ATV

Author: G.O.

  • Pse dhembin muskujt në mëngjes – Çfarë duhet të bëni

    Pse dhembin muskujt në mëngjes – Çfarë duhet të bëni

    Vështirësitë në lëvizje si pasojë e ngurtësimit ose kontraktimit të muskujve njerëzit zakonisht ia atribuojnë moshës ose plakjes.

    Megjithatë studimet të cilave u referohet AgroWeb.org, sqarojnë se mosha apo plakja nuk është shkaktari i vetëm i kontraktimeve të muskujve të shpinës, gjunjëve apo këmbëve.

    Zakonisht këto kontraktime ndodhin për arsye të ndryshme ku përfshihet inflamacioni apo artriti.

    Me kalimin e moshës gjymtyrët plaken, përthahen dhe ngurtësohen. Lëngjet e ndërmjetme mes kockave që zakonisht luajnë një rol lubrifikues bëhen më të pakta.

    Gjatë gjumit, muskujt e dobët dhe tendinat kanë tendencën të ngurtësohen më shumë, thonë ekspertët.

    Sipas tyre, ngurtësimi i muskujve që ndodh në mëngjes mund të shkaktohet si nga osteoartriti por edhe reumatizma.

    Sa Zgjat Ngurtësimi I Muskujve Në Mëngjes
    Ekspertët shpjegojnë se ndjesia e ngurtësimit të muskujve mund të zgjasë nga 10 në 15 minuta.

    Ajo largohet me lëvizjen dhe ngrohjen e gjymtyrëve dhe muskujve.

    Megjithatë, ngurtësimi dhe kontraktimi si pasojë e reumatizmës mund të zgjasë deri në një orë.

    Trajtimet Dhe Kurat Për Ngurtësimin E Muskujve
    Ndikimi i plakjes së gjymtyrëve për fat të keq është i pakthyeshëm.

    Pacientët mund të përdorin medikamente të caktuara për kontrollin e dhimbjeve të shkaktuara nga artriti dhe inflamacioni.

    Tek këto medikamente mund të përfshihen aspirina apo ibuprofeni dhe qetësues të tjerë.

    Megjithatë, pavarësisht medikamenteve, ngurtësimi i muskujve është diçka që mund të ndodhë shpesh.

    Ashpërsia dhe intensiteti i ngurtësimit të muskujve në mëngjes mund të pakësohet me disa hapa të thjeshtë.

    Duhet të jeni më aktiv dhe të kryeni aktivitet fizik për të rritur forcën dhe fleksibilitetin e gjymtyrëve.

    Mirëmbajtja e peshës është gjithashtu e rëndësishme dhe e dobishme.

    Gjatë këtyre rasteve të dhimbshme, mund të përdorni kompresa të ngrohta ose të ftohta.

    Ato duhen mbajtur në zonën e dhimbjes për 15-20 minuta disa herë në ditë.

    Gjithashtu edhe masazhi me vajrat esencialë si ai i rozmarinës.

    Suplementët e peshkut, si vaji i peshkut janë të pasur me acide yndyrore omega-3.

    Këto acide zbusin ndjeshëm kontraktimin dhe ngurtësimin e muskujve.

    Farat e linit janë një tjetër burim i këtyre acideve yndyrore që luftojnë inflamacionin dhe zbusin simptomat. /AgroWeb.org

  • Ministria e Drejtësisë deklarohet për zjarrin në zyret e IML-së

    Ministria e Drejtësisë deklarohet për zjarrin në zyret e IML-së

    Ministria e Drejtësisë ka konfirmuar djegien e dy zyrave të Institutin e Mjekësisë Ligjore.

    Sipas njoftimit nuk ka të lënduar dhe se ende nuk dihet shkaqet e zjarrit.

    “Sot rreth orës 08:00 në hapësirat e IML-së ka filluar një zjarr që ka përfshirë disa nga zyret e katit të dytë të objektit. Zjarri është lokalizuar dhe për momentin nuk dihen shkaqet. Menjëherë pas pranimit të informacionit, ekipet e zjarrfikëseve dhe policisë kanë shkuar në vend të ngjarjes. Zëvendësministri Sallahu është duke qëndruar po ashtu atje, për të kuptuar më shumë rreth situatës së krijuar. Për zhvillimet e mëtutjeshme do të informoheni me kohë”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

  • Sulmohet fizikisht një punëtor i Shërbimit Korrektues brenda Qendrës së Paraburgimit në Prizren

    Sulmohet fizikisht një punëtor i Shërbimit Korrektues brenda Qendrës së Paraburgimit në Prizren

    Është sulmuar fizikisht një punëtor i Shërbimit Korrektues të Kosovës në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.

    Sipas policisë ai është sulmuar nga një person që është në këtë qendër në mbajtje nga data 17.11.2023.

    Viktima ka marrë ndihmën mjekësore në spitalin rajonal si pasojë e lëndimeve të marra nga i dyshuari.

    “Rr. Ibrahim Lutfiu, Prizren 20.11.2023 – 11:15. Viktima mashkull kosovar, punëtor i Shërbimit Korrektues në qendrën e paraburgimit në Prizren, gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare për motive ende të panjohura është sulmuar fizikisht nga i dyshuari i cili është ne këtë qendër në mbajtje nga data 17.11.2023. Viktima ka marrë ndihmën mjekësore në spitalin rajonal si pasojë e lëndimeve të marra nga i dyshuari”, thuhet në njoftim.

  • DASh: ShBA-ja është e përkushtuar ndaj integrimit të Ballkanit Perëndimor, si kundërpeshë ndaj ndikimit rus

    DASh: ShBA-ja është e përkushtuar ndaj integrimit të Ballkanit Perëndimor, si kundërpeshë ndaj ndikimit rus

    Departamenti amerikan i Shtetit thotë se lufta e Rusisë kundër Ukrainës nënvizon urgjencën dhe rëndësinë e punës së Shteteve të Bashkuara “për të ndihmuar vendet e Ballkanit Perëndimor të arrijnë aspiratat e tyre për integrimin evropian dhe anëtarësimin në institucionet euro-atlantike”.

    Komenti është pjesë e një reagimi që një zëdhënës i Departamentit të Shtetit i dha Zërit të Amerikës, në përgjigje të një pyetjeje lidhur me deklaratën e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenskyy javën e kaluar “se ka informacione që Rusia mund të përpiqet të nxisë një konflikt në Ballkanin Perëndimor”.

    “Ne jemi të përkushtuar të punojmë me vendet e Ballkanit Perëndimor, partnerët tanë evropianë dhe komunitetin ndërkombëtar për të çuar përpara reformat në qeverisje, në sundimin e ligjit, ato zgjedhore dhe në luftën kundër korrupsionit, që do të pakësonin shanset për ndikimin keqdashës rus dhe do të sillnin paqe të qëndrueshme, stabilitet dhe mirëqenie për rajonin”, thotë zëdhënësi i Departamentit të Shtetit.

    Ai shtoi se sanksionet e shpallura nga Departamenti i Shtetit dhe i Thesarit javën e kaluar kishin për qëllim pikërisht këtë problem, kryqëzimin midis ndikimit keqdashës rus dhe korrupsionit.

    Zëdhënësi i referohet shpalljes nga qeveria amerikane të politikanëve serbë si persona të padëshiruar dhe vendosjes së sanksioneve ndaj 12 entiteteve në Bosnjë e Hercegovinë, Mal të Zi dhe Maqedoninë e Veriut, aktiviteti i të cilëve lidhet me ndikimin keqdashës rus në rajon dhe korrupsionin.

    “Të dyja pengojnë përpjekjet e rajonit për të përparuar drejt anëtarësimit në BE dhe një të ardhmeje më të begatë. Për vendet e Ballkanit Perëndimor, ashtu si edhe për të gjitha vendet në Evropë, është i rëndësishëm rezultati i luftës së Rusisë kundër Ukrainës, e cila kërcënon themelet e rendit dhe sigurisë ndërkombëtare. Kjo është arsyeja pse është kritike që ne të vazhdojmë të qëndrojmë së bashku përballë agresionit të Rusisë”, tha ai.

    Pas komentit të presidentit Zelenskyy, zëdhënësi i BE-së Peter Stano tha se ndikimi keqdashës rus në territorin e Ballkanit Perëndimor, nuk është shqetësim i ri.

    “Rusia po bën gjithçka që mundet për të mbjellë pakënaqësi, paqendrueshmëri politike, po ndërhyn nga jashtë, po keqinformon. Dhe kjo është arsyeja pse ne po rrisim në fakt bashkëpunimin dhe ndihmën tonë për partnerët tanë në Ballkanin Perëndimor kur bëhet fjalë për forcimin e kapaciteteve dhe aftësive të tyre për t’u përballur me këtë formë të kërcënimeve dhe ndërhyrjet nga jashtë”, tha zoti Stano.

  • Dy të vrarë dhe gjashtë të plagosur nga sulmet raketore ruse në Ukrainë

    Dy të vrarë dhe gjashtë të plagosur nga sulmet raketore ruse në Ukrainë

    Dy njerëz janë vrarë dhe gjashtë të tjerë janë plagosur si pasojë e sulmeve raketore ruse gjatë natës në dy rajonet lindore të Ukrainës, Donjeck dhe Harkiv, thanë të martën zyrtarët ukrainas.

    Cak i sulmeve ishin një spital në qytetin Selidove dhe një minierë thëngjilli, shkroi në Telegram ministri i Brendshëm i Ukrainës, Ihor Klymenko.

    “Dy ndërtesa të spitalit u dëmtuan, gjashtë civilë u plagosën. Mund të ketë viktima nën rrënoja, operacionet e kërkimit po vazhdojnë”, theksoi ai.

    Një punëtor në minierën e thëngjillit u vra gjatë sulmit, tregoi ai.

    “Katër ndërtesa, 19 automjete dhe një linjë e rrymës u dëmtuan. Tridhjetë e nëntë minatorë ngecën nën tokë. Të gjithë minatorët janë nxjerrë në sipërfaqe tani”, tha ministri ukrainas.

    Një person tjetër u vra si pasojë e granatimeve ruse në Harkiv, tha guvernatori i këtij rajoni, Oleh Synehubov.

    Rusia, e cila e nisi pushtimin e plotë dhe të paprovokuar të Ukrainës në shkurt 2022, e ka kapur shumicën e territorit të Donjeckut dhe ka thënë se synimi i saj është ta kapë tërë këtë rajon.

    Forcat ruse i vazhduan sulmet në Ukrainë derisa Kievin e vizitoi të hënën sekretari i Mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara, Lloyd Austin.

    Austin e bëri këtë vizitë të paparalajmëruar si shenjë mbështetje për Ukrainën, pasi janë rritur shqetësimet se aleatët perëndimorë të Kievit, posaçërisht SHBA-ja – e cila është përkrahësja e tij më e madhe ushtarake dhe financiare – janë “lodhur nga lufta”.

    “Jam këtu sot për ta dhënë një mesazh të rëndësishëm – Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të qëndrojnë përkrah Ukrainës në luftën e saj për liri kundër agresionit të Rusisë, tani dhe në të ardhmen”, tha Austin.

    Kjo ishte vizita e dytë e Austinit në Ukrainë, i cili udhëtoi me tren drejt Kievit nga Polonia./REL/

  • Parashikimi i motit për ditën e sotme

    Parashikimi i motit për ditën e sotme

    Sot në vendin tonë parashihet të mbajë mot kryesisht me vranësira dhe kthjellime të herëpashershme.

    Temperaturën minimale për ditën e sotme do ta mbajë Gjakova me 4 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Prizreni me 13 gradë Celsius.

    Edhe dita e nesërme do të jetë me kushte të njëjta atmosferike. Temperaturën minimale për ditën e nesërme do ta mbajnë qyteti i Pejës me 4 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale përsëri Prizreni me 11 gradë Celsius.

    Ndërkohë, në Shqipëri do të ketë mot të vranët dhe me kthjellime. Temperaturën minimale do e ketë Korça me 6 gradë Celsius, ndërsa ajo maksimale do të jetë në Vlorë me 21 gradë Celsius. /atvlive.tv/

    Parashikimin e plotë të motit, për rajon dhe Evropë mund ta gjeni në videon e mëposhtme:

  • 28 vjet nga Marrëveshja e Dejtonit

    28 vjet nga Marrëveshja e Dejtonit

    Sot bëhen 28 vjet nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Paqes për Bosnjë dhe Hercegovinë, e njohur si Marrëveshja e Dejtonit.

    Marrëveshja u nënshkrua në bazën ushtarake amerikane “Wright Peterson” në Ohajo, më 21 nëntor 1995.

    Një nga parimet kryesore të kësaj marrëveshje, ishte në ndarjen e BeH në 51 për qind në territorin e Federatës së BeH-së dhe 49 për qind në Republikën Serbe.

    Nënshkruesit u zotuan për të rregulluar marrëdhëniet e ndërsjella sipas Kartës së Kombeve të Bashkuara, Aktin Final të Helsinkit dhe dokumentet e tjera të OSBE-së, si dhe respekt reciprok për sovranitetin dhe zgjidhjen e kontesteve në mënyrë paqësore.

    Ky dokument mundësoi që t’i jepet fund luftës disa vjeçare, ku kishin humbur jetën më shumë 300 mijë qytetarë të BeH-së, e cila luftë kishte filluar pas shpalljes së pavarësisë së Bosnjës nga Jugosllavia.

    Agresioni u krye nga Ushtria e Jugosllavisë që udhëhiqej nga Serbia, në mbështetje të serbëve të Bosnjës, që synonin ta mbanin nën kontrollin e tyre territorin e BeH-së./KosovaPress/

  • Dita Botërore e Televizionit

    Dita Botërore e Televizionit

    Sot shënohet Dita Botërore e Televizionit.

    Kjo ditë simbolizon komunikim dhe globalizimin në botën bashkëkohore.

    Kjo ditë është shpallur nga Kombet e Bashkuara në vitin 1996 dhe i ka bërë bashkë për herë të parë, institucionet kryesore të industrisë mediale, Unionin Evropian të Transmetuesve (EBU), Asociacionin e Televizioneve Komerciale në Evropë (ACT) dhe EGTA Asociacionin e Radio Televizioneve me bazë në Bruksel.

  • Sot protestohet para Komunës së Prishtinës nga punëtorët teknikë të QMF-së dhe disa shkollave

    Sot protestohet para Komunës së Prishtinës nga punëtorët teknikë të QMF-së dhe disa shkollave

    Federata Sindikale e Punëtoreve Teknikë të Sektorit Privat të Kosovës ka bërë të ditur se sot do të mbahet një protestë nga punëtorët teknik të QMF-së në Prishtinë dhe të disa shkollave të kryeqytetit.

    Protesta do të fillojë nga ora 11:00 dhe do të zgjasë për një orë, si dhe do të mbahet para objektit të Komunës së Prishtinës.

    Arsyeja e mbajtjes së protestës është rritja e pagave.

  • Gripi prek “Dardanët”: Pos Muriqit të lënduar, ndaj Zvicrës mungojnë Rashica, Krasniqi e Muriç

    Gripi prek “Dardanët”: Pos Muriqit të lënduar, ndaj Zvicrës mungojnë Rashica, Krasniqi e Muriç

    Federata e Futbollit të Kosovës ka bërë të ditur se tre futbollistë të rëndësishëm do të mungojnë kundër Zvicrës që do të luhet sot.
    FFK-ja tha se për shkak të lëndimeve dhe gjendje me grip, futbollistët Milot Rashica, Ermal Krasniqi dhe protieri Arijanet Muriç nuk do të jenë në dispozicion të trajnerit Primozh Gliha.
    “Milot Rashica është lënduar në fund të stërvitjes së djeshme dhe pas ekzaminimeve mjekësore është konstatuar se ai nuk do të jetë në gjendje të luajë në ndeshjet kualifikuese kundër Zvicrës dhe Bjellorusisë”.

    “Ndërsa Ermal Krasniqi, i cili u lëndua disa ditë më herët, përkundër përkushtimit maksimal të tij dhe stafit mjekësor nuk është në gjendje për të luajtur në ndeshjen e sotme, por po bëhet përpjekje për ta riaftësuar për lojë për sfidën e ardhshme me Bjellorusinë”, thuhet në njoftimin e FFK-së, transmeton Klankosova.tv.

    Ndërsa, sipas federatës, Muriç po përballet me një gjendje gripale e cila ka bërë që ai të mos jetë në gjendje të përfshihet as në stërvitjen e fundit, e si rrjedhojë do të mungojë edhe në ndeshjen e sotme.

    “Përkundër këtyre mungesave të mëdha, në kampin e Dardanëve ekziston një motiv i lartë për paraqitje dinjitoze në ‘St. Jakob-Park’. Le ta mbështesim Kombëtaren dhe të shpresojmë në rezultat pozitiv”, tha FFK-ja.

    Kujtojmë se përveç Rashicës, Krasniqit e Muriç, Kosova në përballjen kundër Zvicrës e cila do të luhet sonte nga ora 20:45 nuk do të mund të llogarisë as në sulmuesin Vedat Muriqi, i cili po ashtu u lëndua.