ATV

Author: G.O.

  • Vetëvendosje kërkon tre emra për president nga PDK e LDK: Të jenë jashtë skenës aktuale politike

    Vetëvendosje kërkon tre emra për president nga PDK e LDK: Të jenë jashtë skenës aktuale politike

    Lëvizja Vetëvendosje ka ftuar dy partitë opozitare, Partinë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës, që të propozojnë tre emra për president, duke ofruar të gjitha nënshkrimet e deputetëve të kësaj partie dhe tërheqjen e kandidaturave të Glauk Konjufcës dhe Fatmire Mulhaxha-Kollçakut.

    Në një njoftim të së shtunës, LVV-ja ka bërë të ditur se në mbledhjen e Kryesisë të premten në mbrëmje ka vendosur të ndërmarrë “edhe një hap tjetër me një propozim të ri, konkret dhe përbashkues”.

    Në ftesën drejtuar dy partive opozitare, VV-ja ka theksuar se kandidatët duhet të jenë figura unifikuese, me integritet të lartë dhe jashtë skenës aktuale politike.

    “Ftojmë PDK-në dhe LDK-në që së bashku të propozojnë tre emra, nga të cilët do të mund të zgjidhet Presidenti i ri nga legjislatura e 10-të. Këta tre kandidatë duhet të jenë figura unifikuese, me integritet të lartë qytetar e kombëtar, me kontribut të dëshmuar në jetën profesionale dhe shoqërore, dhe jashtë skenës aktuale politike. Për këta të tre do të siguroheshin së paku 90 nënshkrime të deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Me atë rast, paraprakisht do të tërhiqeshin nga kandidatura Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës Glauk Konjufca e deputetja Dr. Fatmire Mulhaxha-Kollçaku”, thuhet në njoftimin e VV-së.

    Kuvendi ka afat deri më 28 prill për të zgjedhur presidentin, përndryshe Kosova shkon në zgjedhje të reja parlamentare. VV-ja ka thënë se pret përgjigje nga PDK-ja dhe LDK-ja deri të dielën në mbrëmje (26 prill).

    “Një zgjidhje duhet të gjendet, sepse ajo është e mundshme. Duhet të përpiqemi dhe angazhohemi së bashku, sepse është detyrë e jona që buron nga përgjegjësia që na e kanë bartur qytetarët e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

  • Tre të mitur rrahin dhe therin me thikë një person, arrestohen

    Tre të mitur rrahin dhe therin me thikë një person, arrestohen

    Një person në Lipjan është rrahur nga tre të mitur.

    Policia e Kosovës raporton se njëri nga të dyshuarit e mitur viktimën e ka therur me thikë.

    Të dyshuarit janë arrestuar dhe me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje.

    “Lipjan 24.04.2026 – 14:30. Është raportuar se viktima mashkull kosovar, ishte rrahur nga tre persona meshkuj kosovarë të mitur, njëri nga të dyshuarit e ka therë me thikë duke i shkaktuar lëndime trupor. Viktima ka marrë tretman mjekësor. Të dyshuarit janë arrestuar dhe me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje për 24 orë”, njofton PK.

  • Shtrenjtohet dy centë nafta, MINTI publikon çmimet e lejuara për sot

    Shtrenjtohet dy centë nafta, MINTI publikon çmimet e lejuara për sot

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit ka publikuar çmimet tavan të lejuara për sot për derivatet e naftës.

    Nafta sot mund të shitet deri në 1.65, benzina 1.42, ndërsa gazi 0.87.

    Krahasuar me dje, tavani për naftën u rrit për dy centë dhe po kaq u rrit edhe për benzinën.

  • Aksident i rëndë trafiku në Lipjan, katër persona të lënduar

    Aksident i rëndë trafiku në Lipjan, katër persona të lënduar

    Një aksident trafiku me lëndimet të rënda ka ndodhur të premten në Lipjan.

    Policia e Kosovës në raportin 24 orësh bën të ditur se aksidenti ndodhi mes dy veturave dhe si pasojë, dy meshkuj dhe dy femra kanë pësuar lëndime trupore, njëra prej tyre lëndime të rënda.

    “Fsh. Konjuh, Lipjan 24.04.2026 – 15:39. Ka ndodhë një aksident trafiku në mes të dy veturave. Si pasojë e aksidentit, dy meshkuj dhe dy femra kanë pësuar lëndime trupore, njëra prej tyre lëndime të rënda. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori”, njofton PK.

  • Pas raportimeve për të shtëna, 26-vjeçarit në Kaçanik i kapen armë, fishekë dhe thikë

    Pas raportimeve për të shtëna, 26-vjeçarit në Kaçanik i kapen armë, fishekë dhe thikë

    Policia ka intervenuar mbrëmë në një rast në Kaçanik pas raportimeve për të shtëna me armë zjarri.

    Me këtë rast, bëhet e ditur, forcat e rendin kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe gjatë patrullimit, në rrugën “Ismail Raka”, kanë ndaluar një veturë me targa vendore, e cila drejtohej nga një 26-vjeçar me inicialet L.M.

    “Gjatë verifikimit dhe kontrollit të personit dhe automjetit, në brezin e të dyshuarit është gjetur një armë zjarri (pistoletë) me 5 fishekë, si dhe 2 gëzhoja në xhepin e pantallonave.

    Po ashtu, në veturë është gjetur edhe një mjet i mprehtë (thikë).

    Arma, fishekët, gëzhojat dhe thika janë konfiskuar nga ana e policisë. I dyshuari është shoqëruar në stacionin policor në Kaçanik, ku është intervistuar nga njësiti i hetimeve”, thotë policia në një njoftim, transmeton Klankosova.tv.

    Me vendim të prokurorit të shtetit është iniciuar rasti “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, ndërsa i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

  • Ushtria izraelite dhe Hezbollahu akuzojnë njëri-tjetrin për shkelje të armëpushimit

    Ushtria izraelite dhe Hezbollahu akuzojnë njëri-tjetrin për shkelje të armëpushimit

    Në ditët që pasuan njoftimin e presidentit amerikan Donald Trump për zgjatjen trejavore të armëpushimit mes Izraelit dhe Libanit, ushtria izraelite dhe Hezbollah kanë akuzuar disa herë njëra-tjetrën për shkelje të marrëveshjes.

    Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) thonë se shkelja e fundit ndodhi kur Hezbollah lëshoi dronë shpërthyes drejt ushtarëve në jug të Libanit.

    “Ky incident përbën një tjetër shkelje të hapur të marrëveshjes së armëpushimit,” thuhet në deklaratën e IDF-së, duke shtuar se nuk janë raportuar të lënduar.

    Hezbollah tha se kishte sulmuar ushtarët izraelitë dhe dronët pesë herë gjatë pasdites dhe mbrëmjes së së premtes, “si përgjigje” ndaj “shkeljes së armëpushimit” nga Izraeli.

  • Rasti Banjska, Kearns kërkon që tani të dënohen “drejtuesit kryesorë”: Janë brenda qeverisë së Serbisë

    Rasti Banjska, Kearns kërkon që tani të dënohen “drejtuesit kryesorë”: Janë brenda qeverisë së Serbisë

    Dje, Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar Bllagoje Spasojeviq dhe Vlladimir Toliq me burgim të përjetshëm për rastin në Banjskë, ndërsa Dushan Maksimoviq është dënuar me 30 vjet burgim.

    Rreth këtij vendimi ka reaguar deputetja britanike Alicia Kearns, e cila ka kërkuar që tani të dënohen “drejtuesit kryesorë” të sulmit terrorist.

    “Tani, ju lutem, drejtuesit kryesorë. Do t’i gjeni brenda Qeverisë së Serbisë, dhe të tjerë që po fshihen dhe mbrohen nga Qeveria e Serbisë”, ka shkruar ajo.

  • IRIB: Pakistani mund të veprojë si ‘urë’ pasi Irani nuk planifikon të takohet me SHBA-në

    IRIB: Pakistani mund të veprojë si ‘urë’ pasi Irani nuk planifikon të takohet me SHBA-në

    Transmetuesi shtetëror iranian IRIB ka shkruar në Telegram se ministri i Jashtëm, Abbas Araghchi, nuk planifikon të takohet me SHBA-në në Pakistan.

    Sipas tij, Islamabadi mund të shërbejë si një “urë” për të “përcjellë qëndrimin e Iranit për përfundimin e konfliktit”.

    Ndërkohë, Shtëpia e Bardhë kishte deklaruar më herët se po dërgonte të dërguarit Steve Witkoff dhe Jared Kushner në Islamabad, pasi iranianët dëshironin të bisedonin “ballë për ballë”.

    Araghchi mbërriti në Pakistan të premten në mbrëmje – ambasada iraniane në Pakistan ka bërë të ditur se ai planifikon të “rishikojë çështjet dypalëshe” mes Iranit dhe Pakistanit.

    Duke cituar një zyrtar të lartë të qeverisë pakistaneze, ABC News raporton se delegacionet e SHBA-së dhe Iranit do të zhvillojnë takime të ndara me zyrtarët pakistanezë gjatë këtij fundjave.

    Më tej thuhet se, nëse këto takime shkojnë mirë, zyrtarët amerikanë dhe iranianë mund të takohen drejtpërdrejt të dielën.

  • Sot seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit

    Sot seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit

    Kuvendi i Kosovës, sot do të mbajë seancë të jashtëzakonshme

    Në një njoftim për media nga Drejtoria për media dhe marrëdhënie me publikun, bëhet me dije se të shtunën, nga ora 12:00, do të mbahet seancë e jashtëzakonshme plenare.

    Në rend dite janë 5 pika, si në vijim: Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.10/L-045 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 10/L-001 mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2026; Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.10/L-046 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 05/L-096 për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit; Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.10/L-032 për Energjinë Elektrike; Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.10/L-031 për Energjinë; Mocion për Shqyrtimin e dytë të Projektligjit nr.10/L-019 për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, me shmangie nga afatet nga Rregullorja e Kuvendit.

  • Stresi dhe ushqimi i vonë në mbrëmje lidhen me probleme të tretjes

    Stresi dhe ushqimi i vonë në mbrëmje lidhen me probleme të tretjes

    Dihet prej kohësh që stresi kronik mund të prishë funksionin e zorrëve, duke shkaktuar diarre ose kapsllëk. Por një studim i prezantuar në Digestive Disease Week tregon se ngrënia vonë gjatë natës i përkeqëson edhe më shumë këto efekte, ka raportuar MedicalXPress.

    “Nuk ka rëndësi vetëm çka ha, por edhe kur e ha. Dhe kur jemi nën stres, koha e ngrënies mund të japë një ‘goditje të dyfishtë’ për shëndetin e zorrëve”, ka thënë autorja kryesore e studimit Harika Dadigiri.

    Studiuesit kanë analizuar të dhëna nga mbi 11,000 persona për të parë lidhjen mes stresit, ngrënies natën dhe problemeve me zorrët.

    Rezultatet kanë treguar se personat me stres të lartë, që konsumonin më shumë se 25 për qind të kalorive pas orës 21:00, kishin 1.7 herë më shumë gjasa të përjetonin kapsllëk ose diarre.

    Në një tjetër analizë me mbi 4,000 persona, ata që kishin edhe stres të lartë edhe zakon të hanin vonë, kishin 2.5 herë më shumë gjasa të raportonin probleme me tretjen.

    Këta persona kishin gjithashtu diversitet më të ulët të mikrobiomës së zorrëve, baktereve të dobishme që ndihmojnë tretjen dhe shëndetin e përgjithshëm.

    Shkencëtarët mendojnë se kjo lidhet me boshtin zorrë-tru, një sistem komunikimi mes trurit dhe zorrëve që ndikohet nga nervat, hormonet dhe bakteret në trup.

    Kur stresi dhe ngrënia e vonshme kombinohen, efekti negativ mund të jetë më i madh.

    Studimi nuk provon shkak të drejtpërdrejtë, por tregon një lidhje të fortë mes këtyre faktorëve.

    Ai gjithashtu nxjerr në pah rëndësinë e “krononutricionit”, ideja që orari i ngrënies ndikon në mënyrën se si trupi përpunon ushqimin.

    “Nuk jam ‘policia e akullores’. Të gjithë duhet ta hanë akulloren, ndoshta më mirë pak më herët gjatë ditës. Zakone të vogla dhe të qëndrueshme, si një orar i rregullt i vakteve, mund të ndihmojnë në përmirësimin e tretjes me kalimin e kohës”, ka shtuar Dadigiri.