ATV

Author: G.O.

  • OKB i kërkon Rusisë të ndalojë “menjëherë” sulmet në Ukrainë

    OKB i kërkon Rusisë të ndalojë “menjëherë” sulmet në Ukrainë

    Komisionari i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Volker Turk dënoi të premten valën vdekjeprurëse të sulmeve ruse në të gjithë Ukrainën dhe i kërkoi Moskës që të ndërpresë sulmet “menjëherë”.

    Rusia nisi sulme me dronë dhe raketa duke vrarë më shumë se 18 njerëz dhe duke plagosur më shumë se njëqind, në një nga sulmet më të mëdha ajrore.

    “Jam i tronditur nga një valë e re e sulmeve të koordinuara me raketa dhe me dronë nga Federata Ruse në Ukrainë gjatë natës”, tha Turk në një deklaratë.

    Sulmet goditën ndërtesat e banimit, një maternitet, shkolla, kopshte, parqe, një stacion metroje dhe një qendër tregtare, si dhe infrastrukturën energjetike, theksoi ai.

    Sulmet gjithashtu ndërprenë energjinë elektrike në disa rajone, pas dëmtimit të linjave të transmetimit dhe ekipet e shpëtimit kërkonin njerëzit e bllokuar nën rrënojat e ndërtesave të banimit, shtoi Turk.

    “E drejta ndërkombëtare humanitare ndalon në mënyrë eksplicite sulmet e qëllimshme ndaj objekteve civile, dhe sulmet pa dallim, në çdo rrethanë,” tha ai.

    “I bëj thirrje përsëri Federatës Ruse që të ndërpresë menjëherë sulmet e saj në Ukrainë dhe të respektojë të gjitha rregullat e së drejtës ndërkombëtare që kanë të bëjnë me zhvillimin e luftimeve”, tha Turk.

    Rusia e ka filluar pushtimin e plotë dhe të paprovokuar të Ukrainës në shkurt të vitit 2022./REL/

  • Llugaliu: Gjatë këtij viti, Dogana grumbullon 1.6 miliardë €, konfiskoi e sekuestroi 14.5 milionë € – u arrestuan 9 zyrtarë për korrupsion

    Llugaliu: Gjatë këtij viti, Dogana grumbullon 1.6 miliardë €, konfiskoi e sekuestroi 14.5 milionë € – u arrestuan 9 zyrtarë për korrupsion

    Dogana e Kosova ka arritur që gjatë këtij vitit të grumbullojë 1.6 miliardë euro, 135 milionë euro më shumë apo 9.5% se në vitin 2022, ka bërë të ditur nën një konferencë për medie, drejtori i këtij institucioni, Agron Llugaliu.

    Ai më tej ka bërë të ditur se vlera e konfiskimeve e sekuestrimeve ka arritur në 14.5 milionë, përderisa te luftimi i ekonomisë jo-formale vlera arrijnë në 27.4 milionë euro. Drejtori njoftoi se gjatë kësaj periudhe janë arrestuar edhe 9 zyrtarë doganorë për korrupsion.

    “Në vitin 2023 1.6 miliardë euro, 135 milionë. Të hyrat sivjet tejkalojnë të hyrat për të njëjtën periudhë 135 milionë apo 9.5% më shumë se në vitin 2022. Dogana e Kosovës gjithashtu është duke shënuar rezultate shumë pozitive edhe në luftimin e ekonomisë jo-formale dhe mbrojtjen e shoqërisë nga mallrat e ndaluara”.

    “Edhe raporti i fundit për vendin nga Komisioni Evropian ka theksuar performancën e mirë të Doganës së Kosovës në disa fusha të rëndësishme, ndërsa që kryesore është theksi për performancën e mirë në luftimin e krimit të organizuar dhe kontributi në kuadër të Reformave të Qeverisë në luftimin e ekonomisë jo-formale”.

    “Mallrat të importuara 5.8 miliardë euro, apo 5.46% më shumë se në vitin 2022. Te luftimi i ekonomisë jo formale 27.4 milionë euro, konfiskimet dhe sekuestrimet 14.5 milionë euro apo 27.46% më shumë. 9 zyrtarë janë arrestuar për korrupsion”.

    Ai më tej ka shtuar se Dogana e Kosovës është mirënjohëse për përkrahjen e pa rezervë nga Qeveria e partnerët si Ambasada e ShBA-së, Britanisë së Madhe, Zyrës së BE-së në Prishtinë që u kanë ndihmuar në avancimin e kapaciteteve, raporton EO.

    Madje tha se kontributi dhe bashkëpunimi me komunitetin e bizneseve si dhe me publikun ka qenë i rëndësisë kritike për rezultatet të deritanishme

  • Në spitalin e përgjithshëm të Mitrovicës gjatë 2023-tës janë kryer 470 operacione të ORL-së

    Në spitalin e përgjithshëm të Mitrovicës gjatë 2023-tës janë kryer 470 operacione të ORL-së

    Në repartin e Otorinolaringologjosë (ORL) të Spitalit të Përgjithshëm “Dr.Sami Haxhibeqiri” – Mitrovicë, në periudhën janar deri në dhjetor të vitit 2023 janë kryer 470 intervenime kirurgjikale.

    “Prej tyre 156 operacione me anestezion të përgjithshëm dhe 314 me anestezion lokal ku përfshihen: Adenoto silectomo, tonisilectomo, diathermi e conchave nasale, biopsi e të tjera” thuhet tutje në njoftimin zyrtar.

    Ndërsa mjekët e Otorinolaringologjisë kanë kryer nëntë mijë e 800 vizita specialistike ambulantore.

     

  • Ancelotti nënshkruan kontratë të re me Real Madridin

    Ancelotti nënshkruan kontratë të re me Real Madridin

    Carlo Ancelotti raportohet se do të vazhdojë qëndrimin e tij te Real Madridi.

    E ardhmja e italianit vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes, për shkak se kontrata e tij aktuale skadon në fund të sezonit.

    Ancelotti mbetet objektivi kryesor i Kombëtares së Brazilit, teksa ishte thënë edhe se ka një lloj marrëveshje mes palëve.

    Por, sipas raportimeve të ditës së sotme nga Spanja, Real Madridi dhe 64-vjeçari besohet se do të vazhdojnë bashkëpunimin.

    “Relevo” raportoi se Ancelotti ka zgjatur kontratën deri në verën e vitit 2026.Kontrata e re thuhet se është nënshkruar menjëherë pas Krishtlindjeve, teksa tani pritet vetëm edhe zyrtarizimi nga “Los Blancos”.

  • 325 ushtarë të rinj i bashkohen FSK-së, Haradinaj: Mahnitëse gatishmëria e të rinjve tanë për të shërbyer për Atdheun

    325 ushtarë të rinj i bashkohen FSK-së, Haradinaj: Mahnitëse gatishmëria e të rinjve tanë për të shërbyer për Atdheun

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se është i shqetësuar për trajtimin jo të dinjitetshëm të Forcës së Sigurisë së Kosovës nga qeveria aktuale.

    Haradinaj ka thënë se ka qenë gjithmonë në mbështetje të Forcës së Sigurisë.

    “Është mahnitëse gatishmëria e të rinjve tanë për të shërbyer për Atdheun. Sot u certifikuan edhe 325 ushtarë të rinj. Me këtë rast, uroj shumë suksese për ta, në këtë rrugë fisnike. Me përkushtim të madh, kam qenë gjithmonë në përkrahje të Forcave të Sigurisë, e po me atë përkushtim, ngritëm statusin e Forcës në Ushtri, me përkrahje të aleatëve. Por, sot ndjehem i shqetësuar për trajtimin jo të dinjitetshëm të Forcës nga qeveria aktuale. Me dhjetëra miliona euro të buxhetit, u humbën këtë vit, për shkak të papërgjegjësisë qeveritare”, ka thënë Haradinaj.

    Haradinaj ka shtuar se përpos vullnetit qytetar për të shërbyer, siguria e vendit kërkon përkushtim madhor dhe serioz të qeverisë.

    “Këto veprime të Qeverisë, cungojnë kapacitetet tona të sigurisë. Kosova do të hyjë në vitin që po vjen, me 58 milionë euro më pak armatim, municion e mjete ushtarake. Përpos vullnetit qytetar për të shërbyer, siguria e vendit kërkon përkushtim madhor dhe serioz të qeverisë”, është shprehur Haradinaj.

  • Tahiri: Kuvendi s’pati efikasitet, është çmenduri miratimi i 30 ligjeve në një seancë

    Tahiri: Kuvendi s’pati efikasitet, është çmenduri miratimi i 30 ligjeve në një seancë

    Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri deklaroi sot (e premte) se pushteti ka rënduar mirëqenien e qytetarëve dhe funksionimin e shtetit përmes vendimeve të dëmshme dhe anti-kushtetuese gjatë vitit 2023.

    Në konferencën e fundit për këtë vit, Tahiri kritika adresoi edhe për agjendën parlamentare, për çka u shpreh se “është çmenduri miratimi i shumë ligjeve për një natë” në kohen kur dhjetëra seanca dështojnë.

    Deputeti i PDK-së, në konferencën për media përmendi ehde disa nga çështjet që si grup parlamentar kanë ngritur këtë vit në Kuvendin e Kosovës, derisa shtoi se kanë dërguar gjashtë ligje në gjykatën Kushtetuese, dy prej të cilëve kanë marrë rezultat pozitiv. U shpreh optimist se përgjigje pozitive nga Kushtetuesja do të marrin edhe për katër të tjerat.

    “Ju e keni parë se këtë vit e karakterizon një kaos parlamentar, dështimi i dhjetëra seancave për shkak të kuorumit, pastaj angazhimi në një seancë të vetme ku kalon 30–35 ligje. Kjo jo vetëm që e dëmton cilësinë e jetës parlamentare, por do të jetë një impakt jashtëzakonisht negativ në jetën e qytetarëve. Nuk mund të ketë efikasitet një natë ku miratohen 20-25 ligje, kjo është çmenduri. Pra, dështojnë dhjetëra seanca dhe pastaj mblidhen në një seancë, kalojnë 20-25 pika. Do të thotë, këtë parlament, i cili udhëhiqet nga LVV e karakterizon një mosefikasitet jashtëzakonisht i madh parlamentar dhe në anën tjetër, karakterizohet nga një sërë vendimesh, një pjesë e të cilave kanë dalë jokushtetuese”, u shpreh Tahiri.

    Sipas tij, e vetmja agjendë pozitive që ka ecur përpara është Reforma Zgjedhore që është udhëhequr nga vetë PDK-ja.

    Kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së e ka përmendur edhe rezolutën që PDK ka propozuar për të mbështetur Policinë e Kosovës, e të cilën kujtoi se Lëvizja Vetëvendosje nuk e ka pranuar.

    I pyetur për draft-statutin për Asociacionin, Tahiri tha se i njëjti parasheh pushtet paralel për komunat serbe, për çka fajësoi kryeministrin Albin Kurti.

    “Sot mbi tavolinë zyrtarisht Republika e Kosovës ka një draft-statut për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në vendin tonë e që realisht del përtej mandatit të një asociacioni. Ne e kemi quajtur në vazhdimësi që themelimi i kësaj trupe ekzekutive është një pushtet paralel me vendin tonë. Nuk po flasim për pushtet të ndërmjetëm, por për një pushtet paralel me institucionet e Republikës së Kosovës. Fatkeqësisht, ky është produkt i negociatave të Albin Kurtit, tash e dy vjet në Bruksel”, tha Tahiri.

  • Dafina Zeqiri e përmbyll vitin edhe me një këngë të re

    Dafina Zeqiri e përmbyll vitin edhe me një këngë të re

    “My Love” është kënga e radhës nga Dafina dhe e fundit për këtë vit.

    Kënga e re, një baladë dashurie vjen edhe shoqëruar me videoklip.

    Të plotë mund ta ndiqni në videon e mëposhtme.

  • Palestinezët evakuohen në jug teksa Izraeli zgjeron ofensivën në Gazën qendrore

    Palestinezët evakuohen në jug teksa Izraeli zgjeron ofensivën në Gazën qendrore

    Dhjetëra mijëra palestinezë të zhvendosur janë nisur drejt qytetit Rafah në jug ditëve të fundit, kanë thënë Kombet e Bashkuara, përderisa forcat izraelite më 29 dhjetor kanë vazhduar të sulmojnë zonat në Gazën qendrore, duke vrarë dhjetëra persona.

    Ofensiva e paprecedent e Izraelit nga toka dhe ajri kundër Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja – ka zhvendosur rreth 85 për qind të popullsisë së Gazës prej 2.3 milionë banorësh, të cilët po kërkojnë strehim në zonat që Izraeli i ka cilësuar si të sigurta, por të cilat janë bombarduar nga ushtria. Kjo ka bërë që palestinezët të mos jenë të sigurt në asnjë pjesë të enklavës së vogël.

    Fushata ushtarake e Izraelit veçse ka rrafshuar pjesë të mëdha në veri të Gazës dhe tani ushtria është përqendruar në zonat në Gazën qendrore, ku avionët izraelitë dhe artileria po sulmojnë kampet e refugjatëve Burej, Nuseirat dhe Magazi, duke shkatërruar ndërtesat, kanë thënë banorët.

    Por, luftimet janë përhapur në shumë zona të Gazës. Në veri, Hamasi ende po lufton me trupat izraelite me një rezistencë të fuqishme. Në qytetin e dytë më të madh të Rripit të Gazës, Han Junis në jug, ku Izraeli beson se liderët e Hamasit fshihen, po ashtu ka beteja.

    Lufta tashmë ka vrarë mbi 21.300 palestinezë dhe ka shkaktuar një krizë humanitare, gjë që ka bërë që një e katërta e popullsisë së Gazës të përballet me uri.

    Izraeli është zotuar se do të shkatërrojë Hamasin dhe do të lirojë mbi 100 pengje që ende mbahen nga grupi radikal, që kur ai kreu sulme në jug të Izraelit më 7 tetor. Nga këto sulme, u vranë 1.200 persona në Izrael, shumica civilë.

    Zyrtarët e Izraelit kanë refuzuar thirrjet ndërkombëtare për një armëpushim, duke thënë se një ndalje e luftimeve do të përbënte fitore për Hamasin.

    Të enjten mbrëma, OKB-ja tha se afër 100.000 persona kanë shkuar në Rafah, që gjendet në kufi me Egjiptin, gjatë ditëve të fundit.

    Izraeli u ka thënë banorëve në Gazën qendrore që të evakuohen dhe të shkojnë në Rafah dhe në qytetin Deir al-Bala. Por, pavarësisht se ka urdhëruar evakuimin për në Rafah, ky qytet ka qenë cak i sulmeve izraelite.

    Gjatë një sulmi mbrëmjen e së enjtes ndaj një ndërtese banimi, u vranë të paktën 23 persona, thanë zyrtarët e spitalit Al-Kuwaiti, që gjendet aty pranë./REL/

  • ​Interi rrit interesimin për Brojën

    ​Interi rrit interesimin për Brojën

    Qendërsulmuesi shqiptar Armando Broja mund të ndryshojë skuadër në afatin kalimtar të janarit.

    Për sulmuesin e Chelseat ka disa skuadra të mëdha evropiane që kanë shprehur interesim, por së fundi në këtë garë është futur edhe gjiganti italian, Interi.

    Objektivi i parë i Interit në merkaton e dimrit është një sulmues krahu që mund të zëvendësojë Cuadradon e dëmtuar dhe emri në krye të listës është ai i Tajon Buchanan.

    Por drejtuesit e “Nerazzurrëve” janë gjithmonë të gatshëm të shfrytëzojnë çdo mundësi për të forcuar skuadrën në dispozicion të Inzaghit, përcjellë KosovaPress.

    Për sa i përket sulmit, përveç iranianit Taremi, ka edhe profile të tjera që mund të emocionojnë drejtuesit e Interit,mes tyre është Armando Broja, një shqiptar i lindur në vitin 2001, i cili së fundmi është rikthyer në fushë me Chelsean, por është i etur për të gjetur më shumë. hapësirë në funksion të Euro 2024.

  • Sulmoi fizikisht babanë e tij, arrestohet i dyshuari në Malishevë

    Sulmoi fizikisht babanë e tij, arrestohet i dyshuari në Malishevë

    Një rasti i dhunës në familje është raportuar të ketë ndodhur në Malishevë.

    Në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës, thuhet se një person është arrestuar pasi dyshohet se pas fjalosjes, kishte sulmuar fizikisht babanë e tij duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore.

    Pas rastit, viktima ka pranuar trajtim mjekësor, teksa i dyshuari është arrestuar.

    “Malishevë / 28.12.2023 – 17:30. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar për shkak se pas një fjalosje dyshohet se kishte sulmuar fizikisht babain e tij duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore. Viktima ka pranuar trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari pas intervistimit me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftim.