej 34.7 milionë dollarësh amerikanë në ndihmë për të avancuar zhvillimin demokratik dhe ekonomik të Kosovës”, ka shkruar Hovenier.

  • Kurti: 22 vetura do t’u shpërndahen komunave për t’i realizuar vizitat mjekësore në shtëpi

    Kurti: 22 vetura do t’u shpërndahen komunave për t’i realizuar vizitat mjekësore në shtëpi

    Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka bërë të ditur se 22 vetura të reja do t’u shpërndahen komunave të Kosovës. Kjo sipas tij do të bëhet me qëllim që të realizohen vizitat mjekësore në shtëpi për kujdesin ndaj nënave dhe fëmijëve deri në moshën 3 vjeçare.

    Ai ka shkruar se Ministria e Shëndetësisë e ka planifikuar dërgimin e veturave për t’u shërbyer nënave dhe fëmijëve edhe në zonat e thella rurale.

    “22 vetura të reja do t’u shpërndahen komunave për t’i realizuar e shpeshtuar vizitat mjekësore në shtëpi për kujdesin ndaj nënave dhe fëmijëve deri në moshën 3 vjeçare. Ministria e Shëndetësisë e ka planifikuar dërgimin e veturave për t’u shërbyer nënave e fëmijëve edhe në zonat e thella rurale”, ka shkruar Kurti.

  • Marrëveshja mbi 32 milionëshe, Hovenier: Konfirmohet sërish partneriteti i ShBA-së me popullin e Kosovës

    Marrëveshja mbi 32 milionëshe, Hovenier: Konfirmohet sërish partneriteti i ShBA-së me popullin e Kosovës

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe u.d. e drejtoreshës së USAID-it, Kerry Monaghan Hogler, sot kanë nënshkruar marrëveshjen e grantit për objektivat zhvillimore, në vlerë prej mbi 32 milionë eurosh.

    Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, në një fjalë rasti ka thënë se është e duhur që të konfirmohet sërish partneriteti i qëndrueshëm dhe afatgjatë i ShBA-së me popullin e Kosovës, raporton Klan Kosova.

    “Mendoj se është e duhur që të konfirmojmë sërish partneritetin e qëndrueshëm dhe afatgjatë të ShBA-së me popullin e Kosovës”, ka thënë ambasadori amerikan.

    “Ky fond do të mbështesë qëllimet strategjike të ShBA-së për Kosovën siç janë: Avancimin e integrimit të Kosovë në institucionet evropiane dhe euroatlantike, përpjekjen për promovimin e rritjes së përparimit ekonomik dhe përpjekjet për zhvillimin e qeverisjes së mirë”, ka shtuar ai.

    Sipas tij, nga viti 1999, ShBA-ja ka investuar më shumë se dy miliardë dollarë në Kosovë.

  • Keqpërdorime me Fondin e Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor – kërkohet menaxhim e efikasitet nga Ministria

    Keqpërdorime me Fondin e Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor – kërkohet menaxhim e efikasitet nga Ministria

    Sfidat dhe keqpërdorimet me Fondin e Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor, ishin temat e diskutimit në konferencën e organizatave të shoqërisë civile “Të kuptojmë dobësitë e Kosovës në shëndetësi dhe mjedis”, raporton Ekonomia Online.

    Aty u tha se përmes analizave dhe hulumtimeve, koalicioni i OJQ-ve ka hulumtuar mënyra për të forcuar bazën ligjore për trajtim mjekësor jashtë institucioneve publike dhe për të rritur efikasitetin përmes menaxhimit të mirë.

    Ambasadorja Nancy Soderberg, drejtoreshë e Lartë Rezidente, e NDI në Kosovë, tha se është shumë me rëndësi që të gjitha institucionet të punojnë për përmirësimin e shërbimeve për qytetarët. Ajo ka vlerësuar punën që po bëhet, ndonëse tha se duhet edhe më tepër angazhim.

    Për keqpërdorimet në Fondin e Sigurimeve Shëndetësore foli Saranda Ramaj, hulumtuese në Institutin “Columbus”. Sipas saj, 5.5 milionë euro janë shfrytëzuar pa rregull të caktuar dhe për një numër të caktuar të pacientëve.

    “Viti 2014 ka qenë Programi që është bërë i njohur e kur Qeveria e atëhershme për fushatë zgjedhore kishte ndarë 5.5 milionë euro për fëmijët e asaj kohe që ishin diagnostikuar me Leukemi”.

    “Mungesa e një baze ligjore që ligji apo udhëzimi administrativ e parasheh secili detaj, bëri që këto 5.5 milionë euro të shfrytëzoheshin pa rregull të caktuar dhe për një numër të caktuar të pacientëve dhe kur të shpenzoheshin këto mjete, pacientët dhe fëmijët do të përballeshin sërish me probleme”.

    Zarko Krtiniq, koordinator i Programit  në OJQ “Aktiv”, tha se në Serbi këtë shërbime ofrohen nga Fondi, i cili ofron kompensim monetar për trajtim dhe analiza për të gjitha ata që ofrojnë dëshmi.

    “Në Serbi shërbimi ofrohet nga Fondi dhe ka një marrëdhënie të shkëlqyer me organizata të ndryshme. Pacientët mund të shkojnë në Britani të Madhe e ShBA dhe trajtimi duhet të pranohet nga një komision vlerësues i mjekëve”.

    “Në Serbi është e mundshme që për një individ të marrin kompensim monetar për trajtime dhe analiza që janë kryer nëpër spitale private, por për t’i plotësuar kushtet duhet ta bëjnë një listë. Ka një listë të gjatë të pritjes por që shteti mund të jap shërbime më efikase”.

    Viona Bunjaku, zyrtare e Monitorimit në Lëvizjen “FOL”, tha se në vitin 2022 ShSKUK kishte shpenzuar mbi 24 milionë euro dhe këto shërbime ishin dhënë në kuadër të 251 kontratave të nënshkruara.

    “Sa i përket ankesave të operatorëve ekonomik në OShP, në vitin 2021 dhe 2022, ishin adresuar 21 ankesa nga operatorët ekonomik”, tha ajo.

    “Në vitin 2022 ShSKUK kishte shpenzuar mbi 24 milionë euro dhe këto shërbime ishin dhënë në kuadër të 251 kontratave të nënshkruara për vitin 2022. Sa i përket planit të prokurimit për vitin 2022, ShSKUK gjatë vitit 2022 kishte planifikuar t’i nënshkruante vetëm 9 kontrata të prokurimit por që në fund kishin rezultuar të ishin rreth 248 kontrata të nënshkruara”.

    Valon Fana, Gazetar në Internews Kosova, tha se nënshkrimi i Udhëzimit është lajm shumë i mirë, në mënyrë që pacientëve t’u mundësohet të trajtohet ku ata duan.

    “Lajmi i mirë është se udhëzimi administrativ është nënshkruar së fundmi por që është një problem të programit për trajtim jashtë vendit, pra që u lihet pacientëve në dorë spitalin se ku duan të trajtohen. Gjatë punës njëvjeçare kemi bërë debate e materiale dhe të gjitha këto rekomandime e keni edhe në raportin”.

    E kryetarja e Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Fatmire Kollçaku, tha se kanë hartuar një varg rekomandimesh për Ministrinë e Shëndetësisë.

    Sipas saj, ka pasur shumë pengesa për shkak të ndërrimit të shumë ministrave, raporton EO.

    “Ne si deputet në këtë mandat pas gjetjeve të auditorit, e kemi hartuar disa rekomandime për MSh ku janë listuar defektet dhe si e shohim llogaridhënien që ka munguar. Janë ndërruar disa ministra sepse ne rekomandonim por u ndërronin ministrat. Ne nuk e kemi asnjë mjet në Fond dhe krejt mjetet nga Fondi i sigurimeve bëhet nga buxhetit i shtetit”, tha ajo.

  • Haradinaj: Kurti duhet të dorëhiqet dhe ta kthejë mandatin te populli

    Haradinaj: Kurti duhet të dorëhiqet dhe ta kthejë mandatin te populli

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se situata e krijuar pas dështimit të djeshëm në Bruksel, me tendencë të thellimit të krizës, me pasoja të rënda për popullin e Kosovës, kërkon reflektim urgjent nga Kurti dhe qeveria e tij.

    Në një shkrim në Facebook, Haradinaj ka kërkuar që Kurti të dorëhiqet dhe ta kthejë mandatin te populli.

    “Këtë veprim duhet ta bëjë edhe nëse ai mendon se është në rrugë të drejtë. Ai obligohet ta pyes popullin se çka mendon për veprimet e tij. Në demokraci zgjedhjet janë përgjigja më e mirë”, ka theksuar kreu i AAK-së.

    Sipas tij, në rast të mungesës së reflektimit të Kurtit, “mbetet përgjegjësi e ne të tjerëve, të bashkohemi e të veprojmë urgjent për ta dërguar vendin në zgjedhje, duke e shkarkuar Kurtin përmes mocionit të mosbesimit”.

    “Është koha ta pyesim popullin se si të dalim nga kjo gjendje e rrezikshme”, përfundon reagimi i ish-kryeministrit Haradinaj.

  • ​Zelensky do të takohet me Biden në Shtëpinë e Bardhë javën e ardhshme

    ​Zelensky do të takohet me Biden në Shtëpinë e Bardhë javën e ardhshme

    Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky pritet të vizitojë Shtëpinë e Bardhë javën e ardhshme, ku do të takohet me presidentin amerikan Joe Biden, sipas raportimeve.

    Disa media amerikane raportuan lajmin, duke cituar një zyrtar amerikan, por nuk dhanë një afat kohor të saktë apo detaje të mëtejshme, shkruan aa.

    Këshilli i Sigurisë Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë nuk dha një përgjigje, transmeton KosovaPress.

    Zelensky do të jetë në Nju Jork javën e ardhshme për të marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, ku pritet të zhvillojë disa takime dypalëshe duke përfshirë takimin me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres për të diskutuar përpjekjet për të kthyer marrëveshjen e Detit të Zi.

    Zelensky vizitoi Uashingtonin në dhjetor për takime me Biden dhe për t’iu drejtuar një sesioni të përbashkët të Kongresit, ku ai falënderoi ligjvënësit amerikanë për ndihmën ndaj vendit të tij.

    Biden bëri një vizitë të paralajmëruar në Kiev në shkurt dhe të dy u takuan për herë të fundit në korrik në margjinat e samitit të NATO-s në Vilnius, Lituani.

    Gjatë vizitës së tij në Uashington, Zelensky pritet të vizitojë gjithashtu Capitol Hill-in në një kohë kur Biden po i kërkon Kongresit të miratojë më shumë se 24 miliardë dollarë ndihmë ushtarake dhe humanitare për Ukrainën.

  • Edhe Zveçani anëtarësohet në Asociacionin e Komunave të Kosovës

    Edhe Zveçani anëtarësohet në Asociacionin e Komunave të Kosovës

    Zveçani është qyteti i katërt në veri të Kosovës që është bërë pjesë e Asociacionit të Komunave të Kosovës.

    Lajmin e ka bërë të ditur Lëvizja Vetëvedosje, partia në pushtet në Kosovë, e cila ka thënë se iniciativa për diçka të tillë është marrë nga asamblistët e saj në Kuvendin komunal.

    Të njëjtin vendim e kanë marrë ditë më parë edhe Mitrovica e Veriut, Leposaviqi dhe Zubin Potoku – të gjitha komuna të banuara me shumicë serbe.

  • Kurti: Takimi pa rezultat shkaku i një kushtëzimi të Serbisë

    Kurti: Takimi pa rezultat shkaku i një kushtëzimi të Serbisë

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se takimi në Bruksel s’ka pasur asnjë rezultat për shkak të kushtëzimit të Serbisë për themelimin e Asociacionit.

    Pas takimit me presidentin Vuçiq, Kurti para mediave tha se kanë propozuar plan të sekuencuar për zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe të Ohrit, ndërkaq pala serbe s’kishte asnjë propozuar por kushtëzonte me themelim të Asociacionit.

    “Kam propozuar një udhërrëfyes të senkuencuar për zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe të Ohrit. Nuk ka mundur të ketë kompromis me një propozim me sekuencë dhe një kushtëzim të vjetër. Kur unë kërkova që ta shoh propozimin që ka dhënë Serbia se mu tha se ka një të tillë, ndërmjetësit nuk ishin në gjendje të sjellin. Kushtëzim i Serbisë se njëherë duhet të zbatohet Asociacioni dhe pastaj eventualisht mund të kalojmë në zbatimin e marrëveshjes bazë”, tha ai.

    Ai kritikoi edhe Lajçakun për rolin e tij si ndërmjetësues në dialog.

    “Është për të ardhur keq që Lajcak ka pranuar një kushtëzim të tillë dhe këtë e ka bërë në cenim të rolit të tij si lehtësuar dialogun”, tha Kurti.