ATV

Author: G.O.

  • Përmbytjet dhe “temperaturat e akullta” vazhdojnë të shkaktojnë probleme në disa pjesë të Evropës

    Përmbytjet dhe “temperaturat e akullta” vazhdojnë të shkaktojnë probleme në disa pjesë të Evropës

    Ndikimi i motit dimëror pritet të zgjasë edhe disa ditë dhe moti me borë dhe reshjet e dendura kanë vazhduar të shkaktojnë probleme në të gjithë Evropën.

    Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, në Danimarkë, bora dhe shiu po zëvendësohen nga ngricat, me ditët e akullta që vështirësojnë qarkullimin.

    Si rezultat, policia në Jutlandën Lindore u ka kërkuar njerëzve që të shmangin daljet e panevojshme.

    Ndërkohë banorët e qyteteve buzë lumenjve në Angli panë përmbytje nga shirat që përshkuan Evropën këtë javë.

    Një stuhi e fuqishme me erëra përmbyti më shumë se 1000 shtëpi dhe biznese dhe la disa komunitete nën ujë me baltë, thanë zyrtarët.

    Në Gloucester në Anglinë jugperëndimore, ndërtesat dhe makinat u zhytën pasi rrugët u kthyen në përrenj, tokat bujqësore u përmbytën dhe varkat pësuan gjithashtu.

    Qindra paralajmërime për përmbytjet janë vendosur tani dhe Agjencia e Mjedisit thotë se ndikimi nga përmbytjet mund të zgjasë edhe pesë ditë të tjera.

    Veç këtyre, rritja e ujërave të përmbytjeve kanë rrezikuar kolapsin e digave në pjesë të Gjermanisë veriore të goditura nga shirat e dendur prej disa ditësh.

    Gjermania ka mobilizuar vullnetarë nga shërbimet e mbrojtjes civile. Miliona thasë me rërë janë shpërndarë në zonat e goditura nga përmbytjet për të mbrojtur vendbanimet dhe digat.

  • Arrestohet shoferi i kamionit që shkaktoi aksidentin me fatalitet në Vushtrri

    Arrestohet shoferi i kamionit që shkaktoi aksidentin me fatalitet në Vushtrri

    Policia e Kosovës njoftoi se është arrestuar personi i cili të premten e goditi për vdekje një këmbësor në fshatin Stanoc të Vushtrrisë dhe pasi e shkaktoi këtë aksident tragjik iku nga vendi i ngjarjes. 

    Siç bën të ditur zëdhënësi i policisë për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti, shoferi i kamionit sot është identifikuar dhe ka rënë në prangat e Policisë.

    “Si rezultat i hetimeve intensive, hetuesit e Njësisë së Trafikut Rrugor, kanë arritur të identifikojnë dhe arrestojnë të dyshuarin shoferin e automjetit transportues (kamion) i cili dyshohet për  përfshirje  në  aksident trafiku me pasojë fataliteti  i ndodhur dje me datën 5 janar 2024, rreth orës 16:43, në rrugën nacionale Mitrovicë-Prishtinë në fshatin Stanovc, ku ka humbur jetën viktima (këmbësori) mashkull kosovar”, tha Zahiti.

    Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor për 48 orë.

  • Bislimi: Spanja tashmë i njeh pasaportat e Kosovës, qytetarët mund të udhëtojnë pa viza

    Bislimi: Spanja tashmë i njeh pasaportat e Kosovës, qytetarët mund të udhëtojnë pa viza

    Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka bërë të ditur se Spanja njeh pasaportat e Republikës së Kosovës.

    Ai në një postim në Facebook ka shkruar se qytetarët e Kosovës mund të udhëtojnë pa viza dhe drejt këtij shteti evropian, i cili ende nuk e ka njohur pavarësinë e shtetit tonë.

    “DG Home ka njoftuar se tashmë edhe Spanja i njeh pasaportat e Republikës së Kosovës. Pra, mund të udhëtojmë pa viza dhe drejt këtij shteti. Ndërsa më 1 janar nisi lëvizja pa viza, Spanja është destinacion që i shtohet vendeve të zonës Shengen ku mund të udhëtojmë përmes liberalizimit, e ku pengesë më herët ishte mosnjohja e pasaportës sonë. Vazhdojmë tutje, për të sjellë lajme të tjera të mira, e që ndikojnë pozitivisht për qytetarët tanë”, shkruan Bislimi.

    Ndryshe, DG HOME, Departament i Komisionit Evropian, është përgjegjës për migracionin dhe çështjet e brendshme.

  • Interi e nis vitin 2024 me fitore

    Interi e nis vitin 2024 me fitore

    Vitin 2023 e mbylli me barazim kundër Genoas, kurse 2024 skuadra e Interit e ka nisur me fitore kundër Veronas.

    Pas më shumë se 100 minutave lojë të zhvilluara në stadiumin “Giuseppe Meazza”, Interi e ka mposhtur me rezultat të ngushtë 2:1 Veronan, raporton KosovaPress.

    Golat për vendasit i shënuan Lautaro Martinez (minuta e 13’) dhe Davide Frattesi (minuta e 90+4’), kurse golin e nderit te Verona e shënoi Thomas Henry në minutën e 74’, i cili më pas në minutën e 90+10’ humbi penalltinë dhe shansin për t’i nxjerrë një pikë skuadrës së tij nga ky duel.

    Me këtë fitore, Interi ngjitet në kuotën e 48 pikëve në vendin e parë, pesë sosh më shumë se Juventusi në vendin e dytë me 43 pikë, por me një ndeshje më pak të zhvilluar.

    Rezultati final i ndeshjes, 2:1 në favor të Interit.

  • (VIDEO) Avion i linjës ‘Alaska Airlines’ detyrohet të bëjë ulje emergjente pasi i bie një dritare

    (VIDEO) Avion i linjës ‘Alaska Airlines’ detyrohet të bëjë ulje emergjente pasi i bie një dritare

    Një aeroplan me udhëtarë humbi një pjesë të tij gjatë kohës së fluturimit në ajër, gjë që e detyroi të bëjë ulje urgjente në Portland (Oregon), SHBA, të premten.

    Aeroplani u kthye në Portland pas 35 minutash që kishte nisur fluturimin e tij për në Kaliforni pasi që një pjesë e jashtme e aeroplanit, përfshirë dritaren, kishte rënë.

    Linja ajrore Alaska tha se 177 udhëtarë dhe ekuipazh që ishin prezentë “ateruan të sigurt”.

    “Alaska Airlines” njoftoi se incidenti ndodhi menjëherë pas nisjes dhe se avioni ishte ulur i sigurt përsëri në Portland.

    “Ndërsa kjo lloj dukuri është e rrallë, ekuipazhi ynë i fluturimit ishte i trajnuar dhe i përgatitur për të menaxhuar në mënyrë të sigurt situatën”, tha linja ajrore.

    Aeroplani po fluturonte në më shumë se 4876 metra lartësi kur filloi zbritjen emergjente, sipas të dhënave të gjurmimit të fluturimit. /BBC

  • “Njëri është djegur bashkë me dokumentat e tij”- Flet familjari i njërit prej mërgimtarëve që vdiqën në një aksident në Hungari

    “Njëri është djegur bashkë me dokumentat e tij”- Flet familjari i njërit prej mërgimtarëve që vdiqën në një aksident në Hungari

    Kushtrim Hoxhaj, 28 vjeçar nga Prizreni dhe Jetmir Rexhepi rreth 30 vjeçar nga fshati Celinë e Rahovecit janë viktimat të cilat kanë ndërruar jetë derisa po vinin në Kosovë, si pasojë e një aksidenti trafiku në Hungari, ku vetura e tyre u përplas me një kamion dhe kishte marrë flakën.

    Kështu thotë për KosovaPress axha i Kushtrimit, Bashkim Hoxha derisa thekson se autoritetet po e kanë të vështirë që ta identifikojnë Jetmir Rexhepin, pasi ky i fundit kishte marrë flakë në makinë bashkë me të gjitha dokumentet personale.

    Ai shton se do të bëhet obduksioni i trupave të viktimave, për çka thotë se ndoshta do tu duhet edhe familjarëve të Jetmirit për të shkuar në Gjermani për të ndjekur procedurat e identifikimit.

    Hoxha potencon se nuk kanë marrë ndonjë informacion të saktë se kur do të kthehen trupat e pa jetë të viktimave për varrim në Kosovë.

    “Mbrëmë rreth orës 1 e 15 minuta sipas informatave që na i ka dhënë policia gjermane, janë aksidentuar me një kamion të madh në autostradë në Hungari. Makina ka marrë flakë, Jetmir Rexhepi, dhëndri ka vdekur në vend dhe janë djegur të gjitha dokumentet. Ndërsa Kushtrimi ka ndërruar jetë gjatë transportit për spital. Ne po presim para të hënës nuk po besoj që fillojnë procedurat e obduksionit dhe rregullimin e dokumenteve. Është problem me rastin e Jetmir Rexhepit të cilit iu kanë djegur të gjitha dokumentet që ka pasur në trup, nuk po mund ta identifikojnë, vetëm që e dimë kush është…Kur pritet të kthehen kufomat në Kosovë? Deri në këtë moment nuk dimë, pas të hënës fillojnë procedurat, a vonojnë dy ditë apo tri, një javë apo brenda ditës edhe ambasada nuk na jep më shumë shpjegime se nuk i di procedurat që i ka shteti. Me siguri duhet të shkojnë familjarët atje të dëshmojnë, nuk e di se si do të rrjedhi pastaj”, thotë Hoxha.

    Ndër të tjera, familjari i viktimës thotë se 20 minuta para se të ndodhte aksidenti, Kushtrimi kishte kontaktuar djalin e tij dhe i kishte thënë se është rrugës për të mbërritur në Kosovë.

    Gjithashtu ai tregon se Kushtrimi është djali i vetëm i vëllait të tij, që kishte lindur pas tri motrave, e që i njëjti tashme ka lënë një vajzë katër muajsh pas vetes.

    Po ashtu, ai potencon se edhe Jetmiri ishte prind i djalit një vjeçar.

    “(Kushtrimi) Djalë pas tri motrave ka lindur ai, ka lënë një vajzë katër muajshe, ndërsa Jetmiri e ka lënë djalin një vjeç, të dy nga një fëmijë kanë pasur…Bile 20 minuta para se të ndodhë, i kishte shkruar djalit tim Drilonit, ‘Ei mashkull mos flejë se unë mbërrijë sonte, mos flejë në gjumë’, se janë rritur bashkë ata. Më tregoi djali edhe mesazhin”, thotë Hoxha.

    Lidhur me rastin ka reaguar edhe ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla. Përmes një postimi në Facebook ka bërë të ditur se Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës përmes misioneve diplomatike në Hungari dhe Gjermani, bashkë me autoritetet hungareze, po kryejnë të gjitha procedurat e nevojshme për kthimin e trupave të tyre.

    Vdekja tragjike e dy kosovarëve në Hungari, kryetari i Rahovecit shpreh ngushëllime

  • Rritet numri i viktimave nga tërmetet në Japoni

    Rritet numri i viktimave nga tërmetet në Japoni

    Ekipet e shpëtimit dhe banorët më 6 janar kanë përqendruar përpjekjet e tyre në gjetjen e viktimave nën rrënojat e ndërtesave më shumë sesa në gjetjen e të mbijetuarve, pesë ditë pasi tërmete të fuqishme goditën Japoninë. Numri i viktimave nga tërmetet ka arritur në të paktën 126 persona.

    Përderisa numri i viktimave është rritur nga tërmeti prej 7.5 shkallësh të Rihterit – që u pasua nga qindra dridhje të tjera të tokës – në rajonin e Ishikavas, 210 persona ende konsiderohen të zhdukur, thanë autoritetet.

    Përpjekjet e mijëra punëtorëve të shpëtimit janë penguar nga moti i lig – përderisa për të dielën është paralajmëruar se do të ketë reshje bore – rrugët e shkatërruara, por edhe nga 1.000 rrëshqitje të regjistruara të dheut.

    Kryeministri japonez, Fumio Kishida, shprehu ngushëllime për viktimat, pasi autoritetet lokale konfirmuan se 126 kanë vdekur.

    Ndërkaq, gjatë një mbledhjeje urgjente të Qeverisë, ai u kërkoi ministrave të tij që “në mënyrë urgjente” të riparojnë dëmet në rrugë, në mënyrë që të ndihmohen qindra njerëz që kanë mbetur të bllokuar në zonat e goditura nga tërmetet.

    Rreth 23.200 shtëpi kanë mbetur pa rrymë në Ishikava, ndërkaq mbi 66.400 pa ujë.

    Ndërprerjet e furnizimeve me energji elektrike dhe ujë kanë prekur edhe spitalet, shtëpitë e të moshuarve dhe ndërtesat ku marrin përkujdesje personat me nevoja të veçanta.

    Japonia përballet me qindra tërmete çdo vit, shumica nga të cilat nuk shkaktojnë dëme për shkak të rregullave të ashpra të ndërtimit që janë në fuqi për më shumë se katër dekada. Por, shumica e ndërtesave janë të vjetra.

    Arsyeja që shteti përballet me tërmete të shumta është se gjendet përgjatë asaj që njihet si “Unaza e Zjarrit”, që është një hark vullkanesh dhe pllakash tektonike në Pellgun e Paqësorit.

    Një tërmet i fuqishëm, i pasuar nga një cunami në marsin e vitit 2011, shkaktoi shtrirje e tre reaktorëve dhe lirimin e një sasie të madhe të rrezatimit në një central bërthamor në verilindje të Japonisë. Si pasojë e tërmetit dhe cunamit që pasoi, rreth 18.500 persona vdiqën ose u zhdukën më 2011 në Japoni./REL/

  • Majlinda Kelmendi udhëheq kampin me mbi një mijë xhudistë në Itali

    Majlinda Kelmendi udhëheq kampin me mbi një mijë xhudistë në Itali

    Kampionia olimpike dhe botërore, e tashmë trajnerja Majlinda Kelmendi aktualisht po qëndron në Itali ku po udhëheq kampin e xhudos me rreth 1,500 xhudistë.

    Ky kamp ka filluar të martën me tri stërvitje me grupmosha të reja kurse kampi masiv do të zhvillohet sot.

    Kampi stërvitor po mbahet në qytetin Bardonecchia dhe organizohet nga klubi italian i xhudos, Akiyama Settimo.

    Në këtë kamp po merr pjesë edhe kryetrajneri Driton Kuka dhe ekipi U21 nga Kosova.

  • Gërvalla ngushëllon për vdekjen e dy mërgimtarëve në Hungari: Po kryhen procedurat për kthimin e trupave

    Gërvalla ngushëllon për vdekjen e dy mërgimtarëve në Hungari: Po kryhen procedurat për kthimin e trupave

    Ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, ka ngushëlluar për vdekjen e Kushtrim Hoxhaj dhe Jetmir Rexhepi, të cilët humbën jetën në një aksident trafiku në Hungari.

    “Me dhimbje morëm lajmin për vdekjen e dy shtetasve të Republikës së Kosovës, Kushtrim Hoxhaj dhe Jetmir Rexhepi, në një aksident trafiku në Hungari. Sapo kontaktova me familjarë të viktimave dhe iu shpreha ngushëllime për humbjen e më të dashurve të tyre”, ka shkruar Gërvalla.Ajo tha se aktualisht janë duke u kryer procedurat për kthimin e trupave dhe se për këtë janë angazhuar misionet diplomatike.

    “Njëkohësisht i sigurova për mbështetjen institucionale, teksa Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës përmes misioneve diplomatike në Hungari dhe Gjermani, bashkë me autoritetet hungareze, po kryejnë të gjitha procedurat e nevojshme për kthimin e trupave të tyre. Ngushëllime familjes Hoxhaj dhe Rexhepi!”.

    Kushtrim Hoxha ishte nga Prizreni ndërsa Jetmir Rexhepi nga Rahoveci.

    Vdekja tragjike e dy kosovarëve në Hungari, kryetari i Rahovecit shpreh ngushëllime

  • Vdekja tragjike e dy kosovarëve në Hungari, kryetari i Rahovecit shpreh ngushëllime

    Vdekja tragjike e dy kosovarëve në Hungari, kryetari i Rahovecit shpreh ngushëllime

    Mbrëmë në Hungari ka ndodhur një aksident trafiku ku si pasojë kanë vdekur dy mërgimtarë nga Kosova.

    Viktimat janë Kushtrim Hoxha nga Prizreni dhe Jetmir Rexhepi nga Rahoveci.

    Për vdekjen e tyre sot ka shkruar kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi, i cili ngushëlloi familjet e të ndjerëve.

    “I tronditur nga vdekja tragjike në aksident komunikacioni në Hungari e Jetmir Rexhepit nga Celina. Viktimë e aksidentit ka qenë edhe Kushtrim Hoxhaj nga Prizreni. Ngushëllimet më të sinqerta familjes Rexhepi nga Celina dhe familjes Hoxhaj nga Prizreni. Jetmiri dhe Kushtrimi, pushofshin në paqe!”, ka shkruar ai.

    Pamje të aksidentit në Hungari ku vdiqën dy mërgimtarë nga Kosova

    Tragjike: Humbin jetën dy mërgimtarë në një aksident trafiku