ATV

Author: G.O.

  • Rivalitet i fortë në Superligë, sot luhen dy përballje të xhiros së 30-të

    Rivalitet i fortë në Superligë, sot luhen dy përballje të xhiros së 30-të

    Xhiroja e 30-të në Superligën e Kosovës premton spektakël dhe emocione, me disa ndeshje që mund të ndikojnë drejtpërdrejt në renditjen përfundimtare të sezonit.

    Fokusi kryesor i ditës së sotme është përballja mes Prishtinës dhe Gjilanit, e cila zhvillohet në mbrëmje në stadiumin “Fadil Vokrri”, nga ora 20:20.

    Dy skuadrat vijnë me objektiva të qarta dhe një rivalitet të fortë, ndërsa çdo pikë në këtë fazë të kampionatit ka peshë të madhe. Prishtina synon të rrisë diferencën e pikëve me Gjilanin, ndërsa gjilanasit kërkojnë t’i rrëmbejnë pozitën e tretë.

    Para këtij dueli, në program është edhe sfida mes Prishtina e Re dhe KF Drenica, e cila luhet nga ora 15:00.

    Të dyja skuadrat janë në kërkim të pikëve për objektivin e mbijetesës, duke e bërë këtë takim mjaft të luftuar.

    Ndërkohë, e diela sjell edhe disa përballje të tjera të rëndësishme: Ballkani pret Ferizajn, Drita luan në shtëpi ndaj Llapit, ndërsa Dukagjini përballet me Malishevën. Të gjitha ndeshjet zhvillohen në të njëjtën orë dhe pritet të sjellin ndryshime të rëndësishme në tabelën e klasifikimit.

  • Forcat amerikane godasin një anije në Paqësorin Lindor, vriten dy “narko-terroristë”

    Forcat amerikane godasin një anije në Paqësorin Lindor, vriten dy “narko-terroristë”

    Ushtria amerikane ka njoftuar se më 24 prill ka kryer një sulm vdekjeprurës ndaj një anijeje të dyshuar për trafik droge në Paqësorin Lindor, në kuadër të një operacioni të udhëhequr nga Komanda Jugore e SHBA-së (SOUTHCOM).

    Sipas njoftimit të publikuar në platformën “X”, me urdhër të komandantit të SOUTHCOM, gjeneral Francis L. Donovan, Forca e Përbashkët “Southern Spear” kreu një sulm kinetik ndaj një anijeje të operuar nga organizata të përcaktuara si terroriste.

    Inteligjenca amerikane ka konfirmuar se anija po lëvizte përgjatë rrugëve të njohura të trafikut të drogës në Paqësorin Lindor dhe ishte e përfshirë në aktivitete të trafikimit të narkotikëve.

    “Dy narco-terroristë meshkuj u vranë gjatë këtij aksioni. Asnjë pjesëtar i forcave ushtarake amerikane nuk u lëndua”, thuhet në njoftim.

  • Sulm i madh rus në Ukrainë, 4 të vdekur dhe mbi 30 të plagosur

    Sulm i madh rus në Ukrainë, 4 të vdekur dhe mbi 30 të plagosur

    Një sulm i madh rus gjatë natës në Ukrainë ka lënë të vrarë katër persona dhe mbi 30 të plagosur, pasi Moska ka lëshuar qindra dronë dhe dhjetëra raketa në disa rajone të vendit, përfshirë qytetin e Dnieperit në juglindje.

    “Praktikisht gjithë natën, rusët bombarduan Dnipro dhe qytetet e komunitetet tona të tjera”, ka shkruar Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky në rrjetet sociale, duke shtuar se shumica e objektivave kanë qenë infrastruktura urbane.

    Dy viktima janë nxjerrë nga një ndërtesë e goditur në Dnipro, ka thënë guvernatori rajonal Oleksandr Hanzha, duke shtuar se pesë persona të tjerë mund të jenë ende të bllokuar në rrënoja. Sipas tij, 21 persona të tjerë në qytet janë plagosur.

    Në rajonin verior të Chernihivit, sulmet me raketa dhe dronë kanë lënë të vdekur dy persona dhe kanë plagosur shtatë të tjerë, ka njoftuar guvernatori i zonës.

    “Çdo sulm si ky duhet t’u kujtojë partnerëve tanë se situata kërkon veprim të menjëhershëm dhe të vendosur, forcim të shpejtë të mbrojtjes sonë ajrore”, ka deklaruar Zelensky.

    Forcat ajrore të Ukrainës kanë bërë të ditur në Telegram se Rusia ka sulmuar me 619 dronë dhe 47 raketa, nga të cilat janë rrëzuar 580 dronë dhe 30 raketa.

  • Google bllokon 8.3 miliardë reklama mashtruese në vitin 2025

    Google bllokon 8.3 miliardë reklama mashtruese në vitin 2025

    Në vitin 2025, Google bllokoi ose hoqi 8,3 miliardë reklama dhe pezulloi 24,9 milionë llogari, duke përfshirë 602 milionë reklama dhe 4,1 milionë llogari të lidhura me mashtrime.

    Këto gjetje përfshihen në ”Raportin vjetor të sigurisë së reklamave 2025”, i cili nxjerr në pah se si mjetet e bazuara në Gemini kanë përmirësuar ndjeshëm aftësinë tonë për të zbuluar dhe bllokuar reklamat keqdashëse, duke i mbrojtur njerëzit para se një mashtrim t’i arrijë ata.

    Sipas analizës, sistemet e gjigantit të teknologjisë kapën mbi 99% të reklamave që shkelnin politikat para se të shfaqeshin.

    ”Ndryshe nga sistemet e mëparshme të bazuara në fjalë kyçe, modelet më të reja e kuptojnë më mirë qëllimin e njerëzve, duke na ndihmuar të identifikojmë dhe bllokojmë përmbajtjen e dëmshme, gjë që i ndihmoi ekipet respektive të vepronin me katër herë më shumë raporte përdoruesish në vitin 2025 krahasuar me vitin e kaluar”, tha ”Google”.

    Duke analizuar përtej imazheve dhe modeleve të tekstit, ”Google” arrin në përfundimin se “Gemini është më i aftë të dallojë midis një oferte të besueshme dhe një karremi të sofistikuar, një nivel saktësie që na ndihmoi të zvogëlojmë pezullimet e gabuara të reklamuesve me 80% vitin e kaluar. Kjo saktësi na lejon të përqendrohemi në dy gjëra njëherësh, duke i dhënë përparësi heqjes së përmbajtjes së dëmshme dhe duke i ndihmuar bizneset e ndershme të mbajnë reklamat e tyre aktive”, theksoi kompania.

  • 36 vjet nga vdekja e veprimtarit Fadil Vata

    36 vjet nga vdekja e veprimtarit Fadil Vata

    Sot mbushen 36 vjet nga vdekja e veprimtarit të çështjes kombëtare Fadil Vata.

    Ai është njëri nga veprimtarët dhe udhëheqësit më të devotshëm të Lëvizjes kombëtare shqiptare të viteve ‘80-ta.

    Vata ndërroi jetë në vitin 1990, si pasojë e dhunës dhe torturave çnjerëzore që u ushtrua ndaj tij nga serbët.

    Në nëntor 2021 u përurua shtëpia-muze e heroit Fadil Vata, në vendlindjen e tij në Sallagrazhdë të Suharekës.

  • Dy të mitur, motër e vëlla, zhduken në Ferizaj – Policia nis kërkimet për gjetjen e tyre

    Dy të mitur, motër e vëlla, zhduken në Ferizaj – Policia nis kërkimet për gjetjen e tyre

    Një rast i zhdukjes së dy të miturve është raportuar të enjten rreth orës 11:00 në rrugën “Arsim Bega”, në Ferizaj.

    Sipas Policisë, ankuesi mashkull kosovar ka njoftuar se motra dhe vëllai i tij, të mitur, janë larguar nga shtëpia dhe nuk dihet për vendndodhjen e tyre.

    Rasti është iniciuar dhe po hetohet nga organet kompetente.

  • Deputeti i PDK-së ngre shqetësime për kontratat njëburimore në Kosovë

    Deputeti i PDK-së ngre shqetësime për kontratat njëburimore në Kosovë

    Kontratat njëburimore përbëjnë një nga mekanizmat më të diskutueshëm në fushën e prokurimit publik.

    Këto kontrata lejojnë që institucionet shtetërore të lidhin marrëveshje direkte me një operator të vetëm ekonomik, pa zhvilluar procedura të hapura konkurruese.

    Për kontratat njëburimore ka ngritur shqetësime deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Arben Mustafa.

    Mustafa për Ekonomia Online thotë se këto kontrata po jepen jashtë procedurave të rregullta të prokurimit publik.

    Ai tha se kjo çështje është diskutuar edhe në mbledhjen e fundit të Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, ku është kërkuar sqarim nga Auditorja e Përgjithshme, pasi problematika nuk është trajtuar në mënyrë të mjaftueshme në raportin vjetor të auditimit.

    “Çështja e kontratave njëburimore ka qenë një shqetësim i vazhdueshëm për shkak se ato janë kontrata të cilat i janë dhënë operatorëve ekonomikë pa respektuar procedurat e prokurimit publik, pra janë dhënë kontrata me negocim direkt dhe këtë çështje e kemi shtruar edhe në mbledhjen e fundit të Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike ku kemi kërkuar sqarime nga auditorja e përgjithshme, sepse kjo problematikë nuk është e shtjelluar më gjerësisht në raportin vjetor të auditimit. Problemi me këto kontrata qëndron në atë se ato do të duhej të jepeshin kur ka situata emergjente apo kur nuk ka mundësi që operatorë të ndryshëm ekonomik t’i ofrojnë ato mallra dhe shërbime por nuk mund të arsyetohen në rastet kur ka operatorë të ndryshëm që mund të ofertojnë dhe mund të konkurrojnë për t’i ofruar ato mallra dhe shërbime. Një problem të ngjashëm edhe me lojërat mesdhetare ku shihet që me këtë projektligj janë anashkaluar procedurat e prokurimit publik ashtu siç e sheh ligji për prokurim publik dhe synohet që të jipet një mandat Qeverisë që të përcaktojë rregulla të veçanta të prokurimit dhe këtu ekziston rreziku që edhe kontratat që jipen për organizimin e lojërave mesdhetare të përfundojnë duke u dhënë me negocim direkt”, ka thënë ai.

    Sipas tij Prokuroria duhët t’i hetojë të gjitha rastet në momentin që identifikohen se ka shkelje të ligjit.

    “Zgjidhja është që duhet të ketë disiplinë,  duhet të ketë respektim të ligjeve dhe në rastet kur ligjet nuk respektohen është përgjegjësi e Prokurorisë që t’i hetojë këto raste dhe në rastet kur identifikohen se ka pasur shkelje të ligjeve drejtësia duhet t’i trajtojë këto raste”, tha Mustafa.

    Të martën në Komisionin për Mbikqyrjen e Financave Publike, për kontratat njëburimore ka folur edhe  Auditorja e Përgjithshme e Zyrës Kombëtare të Auditimit, Vlora Spanca, për çka ka pasur diskutime mes deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje.

  • Deputeti i PDK-së: Kurti po kërkon pushtet absolut e jo qeverisje, shenja autoritarizmi

    Deputeti i PDK-së: Kurti po kërkon pushtet absolut e jo qeverisje, shenja autoritarizmi

    Deputeti i PDK-së, Eman Rrahmani, ka thënë se Albin Kurti po i kërkon më shumë se 2/3 e pushtetit dhe sipas tij kjo s’është synim për qeverisje por për pushtet absolut.

    Sipas deputetit Rrahmani këto janë shenja të autoritarizmit.

    Albin Kurti paska kërkuar mbi 80 deputetë, pra mbi 67% të votave.
    Le të shohim se ku në botë arrihen përqindje të tilla:

    🇷🇼Rwanda – Paul Kagame: 98%
    🇷🇺Rusia – Vladimir Putin: 76–87%
    🇧🇾Bjellorusia – Alexander Lukashenko: 83%
    🇸🇾Siria – Bashar al-Assad: mbi 90%
    🇹🇲Turkmenistani 97%
    🇺🇿Uzbekistani 80%
    🇨🇳Kina – sistem njëpartiak 100%
    🇰🇵Koreja e Veriut 99%+

    Në demokracitë pluraliste evropiane, një parti apo lider rrallëherë i afrohet 50%, e lëre më 67%. Kur kërkon dy të tretat e pushtetit, nuk kërkon qeverisje, kërkon kontroll absolut.

    Sot po jetojmë me shenja të autoritarizmit.

    A po kërkon Albin Kurti edhe më shumë se kaq?

  • Mbi 2,500 tiketa trafiku dhe dhjetëra aksidente brenda 24 orëve

    Mbi 2,500 tiketa trafiku dhe dhjetëra aksidente brenda 24 orëve

    Policia e Kosovës ka publikuar statistikat nga raporti 24-orësh, ku bëhet e ditur se gjatë kësaj periudhe janë regjistruar dhjetëra aksidente trafiku dhe janë shqiptuar mijëra gjoba për shkelje në komunikacion.

    Sipas raportit, nuk është shënuar asnjë aksident me fatalitet, ndërsa janë evidentuar 26 aksidente me persona të lënduar dhe 31 aksidente që kanë shkaktuar vetëm dëme materiale.

    Në kuadër të aktiviteteve të kontrollit në trafik, policia ka shqiptuar gjithsej 2,526 tiketa trafiku ndaj shkelësve të rregullave rrugore.

    Sa i përket masave ndaj personave të dyshuar për vepra të ndryshme, janë arrestuar 24 persona, ndërsa 17 të tjerë janë dërguar në mbajtje. Nuk është raportuar për persona në ndalim policor, ndërsa dy persona janë duke vuajtur dënimin.

  • Bajrami: Kurtit nuk i rrihet pa krizë, prapë po e çon vendin në zgjedhje e po paralajmëron zgjedhje tjera pas tyre

    Bajrami: Kurtit nuk i rrihet pa krizë, prapë po e çon vendin në zgjedhje e po paralajmëron zgjedhje tjera pas tyre

    Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar pasi Lëvizja Vetëvendosje kërkoi tre emra për President nga partia e saj dhe PDK’ja. Ajo tha se rreth 60 seanca të Kuvendit, Vetëvendosje këmbënguli për ta bërë Albulena Haxhiun kryeparlamentare, ndërsa tha është e gatshme ta japë këtë post, por se presidentin e duan me çdo kusht.

    Bajrami paralajmëroi për pasoja të mëdha për shkak të jostabilitetit politik derisa tha se kryeministri Albin Kurti dëshiron të sundojë dhe jo të qeverisë.

    “Albini i ka 51%. Me minoritetet – 66 deputetë. E ka qeverinë krejt vetë, me 19 ministri e 4 miliardë euro buxhet në dispozicion. Por të gjitha këto nuk po i mjaftojnë. Kërkon pushtet më shumë se përgjegjësi. Ai po kërkon me sundu jo me qeverisë. Dhe meqë është derivat i krizave nuk i rrihet pa krizë, por ta dini se kostot e sjelljeve të tij janë dëme të pariparushme jo vetëm për qytetarët, por edhe për shtetin e Kosovës”.

    Postimi i plotë:

    Në vitin 2025 janë mbajtë rreth 60 seanca për ta bërë Albulenën kryetare të Kuvendit dhe asnjë seancë për të bërë ndonjë zgjidhje për qytetarët e vendit.

    Kur ata nuk arritën ta bëjnë kryetaren e Kuvendit, e çuan vendin në zgjedhje.

    Sot, thonë: “kryetarin e Kuvendit e japim” por presidentin e dojmë me çdo kusht.

    Dhe për këtë, Kurti prapë po e çon vendin në zgjedhje, madje po paralajmëron edhe zgjedhje të tjera pas atyre që do të mbahen në qershor.

    Në ndërkohë:

    Çmimet rriten çdo ditë.

    Rinia po ikë.

    Albini i ka 51%.

    Me minoritetet – 66 deputetë.

    E ka qeverinë krejt vetë, me 19 ministri e

    4 miliardë euro buxhet në dispozicion.

    Por të gjitha këto nuk po i mjaftojnë.

    Kërkon pushtet më shumë se përgjegjësi. Ai po kërkon me sundu jo me qeverisë. Dhe meqë është derivat i krizave nuk i rrihet pa krizë, por ta dini se kostot e sjelljeve të tij janë dëme të pariparushme jo vetëm për qytetarët, por edhe për shtetin e Kosovës.

    Kosova e ka armikun e jashtëm, e dimë të gjithë cili është, por jostabiliteti politik është armiku më i madh brenda vendit.