ATV

Author: G.O.

  • Trepça përforcohet me Kevin Capers

    Trepça përforcohet me Kevin Capers

    Klubi i Basketbollit Trepça është përforcuar edhe me një lojtar në parket, duke u bërë gati kështu për pjesën e dytë të sezonit.

    Ekipi mitrovicas ka bërë të ditur se ka nënshkruar me basketbollistin Kevin Capers.

    “Kevin Capers gjelbër zi. Capers, bashkohet me Trepçen nga ekipi i Isrealit Maccabi Urban Ramat Gan. Welcome Kev”, thuhet në njoftim.

    Përndryshe, Trepça e mbylli vitin 2023 me një fitore ndaj Istogut, me rezultat 106-65, në kuadër të Prince Caffe Superligës së Kosovës.

  • Rama: Kosovës duhet t’i hiqen masat, Serbia duhet sanksionohet për aktin e Banjskës

    Rama: Kosovës duhet t’i hiqen masat, Serbia duhet sanksionohet për aktin e Banjskës

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në konferencën e tij të fund vitit për media është pyetur për raportet që Shqipëria do të ketë me Serbinë përgjatë vitit 2024.

    Edi Rama ka thënë se qëndrimi i shtetit shqiptar ka qenë shumë i qartë dhe s’ka pasur luhatje, qoftë kur ka kërkuar që Serbia të mos sanksionohet shkaku i qëndrimit ndaj Rusisë, qoftë edhe kur Tirana zyrtare ka konstatuar se Serbia ka bërë akt flagrant kundër të gjitha vlerave evropiane dhe të bashkëjetesës kur ka shpallur ditë zie për kriminelët e Banjskës dhe për vetë aktin e sulmit.

    Rama ka thënë se Shqipëria ka kërkuar që Serbia të sanksionohet për aktin e terrorit në Banjskë dhe që Kosovës t’i hiqen masat, meqë Kosova e ka bërë hapin dhe s’ka sens që Kosovës t’i mbeten masat dhe Serbisë të mos i vendoset asnjë masë shtrënguese pas aktit në Banjskë.

    “Për sa i përket marrëdhënies me presidentin e Serbisë, është marrëdhënie që  s’ka asgjë tjetër përveç interesit të Shqipërisë dhe të rajonit. Natyrisht është raport që s’më pengon mua dhe neve t’i themi të bardhës të bardhë dhe të zezës të zezë. Qëndrimi ynë ka qenë shumë i qartë dhe s’ka pasur luhatje. Qoftë kur ka qenë rasti për të thënë me zë të lartë se Serbia nuk duhej sanksionuar si rezultat i mos sanksionimit të Rusisë meqë kjo do të sillte pasoja të rrezikshme për rajonin, ashtu edhe kur Serbia bëri një akt flagrant kundër të gjithë vlerave evropiane dhe të bashkëjetesës me shpalljen e zisë për kriminelët e Banjskës si edhe për vetë aktin e terrorit në Banjskë. Kështu që kemi qenë shumë të qartë për këtë. Kemi kërkuar haptazi që Serbia duhet sanksionuar dhe Kosovës i duhen hequr masat shtrënguese, sepse Kosova tashmë e ka bërë hapin, që duhej ta kishte bërë me kohë, por e ka bërë. S’ka sens që Kosovës ti mbeten masat dhe Serbisë të mos i vendoset asnjë masë shtrënguese pas aktit në Banjskë”, ka thënë Rama.

  • Dita e veteranit, Osmani: Trimëria dhe sakrifica e tyre do të na frymëzojë përherë

    Dita e veteranit, Osmani: Trimëria dhe sakrifica e tyre do të na frymëzojë përherë

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, me rastin e ditës së veteranëve të UÇK-së, ka thënë se guximi, sakrifica dhe angazhimi i tyre i palëkundur meritojnë respektin tonë maksimal.

    Osmani potencoi se në krye me kryekomandantin Adem Jashari dhe familjen e tij, ata kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë tona.

    “Në Ditën e Veteranëve, shpreh mirënjohjen time të thellë për gratë dhe burrat trima të UÇK-së, të cilët i kanë shërbyer me vetëmohim luftës për lirinë e Republikës së Kosovës”, tha Osmani.

    “Guximi, sakrifica dhe angazhimi i tyre i palëkundur meritojnë respektin tonë maksimal. Në krye me kryekomandantin Adem Jashari dhe familjen e tij, ata kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë tonë. Trimëria dhe sakrifica e tyre do të na frymëzojë përherë!”.

  • ​KFOR-i katërfishon prezencën në veri, Ulutash: NATO e palëkundur për stabilitetin në rajon

    ​KFOR-i katërfishon prezencën në veri, Ulutash: NATO e palëkundur për stabilitetin në rajon

    Komandanti i KFOR-it, Ozkan Ulutash thotë se kanë katërfishuar numrin e trupave në veri pas agresionit serb të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit ku mbeti i vrarë rreshteri policor Afrim Bunjaku.

    Në intervistën për KosovaPress, Ulutash e vlerëson të qetë situatën në veri të vendit, porse thekson se e njëjta vazhdon të jetë e brishtë.

    Ai vlerëson bashkëpunimin e ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in, derisa thotë se KFOR-i vazhdon të operojë si reaguesi i tretë i sigurisë.

    “Ne do të vazhdojmë përpjekjet tona për të parandaluar çdo përshkallëzim dhe jemi të gatshëm t’i përgjigjemi çdo sfide, duke e përshtatur qëndrimin tonë sipas nevojës, dhe duke vazhduar bashkëpunimin e ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in”, thotë ai në intervistën me shkrim për KosovaPress.

    Intervista e plotë me komandantin e KFOR-it, Ozkan Ulutash:

    Çfarë mund të na thoni për situatën në Kosovë pas agresionit të 24 shtatorit në Banjskë te Zveçanit?

    Në përgjithësi, situata në terren është e qetë, por e brishtë. Ne po ndjekim nga afër çdo zhvillim të rëndësishëm të sigurisë. Pas një rritjeje të tensioneve në muajt e fundit, NATO ka vendosur 1000 trupa shtesë dhe mjete më të rënda. Ne kemi katërfishuar praninë e KFOR-it në veri të Kosovës dhe kemi trefishuar numrin e patrullave, duke përfshirë edhe përgjatë vijës kufitare administrative. Këto janë hapa të matur për të siguruar që misioni i KFOR-it të ketë burimet e nevojshme. Ne kemi një qëndrim të shkathët dhe fleksibil në të gjithë Kosovën që na lejon t’i përgjigjemi çdo skenari, duke respektuar plotësisht mandatin tonë të OKB-së. KFOR-i është i fokusuar në zbatimin e mandatit të tij të OKB-së – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të siguruar një mjedis të qetë dhe të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.

    A është i gatshëm KFOR-i t’i përgjigjet çfarëdo kërcënimi nga jashtë?

    NATO ka dislokuar forca shtesë rezervë me kapacitete shtesë në Kosovë, pas tensioneve të fundit, në mënyrë që të përmbushë mandatin e saj të OKB-së dhe të pengojë çdo veprim të mëtejshëm. Fuqia e misionit tonë është aktualisht prej rreth 5,000 trupash, me kontribute nga 27 vende, duke përfshirë aleatët dhe partnerët e NATO-s. Mandati i KFOR-it është i qartë, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999; të sigurojë një mjedis të qetë dhe të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë, dhe lirinë e lëvizjes.

    KFOR-i vazhdon të operojë si reaguesi i tretë i sigurisë, pas Policisë së Kosovës dhe Misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX), me të cilët ne bashkëpunojmë ngushtë.

    Së fundmi krerët e shteteve kanë paralajmëruar se “Serbia po përgatitet për sulme të reja”. Të tilla paralajmërime ka bërë edhe deputetja britanike, Alicia Kearns, për armatosjen e serbëve në Kosovë përmes manastireve. A ka raste të tjera? A keni një informacion të tillë? Si e shihni dislokimin e trupave shtesë të Serbisë pranë kufirit me Kosovën?

    Nuk do të spekuloj për ndonjë skenar të ardhshëm.

    Ne do të vazhdojmë përpjekjet tona për të parandaluar çdo përshkallëzim dhe jemi të gatshëm t’i përgjigjemi çdo sfide, duke e përshtatur qëndrimin tonë sipas nevojës, dhe duke vazhduar bashkëpunimin e ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in.

    Fokusi ynë kryesor është në zbatimin e mandatit tonë të OKB-së për të siguruar një mjedis të qetë dhe të sigurt për të gjithë njerëzit në Kosovë; në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.

    A mund të na thoni më shumë për bashkëpunimin me FSK-në?

    KFOR-i komunikon rregullisht dhe në mënyrë transparente me të gjitha palët e interesuara ndërkombëtare dhe vendore, dhe vlerëson vazhdimisht situatën e sigurisë në Kosovë.

    Jemi në kontakt të ngushtë me institucionet në Kosovë dhe me organizatat e sigurisë së Kosovës, si dhe me shefin e mbrojtjes serbe. Kjo është e rëndësishme për të shmangur keqkuptimet, veçanërisht në kohë krize dhe kur tensionet janë të larta.

    Siç u tha qartë nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s gjatë vizitës së tij të fundit në Prishtinë, “çdo vendosje e Forcës së Sigurisë së Kosovës në veri të Kosovës kërkon pëlqimin e KFOR-it”. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s gjithashtu theksoi se “Ne presim konsultime në kohë për çdo veprim të Forcës së Sigurisë së Kosovës apo Policisë së Kosovës që mund të ndikojë në sigurinë rajonale”. Unë mbështetem në të gjithë homologët e mi për të vazhduar bashkëpunimin tonë të rregullt për këto çështje të rëndësishme.

    NATO po shqyrton rritjen afatgjatë të kontingjentit paqeruajtës në Kosovë. Çfarë mund të na thoni për këtë, sa kohë do të zgjasë?

    Për më shumë se dy dekada KFOR-i ka ruajtur një mjedis të qetë dhe të sigurt për të gjithë njerëzit në Kosovë, dhe lirinë e lëvizjes, në përputhje me mandatin tonë të OKB-së. Dekadat e paqes së fituar me vështirësi nuk duhet të rrezikohen. Angazhimi i NATO-s ndaj KFOR-it mbetet i fortë edhe sot.

    Kjo u ripohua me zë të lartë dhe qartë nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, gjatë udhëtimit të tij të fundit në muajin nëntor në Kosovë, Bosnjë dhe Hercegovinë, Serbi, dhe Maqedoninë e Veriut. Ai udhëtim ishte në fakt një tjetër demonstrim konkret i përkushtimit të palëkundur të NATO-s për stabilitetin në rajon.

    KFOR-i ka dëshmuar vazhdimisht se është në gjendje t’u përshtatet sfidave dhe ndryshimeve të ndryshme në mjedisin tonë operacional, falë një qëndrimi fleksibil, të shkathët dhe të dukshëm në mbarë Kosovën. Misioni ynë ka qenë gjithmonë i bazuar në kushte dhe jo i drejtuar nga planet, që do të thotë se çdo ndryshim në aspektin e numrit të personelit ose qëndrimit të KFOR-it do të bazohet në një vlerësim të kushteve në terren i ndjekur nga një vendim nga Këshilli i Atlantikut të Veriut, organi vendimmarrës i NATO-s.

  • Gjendet një person pa shenja jete në Shtërpcë

    Gjendet një person pa shenja jete në Shtërpcë

    Një person është gjetur pa shenja jete dje pasdite në fshatin Beroc të Shtërpcës.

    Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse, ndërsa ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e viktimës.

    Me vendim të prokurorit trupi i pa jetë i viktimës iu është liruar familjareve.

  • Irani i ekzekuton katër persona që i akuzonte si spiunë të Izraelit

    Irani i ekzekuton katër persona që i akuzonte si spiunë të Izraelit

    Katër iranianë – tre burra dhe një grua – janë ekzekutuar të premten, pasi akuzoheshin se spiunonin për Izraelin, raportoi agjencia e lajmeve Mizan.

    Wafa Hanareh, Aram Omri, Rahman Parhazo dhe Nasim Namazi, u akuzuan dhe u gjetën fajtorë për “armiqësi kundër Zotit dhe për korrupsion në Tokë”, gjoja për shkak se kishin bashkëpunuar me inteligjencën izraelite, Mossad, raportoi të premten Mizan, e cila është e afërt me gjyqësorin iranian.

    Ata ishin dënuar me vdekje në shkurt 2023.

    Rrjeti Kurdistan për të Drejtat e Njeriut tha se, sipas një familjari të njërit prej katër të burgosurve, dënimet me vdekje u zbatuan edhe pse avokatët e tyre kishin shtruar kërkesë për rigjykim në gjykatën e njëjtë dhe se kishin nisur një peticion, po ashtu, në Komisionin për Amnisti dhe Mëshirë.

    “Gjatë rishikimit të ankesave të tyre, të burgosurit u dërguan në izolim në Teheran, ku u ekzekutuan, mbase si një shenjë hakmarrjeje ndaj Izraelit”, tha familjari.

    Grupet për të drejtat e njeriut i kanë akuzuar autoritetet iraniane për torturimin e tyre në burg.

    Ndërkohë, organizata për të drejtat e njeriut me bazë në Norvegji, Hengaw, e dënoi ekzekutimin e tyre dhe i bëri thirrje komunitetit global të reagojë, duke thënë se ndëshkimi i tyre “jo vetëm që ishte shkelje e qartë e të drejtës për të jetuar dhe e dinjitetit njerëzor, por edhe shpërfillje e madhe e ligjeve ndërkombëtare dhe parimeve të të drejtave të njeriut”.

    Ata u ekzekutuan pak pasi u vra Razi Musavi, komandant i Trupave të Gardës Revolucionare Islamike në Siri, duke nxitur thashetheme për motive të mundshme hakmarrëse.

    Irani dhe Izraeli kanë mosmarrëveshje të moçme mes vete. Tensionet mes tyre u rritën nga lufta e tanishëm në Rripin e Gazës mes Izraelit dhe Hamasit, i cili është cilësuar si organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe nga Bashkimi Evropian.

    Teherani është mbështetës i moçëm i Hamasit, edhe pse marrëdhëniet mes tyre kanë qenë të koklavitura kohë pas kohe.

    Ndërkohë, shkalla e ekzekutimeve në Iran është duke u rritur me shpejtësi, posaçërisht pas protestave të mëdha të nxitura nga vdekja e Mahsa Aminit në paraburgimin policor.Grupi iranian për të drejtat e njeriut tha se më shumë se 700 njerëz janë ekzekutuar në Iran deri në dhjetor 2023, që shënon një rritje në muajt e fundit.

    Amnesty International thotë se regjimi në Teheran ka ekzekutuar më shumë njerëz se çdo vend tjetër në botë, përjashtuar Kinën, deri tani këtë vit./REL/

  • Presidentja Osmani nderon me medalje rock grupet Minatori, Gjurmët, Elita 5 e të tjerë

    Presidentja Osmani nderon me medalje rock grupet Minatori, Gjurmët, Elita 5 e të tjerë

    Presidentja e vendit Vjosa Osmani, mbrëmë u ka ndarë Medalje Presidenciale të Meritave rock grupeve: Minatori, Trix, Elita 5, TNT, Gjurmët, Oda, 403, MAK, Ilirët, Telex, Fisnikët e Fontana.

    “Rock grupet e viteve ’80 kanë qenë pjesë e “boom”-it kulturor në Kosovë, në kohën kur ajo po shtypej e kultura jonë po mohohej”.

    “Muzika e tyre paralajmëroi e stimuloi ndryshime shoqërore dhe u bëri jehonë aspiratave, zhgënjimeve dhe ëndrrave të një brezi të etur për ndryshim”, tha zyra e presidentes.

  • Krasniqi uron veteranët e UÇK-së: Mirënjohës, sot e përjetësisht!

    Krasniqi uron veteranët e UÇK-së: Mirënjohës, sot e përjetësisht!

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka uruar të gjithë veteranët për ditën e tyre.

    Me anë të një postimi në Facebook, Krasniqi ka shkruar se për veteranët dashuria për atdheun ishte më e shenjtë sesa vet jeta e tyre.

    “Atyre, për të cilët dashuria për Atdheun ishte më e shenjtë sesa vet jeta – urime Dita e Veteranit! Mirënjohës – sot e përjetësisht’, shkroi Krasniqi.

  • Zelensky dekoron Edi Ramën me çmim shtetëror

    Zelensky dekoron Edi Ramën me çmim shtetëror

    Presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski i ka akorduar kryeministrit shqiptar Edi Rama, urdhrin e “Princit Jaroslav i Urti, shkalla e parë”.

    Në motivacionin e shpallur nga zyra e Presidencës së Ukrainës thuhet se ky nderim bëhet për kontributin e rëndësishëm personal në forcimin e bashkëpunimit ndërshtetëror, mbështetjen e sovranitetit shtetëror dhe integritetit territorial të Ukrainës dhe popullarizimin e shtetit ukrainas në botë.

    I njëjti nderim si për Ramën është dhënë edhe për kryeministrin e Spanjës, Pedro Sanchz si dhe kryeministrin e Mbretërisë së Arabisë Saudite, princin e kurorës, Muhamad bin Salman.

    Që prej nisjes së konfliktit në Ukrainë në Shkurt të 2022, Shqipëria është rreshtuar në mbështetje të luftës së saj mbrojtëse nga agresioni rus.

    Tirana zyrtare mbështeti sanksionet e Perëndimit ndaj Moskës ndërsa gjatë mandatit 2-vjeçar në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, Shqipëria u rreshtua në krah të Kievit.

    Në shtator të këtij viti Shqipëria organizoi edhe një seancë të posaçme për Ukrainën ku u ftua të flasë edhe Presidenti Zelensky pavarësisht kundërshtimeve të Rusisë.

    Ndërsa në Qershor të vitit 2022, Shqipëria akordoi 1 milion Euro në ndihmë të rindërtimit të Ukrainës./ Tv Klan.al/

  • Presidentja Osmani takohet me Vitinë, diskutojnë për zhvillimet në fushën e shëndetësisë përgjatë vitit

    Presidentja Osmani takohet me Vitinë, diskutojnë për zhvillimet në fushën e shëndetësisë përgjatë vitit

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim gjatë kësaj jave ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia.

    Sipas një komunikate të lëshuar nga presidenca, në takim u diskutua për zhvillimet dhe të arriturat në fushën e shëndetësisë përgjatë vitit, si dhe sfidat kryesore në këtë sektor.

    “Në kuadër të Këshillit për demokraci dhe të drejtat e njeriut, të udhëhequr nga Presidentja, janë identifikuar një sërë çështjesh që e involvojnë sektorin e shëndetësisë, prandaj gjatë takimit u diskutua për reformat që janë realizuar si dhe planet konkrete për vitin në vijim me qëllim të parandalimit dhe luftimit të dhunës me bazë gjinore”, thuhet në njoftim.

    “Në mes tjerash, Presidentja Osmani foli edhe për angazhimin e rregullt në drejtim të ndërtimit të partneriteteve, të reja të cilat kanë për qëllim mbështetjen e sektorëve të ndryshëm në vend, me ç’rast veçoi komunikimet e rregullta dhe bashkëpunimin e ngushtë me partnerë të shumtë ndërkombëtar me qëllim të mbështetjes dhe avancimit të shërbimeve të ofruara në fushën e shëndetësisë”.

    Presidentja Osmani pret në takimin ministren Nagavci, bisedojnë për sfidat në arsim