ATV

Author: G.O.

  • Ndeshje interesante sot në Premier Ligë

    Ndeshje interesante sot në Premier Ligë

    Premier Liga vazhdon sot me disa ndeshje tejet interesante, të vlefshme këto për xhiron e 19 të këtij sezoni.

    Dy ndeshje do të zhvillohen me fillim nga ora 18:30, ku spikat ajo mes Chelseat dhe Crystal Palace, raporton KosovaPress.

    Ndërkaq, me fillim nga ora 21:15 stadiumi “Goodison Park” do të jetë nikoqir i ndeshjes tejet interesante mes Evertonit dhe Manchester Cityt.

    Programin e plotë të Premier Ligës e gjeni më poshtë.

    20:30 Brentford – Wolverhampton

    20:30 Chelsea – Crystal Palace

    21:15 Everton – Manchester City

  • Arrestohet një shtetas i Shqipërisë në Suharekë, dyshohet për sulm seksual

    Arrestohet një shtetas i Shqipërisë në Suharekë, dyshohet për sulm seksual

    Një shtetas i Shqipërisë është arrestuar në Suharekë pasi që dyshohet për sulm seksual.

    Rasti për të cilin dyshohet kishte ndodhur më 2 dhjetor të këtij viti.

    I arrestuari u dërgua në mbajtje pas intervistimit, me vendim të prokurorit, njofton policia.

  • Shtyhet protesta e Sindikatës së Re të KEK-ut

    Shtyhet protesta e Sindikatës së Re të KEK-ut

    Sindikata e Re e KEK-ut ka njoftuar se protesta e paraparë për datën 27 është shtyrë për datën 28.

    Sipas kësaj sindikate, gjatë bisedimeve dhe negociatave me menaxhmentin e KEK-ut, është përfituar nga një vazhdim i dialogut për kërkesat për rritjen e nivelit të pagave.

    “Ky është një hap i rëndësishëm drejt arritjes së qëllimeve tona për një kompensim më të drejtë dhe të barabartë për punën tonë. Ne vazhdojmë të përkushtohemi për përmbushjen e kërkesave tona dhe presim që në ditët në vijim të gjejmë një zgjidhje të pranueshme për të gjithë palët përfshirëse”, thuhet në njoftimin e kësaj sindikate.

     

    Njoftimi i plotë i Sindikatës:

    Të nderuar kolegë në KEK,
    Duke ju informuar për zhvillimet e fundit në lidhje me kërkesat tona për ngritje të pagave, dëshirojmë të ju njoftojmë se protesta e paraparë për datën 27.12.2023 është shtyrur për datën 28.12.2023 në kohën e njejtë dhe vendin e njejtë.
    Gjatë bisedimeve dhe negociatave me menaxhmentin e KEK-ut, kemi përfituar nga një vazhdim i dialogut për kërkesat tona për rritjen e nivelit të pagave. Kjo është një hap i rëndësishëm drejt arritjes së qëllimeve tona për një kompensim më të drejtë dhe të barabartë për punën tonë.
    Ne vazhdojmë të përkushtohemi për përmbushjen e kërkesave tona dhe presim që në ditët në vijim të gjejmë një zgjidhje të pranueshme për të gjithë palët përfshirëse.
    Ju inkurajojmë të vazhdoni mbështetjen tuaj, sepse bashkësia jonë është forca jonë kryesore në këto negociata. Përpjekjet tona për të siguruar një nivel të drejtë të pagave duhet të mbështeten nga të gjithë ne.
    Faleminderit për përkushtimin tuaj në këtë çështje të rëndësishme. Vazhdojmë të punojmë në mënyrë konstruktive për të arritur qëllimet tona për një mjedis pune më të mirë dhe për një kompensim më të mirë për të gjithë ne.
    Me respekt, Sindikata e Re e KEK-ut

  • Mbahet sot seanca për masën e sigurisë për Berishën, ish-kryeministri do të mësojë “fatin” e tij në protestë

    Mbahet sot seanca për masën e sigurisë për Berishën, ish-kryeministri do të mësojë “fatin” e tij në protestë

    Vendimi për zëvendësimin e masës së sigurisë për ish-kryeministrin Sali Berisha pritet të merret sot, në seancën e radhës, e planifikuar të nisë në orën 11:00.

    Seanca e një dite më parë u shty për sot, pasi pasi avokatët e Berishës kërkuan kohë. Ish-kryeministri nuk u paraqit në Gjykatën e Posaçme, por dërgoi dy avokatët e tij Genc Gjokutaj dhe Sokol Mëngjesi të cilët kërkuan përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka, që e akuzojnë për njëanshmëri.

    Kjo seancë mbahet pas kërkesës së SPAK për ndryshimin e masës ndaj ish-kryeministrit, nga “detyrim paraqitje” në “arrest shtëpie”, me arsyen se nuk ka zbatuar vendimin e gjykatës.

    Ndërkohë, po sot, ish-kryeministri ka njoftuar protestë me demokratët.

    Disa ditë më parë Kuvendi votoi me 75 vota pro kërkesës së SPAK për arrestimin e tij. Më 12 dhjetor në një shkresë drejtuar Kuvendit, SPAK kërkoi autorizimin për arrestimin e Berishës me argumentin se ish-kryeministri nuk kishte zbatuar vendimin e gjykatës duke mos u paraqitur asnjëherë para oficerit të policisë gjyqësore/hetuesit.

    Mbi Berishën rëndon akuza e korrupsionit pasiv në bashkëpunim për privatizimin e ish kompleksit sportiv “Partizani”, ndërsa GjKKO vendosi masën detyrim paraqitje dhe ndalim jashtë vendit./Top Channel/

  • 32 vjet nga vdekja e shkrimtarit Petro Marko

    32 vjet nga vdekja e shkrimtarit Petro Marko

    Petro Marko u lind në Dhërmi më 25 nëntor 1913 dhe vdiq në Tiranë më 27 dhjetor 1991, ku edhe është varrosur sipas amanetit pa ceremoni.

    Ai ishte arsimtar, publicist, gazetar, interbrigadist e shkrimtar shqiptar. I lindur nga prindërit Marko e Zoica, Petro Marko u rrit nga gjyshja Mama Mille. I ati ishte pasuruar nëpërmjet tregtisë së qitros. Por e la të vogël sepse u sëmur gjatë internimit në ishujt e Tirrenit nga italianët.

    Pasi kreu shkollën filloren në fshatin e lindjes më 1924, shkoi në Shkollën Tregtare në Vlorë të cilën e mbaroi më 1932. Në atë shkollë pati, ndër të tjerë, si drejtor arsimtarin e studiuesin Kolë Kamsi dhe si mësues Ernest Koliqin; shkollë në të cilën jepnin mësim dhe shumë mësues italianë, njëri prej të cilëve i prezantoi me “Manifestin” e Marksit.

    Pasi kreu shkollën i takon të sillet gjatë nëpër Tiranën e asaj kohe në kërkim të ndonjë pune, derisa takon një ditë Hilë Mosin, asokohe Ministër Arsimi, i cili e caktoi mësues në Dhërmi. Më pas transferohet për në Dhuvjan të Dropullit. Qëndron në kontakt të vazhdueshëm me shtypin e majtë, nëpërmjet gazetave greke, të cilat ia jepte Asim Vokshi. Nga një ngatërresë që pati, u gjet preteksti se Petrua i jepte nxënësve literaturë komuniste (akuzë e pavërtetë).

    U detyrua të largohej për herë të parë në Greqi. Qëndron në Korfuz, ku bie në kontakt me emigrantët politik të atjeshëm me në krye dr. Omer Nishanin. Pastaj niset për n\’Athinë, ku kishte të vëllan Dhimitrin (Mimon), që ishte larguar që fëmijë nga Bregu. Atje hyn në fakultetin e letërsisë, ku i takoi të kishte fërkime me rektorin, i cili ia njehte për turp që Petroja si himarjot të ishte mësues i shqipes. Gjë për të cilën Petroja ia ktheu “turp për ju që ende jetoni në kohë të Bizantit!…”, replikë që i shkaktoi përjashtimin. Nëpërmjet punëdhënësit të të vëllait krijohet mundësia të hyjë në një shkollë jo shtetërore, në fakultetin ekonomiko-politik. Shqyrton mundësinë të shkojë në Bashkimin Sovjetik, ku në atë kohë ishte dhe Sejfulla Maleshova, Ali Kelmendi e Tajar Zavalani, por bie poshtë si mundësi.

    Kthehet pas vendosjes të qeverisë liberale të Mehdi beut – verë 1935. Planifikohet Kryengritja e Fieri, e cila dështon që në zanafillë e Riza Cerova vritet nga trupat e Hamit Matjanit, dhe ata që ngelën ikën nga Vlora për në Korfuz. Kthehet në nëntor pasi Branko Merxhani e Ismet Toto e thërrasin me rastin e hapjes së një gazete (“Koha e Re”) si organ i qeverisë. Gazeta mbyllet pas një artikulli bombastik mbi punëtorët e Kuçovës; që Ethem Toto, asokohe ministër i brendshëm e pa si reaksionar e komunist. Shëtiti nga një gazetë në tjetrën (“Illyria”, etj.), dhe më 1936 boton revistën “ABC” bashkë me Branko Merxhanin, Dhimitër Godellin, Zavalanin, Migjenin, e cila u mbyll pas numrit të 2-të; e internojnë në Porto Palermo (2 javë) e pastaj në Llogara, lirohet me interesimin te Merxhanit e I. Totos. Bashkëpunon në “Përpjekja shqiptare” e B. Merxhanit, të cilën Brankoja kishte me nijet t’ia vinte për antipod “Hyllit të Dritës”. Por largohet pasi Merxhani shkroi artikullin Pse nuk jam marksist i detyruar nga censura e kohës. Pasi në një gazetë tjetër del haptas me idetë e tij pro proletariatit, i hyn si halë në sy Musa Jukës, i cili për ta pajtuar i propozon postin e zv/prefektit në Himarë. Petro i jep fjalën se do e pranojë pasi të shkojë në Athinë e të japë ca provime, duke parë pas këtij propozimi.

    Takohet me Migjenin para se të niset (1937), dhe me të arritur në Athinë merr anijen për në Marsejë; anija i ra përreth Mesdheut (Izmir, Xhafa, Aleksandri, Tripoli). Mbërrin në Marsejë, dhe gjen në Paris Llazar Fundon e Ali Kelmendin. Merr direktivat nga një “shok” serb që mbante si nofkë “Robert”. Dhe caktohet kryetari i grupit prej 113 vetash që u nis për në Albacete ku ishte qendra e Brigada ve Internacionale. Bashkohet me vullnetarët e brigadës “Garibaldi” në Spanjë, shkon për në Kuintanar de la Republica. Merr pjesë në Mbledhjen e Shkrimtarëve Antifashistë në Valencia, ku ishin dhe Ernest Hemingëay, Pablo Neruda, etj. Lëviz nga Estremadura, Aragona, Gondez e mandej prapë në Francë, ku herë në Paris e herë në Grenoble i financuar nga Ndihma e Kuqe Internacionale i veshur me petkun dhe karizmën e interbrigadistit u ngarkua me agjitacionin në rininë universitare të Grenoble.

    Hyn në Itali nga fundi i 1939. Pas 1 mijë e ca ditësh kthehet në atdhe sepse Kominterni kishte porositë t’i çonte legalisht ose jo, të gjithë komunistët në vendet e tyre. Kthehet në Dhërmi dhe mendon pajtimin hasmërive me fshatrat e Dukatit. Në Vlorë nis e harton trakte, shqip e italisht, kundra fashizmit. E burgosin në Vlorë, në Tiranë (maj 1940)… mbas marsit 1942 e nisin për Itali, Palermo e Ustikë. Pas çlirimit të jugut të Italisë nga forcat aleate anglo-amerikane çan burgun së bashku me të burgosur të tjerë dhe kalon në zonat e çliruara Italiane. Më 1944 arrestohet nga gjermanët nga të cilët shpëton në sajë të mësuesit të gjimnazit, Ernest Koliqit dhe po atë vit kthehet në Shqipëri.

    Në përfundim të Luftës Antifashiste në vitin 1944 kthehet ne Shqipëri duke organizuar edhe ardhjen e gati 300 shqiptarëve tjerë në kohen kur shqiptarët kishin mbetur pa kurrfarë organizimi. Gjendet në Shkodër në shtëpinë e Nush Topallit, kur Shkodra bastiset nga trupat serbe. Te “Retë dhe gurët” citon N.Spirun që i thoshte se Shqipëria kishte material të mjaftueshëm jo vetëm për të dhe për kushedi sa vjet, bollëk ky që bën të mundur tregtarët shqiptarë nën okupacionin italian e pastaj gjerman, ngaqë pushtuesit kishin nevojë për material. Kur kthehet në Shqipërinë e çliruar, ftohet që të qëndrojë në krye të gazetës “Bashkimi” në Tiranë nga 1945-1947, nga një kontroll i befasishëm i gjejnë shkrime jashtë vijës së partisë, (shkruan se Hysni Kapo e shpëton nga pushkatimi) lirohet më 15 maj 1950. 1957 mësues në teknikumin “8 Nëntori”. 1973 i hiqet e drejta për botim. Më 1975 i fusin në burg të birin, Jamarbërin. Romani “Çuka e shtegtarit” – 1980 si direktivë për autokritikë nga Partia; por s\’ia pranuan e nuk u botua. Kjo për të vetmin shkak se nuk mund të pajtohej që në ditët e para të pushtetit me fillimin e diktaturës, e sidomos kur provoi t\’i rezistojë diktatit që i vinte Shqipërisë asokohe nga jashtë, kryesisht nga Beogradi. 27 dhjetor 1991 vdes dhe varroset sipas amanetit pa ceremoni. Presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, në vitin 2003 dekoroi Petro Markon me Urdhrin “Nderi i Kombit”.

    Vepra

    Filloi të shkruajë poezi dhe proza të shkurtra qysh në kohët e shkollës në Vlorë. Ministri i Arsimit Mosi do t’i thoshte Të shkruesh vjersha. Vjersha asht shprehja ma njerëzore e mendimit dhe e zemrës. Shkruan “Një natë e dy agime”, poemat “Nase labi”, “Horizonti në kuletë”, “Parada e të uriturve”, romanet “Kodashi”, “Rrugëve të luftës”; “Nisja pa mbarim”, “Bija e kapitenit”… gjatë kohës kur ishte në Itali. Në kulturën dhe letërsinë kombëtare Petro Marko është personalitet i përmasave të mëdha me shpirt e mendje të pa luhatur para çdo stuhie. Ata që kanë njohur nga afër Petro Markon, kanë ndjerë se brenda tij rrezatonte një besim madhor ndaj njeriut dhe mirësisë. Vetëm një lartësi shpirti e tillë mund ta përballonte ndeshjen sy më sy me vdekjen, që ai përjetoi aq shumë herë gjatë jetës së tij. Dhe sa herë ngrihej në këmbë ai do ta niste nga e para luftën ndaj së keqes po me atë forcë besimi, po me atë rrezatim mirësie. Të tillë e ndjen lexuesi Petron në romanet “Hasta la vista” (1959) dhe “Qyteti i fundit” (1960), ku rruga e tij jetësore e asimiluar artistikisht, është aq e pranishme. Në vitet ’70-ta, ai do të shkruajë romanin “Një emër në katër rrugë”, ndërsa periudhën e vështirë të jetës së tij në ishullin e Ustikës do ta përjetësojë në romanin e tij të rëndësishëm “Nata e Ustikës”. Paraqitja e shkrimtarit Petro Marko me dy romanet e tij të parë “Hasta la vista” dhe “Qyteti i fundit” në vitet ’60 është një kthesë e vërtetë në historikun e shkurtër të romanit shqiptar. Dhe nuk është fjala për rrumbullakimin e një përvoje krijuese por përkundrazi, për ndërprerje dhe dalje nga një përvojë e shartuar jo natyrshëm në rrjedhat e letrare shqiptare, ishte një synim që rrëfimi romanor, pjesërisht në vitet ’40, ’50-ta, do të çlirohej dhe të hapej si vizion, univers krijues dhe si spektër tematik.

    Krahas kësaj prirjeje të brendshme që kanë të dy romanet e përmendur përballë veprave të të njëjtit zhanër të deriatëhershëm, këto vepra qëndronin superiore edhe si artikulim artistik. Dhe pikërisht për natyrën e risive, për natyrën që pretendon ndryshime të vërteta të vlerave letrare. Të gjitha veprat e Petro Markos u pëlqyen dhe u kërkuan nga lexuesi.

    Faqet më të fuqishme të prozës së Petro Markos reflektojnë triumfin e dashurisë dhe të humanizmit njerëzor. Pas tërë atij ferri nëpër të cilin kalon njeriu në rrëfimin e Petro Markos, ai arrin të mbetet i pamposhtur nga mizoritë e botës. Këtë bërthamë të brendshme e rrezatojnë personazhet nga romanet e tij, këtë shkëlqim biblik reflekton Petro Marko njeri dhe Petro Marko shkrimtar në tërë veprat e tij. Nuk ka shembull në letërsinë shqiptare, ku të jetë gërshetuar dhe njehsuar aq shumë mes vetes njeriu dhe krijuesi – Petro Marko njeri dhe Petro Marko shkrimtar. Me romanet e tij Petro Marko hyri në personalitetet më të shquara të kulturës shqiptare që sollën risi të vërteta në traditën letrare shqiptare. Tek vepra e tij rrezaton bindja dhe besimi i lindur për dashurinë dhe humanizmin njerëzor, ndonëse sa rrojti ishte ndër personalitetet më të persekutuar dhe më të munduara. Në vitin 2000, e shoqja Safo me të bijën Amantia, botojnë “Retë dhe gurët – Intervistë me vetveten”, autobiografik ku Petro Marko plak merr në pyetje një version më të ri të vetvetes; libër ky që i kishte mbetur dorëshkrim dhe e kishte dëshirë ta botonte.

    Tituj të veprave:

    Hasta la vista (1958) [2]

    Qyteti i fundit (1960) [2]

    Një emër në katër rrugë

    “Ara në mal” – roman [2][3]

    Nata e Ustikës (1989) [2]

    Shpella e piratëve- roman [2][4]

    Vepra autobiografike

    “Horizont” – roman [5]

    Fantazma dhe plani 3+4

    Çuka e shtegtarit

    Një natë dhe dy agime

    “Stina e armëve” – roman [6]

    “Halimi” – roman [7]

    Shpella e pirateve

    “Tregime” – tregime [8]

    “Gazetari, mbreti e uria” – – roman [9]

    “Retë dhe gurët” – 2000

    Ultimatumi – 2002

    Tregime të zgjedhura – 2003

    Mirënjohje

    Mjeshtër i Madh i Punës – 1998

    Penda e Artë – 2000

    “Qytetar Nderi” i Vlorës – 2002

    Urdhri “Nderi i Kombit” – 2003

  • 124-vjetori i lindjes së poetit të madh Lasgush Poradeci

    124-vjetori i lindjes së poetit të madh Lasgush Poradeci

    Llazar Gusho i njohur me pseudonimin Lasgush Poradeci, u lind në Pogradec më 27 dhjetor 1899 dhe vdiq në Tiranë më 12 nëntor 1987. Veprimtaria e tij krijuese e cek atë si pot, shkrimtar dhe përkthyes.

    Pseudonimi letrar me të cilin njihet vjen nga rrudhja e emrit të tij përfshi atësinë, Llazar Sotir Gusho (La-S-Gush) dhe si mbiemër ka përdorur endonimin e vendlindjes, Poradeci.

    Lasgush Poradeci u lind në një familje me tradita atdhetare. Në moshën 10-vjeçare prindërit e dërguan për të vazhduar studimet në Manastir dhe më vonë në Athinë, ku mbaroi liceun.

    Më 1921 ai shkoi në Rumani, për të ndjekur studimet e larta. Duke qenë pa bursë dhe pa asnjë ndihmë, ai u detyrua të punonte dhe njëkohësisht të studionte. Në Bukuresht ai u lidh me Lëvizjen Atdhetare të Kolonisë Shqiptare, u miqësua me Asdrenin e atdhetarë të tjerë shqiptarë dhe u zgjodh edhe sekretar i përgjithshëm i Kolonisë. Në verën e vitit 1924 Qeveria e Fan Nolit i dha bursë dhe kështu arriti t’i përfundojë studimet e larta në Grac (Austri) në Fakultetin e Filologjisë Romano-Gjermane.

    Për dallim nga poetët e Rilindjes, që me gjithë origjinalitetin e tyre kishin tipare të përbashkëta, poetët e shquar të periudhës së Pavarësisë Noli, Fishta, Poradeci, Migjeni, janë krejtësisht të ndryshëm nga njëri-tjetri si nga formimi, nga prirja e tyre, ashtu edhe nga interesat e synimet.

    Lasgush Poradeci e jetoi Rilindjen në periudhën e shpërthimit të kryengritjeve të mëdha për liri. Në veprën e këtij liriku të madh të letërsisë sonë jetoi shqetësimi atdhetar i mbrojtjes së kombit dhe të traditës së Rilindjes, ashtu sikurse edhe dëshira për triumfin e pikëpamjeve demokratike, shqetësimi për një emancipim të përgjithshëm kulturor e shpirtëror të shoqërisë shqiptare.

    Ai është nga lirikët tanë më të mëdhenj, i cili u shqua për sensibilitetin dhe ëmbëlsinë poetike me të cilën i këndoi Shqipërisë dhe dashurisë.

    Në vitin 1933, u botua vëllimi i tij i parë “Vallja e yjeve”, dhe më 1937 u botua vëllimi i dytë “Ylli i zemrës”.

    Pas Luftës së Dytë Botërore Lasgush Poradeci e vazhdoi veprimtarinë krijuese, por u mor edhe me përkthime. Ai shkroi, veç të tjerash, poemat “Eksursioni teologjik i Sokratit”, “Mbi ta”, “Kamadeva”, baladat për Muharrem e Reshit Çollakun. Gjithashtu, përktheu disa nga kryeveprat e letërsisë botërore si “Eugjen Onjegin” të Pushkinit, lirikat e Lermontovit, të Bllokut, Poemat e Hajnes, të Majakovskit e Mickieviçit, lirikat e Gëtes dhe Hajnes, poezi të Lanaut, Brehtit; Hygos, Mysesë, Bajronit; Shellit, Bërnsit, të Emineskut etj.

    Më 12 nëntor 1987, Lasgush Poradeci, vdiq, duke lënë pas një krijimtari të bukur, e cila kishte fituar zemrën e lexuesit dhe kishte tërhequr vëmendjen e disa studiuesve të shquar të kulturës sonë si Eqrem Çabej, Skënder Luarasi, Mitrush Kuteli, Sabri Hamiti, Ismail Kadare etj.

  • Kurti mbledh ministrat, 39 pika në rend dite

    Kurti mbledh ministrat, 39 pika në rend dite

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, do të mbledh sot kabinetin e tij qeveritar.

    Mbledhja e Qeverisë pritet të mbahet në orën 12:00, teksa në rend dite janë gjithsej 39 pika për diskutim.

    Pas mbledhjes, Kurti bashkë me zëvendësen e tij dhe ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla Schwarz, do të mbajnë konferencë për media.

  • Ankesat e qytetarëve për fatura të larta të rrymës, Tahiri: Kryeministri babadimër shpërndan me një dorë, e grabitë me dy duar

    Ankesat e qytetarëve për fatura të larta të rrymës, Tahiri: Kryeministri babadimër shpërndan me një dorë, e grabitë me dy duar

    Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka reaguar pas ankesave të qytetarëve për faturat e larta të energjisë elektrike, për këtë muaj.

    Tahiri ka thënë se Kosova po shkon drejt një situate alarmante ku faturat mesatare të familjeve me pak anëtarë të jenë mes 250 e 350 euro.

    “Në vendin me të ardhurat më të ulëta për kokë banori në rajon dhe Evropë, qytetarët e Republikës së Kosovës paguajnë fatura ekuivalente me shpenzimet që paguajnë qytetarët e vendeve më të pasura si Belgjika e Luksemburgu. Po shkojmë drejt një situate alarmante ku faturat mesatare të familjeve me pak anëtarë, të jenë mes 250 – 350 euro”, ka thënë Tahiri.

    Tutje, ai ka shtuar se kjo është qeverisje e të paaftëve dhe mashtruesve.

    “Kjo është qeverisje e të paaftëve dhe mashtruesve. Ky kryeministër është babadimri i llojit të vet, i cili shpërndanë me një dorë, e grabitë me të dy duart. Hajde tash kallxona se si KEDS-i përcakton çmimet, dhe se si ju nuk keni asgjë në dorë”, ka përfunduar Tahiri.

  • Zbulohet 11-shja më e vlefshme e momentit në botë

    Zbulohet 11-shja më e vlefshme e momentit në botë

    Faqja e specializuar për vlerën e futbollistëve, “Transfermarkt” e ka zbuluar 11-shen më të vlefshme të momentit.

    Erling Haaland dhe Kylian Mbappe i prijnë sulmit të frikshëm me vlerë të njëjtë – nga 180 milionë euro.

    Kurse, faza ofanzive kompletohet nga Vinicius Junior e Jude Bellingham të Real Madridit dhe nga Bukayo Saka i Arsenalit.

    Në defanzivë në mes të fushës i shohim Rodrin e Manchester Cityt dhe Declan Rice të Arsenalit, kurse mbrojtja me tre përbëhet nga dyshja e Manchester Cityt, Josko Gvardiol – Ruben Dias dhe nga William Saliba i Arsenalit.

    E në portë është vendosur portieri i Milanit, Mike Maignan.

    Në total, ky ekip ëndrrash vlerësohet 1.31 miliard euro.

     

  • Aktakuzë kundër 12 zyrtarëve policorë dhe dy zyrtarëve doganorë për marrje ryshfeti

    Aktakuzë kundër 12 zyrtarëve policorë dhe dy zyrtarëve doganorë për marrje ryshfeti

    Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi se ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, kundër 12 zyrtarëve policorë të Stacionit Policor për Mbikëqyrje të Kufirit ‘’Qafë Prush’’, dhe kundër 2 zyrtarëve doganorë, në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë Kufitare, për shkak siç thuhet të dyshimit të bazuar mirë se e kanë kryer veprën penale ‘’Marrja e ryshfetit’’ e sanksionuar me nenin 421 të Kodit Penal.

    “Prokurori Speciale njofton se të akuzuarit në cilësinë e personave zyrtarë kanë marrë ryshfet nga qytetarët e Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës, me rastin e kalimit në pikat kufitare ‘’Qafë Prush’’, me ç ‘rast kanë lejuar hyrjen e personave në territorin e Kosovës, pa i verifikuar dhe pa i kontrolluar nëse i plotësojnë kushtet ligjore për hyrje dhe dalje nga territori i Republikës së Kosovës, sipas legjislacionit në fuqi”, thuhet në komunikatë.

    Përveç kësaj, Prokuroria njoftoi se është ngritur aktakuzë edhe kundër 23 zyrtarëve policorë të Stacionit Policor për Mbikëqyrje të Kufirit ‘’Qafë Morinë’’, në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë Kufitare.

    Dyshime për ryshfet, Prokuroria Speciale ngre aktakuzë kundër 23 zyrtarëve policorë