ATV

Author: G.O.

  • Belgjika nis drejtimin e BE-së

    Belgjika nis drejtimin e BE-së

    Më 1 janar 2024, Presidenca e Këshillit të Bashkimit Evropian po kthehet në shtëpi në njëfarë kuptimi.

    Brukseli do të marrë stafetën e kryesimit të radhës dhe kështu për gjashtë muajt e ardhshëm do të gëzojë një rritje të statusit të tij si kryeqytet i BE-së.

    “Siç e dini, ne belgët e kemi Bashkimin Evropian në ADN-në tonë. Kaq shumë institucione evropiane janë të vendosura këtu në kryeqytetin tonë. Nëse ka një vend që mishëron atë që ka të bëjë me BE-në, ajo është Belgjika”, ka thënë kryeministri belg Alexander De Croo në një konferencë për shtyp tre javë më parë, kur prezantoi qëllimet që vendi i tij do të kërkojë të arrijë gjatë mandatit të tij në timoni.

    Belgjika ishte gjithashtu vendi i parë që mbajti ndonjëherë presidencën e radhës të asaj që fillimisht njihej si Komuniteti Evropian.

    Kthesa e ardhshme do të jetë hera e 13-të që vendi do të vendosë tonin e agjendës së politikës për bllokun, i cili është rritur shumë që nga ajo presidencë e parë në 1958.

    Më 1 korrik, do të jetë radha e Hungarisë për të marrë drejtimin e presidencës të Këshillit të Bashkimit Evropian.

  • Dimarco zgjat kontratën me Interin

    Dimarco zgjat kontratën me Interin

    Mbrojtësi italian, Federico Dimarco ka arritur marrëveshje me Interin për të zgjatur qëndrimin në qytetin e modës në Itali.

    Dimarco ka nënshkruar kontratë të re me zikaltërit deri në qershor të vitit 2027.

    “FC Internazionale Milano njofton se ka arritur marrëveshje për vazhdimin e kontratës së lojtarit Federico Dimarco: mbrojtësi i lindur në vitin 1997 do të jetë me Nerazzurrët deri më 30 qershor 2027”, thuhet në njoftim.

    Ai ka zhvilluar 21 ndeshje këtë sezon në të gjitha garat, duke kontribuar me tre gola dhe pesë asistime.

  • Grabitje e armatosur në një pompë të derivateve në Prishtinë

    Grabitje e armatosur në një pompë të derivateve në Prishtinë

    Dy punëtorë kanë njoftuar Policinë se deri sa ishin në vendin e punës në pompë të derivateve, një person i maskuar nën kërcënimin e pistoletës ua ka grabitur rreth 145 euro.

    Rasti ka ndodhur dje në rrugën “Isa Kastrati”, në Prishtinë .

    “Rr. Isa Kastrati, Prishtinë 29.12.2023-05:35. Dy viktima meshkuj kosovarë, kanë informuar se për deri sa ishin në vendin e punës në pompë të derivateve, një person i maskuar nën kërcënimin e pistoletës ua ka grabitur rreth 145€”, thuhet në raportin policor.

    Tutje, Policia njoftoi se rasti është duke u hetuar.

     

     

  • ​Musliu: Nuk ka pasur asnjë arsye të hiqet urdhërarresti ndaj Radojiçiqit

    ​Musliu: Nuk ka pasur asnjë arsye të hiqet urdhërarresti ndaj Radojiçiqit

    Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Blerim Isufaj ka thënë se ka dhënë pëlqimin për heqjen e urdhërarrestit ndaj të sanksionuarit të ShBA-së dhe BE-së, Milan Radojçiq. E derisa ai nuk tregoi arsyen e kësaj, drejtori i institutit “Octopus”, Agim Musliu thotë se asgjë nuk e justifikon një gjë të tillë, pasi ky i fundit ka sulmuar Republikën e Kosovës më 24 shtator.

    Musliu thekson për KosovaPress, se asnjë marrëveshje e fshehtë ndërkombëtare nuk mund të aplikohet në raste të tilla, kur bëhet fjalë për një kryekomandant të terroristëve, i cili kryen agresion dhe akte të tilla ndaj një vendi.

    “Milan Radojçiq është kriminel i ndjekur edhe ndërkombëtarisht edhe nga INTERPOL-i edhe nga EUROPOL-i edhe është në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Sa i përket kësaj që e thatë ju, që Isufaj e ka ndaluar ndjekjen penale të kryeterroristit Milan Radojçiq unë nuk kam koment, nuk i di rrethanat se pse ka ndodhur kjo, por sidoqoftë nuk ka asnjë arsye të bëhet kjo sepse Milan Radojçiq ka qenë kryekomandanti i terroristëve i cili ka sulmuar direkt shtetin e Kosovës, Republikën e Kosovës, një territor të saj ka pretenduar që ta shkëpus nga Republika e Kosovës dhe janë aktet më të rënda dhe më të sanksionuara me të gjitha ligjet edhe ndërkombëtare por edhe ato të Republikës të Kosovës, me ligj akt më i rëndë nuk ekziston”, tha Musliu.

    Javë më parë KosovaPress, pati raportuar se INTERPOL ka lëshuar urdhërarrest për terroristin Milan Radojiçiq.

    Ky i fundit ka pranuar se qëndron prapa sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit, por që vazhdon të endet i lirë në Serbi.

    PSRK-ja konfirmon urdhërarrestin ndaj Milan Radojiçiqit

     

  • Vdes boksieri turk në moshën 29-vjeçare

    Vdes boksieri turk në moshën 29-vjeçare

    Boksieri turk në kategorinë super të mesme, Cem Kilic ka vdekur në moshën 29-vjeçare.

    Kilic, i cili kishte lindur në Gjermani përpara se të zhvendosej në Los Anxhelos të Shteteve të Bashkuara të Amerikës si adoleshent për të çuar përpara karrierën e tij, kishte luftuar me varësinë nga substancat dhe problemet e shëndetit mendor në vitet e fundit.

    Sipas Boxing Scene, një mbidozë ishte shkaku i vdekjes, ndërsa u konfirmua nga presidenti i Federatës Turke të Boksit, Eyup Gozgec.

    Kilic, i cili ishte llogaritur si ndër boksierët më premtues, kishte fituar 17 nga 18 ndeshjet në boksin profesionist.

    Ai luftoi 18 herë si profesionist pasi bëri debutimin e tij në 2014 dhe humbi vetëm një herë nga Steven Nelson i Amerikës.

    Bokseri turk kishte luftuar së fundmi në gusht të vitit 2022, me një vendim unanim të gjyqtarëve kundër Marco Delgados.

  • Pas sulmeve ruse, ShBA-ja thotë se do të vazhdojë mbështetjen për Ukrainën

    Pas sulmeve ruse, ShBA-ja thotë se do të vazhdojë mbështetjen për Ukrainën

    Ministri i Mbrojtjes i Ukrainës, Rustem Umerov, ka folur me telefon me sekretarin e mbrojtjes të SHBA-së, Lloyd Austin, në lidhje me sulmin ajror të Rusisë në Ukrainë dhe situatën në vijën e frontit.

    “Unë theksova se mbështetja e SHBA-së dhe koalicionit tonë prej rreth 50 aleatësh dhe partnerësh për Ukrainën në luftën e saj kundër agresionit rus do të mbetet”, shkroi Austin në X.

    Të paktën 30 persona janë vrarë në atë që Ukraina thotë se është bombardimi më i madh me raketa ruse deri më tani.

    Më shumë se 160 persona u plagosën pasi Rusia goditi Kievin, Odesën, Dnipropetrovsk, Kharkiv dhe Lviv në orët e para të mëngjesit të të premtes.

  • Protestat në Beograd, të rinjtë serbë kaluan natën në një kamp të improvizuar

    Protestat në Beograd, të rinjtë serbë kaluan natën në një kamp të improvizuar

    Bllokada e trafikut në kryqëzimin e dy rrugëve në Beograd, e organizuar nga të rinjtë studentë dhe aktivistë, ka vazhduar edhe sot, pasi kanë kaluar natën në çadra në një kamp të improvizuar në rrugë.

    Bllokada e trafikut ka nisur mesditën e së premtes, ndërsa duhet të zgjasë deri sot në mesditë kur siç është paralajmëruar studentët do t’i bashkohen protestës së nismës “ProGlas”.
    Studentët po protestojnë, duke kërkuar hapjen e listave zgjedhore, për dyshimin se në to janë regjistruar zgjedhësit e zgjedhjeve të 17 dhjetorit, të cilët ishin regjistruar në adresat ku ata nuk banojnë, raporton Danas, transmeton Gazeta Express.

    Aktivisti i lëvizjes studentore “Borba”, Nikolla Ristiq, tha për N1 se mbrëmja ishte e qetë.

    “Mbrëmja kaloi e qetë, kishte energji të madhe dhe një atmosferë të këndshme, nuk ishte shumë ftohtë. Kemi pasur një incident të vogël kur, derisa po bisedonim me policinë për rregullimin e trafikut, një person i panjohur na u afrua dhe filloi të na ofendonte, të shante”.

  • NATO-ja dhe ShBA-ja konsultohen me Poloninë, pasi një raketë ruse hyri në hapësirën e saj ajrore

    NATO-ja dhe ShBA-ja konsultohen me Poloninë, pasi një raketë ruse hyri në hapësirën e saj ajrore

    Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, bisedoi me presidentin e Polonisë të premten për shenjat se një raketë ruse u fut në hapësirën ajrore polake më 29 dhjetor, gjatë një sulmi të madh me raketa dhe dronë që Moska e kreu në Ukrainë.

    Stoltenberg tha se e konsultoi presidentin Andrzej Duda për “incidentin raketor” dhe shkroi në rrjetin social X se “NATO-ja është duke e vëzhguar gjendjen dhe do të mbajë kontakt derisa të zbardhen faktet”.

    Forcat e Mbrojtjes së Polonisë thanë të premten se një objekt i panjohur ishte futur në hapësirën ajrore polake nga drejtimi i Ukrainës dhe pastaj ishte zhdukur nga radari.

    “Çdo gjë tregon se një raketë ruse u fut në hapësirën ajrore të Polonisë. Ne e vëzhguam atë në radar dhe pastaj ajo u zhduk nga radari. Kjo është e konfirmuar nga radarët dhe nga aleatët tanë në NATO”, tha komandanti i Forcave të Armatosura të Polonisë, gjenerali Wieslaw Kukula.

    Forcat e Mbrojtjes së Polonisë thanë se objekti u fut 40 kilometra brenda hapësirës ajrore polake dhe u largua pas më pak se tre minutave.

    Kukula tha se janë duke u ndërmarr hapa për t’i vërtetuar gjetjet dhe për ta eliminuar mundësinë e një gabimi teknik.

    Polonia e thirri në takim të ngarkuarin e Rusisë me detyrë në Varshavë dhe i kërkoi shpjegim. Agjencia e lajmeve e Rusisë, RIA Novosti, e citoi të ngarkuarin rus me punë në Varshavë të ketë thënë se Polonia nuk dha dëshmi për shkelje kufitare.

    Këshilltari amerikan për Siguri Kombëtare, Jake Sullivan, bisedoi me telefon me shefin e zyrës për Siguri Kombëtare të Polonisë, Jacek Siewiera, për t’ia shprehur “solidaritetin e Shteteve të Bashkuara me Poloninë, derisa ajo po merret me raportimet për futjen e një rakete në hapësirën ajrore polake përkohësisht”, tha Shtëpia e Bardhë.

    Sullivan u zotua për ndihmë teknike dhe e siguroi Siewieran se presidenti amerikan, Joe Biden, është duke e përcjell me vëmendje këtë incident.

    Nuk është e qartë se ku u zhduk objekti nga radari, apo në cilin drejtim ishte duke shkuar. Trupat polake u mobilizuan për ta gjetur atë.

    Ukraina e ka cilësuar sulmin raketor rus si më të madhin deri tani në luftën pushtuese që Moska e nisi në shkurt 2022.

    Cak i sulmeve ishin kryeqyteti Kiev, si dhe qytetet e mëdha si Odesa, Dnipropetrovski, Harkivi dhe Lvini.

    Ministri i Brendshëm i Ukrainës, Ihor Klymenko, tha se 30 njerëz u vranë dhe më shumë se 160 të tjerë u plagosën.

  • Dita e veteranit, Mehaj: Komandanti heroik Adem Jashari, përherë do të mbetet udhëheqësi ynë ushtarak

    Dita e veteranit, Mehaj: Komandanti heroik Adem Jashari, përherë do të mbetet udhëheqësi ynë ushtarak

    Ish-ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, me rastin e ditës së veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka thënë se kjo është datë me peshë në historinë tonë më të re.

    Mehaj, mes tjerash, uroi gjithë veteranët, duke përmendur dëshmorët e kombit dhe invalidët e luftës.

    “Sot me rastin e shënimit të 30 dhjetorit – ditës së veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, uroj nga zemra gjithë veteranët, duke mos harruar dëshmorët e kombit dhe invalidet e luftës të cilët dha gjithçka për Kosovën tonë”, shkroi Mehaj në llogarinë e tij në Facebook.

    “Pikërisht me 30 dhjetor të vitit 1991, forcat e shumta ushtarake dhe policore serbe, do të ndërmerrnin një aksion ushtarak kundër Adem Jasharit dhe familjes se tij, të cilët bënë një luftë heroike duke detyruar forcat serbe që të tërhiqeshin”.

    “Andaj, në kujtim të kësaj lufte dhe përpjekjeve tona për liri, çlirim dhe pavarësi nga shteti serb, përpjekje këto nder vite e dekada, sot shënojmë ditën e veteranëve, e cila është datë me peshe në historinë tonë me të re”, shkroi më tej ish-ministri i Mbrojtjes.

    Ai potencoi se lufta e jonë dhe përpjekjet për liri, çlirim dhe pavarësi të Kosovës, janë rrugëtim i yni i gjatë dhe plotë sfiduese, i cili duhet të finalizohet me anëtarësimin e Kosovës në NATO.

    “Shënimi i kësaj date si dhe përmbyllja e vitit 2023, për Kosovën në përgjithësi dhe mua në veçanti do të thotë shumë, sepse për herë të parë dhe të vetme deri me tani FSK-ja u pajise me armatim moderne nga shumë shtete të NATO-së dhe kemi blerë armët me moderne, Dronët Bajraktar të blerë me buxhetin e Kosovës e fal vizionit e përkushtimit tonë gjatë drejtimit të Ministrinë e Mbrojtjes dhe përkrahjes parezerva të Qeverisë”.

    Ai theksoi se dronët e shumë pajisje të tjera të blera e dhuruar nga vendet mike, janë shpagim i sakrificës sublime të popullit shqiptar të Kosovës, familjes Jashari e shumë e shumë djemve dhe vajzave gjithandej Kosovës të cilët shërbyen me dinjitet në UÇK-ë, e me pas në TMK-ë e tash në FSK-ë.

    “Sot, në këtë ditë nuk dua të harroj edhe gjithë ata pjesëtar të Policisë së Kosovës, të cilët me nder i kanë shërbyer dhe po vazhdojnë të i shërbejnë atdheut, e çdo ditë e me shumë po na bëjnë krenar”.

    “Komandanti ynë heroik dhe historik Adem Jashari, përherë do të mbetet udhëheqësi ynë ushtarak dhe shembulli me i mirë se si duhet shërbyer atdheut. Nga zemra uroj gjithë veteranët e Kosovës për ditën e tyre meritore”.

  • Organizatat e UÇK-së në ditën e veteranit akuzojnë rëndë Albin Kurtin

    Organizatat e UÇK-së në ditën e veteranit akuzojnë rëndë Albin Kurtin

    Organizatat e dala nga Lufa e UÇK-së, në ditën e Veteranit, kanë shprehur shqetësimin e tyre ndaj Qeverisë së Kosovës, duke thënë se është anit-UÇK. Kurse, Kryeministri Albin Kurti, sipas kategorive të luftës, ka shkel mbi gjymtyrët e invalidëve dhe po shkel çdo ditë mbi gjakun e dëshmorëve.

    Kështu ka thënë Kryetari i Shoqatës së familjeve të dëshmorëve të luftës së UÇK-së, Xhavit Jashari , pas vizitës që i bëri kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, organizatës së Veteranëve, asaj të invalidëve dhe të familjeve të dëshmorëve, me rastin e Ditës së Veteranti.

    Jashari tha se bashkërisht në vitin 2024, do t’i thonë stop jo vetëm kryeministrit Kurti por çdokujt që bën përpjekje për të njollosur dhe atakuar luftën e UÇK-së.

    “Ne qëndrojmë me qëndrime tona edhe ndaj Gjykatës Speciale e cila pamëshirshëm me pretendime, shpifje dhe gjithë ato që po i bën ndaj luftës dhe krerëve të saj por gjithsesi shprehem shqetësimet tona edhe ndaj kësaj qeverie e cila prej që është dhe është e vetmja qeveri pasluftës që është qeveri anti-UÇK. Çdoherë prej që është kryeministër Albin Kurti dhe vartësit e tij, përpjekjet e vazhdueshme i ka bërë për të goditur luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke mohuar të drejtat këtyre kategorive dhe ne e diskutuar dhe në vitin 2024, presim edhe interpretimin e Kushtetueses që goditi veteranët duke i hequr nga paga minimale dhe ne do të organizohemi për të kundërshtuar çdo padrejtësi që i bëhet Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ju e dini që ka bërë shkelje ligjore duke ia mohuar familjeve të dëshmorëve, invalidëve të luftës, pensionin e pleqësisë dhe kontribut-dhënës padrejtësisht dhe ne u kemi bërë thirrje dhe po iu bëjmë edhe sot, le t’iu drejtohen organeve të drejtësisë sepse e fitojnë, sepse është vërtetuar, është saktësuar që është shkelje e ligjit dhe nga një nen i një ligji, gabimisht, ose nuk do ta kuptoj, ose e bën qëllimisht e bën, prek edhe në ligjin e veçantë, siç është ligji për kategoritë e luftës. Ka shkel mbi gjymtyrët e invalidëve, po shkel çdo ditë mbi gjakun e dëshmorëve por mendoj që bashkërisht që në vitin 2024, do t’i themi stop jo vetëm këtij kryeministri por çdokujt që bën përpjekje për të njollosur dhe atakuar luftën e UÇK-së ”, tha ai.

    Kurse, i pari i AAK-së, Ramush Haradinajka uruar ditën e veteranit, duke thënë se në Kosovë kanë ndodhur shumë padrejtësi dhe një nga to është marrja nga veteranët.

    “Ju siguroj që nuk do të ishim në liri sot, do të ishin nënë thundrën e njerëzve të Arkanit, kush i mban mend, pa veteranët, pa luftëtarët. Njëkohësisht, liria jonë asnjëherë nuk do të jetë e sigurt nëse ne nuk i nderojmë si duhet, nëse nuk i respektojmë si duhet vlerat e UÇK-së. Për fat të keq kemi ardhur në kohë kur kryeministri është më i dashur me vlerat e të tjerëve se sa me vlerat e veta, me vlerat e lirisë, me UÇK-në, me ushtrinë dhe policinë e vet, pra në çdo situatë ai gjen arsye me i nëpërkëmbë, poshtëruar dhe fyer, por mos të harrojmë askush dhe asnjëherë nuk ka mundur t’i dobësoj këto vlera asnjëherë te shqiptarët. Unë besoj se kurrë më të fort nuk kemi qen”, tha ai.

    Dita e Veteranit shënohet më 30 dhjetor, për të përkujtuar sakrificën, angazhimin dhe kontributin e veteranëve për sjelljen e lirisë dhe pavarësisë për popullin e Kosovës.

    Më 30 dhjetor 1991 filloi përballja e familjes Jashari me forcat ushtarake serbe në Prekaz, ku nga kjo filloi edhe rezistenca ushtarake e UÇK-së.

    Shënimi i kësaj dite është rregulluar sipas Ligjit për veteranët e luftës së UÇK-së.