ATV

Author: G.O.

  • Shpërthim në Mitrovicë të Veriut

    Shpërthim në Mitrovicë të Veriut

    Një shpërthim ka ndodhur mbrëmë rreth orës 22:40 në “Lagjen e Boshnjakëve” në Mitrovicë të Veriut.

    Lajmin e ka konfirmuar zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për Veriun e Mitrovicës, Veton Elshani, i cili tha se shpërthimi dyshohet të jetë shkaktuar nga një granatë dore.

    Elshani tutje u shpreh se përveç disa dëmeve, nuk ka pasur të lënduar nga ky shpërthim.

  • Ministria e Ekonomisë mban konferencë për media në lidhje me subvencionimin e pajisjeve efiçiente për ngrohje

    Ministria e Ekonomisë mban konferencë për media në lidhje me subvencionimin e pajisjeve efiçiente për ngrohje

    Ministria e Ekonomisë me rastin e lansimit të “Thirrje për subvencionim të pajisjeve efiçiente për ngrohje” të financuar nga Bashkimi Evropian (BE), mban konferencë për medie.

    Në njoftimin për media nga kjo ministri thuhet se konferenca do të mbahet para objektit të Ministrisë së Ekonomisë duke filluar nga ora 11:30.

  • Weber për dialogun: Presionet s’do të sjellin dobi, Kosova me paraqitje jostrategjike

    Weber për dialogun: Presionet s’do të sjellin dobi, Kosova me paraqitje jostrategjike

    Bodo Weber, bashkëpunëtor i lartë i Këshillit për Politikat e Demokratizimit në Berlin të Gjermanisë, ka komentuar situatën aktuale në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, i cili ndërmjetësohet nga ana e Bashkimit Evropian.

    Në një koment për REL, Weber vlerësoi se qasja e ndërmjetësuesve e ka shtyrë Prishtinën t’u thotë jo “disa propozimeve të tyre”.

    Tutje, ai ka theksuar se në Kosovë ka një kombinim mes paraqitjes fatkeqe dhe jostrategjike.

    “Këtu kemi një kombinim të paraqitjes fatkeqe dhe jostrategjike të autoriteteve të Prishtinës, si dhe arsyen e justifikueshme të pakënaqësisë me kornizën e përgjithshme të negociatave dhe me qasjen e negociatorëve perëndimorë. Kështu që, çdo mënyrë e presionit që është ushtruar ndaj Prishtinës, duke filluar nga vendosja e sanksioneve, vetëm sa i ka hedhur vaj zjarrit”, deklaroi Weber.

    Sipas Ëeberit, vazhdimi i presioneve nuk do të sjell dobi.

    “Kam frikë se do të shohim vazhdimin e bllokadës dhe vazhdimin e presioneve, të cilat nuk do të sjellin dobi deri në vitin e ardhshëm. Kam frikë se, përfundimisht, në kryeqytetet perëndimore do ta pranojnë se i gjithë ky kapitull aktual i bisedimeve politike apo dialogut politik, si dhe e gjithë kjo qasje që ka nisur me iniciativën gjermano-franceze, nuk ka pasur sukses, por ka dështuar.” – thotë Weber.

  • 25 vjet nga rënia e Fehmi dhe Xhevë Lladrovcit

    25 vjet nga rënia e Fehmi dhe Xhevë Lladrovcit

    Sot bëhen 25 vjet nga rënia heroike e komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Fehmi Lladrovci dhe bashkëshortes së tij, Xhevë Krasniqi-Lladrovci, po ashtu njëra ndër luftëtarët e para të UÇK-së.

    Çifti Fehmi e Xhevë Lladrovci, ishin ndër figurat më emblematike të organizimit dhe luftës për liri në Kosovë, të cilët ranë më 22 shtator të vitit 1998, në një betejë të vështirë e të pabarabartë me forcat serbe, pas një qëndrese heroike të Fehmiut, Xhevës dhe luftëtarëve tjerë të UÇK-së në fortesat e ngritura në Çiçavicë.

    Bashkë me ta ra edhe studentja, Fatime Hetemi dhe shumë dëshmorë të tjerë. Fehmi Lladrovci ishte komandant i Brigadës 114 të UÇK-së, emrin e të cilit do ta mbajë kjo brigadë. Në sheshin e Drenasit janë vendosur shtatoret e dëshmorëve Fehmi dhe Xhevë Lladrovci.

    Më rastin e shënimit të 25 vjetori të rënies së heronjve të kombit, Fehmi Lladrovci, Xhevë Krasniqi – Lladrovci dhe dëshmorëve tjerë të renë më 22 shtator të vitit 1998, sot duke filluar nga ora 11:00 në sheshin “Fehmi Lladrovci”, do të bëhen homazhe pranë shtatoreve të tyre dhe do të vendosen buqeta lulesh.

    Pastaj homazhet do të vazhdojnë edhe në varrezat e dëshmorëve të fshatit Gllanasellë duke filluar nga ora 11:30.

  • ATK-ja shqipton gjoba 3.1 milionë euro ndaj bizneseve

    ATK-ja shqipton gjoba 3.1 milionë euro ndaj bizneseve

    Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) në kuadër të aktiviteteve për luftimin dhe parandalimin e evazionit tatimor, ka realizuar 25 mijë 407 aktivitete te bizneset, të cilat kanë rezultuar me 3.1 milionë euro gjoba.

    Gjatë periudhës janar-gusht, ATK ka kryer 166 aktivitete për shmangie tatimore, prej tyre janë hapur 19 raste nën dyshimin e shmangies tatimore.

    “Këto aktivitete janë zhvilluar në linjë me objektivat e përcaktuara në Strategjinë e Përmbushjes 2022-2026, ku pavarësisht pjesës së kampanjave sensibilizuese, tek të cilat është relevante rritja e edukimit tatimor dhe informimi profesional rreth obligimeve që kanë ndaj institucionit tatimor, ATK është e shtyrë që të zbatoj në përpikëri – dispozitat ligjore për çdo tatimpagues, të cilët nuk i binden thirrjeve të vazhdueshme që ju bëhen që t’i kryejnë me kohë dhe saktë detyrimet tatimore”, thuhet në komunikatë.

    Në njoftim thuhet po ashtu se ATK ka përmirësuar kapacitetet e saj për të monitoruar të ardhurat dhe aktivitetet tatimore të bizneseve.

    “Kjo është bërë përmes investimeve në teknologji të reja me ndihmën edhe të partnerëve ndërkombëtarë dhe përdorimit të sistemeve të informacionit për të ndjekur transaksionet tatimore”, thuhet në komunikatë.

    Sipas ATK, rezultatet tregojnë një përpjekje të vazhdueshme për të forcuar sistemin tatimor dhe për të luftuar evazionin tatimor.

  • Autobusi del nga rruga, vdesin dy persona në Mal të Zi

    Autobusi del nga rruga, vdesin dy persona në Mal të Zi

    Një aksident i rëndë ka ndodhur në Mal të Zi.

    Dy persona kanë humbur jetën si pasojë e daljes së një autobusi nga rruga.

    Aksidenti ka ndodhur në qytetin e Obzovicës, në rrugën Budvë-Cetinje.

    Sipas televizionit Vijesti, 17 persona janë të lënduar, të cilët janë dërguar për trajtim në spitalin e Cetinjes, derisa njëri i lënduar rëndë është transferuar në Qendrën Klinike në Podgoricë.

    Raportohet se në autobus gjendeshin 35 udhëtarë, në mesin e tyre nuk kishte fëmijë.

    Shoferi i autobusit është ndaluar nga policia.

    Ai iu tha ekipit mjekësor se kishte ndjerë dhimbje të forta në pjesën e pasme të kokës.

    Më pas ai tha se autobusi kishte goditur mbrojtësen e djathtë të rrugës duke përfunduar në përrockë.

    Televizioni në fjalë raportohet se ekipet emergjente janë në pritje të mjetit për tërheqjen e autobusit nga gremina.

    Sipas atyre aty do të kontrollohet nëse dikush ka mbetur poshtë autobusit si pasojë e aksidentit.

  • Gjykata e Tiranës pranon kërkesën për ekstradimin drejt Hagës të Dritan Goxhaj

    Gjykata e Tiranës pranon kërkesën për ekstradimin drejt Hagës të Dritan Goxhaj

    Gjykata e Tiranës ka pranuar kërkesën për ekstradimin drejt Hagës të ish-luftëtarit të UÇK-së, Dritan Goxhaj.

    Kërkesa e mëparshme e Goxhajt për t’u liruar nga burgu ishte rrëzuar, ndërsa pala mbrojtëse e ka konsideruar gjykimin ndaj tij, si të padrejtë.

    Më 31 korrik, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë deklaroi se Goxhaj do të ekstradohej drejt Kosovës në përfundim të procedurave, shkruan rtsh.

    Dritan Goxhaj u arrestua më 31 korrikut 2023 me urdhërarrest të lëshuar nga Gjykata Speciale.

    Ndaj shoqëruesit të trupave amerikane gjatë Luftës në Kosovë në vitin 1999, Gjykata Speciale ka lëshuar një urdhër-arrest, pasi e akuzon se ka nxjerrë emrat e dëshmitarëve në disa çështje të hapura më parë nga Prokuroria Speciale e Kosovës.

  • Presidentja takon Clintonin dhe Clarkun: Dy heronj, një histori

    Presidentja takon Clintonin dhe Clarkun: Dy heronj, një histori

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka takuar në New York, ish-Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton dhe ish-komandantin e përgjithshëm të forcave evropiane të NATO-s, Wesley Clark.

    Osmani ka publikuar një fotografi me Clinton dhe Clark, të cilët i ka quajtur heronj.

    “Dy heronj, një histori, Kosova në mes!”, ka shkruar Osmani.

    Ndryshe, Osmani po qëndron në New York, ku po mbahet sesioni i 78-të i Asamblesë së Kombeve të Bashkuara.

  • Bëhet publik propozimi franko-gjerman për zgjerimin, këto janë sugjerimet për BE-në

    Bëhet publik propozimi franko-gjerman për zgjerimin, këto janë sugjerimet për BE-në

    Një numër i madh ekspertësh kanë punuar në hartimin e një propozimi franko-gjerman sa i përket zgjerimit të Bashkimit Evropian. Ky raport i 12 ekspertëve, ka marrë edhe përkrahjen e ministreve franceze dhe gjermane, Laurence Bonne dhe Anna Luhrmann.

    Në këtë raport thuhet se zgjerimi i ardhshëm i Bashkimit Evropian do të jetë ndryshe nga ata paraprakë, jo vetëm për shkak të sfidave gjeopolitike që kanë shtuar Ukraina he Moldavia tek grupi i vendeve kandidate.

    “Procesi i anëtarësimit është rishikuar me synimin për ta bërë atë “më të parashikueshëm, më të besueshëm (bazuar në kritere objektive dhe kushte rigoroze pozitive dhe negative, dhe kthyeshmëri), më dinamik dhe subjekt i drejtimit më të fortë politik. Negociatat tani janë ristrukturuar përgjatë gjashtë grupeve në vend të 35 kapitujve individualë dhe vendet kandidate mund të futen në politika dhe programe individuale të BE-së.”, thuhet në këtë dokument.

    Për të ndodhur zgjerimi i ardhshëm i BE-së, ky dokument sugjeron ndërmarrjen e hapave konkret, jo vetëm për ta bërë gati BE-në për zgjerim, por edhe për të ri-dinamizuar procesin e bazuar në merita dhe mbështetjen për tranzicionin e vendeve kandidate.

    Për këtë, Franca dhe Gjermania kanë dhënë sugjerimet e tyre.

    Për rifitimin e besimit, në propozim thuhet se BE-ja duhet të vendos synimin për të qenë gati për zgjerim deri në vitin 2030 dhe që vendet kandidate për anëtarësim duhet të punojnë për të përmbushur kriteret për t’u anëtarësuar në këtë datë.

    “Ky angazhim i ndërsjellë do të rriste besimin në procesin e anëtarësimit që është minuar nga mungesa e angazhimit dhe progresit gjatë viteve të fundit. Ai bën të qartë se nuk ka hyrje të lirë në BE dhe se afati kohor është një objektiv dhe jo një datë e caktuar. Lidershipi i ri politik pas zgjedhjeve evropiane të vitit 2024 duhet të angazhohet plotësisht për këtë qëllim dhe për procesin e reformës që kërkohet për ta arritur atë”, potencon propozimi.

    Tutje thuhet se një Samit i përbashkët me lidershipin politik të gjithë vendeve kandidate gjithashtu do të shtonte një ndjenjë të ripërtrirë të dinamizimit.

    Në dokumentin e publikuar, thuhet se është ende e paqartë nëse do të ketë një “shpërthim” të dytë të anëtarësimit, përmes anëtarësimit “en bloc” [të gjithë përnjëherë në të njejtën kohë], apo përmes “regata” [anëtarësim kur vendi plotëson kushtet dhe jo në grupe], me data të ndryshme pranimi për kandidatë të ndryshëm.

    Për këto të dy opsione, propozimi thotë se ekzistojnë të mirat dhe të këqijat.

    Pritjet për opsionin “en bloc” janë që vendet kandidate të motivojnë dhe mbështesin procesin e reformave të njëri-tjetrit, por thotë se kjo bie ndesh me qasjen e bazuar në merita, që e bën stimulimin e rimti të secilit kandidat për pranimin e tij.

    “Kjo do të thotë se ose më të avancuarit duhet të presin për të ardhurit e vonuar, ose se ata përcaktojnë shpejtësinë e anëtarësimit, që nënkupton pranimin e vendeve që nuk janë ende gati për t’u anëtarësuar”, thuhet në këtë dokument.

    Për qasjen “regatta’ që parasheh anëtarësim në baze të meritave, theksojnë se do të përputhej më mirë me planet për zgjerim, megjithatë thonë se kjo do t’i lejonte shtete anëtare, përfshirë edhe të ardhurit, të bllokojnë pranimin e disa vendeve për shkak të konflikteve dypalëshe.

    Propozimi potencon se një gjë e tillë mund të eleminohet përmes klauzolave në traktatet e tyre të anëtarësimit ku për një periudhë kalimtare ua heq të drejtën për të votuar për zgjerimit e ardhshme për një afat kohor të rëndë dakord bashkërisht.

    “Gjithashtu, pranimi mund të konsiderohet vetëm pasi të zgjidhen konfliktet ndërmjet vendeve kandidate. Duke pasur parasysh këto konsiderata, rekomandimi ynë i dytë është që të ndahen raundet e anëtarësimit në grupe më të vogla vendesh (një “regatë”) në përputhje të plotë me qasjen e bazuar në merita dhe duke marrë parasysh konfliktet e mundshme dypalëshe”, thuhet në rekomandimin e dytë franko-gjerman.

  • Osmani takon Scholz: Partneriteti në mes të Kosovës dhe Gjermanisë është i palëkundur

    Osmani takon Scholz: Partneriteti në mes të Kosovës dhe Gjermanisë është i palëkundur

    Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, është takuar me kancelarin e Gjermanisë Olaf Scholz.

    Takimi ndodhi në New York, në pritjen e organizuar nga Scholz për nder të 50 vjetorin të anëtarësimit të Gjermanisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

    Osmani u shpreh se partneriteti mes Kosovës dhe Gjermanisë është i palëkundur.

    “E urova Kancelarin Scholz për angazhimin gjysmëshekullor të Gjermanisë për paqe, zhvillim dhe bashkëpunim kudo në botë”, tha Osmani.“Jemi krenarë për partneritetin e palëkundur në mes dy vendeve tona, të cilin do të vazhdojmë ta forcojmë tutje!”, theksoi ajo.