ATV

Author: G.O.

  • Pilotët e FSK-së nisin programin rifreskues të fluturimit në Shqipëri

    Pilotët e FSK-së nisin programin rifreskues të fluturimit në Shqipëri

    Pilotët e Forcës së Sigurisë së Kosovës do të ndjekin një program rifreskimi teorik dhe praktik të fluturimeve nën nikoqirllëkun e Forcave Ajrore Shqiptare.

    Për këtë ka shkruar në Facebook edhe ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Niko Peleshi.

    “Forca Ajrore shqiptare hap dyert për pilotët e Forcës së Sigurisë së Kosovës”, ka shkruar Peleshi në Facebook.

    “Pilotët e FSK-së do të ndjekin në Bazën Ajrore të Farkës programin e rifreskimit teorik dhe praktik të fluturimeve me helikopter, i detyrueshëm për ekuipazhet për të mbajtur reflekset e fluturimit”.

  • ​Humbjet e ujit, ndëshkohen KRU “Hidrodrini” Pejë dhe “Hidroregjioni” Prizren

    ​Humbjet e ujit, ndëshkohen KRU “Hidrodrini” Pejë dhe “Hidroregjioni” Prizren

    Autoriteti Rregullator për Shërbimet e Ujit ka ndërmarrë veprime ndëshkuese ndaj Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Hidrodrini” në Pejë dhe “Hidroregjioni” në Prizren për shkak të humbjeve të ujit si pasojë e mos vendosjes së ujëmatësve në burimet e ujit.

    Drejtoresha e ARrU-së, Hajrie Morina, duke raportuar në Komisionin parlamentar për mbikëqyrjen e financave publike, tha se disa kompani rajonale të ujësjellësit kanë vlerësuar në baza paushallë për shpenzimet e ujit. Kjo sipas saj ka dëmtuar resurset ujore të vendit, andaj kanë marrë vendim për ta ndërprerë këtë dukuri, duke kërkuar nga të gjitha kompanitë rajonale të vendosin ujëmatës në të gjitha burimet e ujit.

    Ajo tha se momentalisht pjesa dërmuese e tyre kanë të vendosur ujëmatës, përveç në disa zona më thella ose kur ka prishje të tyre.

    “Ndryshimin më të madh sa i përket deklarimit dhe të dhënës së saktë të ujit të pa faturuar ka KRU Prizrenit dhe ajo e Pejës. Prizreni menaxhon ose i shfrytëzon diku 80 burime të ujit për t’i furnizuar qytetarët e regjionit të Prizrenit. Një pjesë e konsiderueshme e tyre nuk ka pasur ujëmatës. Natyrisht, se ne kemi marrë masat ligjore që i kemi në dispozicion dhe kemi dërguar paralajmërim te Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidroregjioni” për t’i ndëshkuar për këto veprime që kanë bërë deri tash. Jemi në proces të dënimit të tyre për këtë vepër dhe jo vetëm për Prizrenin, por edhe për të tjera ndërmarrje që kanë dërguar të dhëna të pasakta. Në Pejë tashmë kemi marrë vendim për ndëshkim. Rasti është në shkallën e dytë të ankesës, pra është në procedurë. Për “Hidroregjionin” kemi dërguar shkresën për paralajmërim, po ashtu edhe në Gjakovë dhe brenda dy dite e dërgojmë edhe për “Hidromoravë”. Qëllimi jonë është që këto dukuri të ndërpritet tash e tutje”, tha ajo.

    Shqetësuese këtë e konsideroi anëtari i komisionit, deputeti i LVV-së, Halil Thaçi, i cili tha se në Prizren janë deklaruar 17 milionë litra kub të shpenzuar, ndërkaq pas instalimit të ujëmatësve ka dalë në pah se brenda periudhës së njëjtë janë deklaruar 29 milionë litra kub ujë.

    “Kur i kemi disa shifra, këtu te Prizreni për shembull që janë deklaruar 17 milionë litra kub ujë, ndërsa pas instalimit të ujëmatësve janë 29 mijë litra kub ujë. Nuk po mendoj se është vetëm çështje e performancën për të treguar se cila KRU po del mirë në performancë”, theksoi Thaçi.

    Ndërsa, kryetarja e komisionit, deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, tha se në bazë të raporteve ndërkombëtare Kosova është vendi më i varfër në rajon sa i përket resurseve ujore. Ajo shtoi se mungesa e ujëmatësve ka dërguar në një rangim jomeritor të kompanive rajonale të ujësjellësve.

    “Disa raporte tregojnë se ne jemi vendi më i varfër në rajon sa i përket resurseve ujore, por ka shumë gjasa që renditemi të parët në keqmenaxhim të këtyre resurseve, të cilat i kemi shumë në mungesë. Çështja e mungesës së ujëmatësve ka ndikuar në një rangim jomeritor të ndërmarrjeve, mirëpo prapa tij nuk është që qëndrojnë keqpërdorime financiare, pasi është uji që e kanë qitur në sistem dhe nuk kanë arritur ta faturojnë”, theksoi ajo.

    Në anën tjetër, Komisioni shtyu për javën e ardhshme shqyrtimin e raportit të auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Agjencionit Kosovar të Privatizimit për vitin 2022.

  • Dëshmitari Zijadin Hoxha shpjegon pamjet që i kishte xhiruar gjatë luftës më 1999

    Dëshmitari Zijadin Hoxha shpjegon pamjet që i kishte xhiruar gjatë luftës më 1999

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK), në Hagë, edhe të martën po vazhdon dëshminë dëshmitari Zijadin Hoxha në çështjen gjyqësore ndaj Pjetër Shalës, i cili shpjegoi pamjet që i kishte xhiruar gjatë luftës më 1999.

    “Më 2 qershor 1999, Latif Fejzullahu u kanë mrena në uzinë. Kjo dhomë ka qenë faktikisht, iu kam tregu edhe më përpara se në këtë dhomë kam flejt edhe unë. Kanë qenë tre shtretër dhe kemi flejt katër veta. Përafërsisht 9 metra apo 10 metra katrorë nuk është ma e madhe. Kjo faktikisht ka qenë pas një dite të lodhshme e të mërzitshme, varrimi i dëshmorit Abdurrahman Gardellaj. Në mbrëmje faktikisht pas një dite të lodhshme dhe të mërzitshme, thotë një fjalë e jona popullore që trimat këndojnë por nuk vajtojnë. Kjo ka qenë hera e parë edhe e fundit (që kemi kënduar)”, tha dëshmitari Hoxha, derisa sqaroi pamjet që iu prezantuan.

    Këtë deklarim, Hoxha e bëri kur u pyet nga mbrojtësi i Shalës, avokati Jean-Louis Gilissen, lidhur me pamjet të cilat i kishte xhiruar personalisht gjatë periudhës së luftës në uzinën e metalit në Kukës, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Në një pamje tjetër, dëshmitari tha se shihen Latif Fejzullahu dhe Shefki Abdullahu, ndërsa emri i personit të tretë nuk u dëgjua. Hoxha tha se të gjithë ata që shiheshin në pamje kanë qenë nga logjistika.

    Në pyetjet e avokatit, disa herë ndërhynte edhe kryetarja e trupit gjykues, Mappie Veldt-Foglia, e cila pyeti dëshmitarin se çka nënkuptohej me “sanitet”. Lidhur me këtë, dëshmitari tha se ishte dhoma e personelit mjekësor.

    Ndërsa, lidhur me uniformat që mbanin motrat medicinale që punonin në uzinën e metalit në Kukës, ai tha se i kanë mbajtur vetëm mantelet e bardha.

    “Në kohën kur nuk kanë pas nevojë me intervenu dikun i kanë mbajtë këto uniforma, përndryshe i kanë pas mantelet e bardhë asgjë tjetër për me identifiku diçka”, tha dëshmitari.

    Ndërsa, në një pamje të prezantuar në vazhdim, dëshmitari tha se shihej një person me emrin Bedri Azemi. Ndërsa, dhoma në të cilën ishin xhiruar këto pamje, dëshmitari tha se ndodhej në katin përdhesë në objektin ku ka qenë komanda e logjistikës.

    Ndryshe, para se të fillojë me marrjen e dëshmitarit në pyetje, gjykatësja Veldt-Foglia udhëzoi avokatin Gilissen që të bëjë pyetje të hapura.

    Gjykatësja njoftoi se dje, avokati ka shfrytëzuar 1 orë e një çerek për marrje në pyetje të dëshmitarit, si dhe ka njoftuar se i nevojiten edhe rreth një orë tjetër.

    Ndryshe, gjatë muajit shkurt ka filluar gjykimi në këtë rast, ku më 21 shkurt Prokuroria dhe mbrojtja e viktimave kanë paraqitur deklaratat e tyre hyrëse, kurse më 22 shkurt janë dëgjuar deklaratat hyrëse të mbrojtjes së Pjetër Shalës, si dhe deklarata pa betim e tij.

    Në mars ka filluar paraqitja e provave të Prokurorisë, ku janë dëgjuar 10 dëshmitarë, kurse në gusht ka filluar paraqitja e provave nga mbrojtësi i viktimave ku janë dëgjuar dy dëshmitarë.

    Ndryshe, Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021, nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

    Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt.

    “Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në komunikatë. /BetimipërDrejtësi

  • Zogaj takohet me protestuesit: S’kemi ndikim të kompanitë private, do të bëjmë çmos që pagat të rriten

    Zogaj takohet me protestuesit: S’kemi ndikim të kompanitë private, do të bëjmë çmos që pagat të rriten

    Nënkryetari i komunës së Prishtinës, Alban Zogaj është takuar me punëtorët teknik të shkollave dhe QMF-ve, të cilët protestuan duke kërkuar rritjen e pagave, raporton Ekonomia Online.

    “Kishim një takim me Sindikatën e punëtorëve të kompanive private të cilët kanë një kërkesë shumë legjitime për rritje të pagave në sektorin privat dhe flasim për pjesën e punëtorëve teknik të shkollave të mesme fillore por edhe të punëtorëve teknik të Qendrave të Mjekësive Familjare”.

    “… ne si Komunë nuk kemi ndikim direkt tek kompanitë private për rritje të pagave, por e kemi mundësinë që të hyjmë në diskutim me ta dhe përmes proceseve tona të prokurimit të fillojmë negocimin dhe diskutimin që këto paga të rritën sepse janë të ulëta, më të ulëta e paga minimale në vendin tonë dhe sot marrin një pagë cila është e papranueshme diku nën 250 euro”.

    “Ne u pajtuam sot edhe me Sindikatën që shumë shpejt të fillojmë me sektorin privat që këto paga të rriten dhe të jenë të dinjiteteshme për punëtorët teknik në shkolla fillore të mesme. por edhe në Qendra të Mjekësisë Familjare. Komunikimi me Sindikatën ishte shumë korrekt dhe do bëjmë çmos që pagat t’i rrisim në të ardhmen e shpejtë”.

  • Ferizaj: E mitura nga Shqipëria raporton se u sulmua seksualisht nga babai i saj

    Ferizaj: E mitura nga Shqipëria raporton se u sulmua seksualisht nga babai i saj

    Një e mitur, shtetase e Shqipërisë ka raportuar në Polici se babai i saj e ka sulmuar atë seksualisht.

    Policia e Kosovës njoftoi se rasti ka ndodhur javën e kaluar në Ferizaj, derisa u bë e ditur se i dyshuari gjendet në arrati.

    “Ferizaj 14.11.2023, 13:30. Viktima femër shtetase e Shqipërisë e mitur ka raportuar se është sulmuar seksualisht nga babai i saj i dyshuari mashkull shqiptar shtetas i Shqipërisë. I dyshuari gjendet në arrati”, thuhet në raportin e Policisë.

    Tutje, Policia informoi se rasti është duke u hetuar.

     

  • UNICEF thotë se është gati të sjellë ndihma nëse ka një armëpushim mes Hamasit dhe Izraelit

    UNICEF thotë se është gati të sjellë ndihma nëse ka një armëpushim mes Hamasit dhe Izraelit

    Toby Fricker nga UNICEF thotë se agjencia do të mirëpriste një marrëveshje armëpushimi midis Hamasit dhe Izraelit që lejon lirimin e pengjeve.

    Megjithëse detajet e marrëveshjes së raportuar janë të paqarta për momentin, një zyrtar i Hamasit i tha Al Jazeera-s se negociatat kanë qenë të përqendruara rreth asaj se sa do të zgjasin dërgesat e ndihmave në Gaza dhe shkëmbimi i të burgosurve dhe pengjeve.

    Fricker i tha BBC-së: “Nëse ka një armëpushim të menjëhershëm humanitar për të cilin UNICEF dhe shumë të tjerë e kanë kërkuar, atëherë po, atëherë ne duhet t’i sjellim furnizimet sa më shpejt që të mundemi dhe t’i çojmë tek strehimoret, për t’i çuar te njerëzit kudo që janë brenda Rripit të Gazës, kudo që kanë nevojë, gjë që është pothuajse kudo.

    Fricker tha se ndihma do të ishte jetike për sa i përket shpëtimit të jetëve dhe parandalimit të “një katastrofe tjetër”, të shpërthimit të sëmundjeve gjatë dimrit.

  • Policia konfiskon mallra të kontrabanduara në dy raste të ndara, vlera e tyre mbi 25 mijë euro

    Policia konfiskon mallra të kontrabanduara në dy raste të ndara, vlera e tyre mbi 25 mijë euro

    Policia e Kosovës në bashkëpunim me Doganën e Kosovës, në dy raste të ndara, kanë kapur mall të kontrabanduar në sasi të konsiderueshme.

    Në rastin e parë, pasi kanë ndaluar një mjet pa targa që po lëvizte në rrugën Kabash-Smirë-Viti, Policia ka gjetur mallra të ngarkuara në vlerë tregu mbi 25.000 euro, mallra të cilat dyshohet se janë kontrabanduar përmes rrugëve ilegale nga Maqedonia e Veriut.

    Saktësisht ka gjetur 7100 poça elektrikë, 300 kilogramë rrush i terur, 1040 kilogramë arra të qëruara, 200 kilogramë arra indiane, 158 copë jakne, 55 çanta krahu, 25 jelekë-monta, gjashtë palë çorape dhe një palë këpucë për gra.

    Ndërkohë, në të rajonin e veriut, në Jarinje, është gjetur një veturë e braktisur në fshatin Jellakce, ku e njëjta po ashtu ishte pa targa, në të cilën ndodheshin mallrat e kontrabanduara (pijet alkoolike dhe të gazuara).

    “Lidhur me rastin në vendngjarje kanë dalë njësitë përkatëse policore, është bërë tërheqja e mjetit i cili është dërguar në terminalin doganor Mitrovicë, në ndërkohë që janë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme policore, për procedurat e mëtejme hetimore”, thuhet në komunikatën e Policisë.

    Komunikata e plotë:

    Po ashtu në të njëjtën datë, në rajonin e veriut, gjatë një patrullimi nga NjNSh në Jarinje është gjetur një veturë e braktisur në fshatin Jellakce, ku e njëjta po ashtu ishte pa targa, në të cilën ndodheshin mallrat e kontrabanduara (pijet alkoolike dhe të gazuara).

    Policia e Kosovës, gjegjësisht njësitet e Task Forcës–Lindje, në bashkëpunim me Doganën e Kosovës në Viti dhe Njësia për Ndërhyrje të Shpejtë (NjNSh) në Jarinje, në zbatim të masave për parandalimin dhe luftimin e paligjshmërisë dhe kontrabandës, kanë intensifikuar kontrollet taktike dhe operacionale në terren, të cilat kanë rezultuar me gjetjen e dy automjeteve të ngarkuara me mall të kontrabanduar.

    Në rastin e parë, në rajonin e lindjes, me datën 20.11.2023, është vërejtur një automjet i dyshuar pa targa i cili po lëvizte në rrugën Kabash-Smirë-Viti, i cili përkundër urdhrave të zyrtarëve policorë për ndalim ka tentuar që të largohet, ku gjatë ikjes ka shkaktuar aksident trafiku me njërën nga veturat zyrtare të PK-së dhe si përfundim është ndaluar nga zyrtarët policorë.

    Të dyshuarit mashkull kosovar me iniciale M. M. gjatë kontrollimit të mjetit që e drejtonte i janë gjetur mallra të ngarkuara në vlerë tregu mbi 25.000 euro, mallra të cilat dyshohet se janë kontrabanduar

    përmes rrugëve ilegale nga RMV – RKS, e që janë si në vijim:

     poça elektrikë – 7100 copë,

     rrush i terur rreth 300 kg,

     arra të qëruara rreth 1040 kg,

     arra indiane rreth 200 kg,

     tekstil jakne 158 copë,

     çanta krahu për femra 55 copë,

     jelek-mont 25 copë,

     çorape 6 palë dhe

     1 palë këpucë për femra.

    Lidhur me rastin të gjitha veprimet janë ndërmarrë në bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit, ku me urdhër të prokurorit kompetent në Gjilan i dyshuari është ndaluar për 48 orë, ndërsa malli dhe automjeti i përfshirë në rast dërgohen në terminalin doganor Dheu i Bardhë.

  • Ferizaj: Në gjendje të dehur kërcënoi një burrë, arrestohet e dyshuara

    Ferizaj: Në gjendje të dehur kërcënoi një burrë, arrestohet e dyshuara

    Një rast i kanosjes është raportuar të ketë ndodhur dje në Ferizaj.

    Sipas raportit ditor të Policisë, një femër kosovare ka shkuar në gjendje të dehur me një palë gërshërë në oborrin e viktimës (mashkull Kosovar) dhe të njëjtin e kishte kërcënuar.

    Pas invervistimit e dyshuara është arrestuar dhe me vendim të prokurorit ajo është dërguar në mbajtje.

  • Gjoshi i PDK-së: Rastësi jo e vogël djegia në IML pas intervistimit të Albulena Haxhiut

    Gjoshi i PDK-së: Rastësi jo e vogël djegia në IML pas intervistimit të Albulena Haxhiut

    Sekretari për organizim në Partinë Demokratike të Kosovës, Betim Gjoshi, ka lidhur ngjarjen e sotme të djegies së dy zyrave në ndërtesën e Institutit të Mjekësisë Ligjore në Prishtinë me intervistimin e ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

    Ai ka kërkuar që “sa më parë” duhet të ketë informata se çka e shkaktoi zjarrin dhe çfarë u dogj.

    “Cilat janë dëmet dhe a janë shkatërruar provat e ndonjë rasti? Rastësi jo e vogël kjo ngjarje, një ditë pas intervistimit nga prokuroria të ministres Albulena Haxhiu. Nën vëzhgimin e saj, me 8 dhjetor të vitit të kaluar, ishin zhdukur edhe mostrat e Astrit Deharit”, tha Gjoshi përmes një reagimi në faqen e tij në Facebook.

  • Rohde: Kosova po humb afërsisht 400 milionë euro investime

    Rohde: Kosova po humb afërsisht 400 milionë euro investime

    Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde ka deklaruar se përderisa Kosova ka mbetur e angazhuar në dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, nevojiten shumë më tepër përpjekje për të zbatuar marrëveshjet dhe për të vazhduar dialogun konstruktiv me Serbinë.

    Sipas tij, Gjermania në vazhdimësi ka ofruar ndihmë thelbësore për institucionet e Kosovës në zbatimin e reformave thelbësore të nevojshme për procesin e integrimit në BE, jo vetëm dypalëshe me rreth 800 milionë euro, por edhe me kontribute të konsiderueshme në programet IPA të BE-së.

    “Miratimi i strategjisë së E-Qeverisjes, zgjerimi i shërbimeve përmes E-Kosova dhe përpjekjet për uljen e barrës administrative po ua lehtësojnë jetën qytetarëve kosovarë”, tha Rohde.

    Ai ngriti si shqetësim edhe mos miratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, ku tha se Kosova po humb afërsisht 400 milionë euro investime.