ATV

Author: G.O.

  • Tragjike: Humbin jetën dy mërgimtarë në një aksident trafiku

    Tragjike: Humbin jetën dy mërgimtarë në një aksident trafiku

    Një ngjarje tragjike është shënuar dje në mbrëmje për dy familje kosovare. Dy nga më të dashurit e tyre, humbën jetën tragjikisht pasi u përfshinë në një aksident trafiku, raporton Gazeta Sinjali.

    Siç merr vesh Sinjali, dy viktimat janë mërgimtarët K.Hoxhaj dhe J.Rexhepi, të cilët nuk arritën t’i përballojnë plagët e shkaktuara nga aksidenti i cili dyshohet se ka ndodhur në Hungari.

    Lajmin për vdekjen e tyre e kanë konfirmuar edhe familjarët e viktimave.

  • BE pret të nis themelimi i Asociacionit: Kosova dhe Serbia t’i vazhdojnë bisedimet bazuar në draftin e propozuar

    BE pret të nis themelimi i Asociacionit: Kosova dhe Serbia t’i vazhdojnë bisedimet bazuar në draftin e propozuar

    Bashkimi Evropian është shprehur e gatshme që të fillojë themelimi i Asociacionit, duke theksuar se pret nga Kosova t’i jap komentet dhe sugjerimet e saj për draftin e Asociacionit.

    Siç deklaroi zëdhënësi i BE-së, Peter Stano tha se në këtë fazë të avancuar të procesit, themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe pritet të fillojë së shpejti.

    “Në këtë fazë të avancuar të procesit, pritet që së shpejti të fillojë me themelimin e Asociacionit së komunave me shumicë serbe. Kosova është e ftuar të japë komentet dhe sugjerimet e saj për draftin që është në tryezë”, tha Stano në një përgjigje për REL.

    Po ashtu, zëdhënësi i BE-së ka përsëritur se “presin nga të dyja palët t’i vazhdojnë bisedimet bazuar në këtë draft”.

    Në një video-mesazh në fund të dhjetorit 2023, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, tha se SHBA-ja pret të shohë përparim në normalizimin e marrëdhënieve në vitin 2024.

    Në këtë kontekst, ai tha se, edhe Kosova, edhe Serbia, duhet t’i përmbushin obligimet e tyre nga dialogu, duke përfshirë edhe përparimin për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

    Ndryshe, SHBA-ja e mbështeti draft-statutin që më parë iu paraqit Kosovës dhe Serbisë.

    Mes tjerash, ai parasheh qartë mundësinë e mbështetjes financiare të Asociacionit nga ana e Serbisë, si dhe “një kanal efikas dhe të drejtpërdrejtë të komunikimit ndërmjet komunitetit serb të Kosovës dhe Qeverisë së Kosovës përmes Ministrisë së Administrimit të Vetëqeverisjes Lokale”.

    Gjithashtu, ka kompetenca të plota mbi nivelin lokal, përkatësisht në fushat e zhvillimit ekonomik, planifikimit hapësinor, shëndetësisë, arsimit dhe mbrojtjes së identitetit kulturor dhe fetar.

    Përveç draftit nga BE-ja, deri më tani janë hartuar edhe katër draft statute të tjera për formimin e Asociacionit: Draft-statuti i Ekipit Menaxhues, drafti i vizionit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, drafti-statuti i kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, dhe draft-statuti i Asociacionit i përgatitur nga organizata gjermane Friedrich-Ebert-Stiftung (FES).

  • Konjufca reagon pas arrestimit të ish-ushtarit të UÇK-së: Sinjal i rrezikshëm – të lirohet menjëherë

    Konjufca reagon pas arrestimit të ish-ushtarit të UÇK-së: Sinjal i rrezikshëm – të lirohet menjëherë

    Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka reaguar në lidhje me arrestimin e ish-ushtarit të UÇK-së, Hasan Dakaj nga policia serbe në pikën kufitare me Serbinë, përkatësisht në Merdarë.

    Konjufca ka thënë se ky është një sinjal i rrezikshëm në vazhdën e ngjarjeve që tregojnë se autokracitë sot po sulmojnë nga të gjitha anët stabilitetin dhe paqen.

    “Arrestimi i papranueshëm në Merdare i ish-ushtarit të UÇK-së, Hasan Dakaj, nga policia serbe, përbën një sinjal tepër të rrezikshëm në vazhdën e ngjarjeve që tregojnë se autokracitë sot po sulmojnë nga të gjitha anët stabilitetin dhe paqen. E vetmja mënyrë e mbijetesës së tyre është shtypja e opozitës dhe demokracisë së brendshme, por dhe dëmtimi me çdo mjet i fqinjëve”, ka shkruar Konjufca në një postim në Facebook.

    Ai tutje ka thënë se mungesa e ndëshkimit ndaj Serbisë po e rrit numrin e sulmeve mbi Kosovën.

    “Në mënyrë të përsëritur, mungesa e ndëshkimit ndaj Serbisë po e rrit numrin dhe natyrën e sulmeve të saj mbi Republikën e Kosovës dhe qytetarëve të saj”, vijon ai.

    Ai tutje ka bërë thirrje për lirim të menjëhershëm të ish-ushtarit të UÇK-së, Hasan Dakaj.

    “Bëj thirrje për lirim të menjëhershëm të qytetarit tonë, Hasan Dakaj. Mbajtja e tij peng, vetëm pse është ish-ushtar i UÇK-së, tregon që në Serbi kemi të bëjmë me një qeveri dhe me një shtet që nuk ka ndryshuar aspak në raport me atë Serbi që bëri krime lufte, spastrim etnik dhe gjenocid në Kosovë”, ka thënë kreu i Kuvendit.

    Tutje Konjufca ka thënë se me këtë akt, qeveria serbe dëshmon se është në përputhje të plotë me politikën e regjimit të Millosheviqit.

    “Akte të tilla mbi qytetarët tanë nuk do të tolerohen në asnjë mënyrë. Thirrja e komunitetit ndërkombëtar për t’i bërë presion Serbisë për lirimin e Hasan Dakajt do t’i shërbente më së miri stabilitetit dhe mundësive të së ardhmes”, ka përfunduar ai.

  • Pronarja e një dyqani në Iran dënohet me dy vjet burgim, pasi u fotografua pa shami

    Pronarja e një dyqani në Iran dënohet me dy vjet burgim, pasi u fotografua pa shami

    Pronarja e një dyqani në Iran është dënuar me dy vjet burgim, për shkak se kishte publikuar fotografi pa shami në kokë, tha të premten rrjeti amerikan për të drejtat e njeriut, HRANA.

    Sipas HRANA, Zeinab Khenyab Pour ishte dënuar në fillim të dhjetorit me tre muaj burgim, në një rast tjetër për “propagandë kundër shtetit”.

    Zeinab, e cila vjen nga jugperëndimi i Iranit, kishte tërhequr vëmendje të madhe gjatë protestave gjithëkombëtare, kur autoritetet ia kishin mbyllur dyqanin.

    Në shtator 2022, vdekja e gruas së re kurde, Mahsa Amini, nxiti protestat më të mëdha në historinë e Republikës Islamike.

    Për disa muaj rresht, të rinjtë dolën nëpër rrugë për të demonstruar kundër sundimit islamik.

    Amini vdiq në paraburgimin e policisë së moralit të Iranit, ku po mbahej pasi ishte arrestuar se gjoja nuk e kishte veshur siç duhet shaminë e kokës, apo hixhabin.

    Protestat e humbën gjallërinë dalëngadalë kah fundi i vitit 2022, pasi protestuesit u përballën me hakmarrje të fortë shtypëse nga forcat e sigurisë.

    Qindra protestues u vranë dhe mijëra u arrestuan, sipas aktivistëve dhe Kombeve të Bashkuara./REL/

    Talibanët arrestojnë gratë për “hixhab të keq”

  • Planifikuan rrëmbimin e një 49-vjeçari, ndalohen katër persona në Sarandë

    Planifikuan rrëmbimin e një 49-vjeçari, ndalohen katër persona në Sarandë

    Katër persona që dyshohet se kishin planifikuar rrëmbimin e një 49-vjeçari në Sarandë janë arrestuar.

    Ngjarja ka ndodhur një ditë më parë në rrugën “Skënderbeu”, kur pas kontrollin në makinën e Angelos Tsimperis me pasagjerë shtetasit Juljan Brinja, Sandri Brinja e Gjergji Prenga, policia gjeti një armë zjarri pistoletë dhe lidhëse plastike.

    Katër të ndaluarit dyshohet se kishin planifikuar rrëmbimin e një 49-vjeçari në qytetin bregdetar. Nuk dihen shkaqet, ndërkohë që ndaj të ndaluarve pritet të nisë hetimi për veprën penale “heqja e paligjshme e lirisë”. /tch

  • Nga 30 mijë në 63 mijë, zyrtari financiar i Pejës akuzon KEDS-in për rritje të faturës

    Nga 30 mijë në 63 mijë, zyrtari financiar i Pejës akuzon KEDS-in për rritje të faturës

    Zyrtari financiar në Komunën e Pejës, Jeton Abazaj, ka akuzuar KEDS-in për shtrenjtim të faturave të energjisë elektrike për muajin dhjetor.

    Në llogarinë e tij në Facebook, Abazaj tha se faturat e rrymës për trupat ndriçues, përkatësisht të ndriçimit të rrugëve në Pejë, për muajt e kaluar ka qenë 30 deri 32 mijë euro, kurse për këtë muaj ka çmimi ka arritur në 63 mijë euro.

    Ai tha se KEDS-i ndaj qytetarëve është arsyetuar se ata kanë shpenzuar më shumë energji elektrike, por se një gjë e tillë nuk mund të arsyetohet edhe për Komunën e Pejës, pasi shpenzimet e trupave ndriçues mbesin të njëjtë gjithmonë.

  • Arrestohet i dyshuari që u shpall në kërkim për kanosje

    Arrestohet i dyshuari që u shpall në kërkim për kanosje

    Pa u bërë 24 orë nga kërkesa e Policisë së Kosovës për bashkëpunim me qytetarët për identifikimin e një personi të dyshuar për kanosje në Prizren, i njëjti është identifikuar dhe ka përfunduar në prangat e Policisë. I dyshuari tashmë në ndalim policor.

    Siç mëson Sinjali, i dyshuari që u zbulua nga Policia është E.Q ndaj të cilit kanë nisur hetimet për veprën penale ‘Kanosje’.

    Ai është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar nga hetuesit policorë, për veprën me të cilën ngarkohet.

    Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe ndërmarrjen e veprimeve të tjera brenda afatit ligjor.

  • Rritet numri i të vdekurve nga tërmeti në Japoni

    Rritet numri i të vdekurve nga tërmeti në Japoni

    Në motin e keq dhe rrugët e dëmtuara, ekipet e shpëtimit në Japoni kërkuan të premten edhe 222 persona që janë ende të zhdukur, katër ditë pasi një tërmet shkatërrues e goditi vendin. Numri i të vdekurve është afër 100.

    Dy gra të moshuara u nxorën nga rrënojat të enjten por shpresat për të gjetur të mbijetuar të tjerë pas tërmetit 7.5 ballësh, që ndodhi në ditën e Vitit të Ri, po shuheshin me shiun, borën dhe uljen e temperaturave që parashikohen në ditët në vijim.

    Mijëra shpëtimtarë nga e gjithë Japonia po luftojnë me pasojat e goditjeve dhe rrugët e mbushura me gropa të hapura, e të bllokuara nga rrëshqitjet e shpeshta të dheut në rajonin qendror Ishikaua, për të arritur qindra njerëz në vendet bllokuara.

    Të enjten pasdite, 72 orë pas tërmetit, dy gratë e moshuara u nxorën mrekullisht të gjalla nga rrënojat e shtëpive të tyre në Uajima, njëra prej tyre falë një qeni nuhatës.

    Qyteti port i Uajimas në Gadishullin Noto ishte një prej vendeve më të goditura.

    “Unë isha duke pushuar ditën e Vitit të Ri kur ndodhi tërmeti. Të afërmit e mi ishin të gjithë atje dhe ne po argëtoheshim”, i tha AFP-së Hiroyuki Hamatani, 53 vjeç, mes makinave të djegura dhe ndërtesave të shkatërruara.

    “Shtëpia në vetvete është në këmbë, por është larg të qenit të banueshme tani…Unë nuk mund të mendoj tani për të ardhmen”, tha ai.

    Autoritetet thanë të premten pasdite se 222 persona janë ende të pagjetur, nga një numër i mëparshëm prej 242, duke përfshirë 121 njerëz në Uajima dhe 82 në Suzu.

    Numri i të vdekurve u rrit nga 92 në 94, me 464 persona të plagosur. Një prej personave të vdekur është edhe një djalë i shkollës së mesme që ishte për vizitë te familja e tij, thanë raportet.

    Rreth 30.000 familje ishin pa energji elektrike në rajonin Ishikaua, dhe 89.800 shtëpi atje, përfshirë edhe ato në dy rajone fqinje, nuk kishin ujë.

    Qindra njerëz ishin në strehimoret e qeverisë.

    “Ne po bëjmë çdo gjë për të kryer operacione shpëtimi në fshatrat e izoluara… Megjithatë, realiteti është se izolimi nuk është zgjidhur në masën që do të donim,” tha të premten guvernatori rajonal, Hiroshi Hase.

    Në qytetin e Anamizu, Sang dhe katër bashkëkombasit e tij nuk kanë ngrohje apo ujë në shtëpinë e tyre të dëmtuar.

    “Ne ishim duke gatuar kur ndodhi. Të gjithë dolëm me vrap nga shtëpia”, tha 32-vjeçari.

    “Ne nuk kishim lidhje interneti ditën e tërmetit, por ai rifilloi dje. Ne mund të kontaktonim familjen në Vietnam”, tha ai.

    “Ajo që na duhet tani është diçka për të ngrënë dhe për të pirë”, shtoi ai

    Zona e Suzus u shkatërrua gjithashtu, me varkat e peshkimit të fundosura ose të ngritura si lodra në breg nga valët e cunamit që raportohet se rrëmbyen edhe një person.

    Noriaki Yachi, 79 vjeç, luftoi me lotët pasi gruaja e tij u nxor nga rrënojat atje dhe u konfirmua e vdekur, raportoi e përditshmja Asahi Shimbun.

    “Jeta ime me të ishte e lumtur,” tha Yachi. Japonia përjeton qindra tërmete çdo vit dhe shumica nuk shkaktojnë dëme, me kode strikte ndërtimi në fuqi për më shumë se katër dekada.

    Tërmetet kanë goditur rajonin e Notos me forcë dhe frekuencë në rritje gjatë pesë viteve të fundit.

    Vendi ishte goditur nga një tërmet masiv nënujor me magnitudë 9.0 në vitin 2011, i cili shkaktoi një cunami që la rreth 18.500 njerëz të vdekur ose të zhdukur./REL/

  • Oscar Pistorius lirohet me kusht, 11 vjet pas vrasjes së të dashurës

    Oscar Pistorius lirohet me kusht, 11 vjet pas vrasjes së të dashurës

    Atleti i lojërave paraolimpike, Oscar Pistorius, është liruar me kusht pasi mbajti gati nëntë vjet burg për vrasjen e të dashurës së tij dhe tani ndodhet në shtëpi, tha të premten Departamenti Korrektues i Afrikës së Jugut.

    Njoftimi u bë më 5 janar, duke treguar se vrapuesi paraolimpik me famë botërore ishte liruar nga Qendra Korrektuese në Pretoria, kryeqytetin e Afrikës së Jugut. Departamenti nuk dha më shumë detaje për lirimin e tij.

    Pistorius mbajti gati nëntë vjet, nga dënimi prej trembëdhjetë vjet e pesë muaj, për vrasjen e të dashurës Reeva Steenkamp, më 2013. Ai u lirua me kusht në nëntor.

    Shkelësit e rëndë në Afrikën e Jugut kanë të drejtë të lirohen me kusht pasi kanë vuajtur të paktën gjysmën e dënimit.

    Zyrtarët e Departamentit të Korrigjimeve thanë se koha e lirimit të Pistorius nuk do të shpallej paraprakisht dhe nuk do të “parakalohej” me shpresën për të qëndruar jashtë vëmendjes së medias që e ka ndjekur që kur qëlloi Steenkamp disa herë përmes derës së tualetit të shtëpisë së tij në mars.

    Pistorius do të jetojë në kushte të rrepta lirimi deri në fund të dënimit të tij në dhjetor 2029.

    Departamenti i Korrektues deklaroi se lirimi i kampionit të shumëfishtë paralimpik – si çdo shkelës tjetër i liruar me kusht – nuk do të thotë se ai e ka vuajtur dënimin.

    Disa nga kërkesat për lirimin me kusht të Pistorius përfshijnë kufizime se kur lejohet të largohet nga shtëpia e tij, ndalim i alkoolit dhe urdhra për pjesëmarrje në programe për menaxhimin e zemërimit dhe dhunën ndaj grave.

    Pistorius do të duhet kontrollohet në shtëpinë e tij nga oficerët që e liruan, dhe do të paraqitet në zyrat e shërbimeve korrektuese si dhe do t’i nënshtrohet vizitave të paparalajmëruara nga autoritetet. Ai nuk lejohet të largohet nga Qarku Waterclough pa leje dhe i ndalohet të flasë në media deri në fund të dënimit.

    Ai mund të kthehet në burg nëse shkel ndonjë nga kushtet e lirimit.

    Pistorius e kishte vrarë të dashurën e tij në ditën e Shën Valentinit, ndërsa gjatë fjalës së tij në gjykatë ai kishte thënë se e kishte vrarë nga pakujdesia duke menduar se është një hajdut.

    Prokurorët thanë se ai vrau qëllimisht të dashurën e tij.

    Familja e Riva Steenkamp nuk e kundërshtoi kërkesën e tij për lirim me kusht në nëntor, megjithëse nëna e saj, June Steenkamp, tha se ajo nuk besonte se Pistorius ishte rehabilituar plotësisht dhe se ende ishte duke gënjyer për vrasjen.

    Përpara vrasjes, Pistorius ishte model frymëzues, duke u bërë atlet i suksesshëm pavarësisht se kishte të dyja këmbët të amputuara si shkak i një problemi nga lindja./REL/

  • ​Evropiani i Xhudos mund të zhvillohet sërish në Kosovë

    ​Evropiani i Xhudos mund të zhvillohet sërish në Kosovë

    Fitimi i së drejtës që Kosova t’i organizojë Lojërat Mesdhetare 2030 ishte pika kulmore e zhvillimit të sportit tonë gjatë 2023-së. 

    Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi ka thënë për KosovaPress se përmes përkushtimit dhe investimeve që duhen bërë në këto lojëra, Kosova dhe institucionet e saj kanë dëshmuar se janë të gatshme për t’i dhënë sportit mbështetjen e duhur, madje edhe me investime direkte, siç është shifra prej mbi 250 milionë euro për ndërtimin dhe rinovimin e infrastrukturës sportive.

    “Padyshim që Lojërat Mesdhetare janë historike dhe është kulmore, sepse është një ngjarje shumë e madhe, që nuk ka ndodhur më herët në Kosovë, mirëpo, mund të them që për një kohë shumë të gjatë nuk ka ndodhur edhe në rajon…(04:35…) Jam shumë i kënaqur që tani edhe qeveria e ka kuptuar që sporti luan rolin diplomatik në një shtet dhe po shihet që të arriturat përmes sportit po ndikojnë pozitivisht në shtetin e Kosovës. Kështu që me këto investime. Kështu që me këto investime, 250 milionë euro, a janë të mjaftueshme apo jo, ende nuk e dimë, por besoj që qeveria është e gatshme që të shtojë vlerën e kësaj shumë nëse ka nevojë”, tha Krasniqi.

    Për më tepër, viti i kaluar u karakterizua me organizimin e shumë ngjarjeve ndërkombëtare sportive, por sipas Krasniqit, ky numër i këtyre ngjarjeve mund të jetë edhe më i madh nëse përmirësohen kushtet infrastrukturore në vend.

    “Ne si popull jemi mikpritës dhe kjo po na bënë më të fortë. Çdo aktivitet që është bërë në Kosovë, meqenëse është e vërtetë që nuk kemi ende infrastrukturë siç është, jo në Evropë, por ndoshta edhe në rajon, sepse i gjithë rajoni e ka infrastrukturën më të mirë se Kosova. Mirëpo, duke pasur parasysh kushtet të cilat ne i kemi, ne jemi duke bërë një punë të mrekullueshme. Mirëpo, përveç Lojërave Mesdhetare që u cek, nëse bëhen këto ndërtime, e që do të bëhen faktikisht, atëherë çdo federatë do të ketë mundësi të marrë një organizim siç janë Lojërat Evropiane, kampionatet evropiane apo botërore e mos të flasim për kampionate ballkanike, sepse Kosova do të jetë nikoqire e shumë ngjarjeve të mëdha dhe të ndryshme. Kjo na bënë shumë më të fortë dhe promovojnë shtetin në mënyrën më të mirë të mundshme përmes sportit”, tha Krasniqi.

    Njëra nga ngjarjet më të mëdha që u zhvilluan në Kosovë ishte Kampionati Evropian i Xhudos, por që Krasniqi zbulon se ky kampionat mund të organizohet sërish në vendin tonë.

    “Padyshim se ka qenë një organizim tepër i mirë që tashmë edhe besoj që në vitin e ardhshëm do të jetë ngjarja e njëjtë në Kosovë, ashtu edhe u premtua nga nënkryetari i Federatës Evropiane të Xhudos, i cili deklaroi se Kosova mund edhe vitin tjetër ta organizojë një ngjarje të njëjtë. Besoj që po dhe në vitin tjetër, edhe pse ka qenë mjaft mirë, atëherë do të punojmë edhe më shumë që të jetë edhe më mirë…Mandej fakti nga gëzon që fituam katër medalje, ku Akili e mori vendin e parë, medaljen e artë, na gëzoi shumë. Një ngjarje vërtetë shumë e mirë që duhet të përgëzohet edhe besoj që Federata e Xhudos ka kaluar në një nivel tjetër tashmë”, theksoi Krasniqi.

    Teksa vlerëson punën e bërë nga ana e federatave sportive, Krasniqi ndalet me theks të veçantë tek ajo e Xhudos, për të cilën thotë se është në një nivel më të lartë se federatat tjera.

    “Rezultatet e xhudos janë shumë të mira, me tri medalje olimpike, kështu që nuk kemi koment sa i përket punës dhe seriozitetit që e bën pikërisht Federata e Xhudos, por njëkohësisht edhe trajneri Driton Kuka që po bën një punë të mrekullueshme. Kur ndalemi te Driton Kuka, është nderë për ne që kemi një trajner të tillë. Nuk është lehtë për një shtet si Kosova ta ketë trajnerin më të mirë në botë të xhudos. Nuk e di sa njerëzit e kuptojnë sa është e rëndësishme kjo punë, mirëpo unë e kuptoj që kjo është një punë shumë e madhe. Paramendoni kur në Kosovë dëshiron gjithë Komiteti i Xhudos në botë dëshiron të vijë dhe të ushtrojë te Driton Kuka, kjo na bënë shumë më të mëdhenj dhe Kosovën e çon në një nivel tjetër”, tha i pari i KOK-ut.

    Sa i përket vitit 2024, i pari i KOK-ut ka thënë se vëmendja më e madhe do të jetë në dy ngjarje tejet të rëndësishme.

    “Padyshim që ne nuk do të ndalemi, kemi aktivitete të cilat i kemi për çdo vit që do t’i bëjmë, mirëpo normal që fokusi kryesor i Komitetit Olimpik të Kosovës është Parisi 2024. Menjëherë pas Parisit, e kemi edhe Platformën Evropiane për Sport, të cilën e kemi marrë menjëherë pas Lojërave Mesdhetare, një ngjarje shumë e madhe që do të bëhet në shtator 2024, një ngjarje shumë e madhe që do të vijnë 36 shtete evropiane të marrin pjesë për disa ditë në Prishtinë…Këto janë prej dy aktiviteteve më të rëndësishme duke marr parasysh që janë më të mëdha, edhe Lojërat Olimpike Parisi 2024, por edhe Platforma Evropiane sportive që do të mbahet në Prishtinë”, tha Krasniqi.

    Ndërsa vëmendje e veçantë sipas Krasniqit gjatë vitit 2024 do t’i kushtohet masivizimit të sportit në të gjithë Kosovën, por edhe mbështetjes gjithnjë e më të madhe të sportistëve të rinj dhe shpresave.