ATV

Author: G.O.

  • Rrëzohet helikopteri kanadez i skijimit, humbin jetën tre persona

    Rrëzohet helikopteri kanadez i skijimit, humbin jetën tre persona

    Tre persona kanë humbur jetën në një aksident me helikopter skijimi në një zonë të largët të Kanadasë.

    Policia kanadeze në perëndim të Kolumbisë Britanike tha se shtatë persona ishin në bordin e helikopterit, me katër të tjerë të lënduar rëndë.

    Helikopteri mbante një grup skiatorësh të hënën dhe u rrëzua pranë Terrace, një qytet me rreth 12,000 banorë në rajonin Skeena të Kolumbisë Britanike, rreth 112 kilometra në lindje të kufirit me Alaskën.

    Kryeministri i Kolumbisë Britanike, David Eby, tha në një postim në mediat sociale se lajmet për përplasjen janë “zemërthyese” dhe njerëzit në provincë po mendojnë për familjet e atyre që vdiqën, teksa falënderoi shërbimet e urgjencës.

    Autoritetet kanadeze, duke përfshirë shërbimin e mjekëve të British Columbia, Bordin e Sigurisë së Transportit dhe WorkSafeBC, janë gjithashtu të përfshirë në hetimin e përplasjes.

    Hetuesit do të dërgohen në këtë vend të largët për të hetuar sot vendin e ngjarjes.

    Emrat e viktimave nuk janë bërë ende të ditur, pasi autoritetet njoftojnë të afërmit e tyre.

  • SBAShK: Shkollat i kanë bërë të gjitha përgatitjet për fillimin e gjysmë-vjetorit të dytë

    SBAShK: Shkollat i kanë bërë të gjitha përgatitjet për fillimin e gjysmë-vjetorit të dytë

    Nënkryetarja e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës së Kosovës (SBAShK), Vjollca Shala, ka thënë se shkollat kanë bërë të gjitha përgatitjet që nesër të filloj gjysmë-vjetori i dytë për të gjithë nxënësit e arsimit parauniversitar.

    Ajo ka thënë se nga informacionet që kanë nga kryetarët e komunave, shkollat janë të gatshme që nesër të filloj mësimi.

    Shala tha se në Kosovë është duke u eksperimentuar me arsimin parauniversitar, kjo pasi ndryshimeve të pushimeve për nxënësit.

    “Nesër do të filloj gjysmë-vjetori i dytë për të gjithë nxënësit e arsimit paraunversitar, çka se nga informacionet që i kemi nga kryetarët nëpër komuna janë bërë të gjitha përgatitjet që nesër të filloj mësimi i gjysmë-vjetorit 2023/24”, tha ajo.

    “Edhe pse në vazhdimësi po eksperimentohet i gjithë arsimi në Kosovë, e veçanti ai paraunversitar, tani po eksperimentohet pushimi dimëror ngase po ndryshojnë datat, gjatësia e pushimeve dimëror, pranveror”, tha ajo për EO.

  • Prishtina ofron shërbime shëndetësore falas për policët e Kosovës

    Prishtina ofron shërbime shëndetësore falas për policët e Kosovës

    Policët e Kosovës do të kenë mundësi t’i shfrytëzojnë falas të gjitha shërbimet që ofron Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Prishtinë. Kjo pas vendimit që ka marrë Asambleja Komunale në kryeqytet.

    Për t’i njoftuar me shërbimet që ofrojnë drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Izet Sadiku dhe drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxhën vizituan QKMF-në, ku ky i fundit edhe u informua me të gjitha shërbimet që ofrohen falas.

    Sadiku tha se ka njoftuar drejtorin e policisë në detaje për shërbimet që do t’i ofrohen pjesëtarëve të Policisë.

    “Qëllimi ynë ka qenë me njoftuar komandantin se cilat shërbime janë, cilat mund t’i ofrojmë ne për Policinë e Kosovës. Ne e kemi njoftuar në detaje, me qëllim që të gjithë pjesëtarët e policisë të fillojnë me shfrytëzuar këtë të drejtë që ua ka dhënë Asambleja Komunale e Prishtinës,” tha Sadiku.

    Ndërsa, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha shpreson të ketë policë të shëndoshë për t’i shërbyer qytetarëve të Prishtinës.

    “Ishte një vendim shumë i drejtë dhe i mirëpritur nga Policia e Kosovës. Ne do të marrim përsipër që të njoftojmë të gjithë policët e Kosovës dhe t’i shfrytëzojnë këto shërbime që ka ofruar falas kryeqyteti dhe qendrat e mjekësisë familjare. Po shpresojmë të kemi policë të shëndoshë për me i shërbyer qytetarëve të Prishtinës,” shtoi ai.

    Ky vendim është marrë nga Asambleja Komunale e Prishtinës.

  • Pas vrasjes së 18-vjeçarit, deputetët kërkojnë që t’i kushtohet vëmendje shëndetit mendor të fëmijëve e adoleshentëve në shkolla

    Pas vrasjes së 18-vjeçarit, deputetët kërkojnë që t’i kushtohet vëmendje shëndetit mendor të fëmijëve e adoleshentëve në shkolla

    Anëtarët e Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale kanë kërkuar nga institucionet përgjegjëse që të merren me promovimin e shëndetit mendor të fëmijëve dhe adoleshentëve në shkolla, pas rastit të 18-vjeçarit Lulzim Fejzullahu nga Podujeva, i cili ditë më parë u godit me veturë nga persona të dyshuar dhe më pas e rrah për vdekje me shufra metalike, raporton Ekonomia Online.

    Kryetarja e këtij Komisioni, Fatmire Kollçaku, tha se propozon që si Komision të organizojnë një tryezë të përbashkët me ministritë përgjegjëse, ku do të diskutohen për aspektin e shëndetit mendor dhe sa është numri i psikologëve në shkolla.

    Ajo tha se ngjarja e fundit duhet ta shqetësojë të gjithë shoqërinë dhe deputetët.

    “Shpreh ngushëllime për familjen e Lulzimit që humbi jetën padrejtësisht nga bashkëmoshatarë nga një sulm i paparë. Për neve është shumë brengosëse, sepse ka ndodhur mes të rinjve tanë, gjë që ne nuk do të donim të shohim kurrë diçka të tillë. Unë mendoj që ne si Komision ta propozojmë një tryezë të përbashkët me ministrat e Drejtësisë dhe të Arsimit, bashkërisht ta organizojmë dhe ta diskutojmë duke qenëse ne e mbulojmë pjesën e mirëqenies dhe për punë sociale, aspektin e shëndetit mendor, prezenca e psikologëve, sa është numri i tyre, kjo kërkon një shqetësim të gjithë shoqërisë dhe neve si deputet”, tha ajo.

    Deputeti i VV-së, Burim Meta, tha se viti ka filluar me pamje makabre, sipas tij, nga ky rast shihet që të rinjtë kanë probleme të theksuara me shëndetin mendor.

    “Po fillojmë ketë vit me pamje makabre që po ndodhin në shtetin tonë nga akte kriminale të cilat po ndodhin në shtetin tonë. Akoma me e dhimbshme që po ndodhin tek adoleshentet tanë. Po të shohësh këto pamje tronditëse vërejmë që kemi probleme të theksuara me shëndetin mendor”, tha ai.

    Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, tha se ku rast nuk duhet të heshtet por duhet që të ngrihet zëri më fuqishëm dhe të kërkohet përgjegjësi nga institucionet për raste të tilla.

    “Mendoj që nuk është e tepërt vetëm të përsëritet sepse rastet e tillë janë shqetësim.  Mendoj që nuk duhet të heshtet duhet të jetë zëri me i fuqishëm për të gjitha nivelet përgjithësisë si institucionale duke filluar nga edukimi prindror deri te përgjithësia që ka të bëjë me sundimin e rendit te ligjit”, tha ai

    Deputeti i VV-së, Haxhi Avdyli, tha se ka ardhur koha që duhet të merren hapa konkretë sa i përket kësaj çështjeje. Sipas tij, duhet të punohet që këto fenomene të parandalohen duke filluar nga institucionet arsimore.

    “Nuk është hera e parë që ka ndodhur, edhe viteve të kaluara dhe e kemi kaluar duke reaguar dikush nëpër rrjete sociale, dikush duke shkruar ndonjë rresht, por ka ardhur koha që të merren hapa më konkretë në këtë drejtim. Pse jo të nisemi nga ky Komision se detyre e këtij komisioni është edhe të hartojë ligje. Ne duhet të hyjmë në thelb të çështjeve, të merremi me parandalimin e këtyre fenomeve dhe ka mundësi që këto fenomene të parandalohen, duke filluar nga puna më e madhe në institucione të arsimit. Mund të bëjmë ndonjë shtysë ose presion të këtij sektori që shkolla të luajë rol më të madh, po ashtu edhe ne kuptimin edukimit dhe kontrollit të madh”, tha Avdyli.

  • Orbani fton kryeministrin suedez për të diskutuar anëtarësimin në NATO

    Orbani fton kryeministrin suedez për të diskutuar anëtarësimin në NATO

    Kryeministri hungarez, Viktor Orban, i ka dërguar letër homologut të tij suedez, Ulf Kristersson, me ftesë për të diskutuar anëtarësimin e Suedisë në NATO.

    Ai e ka bërë të ditur vendimin përmes një postimi në X – platformë e njohur më parë si Twitter.

    Hungaria dhe Turqia janë vendet e vetme anëtare të aleancës 31-kombëshe, që ende nuk e kanë miratuar kërkesën e Suedisë për anëtarësim.

    Mesazhi i Orbanit ka ardhur në ditën e njëjtë kur Parlamenti turk pritet të votojë për anëtarësimin e Suedisë.

    Në Parlamentin e Hungarisë, votimi është vetëm formalitet, pasi komitetet revelante e kanë dhënë dritën e gjelbër.

    Mirëpo, votimi final është shtyrë vazhdimisht me nxitje të Orhanit, i cili është zemëruar me kritikat e Stokholmit për nivelin e sundimit të ligjit në Hungari.

    Orbani ka thënë se Hungaria dhe Turqia nuk janë duke punuar bashkë për të bllokuar anëtarësimin e Suedisë, por që secila qeveria i ka shqetësimet e veta.

    Suedia dhe Finlanda kanë hequr dorë prej disa dekadave neutralitet, dhe kanë vendosur t’i bashkohen NATO-s, pas nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë.

    Finlanda tashmë është pranuar në aleancë.

    Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022.

    Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

    Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

    Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./REL/

  • Dëshmitarja e 41-të e ZPS-së në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve vazhdon dëshminë në sesion privat

    Dëshmitarja e 41-të e ZPS-së në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve vazhdon dëshminë në sesion privat

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë po vazhdon dëshminë dëshmitarja e 41-të e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) me kodin W04489 në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

    Me të fillluar seanca, kryetari i trupit gjykues Charles Smith III kërkoi që të kalohet në sesion privat për të diskutuar për një çështje dhe si e tillë vazhdoi.

    Ndërsa, se dëshmitarja e 41-të po e vazhdon dëshminë e saj është bërë e ditur përmes një njoftimi nga DhSK.

    Para se të kalohet në sesion privat, gjyqtari Smith III tha se të gjithë të akuzuarit ishin prezent në sallën e gjykimit përveç Jakup Krasniqit, i cili ishte i pranishëm përmes video-lidhjes.

    Përveç të akuzuarit Krasniqi, edhe gjyqtari Guenawl Mettraux është duke e ndjekur gjykimin përmes video-lidhjes dhe sipas Smith III kjo gjë ka ndodhur për shkak të disa problemeve personale të gjyqtarit.

    Nën masa mbrojtëse, dëshmitarja e 41-të ka filluar dëshminë e saj më 17 janar 2024../Betimi për drejtësi

  • Pjetër Shalës i vazhdohet paraburgimi

    Pjetër Shalës i vazhdohet paraburgimi

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë është marrë vendim që Pjetër Shalës t’i vazhdohet paraburgimi edhe për dy muaj të tjerë.

    Me vendimin e 19 janarit 2024, kryetarja e trupit gjykues, Mappie Veldt-Foglia, ka urdhëruar Zyrën e Prokurorit të Specializuar dhe mbrojtjen e viktimave që nëse dëshirojnë t’i paraqesin parashtrimet e veta për shqyrtimin e radhës të paraburgimit, duhet ta bëjnë jo më vonë se 5 marsi 2024.

    Ky është shqyrtimi i 15-të i paraburgimit për të akuzuarin Shala.

    “Për arsyet e lartpërmendura, Paneli përmes kësaj: a. URDHËRON vazhdimin e paraburgimit të të akuzuarit; b. URDHËRON ZPS-në dhe avokatin e viktimave, nëse ai dëshiron, të paraqesë parashtresa për shqyrtimin e radhës të paraburgimit të të akuzuarit jo më vonë se e marta, 5 mars 2024; c. URDHËRON mbrojtjen që të paraqesë parashtresa për shqyrtimin e radhës të paraburgimit të të akuzuarit, nëse dëshiron, jo më vonë se e marta, 12 mars 2024; dhe d. PËRCAKTON që çdo përgjigje, nëse ZPS-ja dhe mbrojtësi i viktimave dëshirojnë, do të dorëzohet jo më vonë se e premtja, 15 mars 2024”, thuhet në vendimin për shqyrtimin e 15-të të paraburgimit për Pjetër Shalën.

    Në parashtrimet e veta, ZPS-ja kishte pohuar se vazhdimi i paraburgimit për të akuzuarin është i domosdoshëm pasi që sipas tyre asnjë rrethanë nuk ka ndryshuar që nga vlerësimi i panelit për shqyrtimin e 14-të të paraburgimit për Shalën.

    “Më konkretisht, ZPS rikujton se, në vendimin e tij të katërmbëdhjetë për paraburgimin, trupi gjykues konstatoi se ekzistonte një dyshim (mirë) i bazuar se i akuzuari ka kryer krime të shumta brenda juridiksionit të DhSK-së dhe pohon se asnjë rrethanë që mund ta ndryshojë këtë përcaktim nuk është përfshirë që atëherë”, thuhet në vendim, sipas Betimit për Drejtësi.

    Tutje, në vendim thuhet se ZPS-ja mban qëndrimin se rreziku i arratisjes ekziston duke argumentuar se gjykimi është drejt fundit dhe kjo gjë e rritë edhe me tej rrezikun.

    “ZPS-ja përsërit më tej argumentin e saj se të gjitha këto rreziqe mund të zbuten vetëm me mbajtjen e vazhdueshme të të akuzuarit në objektet e paraburgimit të DhSK-së, ku komunikimet dhe lëvizja e tij mund të monitorohen dhe kufizohen në mënyrë efektive”, thuhet në vendim.

    Ndërsa, mbrojtja e Shalës ka pohuar se vazhdimi i paraburgimit për të akuzuarin është i paligjshëm.

    “Mbrojtja pohon se vazhdimi i paraburgimit të të akuzuarit është i paligjshëm dhe se lirimi i tij me kusht është i garantuar, pasi ZPS nuk ka dëshmuar se paraburgimi i tij mbetet i nevojshëm në kohën e shqyrtimit”, thuhet në vendim, duke theksuar që në parashtrimet e veta mbrojtja ka thënë se duhet të merret parasysh sjellja e mirë e të akuzuarit në objektet e paraburgimit të DhSK-së.

    Mbrojtja ka pohuar se i akuzuari nuk ka rrezik të ikë dhe se konkludimi i ZPS-së lidhur me këtë çështje, sipas tyre është spekulativ dhe i pabazuar.

    “Lidhur me rrezikun e arratisjes, mbrojtja pohon se i akuzuari nuk rrezikon ikjen dhe kujton gjetjen e Panelit në vendimin e katërmbëdhjetë të paraburgimit në lidhje me këtë. Ajo shton se parashtresa e ZPS-së se mbyllja e afërt e procedurës rrit rrezikun e ikjes së të akuzuarit është e pabazuar, spekulativ dhe nuk mund të përbënte një rrethanë ndërhyrëse që do të ndryshonte gjetjen e mëparshme të Panelit”, thuhet tutje.

  • Uglanin: Mbi 4 mijë qytetarë nënshkruan peticionin për shkarkimin e Erden Atiqit

    Uglanin: Mbi 4 mijë qytetarë nënshkruan peticionin për shkarkimin e Erden Atiqit

    Grupi iniciues i qytetarëve për shkarkimin e kryetarit në veri të Mitrovicës, Erden Atiq, ka dorëzuar të hënën peticionin te kryesuesi i Kuvendit Komunal të kësaj komune, ndërsa janë 508 nënshkrime më shumë të mbledhura sesa minimumi i duhur.

    Këtë e ka bërë të ditur për KosovaPress, Nexhat Uglanin, kryesuesi i Kuvendit Komunal të Mitrovicës Veriore.

    Sipas tij, numri i qytetarëve të cilët kanë nënshkruar peticionin rreth shkarkimit të kryetarit të kësaj komune është 4 mijë e 148, nga 3 mijë e 640 sa ishte e nevojshme.

    “Po, kam pranuar dje pasdite peticionin me nënshkrime nga grupi iniciues. Janë 508 nënshkrime më shumë sesa ka qenë e nevojshme. Tani afati ligjor për ta dorëzuar peticionin në KQZ është tre ditë dhe unë do ta bëjë këtë të enjten, ndërsa ata e bëjnë vlerësimin”, ka thënë për KosovaPress Uglanin.

  • Miratohet raporti përfundimtar për projektligjin e shëndetit riprodhues dhe fertizilim të asistuar mjekësor

    Miratohet raporti përfundimtar për projektligjin e shëndetit riprodhues dhe fertizilim të asistuar mjekësor

    Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, me 5 vota për dhe një kundër ka miratuar raportin përfundimtar për Projektligjin për shëndetin riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor, raporton Ekonomia Online.

    Kundër këtij projektligji ka votuar vetëm deputetja e LV-së, Labinotë Demi-Murtezi.

    Kryetarja e këtij Komisioni, Fatmire Kollçaku tha se janë përmbushur të gjitha kushtet për procedimin e këtij projektligji për në Kuvendin e Kosovës dhe se tani i mbetet Kuvendit për miratim ose jo të këtij Projektligji.

  • Mbyllet për publikun seanca ndaj të akuzuarve për vrasjen e biznesmenit Bedri Rexhepi

    Mbyllet për publikun seanca ndaj të akuzuarve për vrasjen e biznesmenit Bedri Rexhepi

    Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, seanca e së martës në rastin ku Jeton dhe Nexhat Vllasaliu po akuzohen për vrasjen e biznesmenit Bedri Rexhepi, është mbyllur sërish për publikun.

    Nga zyra e kryetares së trupit gjykues, Medie Bytyqi, u bë e ditur se edhe seanca e sotme mbyllet për publikun me kërkesë të prokurorit Armend Hamiti, ku pritet të dëshmojë dëshmitari D.K., dhe një tjetër dëshmitare, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Arsyetimi për mbylljen e seancës ishte se gjatë këtyre dëshmive, mund të jepen të dhëna që i përkasin jetës personale dhe familjare.

    Jeton dhe Nexhat Vllasaliu ishin deklaruar të pafajshëm në seancën e 14 nëntorit 2022.

    Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Jeton dhe Nexhat Vllasaliu ngarkohen se prej periudhës 9 janar 2021 deri më 8 prill 2021, në bashkëkryerje pas marrëveshjes paraprake, kishin filluar planifikimin për të privuar nga jeta të dëmtuarin, Bedri Rexhepi, me qëllim të fitimit të dobisë pasurore. Fillimisht, thuhet se i kishin ndarë rolet dhe planifikuar veprimet dhe Jeton Vllasaliu duke shfrytëzuar besimin që i dëmtuari/i ndjeri Rexhepi kishte ndaj tij, e vë në lajthitje të njëjtin, ashtu që duke filluar nga 9 janar 2021, i kishte ofruar për shitje dy vetura, një “Range Rover” dhe një “BMW X3”, për vlerën prej 30 mijë euro.

    Aktakuza thotë se i pandehuri Jeton, më 8 prill 2021 të dëmtuarin Rexhepi e dërgon në fshatin Vllasali në shtëpinë e të pandehurit Nexhat ku paraprakisht kishin planifikuar vrasjen e tij, e më pas i pandehuri Jeton në mënyre tinëzare e privon nga jeta Rexhepin, duke menduar se ka me vete shumën e të hollave dhe atë në vlerë prej 30 mijë euro, siç edhe ishin marrë vesh për shitjen e veturave, e më pas kufomën e të ndjerit e dërgon në katin e tretë të shtëpisë. Të nesërmen, thuhet se së bashku e marrin kufomën dhe i pandehuri Nexhat e varros për t’i zhdukur gjurmët.

    Me këtë, akuzohen se kanë kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” dhe “Dëmtim i varreve apo kufomave”.