ATV

Author: G.O.

  • Dragisha Milenkoviq deklarohet i pafajshëm për krime lufte në Kosovë

    Dragisha Milenkoviq deklarohet i pafajshëm për krime lufte në Kosovë

    Dragisha Milenkoviq, ish-gardian i Burgut të Prishtinës dhe Lipjanit, u deklarua i pafajshëm lidhur me akuzën për krime lufte kundër popullatës civile, ndërsa e pranoi fajësinë për armëmbajtje pa leje.

    Deklarimin rreth fajësisë, i akuzuari Milenkoviq e bëri pas leximit të aktakuzës nga prokurori Atdhe Dema, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Me pranimin e fajësisë për armëmbajtje pa leje nga ana e të akuzuarit, u pajtuan edhe prokurori Dema dhe mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Dejan Vasiq, të cilin më pas e aprovoi kryetari i trupit gjykues, Kujtim Krasniqi.

    Shpallja e aktgjykimit lidhur me veprën për të cilën Milenkoviq e pranoi fajësinë, do të bëhet në fund të shqyrtimit gjyqësor.

    Gjykatësi Krasniqi njoftoi palët se sa i përket veprës penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”, kanë të drejtë që në afat ligjor prej 30 ditësh, të paraqesin kërkesë për hudhje të aktkuzës dhe kundërshtim të provave.

    Aktakuza e ngritur më 26 dhjetor 2023 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ngarkon Dragisha Milenkoviqin se në cilësinë e gardianit të Burgut të Prishtinës dhe Lipjanit, gjatë periudhës së luftës në Kosovë 1998-1999, në Burgun e Prishtinës dhe të Lipjanit, në bashkëkryerje edhe me zyrtarë tjerë të burgjeve në fjalë Ljubomir Çimburoviç, ish-drejtor i Burgut të Qarkut në Prishtinë, Predrag Bradiq dhe Milivoje Iviq, ish-gardianë të Burgut të Prishtinës dhe Lipjanit, në mënyrë sistematike i kishin maltretuar të burgosurit shqiptarë, duke i torturuar në mënyrë ç‘njerëzore me mjete të ndryshme si shkop gome, shufra metalike, kabllo elektrike, gypa të ujit, shqelma e grushte, deri në alivanosje, duke iu shkaktuar lëndime trupore, ashtu siç e shpjegojnë vetë viktimat, se pas këtyre rrahjeve kishin pasur dhimbje të mëdha në gjithë trupin, dhunë psiqike, i kanë lënë pa ngrënë për gati një javë, i kanë kanosur seriozisht për jetë e si pasojë e kësaj dhe rrahjeve të vazhdueshme kanë pësuar gjendje ankthi dhe frikë.

    Aktakuza thotë se Milenkoviq, nga 24 maj 1999 deri më 10 qershor 1999, në Burgun e Lipjanit, në cilësinë e personit zyrtar dhe në bashkëkryerje edhe me zyrtarë tjerë të burgjeve në fjalë Çimburoviç, Bradiq dhe Iviq, pasi i kanë transferuar të burgosurit shqiptarë nga Burgu i Dubravës në Burgun e Lipjanit, fillimisht kishin formuar kordon në hyrje të burgut nga të dyja anët, ku të burgosurit ishin detyruar që të kalonin përmes kordonit, e pastaj kishin filluar që t’i godasin me mjete të ndryshme si shkop gome, grushte e shqelma.

    Gjithnjë sipas aktakuzës, pas kësaj në mënyrë sistematike kishin keqtrajtuar të burgosurit shqiptarë, duke torturuar në mënyrë ç‘njerëzore, maltretuar, shkaktuar lëndime trupore dhe siç e shpjegojnë vetë viktimat, pas këtyre rrahjeve kishin pasur dhimbje të mëdha në gjithë trupin, dhunë psiqike, i kanë lënë pa ngrënë për ditë të tëra, i kanë ofenduar e sharë dhe i kanë kanosur seriozisht për jetë se do i vrasin të gjithë, veprime këto të cilat kanë shkaktuar gjendje ankthi dhe frike tek ata.

    Me këtë, akuzohet se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale “Krime lufte kundër populates civile” nga neni 142 lidhur me nenin 22 të LP të RSFJ-së.

    Milenkoviq ngarkohet edhe se në shtëpinë e tij më 21 qershor 2023, në Graçanicë, gjatë zbatimit të urdhër kontrollit, policia ka gjetur një pistoletë, fishekë, karikatorë, thikë, shufër metalike.

    Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 366, par.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi

  • Tre skuadra italiane të interesuara për Mario Balotellin

    Tre skuadra italiane të interesuara për Mario Balotellin

    Mario Balotelli thuhet se dëshiron të largohet nga Adana Demirspor për një rikthim në Serie A, me Udinesen, Salernitanan dhe Empolin të interesuar.

    33-vjeçari është nën kontratë në Turqi vetëm deri më 30 qershor, megjithëse ekziston edhe një opsion për ta vazhduar qëndrimin edhe një vit.

    Ai e kishte nisur mirë sezonin me tre gola në pesë ndeshje të Superligës Turke, por më pas iu desh të operohej për një dëmtim në gju në muajin nëntor.

    Sipas mediumit Footmercato, Balotelli është gati të largohet nga Adana Demirspor dhe do të favorizonte një kalim në Serie A, duke shpresuar që të fitonte një vend në skuadrën e Italisë për Euro 2024.

    Janë tre klube që besohet se po vlerësojnë idenë e marrjes së SuperMario-s, me Salernitanën e Pippo Inzaghit një opsion interesant, veçanërisht pasi Boulaye Dia është i lënduar dhe në treg.

    Udinese është një tjetër alternativë, pasi ka luftuar për gola deri më tani këtë sezon dhe me Florian Thauvin të tërhequr nga një rikthim në Francë.

    Klubi i tretë thuhet të jetë Empoli, i cili është në zonën e rënies dhe ka Francesco Caputo të lidhur me një kalim te Spezia.

  • Gjykatësit shprehen skeptikë se Trumpi është imun ndaj ndjekjes penale

    Gjykatësit shprehen skeptikë se Trumpi është imun ndaj ndjekjes penale

    Gjykatësit e Gjykatës së Apelit të Shteteve të Bashkuara kanë shprehur dyshimet e tyre se ish-presidenti amerikan, Donald Trump, është imun ndaj ndjekjes gjyqësore në nën akuzat se kishte tentuar ta përmbyste rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020.

    Në një rast historik, avokatët e Trumpit thanë se koha që ai e ka kaluar në pushtet e mbron atë nga akuzat në lidhje me dyshimet se u përpoq ta zhbënte disfatën në zgjedhjet presidenciale 2020.

    Por, Departamenti i Drejtësisë argumentoi se Presidenca nuk është mbi ligjin.

    Gjatë seancës së gjatë dëgjimore, gjykatësit i bënë trysni vazhdimisht avokatit të Trumpit që t’i mbrojë pretendimet se Trumpi është i mbrojtur nga akuzat penale për veprimet të cilat ai thotë se ishin pjesë e detyrave të tij si president.

    Trump, 77 vjeç, thotë se ai nuk duhet të përballet me akuza penale sepse në atë kohë kishte vepruar si president. Ai vazhdimisht e pa përmendur imunitetin presidencial derisa është përballur me raste penale dhe civile.

    Ky argument i tij u rrëzua muajin e kaluar nga një gjykatës i një gjykate më të ulët, i cili po merret me rastin kundër tij, ndërsa edhe gjykatësit e Apelit shprehën dyshimet e tyre se presidentët gëzojnë imunitet të plotë pasi të jenë larguar nga zyra e presidentit.

    Pavarësisht vendimit që do ta marrë Gjykata e Apelit, rasti pritet të përfundojë në Gjykatën Supreme të SHBA-së, ku konservatorët kanë shumicën prej 6-3.

    Ky rast mund të ketë ndikim të madh në të ardhmen e presidencës amerikane dhe për atë se çfarë i lejohet një presidenti.

    Trumpi është favorit në garën për t’u nominuar kandidat për president nga radhët e republikanëve, dhe pritet të garojë kundër presidentit Joe Biden në zgjedhjet e nëntorit.

    Trumpi tha pasi doli nga gjykata se nuk ka bërë asgjë të gabuar dhe se po ndiqet penalisht për “arsyeje politike”.

    “Presidenti duhet të ketë imunitet”, tha ai./REL/

  • Pique nis karrierën si trajner

    Pique nis karrierën si trajner

    Një vit pas daljes në pension si lojtar, Gerard Pique do të bëjë së shpejti debutimin e tij si trajner në një projekt të ri që do ta ketë atë si udhërrëfyes teknik.

    Ish-mbrojtësi i Barcelonës, i cili vari këpucët e tij në janar të vitit 2023, e bëri të ditur vetë duke postuar një mesazh në llogarinë e tij X, duke specifikuar se do të bëhej trajner.

    “Një vit i ri ka filluar dhe pas vlerësimit të kujdesshëm kam vendosur të kthehem në futbolli. Më mungon shumë. Kësaj radhe nuk do të jetë si lojtar. Do të jetë si trajner. Më shumë detaje do t’ju jap në fund të javës”, ka shkruar spanjolli, i cili së shpejti do të festojë 37 vjetorin.

  • Arrestohet i dyshuari që dyshohet se dhunoi dhe e mbylli në banesë të miturën në Kaçanik

    Arrestohet i dyshuari që dyshohet se dhunoi dhe e mbylli në banesë të miturën në Kaçanik

    Policia e Kosovës njoftoi se është arrestuar një person në Kaçanik, pasi dyshohet se dhunoi dhe e mbylli në banesë të miturën.

    Në raportin 24-orësh të Policisë, thuhet se rasti ka ndodhur të martën dhe është iniciuar si “Dhunim” dhe “Privim i kundërligjshëm i lirisë”.

    “Viktima femër kosovare (e mitur) ka raportuar se është mbyllur brenda në banesë. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse policore ku kanë thyer derën e objektit dhe kanë liruar viktimën. Lidhur me rastin është arrestuar i dyshuari kosovar që dyshohet se pasi kishte kryer marrëdhënie seksuale me viktimën e kishte mbyllur në banesë dhe i njëjti pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftim.

  • 59 aksidente brenda 24 orëve, 12 prej tyre me të lënduar

    59 aksidente brenda 24 orëve, 12 prej tyre me të lënduar

    Policia e Kosovës njoftoi se gjatë 24 orëve të fundit në vendin tonë janë raportuar 59 aksidente trafiku.

    Siç njofton Policia, 12 nga këto aksidente kanë përfunduar me të lënduar, ndërsa 47 të tjera janë me dëme materiale.

    Ndërkohë, sipas raportit 24-orësh të Policisë, gjatë kësaj kohe janë shqiptuar 1 mijë e 912 gjoba trafiku.

  • ​Dy supersfida sot në Kupën e Italisë

    ​Dy supersfida sot në Kupën e Italisë

    Kompeticioni i Kupës së Italisë sjellë sot dy ballafaqime tejet interesante në fazën çerekfinale të saj.

    Me fillim nga ora 18:00 në stadiumin “Olimpico” do të zhvillohet derbi romak ndërmjet Lazios dhe Romës. Të dy këto skuadra e synojnë këtë trofe dhe duan fitore sonte për të kaluar në gjysmëfinale, transmeton KosovaPress.

    Ballafaqimi tjetër, po aq interesant zhvillohet në “San Siro” nga ora 21:00 ndërmjet Milanos dhe Atalantës.

    Të dy këto skuadra janë duke kaluar nëpër një formë të mirë të rezultateve në xhirot ë fundit në kampionat, andaj pritet një sfidë tejet e fortë ndërmjet tyre.

  • Hendboll/ Kosova sot përballet me Britaninë e Madhe

    Hendboll/ Kosova sot përballet me Britaninë e Madhe

    Kombëtarja e Kosovës në hendboll është plotësisht e gatshme për ndeshjen e parë me Britaninë e Madhe.

    Kosova dhe Britania e Madhe përballen sot prej orës 20:30 në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë. Është kjo ndeshja e parë e raundit promovues të kualifikimeve për Euro 2026. Ndeshja e dytë është të shtunën në Derby të Anglisë.

    “Dardanët” synojnë që në ndeshjen e parë ta bëjë hapin e madh drejt kualifikimeve të rregullta.

    Të përzgjedhurit e selektorit Bujar Qerimi janë grumbulluar javën e kaluar, kur edhe i luajtën dy miqësore me Emiratet e Bashkuara Arabe.

    Kombëtarja ka vazhduar më pas punën në Prishtinë, ndërsa atmosfera është shumë e mirë.

    Kosova konsiderohet si skuadër favorite ndaj Britanisë së Madhe, ndërsa këtë duhet ta dëshmojë në fushën e lojës.

  • Qeveria mban mbledhjen e radhës

    Qeveria mban mbledhjen e radhës

    Qeveria e Kosovës do të mbaj sot mbledhjen e radhës.

    Në njoftimin për media nga Zyra e Kryeministrit, bëhet e ditur se mbledhja fillon në orën 10:00

  • Vazhdon procesi gjyqësor ndaj Pjetër Shalës

    Vazhdon procesi gjyqësor ndaj Pjetër Shalës

    Pas pushimit dimëror, në Dhomat e Specializuara të Kosovës, sot për të dytën ditë me radhë vazhdon procesi gjyqësor ndaj Pjetër Shalës. Gjatë javës janë paraparë të mbahen katër seanca në rastin Shala.

    Në Dhomat e Specializuar të Kosovës në Hagë, të martën ka filluar dëshminë dëshmitari i 10 i mbrojtjes, Safet Gashi, në gjykimin ndaj Pjetër Shalës. Dëshmitari, dje, ka thënë se nuk e di që UÇK-ja ka arrestuar apo ndaluar dikë. Ai tha se UÇK-ja nuk ka pasur të bëjë asnjëherë me civilë.

    Dëshmitari Safet Gashi do të vazhdojë dëshminë e tij edhe gjatë ditës së sotme, në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, përkatësisht në çështjen gjyqësore ndaj Pjetër Shalës.

    Sipas aktakuzës, Pjetër Shala ishte anëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (‘UÇK’) i stacionuar në Kukës, Shqipëri. Aktakuza kundër Shalës u konfirmua më 12 qershor 2020 dhe versioni i redaktuar u bë publik më 15 prill 2021. Më 18 tetor 2021, gjykatësi i procedurës paraprake miratoi pjesërisht mocionet e Mbrojtjes dhe urdhëroi ZPS-në që të ndryshojë aktakuzën në mënyrë që të ofrojë nivelin e kërkuar të konkretitetit dhe të qartësisë lidhur me pjesëmarrjen personale të të akuzuarit në incidente. ZPS-ja e dorëzoi aktakuzën e korrigjuar më 1 nëntor 2021. Kjo ishte aktakuza në fuqi në këtë çështje.

    Shala u arrestua më 16 mars 2021 në Belgjikë dhe u transferua në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës më 15 prill 2021.

    Më 19 prill 2021, Shala pati paraqitjen e tij të parë para gjykatësit të procedurës paraprake dhe u vetëdeklarua i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.

    Gjykimi filloi më 21 shkurt 2023 me deklaratat hyrëse të Prokurorit të Specializuar, të përfaqësuesit të viktimave dhe të Mbrojtjes. Më 6 korrik 2023, ZPS-ja e mbylli çështjen e vet.

    Ndërsa në rastin gjyqësor ‘Hashim Thaçi dhe të tjerët’, seancat do të fillojnë më 15 janar.

    Gjatë muajit janar sipas kalendarit të Dhomave të Specializuar, do të jenë në tërësi 16 seanca gjyqësore, në dy rastet gjyqësore Hashim Thaçi dhe të tjerët’ dhe ‘Shala’.