ATV

Author: G.O.

  • OKB-ja paralajmëron për rrezik të sëmundjeve në Libinë e përmbytur

    OKB-ja paralajmëron për rrezik të sëmundjeve në Libinë e përmbytur

    Kombet e Bashkuara kanë paralajmëruar se shpërthimi i ndonjë sëmundjeje në Libi mund ta përballë këtë vend me “krizë të dytë shkatërruese”, pas një jave të vërshimeve masive, të cilat e kanë shkatërruar qytetin bregdetar Derna dhe i kanë lënë mijëra njerëz të vdekur.

    Zyrtarët lokalë, agjencitë e ndihmës dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë “janë të shqetësuara për rrezikun e përhapjes së sëmundjeve, kryesisht për shkak të ujit të kontaminuar dhe mungesës së kanalizimeve”, kanë thënë Kombet e Bashkuara.

    Vërshimet i kanë lënë të vdekur rreth 3.300 persona dhe mijëra të tjerë vazhdojnë jenë të zhdukur, prej kur stuhia Daniel ka zbarkuar në këtë shtet më 10 shtator.

    Dhjetëra mijëra banorë të traumatizuar tani janë të pastrehë dhe në nevojë të madhe për ujë të pijshëm, ushqime dhe produkte bazike, teksa rriten rreziqet për diarre, dehidrim dhe kequshqyerje, kanë paralajmëruar agjencitë e OKB-së.

    Ekipet e shpëtimit nga disa vende evropiane dhe arabe janë në kërkim të trupave nën rrënoja.

    “Nuk kam marrë asgjë përveç syzeve dhe telefonit, dhe kam ikur derisa uji merrte gjithçka”, ka thënë Abdel Moneim Awad al-Sheikh, 73-vjeçar, i cili është zgjuar nga gjumi në orët e para të mëngjesit nga britmat dhe sasia e ujit.

    Ai i ka ikur katastrofës duke u ngjitur bashkë me gruan në çatinë e shtëpisë.

    Prej rrëzimit të udhëheqësit Muammar Gaddafi më 2011, Libia është ndarë në mes të dy qeverive rivale, të cilat janë përfshirë disa herë në konflikte.

    Kryeministri Abdul Hamid Dbeibah e udhëheq Qeverinë e Unitetit Kombëtar në Tripoli dhe gëzon mbështetjen e Kombeve të Bashkuara.

    Osama Hamad, kryeministër në lindje, udhëheq një administratë rivale të njohur si Shtëpia e Përfaqësuesve./REL/

  • Hidhet poshtë mocioni i mbrojtjes së Shalës për rrëzimin e akuzës për vrasje të paligjshme

    Hidhet poshtë mocioni i mbrojtjes së Shalës për rrëzimin e akuzës për vrasje të paligjshme

    Trupi gjykues në çështjen kundër Pjetër Shalës ka hedhur poshtë mocionin e mbrojtjes për rrëzimin e akuzës për vrasje të paligjshme.

    Mbrojtja e Shalës kishte dorëzuar mocion për të rrëzuar pikën e katërt në aktakuzë, që është ajo për vrasje të paligjshme. Vendimi i trupit gjykues është marrë më 15 shtator.

    Seancat në këtë çështje gjyqësore do të vazhdojnë më 20 shtator në Gjykatën Speciale në Hagë ku do të fillojë paraqitja e provave nga mbrojtja e të akuzuarit.

    Gjykimi kundër ish-pjesëtarit të UÇK-së ka filluar në shkurt të këtij viti ndërsa ai po mbahet në qendrën e paraburgimit në Hagë prej marsit të vitit 2021.

    Sipas Speciales “Krimet për të cilat akuzohet z.Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999 kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës(Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

    Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021 nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill të atij viti, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

  • Bllokuan autostradën, gjobiten shoferët e autobusëve

    Bllokuan autostradën, gjobiten shoferët e autobusëve

    Policia e Kosovës, gjatë patrullimit në autostradën “Ibrahim Rugova”, ka hasur në pesë autobus të ndaluar dhe parkuar në shiritin për ndalje emergjente, me ç`rast janë gjobitur të gjithë shoferet.

    Sipas njoftimit, shoferet të cilët janë gjobitur janë larguar nga ai lokacion.

    “Njësia për kontroll të Autostradave gjatë patrullimit në Autostradën Ibrahim Rugova në afërsi të daljes në Suharekë kanë hasur në 5 (pesë) Autobus të ndaluar/parkuar në shiritin për ndalje emergjente, me ç‘rast janë gjobitur të gjithë shoferet si dhe janë larguar nga ai lokacion”, thuhet në njoftimin e policisë.

  • Vetura godet për vdekje një këmbësor në Drenas, arrestohet ngasësja e automjetit

    Vetura godet për vdekje një këmbësor në Drenas, arrestohet ngasësja e automjetit

    Një veturë e ka goditur një person rrugën “Xhevat Dogani” në Drenas, ku si pasojë e lëndimeve të rënda i njëjti ka vdekur.

    Rastin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosvoës, Flora Ahmeti, e cila tregoi se vdekjen e tij e ka konstatuar ekipi mjekësor në QKUK.

    Ahmeti shtoi se ngasësja e automjetit të përshirë në aksident është arrestuar.

    “Rreth orës 10:40  kemi pranuar informatën se në rrugën “Xhevat Dogani”-Drenas, ka ndodhur një aksident trafiku me pasoja fatale. Në këtë aksident kanë qenë të përfshirë, një  këmbësor dhe një veturë në lëvizje. Si pasojë e aksidentit lëndime të rënda trupore kanë pësuar këmbësori, i cili nuk ka arritë të përballojë plagët dhe i njëjti  ka ndërruar jetë”, u shpreh Ahmeti.

    “Vdekjen e tij e ka konstatuar ekipi mjekësor në QKUK. Aktualisht policia ka nisë një hetim për zbardhjen e rrethanave që kanë quar deri te ky aksident trafiku, ndërkohë që ngasësja e automjetit të përfshirë në aksident është arrestuar”.

  • Osmani: Mërgata në SHBA ka qenë forcë shtytëse e shumë proceseve historike për Kosovën

    Osmani: Mërgata në SHBA ka qenë forcë shtytëse e shumë proceseve historike për Kosovën

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, po qëndron në New York, ku është takuar me shoqata të shumta shqiptare që veprojnë në këtë vend.

    Osmani potencoi se mërgata jonë në SHBA ka qenë forcë shtytëse e shumë proceseve historike për Kosovën, përfshirë lirinë e pavarësinë tonë.

    “Kënaqësi të takoj shoqata të shumta shqiptare që veprojnë në New York, nën organizimin e aktivistit të mërgatës sonë Mark Gjonaj”, shkroi Osmani.

  • ASK: Vetëm në korrik 150 çifte i dhanë fund martesës së tyre

    ASK: Vetëm në korrik 150 çifte i dhanë fund martesës së tyre

    Vetëm gjatë muajit korrik të këtij viti, 150 çifte i kanë dhënë fund martesës së tyre.

    Por në këtë muaj nuk pati vetëm ndarje, pasi që brenda dhe jashtë Kosovës, gjatë këtij muaji janë regjistruar gjithsej 1 mijë e 289 kurorëzime. Të dhëna këto të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK).

    “Në muajin korrik 2023 janë regjistruar gjithsej 1 289 kurorëzime , brenda dhe jashtë Kosovës. Kurse shkurorëzime të ndodhura në Kosovë janë regjistruar 150 raste”, thuhet në njoftimin e Agjencës së Statistikave të Kosovës.

  • Incidentet në finalen e Superkupës, reagon KB Trepça

    Incidentet në finalen e Superkupës, reagon KB Trepça

    Finalja e Superkupës së Kosovës në basketboll ndërmjet Pejës dhe Trepçës u përshkua nga incidente të shumta nga tifozët e pranishëm në palestër.

    Për këto incidente ka reaguar fituesi i Superkupës, Trepça që ka dënuar ashpër dhunën në palestër.

    Ja reagimi i plotë:

    Klubi i basketbollit Trepça shpreh shqetësimin për disa episode jo të mira gjatë dhe pas finales së Superkupës së Kosovës në basketboll, Trepça – Peja, e zhvilluar të dielën në Suharekë.

    Klubi i basketbollit Trepça angazhohet maksimalisht për sjellje të dinjitetshme të të gjithë akterëve në ndeshjet e basketbollit, duke përfshirë shikuesit në tribuna. Në të njëjtën kohë klubi ynë dënon sjelljen e disa individëve të caktuar, që mundohen të kamuflohen brenda grupeve të tifozëve, që i bëjnë dëm klubit tonë, imazhit të klubit dhe basketbollit në përgjithësi.

    Jemi të përkushtuar që të luftojmë dukuritë negative dhe nga ndeshja e ardhshme do të ketë masa të rrepta ndaj atyre individëve që me veprimet e tyre bien ndesh me misionin e klubit dhe basketbollit Kosovar.

    Gjithë tifozët i urojmë për suksesin e arritur dhe në të njëjtën kohë i lusim për kujdes që të distancohen nga individët që me veprimet e tyre i sjellin dëme klubit tonë.

  • Hoti: Raportimi i Kurtit është vajtim dhe dëshmi e paaftësisë për të udhëhequr dialogun

    Hoti: Raportimi i Kurtit është vajtim dhe dëshmi e paaftësisë për të udhëhequr dialogun

    Raportimin e kryeministrit Albin Kurti para mediave lidhur me takimin e fundit në Bruksel, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, e ka quajtur “vajtim dhe dëshmi e paaftësisë së tij për të udhëhequr këtë proces”.

    Sipas ish-kryeministrit të Kosovës, Kurti po tregon paaftësi që të udhëheq me vizion të qartë dhe insistim vetëm për njohje reciproke, në koordinim me aleatët si dhe me konsensus të brendshëm politik.

    “Fatkeqësisht, Kurti i ka bërë dëm të madh Kosovës duke e degraduar dialogun nga: ‘Dialog për marrëveshje finale, ligjërisht të obligueshme, për njohje reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve’, në ‘Dialog për menaxhim të krizave’. Duhet thënë se krizat janë provokuar nga Serbia, por ato janë menaxhuar keq dhe pa koordinim me aleatët nga ana e Qeverisë së Kosovës”, ka shkruar ndër të tjera Hoti.

  • Kurti thotë se pas takimit të Brukselit u ka dërguar letër sqaruese vendeve aleate

    Kurti thotë se pas takimit të Brukselit u ka dërguar letër sqaruese vendeve aleate

    Kryeministri i vendit, Albin Kurti, tha pas takimit në Bruksel u ka dërguar letër sqaruese vendeve aleate të Kosovës.

    Ai tha se një ditë pas dështimit të arritjes së dakordimit për zbatim të marrëveshjes bazike Kosovë-Serbi u ka dërguar letër Berlinit, Parisit dhe Uashingtonit.

    Kurti në konferencë për media kërkoi edhe largimin e masave ndëshkuese ndaj Kosovës, derisa tha se të njëjtat janë të ndërlidhura me situatën në veri dhe jo për zbatimin e marrëveshjes bazë.

  • Afër 3 mijë raste të dhunës në familje për një vit

    Afër 3 mijë raste të dhunës në familje për një vit

    Komisioni hetimor parlamentar në lidhje me rastet e dhunës seksuale dhe dhunës në familje, ka mbajtur mbledhjen konstituive.

    Kryesuesja e këtij komisioni, Albana Bytyqi tha se numri i rasteve të raportuara në Polici për dhunën në familje është mbi 2 mijë, për periudhën 1 korrik të vitit 2022, deri më 30 qershor të këtij viti.

    “Periudha 1 korrik 2022 deri më 30 qershor 2023, numri i rasteve të raportuara në Polici, është 2,735, prej tyre 2,165 gra dhe 559 burra. Mbi 80% e të dyshuarve për dhunë në familje janë burra, ndërsa 20% e tyre janë gra, nga kjo statistikë bie që në çdo pesë persona të dyshuar si kryes të dhunës në familje, katër prej tyre janë burra dhe një është grua”, tha Bytyqi.