ATV

Author: G.O.

  • Postuan fotografi me armë, intervistohen nga policia dy vëllezërit

    Postuan fotografi me armë, intervistohen nga policia dy vëllezërit

    Dy vëllezër janë intervistuar nga Policia e Kosovës, nën dyshimin se të njëjtit në rrjetet sociale kanë postuar fotografi ku shihej një armë automatike dhe një pistoletë.

    Rasti ka ndodhur dje në fshatin Doganaj të Kaçanikut, ku me vendim të prokurorit, janë kontrolluar shtëpitë e tyre, por nuk kanë gjetur asgjë të dyshuar.

    Sipas Policisë, rasti është në procedurë hetimore.

  • Vdes një person në Gjakovë, dyshohet se u rrokullis me traktor

    Vdes një person në Gjakovë, dyshohet se u rrokullis me traktor

    Një person ka humbur jetën në fshatin Orizë të Gjakovës pasi dyshohet se nga pakujdesia teksa ka qenë duke e punuar tokën është rrokullisur me traktor.

    Kështu thuhet në raportin e përditshëm të policisë së Kosovës.

    Vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor, ndërsa trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për Obduksion.

    “Është raportuar se viktima mashkull kosovar derisa ka qenë duke punuar tokën, dyshohet se nga pakujdesia është rrokullisur me traktor dhe si pasojë ka humbur jetën. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor. Me vendim të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në raport.

  • Mbi 68 mijë pacientë morën shërbime mjekësore në Klinikën Emergjente për nëntë muaj

    Mbi 68 mijë pacientë morën shërbime mjekësore në Klinikën Emergjente për nëntë muaj

    Mbi 68 mijë pacientë kanë kryer shërbime dhe ekzaminime mjekësore, në kuadër të Klinikës Emergjente, në nëntë muajt e parë të këtij viti, duke e bërë institucionin më të ngarkuar dhe me shumë punë, në Kosovë.

    Sipas një njoftimi të QKUK-së, nga numri i përgjithshëm i pacientëve, 7 mijë e 224 pacientë janë pranuar për trajtim të mëtejmë nga klinikat përkatëse të QKUK-së, kurse janë kryer edhe 995 operacione emergjente mjekësore.

    Numri i vizitave sipas profileve mjekësore

    -16 mijë e 602 pacientë në dhomë të Reanimimit

    -20 mijë e 502 pacientë në dhomën Internistike

    -11mijë e 341 pacientë në dhomën e Kirurgjisë

    -14 mijë e 398 pacientë në dhomën e Ortopedisë.

  • Qeveria ende s’ka miratuar projekt-buxhetin 2024, opozita kërkon buxhet zhvillimor

    Qeveria ende s’ka miratuar projekt-buxhetin 2024, opozita kërkon buxhet zhvillimor

    Qeverisë së Kosovës i kanë mbetur edhe tri ditë nga afati i fundit ligjor për miratimin e buxhetit për vitin 2024, ndërsa opozita kërkon nga pushteti buxhet zhvillimor dhe më shumë buxhet për ushtri, polici, investime kapitale, rritjen e pagave dhe krijimin e vendeve të reja të punës.

    Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve thotë se hartimi i buxhetit vjetor për vitin 2024 reflekton programin qeverisës dhe është i koordinuar me vlerësimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar.

    Deputeti nga radhët e PDK-së, Ferat Shala shprehet skeptik se do të mund të hartohet një buxhet zhvillimor nga Qeveria e Kosovës për vitin 2024.

    Deputeti Shala kërkon që buxheti i vitit të ardhshëm të jetë i planifikuar, derisa shton se ai i vitit 2023 ka qenë me realizime të mangëta.

    “Ende nuk ka ardhur në Kuvend draft-buxheti për 2024 është vonuar sepse do të shkurtohej koha e debatit të brendshëm para miratimit të buxhetit. Si duket problemet e mëdha janë në kalkulimin e shifrave dhe për mbylljen e buxhetit për këtë vit, në mënyrë që të bëhet planifikimi. Ne, po presim që të na vjen drafti, pastaj në mënyrë profesionale dhe argumentuese si parti opozitare të analizojmë propozimet e Qeverisë dhe të japim komentet tona. Mbështetur në atë që kemi parë në vitet e kaluara, zakonisht buxheti vjen në momente të vona, kur mundësitë për debat dhe planifikim të mirëfilltë buxhetor për vendin janë gjithmonë të kufizuara nga kjo mazhorancë. Nuk do dëshironim që ky buxhet të jetë siç ka shkuar në vitet e kaluara, buxhet i paanalizuar dhe i paplanifikuar sepse pastaj edhe shkalla e realizimit të projekteve është çfarë është dhe sot nëse marrim realizimin e shkalles së investimeve kapitale kemi rreth 18 për qind, a jemi në muajt e fundit të vitit kalendarik”, theksoi Shala.

    Anëtari i Komisionit parlamentar për Buxhet, Shala thotë për KosovaPress, se që Qeveria duhet të mendojë më shumë për investime kapitale.

    “Konsiderojmë se është papërgjegjësi dhe paaftësi menaxhuese me paranë publike, edhe pse në total kjo Qeveri shihet se nuk ka qartësi në hapat e vet investues dhe zhvillimor… Nuk është shumë e rëndësishme shuma e buxhetit, sa është e rëndësishme implementimi në objekt dhe në investime të qëndrueshme dhe projekte që ka nevojë dhe stimulojnë prodhimin vendor apo rënien e inflacionit, hapjen e vendeve të reja të punës. Dhe nëse edhe në këtë planifikim buxhetor nuk kemi një qartësi të madhe për hapjen e vendeve të reja të punës, dhe për subvencionimin e disa sektorëve që rrezikohen të mbyllen për shkak të fuqisë punëtore, atëherë do të kemi reagimet tona publike”, thotë ai.

    Ndërsa, deputetja nga radhët e LDK-së dhe njëherësh kryetare e Komisionit parlamentar për Mbikëqyrjen e Financave Publike, Hykmete Bajrami ka shprehur shqetësimin e saj sa i përket ndryshimit të strukturës buxhetore ndër vite.

    Sipas saj, Qeveria duhet të mendojë që një pjesë të madhe të buxhetit të ndajë në investime kapitale.

    “Ajo që na shqetëson është ndryshimi i strukturës buxhetore ndër vite, e kemi parë në dy vitet e fundit, struktura e buxhetit, raporti, investime kapitale me subvencione ka shkuar shumë në favor të subvencioneve dhe në dëme të investimeve kapitale. Këtë vit ka rreth 42 për qind e buxhetit shkon në subvencione, ndërkohë që vetëm 19 për qind shkon në investime kapitale, prej këtyre 19 për qind, fatkeqësisht një pjesë shumë e vogël po arrin të shpenzohet. Nëntë muajt e parë prej 900 milionë euro sa kanë qenë të planifikuara të shpenzohen për investime kapitale për të gjithë vitin, janë shpenzuar vetëm 263 milionë, që është shumë jashtëzakonisht e vogël. Ka pas një bllokadë të të hyrave vetanake të komunave dhe ato mjete janë liruar në gusht të këtij viti, dhe me gjitha procedurat e prokurimit, ato mjete nuk mund të shpenzohen dhe do të barten vitin tjetër. Mbajtja e parave në bilanc bankar nuk ka kurrfarë vlere. Njerëzit paguajnë taksa dhe tatime në mënyrë që ato të kthehen në projekte dhe shërbime dhe kjo nuk po ndodh për shkak të mos punës së Qeverisë dhe kjo është shqetësuese sepse njerëzit po ikin, nuk ka investime kapitale, ka rënë edhe rritja ekonomike, kështu gjendja nuk është aspak e mirë”, thotë Bajrami.

    Se Qeveria nuk po tregohet transparente për hartimin e buxhetit e thotë edhe deputeti nga radhët e AAK-së, Pal Lekaj. Megjithatë, kjo parti ka dhënë disa propozime se çfarë duhet të përfshihet në buxhetin e vitit të ardhshëm.

    “Sa i përket projeksioneve buxhetore për vitin 2024 , ende ne nuk e kemi për të shqyrtuar këtë projeksion buxhetor. Por, ne si grup parlamentar do të kemi amendamente që kërkojmë nga mazhoranca të votohen. Koeficienti për paga të rritet 129 euro, po ashtu paga minimale të rritet sërish në 450 euro dhe që veteranet të hyjnë në këtë kategori. Janë shumë kërkesa që vijnë nga komunat që ne do t’i amandamentojmë dhe do të kërkojmë mbështetje. Por nëse nisemi nga praktikat e mëparshme nuk kemi has në mirëkuptim sepse kjo Qeveri bënë buxhet elektoral dhe jo të zhvillimit ekonomik… Me siguri se kjo Qeveri çdoherë ka marrë vendime ad-hoc, edhe buxheti në vend që të diskutohet që nga fillimi i shtatorit, jemi vonuar dhe vyen që së shpejti të kryhet një projeksion buxhetor që duhet të jetë i përdorshëm për një vit fiskal”, tha Lekaj.

    Ndërkaq, Ministria e Financave në një përgjigje me shkrim për KosovaPress kanë thënë se hartimi i buxhetit vjetor për vitin 2024 reflekton programin qeverisës dhe është i koordinuar me vlerësimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar.

    “Ju njoftojmë se afati i fundit ligjor për miratimin e buxhetit për vitin 2024 është data 31 tetor 2023. Bazë për hartimin e buxhetit vjetor për vitin 2024 janë projeksionet në kuadër të Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve 2024-2026, përkatësisht projeksionet për vitin 2024. Sigurisht që hartimi i buxhetit vjetor për vitin 2024 reflekton programin tonë qeverisës dhe është i koordinuar me vlerësimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Financave.

    Qeveria e Kosovës kishte miratuar Projektligjin për buxhetin e vitit 2023 në vlerë prej 3 miliardë e 212 milionë euro.

  • Tentojnë të shesin parcela me dokumente të falsifikuara, arrestohen katër persona

    Tentojnë të shesin parcela me dokumente të falsifikuara, arrestohen katër persona

    Katër persona janë arrestuar dje në Lipjan, për arsye se duke përdorur një fletë-poseduese të falsifikuar të një prone kanë tentuar të bëjnë shit-blerjen e një parcele që është pronë e një personi tjetër.

    Të dyshuarit pas intervistimit me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje.

  • Vazhdojnë bombardimet në Gaza

    Vazhdojnë bombardimet në Gaza

    Izraeli po i vazhdon bombardimet në Gaza, ku thuhet se shpërthimet ndonjëherë dëgjohen disa herë në minutë.

    Sipas një gazetareje të BBC-së, shpërthimet janë më të vogla se mbrëmë, teksa mbi qiellin e Gazës ka aeroplanë që po bombardojnë.

    “Mjegulla e mëngjesit do të thotë se është e vështirë të shihet shumë larg. Sapo ka ndodhur një seri tjetër shpërthimesh, ato duket se po bëhen gjithnjë e më të forta”, tha gazetarja e BBC-së në Gaza, Lucy Williamson.

    Kujtojmë se mbrëmë Izraeli ka thënë se ka nisur një operacion të gjerë, teksa pretendojnë se kanë vrarë kreun e forcave ushtarake ajrore të Hamasit.

  • Arrestohet një person për tentim dhunim

    Arrestohet një person për tentim dhunim

    Policia e Kosovës ka shoqëruar në polici dy persona, një grua dhe një burrë në Obiliq, pas një informate të pranuar për tentim dhunim.

    I dyshuari mashkull është arrestuar dhe dërguar në mbajtje ndërsa e femra është dërguar për ekzaminim mjekësor.

    “Obiliq 27.10.2023 – 05:20. Pas një informate të pranuar, policia kanë shoqëruar në stacion dy persona (një femër dhe një mashkull), pasi intervistimit me vendim të prokurorit i dyshuari mashkull është arrestuar dhe dërguar në mbajtje ndërsa e femra është dërguar për ekzaminim mjekësor. Rasti në procedurë hetimore”, thuhet në njoftimin e policisë.

  • Sot organizohet aktivitet për pastrimin e kryeqytetit

    Sot organizohet aktivitet për pastrimin e kryeqytetit

    Komuna e Prishtinës, organizata “Let’s do it Kosova” bashkë me KFOR-in organizojnë sot aktivitet për pastrimin e kryeqytetit.

    Aktiviteti nis në ora 10:00 në sheshin “Zahir Pajaziti” për të vazhduar në zonat tjera.

    Në këtë aktivitet merr pjesë edhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama dhe përfaqësues të lartë të KFOR-it.

  • Sindikata: Qeveria Kurti i përgjysmoi shtesat për policët

    Sindikata: Qeveria Kurti i përgjysmoi shtesat për policët

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në mbledhjen e mbajtur dje ka njoftuar se ka marrë vendim për rritjen e shtesave e rrezikshmërisë për policët. Por, vlera e ndarë po konsiderohet e papranueshme nga Sindikata e Policisë.

    Imer Zeqiri, kryetar i Sindikatës së Policisë së Kosovës tha se ky propozim është i pranueshëm dhe se shtesat e rrezikshmërisë janë përgjysmuar.

    Sipas tij, policët e rendit më parë kishin marrë shtesa të rrezikshmërisë 140 euro ndërsa sipas vendimit të sotëm do marrin vetëm 60 euro.

    “Për neve është i papranueshëm nuk ka polic që e pranon me dëshirë, ne më muaj nuk kemi marrë shtesa të rrezikshmërisë. Ky propozim është qind për qind më pak se që e kemi pasur më herët. Kemi pas shumë pakënaqësi prej policëve. Për-shembull patrulla, policia e rendit më herët i kanë marrë 140 euro shtesa prej Qeverisë me propozimin që dhanë sot është 60 euro“, tha Zeqiri për Insjaderin.

    Ai ndau edhe një koment të një polici.

    “Kur ka qenë byreku 50 cent rrezikshmëria na është paguar 240 euro ndërsa sot kur byreku është 1.50 pagesa e rrezikshmërisë është 60 euro“, tregoi ai.

    Edhe nga opozita kanë kritikuar këtë vendim të Kurtit.

    Ky vendim u pa si shqetësues nga deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Rrezarta Krasniqi.

    Ajo tha se është e papranueshme vlera që Qeveria e Kosovës ka ndarë për shtesat e rrezikshmërisë për Policinë e Kosovës.

    Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu po ashtu tha se nuk ka rritje të shtesave dhe se përkundrazi qeveria fillimisht u ndali shtesat e rrezikshmërisë Policisë së Kosovës, ndërsa tani me vendim ua ka ulë shtesat.

    Ndryshe, sot Kurti në konferencë për media është deklaruar për shtesat e rrezikshmërisë për policët, duke thënë se kanë bërë analiza të hollësishme para se të merrej vendimi.

    Kryeministri deklaroi se 10% e zyrtarëve të Policisë së Kosovës kanë pasur të ardhura më të larta se presidentja e Kosovës.

  • Lufta në Izrael, Hamasi kërkon armëpushim 5-ditor

    Lufta në Izrael, Hamasi kërkon armëpushim 5-ditor

    Hamasi ka bërë thirrje për një armëpushim pesë-ditor për të liruar më shumë se 200 pengje që ka mbajtur që kur pushtoi Izraelin më 7 tetor.

    Një anëtar i lartë i udhëheqjes politike të Hamasit, Ali Barakeh ka thënë për Financial Times se Hamasi nuk e priste që SHBA të shtonte forcat në këtë situatë.

    “Një përgjigje izraelite po e prisnim, por ajo që po shohim tani është se SHBA po hyn në këtë përleshje dhe ne këtë nuk e kishim llogaritur”, tha ai.

    Ndër të tjera pranon se sulmi i Hamasait nuk do të kishte qenë i suksesshëm pa ndihmën e aleatëve, Iranit dhe Hezbollahut.

    Barakeh tha se shumica e terroristëve të Hamasit janë në një rrjet të gjerë tunelesh nën Gaza, ku ata kanë furnizime të mjaftueshme për disa muaj.

    “Ne jemi përgatitur për një sulm tokësor,” tha ai, duke shtuar se Hamasi ka të paktën 40,000 njerëz../abcnews.al