ATV

Author: G.O.

  • Vazhdon edhe sot gjykimi ndaj Pjetër Shalës

    Vazhdon edhe sot gjykimi ndaj Pjetër Shalës

    Sot në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë do të vazhdojë procesi gjyqësor ndaj ish-pjesëtarit të UÇK-së, Pjetër Shalës.

    Seanca ndaj Shalës pritet të nisë në ora 09:30 dhe të përfundojë në 16:00.

    Shala po akuzohet për krime lufte, ndalim arbitrar, trajtim mizor dhe për vrasje të paligjshme që dyshohet se u kryen midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që dyshohet se u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës të Shqipërisë.

  • Trendafilova sot në Prishtinë, PSD-ja organizon protestë kundër saj: Nuk është e mirëseardhur këtu

    Trendafilova sot në Prishtinë, PSD-ja organizon protestë kundër saj: Nuk është e mirëseardhur këtu

    Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK), Gjykatësja Ekaterina Trendafilova, sot do të mbajë një takim me përfaqësues të shoqërisë civile në Prishtinë në kuadër të Programit për Komunikim dhe Ndërgjegjësim.

    “Në këtë takim ajo do të flasë për zhvillimet aktuale në DHSK si dhe do t’u përgjigjet pyetjeve. Ky takim ndërveprues organizohet në kuadër të Programit për Komunikim dhe Ndërgjegjësim të DHSK-së”, thuhet në njoftimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës.

    Specialja njofton se kjo vizitë ka të bëj me aktivitetet e Programit për Komunikim dhe Ndërgjegjësim mbahet në Prishtinë.

    Kurse Partia Socialdemokrate sot mban protestë me rastin e vizitës së kryetares së Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova.

    “UÇK nuk mund të gjykohet. Vizita e z. Trëndafilova në Kosovë është pikërisht për të rregulluar imazhin e kësaj gjykate të padrejtë. Gjykata Speciale është në krizë nga mungesa e thellë e legjitimitetit. PSD-ja është e vendosur që kjo përpjekje të mos arrijë qëllimin. Trendafilova nuk është e mirëseardhur këtu. Të bashkohemi të mërkurën me 29 nëntor, ta kundërshtojmë së bashku padrejtësinë që po mundohen t’na e interpretojnë si drejtësi”, njofton PSD.

    Ndryshe Policia e Kosovës gjatë vizitës në Kosovës, të kryetares së Dhomave të Specializuara të Gjykatës Speciale Ekaterina Trendafilova, do të kujdeset për ofrimin e sigurisë, mirëmbajtjen e rendit e qetësisë publike gjatë kohës së lëvizjes së eskortës dhe qëndrimit në vendin tonë.

    “Për të mundësuar qarkullim të lirë të eskortës zyrtare nën përcjellje dhe sigurim sipas itinerarit ë lëvizjes, Policia e Kosovës do të bëjë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut (në intervale të shkurta kohore) bazuar në itinerarin dhe agjendën si dhe do të ketë riorientim të trafikut në rrugë alternative, andaj Policia e Kosovës kërkon mirëkuptim të plotë nga ana e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik”, njofton Policia.

  • Dëshmitari i mbrojtjes thotë se për Pjetër Shalën ka dëgjuar vetëm kur filloi gjykimi

    Dëshmitari i mbrojtjes thotë se për Pjetër Shalën ka dëgjuar vetëm kur filloi gjykimi

    Dëshmitari i nëntë i mbrojtjes, i cili po dëshmon nën masa mbrojtëse, tha se për Pjetër Shalën nuk ka dëgjuar dhe as nuk e ka parë atë gjatë vitit 1999.

    Duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit të Pjetër Shalës, avokatit Mohammed Hedi Aouini, dëshmitari tha së për të akuzuarin ka dëgjuar vetëm kur kanë filluar seancat gjyqësore, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    “Jo nuk kam parë dhe nuk kam dëgjuar për të, përveç tash kur kanë fillu seancat gjyqësore”, tha dëshmitari me kodin W04280.

    Po ashtu, dëshmitari tha se gjatë vitit 1999 nuk ka dëgjuar asnjëherë për dikë me nofkën ‘Ujku”.

    Pas kësaj, me kërkesën e avokatit Aouini, seanca sërish kaloi në sesion privat për publikun.

  • “Na përfaqëson denjësisht në mbarë botën”- Rita Ora nderohet me “Çelësin e Qytetit” në Prishtinë

    “Na përfaqëson denjësisht në mbarë botën”- Rita Ora nderohet me “Çelësin e Qytetit” në Prishtinë

    Këngëtares shqiptare me famë botërore, Rita Ora i është dhuruar “Çelësi i Qytetit” nga kryetari i Komunës (Bashkisë) së Prishtinës, Përparim Rama për përfaqësimin me dinjitet që i ka bërë Shqipërisë në mbarë botën.

    Lajmin e ka bërë të ditur vetë Rama përmes një postimi në rrjetet sociale, ku gjithashtu i ka falënderuar çiftin për vizitën e tyre në Kosovë.

    “Fantastikë Rita Ora e Taika Waititi ishte kënaqësi të ju kishim në Prishtinë! Në emër të Kryeqytetit, ju dhuruam ‘Çelësin e Qytetit’ për emocionet e veçanta që na dhuroni, dhe Rita përfaqësimin e dinjitetshëm që na bën në mbarë botën. Faleminderit Rita për dhuratën, albumi yt i ri është fantastik!

    “Prishtina ju pret me zemër hapur sot e përherë”– ka shkruar ai.

    Artistja së bashku bashkëshortin,Taika Waititi prej disa ditësh ndodhet në Prishtinë, ku festoi edhe 33-vjetorin e lindjes.

    Ajo është pritur nga kryetari i komunës, Rama, kryeministri Albin Kurti si dhe nga presidentja Vjosa Osmani.

  • IPK-ja arreston një zyrtar policor në Gjakovë për ngacmim dhe dhunim

    IPK-ja arreston një zyrtar policor në Gjakovë për ngacmim dhe dhunim

    Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht hetuesit e Departamentit të Hetimeve kanë arrestuar sot (e martë) një zyrtar policor në Gjakovë nën dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale të “Ngacmim” dhe “Dhunim”.

    Inspektorati Policor kishte pranuar informacione dy ditë më herët nga Policia e Kosovës dhe ankuesja e cila ka denoncuar rastin në të cilin rast ky zyrtar policor dyshohet se ka kryer veprime të kundërligjshme.

    Më komunikatë thuhet se bazuar në veprimet fillestare hetimore dyshohet se zyrtari policor ka shantazhuar viktimën në këtë rast përmes disa fotove dhe video incizimeve.

    “Pas pranimit të këtyre informacioneve, hetuesit e IPK-së në koordinim me prokurorinë kanë ndërmarrë veprime hetimore pas të cilave zyrtari policor i dyshuar në këtë rast është arrestuar kurse nga prokurori kompetent i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë”, thuhet në njoftim.

    Hetuesit e IPK-së në koordinim të plotë me Prokurorinë e Shtetit, do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast.

  • Rritet çmimi i naftës

    Rritet çmimi i naftës

    Çmimet e naftës u rritën të martën për shkak të pasigurisë së furnizimit, pasiguri kjo e cila u rrit për shkak të mosmarrëveshjeve midis anëtarëve të OPEC + (Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës) mbi kuotat e tyre të prodhimit për vitin e ardhshëm.

    Nafta e papërpunuar standarde ndërkombëtare Brent tregtohej me 80,50 dollarë për fuçi në orën 11:40 të mëngjesit me orën lokale, një rritje prej 0,79% nga çmimi i mbylljes prej 79,87 dollarë për fuçi në seancën e mëparshme tregtare të hënën.

    Standardi amerikan, West Texas Intermediate (WTI), tregtohej në të njëjtën kohë me 75,47 dollarë për fuçi, 0,81% më shumë nga mbyllja e së hënës prej 74,86 dollarë për fuçi.

    Pasiguritë e furnizimit në tregjet globale të naftës vazhdojnë të ndikojnë në çmimet e naftës. Takimi i anëtarëve të OPEC+ i planifikuar për 26 nëntor në Vjenë u shty me katër ditë për 30 nëntor, shkruan AA.

    Grupi pritet të përcaktojë kuotat e prodhimit që do të vendosen nga janari e në vazhdim.

  • Arrestohet një burrë në Prishtinë, i kanosi me thikë dy persona

    Arrestohet një burrë në Prishtinë, i kanosi me thikë dy persona

    Është arrestuar një burrë në Prishtinë, pasi pas një mosmarrëveshje i kishte kanosur me thikë dy persona.

    Me vendim të prokurorit, i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje.

    “Prishtinë / 27.11.2023 – 10:50. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar për shkak se pas një mosmarrëveshje kishte kanosur me thikë dy viktimat meshkuj kosovar. Me vendim të prokurorit, i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftimin e policisë.

  • Stoltenberg: NATO-ja do të bëjë atë që duhet për të siguruar stabilitetin në Ballkan

    Stoltenberg: NATO-ja do të bëjë atë që duhet për të siguruar stabilitetin në Ballkan

    Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka shprehur shqetësimin për rritjen e tensioneve në rajonin e Ballkanit Perëndimor, teksa ka premtuar se aleanca veri-atlantike do të bëjë gjithçka në mënyrë që të ruajë stabilitetin në rajon.

    “Ajo që shohim atje është se tensionet po rriten. Po shoh rritje të tensioneve dhe retorikë nxitëse në Bosnje e Hercegovinë. Kemi parë incidente të rënda dhune në Kosovë duke përfshirë sulmin ndaj paqeruajtësve të NATO-s. Janë lënduar 93 ushtarë të NATO-s, nga të cilët disa shumë rëndë. Gjithashtu kishim sulmin në Banjskë”, ka deklaruar shefi i aleancës veri-atlantike në prag të takimit të ministrave të Jashtëm të shteteve anëtare.

    “NATO do të bëjë atë që është e nevojshme për të mbajtur ose për të siguruar stabilitetin në rajon, sepse kjo është e rëndësishme jo vetëm për Ballkanin Perëndimor, por për të tërë Evropën”, porositi Stoltenberg, shkruan Rel.

    Shefat e diplomacive të 31 shteteve anëtare të NATO-s në takimin që po mbahet në Bruksel më 28 dhe 29 nëntor, do të diskutojnë ndër tjerash edhe lidhur me situatën e sigurisë në rajon.

    Më 27 nëntor, Sekretari i Përgjithshëm i aleancës ka paralajmëruar se në takim do diskutohet mundësia e shtimit të përhershëm të numrit të ushtarëve në kuadër të misionit paqeruajtës të aleancës në Kosovë, KFOR.

    Pas sulmit në Banjskë që ndodhi më 24 shtator, NATO ka forcuar tashmë praninë e saj ushtarake në Kosovë – e krijuar pas fushatës së bombardimeve kundër Serbisë në vitin 1999 – me rreth 1.000 trupa shtesë dhe armatime më të rënda, duke e çuar trupat e saj në Kosovë në 4.500.

    Tani po shqyrtohet mundësia që numri i shtuar i ushtarëve të jetë afatgjatë, si dhe që ushtarët të kenë aftësi të shtuara ushtarake.

    Debati për rajonin do të mbahet të mërkurën pasdite, ndërsa në takim do të jetë i pranishëm edhe përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell.

  • Deponohen mbi 1 mijë euro false në një bankë në Fushë-Kosovë, policia nis hetimet

    Deponohen mbi 1 mijë euro false në një bankë në Fushë-Kosovë, policia nis hetimet

    Policia e Kosovës ka nisur hetimet lidhur me një rast të falsifikimit të parave në Fushë-Kosovë.

    Sipas policisë, një person ka njoftuar se janë deponuar mbi 1 mijë euro false në bankë.

    Policia ka nisur hetimet për rastin.

    “Fushë Kosovë / 01.05.2023 – 27.11.2023. Është raportuar se nga klient janë deponuar rreth 1060€ para të falsifikuara. Parat janë konfiskuar dhe rasti është duke u hetuar”, thuhet në njoftim.

  • Pesë raste të dhunës në familje gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë

    Pesë raste të dhunës në familje gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë

    Policia e Kosovës ka raportuar për 5 raste të dhunës në familje në Kosovë, gjatë 24 orëve të fundit.
    Dy raste të dhunës në familje kanë ndodhur në Prishtinë, një në Fushë Kosovë, një në Viti dhe një tjetër në Ferizaj, raporton Policia.
    Sipas raportit 24 orësh njëri rast në Prishtinë ka qenë konflikt verbal në mes dy bashkëshortëve, ndërsa rasti tjetër ka qenë kërcënim nga burri për shkak të vendimit për divorc nga ana e gruas.
    Në Fushë Kosovë burri ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij, në Ferizaj është arrestuar një burrë pasi ka ushtruar dhunë ndaj motrës së tij, ndërsa në viti një burrë ka sulmuar fizikisht babain e tij.
    Të gjithë të dyshuarit me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje.

    Policia e Kosovës nuk ka dhënë detaje të tjera për rastet.