ATV

Author: G.O.

  • Sejdiu: S’duhet t’i ikim dialogut, sanksionet ndaj Serbisë po vonohen

    Sejdiu: S’duhet t’i ikim dialogut, sanksionet ndaj Serbisë po vonohen

    Ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu deklaron se Bashkimi Evropian po vonon për të sanksionuar Serbinë. Ai konsideron se për këtë po ndikojnë disa faktorë, megjithatë shton se agresioni serbë i 24 shtatorit, tashmë është i qartë. Sejdiu thekson se Kosova meriton mbështetje të fuqishme dhe se nuk duhet të largohet nga dialogu. Në intervistën për KosovaPress, ish-kryetari i shtetit, deklaron se gjendja në veri është e tensionuar dhe për këtë kanë ndikuar shumë faktorë.

    Në aktin e agresionit serbë, ku mbeti i vrarë rreshteri policor, Afrim Bunjaku, Sejdiu thotë se qëllim ka qenë cenimi i integritetit të Kosovës.

    “Për ne është me rëndësi se kjo letër, apo kjo kartë në të cilën ka luajtur Serbia është absolutisht një deshifrim total i gjithë projekteve që Serbia ka karshi Kosovës. Andaj, është tepër e nevojshme që të bëhet një radhitje e gjithë faktorëve të rëndësishëm edhe politikë dhe të sigurisë për të përballuar sfidat e tjera. Fatkeqësisht, tash është vrarë një efektiv i PK-së, Afrim Bunjaku, dhe qëllimi i atyre që kanë pas qëllim destabilizimin e Kosovës, kanë qenë të që të vriten edhe të tjerë, dhe të ketë viktima të shumta, me qëllim që të proklamojë paralelisht edhe para botës demokratike dhe të gjithë të tjerëve se nuk ka stabilitet, se Kosova nuk ka të ardhme, se është çdo gjë e imagjinuar, por nuk është një veprim real i forcave politike dhe i një shteti në ecje me synimin që një ditë të jetë edhe anëtar i BE-së”, deklaron ai.

    Sejdiu konsideron se nga kjo ngjarje duhet t’i bëhet e qartë Serbisë se Kosova ka kufijë të paprekshëm dhe për mbrojtjen e tyre, garantojnë edhe ndërkombëtarët.

    “Nga ajo që kemi parë, është një lojë që udhëhiqet nga faktori Rusi, sepse qëllimi i saj karshi luftës në Ukrainë, investimeve të saj të shembë një shtet demokratik siç është Ukraina, ka qenë që të zgjerojë konfliktin edhe në regjionet tjera dhe sipas tyre dhe sipas asaj që vazhdimisht është shprehur janë dy apo tre vendet e Ballkanit Perëndimor apo të Evropës Juglindore, siç është Kosova, Mali i Zi dhe Bosnja Hercegovina. Në fokus të investimeve të mbrapshta që ata i bëjnë me qëllim që të destabilizojnë vendet e lartpërmendura. Për ne është shumë e rëndësishme që nxitohet në kuptimin e kualitetit për të pas një përmbyllje edhe këtij ciklit të bisedimeve që duhet të vijnë, Kosova ka zgjedh që moti rrugën e bisedimeve si rrugën më të drejtpërdrejt për të zgjidhur çështjet që kanë të bëjnë me relaksimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, assesi dhe në asnjë situatë çështjet e statusit, sepse pretendimi i serbeve është që të ketë trajtim të drejtpërdrejt kornizave themelore të shtetit të Kosovës dhe jo të njohë Kosovën siç janë edhe betimet e presidentit të Serbisë, Vuçiq”, shton ai.

    Pavarësisht se ka kaluar një muaj nga sulmi, Sejdiu nuk përjashton mundësinë se akte të tilla mund të ndodhin përsëri.

    Sipas tij, Serbia ka për qëllim destabilizimin e Kosovës në emër të të drejtave të minoritetit serb, edhe ashtu i diskriminuar pozitivisht me legjislacionin aktual.

    “Ne nuk duhet të mbesim asnjëherë se ka përfunduar me një veprim të tillë sepse ajo synon gjithmonë se në Kosovë dhe në pjesë të saj nuk ka realizim të bollshëm të drejtave, lirive të njeriut në kuptimin e komunitetit serb e që është e kundërta sepse kanë të gjitha favoret në parim të atyre që janë të vendosura edhe në Kushtetutën e Republikës, është pra një diskriminim pozitiv, qëllimi saj është të stërzgjatë gjithmonë dialogun. Pra, një dialog që do të mbështetet sërish nga faktori ndërkombëtar që është nis dhe ndërprerë”, thekson Sejdiu.

    Sejdiu konsideron se Bashkimi Evropian është vonuar në vendosjen e masave ndëshkueshme ndaj Serbisë, pas sulmeve terroriste që ndodhën më 24 shtator, në Banjskë.

    “Ka një vonesë. Janë shumë faktorë që e determinojnë një veprim të tillë. Mendohet gjithmonë se me një analizë të skajshme mund të nxirret përgjigja më e mirë, përgjigjja është sheshazi, ka dalë ditën e 24 shtatorit në sulmin, në pjesën veriore të vendit dhe pas atij destabilizimi që kanë tentuar që ta fusim edhe popullatën serbe në lojë, janë të dijshme. Andaj, ne nuk duhet të shqetësohemi në kuptimin e frikës sikur serbët që kanë këtë ambicie që të trembin popullsinë, por duhet të shqetësohemi nganjëherë për hapat e ngadaltë që kanë shkuar deri tash sepse kemi nga fillimi i këtij cikli të bisedimeve nga 2011, deri tash. Prandaj, duhet të bëhet që pala jonë të jetë koperuese sikur ka qenë, kjo s’do të thotë të hiqet dorë nga parimet themelore që ka, dhe asnjëherë çështja e statusit të Kosovës nuk mund të preket”, thotë Sejdiu.

    Ndërkaq, masat ndëshkuese që BE ka vendosur Kosovës, Sejdiu thotë se duhet të hiqen. Megjithatë, shton se Kosova duhet t’i kryej detyrat e saj.

    Ai thotë se Kosova nuk duhet të largohet nga tryeza e bisedimeve me Serbinë.

    “Ka shumëçka se duhet të shikohet edhe me pjesën e atyre sanksioneve apo masave ndëshkuese. Kosova meriton një mbështetje të fuqishme… Për ne është me rëndësi të bëjmë detyrat tona të shtëpisë, të mbajmë këtë seriozitet që duhet ta ketë Kosova si faktor i pavarur, dhe natyrisht të bëjë punë shumë të madhe në pjesën e ringjalljes ekonomike të vendit… Kosova nuk duhet të ikë prej dialogut të mbështetur si duhet, dialog i drejtë që sjell paqe mes dy vendeve”, përfundon Sejdiu.

    Të enjten, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pati një takim me kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz, presidentin e Francës, Emmanuel Macron, kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni, presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel, zëvendëspresidentin e Komisionit Evropian dhe Përfaqësuesin e Lartë për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Josep Borrell, si dhe emisarin e tij, Miroslav Lajcak. Në të njëjtën format takimi pati edhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

    Pas takimit, Kurti tha se ishte i gatshëm të nënshkruante draftin e ofruar nga BE-ja dhe ShBA-të për zbatimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, por Vuçiq ka refuzuar të nënshkruajë marrëveshje me Kosovën, dhe ka kërkuar që t’i pranohet një letër anësore me të cilën praktikisht i zhbën tri parime të Marrëveshjes Bazë, të Aneksit të Zbatimit, si dhe të draftit të propozuar nga pesë emisarët më 21 tetor 2023.

  • Fillon ndërtimi i një stacioni policor në Zubin Potok, Elshani: Vendimi ishte marrë në vitin 2018

    Fillon ndërtimi i një stacioni policor në Zubin Potok, Elshani: Vendimi ishte marrë në vitin 2018

    Makineria e rëndë herët në mëngjes ka filluar spastrimin e terrenit në afërsi të shkollës fillore në Zubin Potok.

    Bëhet fjalë për ndërtimin e një stacioni policor siç konfirmoi Polica, gjë të cilën disa banorë aty po e kundërshtojnë duke paralajmëruar protesta.

    Sipas zëvendës-komandantit të Policisë për rajonin e Veriut, Veton Elshani vendimi për ndërtimin e këtij stacioni ekziston që nga viti 2018 dhe u vërtetua në vitin 2022 ndërkaq tani është dhënë leja për nisje të punimeve.

    “Meqë Policia funksiononte në një shtëpi private, vendimi u mor në vitin 2018 dhe tani kemi marrë leje që të vazhdojmë me punime, ndonëse vendimi final për këtë ishte marrë më herët” tha Elshani.

  • Murati: Për herë të parë kemi mbi 410 mijë vende pune aktive, numri i të rinjve të punësuar nën 25 vjeç është dyfishuar

    Murati: Për herë të parë kemi mbi 410 mijë vende pune aktive, numri i të rinjve të punësuar nën 25 vjeç është dyfishuar

    Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka thënë se për herë të parë janë mbi 410 mijë vende pune aktive dhe se numri i të rinjve të punësuar nën moshën 25 vjec është dyfishuar.

    Këtë e ka thënë se një postim në llogarinë e tij në Facebook, ku ka njoftuar lidhur me një prej vendimeve që ështëë marrë në mbledhjen e djeshme të Qeverisë. Ka thënë se në secilën mbledhje po marrin vendime në mbështetje të prodhuesve e ekonomisë.

    Murati ka bërë me dije se dje janë ndarë 2.5 milionë euro mbështetje për subvencionimin e kredive investuese, për prodhuesit vendorë.

    “Dje ndamë edhe 2.5 milionë euro mbështetje për subvencionimin e kredive investuese, për prodhuesit vendorë, në kuadër të Masës 2.1. Në mbledhjen paraprake të Qeverisë, miratuam edhe lirimin nga dogana për disa lëndë të para si dhe për pjesët rezervë të makinerive prodhuese.

    Secilën mbledhje, vendime në mbështetje të prodhuesve, në mbështetje të ekonomisë. Rezultatet patjetër se nuk do të mungojnë – për herë të parë kemi mbi 410 mijë vende pune aktive, dhe numri i të rinjve të punësuar nën moshën 25 vjeç është dyfishuar”, ka shkruar Murati.

  • Arrestohet një person në Malishevë, vrau një qen me pushkë gjuetie

    Arrestohet një person në Malishevë, vrau një qen me pushkë gjuetie

    Gjatë së djeshme, Policia e Kosovës ka arrestuar një të dyshuar, pasi i njëjti me një pushkë gjuetie kishte vrarë një qen.

    Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës, rasti ka ndodhur në Malishevë.

    Ndërsa, në vendin e ngjarjes janë gjetur 3 gëzhoja si dhe nga i dyshuari është sekuestruar një pushkë gjuetie. Pas inicimit të rastit me vendim të prokurorit i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

    “Malishevë 27.10.2023 – 09:00. Është arrestuar i dyshuari  mashkull kosovar për shkak se me një pushkë gjuetie kishte vrarë një qen. Në vendin e ngjarjes janë gjetur 3 gëzhoja si dhe nga i dyshuari është sekuestruar një pushkë gjuetie. Pas inicimit të rastit me vendim të prokurorit i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt”.

  • Tahiri: Asociacioni do të duhej të kushtëzohej me njohjen de-jure nga Serbia

    Tahiri: Asociacioni do të duhej të kushtëzohej me njohjen de-jure nga Serbia

    Ish-kryenegociatorja e Kosovës në bisedimet me Serbinë, Edita Tahiri, ka thënë se Kosova është sulmuar, ndëshkuar dhe ka pranuar Asociacionin pa kushtëzuar njohjen de jure nga Serbi.

    “Paradigma nenshtruese e Kosoves: 1. te sulmuar; 2. te ndeshkuar; 3. pranimi i asociacionit pa kushtezuar njohjen de jure nga Serbia”, ka shkruat Tahir në Facebook.

  • Reagon Abdixhiku, kërkon nga Kurti ta shpalos draftin e Asociacionit para qytetarëve dhe Kuvendit

    Reagon Abdixhiku, kërkon nga Kurti ta shpalos draftin e Asociacionit para qytetarëve dhe Kuvendit

    Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka reaguar dy ditë pasi Albin Kurti e ka pranuar se do ta nënshkruaj draftin e Asociacionit të propozuar nga pesëshja evropiane.

    “I ftoj institucionet e vendit të shpalosin draftin e pranuar publikisht para qytetarëve tanë. E ftoj kryeministrin ta prezantojë atë draft në Kuvend”, ka shkruar Abdixhiku.

    “Koha të bëjmë Kosovën. Pa mashtrues e popullistë! Janë të kushtueshëm, na humbin kohë e na lënë në vendnumërim. Koha të ecim me aleatë. Drejt NATO-s e Bashkimit Evropian”.

    Shkrimi i plotë:

    Të dashur qytetarë të Republikës,

    Sot, bëhen një javë që nga dorëzimi i Draftit të Statutit të Asociacionit nga pesëshja e emisarëve tek kryeministri i Kosovës. Që nga ajo ditë Kosova dhe populli i Kosovës janë në terr të plotë informativ.

    Tre ditë më parë, në prani të udhëheqësve kryesorë evropianë, ky dokument, u pranua për herë të parë nga kryeministri i Kosovës. Për herë të parë sepse kurrë më parë nuk kishim patur një dokument statuti. Kurrë më parë nuk ishte arritur kaq larg.

    Tani, yjet politike janë përplot ironi.

    Ato, arkitektit të mashtrimit, dhunës e përplasjeve një dekadëshe ndërshqiptare i përcaktojnë fatin e bërjes së Statutit të Asociacionit për serbët dhe kështu zhbërjes së kauzës jetësore të tij. Çfarë fati i trishtë politik.

    Fati i tillë megjithatë nuk ka fare rëndësi. Rëndësi ka të kuptojmë atë që duhej ta kuptonim një dekadë më parë. Se obligimet ndërkombëtare nuk kanë alternativë. Se dalldisjet populliste janë veçse përkeqësim. Se Asociacioni nuk mund të shmangej si detyrim. Vetëm se humbëm kohë, humbëm mundësi, përfunduam aty ku ishim në fillim. Këtë herë pa njohje, pa marrëveshje finale, e përplot dialog në vazhdimësi.

    Dhe mbi të gjitha, pa ndonjë shpjegim për një popull të tërë se çfarë ka pranuar Kosova në relacion me Serbinë.

    I ftoj institucionet e vendit të shpalosin draftin e pranuar publikisht para qytetarëve tanë. E ftoj kryeministrin ta prezantojë atë draft në Kuvend.

    Koha të bëjmë Kosovën. Pa mashtrues e popullistë! Janë të kushtueshëm, na humbin kohë e na lënë në vendnumërim.

    Koha të ecim me aleatë. Drejt NATO-s e Bashkimit Evropian.

  • Mbetet në fuqi dënimi me 54 muaj burgim për “Burdushin”

    Mbetet në fuqi dënimi me 54 muaj burgim për “Burdushin”

    I dënuari me 4 vite e 6 muaj burgim, Hysri Peqani i njohur si “Burdushi” i ka shterë të gjitha mundësitë ligjore për të kundërshtuar dënimin ndaj tij.

    Kështu, më 10 tetor, edhe Gjykata Supreme e ka refuzuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë së ushtruar nga mbrojtja e “Burdushit” ndaj vendimeve të shkallës së parë dhe të dytë.

    “Refuzohet si e pabazuar kërkesa për mbrojtjen e ligjshmërisë e mbrojtësit të të dënuarit H.P., e paraqitur kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, PS.nr.36/2020, të datës 10.01.2023 dhe aktgjykimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës, APS.nr.23/2023, të datës 05.06.2023”, thuhet në vendimin e Supremes të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”.

    Supremja ka konstatuar se në rastin konkret nuk ka tejkalim të aktakuzës pasi që bëhet fjalë për të njëjtat ngjarje dhe për të njëjtat veprime.

    Gjithashtu Supremja ka konstatuar se nuk ka pasur shkelje me rastin e shpalljes së aktgjykimit pasi që aktgjykimi i shpallur është përpiluar në harmoni me të gjitha pjesët e tij përfshirën pjesën e konfiskimit, përkatësisht lirimit të paluajtshmërive.

    Hysri Peqani ishte dënuar më 4 vite e 6 muaj burgim më 10 janar 2023 për veprat penale ushtrim të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike, mashtrim, shpëlarje parash dhe armëmbajtje pa leje. Më 30 qershor, Gjykata e Apelit ia kishte vërtetuar dënimin “Burdushit”.

    Ndërkohë, Supremja ia kishte refuzuar “Burdushit” si të papranueshme edhe kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë për shtyrjen e ekzekutimit të dënimit me burgim.

    “Betimi për Drejtësi” kishte raportuar se si “Burdushi” edhe përkundër vendimin të formës së prere, vazhdon të qëndrojë në shtëpi dhe të mos paraqitet për vuajte të dënimit me burgim.

  • Nesër ndryshon ora, akrepat do të shkojnë 60 minuta mbrapa

    Nesër ndryshon ora, akrepat do të shkojnë 60 minuta mbrapa

    Të dielën e 29 tetorit ndryshon ora. Akrepat do të shkojnë 60 minuta mbrapa, ose thënë ndryshe, do të flemë një orë më shumë.

    Si zakonisht ndryshimi bëhet rreth orës 03:00 të mëngjesit. Në aparatet e celularëve smart, ndërrimi bëhet automatikisht.

    Lëvizja e akrepave të orës si fenomen ndodh dy herë në vit: në javën e fundit të tetorit dhe në të dielën e fundit të marsit, kohë kur ora shkon para.

    Ndryshimi i orës më parë në Europë ka qënë jo i njëtrajtshëm, por ajo filloi të përgjithësohej nga viti 1974, vende vendosën të çojnë përpara orën në mënyrë që të shfrytëzonin më shumë dritën e diellit dhe të konsumonin më pak energji elektrike.

  • Flini gjysmë ore pasdite, rekomandojnë shkencëtarët

    Flini gjysmë ore pasdite, rekomandojnë shkencëtarët

    Dremitjet e orëve të pasdites kanë ndikime pozitive në organizëm.

    Shkencëtarët britanikë kanë zbuluar se shkalla e dremitjes së dobishme varet nga koha kur vendosim të shtrihemi në shtrat.

    Rezultatet e studimit më të ri zbulojnë se njerëzit kanë më shumë dobi nga dremitja kur shtrihen të pushojnë në ora 15.00 pasdite, transmeton “Indipendent”.

    Arsye për këtë është ritmi biologjik, i cili ngadalësohet gjatë kësaj kohe. Shumë njerëz, po ashtu, janë të përgjumur pas drekës dhe vjen deri te rënia e përqendrimit.

    Por, nuk duhet tepruar. Dremitja për një orë është e tepërt dhe duhet pasur kujdes që të mos flini më shumë se tridhjetë minuta, pasi nuk do të ndiheni të kthjelltë, rekomandojnë shkencëtarët.

  • I dyshuari për sulmin masiv në ShBA gjendet i vdekur

    I dyshuari për sulmin masiv në ShBA gjendet i vdekur

    Rezervisti i ushtrisë që hapi zjarr në një sallë boulingu dhe në një kafene në Luiston, Mein, duke vrarë 18 persona, u gjet i vdekur nga një plagë e vetëshkaktuar me armë zjarri, duke i dhënë fund kërkimit dyditor të autoriteteve.

    Robert Card, instruktor i armëve të zjarrit, u gjet i vdekur afër Ujvarës Lisbon, tha guvernatorja Janet Mills, gjatë një konference për media.

    “Sikurse shumë persona të tjerë, sot po marr frymë lirshëm duke e ditur se robert Card më nuk paraqet kërcënim për askënd”, tha Mills.

    Shefi i Departamentit për siguri të publikut në Policinë në Mein, Mike Sauschuck, tha se Card u gjet në orën 19:45, sipas kohës lokale, në lumin Androscogin, rreth 13 kilometra në juglindje ku ndodhën të shtënat e dyta mbrëmjen e së mërkurës.

    Guvernatorja Mills tha se ka telefonuar presidentin, Joe Biden, dhe e ka informuar se Card është gjetur i vdekur.

    Këto ishin të shtënat më vdekjeprurëse në historinë e Mein, ku jetojnë 1.3 milion banorë. Në Luiston, 37.000 banorët dhe komunitetet përreth u udhëzuan që të qëndronin brenda shtëpive të tyre, përderisa forcat e rendit kërkonin të dyshuarin.

    Card, 40 vjeç, ishte rezervist në ushtrinë amerikane. Vitin e kaluar ai i ishte nënshtruar një vlerësimi të shëndetit mendor, pasi kishte filluar të sillej çuditshëm gjatë trajnimeve, thanë zyrtarët amerikanë për AP-në. Pas sulmit u tha se Card kishte qenë i shtrirë për dy javë në një spital të shëndetit mendor pasi “kishte dëgjuar zëra dhe dhe kishte kërcënuar se do të shtinte me armë zjarri” në një bazë ushtarake.

    Të shtënat në Luiston ishin rasti i 36-të i vrasjeve masive në SHBA gjatë këtij viti./rel