ATV

Author: G.O.

  • Të vrarë e të plagosur në valën e re të sulmeve ruse në Ukrainë

    Të vrarë e të plagosur në valën e re të sulmeve ruse në Ukrainë

    Disa persona janë vrarë dhe plagosur më 23 janar, si pasojë e valës së re të sulmeve ruse me raketa në qytetet ukrainase, përfshirë kryeqytetin Kievin.

    Sistemet e alarmeve janë aktivizuar në gjithë territorin e Ukrainës.

    Në Kiev, të paktën një grua është vrarë dhe nëntë persona tjerë janë plagosur, ka thënë kryetari i kryeqytetit Vitali Klitschko në platformën Telegram.

    Tri distrikte – Peçerks, Sviatoshinsk dhe Solomjansk – janë shënjestruar në sulm, ka thënë Klitschko.

    Sipas tij, tetë persona janë shtruar në spital.

    Në Harkiv, qytetin e dytë më të madh të Ukrainës, raketat ruse Kh-22 kanë goditur shënjestra civile, ka thënë guvernatori rajonal Oleh Synyehubov, po ashtu, në Telegram.

    “Si rezultat, 28 persona janë plagosur. Dy gra, 56 dhe 40 vjeçe, fatkeqësisht, janë vrarë”, ka thënë ai, duke publikuar pamje të ndërtesave krejtësisht të shkatërruara.

    Raketat ruse kanë goditur edhe qytetin Pavlohrad, në rajonin jugor të Dnjipropetrovskut, duke e vrarë të paktën një person.

    Në javët e fundit, Rusia i ka intensifikuar sulmet me raketa në shënjestrat civile në Ukrainë, duke shkaktuar një mori vdekjesh, plagosjesh dhe dëmesh materiale.

    Qyteti i Harkivit është goditur në veçanti.

    Sipas zyrtarëve ukrainas, vetëm në periudhën 29 dhjetor 2023 – 2 janar 2024, Rusia ka nisur më shumë se 500 dronë të prodhuar prej Iranit në qytetet ukrainase.

    Kjo valë sulmesh ka rritur presionin në kapacitetet ajrore për mbrojtje të Ukrainës, dhe rezervat e municioneve, për çka presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka shtuar thirrjet ndaj aleatëve që t’i ndihmojnë Kievit.

    Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022.

    Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

    Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

    Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./REL/

  • Vodhën çantat e krahut nga katër gra serbe, arrestohen dy persona në veri të Mitrovicës

    Vodhën çantat e krahut nga katër gra serbe, arrestohen dy persona në veri të Mitrovicës

    Policia ka bërë të ditur se brenda 10 ditësh janë vjedhur çantat e krahut të katër femrave serbe në raste të ndara.

    Sipas tyre të njëjtat kanë qenë duke ecur rrugës derisa janë plaçkitur, ndërsa dy të dyshuarit për rastin janë arrestuar.

    Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për Veri, Veton Elshani tha se të arrestuarit për rastet e vjedhjes kanë qenë bashkëpunues dhe kanë pranuar fajësinë, ku edhe janë gjetur 3 çantat bashkë me dokumente.

    “Rasti i parë ka ndodh me datën 11.01.2024 rreth orës 18:30 në rrugën ,,Knjaz Millosh” ku viktime ka qene një femër e nacionalitetit serb, të cilës i eshte vjedhur çanta në të cilën ka qenë 50 euro, 4000 dinarë si dhe dokumentet personale të Shtetit të Kosovës dhe Serbisë”.

    “Rasti i dytë ka ndodhur me datën 13.01.2024 rreth ore 20:20 në rrugën ,,Knjaz Millosh” ku viktimë ka qenë një femër e re serbe të cilës i është vjedhur çanta e krahut derisa ka qenë duke ecur rrugës e vetme. Më ketë rast të njëjtës i janë vjedhur dokumentet zyrtare”.

    “Rasti i tretë ka ndodhur me datën 20.01.2024 rreth orës 22:25 në rrugën “Kral Petar” në Mitrovicen Veriore ku viktimë ka qenë një femër serbe të cilës i është vjedhur çanta e krahut ku në të ka pas një telefon, një pjesë të vogël të parave, si dhe dokumentet e Kosovës dhe Serbisë”..

    “Rasti i fundit ka ndodhur me datën 22.01.2024 rreth orës 18:00 në rrugën ,,Knjaz Millosh” ku përsëri viktime ka qenë një femër serbe e moshës se re, të cilës i është vjedhur çanta nga krahu dhe në çantë ka pas dokumentet personale të Kosovës dhe Serbisë”.

    Ndryshe, policia ka bërë të ditur se të arrestuarit janë N.S. 21.02.1998 dhe S.H. 17.03.1992.

    Në konsultim me Prokurorin e shtetit të dyshuarve u caktohet masa e ndalimit deri në 48 orë.

  • Kanoset me armë zjarri një person në Ferizaj

    Kanoset me armë zjarri një person në Ferizaj

    Është kanosur me armë zjarri një person në Ferizaj.

    Sipas policisë, tre persona kanë raportuar se pas një mosmarrëveshje me të dyshuarin mashkull kosovar, i njëjti në një distancë rreth 150 metrave ka shtënë disa herë me armë zjarri.

    I dyshuari gjendet në arrati.

    “Ferizaj 22.01.2024-13:53. Tre ankues meshkuj kosovar kanë raportuar se pas një mosmarrëveshje me të dyshuarin mashkull kosovar, i njëjti në një distancë rreth 150 metrave ka shtënë disa herë me armë zjarri. Në konsultim me prokurorin, është bastisur shtëpia e të dyshuarit me ç’rast është gjetur dhe konfiskuar një armë zjarri Revole me gas e cila dyshohet të jetë përdorur në rast, ndërsa i dyshuari gjendet në arrati. Rasti është duke u hetuar.

  • Vazhdon gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë

    Vazhdon gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë, sot do të vazhdojë gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.

    Në Hagë, pritet të vazhdojë dëshminë dëshmitarja e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), e cila është e 41-ta dhe mban kodin W04489 në këtë gjykim.

    Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka nisur më 3 prill të vitit të kaluar, kurse të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm.

    Aktakuza e parë kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe u bë publike më 5 nëntor 2020. Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura në të u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si edhe në Kukës dhe Cahan, në Shqipërinë Veriore.

  • Gërvalla priti korin diplomatik të akredituar në Kosovë

    Gërvalla priti korin diplomatik të akredituar në Kosovë

    Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla, organizoi pritjen tradicionale për korin diplomatik të akredituar në Kosovë.

    Në fjalën e saj mirëseardhëse, ministrja Gërvalla pasi uroj për një vit të mbarë, falënderoi ambasadorët e akredituar në Kosovë për bashkëpunimin gjatë vitit që lamë pas dhe qëndrimin e tyre në mbështetje të proceseve të vështira që kaluam gjatë vitit 2023.

    Sipas një komunikate të MPJD-së, Gërvalla e falënderoi veç e veç secilin ambasador dhe vendet e tyre, duke uruar për një bashkëpunim sa më të mirë në sfidat dhe vlerat e përbashkëta.

  • Borrell: BE-ja duhet të bëjë më shumë për të mbështetur Ukrainën

    Borrell: BE-ja duhet të bëjë më shumë për të mbështetur Ukrainën

    Shefi i politikës së jashtme Josep Borrell, tha se ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian, gjatë takimit në Bruksel më 22 janar, u pajtuan se tani nuk është koha për të reduktuar ndihmën për Ukrainën.

    “Përkundrazi, ne duhet të bëjmë më shumë dhe më shpejt sa i përket burimeve financiare, pajisjeve ushtarake, trajnimeve ushtarake dhe gjithë mbrojtjen që i duhet Ukrainës. Ne do të vazhdojmë të punojmë që të projektojmë këtë ndihmë”, tha Borrell gjatë konferencës për media pas takimit.

    Ai po ashtu njoftoi se planifikon të vizitojë Ukrainën në javën e dytë të shkurtit, por nuk dha një datë specifike për vizitën e tij, apo se me kë planifikon të takohet.

    Në agjendën e takimit të parë të këtij vitit të ministrave të Jashtëm të BE-së u përfshin luftërat në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme.

    Mbrojtja e Ukrainës kundër pushtimit të nisur nga Rusia vazhdon të jetë prioritet për BE-në, tha Borrell para takimit në Bruksel, duke shtuar se konfliktet në Lindjen e Mesme nuk do të shpërqendrojnë bllokun.

    Ukraina “është pika e parë në agjendë”, tha Borrell para takimit.

    “Fakti që ne jemi të përfshirë për të kërkuar një zgjidhje për Lindjen e Mesme nuk nënkupton që ne nuk do të vazhdojmë të mbështesim Ukrainën”, tha ai.

    Ndërkaq, ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, tha se shteti i tij po mbështetet në hapa të shpejtë gjatë çerekut të parë të këtij viti sa i përket hapjes së negociatave për anëtarësim në BE. Ai po ashtu i bëri thirrje bllokut që të rrisë furnizimet me armë dhe të miratojë programin për mbështetje afatgjate për Kievin.

  • Arrestohet një i mitur në Pejë, goditi me veturë një këmbësor

    Arrestohet një i mitur në Pejë, goditi me veturë një këmbësor

    Është arrestur një i mitur në Pejë, pasi dyshohet se duke vozitur veturën, nga pakujdesia ka goditur një këmbësor.

    Siç thuhet në raportin policor, viktima ka pësuar lëndime trupore dhe është dërguar për tretman mjekësor, në spitalin e Pejës.

    Ndërkohë, Policia njoftoi se i dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

    “Rr. Eliot Engel, Pejë 20.01.2024-19:10. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar-i mitur, pasi që i njëjti duke drejtuar veturën, dyshohet se nga pakujdesia ka goditur këmbësorin mashkull kosovar, të cilit i ka shkaktuar lëndime trupore. Viktima është dërguar për tretman mjekësor në spitalin e Pejës, ndërsa i dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, njofton raporti i policisë.

  • Gjendet pa shenja jete një person në Istog

    Gjendet pa shenja jete një person në Istog

    Një burrë është gjetur pa shenja jetë në shtëpinë e tij në Shalinovicë të Istogut, njoftoi Policia e Kosovës.

    Tutje në raportin policor thuhet se me vendim të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore, për obduksion, ndërsa rasti është duke u hetuar.

    “HETIM I VDEKJES- Shalinovicë, Istog  20.01.2024-16:54. Viktima mashkull kosovar është gjetur pa shenja jete në shtëpinë e tij. Njësitet policore dhe mjeku kujdestar kanë dal në vendin  e ngjarjes ku është konstatuar vdekja e viktimës. Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion. Rasti duke u hetuar”, thuhet në raportin 24-orësh të Policisë.

  • Sulmi brutal që i mori jetën të riut nga Podujeva: Zbulohet kush janë të dyshuarit – krejt çka dihet për vrasjen

    Sulmi brutal që i mori jetën të riut nga Podujeva: Zbulohet kush janë të dyshuarit – krejt çka dihet për vrasjen

    Vdekja e 18-vjeçarit nga Podujeva, Lulzim Fejzullahut, tronditi vendin. I riu që ndërroi jetë të shtunën, përfundoi në QKUK para disa ditësh, pasi u rrah brutalisht nga disa të mitur. Për këtë krim makabër, dy persona tashmë ndodhen nën masën e paraburgimit, teksa  po hetohet në zbulimin e rrethanave dhe motivit që çoi deri te ky konflikt që përfundoi tragjikisht, raporton Gazeta Sinjali.

    Sulmi që i mori jetë Lulzimit dyshohet se ndodhi mesditën e 14 janarit, ku për motive akoma të panjohura, në rrugën “Drenica” në Podujevë, dy të dyshuar e sulmuan brutalisht.

    Por çfarë ndodhi në të vërtetë atë ditë?

    Në dosjen e Prokurorisë thuhet se pas një përleshje fizike, dy të dyshuar (të mitur) e kanë goditur me një shkop viktimën, duke i shkaktuar lëndime trupore.

    Si pasojë e këtyre lëndimeve të marra, viktima ishte dërguar në QKUK për trajtim mjekësor, ndërsa po në të njëjtën ditë, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, dy të miturit janë ndaluar për shkak të veprës penale “Vrasje në tentativë” (tashmë vrasje) dhe rasti ka filluar të trajtohet në Prokurorinë Themelore në Prishtinë.

    Dy të dyshuarit që ndodhen prapa grilave për këtë rast janë E.Kadriu (16-vjeçar) dhe A.Abdullahu (17-vjeçar).

    Për këtë rast të tmerrshëm kanë folur edhe familjarët e të ndjerit. Ata thonë se pas një fjalosje me disa persona, Lulzimi është përplasur nga një veturë dhe më pas është goditur me shkopinj bejsbolli, duke i shkaktuar lëndime të rënda.

    “Unë jam axha i tij. Lulzimi si 18 vjeçar ka qenë puntorë, ka qenë jetim. Pa dy prindtë. Prej dorës kruiminele shqiptare. Maspari e kanë ndjek me kerr, e kanë shkel, e kanë shtypë e kanë rrëzuar. Kur e kanë rrezuar Lulzimin, e kanë goditur me stupca bejsbolli derisa sot në ora 3 pasdite ndërroi edhe jetë”, tha axha i Lulzimit.

    Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

  • 18 vjet nga vdekja e presidentit historik, Ibrahim Rugova

    18 vjet nga vdekja e presidentit historik, Ibrahim Rugova

    Këtë të diel të 21 janarit shënohet 18-vjetori i vdekjes së ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova.

    Gjatë ditës së sotme, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku dhe partiakët e tjerë, do të bëjnë homazhe te varri i presidentit historik në Velani, me rastin e 18-vjetorit të vdekjes së tij.

    Ndërsa, nga ora 09:30, presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, do të jetë gjithashtu te varri i ish-presidentit Rugova, për të bërë homazhe.

    Rugova ka ndërruar jetë më 21 janar të vitit 2006 dhe është varrosur me nderime të larta shtetërore e ushtarake.

    Ka lindur më 2 dhjetor 1944 në fshatin Cercë të komunës së Istogut. Shkollën fillore e ka kryer në Istog, të mesmen në qytetin e Pejës më 1967. Ndërsa, ka studiuar në Fakultetin Filozofik- Dega Gjuhë e Letërsi Shqipe në Prishtinë. Ka doktoruar në fushën e letërsisë në UP më 1984.

    Më 1996, Ibrahim Rugova u zgjodh anëtar korrespondent i Akademisë së Arteve dhe të Shkencave të Kosovës.

    Po në këtë vit ai u shpall doktor nderi i Universitetit të Parisit VIII në Paris.

    Autor i dhjetë librave, presidenti historik, Ibrahim Rugova ishte në nismë redaktor në gazetën e studentëve “Bota e re” dhe në revistën shkencore “Dituria” (1971-72), që botoheshin në Prishtinë. Pastaj për afro dy dekada, ai punoi në Institutin Albanologjik të Prishtinës si hulumtues i letërsisë. Për një kohë ka qenë kryeredaktor i revistës “Gjurmime albanologjike”, që e nxirrte ky Institut.