ATV

Author: G.O.

  • Stano: Presim që sivjet Kosova dhe Serbia të zbatojnë në plotni Marrëveshjen e Brukselit dhe Aneksin e Ohrit

    Stano: Presim që sivjet Kosova dhe Serbia të zbatojnë në plotni Marrëveshjen e Brukselit dhe Aneksin e Ohrit

    Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka folur për procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve, raporton Gazeta Sinjali.

    Në një konferencë për media dje në Bruksel, Stano u ka bërë thirrje palëve që këtë vit ta zbatojnë në plotni Marrëveshjen e Brukselit bashkë me Aneksin e Ohrit.

    “Të gjithë e dinë se ku qëndrojmë. Të gjithë e dinë se çfarë duhet të bëjnë dhe ne presim zbatimin e plotë. Ky vit ofron një mundësi të mirë për të filluar me të vërtetë të punoni shumë, duke mos diskutuar formalitetet, por duke punuar për të prodhuar rezultate konkrete dhe thelbësore”, ka thënë ai.

    Stano në pyetjen nëse BE-ja do të detyrojë Serbinë të zbatojë marrëveshjen me Kosovën duke e kushtëzuar me anëtarësim në bllok, tha se shtetet anëtare po punojnë në këtë drejtim.

    “Puna në këtë drejtim po vazhdon në përputhje me kërkesën e vendeve anëtare”, ishte përgjigjja e Stanos. Megjithatë, ai s’u përgjigj nëse kjo do të ndodhë gjatë janarit.

    Kërkesa për ndryshimin formal të kushteve në kapitullin 35 u bë nga shtetet anëtare të BE-së në konkluzionet e miratuara nga Këshilli për Çështje të Përgjithshme në dhjetor.

    Ai përsëriti se palët kanë bërë një zotim me Marrëveshjen e Ohrit dhe se marrëveshja është ligjërisht e detyrueshme.

  • Zeka: Rritja ekonomike këtë vit do të jetë 4.2% – Përkundër rënies së inflacionin, çmimet mbesin të larta

    Zeka: Rritja ekonomike këtë vit do të jetë 4.2% – Përkundër rënies së inflacionin, çmimet mbesin të larta

    Drejtori i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK), Arian Zeka në një prononcim për Ekonomia Online ka thënë se rritja ekonomike për vitin 2024 do të jetë 4.2 për qind.

    Ai ka thënë se vendi e ka mbyllur vitin me një normë të ulët të inflacionit rreth 4 për qind por që çmimet vazhdojnë të mbesin të larta për shkak të çrregullimeve në zingjirët e furnizimit global.

    Kjo siç thekson ai, Kosova ka një bazë të ulët të prodhimtarisë.

    Ai ka shtuar se Kosova vazhdon që të ketë njërën prej normave më të larta të rritjes ekonomike në mesin e shteteve të Ballkanit Perëndimor, por që thekson se kjo normë nuk i mundëson vendit që të zë hapin me zhvillimet e kontinentit të Evropës.

    Zeka ka thënë se zhvillimi ekonomik nuk ka qenë prioritet i as një qeveri që nga pas lufta, teksa apelon te ekzekutivi që ta bëjë një gjë të tillë këtë vit.

    Ai ka theksuar që Kosovës i nevojitet një strategji gjithëkombëtare për zhvillimin ekonomik e ku në të duhet që të përfshihen të gjithë “hisedarët”.

    “Me sinqeritetin më të madh e them që realisht ekonomia nuk duket që të jetë prioritet i as njërës prej qeverive që i kemi pasur prej viti 99 e tutje, sidomos pre viti 2008 e tutje prej kur Kosova është shtet i pavarur. Realisht duket që këtu çalojmë mungesa e një strategji gjithëkombëtare për zhvillimin ekonomik e cila do të jep drejtim zhvillimeve që lidhen me ekonominë edhe aspektin social, duket që po e gjymton vendin do të thotë në këtë aspekt. Këtu realisht besoj që qeveria këtë vit, vitin 2024 duhet ta caktoj me të vërtet të cilin zhvillimi ekonomik do të trajtohet me prioritet, por megjithatë duke pasur parasysh gjatë tërë kohës që zhvillimi ekonomik nuk është vetëm përgjegjësi e institucioneve të vendit por në këtë aspekt duhet që të përfshihen në komunikim së paku edhe hisedarët e tjerë jo institucional, profesor universitar, ekspert të ekonomisë, përfaqësues të instituteve të ekonomisë. Ajo që është më e rëndësishmja  ata të cilët realisht përfaqësojnë interesat e atyre që janë bartës ose janë motor i zhvillimit ekonomik të vendit pra sektori privat e që janë Odat Ekonomike edhe Asociacionet e biznesit. një dialog i tillë ndërmjet sektorit publik edhe sektorit privat ka munguar përgjatë viteve të fundit e sidomos me këtë qeveri”, ka thënë ai.

    Zeka ka thënë se rritja ekonomike për këtë vit pritet që të jetë 4.2 për qind nëse shteti aktivizon shtyllat kryesore të cilat mundësojnë rritjen ekonomike të vendit, e që sipas tij janë investimet kapitale edhe ruajtjen e konsumit.

    Ai ka thënë se Kosova vazhdon që të ketë njërën prej normave më të larta të rritjes ekonomike në mesin e shteteve të Ballkanit Perëndimore, por që sipas tij, kjo normë e rritjes ekonomike nuk i mundëson vendit që të zë hapin me zhvillimet e kontinentit të Evropës.

    “Nuk kemi as një arsye të mos besojmë që parashikimet e Bankës Qendrore të Kosovës nuk do të realizohen në fund të këtij viti, edhe në presim që të kemi një rritje ekonomike prej 4.2 për qind për aq kohë sa përdoren ose aktivizohen shtyllat kryesore të cilat mundësojnë rritjen ekonomike të vendit. Sipas të gjitha raporteve të organizatave ndërkombëtare por natyrisht edhe raporteve të brendshme këto shtylla ekonomike të vendit përfshijnë investimet kapitale edhe natyrisht ruajtjen e konsumit, ani pse kjo mund të mos jetë ndoshta shtylla e cila garanton një zhvillim të qëndrueshëm. Por megjithatë janë dy prej aspekteve të cilat është bazuar zhvillimi ekonomik i vendit në vitet e fundit. Për të qenë me objektiv duhet përmendur faktin që megjithatë Kosova vazhdon që të ketë njërën prej normave më të larta të rritjes ekonomike në mesin e shteteve të Ballkanit Perëndimore, por në të njëjtën kohë duhet të vazhdojmë edhe të japim edhe informata të tjera për publikun që kjo normë e rritjes ekonomike nuk i mundëson vendit që të zë hapin me zhvillimet e rajonit, po flas për kontinentin e Evropës me qenë se këtu jemi shumë mbrapa. Baza ekonomike e Kosovës është relativisht e ulët edhe pastaj çfarë do norme e rritjes ekonomike nën normat dyshifrore nuk garanton zhvillim të përshpejtuar ekonomik”, u shpreh ai.

    Drejtori i OEAK-ut ka thënë se vendi e ka mbyllur vitin 2023 me një normë prej diku rreth 4 për qind të inflacionit, por që çmimet janë duke vijuar që të jenë të larta.

    Sipas tij,  presioni mbi çmimet është njëri prej indikatorëve problematik të rritjes ekonomike të vendeve të Ballkanit Perëndimor edhe të Kosovës.

    “Po i referohem të dhënave zyrtare të publikuar nga ASK-ja për vitin e kaluar do të thotë që Kosova mbylli vitin me një normë prej diku rreth 4 për qind të inflacionit, por megjithatë çmimet vijon të jenë të larta. Pra presioni mbi çmimet vazhdon të jetë jashtëzakonisht i lartë, kjo është thënë edhe një një raport të Bankës Botërore të viti të kaluar i cili flet për perspektiven ekonomike të Ballkanit në përgjithësi, por pastaj edhe të shteteve individuale në veçanti përfshirë këtu edhe Kosovën. Ku presioni mbi çmimet përmendet si njëri prej indikatorëve problematik të zhvillimit ekonomik ose të rritjes ekonomike të vendeve të Ballkanit Perëndimor edhe të Kosovës ne veçanti. Duhet sqaruar me teje norma prej katër për qind e inflacionit vjetor mund të duket e ulët por megjithatë krahasimet behën në baza vjetore që do të thotë që inflacioni prej periudhës e para pandemisë edhe para shpërthimit të luftës në Ukrainë megjithatë është shumë i lartë edhe rrjedhimisht ne ballafaqohemi me këto çmime të produkteve të cilat vijojnë të jenë të larat. Assesi nuk shohim ndonjë trend të uljes së tyre aq më tepër në masën në të cilin ato ishin para pandemisë”, theksoi ai.

    Zeka ka thënë se çmimet janë duke mbetur të larta edhe pse inflacioni ka vazhduar që të bije, për shkak të çrregullimeve ne zingjiret e furnizimit global.

    E sipas tij, Kosova ka një bazë të ulët të prodhimtarisë dhe i nënshtrohet më tepër çmimeve të larta edhe inflacionit me qenë se në masë të madhe importohet pothuajse gjithçka.

    “Janë këto çrregullimet ne zingjiret furnizimit global me të cilat vazhdojnë të ballafaqohemi edhe ne por edhe shtet e tjera edhe fatkeqësisht edhe konfliktet e tjera që po shpërthejnë edhe problemet e tjera të cilat po e pengojnë tregtinë ndërkombëtare edhe prodhimin e mallrave në të njëjtën kohë, nuk duket se kanë të ndalur. Edhe rrjedhimisht po ndikojnë edhe në këto çmime të larta. Kosova duke pasur një bazë të ulët të prodhimtarisë natyrisht që i nënshtrohet më tepër çmimeve të larta edhe inflacionit me qenë se në masë të madhe importojmë pothuajse gjithçka”, u shpreh ai për EO.

  • Sulm vdekjeprurës izraelit në Liban

    Sulm vdekjeprurës izraelit në Liban

    Një sulm me dron nga Izraeli ka goditur të martën një makinë në lug të Libanit, duke vrarë tre persona që gjendeshin brenda saj, thanë zyrtarët dhe agjencitë shtetërore të lajmeve.

    Sulmi në Gandurijeh, që gjendet rreth 10 kilometra nga kufiri me Izraelin, ndodhi një ditë pas një sulmi të ngjashëm, ku u vra një komandant i grupit militant të Hezbollahut.

    Në një mision urgjent që synon të parandalojë që konflikti mes Izraelit dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – që të shndërrohet në një konflikt rajonal, sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha të hënën se Arabia Saudite, Jordiania, Katari, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Turqia do të shqyrtojnë pjesëmarrjen në rindërtimin dhe qeverisjen e Gazës pas të përfundojë lufta. Ky territor ka pësuar shkatërrim të madh nga lufta që nisi më 7 tetor.

    Zyra për çështje humanitare e Kombeve të Bashkuara ka thënë se intensifikimi i ofensivës izraelite në Gazën jugore dhe qendrore ka pasur “pasoja shkatërruese”, duke rritur numrin e civilëve të vrarë dhe duke penguar operacionet për dërgimin e ndihmave humanitare.

    Që kur ka nisur lufta mes Izraelit dhe Hamasit, ka pasur shkëmbim zjarri mes Izraelit dhe Hezbollahut pothuajse në baza ditore në kufirin mes Izraelit dhe Libanit.

    Lufta në Gazë u nxit pasi radikalët e Hamasit sulmuan jugun e Izraelit duke vrarë 1.200 persona dhe duke rrëmbyer 250 të tjerë. Izraeli u kundërpërgjigj me sulme tokësore, ajrore dhe detare në Gazë duke vrarë mbi 23.000 persona. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazën e kontrolluar nga Hamasi, dy e treta e viktimave ishin gra dhe fëmijë. Kjo ministri nuk bën dallimin mes civilëve dhe luftëtarëve të vrarë./REL/

  • Policia: Javën e parë të janarit sekuestruam pesë armë zjarri në rajonin e Prishtinës

    Policia: Javën e parë të janarit sekuestruam pesë armë zjarri në rajonin e Prishtinës

    Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë javës së parë të janarit janë sekuestruar pesë armë zjarri dhe municion në rajonin e Prishtinës.

    Sekuestrimi është bërë në lokacione dhe raste të ndryshme.

    “Personave të dyshuar u është iniciuar rast për mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve dhe në konsultim me prokurorin e shtetit, katër nga ta janë liruar në procedurë të rregullt, ndërsa njëri nga të dyshuarit i cili dyshohet edhe për përdorim të armës, është dërguar në mbajtje për 48 orë”, thuhet në njoftim.

  • Jeton Raka emërohet zëvendësministër i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës

    Jeton Raka emërohet zëvendësministër i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka emëruar sot Jeton Rakën, zëvendësministër të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

    Në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit thuhet se Kurti ka uruar Rakën për detyrën dhe i ka dëshiruar suksese në përmbushjen e përgjegjësive të reja.

    Ndryshe, Jeton Raka ishte kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Kaçanikut në zgjedhjet e fundit lokale.

  • Leonardo Bonucci do të transferohet te Fenerbahce

    Leonardo Bonucci do të transferohet te Fenerbahce

    Leonardo Bonucci ka vendosur të largohet nga Union Berlini dhe tanimë ka gjetur skuadrën e tij të re.

    Mbrojtësi italian ishte pranë rikthimit në Serie A pasi kishte gjetur marrëveshjen me Romën, por në fund ishin tifozët e Giallorosëve që ia ndaluan këtë transferim.

    Përkundër se lojtari dëshironte të rikthehej në Serie A, një gjë e tillë nuk do të ndodhë pasi karrierën do ta vazhdoj në Turqi.

    36-vjeçari ka gjetur marrëveshje me gjiganti turk Fenerbahce dhe transferimi i tij është çështje orësh.

    Më meritori për këtë ka qenë Edin Dzeko që ka bindur veteranin italian për tu transferuar në Stamboll dhe për të luftuar për titullin kampion.

    Po ashtu, Bonucci ka marrë garanci nga trajneri italian, Luciano Spalletti, i cili ka konfirmuar se nëse është në nivel dhe në formë të mirë, do të ftohet në Evropianin e ardhshëm në Gjermani.

    Bonucci tani duhet të zgjidhë kontratën me Union Berlinin për të dalë lojtarë i lirë, derisa te Fenerbahce raportohet se do të fitojë 2.8 milionë euro për gjashtë muaj.

  • Joao Felix nuk është më në planet e Barcelones

    Joao Felix nuk është më në planet e Barcelones

    Joao Felix nuk e ka të sigurt të ardhmen e tij te Barcelona dhe në verë ai pritet të rikthehet te Atletico Madrid.

    Xavi dhe ekipi i tij stërvitor kanë vendosur që Joao Felix nuk përshtatet në planet e tyre dhe nuk duhet të nënshkruhet përgjithmonë, raporton Joso Alvarez.

    Stafi teknik i gjigantit katalunas beson se Barcelona do të luaj më mirë nëse në sezonin e ardhshëm do të kenë një sulmues krahu në anën e majtë dhe jo të luajnë me Joao Felix i cili synon të luaj si sulmues i dytë.

    Felix është i huazuar te Barca nga Atletico Madrid me Barcelonën që e ka opsionin e blerjes prej 80 milionë euro, shumë që konsiderohet shumë e lartë nga drejtuesit e klubit katalunas.

    Pas një fillimi të ndritshëm, Felix ka luftuar për të ruajtur qëndrueshmërinë me Ferran Torres në dukje duke zënë vendin e tij në formacionin titullar.

    Portugezi kanë shënuar gjashtë gola dhe ka dhuruar tre asistime në 22 ndeshje me Barcelonën këtë edicion në të gjitha garat.

    Gjithsesi Xavi ka vendosur të mos e mbajë lojtarin dhe Atletico Madrid qysh tani duhet të mendojë për një blerës të ri për portugezin pasi trajneri Diego Simeone nuk e dëshiron në skuadër.

  • Real Sociedad kërkon transferimin e Zhegrovës

    Real Sociedad kërkon transferimin e Zhegrovës

    Edon Zhegrova mund të largohet nga Franca gjatë verës që vjen.
    Ylli kosovar po kalon nëpër një formë fantastike dhe kjo ka bërë që t’iu bie në sy klubeve të njohura evropiane.

    “Sky Sport Germany” raporton se interesim për sulmuesin e krahut kanë shfaqur klubet gjermane, angleze dhe ato spanjolle.

    Sipas gazetarit sportiv gjerman Florian Plettenberg, disa klube gjermane janë duke e vëzhguar me kujdes “Messin e Kosovës”, i cili do ta preferonte transferimin në njërin prej Top 5 klubeve të Bundesligës.

    Por, duket se një propozim konkret për 24-vjeçarin vjen nga La Liga.

    Sipas “NotGip”, ish-futbollistin e Baselit e do Real Sociedadi.

    Klubi spanjoll e sheh përfaqësuesin kosovar si zëvendësues potencial të Cho.

    Mbetet të shihet nëse futbollisti do të jetë i interesuar të transferohet në Sociedad dhe nëse ky i fundit do ta bëjë ofertën e duhur për Zhegrovën.

    Gjithnjë sipas gazetarit Plettenberg, Lille e vlerëson lojtarin kosovar 17-20 milionë euro, përcjell “Gazeta Express”.

    Zhegrova ka kontratë me klubin nga Ligue 1 deri në vitin 2026, por nuk përjashtohet mundësia që ai të largohet nga Franca gjatë verës që vjen.

    Në 25 ndeshje të zhvilluara në të gjitha garat, Edoni i ka realizuar 6 gola dhe i ka bërë 7 asistime në këtë edicion.

  • Gabriel Attal bëhet kryeministri më i ri në historinë moderne të Francës

    Gabriel Attal bëhet kryeministri më i ri në historinë moderne të Francës

    Emmanuel Macroni e ka emëruar Gabriel Attalin kryeministër të ardhshëm të Francës, në përpjekje për ta ringjallur Presidencën e vet me një qeveri të re.

    Si 34-vjeçar, Attal bëhet kryeministri më i ri në moshën në historinë moderne të Francës, duke e tejkaluar madje edhe socialistin Laurent Fabius, i cili ishte 37 vjeç kur u emërua nga François Mitterrand më 1984.

    Attali e zëvendëson Elisabeth Bronen, e cila dha dorëheqje pas vetëm 20 muajve në detyrë.

    Gjatë qëndrimi në pushtet, ajo hasi në vështirësi për shkak të mungesës së shumicës në Parlament.

    Gabriel Attal, i cili është aktualisht ministër i Arsimit, ka marrë vëmendje të madhe pas emërimit.

    Tani, detyra e tij do të jetë ta udhëheqë Qeverinë e Francës para zgjedhjeve të rëndësishme të Parlamentit Evropian në qershor.

    Rritja e tij ka qenë e shpejtë. Para dhjetë vjetëve, ai ishte këshilltar në Ministrinë e Shëndetësisë, si dhe anëtar i Partisë Socialiste.

    Ai do të jetë gjithashtu homoseksuali i parë i deklaruar që do ta zërë zyrën e kryeministrit të Francës, Matignon./REL/

  • Bien sirenat në Tajvan, pasi Kina lëshon një satelit mbi hapësirën e tij ajrore

    Bien sirenat në Tajvan, pasi Kina lëshon një satelit mbi hapësirën e tij ajrore

    Qeveria e Tajvanit i ka lëshuar sirenat në gjithë ishullin të martën, duke thënë se një satelit kinez fluturoi mbi hapësirën e saj ajrore në jug.

    Ministri i Jashtëm i Tajvanit, Joseph Wu, e përshkroi veprimin e Kinës si pjesë të “ditëve të ngacmimit” para zgjedhjeve të rëndësishme presidenciale dhe parlamentare.

    Alarmi i sigurisë iu dërgua qytetarëve në telefonat e tyre mobil nga Ministria e Mbrojtjes e Tajvanit mëngjesin e së martës, rreth kohës së njëjtë kur mediat shtetërore kineze konfirmuar lëshimin e një sateliti shkencor.

    Ministria e përshkroi satelitin si “satelit” në gjuhën kineze, por si “raketë” në gjuhën angleze. Më vonë, ajo ia la fajin “neglizhencës” për gabimin në përshkrimin e satelitit si raketë.

    Tajvani mban zgjedhje presidenciale dhe parlamentare të shtunën.

    Kina pretendon se Tajvani është pjesë e territorit të saj dhe i ka përshkruar zgjedhjet si zgjidhje mes paqes dhe luftës në Ngushticën e Tajvanit.

    Qeveria e Tajvanit i kundërshton pretendimet e Kinës për territor.

    Kina nuk ka njoftuar për lëshimin e satelitit. Ajo i bëri dy lëshime satelitore në dy ditë radhazi në fillim të dhjetorit. Asnjëra prej tyre nuk kishte fluturuar mbi Tajvan, e as nuk kishte nxitur lëshimin e sirenave.

    Mediat shtetërore kineze e kanë përshkruar lëshimin e satelitit të martën si testim “të energjisë së lartë të astrofizikës dhe astronomisë”.

    Joseph Wu, i cili po mbante konferencë për media me gazetarë të huaj kur ranë sirenat, e përshkroi lëshimin e satelitit kinez si ngacmim ndaj Tajvanit.

    “Të gjitha këto lloje taktikash janë të klasifikuara si aktivitete të rrezikshme shtetërore, dhe vazhdojnë t’ua kujtojnë njerëzve në Tajvan se ka rrezik për luftë mes Tajvanit dhe Kinës”, tha ai.

    “Me këto lloj kërcënimesh kundër Tajvanit, mendoj se ne duhet të jemi syhapur, ne nuk duhet të provokohemi”, shtoi ai.

    Presidenti i Tajvanit, Tsai Ing-wen, i cili ishte duke bërë fushatë në qytetin jugor të vendit, Kaohsiung, e shikoi telefonin mobil dhe tha “ky është satelit, jo raketë – mos u brengosni”, raportoi agjencia e lajmeve e Tajvanit.

    Por, partia më e madhe opozitare e Tajvanit, Koumintang, e kritikoi lëshimin e sirenave, duke thënë se e kanë mashtruar popullin./REL/