ATV

Author: G.O.

  • Policia dhe Prokuroria me aksion në disa lokacione

    Policia dhe Prokuroria me aksion në disa lokacione

    Policia e Kosovës në koordinim me Prokurorinë Themelore të Prishtinës, po realizojnë një aksion në disa lokacione. Aksioni ka nisur në mëngjes dhe po vazhdon ende.

    Këtë e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj.

    Ajo ka bërë të ditur se aksioni ka të bëjë me dyshimet mbi kryerjen e veprave penale “Mashtrimi në detyrë”, “Dokumentet e rrejshme lidhur me tatimin” dhe “Shmangia nga tatimi”.

    “Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi, njofton se nën udhëheqjen e kësaj prokurorie, më konkretisht nga Departamenti për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, në koordinim të plotë me Policinë dhe pas aprovimit të Gjyqtarit të Procedurës Paraprake, është duke u zhvilluar një aksion që nga mëngjesi, përfshirë disa lokacione në nivel në Kosovës, mbi dyshimin e kryerjes së veprave penale nga persona zyrtarë e qytetarë, më konkretisht dyshim mbi kryerjen e veprave penale ‘Mashtrimi në detyrë’, ‘Dokumentet e rrejshme lidhur me tatimin’ dhe ‘Shmangia nga tatimi’”, ka thënë ajo.

  • Çmimet e banesave pritet të rriten sërish, ja sa do të shtrenjtohen

    Çmimet e banesave pritet të rriten sërish, ja sa do të shtrenjtohen

    Çmimet në sektorin e patundshmërisë gjatë vitit 2023 kanë shënuar rritje, e cila pritet të përcillet edhe gjatë këtij viti. Kështu vlerëson një agjencion në vend që merret me patundshmëri, i cili thotë se nuk pritet të ketë ulje të çmimit. Por, të njëjtin mendim nuk e ndan edhe Shoqata e Ndërtimtarëve të Kosovës. Sipas tyre, deri më tani nuk ka ndonjë indikator që mund të ndikojë në rritjen e çmimeve.

    Pronari i një agjencie për patundshmëri në vend, i cili merret me patundshmëri, qiradhënie dhe shitblerje, Dukagjin Avdyli thotë për KosovaPress se edhe vitin që shkoi kishte rritje të çmimeve, ndërsa shprehet se rritje do të këtë edhe gjatë këtij viti, për shkak se trendi është në rritje.

    Avdyli thotë se në rritjen e çmimeve kanë ndikuar faktorë të ndryshëm, ku një ndër to është edhe rritja e pagave të fuqisë punëtore në ndërtim.

    “Nëse e marrim historikisht në kohështrirje prej 10-12 që përcjelli unë, gjithmonë çmimet kanë shkuar duke u shtrenjtuar. Mirëpo, prej pandemisë dhe pasluftës në Ukrainë, çmimet janë rrit në mënyrë drastike. Shembull rreth vitit 2013 në Fushë Kosovë ka qenë çmimi rreth 450 euro për metër katror, në 2020 kanë filluar të rriten mbi 500 euro, pastaj lufta në Ukrainë i ka quar çmimet në 600 euro, ndërsa sivjet ka shkuar çmimi në 700 euro deri në 800 euro për metër katror në Fushë Kosovë. Kjo për shkak se çmimet janë rritur në çdo sferë të jetës, por edhe për shkak të punëtorëve. Nëse një punëtor më herët ka marrë 600 euro rrogë, sot e merr 800 deri në 1 mijë në ndërtim, po ashtu edhe materialet ndërtimore të gjitha… Por, sërish Fushë Kosova është prej vendeve më të lira në Kosovë për çmimet e patundshmërive”, thekson ai.

    Sipas tij, edhe këtë vit pritet të ketë rritje të çmimeve në patundshmëri.

    “Ka pasur punë, është njëfarë pune konstante, normalisht çmimi është rritur. Blerje ka pasur, por mendoj që sërish ka me pas edhe përkundër asaj që është një frikë që do të ikin njerëzit… (Çmimet) janë duke u rritur dhe do të rriten ende. Mendoj se nw vitin 2024 nuk do të ketë nën 800 euro metër katror, ndoshta shkon edhe më shumë, për shkak se trendi është në rritje, edhe në Prishtinë janë rrit shumë”, thotë ai.

    Kryetari i Shoqatës së Ndërtimtarëve të Kosovës, Faton Hoxha thotë se për fat të mirë në vitin që lamë pas, nuk ka pasur shtrenjtim të çmimeve në patundshmëri, porse shton se ka pasur leje më pak të lëshuara për ndërtim.

    “Rritja e madhe ka ndodhë në vitin 2022 për shkak të rrethanave botërore, jo tek ne, vitin 2023 nuk ka ndonjë indikacion të rritjes së mëtutjeshme, aty-aty janë çmimet nëpër lagje të ndryshme. Por, për fat të mirë sivjet nuk pas edhe ndonjë shtrenjtim të dukshëm të materialeve ndërtimore. Përkundër kemi pas një zbritje të çmimit të hekurit, përndryshe materialet tjera janë në nivelin si në vitin 2022. Ndërtimi sivjet, ka pas më pak leje të lëshuara në krahasim me vitet e mëparshme, mirëpo nëse ka pas kërkesë më pak nuk e kam si informacion. Te ne nuk e determinon çmimin e banesës, vetëm çmimi materialeve, mirëpo kostoja e tokës që është në rritje në vazhdimësi dhe normalisht krahu i punës në dy vitet e fundit është rrit dhe po shkon duke u rritur, sidomos me këtë friken tash se do të migrojnë gjithë”, thotë Hoxha.

    I pyetur nëse pritet të ketë rritje të çmimeve në këtë drejtim këtë vit, ai thotë se deri më tani nuk ka ndonjë indikacion që mund të ketë rritje.

    “Nuk ka ndonjë indikacion që do të rriten, mirëpo duhet me pa qysh lëvizin kur të fillojë sezoni i ndërtimit mes shkurtit, si do të jenë çmimet e materialeve, kostot e tokave e kështu, varet prej rrethanave”, shton Hoxha.

    Se çmimet e banesave dhe të qirasë janë shtrenjtë në krahasim me standardin e vendit, e thonë edhe qytetarët.

    Qytetari, Hasim Ademi thotë se çmimet e banesave janë mjaft të larta, porse askush nuk merret me rregullimin e çmimit të tyre.

    “Çdoherë janë të larta çmimet nëse bëjmë krahasim me rrogat, çdo artikull është shtrenjtë për ne… Por, askush nuk shikon për këtë punë, veç kush të ka mundësi merr e shet”, thotë Ademi.

    Edhe qytetari, Jakup Zogaj vlerëson se çmimet e patundshmërive janë mjaft të larta.

    “Kundër të ardhurave janë shumë shtrenjtë, shumë madje…edhe qirasë janë shtrenjtë, i njëjti sistem është”, thotë Zogaj.

    Sipas raportit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) për tre mujorin e dytë 2023 sektori i patundshmërisë mbulon 60.0 për qind e përgjithshme të Investimeve të Huaja Direkte apo 110.6 milionë euro për periudhën prill-qershor 2023.

  • Në seancë private për publikun, Safet Gashi fillon dëshminë në gjykimin ndaj Pjetër Shalës

    Në seancë private për publikun, Safet Gashi fillon dëshminë në gjykimin ndaj Pjetër Shalës

    Në Dhomat e Specializuar të Kosovës (DHSK) në Hagë, ka filluar dëshminë dëshmitari i 10-të i mbrojtjes, Safet Gashi me kodin W4405, në gjykimin ndaj Pjetër Shalës.

    Pyetjet për këtë dëshmitar, ka filluar që t’i parashtrojë avokati i Shalës, Jean-Louis Gilissen, me kërkesë të cilit seanca kaloi në sesion privat.

    Sipas asaj që tha kryetarja e trupit gjykues, Mappie Veldt-Foglia dëshmitari kishte refuzuar që të kishte kontakt me mbrojtjen e Shalës, për çka prezenca e tij në sallë u mundësua nga DhSK.

    Ndryshe në fillim të seancës, Zyra e Prokurorit të Specializuar dhe mbrojtja e viktimave, i bënë parashtrimet e tyre lidhur me kërkesën e mbrojtjes së Shalës për vizitë psikologjike.

    Mbrojtja e viktimave dhe ZPS-ja, nuk kundërshtuan që raporti i ekspertes Vanessa Milazzo mbi gjendjen e shëndetit mendor të Shalës të përfshihet në prova nga ana e mbrojtjes.

    Gjatë muajit shkurt 2023 ka filluar gjykimi në këtë rast, ku më 21 shkurt Prokuroria dhe mbrojtja e viktimave kanë paraqitur deklaratat e tyre hyrëse, kurse më 22 shkurt janë dëgjuar deklaratat hyrëse të mbrojtjes së Pjetër Shalës, si dhe deklarata pa betim e tij.

    Në mars 2023 ka filluar paraqitja e provave të Prokurorisë, ku janë dëgjuar 10 dëshmitarë, kurse në gusht ka filluar paraqitja e provave nga mbrojtësi i viktimave ku janë dëgjuar dy dëshmitarë.

    Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021, nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

    Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt.

    “Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në komunikatë. /BetimipërDrejtësi

  • Gjashtë raste të dhunës në familje gjatë 24 orëve të fundit

    Gjashtë raste të dhunës në familje gjatë 24 orëve të fundit

    Policia e Kosovës ka njoftuar se në 24 orët e fundit, janë raportuar gjashtë raste të dhunës në familje.

    Dy raste janë shënuar në Prishtinë, ku një grua ka njoftuar në Polici se është sulmuar fizikisht dhe është kanosur me thikë nga një i dyshuar. Ai gjendet në arrati, ndërsa rasti është nën hetime.

    Në kryeqytet është raportuar një mosmarrëveshje, ku i dyshuari ka sulmuar fizikisht një grua. Palët janë intervistuar dhe më pas është arrestuar i dyshuari.

    Dy raste të dhunës janë regjistruar edhe në Fushë-Kosovë. Dy persona kanë sulmuar dy viktima gra, derisa njëri është arrestuar dhe është dërguar në mbajtje.

    Raste të dhunës në familje janë shënuar edhe në Obiliq. Një shtetase e huaj ka raportuar se ka pasur mosmarrëveshje me një person. Ajo ka pranuar trajtim mjekësor dhe është dërguar në strehimore.

    Ndërsa, një grua është kërcënuar me armë zjarri nga i dyshuari. Gjatë kontrollit në shtëpi, janë gjetur dy pistoleta me 27 copë fishekë.

  • MINT-i anulon tenderin për rezervat shtetërore, ofertuesit tejkaluan shumën e planifikuar

    MINT-i anulon tenderin për rezervat shtetërore, ofertuesit tejkaluan shumën e planifikuar

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, ka dështuar t’i sigurojë produktet e nevojshme për rezervën shtetërore.

    Kjo pasi MINT-i e ka anuluar tenderin për furnizim me arsyetimin se ofertuesit e kishin tejkaluar buxhetin e planifikuar të kësaj ministrie.

    Kështu thuhet në dokumentin e publikuar nga ana e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik.

    Oferta ishte përgatitur për 80 mijë kilogramë oriz, 65 mijë litra vaj ushqimor, 80 mijë copë nga 200 gramë konserva me risk gjedhi dhe 15 mijë bidonë ujë dhjetëlitërshe.

    Vlera e tenderit kap shumën e 227 mijë e 500 eurove, ndërsa ofertat për sasinë dhe produktet në ofertë, në vlerë 238 mijë euro dhe 317 mijë euro.

  • Kosova me dy skitarë në Lojërat Olimpike Dimërore për të Rinj Gangwon 2024

    Kosova me dy skitarë në Lojërat Olimpike Dimërore për të Rinj Gangwon 2024

    Ekipi olimpik i Kosovës do të përfaqësohet me dy skitarë në Lojërat Olimpike Dimërore për të Rinj, që prej 19 janar deri më 1 shkurt 2024 mbahen në qytetin Gangwon të Koresë së Jugut.

    Skitarët janë Lirika Deva dhe Klos Vokshi, të cilët do të garojnë në disiplinat e skijimit alpin, sllallom dhe sllallom të madh.

    Të dy janë kualifikuar me normë olimpike.Me ekipin do të udhëtojnë edhe trajnerët Kushtrim Deva dhe Ernest Sefaj.

    Shef i misionit është Bujar Turjaka.Në LOD për të Rinj Gangwon 2024 marrin pjesë 1900 sportistë të moshës 15-18 vjeç. Kosova është njëra prej 79 vendeve pjesëmarrëse.

    Gangwon 2024 është edicioni i katërt i Lojërave Olimpike Dimërore për të Rinj, ndërsa për ekipin tonë është pjesëmarrja e dytë pas debutimit në Lozanë 2020.

  • Scholz u bën thirrje vendeve të BE-së ta rrisin furnizimin me armë për Ukrainën

    Scholz u bën thirrje vendeve të BE-së ta rrisin furnizimin me armë për Ukrainën

    Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, u ka bërë thirrje vendeve anëtare të Bashkimit Evropian (BE) t’i japim më shumë mbështetje ushtarake Ukrainës gjatë këtij viti, e cila është duke e luftuar pushtimin rus.

    Scholz i bëri këto thirrje gjatë një konference për shtyp me kryeministrin e Luksemburgut, Luc Friedman, më 8 janar në Berlin.

    “Dërgesat e armëve për Ukrainën, të planifikuara nga shumica e vendeve anëtare të BE-së tani, janë shumë të vogla… unë u bëj thirrje aleatëve tanë në Bashkimin Evropian që gjithashtu t’i rrisin përpjekjet e tyre për Ukrainën”, tha Scholz.

    Gjermania është mbështetësja e dytë më e madh ushtarake e Ukrainës, pas Shteteve të Bashkuara.

    Ukraina ka paralajmëruar që lufta dhe financat e saj publike do të jenë në rrezik të madh, nëse do të ndalen ndihmat prej Perëndimit.

    Ukraina ka regjistruar ndryshim të vogël të linjës së kontrollit, pas nisjes së kundërofensivës pranverore, dhe tani po përballet me një rënie graduale të ndihmave prej aletëve në Uashington dhe Evropë.

    Ndërkohë, Rusia është duke i vazhduar sulmet mbi Ukrainë.

    Më 8 janar, ushtria ruse i sulmoi rajonet e Ukrainës me një breshëri raketash, duke i vrarë së paku katër persona, plagosur mbi 40 të tjerë, si dhe duke shkaktuar dëme në infrastrukturën civile dhe objektet ekonomike, thanë zyrtarët ukrainas.

    Ushtria ukrainase tha se në shumicën e vendit, përfshirë në kryeqytet Kiev, u lëshuan sirena për sulme ajrore më 8 janar./REL/

  • Vdes mjeku i njohur kosovar

    Vdes mjeku i njohur kosovar

    Oda e Mjekëve të Kosovës ka njoftuar se është ndarë nga jeta Dr. Halit Ibrahimi.

    Ibrahimi ka punuar për një kohë të gjatë në Klinikën e Psikiatrisë në QKUK.

    Oda e Mjekëve të Kosovës u ka shprehur ngushëllimet miqve dhe familjarëve të tij.

  • Timotheé dhe Kylie Jenner, më të dashuruar se kurrë

    Timotheé dhe Kylie Jenner, më të dashuruar se kurrë

    Një nga çiftet më të përfolura momentalisht vazhdon të jetë Kylie Jenner dhe Timothee Chalamet.

    Së fundmi, ata u panë së bashku në ngjarjen “Golden Globes”. ‘’Ata ishin më të dashuruar se kurrë’’, tha një burim për People.

    Një video e shkurtër po qarkullon në rrjetet sociale ku shihen çifti duke shikuar njëri tjetrin dhe duke buzëqeshur.

    Aktori ishte nominuar në ceremoninë e ndarjes së çmimeve të së dielës për rolin e tij në Wonka, për aktorin më të mirë në një film muzikor ose komedi.

    Ai dhe Jenner u lidhën në prill 2023, por çifti ende nuk kishin konfirmuar asgjë derisa u panë duke u puthur në turneun e Beyonces, në fillim të shtatorit.

    “Ai e përkrah shumë në karrierën e saj, e njëjta ndodhë edhe me Kylien. Ata të dy përpiqen të marrin pjesë në ngjarje të rëndësishme për njëri-tjetrin’’, tha mes tjerash burimi./atvlive.tv/

  • Aktori Alain Delon ngriti padi ndaj djalit të tij

    Aktori Alain Delon ngriti padi ndaj djalit të tij

    Aktori francez Alain Delon ka ngritur padi ndaj djali të tij, Anthony Delon, pasi ky i fundit dha detaje për gjendjen e tij shëndetësore në një intervistë me ‘Paris Match’.

    Me këtë veprim, 88-vjeçari ka shprehur zhgënjim dhe tronditje për atë që ai e konsideron si një “shpërthim mediatik të orkestruar” nga ana e të birit.

    Alain Delon, refuzon të pranojë deklaratat e të birit, Anthony duke thënë se “Cili baba mund ta duronte këtë?”

    Alain Delon është një aktor francez që fitoi famë ndërkombëtare në vite të 1960-a me paraqitjet e tij të jashtëzakonshme në filma si “Le Samouraï” dhe “The Leopard”.

    Ai konsiderohet si një nga figurat më të rëndësishme të kinematografisë franceze dhe evropiane./atvlive.tv/