ATV

Author: G.O.

  • Prishtinë: Sekuestrohet sasi e mallit të dyshuar si të falsifikuar dhe pa origjinë të prejardhjes

    Prishtinë: Sekuestrohet sasi e mallit të dyshuar si të falsifikuar dhe pa origjinë të prejardhjes

    Policia e Kosovës ka kryer disa kontrolle në subjektin biznesor të dyshuar në tri lokacione në Prishtinë.

    Kjo kontrollë u realizua pas dyshimeve se një subjekt biznesor, i cili operon në kryeqytet, bënte shitjen e produkteve të ndryshme me shumicë si suplemente të ndryshme, shampona, mjaltë për përdorime të ndryshme për potencë (kamagra etj,) të cilat produkte dyshohet se janë pa origjinë të prejardhjes, disa prej tyre edhe me ndërrim të afatit të skadencës së produkteve.

    “Sot me datë 05.12.2023 hetuesit nga Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike në bashkëveprim me Inspektoratin e Tregut nga Ministria e Industrisë Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, kanë ndërmarr veprime në teren lidhur me informatën e lartcekur”– thuhet në njoftimin zyrtar.

    Gjatë kontrollës është gjetur sasi e konsiderueshme e mallrave për të cilat pronari nuk ka mundur të prezantoj dokumentet e origjinës së këtij malli.

    Në këtë rast Dogana e Kosovës ka sekuestruar sasi të konsiderueshme të mallrave, të dyshuara si të kontrabanduara, ndërsa Inspektorati i tregut ka bërë bllombimin e depos deri në përfundim të rastit nga Dogana e Kosovës.

    Një nga personat e dyshuar është marrë nga policia , si person i dyshuar lidhur me dyshimet për veprat penale: “Kontrabandim i mallrave” dhe ‘’Shmangia nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore ose tarifave akcizore’’. I njejti me vendim të prokurorit është liruar me procedurë të rregullt.

  • Juventusi pezullon bisedimet për Sanchon

    Juventusi pezullon bisedimet për Sanchon

    Sipas “Tuttosport”, Juventusi ka pezulluar bisedimet për të nënshkruar Jadon Sanchon pasi që anësori i Manchester United është një alternativë e shtrenjtë.

    Ndërkaq, si opsion më i lirë për “Zonjën e Vjetër” duket të jetë Georgiy Sudakov, raporton KosovaPress.

    Juventusi pritet që të ketë përforcime në mesfushë në muajin janar, por Max Allegri ka mundësi që edhe ta përforcojë repartin e sulmit, raporton KosovaPress.

    Juventusi momentalisht është duke përcjellë disa profile të ndryshme të lojtarëve, veçanërisht Jadon Sanchon dhe Domenico Berardi.

    Sidoqoftë, Sancho momentalisht është shumë i shtrenjtë për “Zonjën e Vjetër”, që po përballet me një buxhet të shkurtuar këtë merkato dimërore, pavarësisht një injektimi të fundit me fonde.

    Në të njëjtën kohë, Berardi thuhet se është objektivi kryesor i Juventusit në sulm, por Sassuolo nuk dëshiron të shesë yllin e tyre në janar dhe do të kërkojë një tarifë të lartë të cilën Juventusi nuk është i gatshëm ta paguajë për një lojtar që do të mbushë 30 vjeç vitin e ardhshëm.

    Prandaj, bardhezinjtë mund të tentojnë të marrin Sudakov nga Shakhtar në afatin kalimtar të dimrit.

    Një anësor i gjithanshëm 21-vjeçar, çmimi i Sudakov është rreth 25 milionë euro dhe paga e tij është e përballueshme për gjigantin e Serie A.

    Sipas raportimeve, drejtori sportiv i Juventusit, Giuntoli e ka ndjekur Sudakovin prej disa muajsh, përfshirë edhe paraqitjen e tij të fundit me kombëtaren e Ukrainës kundër Italisë.

  • Pacolli reagon ashpër: Disa individë skizofrenë po e përdorin tragjedinë e Liridonës, po e njollosin imazhin e të tjerëve

    Pacolli reagon ashpër: Disa individë skizofrenë po e përdorin tragjedinë e Liridonës, po e njollosin imazhin e të tjerëve

    Kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli, në një postim në Facebook ka shkruar se po sheh “disa insinuata të individëve me sjellje skizofrenike që përdorin tragjedi si kjo e Liridonës për të tërhequr vëmendjen e publikut dhe për të pervetësuar ndonjë pëlqim ( like) në platformat mediatike”.

    Ai ka thënë se është e rëndësishme që të ekspozohen dhe kundërshtohen deklaratat e paqëndrueshme, pa fakte dhe të pasakta të disa “debutuesve” apo “analistëve” që sipas tij njollosin imazhin dhe reputacionin e tjerëve.

    “Kjo do të ndihmojë në ngritjen e nivelit të bisedës dhe transparencës së informacionit për publikun dhe seriozitetin e vetë medias.”

    Ai bëri të ditur se është duke ndjekur një rrugë të planifikuar 6 muaj më parë, çka e penguar të marrë pjesë në varrim.

    “Për ta sqaruar publikun, jam duke ndjekur një rrugë të gjatë dhe të planifikuar 6 muaj më parë, e cila më ka penguar të marr pjesë në varrim (për çka janë kujdesur vëllezërit, dhe bashkëpunëtorët e mi).”

    Më 29 nëntor, Liridona Ademaj u vra, derisa i dyshuar është burri i saj, Naim Murseli, nën dyshimin se ai e ka organizuar aktin. Murseli ka qenë këshilltar i jashtëm i Pacollit, derisa ishte ministër i Punëve të Jashtme.

  • Më 14 dhjetor shqiptohet Aktgjykimi i Apelit për Salih Mustafën

    Më 14 dhjetor shqiptohet Aktgjykimi i Apelit për Salih Mustafën

    Paneli i Gjykatës së Apelit do ta shqiptojë Aktgjykimin e Apelit në çështjen Prokurori i Specializuar kundër Salih Mustafës më 14 dhjetor.

    Seanca do të jetë publike dhe e hapur për media, sipas njoftimit të Gjykatës Speciale.

    Mustafa u shpall fajtor për krime luftë nga kjo gjykatë më 16 dhjetor të vitit të kaluar, duke u dënuar me 26 vjet.

    Ndërkaq, më 2 shkurt Mbrojtja kishte apeluar kundër këtij Aktgjykimi.

  • Beyonce dhe Rihanna, këngëtaret më me ndikim në fushën e modës për vitin 2023

    Beyonce dhe Rihanna, këngëtaret më me ndikim në fushën e modës për vitin 2023

    Njëra ka më shumë se 300 milionë ndjekës në Instagram, tjetra mbi 280 milionë, dhe popullariteti I tyre rritet çdo ditë e më shumë edhe përtej rrjeteve sociale.

    Sipas Fashion Network, Beyonce dhe Rihanna dominuan tendencat e modës në vitin 2023.
    Beyonce me veshjet e saj nga Balmain, Mugler dhe marka tjera luksoze, në turneun e saj Renaissance, kurse Rihanna me veshjen e saj në Super Bowl.

    Beyoncé dhe Rihanna, janë personazhet publike që kanë qenë më me ndikim — dhe kanë frymëzuar si dizajnerët ashtu edhe adhuruesit e modës, në vitin 2023.

    Beyonce del që nuk ka kursyer sa i përket stilit të veshjes në turneun e saj, duke veshur gjëra me qindra mijëra euro nga market më të mira të modës.

    Markat me të cilat u shfaq Beyonce gjatë performancave të saj, kanë pasur një rritje të madhe të blerjeve .

    Ndërsa veshjet e Rihannës, në SuperBowl, Oscars, Golden Globes, Met Gala: nuk kaluan pa u vënë re këtë vit.

    Këngëtares i bashkangjitet edhe bashkëshorti i saj për ndikimin që patën këtë vit në modë, ASAP Rocky./atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • Për herë të parë, Lana Del Rey tregon nëse dëshiron të bëhet nënë

    Për herë të parë, Lana Del Rey tregon nëse dëshiron të bëhet nënë

    Për herë të parë, këngëtarja Lana Del Rey foli për mendimin që ka që një ditë të bëhet nënë. Ajo tha se ka shumë për të eksploruar në jetën e saj.

    “Kjo është arsyeja pse Zoti nuk më ka dhënë ende fëmijë, sepse ka më shumë për të eksploruar’’, tha Del Rey për The Sunday Times ”.

    Ajo tha se e sheh veten duke u bërë nënë, duke thënë: “E shoh që po vjen për mua. Do ta shohim.

    Tutje këngëtarja ka zbuluar se në lidhjes së fundit ajo i dha fund për shkak se ai nuk pranoi të bashkëjetonte me të, duke shtuar se ka qenë e tronditur nga veprimi i tij.

    Mes tjerash Lana Del Rey tha se vazhdimisht kujdeset për vetën. “Duhet të kujdesesh vërtet për veten, sepse të besosh te publiku është si të ndërtosh shtëpinë tënde në rërë.

    Ata do të vijnë e shkojnë. E kam përjetuar këtë në të gjitha pjesët e jetës sime’’, shpjegoi Del Rey.

    Gjithashtu Lana Del Rey së fundmi ka zbuluar se ajo dhuron paratë e fituara nga koncertet e saj, në qytetin ku ajo performon, duke shtuar se bën koncerte sepse i pëlqen, jo se ka nevojë./atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • Ndahet çifti i shumëpërfolur, Dua Lipa dhe Romain Gavras

    Ndahet çifti i shumëpërfolur, Dua Lipa dhe Romain Gavras

    Dua Lipa është ndarë me regjisorin Romain Gavras , me të cilin patën konfirmuar lidhjen e dashurisë në mars të këtij viti.

    Siç thanë burimet afër këngëtares për Sun, këngëtarja është aq e ngarkuar me punë, sidomos me albumin e saj të tretë, sa të dy kanë vendosur të ndahen përpara se gjërat të përkeqësoheshin.

    ‘’Për Duan, përqendrimi në muzikë është më I rëndësishëm’’, tha burimi.

    Lidhja e Dua Lipës dhe Romain Gavras pati vëmendje të madhe për shkak se ky i fundit, ishte në lidhje me Rita Orën./atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • ​Zelensky anulon papritmas konferencën e Senatit të ShBA-së për shkak të bllokimit të fondeve

    ​Zelensky anulon papritmas konferencën e Senatit të ShBA-së për shkak të bllokimit të fondeve

    Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka anuluar një konferencë të profilit të lartë me ligjvënësit amerikanë mes një ngërçi mbi financimin e ardhshëm të SHBA për Ukrainën.

    Paraqitjet virtuale në Senat ishin planifikuar për të martën, por u anuluan në momentin e fundit, shkruan BBC, transmeton KosovaPress.

    Kjo erdhi pasi një zyrtar i lartë ukrainas paralajmëroi se ata rrezikojnë të humbin luftën kundër Rusisë nëse nuk miratohen më shumë ndihma ushtarake amerikane.

    Udhëheqësi i Senatit, Chuck Schumer, nuk shpjegoi pse Zelensky nuk u paraqit.

    Ai tha se presidenti ukrainas ishte i zënë me një çështje “të minutës së fundit”, pa dhënë detaje të mëtejshme.

    Shefi i shtabit të Zelensky, Andriy Yermak, tha më herët të martën se ekzistonte një “rrezik i madh” i humbjes së Ukrainës pa mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-ve.

    “Do të jetë e vështirë të qëndrosh në [të njëjtat] pozicione dhe që njerëzit të mbijetojnë me të vërtetë,” shtoi ai, në një fjalim në Institutin Amerikan të Paqes në Uashington DC.

    Vlerësimi i tmerrshëm i Yermak u dha vetëm disa orë përpara se Zelensky të tërhiqej nga një video-konferencë e planifikuar me senatorët amerikanë për t’i informuar ata mbi përpjekjet e luftës.

    Ambasada e Ukrainës në Uashington DC nuk iu përgjigj menjëherë një pyetjeje të BBC që kërkoi shpjegime të mëtejshme për anulimin.

    Ajo vjen pas një shtytjeje të përtërirë nga Shtëpia e Bardhë për mbështetje shtesë për Ukrainën. Kongresi i SHBA, megjithatë, nuk është ende afër një marrëveshjeje mbi një paketë shpenzimesh kompromisi që do të ndihmonte në financimin e përpjekjeve të luftës.

    “Ne jemi pa para – dhe pothuajse pa kohë,” shkroi Shalanda Young, drejtoresha e buxhetit të Shtëpisë së Bardhë, në një letër drejtuar udhëheqësve republikanë dhe demokratë të botuar të hënën.

    Ajo paralajmëroi se dështimi i Kongresit për të miratuar më shumë ndihmë ushtarake për Ukrainën para fundit të vitit do ta “gjunjëzonte” kombin në luftën e tij kundër Rusisë dhe se nuk kishte mbetur një “mënyrë magjike e financimit”.

    Të hënën, megjithatë, Kryetari republikan i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, dukej se nuk pranoi kërkesat e fundit për të siguruar dhjetëra miliarda dollarë më shumë financim.

    “Administrata e Bidenit ka dështuar të adresojë në mënyrë thelbësore asnjë nga shqetësimet legjitime të konferencës sime në lidhje me mungesën e një strategjie të qartë në Ukrainë, një rrugë për zgjidhjen e konfliktit ose një plan për të siguruar në mënyrë adekuate përgjegjësinë për ndihmën e ofruar nga taksapaguesit amerikanë”, shkroi ai në mediat sociale.

    Bllokimi i financimit vjen pasi luftimet në vijën e parë duket se kanë arritur në një ngërç praktik.

    Kundërofensiva e shumëpritur e Ukrainës në jug duket se është ngadalësuar, ndërkohë që forcat e Kievit po përpiqen të mbajnë një terren që kishin vendosur në bregun lindor të lumit të madh Dnipro.

    Që nga fillimi i luftës në shkurt të vitit 2022, Kongresi i SHBA ka miratuar më shumë se 110 miliardë dollarë (87 miliardë £) ndihmë ushtarake dhe ekonomike për Ukrainën.

  • Parashikimi i motit për sot dhe nesër

    Parashikimi i motit për sot dhe nesër

    Gjatë ditës së sotme në vendin tonë parashihet të mbajë mot kryesisht me vranësira dhe reshje shiu.

    Temperaturën minimale për ditën e sotme do ta mbajë Gjilani me 2 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Prizreni me 9 gradë Celsius.

    Edhe dita e nesërme do të jetë me kushte të njëjta atmosferike. Temperaturën minimale për ditën e nesërme do ta mbajë Peja me -3 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale përsëri Prizreni me 8 gradë Celsius.

    Ndërkohë, në Shqipëri do të ketë mot të vranët dhe me kthjellime të herëpashershme. Temperaturën minimale do e ketë Kukësi me 3 gradë Celsius, ndërsa ajo maksimale do të jetë në Vlorë dhe Durrës me nga 15 gradë Celsius. /atvlive.tv/

    Parashikimin e plotë të motit, për rajon dhe Evropë mund ta ndiqni në videon e mëposhtme:

  • Maraj: Për t’i ikur parave false, paguani biletën e Trafikut Urban me SMS

    Maraj: Për t’i ikur parave false, paguani biletën e Trafikut Urban me SMS

    Kryeshefi ekzekutiv i “Trafikut Urban”, Burim Maraj, ka kërkuar nga qytetarët që të paguajnë biletat me SMS në mënyrë që t’u ikin kontaktit me paratë false.

    Për këtë arsye, Maraj ka thënë për Ekonomia Online, se qytetarët duhet ta përdorin metodën e blerjes së biletës përmes SMS-ve. Kjo sipas tij është lehtë e qasshme dhe nuk shkakton telashe te asnjëra palë.

    “Është një problematikë me të cilën ballafaqohemi si Trafik Urban për një kohë të gjatë. Nuk është problematikë që është shfaqur tash, është shfaqur që një kohë dhe është një problematikë që na shfaq probleme serioze financiare. U bëjmë thirrje udhëtarëve të cilët momentalisht nuk kanë asnjë opsion tjetër, le ta paguajnë biletën përmes SMS-ve, është një alternativë e re edhe është shumë e lehtë për t’u përdorur. Kështu që po besoj se mundet me lehtësuar punën e udhëtarëve edhe të kondukterëve të Trafikut Urban”, u shpreh Maraj, teksa këtë metodë e konsideron të lehtë të praktikueshme.

    “Është patjetër që është e mundur, secili udhëtarë mundet me u pajis me biletë përmes SMS, nuk është ndonjë problem. Ne ju bëjmë thirrje udhëtarëve që ta përdorin këtë mundësi, mirëpo e dimë që ka mundësi që ndonjëherë që nuk i kanë ato mjetet në telefon për ta blerë biletën dhe duhet pasur një mirëkuptim të përbashkët. Kontrolle e TU-së e bën punën e vet, po ashtu kondukteri duhet ta bëjë punën e tij dhe mirëkuptimi i të dy palëve duhet me qenë në të mirën e shërbimit edhe të udhëtarëve”, thotë Maraj.

    Ndonëse nuk kanë ndonjë metodë për verifikimin e parave, Maraj thotë se aktualisht po e përdorin magnetin. Maraj thotë se kanë shumë mjete në organet përgjegjëse për verifikim.

    “Momentalisht jemi duke parë mundësinë me këto udhëzimet që i ka dhënë në nëntor Banka Qendrore, që përmes disa procedurave të cilët janë të trajnueshme me u përdor. Një prej tyre është magneti, ne e kemi ditë për këtë edhe me procese tjera munden me u verifikuar. Kemi shumë para të cilat janë në organet përgjegjëse, të cilat janë duke u verifikuar nëse janë origjinale sepse ne punojmë me banka dhe bankat komerciale i marrin të hollat dhe prej tyre disa që nuk janë, duhet me u verifikuar te organet kompetente, gjegjësisht Policia e Kosovës, kjo është duke u bërë dhe tash kemi një fond shumë të madh të parave të cilat momentalisht nuk i dimë a janë false ajo”, thotë tutje Maraj.