ATV

Author: G.O.

  • Arrestohet një person për tentim rrëmbimi në Vushtrri

    Arrestohet një person për tentim rrëmbimi në Vushtrri

    Është arrestuar një person në Vushtrri lidhur me një rast të tentim rrëmbimit që ka ndodhur më 23 dhjetor.

    I njëjti pas intervistimit është liruar dhe rasti ka shkuar në procedurë të rregullt.

    “Smrekonicë, Vushtrri 23.12.2023-22:48. Lidhur me rastin, është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar dhe me vendim të prokurorit pas intervistimit, i njëjti është liruar dhe rasti shkon në procedurë të rregullt”, thuhet në raportin e policisë.

    Sipas njoftimit të mëhershëm kjo dyshohet të ketë ndodhur për shkak të një borxhi.

    “TENTIM RRËMBIMI- Vushtrri 23.12.2023-22:48. Viktima mashkull kosovar ka raportuar se pas shkëmbimit të disa mesazheve me të dyshuarin mashkull kosovar – rreth një borxhi dhe derisa ishte me veturë në lëvizje, tri automjete i kanë bllokuar rrugë dhe nga ato janë dal disa persona të cilët duke e sulmua fizikisht janë munduar ta fusin në veturën e tyre, por në pamundësi janë larguar nga vendi i ngjarjes. Është njoftuar prokurori rasti në procedurë hetimore”, pati njoftuar policia.

  • Aksident i rëndë në afërsi të Plavës, raportohet për katër të vdekur

    Aksident i rëndë në afërsi të Plavës, raportohet për katër të vdekur

    Katër persona raportohet se kanë vdekur si pasojë e një aksidenti të rëndë në Barane në afërsi të Plavës, në Mal të Zi.

    Siç raportojnë mediat atje dy nga viktimat janë çift bashkëshortor.

    Nga ky aksident ka mbetur i plagosur edhe një person, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

    Radio Televizioni i Malit të Zi raporton se të gjithë të vdekurit janë nga Plava.

  • ​Milani synon Antonio Conten

    ​Milani synon Antonio Conten

    Sipas raportimeve të mediave në Itali, Milani mund provojë angazhimin e Antonio Contes si trajner për sezonin e ri, gjithmonë nëse klubi nuk vendos për shkarkimin e Stefano Piolit gjatë këtyre ditëve.

    Pioli e ka gjetur veten nën presion të shtuar pas barazimit zhgënjyes 2-2 të së premtes kundër Salernitana-s. Kuqezinjtë kanë fituar vetëm një nga tre ndeshjet e fundit në Serie A.

    Pasi u eliminua edhe në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve, përfundimi në top katërshe është bërë edhe më i domosdoshëm, përcjellë KosovaPress.

    Megjithatë, ka spekulime në rritje se kohës së Piolit në San Siro po i vjen fundi, dhe mediat italiane sugjerojnë se mund të ketë një ndryshim gjatë verës.

    Nëse do të ishte kështu, “La Gazzetta” dhe ‘Calciomercato” sugjerojnë se Conte është trajneri më i mirë dhe më i profilit të lartë aktualisht në treg.

    Ekziston një pritshmëri që Conte do të kishte një pagë të lartë dhe ka të ngjarë të kërkonte disa nënshkrime të menjëhershme dhe potencialisht të shtrenjta, por ai gjithashtu do të pritet të rregullojë problemet e Milanit që lidhen me intensitetin dhe qëndrueshmërinë mbrojtëse.

    Një emër tjetër, dhe me gjasë një opsion shumë më i lirë, që është sugjeruar është ish-mbrojtësi i djathtë dhe trajneri aktual i Primavera, Ignazio Abate, i cili ka impresionuar në rolin e tij me U19.

  • PDK-ja dorëzon sot edhe një lëndë tjetër në Kushtetuese

    PDK-ja dorëzon sot edhe një lëndë tjetër në Kushtetuese

    Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës, sot do të dorëzojë edhe një lëndë tjetër për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese.

    Dorëzimi do të bëhet nga ora 10:30.

    Sipas njoftimit, pas dorëzimit të dokumentacionit, do të ketë edhe prononcim për media.

  • Shikimi i turbullt nga qëndrimi i gjatë para ekraneve

    Shikimi i turbullt nga qëndrimi i gjatë para ekraneve

    Fakti që shumë e më shumë njerëz po punojnë nga shtëpia këto muaj, nënkupton se ata kalojnë më shumë orë duke parë ekranet e kompjuterave dhe pajisjet e lëvizshme si celularët dhe tabletët.

    Ekspertët e syve në Mayo Clinic në SHBA, thonë se kjo mund të krijojë disa probleme të përkohshme me shikimin.

    Sipas tyre nëse shihni shumë gjatë në një monitor kompjuteri apo në celular, dhe më pas përjetoni një shikim të turbullt të përkohshëm, kjo ka të ngjarë të ndodhë pasi po thahet  shtresa e lagështisë në sipërfaqen e përparme të syrit tuaj.

    “Nëse niveli i lagështisë nuk është i duhuri dhe i njëtrajtshëm, dhe me cilësinë dhe sasinë e duhur, shikimi ka tendencë që të turbullohet. Prandaj njerëzit mund të vërejnë se kanë një shikim të paqartë,në një moment ata shohin në mënyrë të mjegullt. Por vetëm pak me vonë shikimi qartësohet vetë”-thotë dr.Muriel Shornak.

    Pulitja e syve përhap një sasi loti të rëndësishëm mbi sipërfaqen e përparme të syrit.

    “Sa herë që jemi duke bërë ndonjë gjë që kërkon vëmendje të veçantë tek detajet vizuale, bie shkalla e pulitjes së syve tanë”- shton ekspertja, raporton kosovarja.

    Në vend të një shkalle normale të pulitjes nga çdo 5-7 sekonda, kur shihni mbi një ekran ju mund të pulitni sytë vetëm çdo 15-20 sekonda.

    “Pulitja e syve është jashtëzakonisht e rëndësishme, pasi garanton komoditetin tonë. Ky është padyshim një veprim aspak i kushtueshëm për ne”-thotë dr.Shornak.

    Prandaj herën tjetër kur ta gjeni veten duke vështruar një ekran, provoni rregullin 20-20-20. “Çdo 20 minuta, shihni diçka 20 metra larg, pulitini 20 herë sytë për 20 sekonda”-thotë ajo. Mund të ndihmojë edhe përdorimi në mënyrë periodike dhe gjatë gjithë ditë si një solucion me pika që mund të merret në farmaci pa recetë.

  • 19 vjet nga cunami që vrau 250 mijë njerëz

    19 vjet nga cunami që vrau 250 mijë njerëz

    Më 26 dhjetor 2004 tërmeti në Sumatra me madhësi 9,1 ballë të shkallës Rihter krijoi një cunami që shkaktoi rreth 250 mijë viktima.

    “Duke vrarë mbi 200 000 njerëz dhe me dëme disa dhjetëra miliarda dollarë, ajo ngjarje stimuloi komunitetin shkencor dhe organet qeveritare të pajisen me mjete monitorimi dhe paralajmërimi për rrezikun e cunamit”, deklaroi kryetari i Institutit Kombëtar italian të Gjeofizikës dhe Vullkanologjisë, Carlo Doglioni.

    Tragjedia e orës 07:59 më 26 dhjetor 2004, ishte i treti më i fuqishëm në 60 vitet e fundit, pas tërmetit në Kili në vitet ’60 (magnituda 9,5) dhe tërmetit të Alaskës në 1964 (9,2).

    Epiqendra ishte në Oqeanin Indian, jashtë ishullit indonezian të Sumatra, ku deti u ngrit, duke gjeneruar valë anormale që udhëtuan për mijëra kilometra duke arritur në brigjet e 14 vendeve në tre kontinente, përfshirë Afrikën.

    “Ai tërmet ishte një mësim nga çdo këndvështrim, si shkencor, ashtu edhe ai shoqëror, pasi na mësoi shumë për fenomenin e cunamit, që ishte pjesa më dramatike për numrin e madh të viktimave. Për më tepër, studiuam, si kishte ndodhur në të kaluarën kur rrjeti i sizmometrave ishte më i rrallë dhe të dhënat satelitore mungonin”, thotë ai.

    “Një tërmet që u shtri në 1.200 kilometra gjatësi, me një shpejtësi prej rreth dy kilometra në sekondë duke arritur kulmin brenda 10 minutave’’, theksoi Doglioni.

    Cunamët arritën lartësi që në disa vende i tejkaluan 20 metrat.

    Pas 25 minutash valët arritën në Sumatra, dy orë pas Tajlandës.

  • Berisha: Duan të më burgosin, por s’gjetën asnjë fakt kundër meje

    Berisha: Duan të më burgosin, por s’gjetën asnjë fakt kundër meje

    Ish-kryeministri Sali Berisha, ka mbledhur Këshillin Kombëtar të Partisë Demokratike, ku gjatë fjalës së tij u shpreh se nuk ka asnjë fakt apo provë për ta burgosur atë, edhe pse sipas tij kjo është ajo që qeveria do të bëjë.

    Sipas Berishës, arsyeja se përse duan ta burgosin, është sepse janë të tmerruar, teksa shtoi se për ta goditur “përdorin kodin e mafies”.

    Fjala e Berishës:

    “Nuk e kam fjalën këtu vetëm për kërkesën e fundit për arrestimin e Sali Berishës. Simptomat e kësaj sëmundje kanë kohë që janë shfaqur me kosto shumë të lartë për Shqipërinë.

    Një i dënuar që sot është në burg, McGonigal, zyrtari ndër më të lartët i kundërzbulimit amerikan, korruptohet nga Edi Rama dhe shpall Sali Berishën non-grata, kur e vërteta ishte se nuk kishin asnjë provë, asnjë fakt, asnjë dokument kundër meje.

    Në sytë e të gjithë botës i vidhet vula PD-së, kur e vërteta është se shumica e demokratëve në dy palë zgjedhje dhe tre votëbesimi, kanë zgjedhur Sali Berishën si liderin e opozitës demokratike.

  • Trajkoviq: Kosova mundi ta arrestojë Radojiçiqin por dështoi

    Trajkoviq: Kosova mundi ta arrestojë Radojiçiqin por dështoi

    Politikania serbe, Rada Trajkoviq, ka reaguar pas konferencës së sotme të kryeministrit Albin Kurti, i cili ka alarmuar për rigrupimet në Serbi të grupit të Radojiçiqit.

    Trajkoviq ka thënë se Kosova ka pasur disa mundësi për ta arrestuar por s’kishte arritur. Politikania serbe thotë se mbase “dëshmia e Radojiçiq do të ishte e papërshtatshme për elitat politike në Kosovë” dhe njejtë “për ato të Serbisë”.

    Trajkoviq ka thënë se gjithçka që mbetet sot është “nxitja e frikës”.

    “Kosova kishte disa mundësi për të arrestuar Radoiçiqin, por nuk ia arriti. Kjo mund të jetë pasi dëshmia e tij mund të jetë po aq e papërshtatshme për elitat politike të Kosovës sa do të ishte për atë të Serbisë. Gjithçka që mbetet për të bërë tani është të nxitësh frikën dhe të ngacmosh/destabilizosh vazhdimisht komunitetin tone”, ka shkruar ajo.

  • Çeku: Shteti i Kosovës i braktisi heronjtë e tij në Hagë

    Çeku: Shteti i Kosovës i braktisi heronjtë e tij në Hagë

    Ish-kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, ka drejtuar kritika të ashpra për sjelljen përjashtuese të presidentes Vjosa Osmani dhe kryeministrit Albin Kurti ndaj spektrit tjetër politik në vend.

    Ai në një rrëfim ekskluziv për TV Arbërinë u ka bërë thirrje të dy liderëve shtetërorë të tregojnë më shumë respekt dhe konsiderata ndaj atyre që kanë kontribuar në procesin e shtet-ndërtimit të Kosovës, veçanërisht heronjve të gjallë që aktualisht gjenden padrejtësisht në Hagë.

    Ai ka thënë se është detyrë madhore e institucioneve të Kosovës që të angazhohen që të rrëzohet kjo aktakuzë.

    Se si duhet të veprohet në këtë rast ai ka marrë shembullin e Kroacisë. Tre gjeneralët kryesorë të ushtrisë kroate për shkak të rolit të tyre në operacionin “Stuhia”, qenë akuzuar me një aktakuzë identike. Mirëpo, atëbotë shteti kroat u mobilizua i tëri, duke përfshirë diplomacinë, sportin, kulturën madje edhe kishën, me qëllim që ta rrëzojë një aktakuzë të tillë.

    Ndërkohë, përpos familjarëve të atyre që ndodhen në Hagë, institucionet e Kosovës po i veçon një heshtje dhe indiferencë e çuditshme, të cilën ai e ka quajtur një heshtje të papranueshme.

    Çeku ka komentuar edhe deklarimet e krerëve të shtetit në lidhje me ndonjë sulm të ri nga Serbia, ngjashëm me atë terrorist të 24 shtatorit në Banjska.

    Megjithatë Çeku ka hedhur poshtë mundësinë e ndonjë sulmi ndaj Kosovës nga Serbia në rrethanat aktuale.

    Ai ka komentuar edhe sulmin në Banjska duke thënë se ai ishte organizuar nga ushtarakë me përvojë serbë në kohën e vendosjes së masave ndëshkuese nga BE-ja për Kosovën, të cilën Serbia e ka parë si të “duhur” për të ndërmarrë një sulm terrorist.

    Çeku e ka quajtur sigurinë si prioritet numër një për vendin duke thënë se kapacitetet e Kosovës në këtë fushë duhet të shtohen, teksa praninë e NATO-s në vendin tonë e ka quajtur fat të madh. Ai ndërkaq e ka quajtur dekurajuese qasjen e kryeministrit Albin Kurtit ndaj pjesëtarëve sa i përket shtesave të rrezikshmërisë.

  • Arratiset një person në Gjakovë pasi rrahu vëllanë dhe dy motrat e tij

    Arratiset një person në Gjakovë pasi rrahu vëllanë dhe dy motrat e tij

    Policia e Kosovës në raportin 24 orësh ka bërë të ditur se në mesin e ngjarjeve është edhe një rast i dhunës në familje.

    Në Gjakovë, një person ka ushtruar dhunë fizike mbi vëllaun dhe dy motrat e tij.

    Sipas të dhënave, i dyshuari pas veprës është arratisur në drejtim të panjohur.