ATV

Author: G.O.

  • Arrestohet një person në Zubin Potok, goditi me veturë një këmbësore

    Arrestohet një person në Zubin Potok, goditi me veturë një këmbësore

    Është arrestuar një shtetas serb të premten në Zubin Potok, pasi që me veturë nga pakujdesia ka goditur një këmbësore kosovare.

    Viktima ka pranuar tretman mjekësor, njofton policia.

    Tutje bëhet e ditur se i dyshuari është liruar, kurse rasti i cili u cilësua “Aksident trafiku me lëndime” shkon në procedurë të rregullt.

  • ​Cilët nga librat dhe autorët u lexuan më së shumti gjatë 2023

    ​Cilët nga librat dhe autorët u lexuan më së shumti gjatë 2023

    Kërkesa e lexuesve kosovarë për librin vazhdon të jetë e fokusuar në trendin botëror, qoftë te letërsia apo edhe librat tjerë siç janë motivuesit, librat rreth avancimit personal.

    Në libraritë e kryeqytetit, si “Dukagjini”, “Buzuku”, por edhe nga Biblioteka “Hivzi Sulejmani” tregojnë se për cilat libra kishte më së shumti interesim për lexim gjatë vitit 2023, ndërkohë që shitësit e librit ankohen për mungesë të interesimit për lexim të librave dhe se një gjë e tillë po reflekton edhe në testin PISA.

    Dorontina Drenovci, përfaqësuese e librarisë “Dukagjini”, për KosovaPress thotë se gjatë 2023-së ka pasur prurje të mëdha të titujve të rinj të veprave të ndryshme, teksa po rriten kërkesat edhe rreth literaturës për fëmijë.

    “Truri i fëmijës” (autor Daniel J. Siegel), për vitin e dytë radhazi është libri më i shitur te libraria “Dukagjini”. Mandej kemi “Make Time” (Gjej kohë) (Jake Knapp and John Zeratsky), përkthyer në gjuhën shqipe, “Komploti” (Ben Blushi), “Mali je ti” (Brianna Wiest)”, etj… Vlen për t’u cekur se ka shumë kërkesa edhe për setin e klasikëve, siç janë “Princi i vogël”, (Antoine de Saint-Exupéry), “Princi” (Niccolo Machiavelli), “Ferma e kafshëve” (George Orwell), ku kjo seri do të ketë edhe libra të tjerë klasikë dhe letërsi moderne… Asaj që i gëzohemi jashtëzakonisht shumë është se shohim trendin e madh edhe te fëmijët, kështu që ne na gëzon (fakti)… Fëmijët vijnë vazhdimisht dhe prindërit e kanë kuptuar rëndësinë e librit”, tha Drenovci.

    Antigona Alija, përfaqësuese e sektorit të librave për fëmijë në bibliotekën “Hivzi Sulejmani”, tregon librat dhe autorët më të lexuar në këtë bibliotekë.

    “Librat për këtë vit për të cilat janë më të lexuarat, kemi libra edhe nga autorët shqiptarë dhe autorëve të huaj. Mund t’i veçoj disa. Janë librat e Viktor Canosinajt, Rifat Kukajt, Arif Demollit, dhe shumë libra të tjerë. Nga librat të autorëve të huaj kemi librat e David Williams, koleksionin, pastaj “Harry Potter” (J. K. Rowling), dhe Tome Gates e shumë tituj të tjerë të rinj… Bibliotekën e vizitojnë (nxënës) nga klasa e parë deri në klasën e nëntë”, tha ajo.

    Ushtruesja e detyrës së drejtoreshës në këtë bibliotekë, Fatime Mehmetaj tregon për KosovaPress, se cilat libra janë lexuar më së shumti për të rritur gjatë 2023.

    “Librat më të lexuar kryesisht janë nga letërsia shqipe, veprat e Ibrahim Rugovës, Ismail Kadare, Sabri Hamiti, Petro Marko, ndërsa nga letërsia e huaj janë veprat e (Haruki) Murakamit që është në trend kohën e fundit, “Katedralja e Parisit” (Victor Hugo), mandej (Fyodor) Dostoevsky, d.m.th, klasikët lexohen ende me vëmendje, sepse janë libra që ia vlejnë gjithmonë për t’i lexuar si “Krimi dhe dënimi”. Gjithashtu, kemi edhe nga letërsia turke (autorin) Orhan Pamuk që lexohet shumë kohëve të fundit, Danielle Steel që lexohet gjithmonë dhe ndoshta është ndër më të lexuarit, por sa i përket vlerave ne mendojmë që ka libra që ia vlen më shumë për të lexuar. Kemi (novelistja turko-britanike) Elif Shafak nga viti i kaluar. Kemi marrë të gjithë titujt dhe lexohen jashtëzakonisht shumë në bibliotekë”, tha ajo.

    Ndërsa nga libraria “Buzuku” thonë se nga viti në vit, fatmirësisht trendi i botimeve, por edhe shitjes e leximit ka qenë në rritje.

    “Kërkesa e lexuesve vazhdon të jetë kryesisht e fokusuar në trendin botëror, qoftë te letërsia apo edhe librat tjerë siç janë motivuesit, librat rreth avancimit personal etj. Në libraritë “Buzuku” kërkesa më e madhe ka qenë: “48 ligjet e pushtetit”, “Ikigai”, “Rrethuar nga idiote”, “Shprehi atomike”, “Princi i vogël”, “Ligjet e natyrës njerëzore”, “Muzeu i pafajësisë”, “Kafsha që jep shpirt”, “Asgjësim””, thuhet në një përgjigje me shkrim për KosovaPress nga kjo shtëpi botuese.

    Për dallim nga libraritë dhe bibliotekat, interesimi i qytetarëve për leximin e librit duket të mos jetë i madh.

    Mirsad Krasniqi, librashitës në Prishtinë, tregon se shitja e librave ka rënë në krahasim me vitin 2022 dhe se mos interesimi për lexim është shpërfaqur edhe në rezultatet e testit PISA 2022, ku Kosova u rendit ndër më të dobëtat.

    “Nuk mund të mburremi shumë këtë vit me shitjen e librit. Nëse e bëjmë një krahasim me vitin e kaluar, këtë vit shitja e librit ka qenë më e dobët… (Më së shumti lexojnë) Mosha më e shtyrë ose mosha mesatare… Sigurisht edhe rrjetet sociale ndikojnë, por këtu është problemi edhe më i thellë. Vetë fakti që rezultatet e PISA-s treguan se ku jemi, kjo tregon se dija nuk bëhet pa lexim, andaj mos të çuditen me rezultatet e PISA,” tha Krasniqi.

  • ​Sulm në QKUK, arrestohet një person

    ​Sulm në QKUK, arrestohet një person

    Një person është arrestuar dje në Qendrën Klinike, Universitare të Kosovës në Prishtinë, pasi që ka kanosur viktimën mashkull kosovar.

    Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

     

  • 40 aksidente me të lënduar brenda 24 orëve

    40 aksidente me të lënduar brenda 24 orëve

    Policia njoftoi se 40 aksidente me të lënduar, janë shënuar brenda 24 orëve, në vendin tonë.

    Kjo është dita me shifrën më të madhe që nga e hëna e kësaj jave, ndërsa pas saj pason dita e mërkurë me 35 aksidente të natyrës së njëjtë.

    Nga 34 kanë ndodhur të enjten dhe të hënën, ndërsa 30 të premten.

    Më së paku aksidente me të lënduar ndodhën të martën, ku atë ditë u shënuan 18 sosh, njofton policia.

  • Studimi amerikan tregon ushqimet që rrisin rrezikun e kancerit

    Studimi amerikan tregon ushqimet që rrisin rrezikun e kancerit

    Një ekip i udhëhequr nga studiues nga universitetet amerikane të Tufts dhe Harvard ka zbuluar një lidhje midis konsumit të lartë të ushqimeve shumë të përpunuara dhe një rreziku në rritje të kancerit te meshkujt.

    Në një studim të botuar në “British Medical Journal”, shkencëtarët zbuluan se burrat që hanin nivele të larta të ushqimeve ultra të përpunuara kishin një rrezik 29% më të lartë për të zhvilluar kancer në zorrën e trashë sesa burrat që hanin shumë pak nga këto ushqime.

    Studimi ka analizuar përgjigjet e më shumë se 200 000 pjesëmarrësve (159 907 gra dhe 46 341 burra) në tre studime të mëdha që vlerësuan dietën e vullnetarëve dhe u kryen për më shumë se 25 vjet. Studiuesit kanë arritur në përfundimin se lidhja më e fortë midis kancerit të zorrës së trashë dhe ushqimeve ultra të përpunuara tek meshkujt vjen nga sallami ose peshku i konservës.

    Nga ana tjetër, ekipi i shkencëtarëve ka vërejtur gjithashtu se një konsum më i lartë i pijeve të ëmbla me sheqer, të tilla si pijet joalkoolike, pijet me bazë frutash dhe pijet e ëmbëlsuara me bazë qumështi, lidhet me një rrezik në rritje të kancerit te meshkujt.

    Megjithatë, rasti i grave ka qenë i ndryshëm. Nga 159 907 gra që janë ndjekur, ekipi hulumtues ka dokumentuar 1 922 raste të kancerit të zorrës së trashë. Tek meshkujt janë regjistruar 1294 raste mes 46 341 pjesëmarrësve në këtë studim.

    Në këtë drejtim, një nga bashkautorët e studimit, Fang Zhang, ka vënë në dukje se konsumimi i ushqimeve të tilla si kosi mund të “kundërshtojë efektin e dëmshëm” të llojeve të tjera të ushqimeve ultra të përpunuara në rastin e grave.

  • Presidentja Osmani pret në takimin ministren Nagavci, bisedojnë për sfidat në arsim

    Presidentja Osmani pret në takimin ministren Nagavci, bisedojnë për sfidat në arsim

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur gjatë javës në takim ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci.

    Sipas një komunikate nga presidenca, Osmani dhe Nagavci diskutuan për zhvillimet në këto fusha, sfidat më të shpeshta, si dhe planet për vitin e ardhshëm.

    “Me qëllim të përmirësimit të vazhdueshëm të sektorit të arsimit, por edhe sektorëve të tjerë, në takim u potencua rëndësia e veçantë që luan në këtë drejtim bashkëpunimi dhe koordinimi ndërinsititucional”, thuhet në njofitm.

    “Në kuadër të Këshillit për demokraci dhe të drejtat e njeriut, të udhëhequr nga Presidentja, janë identifikuar një sërë çështjesh që e involvojnë sektorin e arsimit, prandaj gjatë takimit u diskutua për prioritetet tashmë të adresuara si dhe për planet konkrete për vitin në vijim me qëllim të parandalimit dhe luftimit të dhunës me bazë gjinore”.

  • Gara: Serbia i ndau mbetjet mortore në dy lokacione, me qëllim humbjen e gjurmëve – Ndihmuan imazhet satelitore të NATO-s

    Gara: Serbia i ndau mbetjet mortore në dy lokacione, me qëllim humbjen e gjurmëve – Ndihmuan imazhet satelitore të NATO-s

    Ndonëse shumë lokacione në territorin e Serbisë janë bërë gërmime për gjetjen e trupave të viktimave të zhdukur me dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë, të njëjtat ende figurojnë të papërfunduara edhe 24 vjet pas luftës, raporton Ekonomia Online.

    Fajtor për këtë po konsiderohet Serbia për mosbashkëpunim, ndërsa ndihmë në identifikimin e lokacioneve kanë dhënë bashkësia ndërkombëtare me ofrimin e pamjeve satelitore të kryera gjatë bombardimit të Serbisë nga NATO.

    Për zbardhjen e fatit të tyre, shpresë mbesin gërmimet e reja në lokacione që dyshohen për varreza masive.

    E krahas vrasjes, ka raste kur viktimat janë varrosur në dy lokacione të ndryshme, me qëllim të humbjes së gjurmëve.

    Në një intervistë për Ekonomia Online, Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur dyshon se trupat tjerë të zhdukur me dhunë gjendjen në Serbi. Këtë e bazon në hapësirat e gërmimeve që janë kryer në Kosovë.

    “Përkundër gjetjeve gjatë vitit 2001 dhe zhvarrosjes të më shumë se 900 viktimave të luftës, prapë mbesin lokacione të papërfunduara për ne. Në rastet e identifikimit të viktimave të masakrave që janë kryer nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë, ne kemi ende viktima nga këto masakra që janë listën e personave të zhdukur. Pra pjesa më e madhe viktimave është gjetur në lokacionin në Batajnicë, në lokacionin e Petrovosello por kemi ende në listën e personave të zhdukur viktimave nga këto masakra dhe tash nëse ne po kryejmë gërmime brenda territorit të Kosovës dhe nuk po arrijmë t’i gjejmë mbetjet mortore të këtyre viktimave, atëherë pashmangshëm që adresa mbeten këto lokacione”, ka thënë Gara.

    Krahas vrasjes e zhdukjes me dhunë, forcat serbe janë munduar edhe t’i asgjësojnë trupat e pajetë të shqiptarëve. Gara ka përmendur një rast kur viktima është gjetur në dy lokacione.

    “Në rastin e varrezës masive në Rudnicë, kemi zhvarrosur mbetje mortore të 54 viktimave në masakrën e Rezallës, një viktimë e masakrës së Çikatovës dhe nga rasti i Zabeli i Ultë i Drenasit. Ndërsa në rastin e Kishevakut, janë zhvarrosur mbetje mortore të 9-të viktimave, përfshirë 7-të identifikime të reja për 7-të persona që vazhdonin të ishin në listën e personave të zhdukur nga masakra e Rezallës dhe dy raste ribashkimi me viktimat e zhvarrosur në Rudnicë. Pra e njëjta viktimë është gjetur në dy varreza masive si pasojë të veprimeve të palës serbe që t’i asgjësojnë edhe kufomat e viktimave për asgjësimin e gjurmëve të krimit. Prandaj edhe përkundër rezultateve në vitin 2014 në Rudnicë dhe gjatë viteve 2020-21 në Kizhevakë, rasti i Rashkës prapë mbetet rast i papërfunduar për ne”, u shpreh Gara për EO.

    E ndihmë në identifikimin e lokacioneve kanë dhënë edhe imazhet satelitore të kryera gjatë bombardimeve nga NATO. Gara përmend rastin kur imazhet satelitore kapin pamjet e punimeve në një lokacion që dyshohet se janë varrosur viktima të luftës së fundit në Kosovë.

    “Kruciale në saktësimin e lokacioneve kanë qenë imazhet satelitore, ku mbi bazën e këtyre pamjeve shihej saktësisht ndryshimi i sipërfaqes së dheut gjatë kohës luftës. Pra në një kohë kur Serbia bombardohej nga NATO-ja për të ndalë gjenocidin në Kosovë, sigurisht që është e pakuptueshme që të punohej në një gurore gjatë muajit prill-qershor të 99-ës dhe arsyeja e punëve në atë gurore ka qenë pikërisht varrosja e kufomave të viktimave të luftës së vrarë nga masakrat e kryera nga forcat serbe në Kosovë”, u shpreh Gara.

  • Policia jep detaje për plagosjen në Gjakovë: Viktima u sulmua me armë zjarri nga ish-dhëndri

    Policia jep detaje për plagosjen në Gjakovë: Viktima u sulmua me armë zjarri nga ish-dhëndri

    Një plagosje ka ndodhur mbrëmë në Gjakovë, rreth orës 18:20. Lidhur me rastin, Policia e Kosovës ka dhënë detaje në raportin 24 orësh.

    Sipas Policisë, viktima ka raportuar se është sulmuar me armë zjarri nga ish-dhëndri i tij.

    Viktima ka pësuar lëndime trupore dhe i njëjti është dërguar për tretman mjekësor në QKUK-Prishtinë, derisa i dyshuari ende nuk është arrestuar.

    “VRASJE NË TENTATIVË – Gjakovë 29.12.2023-18:20. Viktima mashkull kosovar ka raportuar se është sulmuar me armë zjarri nga i dyshuari mashkull kosovar (ish-dhëndëri i tij). Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë përkatëse ku kanë gjetur dhe konfiskuar një gëzhojë të kalibrit 7.62 mm. Viktima ka pësuar lëndime trupore dhe i njëjti është dërguar për tretman mjekësor në QKUK-Prishtinë. Nuk raportohet për të arrestuar”, thuhet në raport.

  • Kërcënohet kryetari i Vushtrrisë, Ferit Idrizi – i dyshuari përfundon në pranga të Policisë

    Kërcënohet kryetari i Vushtrrisë, Ferit Idrizi – i dyshuari përfundon në pranga të Policisë

    Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, ka qenë cak i kanosjes  të premten në sheshin “Hasan Prishtina” në këtë qytet. Për rastin tashmë janë vënë në dijeni organet e rendit dhe si rezultat një person ka përfunduar në prangat e Policisë.

    Siç mëson Sinjali nga burimet brenda Prokurorisë, Idrizi është kërcënuar përmes telefonit, për motive që akoma nuk dihen – por që dyshohet se lidhen me punën.

    Përballë kësaj situate, Idrizi ka vendosur ta denoncojë rastin në Polici, ku ka dhënë deklaratë për kërcënimet ndaj tij.

    Pas raportimit të incidentit, i dyshuari është identifikuar dhe është siguruar prezenca e tij, me ç’rast është intervistuar nga hetuesit policorë për veprën me të cilën ngarkohet.

    Pas përfundimit të procedurave policore, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, i dyshuari është dërguar në mbajtje dhe është iniciuar hetim në drejtim të veprës penale “Kanosje”./GazetaSinjali/

  • Sot dita e veteranit të UÇK-së

    Sot dita e veteranit të UÇK-së

    Dita e Veteranit shënohet më 30 dhjetor, për të përkujtuar sakrificën, angazhimin dhe kontributin e veteranëve për sjelljen e lirisë dhe pavarësisë për popullin e Kosovës.

    Më 30 dhjetor 1991 filloi përballja e familjes Jashari me forcat ushtarake serbe në Prekaz, ku nga kjo filloi edhe rezistenca ushtarake e UÇK-së.

    Shënimi i kësaj dite është rregulluar sipas ligjit për veteranët e luftës së UÇK-së.