ATV

Author: G.O.

  • Dyshime për ryshfet, Prokuroria Speciale ngre aktakuzë kundër 23 zyrtarëve policorë

    Dyshime për ryshfet, Prokuroria Speciale ngre aktakuzë kundër 23 zyrtarëve policorë

    Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë kundër 23 zyrtarëve policorë të Stacionit Policor për Mbikëqyrje të Kufirit ‘’Qafë Morinë’’, në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë Kufitare.

    Ata dyshohen për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, si dhe marrje e ryshfetit.

    “ Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, kundër njëzet e tre (23) zyrtarëve policorë të Stacionit Policor për Mbikëqyrje të Kufirit ‘’Qafë Morinë’’, në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë Kufitare, për shkak të dyshimit të bazuar mirë se e kanë kryer veprën penale ‘’Marrja e ryshfetit’’ e sanksionuar me nenin 421 të Kodit Penal dhe ‘’Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtarë’’ e sanksionuar me nenin 414 të Kodit Penal”, thuhet në njoftim.

    Sipas Prokurorisë, të akuzuarit në cilësinë e personave zyrtarë kanë marrë ryshfet nga qytetarët e Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës, me rastin e kalimit në pikat kufitare ‘’Qafë Morinë’’, me ç ‘rast kanë lejuar hyrjen e personave në territorin e Kosovës, pa i verifikuar dhe pa i kontrolluar nëse i plotësojnë kushtet ligjore për hyrje dhe dalje nga territori i Republikës së Kosovës, sipas legjislacionit në fuqi.

    Aktakuzë kundër 12 zyrtarëve policorë dhe dy zyrtarëve doganorë për marrje ryshfeti

  • Ngrihet aktakuzë kundër një të dyshuari për krime lufte në Kosovë

    Ngrihet aktakuzë kundër një të dyshuari për krime lufte në Kosovë

    Prokuroria Speciale e Kosovës (PSK) njoftoi të martën se ka ngritur aktakuzë kundër një personi me inicialet D.M., i dyshuar për krime lufte ndaj popullatës civilë gjatë luftës së fundit në Kosovë.

    I dyshuari, i cili i përket nacionalitetit serb sipas Prokurorisë, akuzohet se ka kryer krime si roje e burgut në Prishtinë dhe Lipjan gjatë luftës së viteve 1998-99 në Kosovë.

    “Në cilësinë e personit zyrtar dhe në bashkëkryerje edhe me zyrtarë tjerë të burgjeve…në mënyrë sistematike i kishin maltretuar të burgosurit shqiptarë, duke i torturuar në mënyrë çnjerëzore me mjete të ndryshme, veprime këto të sanksionuara sipas ligjeve vendore, zakoneve të luftës dhe Konventave Ndërkombëtare të Gjenevës dhe Protokolleve Shtesë”, thuhet në njoftimin e PSK-së.

    Sipas Prokurorisë, i pandehuri D.M. në bashkëkryerje ka kryer veprën penale ‘’Krime lufte kundër popullatës civile’’, duke u akuzuar edhe për veprën penale ‘’Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’’, nga neni 366 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

  • Pasojat në rast të shkeljeve të rregullave të udhëtimit pa viza

    Pasojat në rast të shkeljeve të rregullave të udhëtimit pa viza

    Meqenëse na ndajnë vetëm pak ditë deri në liberalizimin e vizave për Kosovën, në faqen e Integrimit Evropian për Kosovën, janë dhënë detaje rreth asaj se cilat do të jenë pasojat në rast të shkeljeve të rregullave të udhëtimit pa viza.

    Nëse ju qëndroni në zonën Shengen për më shumë se 90 ditë (pa leje qëndrimi ose vizë qëndrimi afatgjatë) atëherë ju jeni i/e pranishme në mënyrë të paligjshme, gjë që mund të rezultojë në një ndalim të udhëtimit në zonën Shengen.

    Të punohet në zonën Shengen pa leje pune është gjithashtu e paligjshme (edhe nëse është më pak se 90 ditë) dhe gjithashtu mund të rezultojë në një ndalim të rihyrjes në zonën Shengen.

    Në varësi të shtetit anëtar, mund të zbatohen edhe gjoba administrative dhe financiare.

    Në rast të shkeljeve eventuale dhe abuzimit të udhëtimit pa vizë, pasojat personale përfshijnë: shqiptimin e gjobës financiare dhe shënim zyrtar në pasaportën dhe dosjen tuaj ku figuron shkelja në sistemin Shengen si dhe ndalimi i hyrjes në zonën Shengen deri në 5 vite.

    Detajet:

  • Vranë dy drerë në Rugovë të Pejës, ndalohen për 48 orë dy persona

    Vranë dy drerë në Rugovë të Pejës, ndalohen për 48 orë dy persona

    Dy persona janë arrestuar në Pejë, për shkak se kishin kryer gjueti të paligjshme në bjeshkët e Rugovës.

    Rasti kishte ndodhur të dielën, ku dy të dyshuarit vranë dy drerë në Rugovë.

    Të njëjtët me vendim të prokurorit janë ndaluar për 48 orë.

    Kështu ka bërë të ditur zëdhënësi i Prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikçi.

    “Dy persona janë ndaluar për 48 orë me urdhër të prokurorit të Shtetit për veprën penale ‘Gjuetia e kundërligjshme’”, tha Nikçi.

  • India forcon marinën pas sulmeve në Oqeanin Indian

    India forcon marinën pas sulmeve në Oqeanin Indian

    Marina e Indisë tha se ka dislokuar tri luftanije dhe një avion vëzhgues në Detin Arabik – që gjendet në veri të Oqeanit Indian – për të “ruajtur praninë parandaluese” pasi së fundi ka pasur një serie të sulmeve ndaj anijeve.

    Tri luftanije, si dhe avioni vëzhgues i llojit P8I, janë dislokuar “pas sulmeve të fundit në Detin Arabik”, u tha në deklaratën e marinës.

    Uashingtoni ka akuzuar Teheranin se ka kryer një sulm me dron të shtunën ndaj cisternës Chem Pluto, 370 kilometra larg nga brigjet e Indisë, akuza që janë hedhur poshtë nga Ministria e Jashtme e Iranit.

    Kjo ishte hera e parë që Uashingtoni haptazi akuzoi Iranin se po sulmon anije, që kur ka nisur lufta mes Izraelit dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja – grupit radikal që mbështetet nga Teherani.

    Anija që u sulmua, e që ishte në pronësi japoneze, të hënën u ankorua në portin indian të Mumbait.

    “Analizat nga zona ku ndodhi sulmi dhe mbetjet që u gjetën në anije tregojnë se sulmi u krye me dron”, tha marina e Indisë, duke shtuar se do të duhet të kryhen edhe analiza të tjera.

    Gjetkë, në Detin e Kuq, rebelët jemenas Huthi, që mbështeten nga Irani, po ashtu kanë kryer një sërë sulmesh me dronë dhe raketa në solidaritet me palestinezët në Gazë, ku Izraeli po lufton me radikalët e Hamasit.

    Rebelët Huthi kanë detyruar kompani të mëdha të transportit detar që të ndryshojnë rrugët e tyre të tregtisë për shkak të sulmeve.

    Nju Deli po ashtu ka rritur përpjekjet për të luftuar sulmet e piratëve në Gjirin e Adeni, pasi piratët somalezë morën anijen MV Ruen muajin e kaluar.

    India tha po ashtu se një anije në pronësi bullgare ishte marrë nën kontroll nga piratët somalezë më 16 dhjetor, teksa po lundronte afër ishullit jemenas të Sokotratit./REL/

  • Lëndohen shtatë persona në një aksident trafiku në Vushtrri

    Lëndohen shtatë persona në një aksident trafiku në Vushtrri

    Shtatë persona janë lënduar në një aksident trafiku në Vushtrri.

    Policia njoftoi se të lënduarit pas pranimit të tretmanit mjekësor janë liruar.

    “Vushtrri 25.12.2023-18:50. Raportohet se ka ndodhur aksident trafiku në mes dy automjeteve. Si pasoj e aksidentit lëndime trupore kanë pësuar 7 persona të cilët pas pranimit të tretmanit mjekësor janë liruar”, thuhet në njoftim.

  • Përmbytje masive në Gjermani, evakuohen qindra banorë

    Përmbytje masive në Gjermani, evakuohen qindra banorë

    Përmbytjet e shkaktuara nga shirat e dendur në Gjermani kanë shkaktuar probleme të mëdha në disa pjesë të vendit.

    Niveli i ujit arriti në 70 centimetra në qytetin Windehausen në shtetin qendror gjerman Thuringia, duke detyruar rreth 400 njerëz të evakuohen nga shtëpitë e tyre.

    Po ashtu, një shtëpi pleqsh në qytetin Celle u evakuua nga frika e përmbytjeve.

    Zyrtarët në rajonin e Saksonisë së Ulët njoftuan se niveli i ujit në shumë lumenj dhe përrenj në të gjithë shtetin ende është i lartë.

    Autoritetet lokale në shtetin North Rhine-Westphalia lëshuan një paralajmërim publik për rritjen e ujit të lumit Weser.

    Zyra Meteorologjike e Gjermanisë ka paralajmëruar për reshje të dendura të shiut në rajone të ndryshme dhe ka shtuar se përrenjtë dhe lumenjtë mund të vërshojnë.

  • Parlamenti turk debaton për pranimin e Suedisë në NATO

    Parlamenti turk debaton për pranimin e Suedisë në NATO

    Parlamenti turk më 26 dhjetor pritet të rinisë debatin për miratimin e aplikimit të Suedisë për anëtarësim në NATO, temë që është ndërlikuar më shumë pasi presidenti Recep Tayyip Erdogan, e lidhi këtë çështje me kërkesën e Ankarasë për avionët F-16 nga Shtetet e Bashkuara.

    Suedia dhe Finlanda hoqën dorë nga neutraliteti ushtarak dhe kërkuan që të anëtarësohen në aleancën perëndimore të NATO-s, pasi Rusia pushtoi Ukrainën vitin e kaluar.

    Finlanda u pranua në NATO në prill, por që 19 muaj Suedia ende pret miratimin e Turqisë dhe Hungarisë, pasi për t’u bërë pjesë e aleancës kërkohet miratimi i 31 shteteve anëtare.

    Në nëntor, Komiteti për punë të jashtme i Parlamentit turk dështoi të arrinte pajtim për teksin e marrëveshjes, dhe çështja u bart për diskutim sërish pasditen e 26 dhjetorit.

    Në korrik, Erdogan hoqi dorë nga kundërshtimet për anëtarësimin e Suedisë në NATO, pasi Stokholmi shtypi grupet kurde që Ankaraja i cilëson grupe terroriste.

    “Ne shohim se ka ndryshim të politikës në Suedi. Ne shohim se po merren vendime në gjykata”, tha Fuat Oktay, ligjvënës nga partia në pushtet e Erdoganit, AKP, që është pjesë e Komitetit për punë të jashtme të Parlamentit turk.

    Pasi çështja të miratohet nga Komiteti për punë të jashtme, votimi bartet në Parlament, ku aleanca e Erdoganit ka shumicën.

    Aleatët e NATO-s i kanë bërë presion Turqisë që të ratifikojë pranimin e Suedisë në NATO, përderisa Franca ka thënë se besueshmëria e aleancës “është në pikëpyetje”./REL/

  • ​Barcelona mund të përjashtohet nga Liga e Kampionëve

    ​Barcelona mund të përjashtohet nga Liga e Kampionëve

    Njëra nga dinamikat më të mëdha të punës së UEFA-s është menaxhimi sanksionues i Fair Play Financiar.

    Një lajm i publikuar nga e përjavshmja gjermane “Welt am Sonntag”, potencon se UEFA po mendon të përjashtojë Barcelonën nga Liga e Kampionëve për dy deri në tre vjet për çështje që lidhen me respektimin e Fair Play Financiar.

    Shkak për sanksionin e mundshëm do të ishte shkelja e pretenduar e rregullores financiare të UEFA-s sipas së cilës klubet janë të detyruara të kompensojnë shpenzimet me të ardhurat përkatëse.

    Klubi spanjoll mbylli sezonin 2022-2023 me një fitim neto prej 303.71 milionë euro, më i lartë se sa pritej, por rezultat i të ardhurave të paparashikuara kontabël prej 208.16 milionë eurosh që rrjedhin nga operacioni i “Barça Vision” lidhur me të drejtat televizive të titulluara (d.m.th. të shitura në avancim, një operacion i përbashkët për pothuajse të gjitha klubet në Evropë).

    Nëse nuk do të kishte pasur këto të ardhura shtesë, sipas gjetjeve fillestare të UEFA-s, rezultati neto do të kishte qenë shumë më i ulët se sa pritej, do të kishte kompromentuar diferencën për kufirin e pagave 2023-2024 dhe do ta kishte bërë edhe më të vështirë për klubin për ta rregulluar gjendjen financiare.

    Mësohet se UEFA do të vazhdojë këtë hetim deri në detaje dhe në rast se konfirmohen këto spekulime, atëherë gjiganti katalanas mund të përballet me një tjetër situatë të vështirë.

  • Ukraina thotë se ka shkatërruar një anije ruse në Krime

    Ukraina thotë se ka shkatërruar një anije ruse në Krime

    Forcat Ajrore të Ukrainës thanë më 26 dhjetor se kanë shkatërruar një anije të Flotës ruse në afërsi të Gadishullit të Krimesë, anije që dyshohet se ka bartur dronë të cilët Moska synonte t’i përdorte në luftën kundër Kievit.

    “Rreth orës 02:30 [sipas kohës lokale] më 26 dhjetor, Forcat Ajrore sulmuan me raketa lundruese në zonën e Feodosias avionmbajtësin e madh, Novocherkassk, të Flotës së Detit të Zi të Federatës Ruse”, u tha në njoftimin e Forcave Ajrore ukrainase të publikuar në Telegram.

    Feodosia është shtëpi e një baze të madhe detare të Gadishullin e pushtuar të Krimesë.

    Në një njoftim paraprak nga autoritetet ukrainase u tha se Novocherkassk u “shkatërrua”, duke shtuar se “njerëzit thonë se po transportonte Shahed” – duke iu referuar dronëve kamikazë iranianë, që Rusia rregullisht i përdor kundër Ukrainës.

    Komandanti i Forcave Ajrore ukrainase, Mykola Olechtchouk, ka publikuar një video ku shihet një shpërthim në bazën detare ruse në Feodosia.

    Sergey Aksyonov, kreu i Krimesë që mbështetet nga Kremlini, dhe Ministria e Mbrojtjes thanë se një person është vrarë dhe dy janë plagosur nga sulmi në Feodosia.

    Aksyonov konfirmoi“një sulm i armikut është kryer në zonën e Foedosias”.

    “Zona e portit është mbyllur për qarkullim”, tha ai.

    “Deri më tani, shpërthimet janë ndalur dhe zjarri është lokalizuar. Të gjitha shërbimet relevante janë në vendin e ngjarjes. Banorët e disa shtëpive janë evakuuar”, shtoi ai në postimin e publikuar në Telegram.

    Agjencia Interfax citoi Ministrinë e Mbrojtjes të ketë thënë se Ukraina ka lëshuar raketat nga avionët për të sulmuar Feodosian.

    Ukraina, që po përballet me pushtimin rus që nga shkurti i vitit të kaluar, shpesh sulmon caqe në Krime, veçmas ato të ushtrisë ruse.

    Në prill të vitit 2022, Kievi sulmoi luftanijen Moskva të Flotës së Detit të Zi./REL/