ATV

Author: G.O.

  • Vdes një burrë në Viti derisa po shuante një zjarr fushor

    Vdes një burrë në Viti derisa po shuante një zjarr fushor

    Një person është dërguar pa shenja jete në emergjencën e Vitisë, pasi i njëjti derisa kishte qenë duke e fikur një zjarr fushor i ishte keqësuar gjendja shëndetësore.

    Sipas policisë, viktima ishte pranuar në emergjencë pa shenja jete, vdekjen e të cilit e ka konstatuar mjeku kompetent.

    “Njësitë relevante policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe janë duke e hetuar rastin. Me urdhër të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në raportin 24 orësh të policisë.

  • Ministri Krasniqi raporton në Komisionin e Mbikëqyrjes së Financave Publike

    Ministri Krasniqi raporton në Komisionin e Mbikëqyrjes së Financave Publike

    Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike, sot do të mbajë mbledhje, në të cilën do të shqyrtohet raporti i auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit lokal, për vitin 2022 e ku i ftuar është Elbert Krasniqi, ministër i MAPL-së.

    Në këtë mbledhje do të bëhet edhe shqyrtimi i Raportit të auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për vitin 2022, ku i ftuar është Bordi i ZRRE-së.

    Po ashtu sot bëhet edhe shqyrtimi i Raportit të Punës së Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, për sesionin pranveror 2023 dhe shqyrtimi dhe miratimi i Planit të Punës së Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, për sesionin vjeshtor 2023.

  • Lajçaku takohet me Cholletin e Escobarin: Kemi të njëjtin lexim të situatës në Ballkan – jemi në një linjë

    Lajçaku takohet me Cholletin e Escobarin: Kemi të njëjtin lexim të situatës në Ballkan – jemi në një linjë

    Emisari special i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, ka takuar këshilltarin e lartë të Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, dhe emisarin special të ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

    Lajçak pas takimit tha se është gjithnjë i dobishëm rikonfirmimi se ShBA-ja dhe BE-ja e kanë të njëjtin lexim të situatës në Ballkanin Perëndimor.

    “Gjithmonë e dobishme e të rikonfirmojmë se ne ndajmë të njëjtin lexim të situatës në Ballkanin Perëndimor dhe ne jemi në të njëjtën linjë në lidhje me rrugën përpara”, shkroi Lajçak.

    Këto deklarata të Lajçakut vijnë vetëm një ditë pas konferencës së kryeministrit të vendit, Albin Kurti, i cili akuzoi atë për njëanshmëri ndaj Serbisë në kuadër të dialogut.

    Për këtë, Kurti bëri të ditur dje se i ka nisur letër zyrtare Uashingtonit, Berlinit, Parisit e Romës.

    Kurti në këtë deklaratë para mediave tha se këto akuza nuk janë për BE-në si institucion, por për emisarin Lajçak.

    “Unë nuk do të thosha që ka pasur koordinim të BE-së me Serbinë, por emisari special i BE-së ka pasur koordinim me presidentin e Serbisë, sepse nuk shpjegohet ndryshe fakti që fshihet mungesa e propozimeve të Serbisë e shpërfillen propozimet tona”, u shpreh kryeministri.

    Ai tha më tej Serbia nuk ka bërë asnjë propozim veç një dokument kushtëzues.

    “Ne kemi besuar që kompromiset që i formulonte Lajçaku janë mes dy propozimeve të Kosovës dhe Serbisë por po del që kanë qenë vetëm deformim të propozimeve tona. Paradoksalisht Serbia e ka bërë përfaqësues Lajçakun”, tha Kurti.

    E lidhur me kritikat ndaj Kurtit, reagim ka ardhur edhe nga Departamenti Amerikan i Shtetit.

    DASH vlerësoi të hënën ato që i quajti përpjekje të palodhura të Përfaqësuesit të Posaçëm të Bashkimit Evropian Miroslav Lajçak në bisedimet Kosovë-Serbi

    Komentet erdhën si përgjigje ndaj një kërkesë të Zërit të Amerikës për një reagim rreth pohimeve të Kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, i cili akuzoi Lajçakun për njëanshmëri e qëndrime kundër Prishtinës, në takimin e javës së kaluar mes palëve.Reklama

    Kryeministri Kurti tha se u kishte dërguar letra mbi këtë çështje vendeve kryesore perëndimore ndërsa akuzoi Lajçak ndër të tjera për “deformim të procesit”.

    Në përgjigjen drejtuar Zërit të Amerikës zëdhënësi i DASH-it nuk konfirmoi apo mohoi nëse letra kishte mbërritur në Uashington, por tha se:

    “Ne (SHBA) mbetemi të angazhuar ngushtë me Kosovën, Serbinë dhe partnerët e BE-së në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Falënderojmë dhe njohim përpjekjet e palodhura të Përfaqësuesit të posaçëm të BE-së, Miroslav Lajçak”.

    Po kështu zëdhënësi i DASH-it shprehte zhgënjimin mbi mungesën e përparimit në takimin e 14 shtatorit, duke shtuar se dialogu i lehtësuar nga BE-ja është e vetmja rrugë përpara për Kosovën dhe Serbinë.

    “Ne presim që të dy vendet t’i marrin seriozisht detyrimet e tyre sipas marrëveshjes mbi rrugën drejt normalizimit, që arritën në fillim të këtij viti. Koha po mbaron. Ne duam të shohim përparim në detyrimet ekzistuese dhe të mëparshme bazuar tek dialogu (i lehtësuar nga BE-ja) dhe marrëveshja e Ohrit, përfshirë themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe”.

    Zëdhënësi i DASH-it e përfundoi reagimin e tij duke shtuar se Uashingtoni është plotësisht i bashkuar me vendet e partnere të Kuintit në mbështetjen që i jep procesit të dialogut. Ai tha se SHBA-të do të konsultohet si brenda ashtu edhe me partnerët e tyre evropianë mbi hapat e ardhshëm.

  • Osmani takohet me Cholletin e Escobarin, flasin për dialogun e nevojën për de-përshkallëzim

    Osmani takohet me Cholletin e Escobarin, flasin për dialogun e nevojën për de-përshkallëzim

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka takuar këshilltarin e Lartë të Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, dhe të dërguarin special të ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

    Në takimin me Chollet e Escobar, Osmani bëri të ditur se u diskutua për zhvillimet në dialog me Serbinë.

    “Theksova rëndësinë e një qasjeje parimore për zbatimin e plotë dhe të balancuar të marrëveshjeve dhe se roli i ShBA-së është kyç për të përfunduar procesin, duke i hapur rrugë njohjes reciproke”, shkroi Osmani.

    Ndërsa, në njoftimin e tij, Chollet tha se me Osmanin patën diskutim të mirë mbi përkushtimin e përbashkët për të ardhmen euro-atlantike të Kosovës e nevojën për të de-përshkallëzuar tensionet.

    “Diskutim i mirë me presidenten Vjosa Osmani, mbi përkushtimin tonë të përbashkët për të ardhmen euro-atlantike të Kosovës, nevojën për të de-eskaluar tensionet dhe për t’u angazhuar urgjentisht në dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë – çelësi i stabilitetit rajonal dhe i integrimit në Bashkim Evropian”, shkroi Chollet.

    Kujtojmë se Osmani ka udhëtuar në ShBA në kuadër të sesionit të 78-të të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara.

  • Kurti takon ambasadorin e ri të Austrisë, i tregon për situatën në veri të vendit

    Kurti takon ambasadorin e ri të Austrisë, i tregon për situatën në veri të vendit

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mirëpriti sot Ambasadorin e ri të Austrisë në Kosovë, George Schnetzer.

    I uroi mirëseardhje ambasadorit Schnetzer. Teksa vuri theksin te marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet dy shteteve dhe popujve dhe te mbështetja e vazhdueshme e Austrisë për Kosovën, dhe ai i ofroi ambasadorit bashkëpunim të afërt në thellim të mëtejmë të raporteve ndërmjet Kosovës dhe Austrisë.

    Kryeministri veçanërisht falënderoi Austrinë për mbështetjen në rrafshin e sigurisë me mbi 600 trupa në kuadër të KFOR-it në Kosovë dhe për 14 programet e Agjencisë Austriake për Zhvillim, ndër to ajo në fushën e arsimit dhe aftësimit profesional, ku qeveria këtë vit e ka çuar në 12 numrin total të profileve të arsimit dual bazuar në modelin “Ausbildung” nga katër sa ishin në vitin e kaluar.

    Ambasadori Schnetzer shprehu mirënjohjen e tij për mikpritjen që e ka pranuar në Kosovë. Biseduan për trendin pozitiv të shkëmbimeve tregtare ndërmjet dy shteteve. Eksportet e Kosovës në drejtim të Austrisë sivjet janë rritur për 71.7% , kurse ato të shërbimeve për 120% në krahasim me vitin e kaluar. Ndërkaq, investimet direkte nga Austria në Kosovë në dy vitet e fundit kanë shënuar një rritje për 11.6%.

    Ambasadori i ri i Austrisë në Kosovë, veçoi interesimin e tij që të angazhohet në fushën e bashkëpunimit kulturor.

    Në takim po ashtu u bisedua edhe për situatën aktuale dhe zhvillimet e fundit në vend dhe rajon.

  • Presidentja Osmani takon Presidentin e Kenisë

    Presidentja Osmani takon Presidentin e Kenisë

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila po qëndron në New York ku po mbahet sesioni i 78-të i Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, ka zhvilluar një takim me presidentin e Kenias, William Ruto.

    Në këtë takim, Presidentja Osmani e ka falënderuar homologun Ruto pas vendimit të Kenias për njohjen e pasaportave të Republikës së Kosovës dhe në të njëjtën kohë ka shtruar nevojën e thellimit të marrëdhënieve diplomatike në të mirë të qytetarëve dhe shteteve.

    “Mezi presim ndërmarrjen e hapave të përbashkët që do t`i afrojnë tutje vendet dhe popujt tanë”, ka theksuar Presidentja Osmani.

    Në takim, ndër të tjera u diskutua edhe për mundësinë e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Kenias, si dhe nxitjen e shkëmbimeve tregtare dhe ekonomike.

    Presidentja Osmani në një pjesë të takimit foli edhe për përkushtimin e Kosovës për zhvillim të qëndrueshëm dhe mundësinë e nismave të përbashkëta në fusha të tilla si energjia e rinovueshme dhe ndryshimet klimatike.

  • Italia miraton masa më të ashpra kundër migrantëve

    Italia miraton masa më të ashpra kundër migrantëve

    Qeveria e Italisë ka miratuar të hënën një paketë me masa të ashpra për ta kufizuar migrimin e paligjshëm përmes Mesdheut, pas një fluksi me mijëra migrantë në javën e kaluar.

    Për pasojë janë stërngarkuar qendrat e imigrimit.

    Kabineti i kryeministres italiane, Giorgia Meloni, ka vendosur që ta rrisë periudhën maksimale të ndalimit nga gjashtë muaj në 18 të tillë.

    Periudha e shtuar është e nevojshme për të vërtetuar nëse një person ka të drejtë të qëndrojë në Itali, apo të dëbohet menjëherë prej qendrave të ndalimit.

    Përveç kësaj, Ministria e Mbrojtjes së Italisë, do të krijojë “struktura” për t’i ndaluar migrantët që kanë hyrë në Itali ilegalisht.

    Disa burime kanë thënë se të gjithë pjesëmarrësit në takim kanë qenë të të njëjtit mendim për ashpërsim të rregullave për migrantët.

    Ditëve të fundit, mijëra migrantë kanë kaluar në ishullin italian në Lampedusas, pas një udhëtimi të gjatë me anije nga Afrika.

    Vetëm të martën e javës së kaluar, më shumë se 5.000 persona kanë arritur në këtë ishull mes Sicilisë dhe Afrikës së Veriut – rekord brenda 24 orëve.

    Meloni ka thënë se një qasje më e ashpër është e domosdoshme. Në të njëjtën kohë, ajo u ka shpallur luftë bandave të kontrabandistëve.

    “Lufta kundër migrimit masiv dhe trafikantëve është luftë për Italinë dhe për Evropën”.

    Lufta kundër migrimit të paligjshëm ka qenë një prej zotimeve kryesore të Melonit në fushatë parazgjedhore.

    Ajo është në krye të politikave italiane qe 11 muaj.

    Të dielën ishullin Lampedusa e vizitoi presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Ajo tha se migrimi ilegal është sfidë e Evropës dhe se duhet “përgjigje evropiane”.

  • Fëmija 3 vjeç tërhiqet zvarrë nga edukatoret e çerdhes në Fushë-Kosovë, familja thonë se edhe u rrah brutalisht

    Fëmija 3 vjeç tërhiqet zvarrë nga edukatoret e çerdhes në Fushë-Kosovë, familja thonë se edhe u rrah brutalisht

    Një fëmijë tre vjeç është rrahur nga edukatoret e çerdhes “Gëzimi Ynë” në Fushë-Kosovë. Kështu së paku pretendon një qytetar me emrin Fatos Geci, raporton Ekonomia Online.

    Siç tregon ai, fëmija 3 vjeçar është tërhequr zvarrë nga një edukatore dhe më pastaj edhe është rrahur keq.

    Familjarët kanë publikuar edhe video nga keqtrajtimi. E, nga fotografitë e publikuara shihet se i vogli ka marrë edhe lëndime nëpër duar.

    “Nipi im ka pësuar trauma të rënda psiçike dhe nuk mund të flejë më, nipi po përjeton një ankth të madh”, shkruan ndër të tjerash Fatos Geci.

    Ai ka kërkuar nga organet kompetente që të merren seriozisht me rastin.

    “Kërkoj nga organet e drejtësis të bëjnë punën e tyre. IDIOTEVE dhe mostrave të tilla duhet t’i jepet fund një herë e përgjithmonë. Le të jetë rasti i fundit i dhunës ndaj fëmijëve”, ka shkruar ai.

  • 10 vjet nga vrasja e policit të EULEX-it

    10 vjet nga vrasja e policit të EULEX-it

    Para 10 vitesh një pjesëtar i misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit, është vrarë në veriun e Kosovës, më 19 shtator 2013.

    Audrius Senavicius, doganieri 35-vjeçar lituanez, ishte vrarë në afërsi të Zveçanit nga persona të armatosur.

    Senavicius ka shërbyer në misionin e EULEX-it prej gushtit 2012.

    Ai ka lënë pas vete gruan dhe dy fëmijë.

  • Rritja e numrit të aksidenteve në trafik, Dedaj: Kjo Qeveri s’po shqetësohet për këto aksidente me fatalitet

    Rritja e numrit të aksidenteve në trafik, Dedaj: Kjo Qeveri s’po shqetësohet për këto aksidente me fatalitet

    Pesë persona kanë vdekur gjatë vikendit dhe dhjetëra të tjerë janë lënduar si pasojë e aksidenteve të trafikut në Kosovë. Të dhënat e policisë tregojnë se vetëm gjatë të shtunës dhe të dielës janë raportuar 109 aksidente trafiku , prej të cilave, 41 prej tyre me të lënduar dhe 65 të tjera me dëme materiale.

    Nol Dedaj, ekspert i komunikacionit në një lidhje të drejtpërdrejt për emisionin “A LIVE”, tha se duhet të krijohet një strategji për siguri rrugore, në mënyrë që të krijohet siguria në trafik.

    “Qeveria s’po shqetësohet dhe organet përkatëse nuk janë të shqetësuar për këto aksidente që po ndodhin. Nuk po ndërmerret asgjë që të parandalohen aksidentet në trafik në Kosovë. Nuk kemi strategji për siguri rrugore. Të gjitha shtetet ë bëjnë strategjinë 10-vjecare dhe e parashohin hap pas hapi se cilat janë at elemente që I parandalojnë këto aksidente. Ne e kemi pasur një strategji rrugore 2010-2020, edhe aty është shkruar se 50 për qind e aksidenteve rrugore do të zvogëlohen me marrjen e këtyre masave por në fakt kjo përqindje është rritur sepse nuk ka qenë e zbatueshme fare kjo strategji dhe pastaj as sot nuk kemi një strategji të tillë”, tha Dedaj.

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme: