ATV

Author: G.O.

  • Eksportet në Kosovë shënojnë rënie drastike, ndërsa rritet deficiti tregtar

    Eksportet në Kosovë shënojnë rënie drastike, ndërsa rritet deficiti tregtar

    Eksporti i mallrave në muajin gusht 2023 në Kosovë ka shënuar rënie drastike. Eksportet kishin vlerën jo më shumë se 67.3 milionë euro ose një rënie prej 20. 7 për qind.

    Të dhënat e raportit të për Statistikat e Tregtisë së Jashtme për muajin gusht tregojnë për një deficit tregtar më të lartë për 3,1 për qind në muajin gusht 2023, në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2022, gjegjësisht në vlerë prej 455,8 milion euro, krahasuar me deficitin 441,9 milion euro në vitin 2022.

    Sipas këtij raporti, eksporti mbulon importin me 12,9 për qind.

    “Eksporti i mallrave në muajin gusht 2023 kishte vlerën 67,3 milion euro, ndërsa importi 523,1 milionë euro, që është një rënie prej 20,7 për qind për eksport, si dhe 0.7 për qind për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2022”, thuhet në raport.

    Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 21,7% e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar; 19,1% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 13,7% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 12,3% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 5,4% e përbëjnë produktet bimore, etj.

    “Ndërsa, sipas të dhënave të grupeve kryesore për import: 16,9% e përbëjnë produktet minerale; 12,6% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 10,8% e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 10,3% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 9,4% e përbëjnë mjetet e transportit; 6,0% e përbëjnë produktet e industrisë kimike; 5,9% e përbëjnë tekstili dhe artikujt prej tij, etj”, bën të ditur ASK.

    Eksportet dhe importet e Kosovës me vendet e BE-së

    ASK njofton po ashtu se eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 20,6 milion Euro, ose rreth 30,7% e eksporteve të përgjithshme, me një rënie prej (-33,4%). Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE ishin: Gjermania (12,3%), Italia (3,3%), Holanda (3,2%), etj.

    Ndërsa, importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 217,0 milion Euro, ose 41,5% e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 1,8%. Importet me pjesëmarrje më të lartë ishin nga: Gjermania (11,8%), Greqia (6,0%), Italia (4,4%), etj.

    Eksportet dhe importet e Kosovës me vendet e CEFTA-s

    Sipas ASK-së, eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s arritën në 26,7 milion Euro, ose 39,8% të eksporteve të përgjithshme, me një rënie prej (-17,1%). Partnerë kryesorë për eksport ishin: Shqipëria (14,3%), Maqedonia e Veriut (13,4%), Mali i Zi (5,4%), Serbia (5,2%).

    Ndërsa, importet nga vendet e CEFTA-s arritën në 73,2 milion Euro, ose 14,0% të importeve të përgjithshme, me një rënie prej (-26,8%). Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Shqipëria (5,5%), Maqedonia e Veriut (4,5%), Serbia (2,1%).

    Eksportet dhe importet e Kosovës me vendet e tjera të botës

    Eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 19,9 milion Euro, ose 29,6%. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport ishin: SHBA (15,9%) dhe Zvicra (8,5%).

    “Ndërsa importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 232,8 milion Euro, ose 44,5%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Turqia (13,0%) dhe Kina (12,7%)”, thuhet në raport.

  • Zyrtari i BE-së tregon kur hiqen masat ndaj Kosovës, përmend shtensionimin e veriut

    Zyrtari i BE-së tregon kur hiqen masat ndaj Kosovës, përmend shtensionimin e veriut

    Sanksionet e vendosura nga Bashkimi Evropian do të hiqen kur institucionet kosovare veprojnë drejtë shtensionimit të situatës në veri dhe në përputhje me rekomandimin e BE-së. Kështu ka bërë të ditur zëvendësshef i seksionit për bashkëpunim në Zyrën e Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, Alessandro Biancardi, raporton Ekonomia Online.

    Ai ka thënë se BE-ja ka miratuar një sërë masash për të bërë të qartë një mesazh dhe ka pezulluar dispozitën për ndihmën e re financiare për Kosovën.

    Ai ka thënë se do të theksojë se ky është një hap i kthyeshëm dhe se shkalla e plotë e ndihmës financiare dhe angazhimit politik të BE-së për Kosovën do të rifillojë sapo qeveria të veprojë në përputhje me rekomandimin e BE-së për shtensionim të situatës në veri.

    “Stabiliteti politik është kyç për të siguruar prosperitetin e Kosovës. Situata aktuale politike na bën thirrje të gjithëve që të fokusohemi në de-përshkallëzimin e tensionit në veri. Në këtë kontekst, BE-ja ka miratuar një sërë masash për të bërë të qartë një mesazh dhe ka pezulluar dispozitën për ndihmën e re financiare për Kosovën. Kjo është thënë, dua të theksoj sërish, se ky është një hap i kthyeshëm dhe shkalla jonë e plotë e ndihmës financiare dhe angazhimit politik do të rifillojë sapo qeveria të japë përshkallëzimin në përputhje me rekomandimin e BE-së. Ne sinqerisht shpresojmë se do të jemi në gjendje t’i lëmë pas shumë shpejt të gjitha këto dhe do të kthehemi në fokusin tonë, në reformat që janë kritike për afrimin e Kosovës drejt BE-së”, ka thënë ai.

    Këto deklarime, ai i ka bërë me rastin e lansimit të “Thirrjes publike për subvencionim të pajisjeve efiçiente për ngrohje”, së bashku me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

  • “Prishtina Parking” vendosë gjoba për parkimet ilegale në hapësirat e rezervuara për persona me nevoja të veçanta

    “Prishtina Parking” vendosë gjoba për parkimet ilegale në hapësirat e rezervuara për persona me nevoja të veçanta

    “Prishtina Parking” ka gjobitur shoferët që kanë zënë hapësirat e rezervuara për persona me nevoja të veçanta.

    Në këshillën publike thuhet që mos të zihen vendet ku me sinjalistikë tregohet se zona është për këtë kategori.

    ”Ju bëjmë thirrje që në asnjë rrethanë të mos parkoni në hapësirat e rezervuara për persona me nevoja të veçanta nesë nuk i takoni kategorisë në fjalë.Bashkëpunimi juaj na ndihmon që të krijojmë ambient gjithpërfshirës në Kryeqyteti PrishtinaKur vëreni se hapësira është me sinjalistikë për persona me nevoja të veçanta, ju lutem e leni të zbrazët atë vend, sepse kjo kategori ka më shumë nevojë se Ju Prioritet si ndërmarrje kemi të mbrojmë hapësirat për këtë kategori që kanë nevojë për qasje sa më të lehtë në parkingje.
    Çdo veprim i juaji duke pasur në konsideratë këto vendparkime, ndihmon një kategori shumë të vlefshme të shoqërisë tonë për qasje më të lehtë në aktivitetet e tyre.
    Kemi rritur në masë të theksuar kapacitetet tona për bllokada dhe për gjobitje, dhe këtu do e mbajmë prioritetin”, thuhet në njoftimin e Prishtina Parking.

  • Dhuna ndaj trevjeçarit/ Kuvendi komunal i Fushë Kosovës mban seancë e jashtëzakonshme

    Dhuna ndaj trevjeçarit/ Kuvendi komunal i Fushë Kosovës mban seancë e jashtëzakonshme

    Keqtrajtimi i një trevjeçarit në çerdhen publike “Gëzimi ynë” në Fushë Kosovë ka bërë që Partitë Opozitare në këtë komunë të thirrin një seancë të jashtëzakonshme. Me ftesë të asamblistëve të PDK-së dhe me mbështetje të atyre të VV-së dhe AAK-së, Kuvendi Komunal i Fushë Kosovës ka mbajtur seancë të jashtëzakonshme.

    Mirsad Qyqalla asamblist i PDK-së në një lidhje direkte për emisionin “A LIVE” tha se gjatë kësaj mbledhjeje u sugjeruan disa rekomandime me të cilat synohet parandalimi I rasteve të tilla në institucionet publike.

    “Ne në vazhdimësi kemi ngritur shqetësimet dhe gjithmonë kemi pasur kërkesa e sugjerime por shumica nga to janë injoruar nga qeverisja aktuale në këtë komunë. Mirëpo ngjarjet e tilla për neve si subjekt politikë dhe çdo akt i dhunës është I papranueshëm kudo që ndodhë ajo mirëpo meqenëse akoma më keq ndodh në një çerdhe publike dhe kemi konstatuar të mblidhemi dhe të debatojmë. Ne si grup parlamentar I kemi sjellë 7-8 rekomandime që kemi besuar se i kontribuojnë edhe ngjarës që ka ndodhur por edhe që ndihmojnë në parandalimin që rastet e tilla të mos përsëriten”, tha ai.

    Tutje derisa Qyqalla përmendi disa nga rekomandimet, ai tha se kanë kërkuar edhe shkarkimin e drejtoreshës së çerdhes./atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • Jasharaj: Ka nevojë për më shumë inspektorë, jo për testim të mësimdhënësve

    Jasharaj: Ka nevojë për më shumë inspektorë, jo për testim të mësimdhënësve

    Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit Shkencës dhe Kulturës (SBAShK), Rrahman Jashraj, ka thënë se ata arsyeshëm e me plot argumente i kanë kundërshtuar tendencat për testim të mësimdhënësve.

    Sipas tij në vend të kësaj duhet të bëhet shtimi i inspektorëve të arsimit.

    “SBASHK-u ka kundërshtuar arsyeshëm dhe fuqishëm e me plot argumente tendencat e individëve e institucioneve për organizimin e testitit me shkrim për njohuritë e punëtorëve të arsimit dhe ka kërkuar vazhdimisht që të shtohet numri i inspektorëve të arsimit, por jo me çfarëdo kuadrosh, po me individë me tituj të lartë arsimor dhe me një përvojë shumë vjeçare në arsim gjatë secilës ai është dëshmuar me arritje e suksese të larta në arsimimin dhe edukimin e brezave”, ka shkruar Jasharaj në një shkrim dërguar mediave.

    Ai ka kritikuar Ministrinë e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), duke thënë se ajo dhe institucionet e tjera duhet ta dinë se detyrat e inspektorëve të arsimit dallojnë nga detyrat e inspektorëve në sektorë të tjerë

    “Një konkurs i dështuar dhe një tjetër ‘i suksesshëm’ i MASHTI-t e i shpallur nga dikush tjetër, vështirë se do të ndihmojë në përmirësimin e cilësisë në arsim. MASHTI dhe institucionet tjera është dashur ta dinë se detyrat e inspektorit të arsimit dallojnë nga detyrat dhe kompetencat e inspektorit të tregut, atij sanitar apo të inspektorit të punës. Teksa këta kanë obligim të monitorojnë dhe të gjejnë lëshimet e shkeljet dhe t’i ndëshkojnë fajtorët. Inspektori i arsimit ka detyrë që të monitorojë punën e punëtorit arsimor dhe të shoh anët pozitive e t’i lavdërojë ato, por edhe të shoh nga afër të metat në punën arsimore të mësimdhënësit dhe pastaj t’i ofrojë atij këshilla konkrete nga përvoja e tij se si të tejkalohen ato të meta me qëllim që mësimdhënësi të jetë edhe më i suksesshëm në punën e përditshme arsimore e edukative me nxënësit”, ka shkruar Jasharaj.

    Sipas tij për ta kryer këtë mision, inspektori arsimor, duhet të jetë me ngritje më të lartë profesionale se mësimdhënësi i monitoruar dhe duhet të ketë përvojë të gjatë në arsim.

    “Ky inspektor nuk guxon të jetë afër ndonjë subjekti politik, por duhet të jetë i dëshmuar se për arsimimin e brezave ka dhënë gjithë kontributin e mundur. Të tillët na duhen në shkolla e në klasë dhe me të tillët do të përmirësohej në vazhdimësi cilësia në arsim sepse mësimdhënësit do të ndihmoheshin që të jenë edhe më të mirë nesër se sa janë sot”, ka shkruar Jasharaj. Në të kundërtën sipas tij, “inspektorë të rekrutuar me ngritje më të ulët arsimore dhe me përvojë e arritje më të vogla se mësimdhënësi që do ta monitorojnë, irriton dhe krijon situata debatesh e përplasjes mes mësimdhënësit dhe inspektorit apo ‘ekspertit të arsimit’, siç mundohet t’i quaj dikush”, ka shkruar Jasharaj.

    Sipas tij me mësimdhënësit duhet komunikuar qetë.

    “Nëse MASHTI ka pasur idenë se duke rekrutuar emra të caktuar individësh si inspektorë të krijojnë kontroll ndaj arsimit dhe t’ua sjellin diellin mbi kokë mësimdhënësve ka gabuar shumë. Me mësimdhënësit duhet komunikuar qetë, pa presione dhe me qëllimin më të mirë që ata të mobilizohen e ndihmohen që të jenë edhe më të mirë e më të suksesshëm në misionin e tyre të shenjtë për arsimimin e edukimin e brezave”, ka shkruar Jasharaj.

  • Vdes ish-ushtari i UÇK-së, Daut Rexha

    Vdes ish-ushtari i UÇK-së, Daut Rexha

    Ka vdekur luftëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Daut Rexha, në moshën 60 vjeçare.

    Kjo është bërë e ditur nga familjarët, teksa varrimi do të bëhet gjatë ditës së shtune në orën 16:00.

    “Me dhimbje të thellë ju njoftojmë se baba jonë, bashkëshorti, familjari, dhe luftëtari i orëve të para të UÇK-së DAUT REXHA, sot ndërroj jetë, në moshën 60 vjeçare”, thuhet në njoftim.

    “Varrimi bëhet nesër (e Shtunë) me datën 23.09.2023 në ora 16:00 me Ikindi në varrezat e Dragodanit. I lehtë të qoftë dheu i Kosovës!”.

  • Rama: 325 familje kanë aplikuar për 70 euro subvencionim për t’i regjistruar fëmijët në çerdhe, kemi ndarë 100 mijë euro

    Rama: 325 familje kanë aplikuar për 70 euro subvencionim për t’i regjistruar fëmijët në çerdhe, kemi ndarë 100 mijë euro

    Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë të ditur se 325 familje kanë aplikuar për të përfituar 70 euro subvencionim nga komuna për regjistrimin e fëmijëve në çerdhe.

    Për këtë qëllim, Rama ka thënë se janë ndarë 100 mijë euro, përkatësisht 125 fëmijë do të mund të regjistrohen në çerdhe falë ndihmës prej 70 euro.

    Aplikimet do të shqyrtohen gjatë javës tjetër.

    “325 familje kanë aplikuar për të përfituar 70 euro subvencionim nga Kryeqyteti për regjistrimin e fëmijëve në Institucione Parashkollore Private. Kemi ndarë 100.000 euro, që i bie 125 fëmijë do të mund të regjistrohen në çerdhe falë ndihmës prej 70 euro nga Kryeqyteti.📆Javën tjetër do të shqyrtohen aplikimet📝e më pas do të publikohet lista e përfituesve. Shumë i lumtur që po e realizojmë edhe një premtim tjetër të fushatës✅”, ka shkruar Rama.

  • Shqyrtohet raporti i auditimit për pasqyrat financiare të ZRrE-së

    Shqyrtohet raporti i auditimit për pasqyrat financiare të ZRrE-së

    Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike ka shqyrtuar raportin e auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) për vitin 2022.

    Në raport të auditimit të paraqitur nga deputetja e AAK-së, Albana Bytyçi doli më pah se auditori ka theksuar tri parregullsi në ZRrE.

    Sipas saj, në raport potencohet se ZRrE-ja nuk ka inkasuar taksat vjetore për disa vite dhe nuk e ka bërë regjistrimin e pasurisë për vitin 2022.

    Mirëpo këtë të fundit e arsyetoi drejtori i bordit të ZRrE-së, Ymer Fejzullahu me krizën energjetike, derisa tha se mosinkasimi i taksës vjetore është për Termokosin.

  • Imazhet satelitore tregojnë rritje të aktivitetit në zonat e testimit bërthamor në Rusi, Kinë dhe SHBA

    Imazhet satelitore tregojnë rritje të aktivitetit në zonat e testimit bërthamor në Rusi, Kinë dhe SHBA

    Rusia, Shtetet e Bashkuara dhe Kina kanë ndërtuar të gjitha objekte të reja dhe kanë hapur tunele të reja në vendet e tyre të testimit bërthamor në vitet e fundit, tregojnë imazhet satelitore të marra ekskluzivisht nga CNN, në një kohë kur tensionet midis tre fuqive të mëdha bërthamore janë rritur në nivelin më të lartë në dekada.

    Ndërsa nuk ka asnjë provë që të sugjerojë se Rusia, SHBA ose Kina po përgatiten për një provë bërthamore të afërt, imazhet, të marra dhe të ofruara nga një analist i shquar në studimet ushtarake të mospërhapjes, ilustrojnë zgjerimet e fundit në tre qendra testimi bërthamore krahasuar me vetëm disa vite më parë.

    Njëri operohet nga Kina në rajonin e largët perëndimor të Xinjiang, një nga Rusia në një arkipelag të Oqeanit Arktik dhe një tjetër në SHBA në shkretëtirën e Nevadës.

    Imazhet satelitore nga tre deri në pesë vitet e fundit tregojnë tunele të reja nën male, rrugë të reja dhe objekte magazinimi, si dhe rritje të trafikut të automjeteve që hyjnë dhe dalin nga zona, tha Jeffrey Lewis, një profesor ndihmës në Qendrën James Martin për Studimet e Mospërhapjes në Institutin Middlebury të Studimeve Ndërkombëtare.

    “Ka vërtet shumë sugjerime që ne po shohim që sugjerojnë se Rusia, Kina dhe Shtetet e Bashkuara mund të rifillojnë testimin bërthamor,” tha ai, diçka që asnjë nga këto vende nuk e ka bërë që kur testimet nëntokësore bërthamore u ndaluan me Traktatin e Ndalimit Gjithëpërfshirës të Testeve Bërthamore të vitit 1996. Kina dhe SHBA nënshkruan traktatin, por nuk e kanë ratifikuar atë.

    Koloneli në pension i Forcave Ajrore të SHBA, Cedric Leighton, një ish-analist i inteligjencës, shqyrtoi imazhet e vendeve bërthamore të tre fuqive dhe arriti në një përfundim të ngjashëm.

    “Është shumë e qartë se të tre vendet, Rusia, Kina dhe Shtetet e Bashkuara kanë investuar shumë kohë, përpjekje dhe para jo vetëm në modernizimin e arsenalit të tyre bërthamor, por edhe në përgatitjen e llojeve të aktiviteteve që do të kërkoheshin për një provë”, tha ai.

    Moska e ka ratifikuar traktatin, por presidenti rus Vladimir Putin tha në muajin shkurt se do të urdhëronte një provë, nëse SHBA-ja lëviz së pari, duke shtuar se “askush nuk duhet të ketë iluzione të rrezikshme se barazia strategjike globale mund të shkatërrohet”.

    Zgjerimet rrezikojnë të ndezin një garë për të modernizuar infrastrukturën e testimit të armëve bërthamore në një kohë mosbesimi të thellë midis Uashingtonit dhe dy qeverive autoritare, thanë analistët, megjithëse ideja e konfliktit aktual të armatosur nuk konsiderohet e pashmangshme.

    “Kërcënimi nga testimi bërthamor vjen nga shkalla në të cilën ai përshpejton garën në rritje të armëve midis Shteteve të Bashkuara nga njëra anë dhe Rusisë dhe Kinës nga ana tjetër,” tha Lewis. “Pasojat e kësaj janë se ne shpenzojmë shuma të mëdha parash, edhe pse nuk jemi më të sigurt.”

  • Ministri Sveçla: Urdhri për hedhjen e granatës mbrëmë në Veri erdhi nga Vuçiqi

    Ministri Sveçla: Urdhri për hedhjen e granatës mbrëmë në Veri erdhi nga Vuçiqi

    Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se hedhja e granatës ushtarake të dorës mbrëmë në veri të vendit u bë me urdhër të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Ai thotë se akti kriminal u bë si shenjë revolte për tre të arrestuarit për krime lufte.

    “Inspirimi, mbështetja dhe urdhri për këtë akt kriminal ka ardhur nga ish Ministri i Propagandës në kohën e Millosheviqit, Aleksandër Vuçiq. Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë. Serbia me në krye Vuçiqin, jo vetëm që nuk e pranon këtë fakt, por glorifikon kriminelët e luftës. Dëshmia e qëndrimit të saj të pandryshuar është vetë planifikimi i aktit të hedhjes së granatës”, ka shkruar Sveçla.

    Deklarata e plotë:

    Krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë do të ndiqen deri në fund ndërsa hedhja e granatës ushtarake të dorës nga grupet kriminale nuk mund të zmbrapsë drejtësinë.

    Nga njësitë relevante të Policisë së Kosovës pas një angazhimi të gjatë e me dyshime të bazuara, janë arrestuar 3 qytetarë serbë për krime të kryera ndaj popullatës civile gjatë luftës në Kosovë. Të njëjtit dyshohet të kenë qenë bashkëpunëtorë në tortura, plagosje, vrasje, dëbim, dhe masakra ndaj shqiptarëve në Vushtrri, fshatrat e saj përreth dhe në Burgun e Smrekovnicës.

    Në shenjë revolte ndaj arrestimit të këtyre personave, si mesazh ndaj drejtësisë sonë dhe me qëllim të shkaktimit të terrorit tek qytetarët tanë, grupe kriminale mbrëmë kanë hedhur granatë dore ushtarake në Lagjen e Boshnjakëve.

    Inspirimi, mbështetja dhe urdhri për këtë akt kriminal ka ardhur nga ish Ministri i Propagandës në kohën e Millosheviqit, Aleksandër Vuçiq. Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë. Serbia me në krye Vuçiqin, jo vetëm që nuk e pranon këtë fakt, por glorifikon kriminelët e luftës. Dëshmia e qëndrimit të saj të pandryshuar është vetë planifikimi i aktit të hedhjes së granatës.

    Kosova do të jetë shtet i së drejtës, i qytetarëve të barabartë ku barazia dhe prosperiteti do të garantohen për të gjithë.