ATV

Author: G.O.

  • Konjufca: 28 nëntori gjithmonë fillon në Prekaz

    Konjufca: 28 nëntori gjithmonë fillon në Prekaz

    Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka bërë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, me rastin e 28 Nëntorit.

    Me këtë rast Konjufca tha se 28 Nëntori gjithmonë fillon në Prekaz, aty ku ka ndodhur sipas tij sakrifica më e lartë e popullit të Kosovës për liri.

    “28 nëntori në Kosovë gjithmonë fillon në Prekaz, këtu ku ka ndodhur sakrifica më e lartë e popullit të Kosovës për liri dhe këtu është ngjizur lufta e lavdishme e UÇK-së, po ashtu kjo datë është edhe dalja publike e ushtrisë tonë çlirimtare e po ashtu në të njëjtën kohë është edhe ditëlindja e komandantit legjendar Adem Jashari. Nëntori do të festohen gjithmonë, uroj që ne të na gjejnë gjithmonë më të bashkuar dhe gjithnjë më të fortë. Lavdi dëshmoreve dhe urime dita e flamurit gjithë shqiptarëve kudo që jetojnë ata”, tha Konjufca.

  • Reshje bore e shiu në gjithë vendin, këto janë temperaturat për sot

    Reshje bore e shiu në gjithë vendin, këto janë temperaturat për sot

    Sot në vendin tonë parashihet të mbajë mot me reshje shiu dhe bore.

    Temperaturën minimale për ditën e sotme do ta mbajnë Ferizaj, Prishtina, Mitrovica me nga 1 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Prizreni me 7 gradë Celsius.

    Edhe dita e nesërme do të jetë me kushte të njëjta atmosferike. Temperaturën minimale për ditën e nesërme do ta ketë Gjilani me -3 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale përsëri Prizreni me 6 gradë Celsius.

    Ndërkohë, në Shqipëri do të ketë mot të vranët dhe me kthjellime. Temperaturën minimale do e ketë Kukësi me 4 gradë Celsius, ndërsa ajo maksimale do të jetë në Vlorë dhe Durrës me 18 gradë Celsius. /atvlive.tv/

    Parashikimin e plotë të motit, për rajon dhe Evropë mund ta ndiqni në videon e mëposhtme:

  • 28 Nëntori, uron Haradinaj: Janë të rrallë popujt të cilët e kanë kalendarin aq të pasur me ngjarje historike si ne shqiptarët

    28 Nëntori, uron Haradinaj: Janë të rrallë popujt të cilët e kanë kalendarin aq të pasur me ngjarje historike si ne shqiptarët

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka uruar popullin shqiptar me rastin e 28 Nëntorit.

    Haradinaj përmes një urimi të gjatë në llogarinë e tij në Facebook, ka thënë se asnjë popull nuk e ka të mbushur kalendarin me data e ngjarje historike si populli shqiptar.

    “Janë të rrallë popujt të cilët e kanë kalendarin aq të pasur me data e ngjarje historike si ne shqiptarët, prej epokës së Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, epokë e cila kishte trasuar rrugën e të gjitha përpjekjeve të mëpastajme, e veçmas nëntori që në vete ngërthen ngjarjet më të rëndësishme, si ajo e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, ditëlindja e komandantit legjendar Adem Jashari dhe dalja publike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës’, ka thënë Haradinaj.

    Urimi i plotë i Haradinajt:

    Gëzuar 28 Nëntori të gjithë shqiptarëve kudo që jetojnë!

    Shqiptarët prej dekadash e kanë pasur të qartë qëllimin dhe orientimin e tyre. Në secilën rrethanë e pavarësisht stuhive, mbijetuam duke ruajtur identitetin, qëllimin e orientimin.

    Janë të rrallë popujt të cilët e kanë kalendarin aq të pasur me data e ngjarje historike si ne shqiptarët, prej epokës së Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, epokë e cila kishte trasuar rrugën e të gjitha përpjekjeve të mëpastajme, e veçmas nëntori që në vete ngërthen ngjarjet më të rëndësishme, si ajo e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, ditëlindja e komandantit legjendar Adem Jashari dhe dalja publike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Përjetësisht përulemi para të rënëve për liri të të gjitha kohërave. Lavdi Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe Komandantit Legjendar Adem Jashari. Nderime sot, për ushtarët dhe oficerët që i shërbejnë Atdheut.

  • Policia nis hetimet për dy vdekje në Prishtinë

    Policia nis hetimet për dy vdekje në Prishtinë

    Policia e Kosovës ka nis hetimet për dy vdekje të ndodhura dje në Prishtinë.

    “Prishtinë / 27.11.2023 – 10:20. Një mashkull kosovar është gjetur i shtrirë në rrugë në gjendje të rëndë shëndetësore nga disa kalimtarë dhe dyshohet se ka rënë nga një objekt. Viktima është dërguar për trajtim mjekësor në QKUK, ku rreth orës 11:00 ka ndërruar jetë. Me vendim të prokurorit trupi i pajetë është dërguar për obduksion”, thuhet në njoftimi.

    Ndërkaq, në rastin e dytë bëhet fjalë për vdekjen e një gruaje.

    “Prishtinë / 27.11.2023 – 14:50. Raportohet se në banesën e saj pa shenja jetë është gjetur viktima femër kosovare. Me vendim të prokurorit trupi i pa jetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion”, thuhet tutje në njoftim.

  • Osmani nga Prekazi: Ta kujtojmë çmimin e lartë të lirisë, të reflektojmë për sakrificat që kanë bërë të gjithë heronjtë

    Osmani nga Prekazi: Ta kujtojmë çmimin e lartë të lirisë, të reflektojmë për sakrificat që kanë bërë të gjithë heronjtë

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kreu i Kuvendi Glauk Konjufca kanë bërë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, në Prekaz, me rastin e 28 Nëntorit, raporton Ekonomia Online.

    Me këtë rast e para e shtetit tha se në këtë ditë po festohen tri festa Dita e Flamurit, ditëlindja e komandantit Adem Jashari dhe dalja për herë në skenë e UÇK-së.

    Kjo ditë tha ajo na e kujton çmimin e lartë të lirisë dhe sakrificat që janë bërë ndër shekuj, madje tha se kjo ditë duhet të jetë ditë reflektimi për atë që kanë bërë të gjithë heronjtë.

    Osmani pohoi se nderimi për Familjen Jashari do të jetë i vazhdueshme duke shtuar se për këtë familje respekti duhet të jetë i jashtëzakonshëm.

    “Sot e fillojmë këtë ditë historike duke e nderuar një familje si familja është familja Jashari duke e shënuar ditëlindjen e heroit dhe daljen e UÇK-së. Kjo ditë na kujton çmimin e lirisë, çmimin e lartë të lirisë dhe sakrificave që janë bërë për shekuj që ne të jemi të lirë”.

    “Është moment reflektimi për atë që heronj tanë kanë bërë që nga Skënderbeu e deri te Ismail Qemajli e te komandanti Adem Jashari. Lavdi të gjithë atyre që kanë dhënë për lirinë dhe respekt i jashtëzakonshëm për familjen Jashari”.

  • Mbi 35 vite, Luan Qukani mban gjallë zanatin e poçarisë

    Mbi 35 vite, Luan Qukani mban gjallë zanatin e poçarisë

    Një zanat i vjetër sa njerëzimi, thuhet për poçarinë. Ky lloj arti me argjilë për të krijuar enë e vazove të ndryshme prej balte është trashëguar brezë pas brezi nga familja Qukani e Gjakovës.

    Ky zanat i hershëm arrinë të mbijetoj edhe në ditët e sotme nga pasioni i madh i Luan Qukanit, i cili e nisi menjëherë pas humbjes së babit.

    Mbi 35 vite në këtë zanat, poçari Luan Qukani nuk arriti t’ia barte fëmijëve të tij teksa me dëshpërim thotë se ky zanat i familjes pas tij do të zhduket.

    Procedura e krijimit të aksesorëve të ndryshme prej balte nuk është e lehtë por poçari e bënë të duket aq e thjeshtë dhe e shpejt. Forma të ndryshme një procedurë e gjatë, nga ngjeshja e deri tek pjesa e formës, më pas pjekja e ngjyrosja marrin shumë kohë për të arritur në një rezultat të tillë./atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

     

  • Erzen Zyberaj më 28 nëntor vrapon nga Prishtina deri në Tiranë

    Erzen Zyberaj më 28 nëntor vrapon nga Prishtina deri në Tiranë

    Data 28 nëntor për çdo shqiptar në të gjithë botën është e veçantë, megjithatë për vrapuesi profesionist nga Rahoveci, Erzen Zyberaj kjo datë shënon një nga sfidat më të mëdha në jetën e tij.

    Për të nderuar ditën e Pavarësisë në Shqipëri, Zyberaj ka vendosur të kalojë në histori duke organizuar një vrapim të jashtëzakonshëm 260 KM nga Prishtina drejt Tiranës.

    E për të arritur me sukses një vrapim të tillë, Erzeni stërvitet afër 15 orë në javë, ndërsa frika më e madhe e tij në këtë rrugë të gjatë është përgatitja mentale.

    Mes një shkëmbi sfidash për të arritur tek destinacioni final, atë të suksesit, Erzeni thotë “Shqipëri unë po vi me vrap për 24 orë”./atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

     

     

  • Vazhdon edhe sot gjykimi ndaj Pjetër Shalës

    Vazhdon edhe sot gjykimi ndaj Pjetër Shalës

    Sot në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë do të vazhdojë procesi gjyqësor ndaj ish-pjesëtarit të UÇK-së, Pjetër Shalës.

    Sipas njoftimit të ZPS-së, seanca ndaj Shalës pritet të nisë në ora 09:30 dhe të përfundojë në 16:00.

    Kujtojmë se Shala akuzohet për krime lufte, ndalim arbitrar, trajtim mizor dhe për vrasje të paligjshme.

    Sipas pretendimeve të ZPS-së, krimet për të cilat akuzohet Shala dyshohet se u kryen midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që dyshohet se u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës të Shqipërisë.

  • 26 vjet nga dalja publike e UÇK-së në skenë

    26 vjet nga dalja publike e UÇK-së në skenë

    Sot bëhen 26 vjet nga dalja e parë në skenë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

    28 Nëntori nuk shënon vetëm festën e Ditës së Flamurit. Sa herë vjen ky muaj, Kosova kujton daljen e parë në skenë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, më 28 nëntor të vitit 1997, në fshatin Llaushë të Skenderajt.

    Ndërkaq, ajo që bëri që UÇK-ja të bëjë publike aktivitetet, ishte vrasja e mësuesit të shkollës së Llaushës, Halit Geci, dy ditë më parë nga forcat serbe.

    Rexhep Selimi, Daut Haradinaj dhe Mujë Krasniqi, kanë qenë të parët që kanë dalë për herë të parë publikisht para opinionit publik, në varrimin e tij, si ushtarë të UÇK-së.

    Deklarata e UÇK-së për paraqitjen e saj të parë publike u përgatit nga vetë ushtarët e saj.

  • Ditëlindja e komandantit legjendar Adem Jashari

    Ditëlindja e komandantit legjendar Adem Jashari

    Komandanti legjendar Adem Jashari sot po të ishte gjallë do t’i bënte 68 vjet.

    Ai ka lindur më 28 nëntor të vitit 1955 në Prekaz të Skenderajt. Ishte djali i tretë i Shaban dhe Zahide Jasharit. Ka mbaruar shkollën e mesme teknike në Skenderaj.

    Pas shuarjes së të gjitha institucioneve të Kosovës më 1990, ideja për t’u organizuar në aspektin ushtarak merr një dimension të ri, nga LPK-ja, e cila ende nuk vepronte krejtësisht publikisht. Me 3 nëntor të vitit 1991, në Shqipëri shkoi një grup veprimtarësh për t’i kryer ushtrimet e duhura ushtarake dhe për t’u stërvitur për luftën e armatosur.

    Shërbimet sekrete serbe i bien në gjurmë formacionit të armatosur dhe policia serbe ia mësyn rrethimit dhe kapjes së tij. Më 30 dhjetor 1991 ekspedita policore – ushtarake serbe ndërmori aksion për zënien e grupit. Pas kësaj përleshjeje me forcat e policisë serbe, tërë grupi i Adem Jasharit kalon në ilegalitet, deri në fillimet e luftës çlirimtare në Kosovë.

    Intensifikimi i aksioneve të armatosura të UÇK-së fillon me sulmin e shtatorit 1997 në 12 stacionet policore. Nga aksionet e armatosura kundër forcave policore që kryente UÇK-ja, pas shtimit të dhunës sistematike të forcave serbe nëpër Kosovë, kalohet në një fazë tjetër, të ndeshjes së drejtpërdrejtë me forcat serbe, pra në beteja, në fundin e nëntorit 1997, kur në Rezallë të Re luftohet me forcat e shumta të policisë serbe.

    Në këtë betejë i ndërpritet rruga kolonës së armatosur rëndë të forcave serbe, që kishin mësyrë një sulm në fshatin Vojnik, ku një ditë më parë, patrullat e maskuara të policisë serbe ishin gjuajtur me armë zjarri nga njëri prej luftëtarëve të hershëm të UÇK-së, Abedin Rexha – Sandokani.

    Në këtë betejë printe Adem Jashari dhe luftëtarë të tjerë si Mujë Krasniqi, Rexhep Selimi, Sylejman Selimi, Ilaz Kodra, Ilaz Dërguti etj. Kjo është beteja e parë dhe fitorja e njësitit të UÇK-së. Kjo betejë bëri jehonë të madhe në opinionin publik.

    Policia serbe kishte shënjuar që moti shtëpinë e Jasharëve. Më 5 mars 1998, që në orët e hershme, forca të mëdha të policisë serbe kishin mësyrë Prekazin. Një pikë zjarri, e stacionuar që herët në lokacionin e fabrikës së municionit, që ishte në afërsi të shtëpisë së Jasharëve, ishte përforcuar me mjete të rënda artilerike.Përforcimet e forcave serbe kishin ardhur edhe nga drejtimi i Klinës, Mitrovicës dhe Gllogovcit. Sulmi mbi Jasharët nis rreth orës gjashtë të mëngjesit.

    Në shtëpi ndodheshin pothuajse tërë anëtarët e familjes. Sulmi mbi Jasharët dhe qëndresa heroike e tyre zgjatë tri ditë: më 5, 6 dhe 7 mars 1998.Kjo luftë heroike, në historinë e re të Kosovës njihet me emrin Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Për figurën e Adem Jasharit kanë shfaqur mendime edhe personalitete të rëndësishme.

    Administratori i parë ndërkombëtar i Kosovës, Bernar Kushner ka deklaruar se po të kishte Çmim Nobel për sakrificë për liri, ai do t’i takonte Adem Jasharit dhe familjes së tij.

    Me vendim të ish-presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu, Adem Jashari është nderuar me titullin Hero i Kosovës.