ATV

Author: G.O.

  • Presidentja Osmani bën homazhe në Prekaz dhe tek varri i Isa Boletinit

    Presidentja Osmani bën homazhe në Prekaz dhe tek varri i Isa Boletinit

    Me rastin e 28 nëntorit, 111-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, bën homazhe tek Kompeksi Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.

    Ky aktivitet i të parës së shtetit të Kosovës mbahet nga ora 08:30.

    Ajo do të bëjë homazhe edhe në fshatin Boletin, tek varri i heroit Isa Boletini.

    Presidentja Osmani do të jetë atje nga ora 10:00.

  • Pjesëtarët e NjSI-së me plisa në kokë publikojnë fotografi për 28 Nëntor

    Pjesëtarët e NjSI-së me plisa në kokë publikojnë fotografi për 28 Nëntor

    Pjesëtarët e Njësitit Special Intervenues (NjSI) e kanë publikuar një fotografi ku shihen me plisa në kokë duke e festuar 28 Nëntorin.

    Si duket kjo fotografi është bërë për nderë të Pavarësisë së Shqipërisë.

    Ndërsa në muajt fundit NjSI ka luajtur një rol kyç për ruajtjen e sigurisë në Kosovë, sidomos në veri të vendit.

    Një ndër sukseset më të madhe të NjSI është neutralizimi i grupit terrorist serb më 24 shtator në Banjskë.

  • Arrestohet një person në Zubin Potok, ishte në kërkim për grabitje

    Arrestohet një person në Zubin Potok, ishte në kërkim për grabitje

    Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar një person në Zubin Potok, i cili ishte në kërkim për grabitje.

    Siç thuhet në njoftim, i dyshuari është arrestuar sot rreth orës 12:40.

    “Sot, më 25.11.2023, në ora 12:40 në fshatin Zupqë, komuna Zubin Potok, nga njësia policore e Stacionit Zubin Potok është arrestuar i dyshuari D. B., (viti i lindjes 1983, mashkull serb kosovar). Personi i arrestuar kërkohej nga Gjykata Themelore Mitrovicë, pasi më 20.05.2020 , është shpallur fajtor për veprën penale ‘Grabitja’ dhe i është shqiptuar dënim me burg”, bëhet e ditur në njoftim.

    I dënuari është dërguar në vuajtje të dënimit në Qendrën e Paraburgimit në Mitrovicë.

  • Rrugët me plot borë, reagon Daut Haradinaj: Qeveritarë, dilni shihni gjendjen e rrugëve

    Rrugët me plot borë, reagon Daut Haradinaj: Qeveritarë, dilni shihni gjendjen e rrugëve

    Anëtari i kryesisë së AAK-së, Daut Haradinaj, ka reaguar për rrugët e pa pastruara në Kosovë, veçmas për atë Prishtinë – Pejë.
    Daut Haradinaj i ka bërë thirrje qeveritarëve me dalë në terren me pa gjendjen e rrugëve.
    “Rruga Prishtinë – Pejë po i demanton institucionet përgjegjëse. Dilni në terren pak o qeveritarë e shihni si është gjendja, me kilometra kolonë”, ka thënë Daut Haradinaj.
    Ai ka shtuar se nëse vazhdojnë reshjet kështu, vaj halli për neve.

    “Nëse vazhdon me ra borë kësisoj, vaj halli për ne! Mos thoni që reshjet e borës janë të befasishme, sepse borë në Gusht nuk bjen, vetëm dimrit!”, është shprehur ai.

  • Parada e 28 Nëntorit në Tiranë, Rama zbulon detaje: Mbledh shqiptarët nga të gjitha anët

    Parada e 28 Nëntorit në Tiranë, Rama zbulon detaje: Mbledh shqiptarët nga të gjitha anët

    Për herë të parë do të mbahet në Tiranë “Parada e shqiptarëve”. Aktiviteti zhvillohet më 28 Nëntor në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, dhe mirëpret shqiptarët për të festuar 111 vjetorin e Pavarësisë.

    Kryeministri Edi Rama ka ndarë një video në rrjetin social Facebook, përmes të cilës tregon se si do të organizohet parada, ndërsa shprehet se është një ide e propozuar nga një grup të rinjsh në diasporë.

    “Një ide e ardhur nga një grup të rinjsh në diasporë, do të mbledhë shqiptarët nga të katër anët në një paradë të vetme më 28 nëntor Nëse moti do të ndihmojë pak, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” nis në mesditë”, shkruan Rama.

    Në këtë paradë do të marrin pjesë 125 bashki nga trojet shqiptare, përfshirë arbëreshët e Italisë. Parada e kthyer në traditë në New York, pas Tiranës parashikohet të shkojë në Prishtinë, Shkup e Ulqin.

  • Blinken do të marrë pjesë në samitin e OSBE-së në Shkup, sipas ministrit Osmani

    Blinken do të marrë pjesë në samitin e OSBE-së në Shkup, sipas ministrit Osmani

    Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, do të marrë pjesë në një darkë joformale në Këshillin Ministror të shteteve anëtare të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), që mbahet në Shkup më 30 nëntor dhe 1 dhjetor, tha të shtunën ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani.

    Më herët është paralajmëruar edhe pjesëmarrja e një delegacioni rus, ku do të duhet të jetë edhe ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergej Lavrov. Por, për ardhjen e tij të mundshme ende nuk ka konfirmim zyrtar.

    Më 24 nëntor, Qeveria e Maqedonisë së Veriut mori vendim për ta hequr ndalesën e fluturimeve të avionëve rusë vetëm për fluturimin e delegacionit rus.

    “Sigurisht që nuk duhet të presim që të gjithë të qëndrojnë për tri ditë. Këta janë njerëz të rëndësishëm që do të vijnë në një pjesë të ngjarjes dhe do të largohen. Se a do të përkojnë datat e qëndrimit të tyre, nuk mund të them, sepse ende jemi duke i përcaktuar ato”, tha Osmani në konferencën për media, shkruan Rel.

    Osmani ka thënë më herët se Lavrovi ia kishte dërguar një letër në fillim të nëntorit në të cilën, “ka treguar interes dhe kërkesë për të siguruar praninë e tij në Shkup”.

    Para disa ditësh, Osmani tha se kërkesat për viza të delegacionit rus janë duke u proceduar dhe sapo të ketë informacione, opinioni do të informohet.

    “Vendimi për sanksionet e Bashkimit Evropian nuk vlen për ngjarjet e natyrës shumëpalëshe siç është OSBE-ja, prandaj është vendim i qeverive që duhet ta sjellin, por ka një bazë ligjore në BE. Tani, ne dhe të paktën një nga vendet tona fqinje duhet të marrim një vendim të tillë. Bullgaria apo Greqia për të mundësuar një fluturim të tillë”, tha ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, më 15 nëntor.

    Këshilli Ministror i OSBE-së, që do të mbahet në Shkup, shihet si një ngjarje kyçe në të cilën do të vendoset se si do të funksionojë organizata në të ardhmen, duke pasur parasysh pengesat dhe bllokadat e vazhdueshme të vendosura nga Rusia që nga nisja e pushtimit të Ukrainës shkurtin e vitit të kaluar.

    Një nga sfidat kryesore është gjetja e një vendi që do të marrë presidencën nga Maqedonia e Veriut për vitin e ardhshëm.

    Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, tha se tre skenarët për zgjidhje të mundshme që kanë qarkulluar deri më tani në opinion janë ende në lojë.

    E para është të arrihet një konsensus për kryesimin e Estonisë, e dyta është gjetja e një vendi tjetër për të cilin 57 shtete anëtare do të arrijnë një konsensus dhe e treta është që Maqedonia e Veriut të jetë në krye të organizatës edhe vitin e ardhshëm.

    Në Këshillin Ministror në Shkup që do të mbahet më 30 nëntor dhe 1 dhjetor do të marrin pjesë 76 delegacione, 57 nga shtetet anëtare të OSBE-së dhe shtetet e tjera partnere të organizatës.

  • Pas reshjeve të borës, KEDS-i ka një njoftim të rëndësishëm

    Pas reshjeve të borës, KEDS-i ka një njoftim të rëndësishëm

    Bora ka mbuluar Kosovën, ashtu siç kishin paralajmëruar meteorologët ditë më parë.

    Ndërsa janë shkaktuar disa dëme, kryesisht në shtylla dhe në përçues elektrikë duke bërë kështu që të ketë probleme me furnizim të rregullt me energji elektrike.

    KEDS-i ka njoftuar se distriktet më të prekura janë Ferizaj, Prishtina, Mitrovica dhe Prizreni.

    “Ekipet e KEDS-it gjenden në terren dhe po punojnë pandërprerë në mënyrë që ta kthejnë në normalitet gjendjen me furnizim me energji elektrike. KEDS kërkon mirëkuptim nga konsumatorët dhe i siguron që në një afat sa më optimal do të rikthehet furnizimi i rregullt me energji elektrike”, thuhet në njoftim.

  • Nesër zbulohet shtatorja e Adem Demaçit në Podujevë, merr pjesë edhe Kurti

    Nesër zbulohet shtatorja e Adem Demaçit në Podujevë, merr pjesë edhe Kurti

    Në Podujevë nesër do të bëhet zbulimi i shtatores së veprimtarit të çështjes kombëtare, Adem Demaçit.

    Zyra e Kryeministrit, ka njoftuar se në ceremoninë që do të mbahet nesër do të marrë pjesë edhe kryeministri Albin Kurti.

    “Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti do të marrë pjesë në zbulimin e shtatores së veprimtarit Adem Demaçi në Sheshin e Qytetit në Podujevë, nesër në orën 13:00, në prag të 111-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, Ditës së Flamurit. Ftohen të gjithë qytetarët që të na bashkëngjiten në këtë ngjarje”, thuhet në njoftim.

  • Regjisori Qëndrim Rijani shpërblehet me çmimin “Artisti i ri më i Mirë” nga presidenti i Maqedonisë së Veriut

    Regjisori Qëndrim Rijani shpërblehet me çmimin “Artisti i ri më i Mirë” nga presidenti i Maqedonisë së Veriut

    Presidenti Stevo Pendarovski, në një ceremoni në kabinetin e tij, dje ndau çmimin “Të rinjtë e suksesshëm” për vitin 2022.

    Ndër të shpërblyerit ishte edhe regjisori i njohur shqiptar Qëndrim Rijani.

    Rijani mori çmimin “Artisti i ri më i Mirë”, duke u bërë kështu shqiptari i parë që merr një çmim të tillë në vend.

    Rijani me arritjet krijuese gjatë vitit 2022 dha një kontribut të rëndësishëm në afirmimin e krijimtarisë teatrore maqedonase, si në vend ashtu edhe jashtë saj.

  • ​Ish-oficeri i policisë i dënuar për vrasjen e George Floyd është therur me thikë në burg

    ​Ish-oficeri i policisë i dënuar për vrasjen e George Floyd është therur me thikë në burg

    Një ish-oficer policie i Minneapolis i dënuar për vrasjen e George Floyd, një vrasje që çoi në protesta mbarëkombëtare, u ther me thikë të premten në një burg federal në Arizona.

    Një ish-oficer policie i Minneapolis i dënuar për vrasjen e George Floyd, një vrasje që çoi në protesta mbarëkombëtare, u ther me thikë të premten në një burg federal në Arizona.

    Derek Chauvin u sulmua të premten në Institucionin Federal Korrektues në Tucson dhe ishte në gjendje të qëndrueshme, sipas CNN.

    “Një i burgosur” u sulmua në burgun Tucson, Arizona rreth orës 12:30 pasdite sipas orës lokale, tha Byroja e Burgjeve në një deklaratë të premten, dhe më vonë u konfirmua se ishte Chauvin.

    “Punonjësit nisën masat për shpëtimin e jetës së të burgosurit”, dhe ai person u dërgua në një spital për trajtim, tha byroja. “Asnjë punonjës nuk u lëndua gjatë incidentit”, thuhet në deklaratë.

    Prokurori i Përgjithshëm i Minesotës, Keith Ellison, zyra e të cilit ndoqi penalisht Chauvin në çështjen George Floyd në vitin 2020, u njoftua se Chauvin ishte therur me thikë dhe është në gjendje të qëndrueshme, tha zyra e tij.

    “Më vjen keq të dëgjoj se Derek Chauvin ishte objektivi i dhunës”, tha Ellison në një deklaratë. “Ai u dënua siç duhet për krimet e tij dhe, si çdo individ i burgosur, ai duhet të jetë në gjendje të vuajë dënimin e tij pa frikë nga hakmarrja ose dhuna.”

    Chauvin u sulmua në burgun e sigurisë së mesme ndërsa vuante dy dënime të njëkohshme në vrasjen e Floyd.

    Floyd, një burrë me ngjyrë, u vra më 25 maj 2020 nga oficeri i policisë në Minneapolis, Chauvin i Minesotës, i cili vuri gjunjët në qafën e tij për gati 10 minuta derisa ai vdiq.

    Vrasja u incizua në video dhe ndezi protesta në të gjithë vendin kundër brutalitetit të policisë dhe padrejtësisë racore.

    Chauvin po vuan një dënim shtetëror mbi 22-vjeçar për akuzat për vrasje, dhe vrasje nga pakujdesia, njëkohësisht me dënimin e tij federal 21-vjeçar për të drejtat civile. (AA)