ATV

Author: G.O.

  • Lajçak përkrahet nga anëtarët e Bundestagut gjerman për dialogun Kosovë- Serbi

    Lajçak përkrahet nga anëtarët e Bundestagut gjerman për dialogun Kosovë- Serbi

    Emisari special i Bashkimit Evropian për Dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajcak, ka treguar se është takuar me anëtarët e Bundestagut dhe ka diskutuar për zgjerimin e BE-së në Ballkanin Perëndimor.

    “Pati një shkëmbim të hapur dhe të thellë me anëtarët e Komisionit të Bundestagut për Bashkimin Evropian sot në Bruksel”, ka shkruar Lajçak në Twitter.

    “Folëm për momentin e ri të zgjerimit të Bashkimit Evropian, gjendjen e dialogut [ndërmjet Kosovës dhe Serbisë] dhe hapat e ardhshëm”, ka thënë ai.

    Lajcak ka përfunduar duke i falënderuar anëtarët e Bundestagut për mbështetjen që i kanë dhënë atij në punën që e bën në ndërmjetësimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

  • ​Hovenier kërkon adresimin e vrasjes së grave në nivel të shoqërisë

    ​Hovenier kërkon adresimin e vrasjes së grave në nivel të shoqërisë

    Ambasadori i ShBA-së në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, ka komentuar vrasjen e Liridona Ademajt, të orkestruar nga bashkëshorti i saj, Naim Murseli.

    Ai tha se ky rast i femicidit në Kosovë tregon nevojën për adresimin e kësaj çështjeje në nivel të shoqërisë.

    Hovenier, në konferencën për Integritetin e Informacionit të organizuar nga NDI, theksoi nevojën që në Kosovë të ketë një demokraci të fortë dhe promovim të drejtave të njeriut.

    Përkitazi me këtë, ai shtoi kërkesën për pjesëmarrje të sigurt të grave në shoqëri. /KosovaPress

  • Kurti: Të drejtat e njeriut janë thelbi dhe themeli i qytetërimit

    Kurti: Të drejtat e njeriut janë thelbi dhe themeli i qytetërimit

    Kryeministri i vendit, Albin Kurti, mori sot pjesë në Konferencën hapëse të Javës së të Drejtave të Njeriut, të organizuar nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR).

    Në njoftim thuhet se Kurti shprehu kënaqësinë që ishte për të tretin vit radhazi në konferencën hapëse të Javës së të Drejtave të Njeriut, që këtë vit shënon edicionin e dhjetë, ndërkaq i përgëzoi për përkushtimin e Nismës së të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Kosovë përgjatë kësaj dekade.

    Në fjalën e tij para të pranishmëve, Kurti tha se beson se të drejtat e njeriut, janë edhe thelbi edhe themeli i qytetërimit. Gjithçka bëhet aq e vështirë sa që e pamundur nëse nuk besojmë në të drejtat e njeriut dhe gjithçka bëhet aq e lehtë pothuajse, menjëherë e realizueshme atëherë kur besojmë në të drejtat e njeriut, shtoi më tej.

    Në frymë të partneritetit ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe organizatave të shoqërisë civile, kryeministri Kurti bëri thirrje që të vazhdojmë të kemi diskutim të hapur për mënyrat e operacionalizimit të rekomandimeve të raporteve dhe analizave të këtyre organizatave për të drejtat e njeriut, e sidomos për aty ku konstatohen shkeljet e të drejtave të njeriut, të pakicave etnike, të komunitetit LGBTIQ+, të atyre që janë të varfër, të atyre të cilët për një arsye ose tjetër kanë ngelur të pashkolluar, të paarsimuar dhe të atyre që i kanë aftësitë e kufizuara apo nevojat e veçanta dhe të atyre të cilët konsiderojnë pse janë fatkeq në jetë meqenëse kanë pasur një aksident ose edhe kanë bërë një zgjedhje të gabuar në jetë që po ju kushton për tërë jetesën e mëtutjeshme.

    “Me të gjithë këta, solidaritet, bashkëpunim për barazi edhe për dinjitet. E uroj që këto platforma për diskutim sikurse edhe kjo konferencë të shërbejnë për shkëmbime të dobishme e frymëzim të ri”, tha Kurti në përfundim të fjalës së tij.

  • Ushqimet e pasura me zink për shëndet gjatë dimrit

    Ushqimet e pasura me zink për shëndet gjatë dimrit

    Është përsëri dimër, koha kur fillojmë të kërkojmë forcues të imunitetit për të shmangur simptomat e ftohjes.

    Shmangia e ftohjes së zakonshme (ose rinovirusi,në terma shkencorë) është në mendjen tonë edhe më shumë këtë vit me pandeminë e vazhdueshme.

    Por para së gjithash,pse zinku është kaq i dobishëm kur bëhet fjalë për shëndetin tonë?

    Sipas Departamentit Amerikan të Shëndetit dhe Shërbimeve Njerëzore (HHS), zinku është i rëndësishëm në nivel qelizor për gjëra të tilla si shërimi i plagëve,sinteza e proteinave dhe natyrisht funksioni imunitar.

    Gjithashtu zinku ka treguar se ndihmon në zvogëlimin e ashpërsinë dhe kohëzgjatjen e simptomave të zakonshme të ftohjes.

    HHC rendit sasinë e rekomanduar ditore të zinkut: 8 miligramë për gratë mbi 19 vjeç, mund të merrni deri në 40 miligramë në ditë,pa ndonjë efekt të mundshëm anësor.

    Sigurisht që ju mund të merrni suplemente të zinkut për t’ju ndihmuar,por a e dini se ka shumë ushqime të pasura me zink, të cilat mund t’ju ndihmojë gjithashtu?

    Duke pasur këtë në mendje, AgroWeb.org ju rendit disa ushqime të shijshme nga ku mund të merrni zink.

    Ushqimet e larta në zink:
    -Mishi viçit (i pjekur): 7 mg (për 3 gr)

    -Gaforret: 6.5 mg (për 3 gr)

    -Karavidhet: 3.5 mg (për 3 gr)

    -Mishi i derrit: 2.9 mg (për 3 gr)

    -Fasule (të konservuara ose të gatuara): 2.9 mg (për 1/2 filxhan)

    -Drithëra: 2.8 mg (për racion)

    -Mishi i pulës: 2.4 mg (për 3 gr)

    -Farat e thata të kungullit: 2.2 mg (për gr)

    -Kos (me yndyrë të ulët): 1.7 mg (për 8 gr)

    -Shqeme të pjekura: 1.6 mg (për gr)

    -Qiqra të gatuara: 1.3 mg (për 1/2 filxhan)

    -Djathë kaçkavall: 1.2 mg (për gr)

    -Bollgur: 1,1 mg (për pako)

    E rëndësishme është të keni kujdes se sa ushqim të pasur me zink po konsumoni.

    Një studim i fundit paralajmëroi se “teprica e zinkut provokon një dëmtim të sistemit imunitar, të krahasueshëm me mungesën e zinkut”.

    Në fakt, marrja e tepërt e zinkut mund t’ju japë simptoma të ngjashme me gripin si dhimbje koke,të dridhura,kollë dhe ethe.

    Por mbajtja e niveleve të zinkut të ekuilibruara me ushqim,është mënyrë më e sigurt sesa ajo me suplemente, sepse shanset të keni ndonjë efekt anësor janë të pakta./AgroWeb.org

  • Agjencia e OKB-së: Gaza është bërë ‘një nga vendet më të rrezikshme’ në botë

    Agjencia e OKB-së: Gaza është bërë ‘një nga vendet më të rrezikshme’ në botë

    Agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë (UNRWA) tha të mërkurën se Rripi i Gazës është bërë “një nga vendet më të rrezikshme” në botë, mes sulmeve të vazhdueshme izraelite në enklavën e rrethuar palestineze.

    “I gjithë Rripi i Gazës është bërë një nga vendet më të rrezikshme në botë”, tha UNRWA në një deklaratë në X.

    UNRWA tha gjithashtu se “nuk ka ku të shkojë për strehim” në Gaza, duke shtuar se strehimoret e saj janë “mbushur” me palestinezë të zhvendosur.

    Të hënën, UNRWA tha se mbi 85% e popullsisë së Gazës janë aktualisht të zhvendosur – gati 1.9 milion nga 2.3 milion njerëz gjithsej – dhe se pothuajse 1.2 milion persona të zhvendosur brenda vendit janë strehuar në 156 pikat e saj.

    Izraeli rifilloi ofensivën e tij ushtarake në territorin palestinez të premten pas përfundimit të një pauze humanitare njëjavore me grupin palestinez Hamas.

    Të paktën 16,248 palestinezë janë vrarë dhe më shumë se 43,616 të tjerë janë plagosur në sulmet e pamëshirshme ajrore dhe tokësore në enklavë që nga 7 tetori pas një sulmi ndërkufitar nga Hamasi.

    Sipas shifrave zyrtare, numri i të vdekurve izraelitë në sulmin e Hamasit është 1200./AA/

  • Rezultatet e PISA-s, Partia Socialdemokrate organizon aksion simbolik para MAShTI-t

    Rezultatet e PISA-s, Partia Socialdemokrate organizon aksion simbolik para MAShTI-t

    Partia Socialdemokrate ka njoftuar se sot në orën 15:00 do të mbajë një aksion simbolik në lidhje me dështimin në PISA.

    Aksioni do të mbahet pranë Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

    “Sot, nga ora 15:00, PSD do të mbajë një aksion simbolik në lidhje me dështimin e qeverisë në fushën e arsimit. Aksioni do të mbahet pranë Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë”, thuhet në njoftim.

    PDK: PISA është pasqyra e vërtetë e Qeverisë Kurti, Nagavci të jap dorëheqje

    LDK-ja i quan shqetësuese rezultatet e PISA-s: Qeveria s’ka kujdes as minimal për arsimin

  • Rumania shpall epidemi të fruthit

    Rumania shpall epidemi të fruthit

    Ministria e Shëndetësisë e Rumanisë ka shpallur epidemi të fruthit në nivel kombëtar pas rritjes alarmante të rasteve në të gjithë vendin.

    “Ministria shpall një epidemi kombëtare për të lehtësuar vaksinimin e fëmijëve mes 9 dhe 11 muajsh dhe të fëmijëve më të rritur që nuk janë vaksinuar ende”, thuhet në një deklaratë të Ministrisë rumune të Shëndetësisë më 5 dhjetor.

    Ndër tjerash, aty shtohet se ishin afër 2.000 raste të reja në 29 nga 41 qarqet e Rumanisë.

    Rumania është përballur me rënie të vazhdueshme të numrit të fëmijëve të vaksinuar kundër fruthit, që është nxitur nga fushatat kundër vaksinimit të fëmijëve nëpër mediat sociale./REL/

  • Rukiqi: Mbi 26 mijë kosovarë janë shtuar listës së qytetarëve të varfër gjatë qeverisjes së Kurtit

    Rukiqi: Mbi 26 mijë kosovarë janë shtuar listës së qytetarëve të varfër gjatë qeverisjes së Kurtit

    Zyrtari i LDK-së, Berat Rukiqi, ka reaguar ndaj vendimit të Qeverisë Kurti për të ndarë 5 milionë euro në përkrahje të qytetarëve në nevojë për blerjen e druve për ngrohje gjatë dimrit.

    Rukiqi e ka quajtur Qeverinë Kurti si “OJQ” dhe ka thënë se Kurti nën presionin e skandaleve po i kthehet populizmit, duke marrë vendim për shpërndarje të ndihmave për dru.

    Ai tutje ka thënë se 26 mijë qytetarë ia në shtuar listës së qytetarëve të varfër gjatë qeverisjes së Kurtit dhe shton se qytetarët s’kanë nevojë për lëmoshë por për jetë të përballueshme dhe të dinjitetshme.

    Reagimi i plotë:

    Organizata Joqeveritare “Qeveria Kurti”

    Kryemashtruesi, nen presion nga skandalet, me deshtime ne çdo fushe qe i prek qytetaret e vendit dhe nen sanksione, i kthehet edhe njehere kartes te popullizmit.

    E ka shendrruar qeverisjen ne nivelin e nje organizate qe shperndan ndihma.

    Duhet te ja rikujtojme prape, qe me ndihma nuk ka zhvillim e as punesim. Mbi 26,000, eshte numri i qytetareve, qe i jane shtuar listes te te varferve, ne dy vite te qeverisjes te levizjes Vetevendosje.

    Qytetaret nuk kane nevoje per lemoshe. Kane nevoje per vende pune, si dhe jete te perballueshme dhe te dinjitetshme

  • LDK-ja i quan shqetësuese rezultatet e PISA-s: Qeveria s’ka kujdes as minimal për arsimin

    LDK-ja i quan shqetësuese rezultatet e PISA-s: Qeveria s’ka kujdes as minimal për arsimin

    Kryetarja e Forumit të Gruas së LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, i ka quajtur shqetësuese rezultatet e Testit PISA të bërë publike të martën, raporton Ekonomia Online. Ajo kritikoi Ministrinë e Arsimit për mënyrën se si ka bashkë-organizuar testimin e nxënësve për PISA.

    Lushaku-Sadriu shtoi se herëve të kaluara për rezultatet e dobëta të nxënësve të Kosovës në PISA, partia që tash është në pushtet ka kërkuar seanca të jashtëzakonshme. Sipas saj, derisa në shkollat e Kosovës ka mungesa elementare të kushteve për nxënësit, në buxhet ka suficit.

    “Të dhënat janë tepër shqetësuese kur nxënësit e Kosovës tregojnë rezultat të dobët. Këto rezultate janë shqetësuese jo vetëm për ministrinë, për shkollat dhe përfitimet që i kanë nxënësit. Këtu shohim një dështim në mënyrën e bashkë-organizimit nga MAShTI të testit PISA. Ashtu siç janë bërë edhe testime të tjera që MASHTI ka dështuar si Ministri të adoptojë rrethanat ku nxënësit kosovarë do të tregonin performancë më të mirë. Kalueshmëria është tepër e dobët në testet tona kombëtare dhe këtu flasim për një dështim të vetë MASHTI-it në organizimin e testeve tona kombëtare çka flet që është krejt në diskrepancë me atë se sistemi arsimor për mënyrën se si realizohet mënyra e testimit”.

    “Duhet të shohim se çka bën MASHT sot. Arsimi s’është prioritet i kësaj Qeverie. VV ka bërë thirrje për seanca të jashtëzakonshme. Pikërisht është VV që nuk tregon as kujdesin minimal sa i përket arsimit. Ju e keni parë që dy vitet e fundit arsimi në Kosovë ka filluar në mënyrë krejt dramatike. Fillimisht, mandati i kësaj ministre ka filluar me shkelje kushtetuese aty kemi kërkuar shkarkimin e saj.

    “Paramendojeni qindra miliona rrinë në suficit ndërkohë që në shkollat tona nuk ka banka ashtu siç duhet, s’ka karrige. Nuk ka laboratorë, nuk ka mjete konkretizuese. Qysh të performojë më pas nxënësit mirë se një mësim e mësojnë vetëm nga aspekti teorik dhe jo praktik. Kjo kallëzon shumë sa kjo Qeveri e ka prioritet arsimin dhe sa kjo qeveri e merr seriozisht cilësinë në arsim”.

    Lushaku-Sadriu u pyet edhe për mbledhjen e strukturave të partisë për të kompletuar udhëheqësin e re, raporton EO.

    “Do të mbajmë mbledhjen e Këshillit të përgjithshëm të shtunën dhe aty pritet që të dalin të gjitha strukturat dhe të kompletohet i gjithë ekzekutivi i jonë partiak”.

  • PDK: PISA është pasqyra e vërtetë e Qeverisë Kurti, Nagavci të jap dorëheqje

    PDK: PISA është pasqyra e vërtetë e Qeverisë Kurti, Nagavci të jap dorëheqje

    Pas publikimit të rezultateve të Testit PISA, ku Kosova u rangua pothuajse në fund, Partia Demokratike e Kosovës vlerëson se u konfirmua zyrtarisht se analfabetizmi qeveritar nuk arriti ta reformojë sistemin arsimor në Kosovë, raporton Ekonomia Online.

    Deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha në një konferencë për media tha se me Qeverinë Kurti në tri vitet e fundit, kriza në arsim vetëm sa është thelluar edhe më shumë.

    “Nuk mund të presim përmirësim të cilësisë në Arsim, kur Qeveria Kurti me veprimet e saj ka vendosur në pikëpyetje kredibilitetin e pothuajse secilit mësimdhënës në Kosovë. Në vend se, t’u ofrojë mbështetje për zhvillim, të aftësive dhe shkathtësive të reja të kohës, siç kishte premtuar, e për të cilat fëmijët tanë kanë kaq shumë nevojë. Çfarë na dëshmohet ne sot, është që nxënësit ngarkohen me libra e informata sasiore, por jo me zhvillim dhe përgatitje cilësore. Dhe kjo, i atribuohet kësaj Qeverie e cila pushtetin e ka marrë duke u thirrur në reformë, por me logjikën si kanë funksionuar këto tri vite, kanë dështuar jo vetëm ata, por ka dështuar edhe Kosova. PISA sot është pasqyra e vërtetë e qeverisjes së Albin Kurtit”, tha ajo.

    Hoxha theksoi se Ministria e Arsimit jo vetëm që nuk ka bërë reforma në sistemin arsimor, por edhe i ka penguar ato.

    “Po hyjmë në vitin e fundit të kësaj Qeverie, dhe 160 çerdhet e premtuara as afër nuk janë. As 10 sosh nuk janë ndërtuar. Nuk ka pasur asnjë reformë në Arsimin Fillor. Për më tepër, në vend që të bëjë reforma, zgjodhi që të luftoj nga njëra anë mësimdhënësit, e këtë vit nuk doli zot as obligimit kushtetutes dhe ligjor, që të siguroj falas librat për nxënësit e Kosovës. Po ashtu, besoj ju kujtohet lufta që ministrja Nagavci i kishte bërë kryetarit të Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati në reformën e tij për arsimin fillor, duke i tejkaluar kompetencat e saj dhe duke shkelur Kushtetutën e Kosovës. E sa për digjitalizim e inovacion, as që është diskutuar ndonjëherë nga kjo Qeveri dhe as nuk ka ndonjë lëvizje”, tha ajo.

    Ndërsa, anëtari i kryesisë së PDK-së, Muzafer Shala tha se pas të gjeturave shqetësuese të nxjerra nga PISA, Ministrja e Arsimit është dashur qysh sot të jap dorëheqje.

    “Qeveria e Kosovës urgjentisht duhet të bëjë prioritet adresimin e problemeve të cilat i ka evidentuar PISA”, shtoi ai.

    PDK i ka propozuar Qeverisë së Kosovës nëntë rekomandime, të cilat ata duhet të adresojnë urgjentisht.

    “Shkollat duhet të fokusohen në forcimin e kurrikulave të tyre të matematikës, leximit dhe shkencave, duke përfshirë më shumë mundësi mësimore praktike dhe të aplikuara. Mbështetja e studentëve me arritje të ulëta: Të ketë ndërhyrje të synuara dhe mbështetje për nxënësit me arritje të ulëta, të cilat ndihmojnë në ngritjen e nivelit të performancës së tyre. Ngushtimi i hendekut te performancës: Të bëhet përpjekje e vazhdueshme për të mbështetur ata me arritje të ulëta, duke ofruar gjithashtu sfida për ata me arritje të larta. MASHT duhet të zhvillojnë strategji për të mbështetur nxënësit me prejardhje të pafavorshme, duke siguruar që ata të kenë qasje në mjetet e konkretizimit dhe mbështetjen që u nevojitet për të pasur sukses”, janë disa nga rekomandimet e PDK-së për arsimin, të cilat i propozoi Shala.