ATV

Author: G.O.

  • Nga QKMF-ja bëhet thirrje që nëpërmjet e-kosova të nisë përzgjedhja e mjekut nga ana e qytetarëve

    Nga QKMF-ja bëhet thirrje që nëpërmjet e-kosova të nisë përzgjedhja e mjekut nga ana e qytetarëve

    Nëpërmjet platformës e-Kosova qytetarët do të kenë mundësinë të zgjedhin mjekun e tyre familjar, për vetën, fëmijën e familjarët e tyre.

    Përzgjedhja ka filluar tashmë dhe fillimisht po mundësohet për qytetarët e komunës së Prishtinës në dy qendra të mjekësisë familjare si dhe në Lipjan, Istog e Prizren.

    “Unë ju bëjë thirrje dy qendrave, QMF nr.4 në Breg të diellit dhe atyre numër 5 në dardani dhe Ulpianë që të hyjnë në e-Kosova dhe të shkojnë te pjesa e shëndetësisë dhe të zgjedhin mjekun familjarë dhe do të zgjedhet mjeku familjar që preferojnë ta zgjedhin.”, tha Bujar Gashi, drejtor i qendrës kryesore të mjekësisë familjare.

    Pilot projekti do të zgjasë edhe përafërsisht 3 javë.

    “Sigurisht në nivelin qendror MSH është duke bërë kampanjën në mënyrën e  tyre. Normalisht edhe komunat  do të fillojnë ta përkrahin këtë kampanjë…këta që regjistrohen tani nuk do të kenë nevojë të regjistrohen prapë..”, thotë tutje Gashi.

    Një gjë e tillë po mirëpritet nga qytetarët.

    Pilot projekti i paraparë për 4 komunat ka nisur të zbatohet që nga 9 janari.

    Ndërkohë projekti final ku do të përfshihen të gjitha qendrat e mjekësisë familjare, pritet të nisë në prill të këtij viti./atvlive.tv/

  • Ulja eventuale e pagesave për avokatët e të akuzuarve nga Specialja

    Ulja eventuale e pagesave për avokatët e të akuzuarve nga Specialja

    Ministria e Drejtësisë ka nisur ndryshimin e Udhëzimit Administrativ për Mbrojtjen Juridike të Personave të Akuzuar në Dhomat e Specializuara.

    Përmes këtij projekt-udhëzimi që është në diskutim publik, synohet përcaktimi i tarifave fikse për avokatët, varësisht nga kompleksiteti i lëndës.

    Te tabela e tarifave, deri tani pagesat ishin të prera. Për kompleksitetin e nivelit 1: në fazën e procedurës paraprake avokati paguhej 30 mijë euro. Në fazën e gjykimit paguhej 50 mijë euro e kështu me radhë. Tani, në secilën pagesë është vendosur togfjalëshi “deri në”.
    Pikërisht ky element, sipas juristit Xhevdet Smakiqi, i cili ka punuar në udhëzimin administrativ bazë të vitit 2020, nënkupton që pagesat e avokatëve mund të ulen.

    “Këto ndryshime nënkuptojnë që avokatët mbrojtës do të mund të paguhen më pak sesa vlera që ishte e vendosur më herët, varësisht nga kompleksiteti i lëndëve dhe fazave të gjykimit…” thotë ai.

    Diçka të tillë nuk e mohoi as Ministria e Drejtësisë në një përgjigje për ATV-në.

    “Duke u bazuar nga kompleksiteti i lëndës Komisioni për shqyrtim dhe vendosje do të vendos lidhur me kërkesat”, thuhet në përgjigjen e MD-së.

    Ndryshimi eventual për çështjen e pagesave, vlerësohet se mund të ketë ndikim negativ.

    “Kjo do të mund ndikojë negativisht në mbrojtjen e të akuzuarve nga gjykata speciale…”, thote Smakiqi.

    Bashkë me Ligjin për Dhomat e Specializuara, në vitin 2015 ishte miratuar edhe ligji që të akuzuarve potencialë ua jepte të drejtën për ndihmë financiare dhe mbulim të shpenzimeve të mbrojtjes.

    Por, në korrik të 2020-ës, u miratua Udhëzimi Administrativ, i cili përcaktonte se mbulimi financiar bëhej në bazë të tarifave të Odës së Avokatëve të Kosovës.
    Avokatët e të akuzuarve nga Gjykata Speciale paguhen nga buxheti i Kosovës./atvlive.tv/

  • Defekti në ashensor, vajzës nga Prishtina i kushtoi me amputim të këmbës

    Defekti në ashensor, vajzës nga Prishtina i kushtoi me amputim të këmbës

    Një ashensor i vendosur në njërën nga ndërtesat e Lagjes Dardania në Prishtinë, në vitin 2015, u bë shkaktar që vajza e familjes Stublla, të mbesë me aftësi të kufizuar.

    “Shkaktar i amputimit të këmbës së vajzës ka qenë ky lift, në vitin 2005 vajza ka qenë me dy shokë të vogël, ka qenë 8 vjeçare, tu ardhë në lift, lifti nuk ka pasë dyer mbrojtëse, vajza si fëmijë me patika dhe dredhat e patikave ja ka nxonë lifti ja ka bartë zvarr prej katit të parë deri në katin e 6-të dhe ja ka nxonë këmbën, aty është dashtë me ia amputu këmbën për shkak që nuk ka pasë kurrfarë shprese për të”, tha Hadije Stublla.

    Që nga ajo kohë ashensorët janë jashtë funksionit, e kjo gjë po ua vështirëson lëvizjen banorëve të kësaj ndërtese.

    “Unë jam e diagnostikuar me kancer të gjirit ka që 9 vite, nuk po mundem me ja dal, me shku poshtë dhe mu kthy prapë lartë me shkallë. Javën tjetër e kam terminin me shku me marr terapinë për vete, nuk e di se si ko me shku deri te spitali.” , shtoi tutje ajo.

    Pavarësisht kërkesave në Komunën e Prishtinës për funksionalizimin e ashensorëve, ajo thotë se nuk është ndërmarrë asgjë lidhur me këtë çështje.

    Nga e premtja, televizioni ka pritur që Komuna e Prishtinës të përgjigjet në lidhje me këtë cështje, mirëpo të njëjtit kanë qenë të paqasshëm.

    Derisa, në buxhetin për vitin 2024, Komuna e Prishtinës ka ndarë 150mijë euro, për rregullimin dhe ndërtimin e ashensorëve- “Qendra”, “Tophane,”Dodona”, “Bregu i Diellit”, “Ulpiana”, “Dardania”, “Lakërishta”, “Aktashi”./atvlive.tv/

     

  • Betonohet rruga me kalldrëm në qendrën historike të Prizrenit, MKRS-ja kërkon që rruga të kthehet në gjendjen e mëparshme

    Betonohet rruga me kalldrëm në qendrën historike të Prizrenit, MKRS-ja kërkon që rruga të kthehet në gjendjen e mëparshme

    Punimet për shtrirjen e rrjetit të ujësjellësit i çoi në fund, por kompania kontraktuese nuk iu përmbajt kritereve të kontratës.

    Në vend të kalldrëmit, në rrugën historike të Prizrenit “Berati”, që të çon te kalaja, u shtrua beton.

    Për këtë komuna ka urdhëruar kompaninë ta largojë betonin, e ta kthejë rrugën në gjendjen e mëparshme.

    “Ne si drejtori e kemi gjetë si kontratë kur kemi ardhë në pushtet. Operatori ka pasë ngecje në kthimin e asaj infrastrukturës e cila është obligative me kontratë. Në momentin që kanë reagu edhe inspektorati edhe qendra, kemi ba vërejtje që operatori me iu përmbajt kontratës. Ne kemi kërkuar në mënyrë urgjente që të rifillohet me vendosjen e kalldrëmit lumor dhe operatori është duke intervenuar”, tha Çelë Lamaj, drejtor i shërbimeve publike në Prizren.

    Betonimi i rrugës “Berati”, u pa me shqetësim edhe nga prizrenasit.

    Punimet në këtë pjesë të njohur si “nënkalaja”, kishin filluar me pëlqimin e Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren, që funksionon brenda Ministrisë së Kulturës.

    Por me të dalë në teren ata kishin parë edhe gjendjen e rrugës. Sipas tyre, nëse rruga nuk kthehet në gjendje të mëparshme do të marrin masa. Inspektorati i trashëgimisë kulture, po ashtu, ka thënë se secili veprim ose mosveprim, i cili dëmton asetet e trashëgimisë kulturore në “kompleksin Nënkalaja”, është i dënueshëm, sipas ligjit të Trashëgimisë Kulturore dhe Kodit Penal të Republikës së Kosovës./atvlive.tv/

  • Gjermania do t’i shtojë trupat e saj në Kosovë, Mulolli: Shtimi i trupave është i mirë se ardhur, por rezoluta 1244 parasheh largimin e tyre

    Gjermania do t’i shtojë trupat e saj në Kosovë, Mulolli: Shtimi i trupave është i mirë se ardhur, por rezoluta 1244 parasheh largimin e tyre

    Trupat gjerman në Kosovë pritet të shtohen. Një kontingjent i ri i ushtarëve gjerman do të vinë në Kosovë në maj të këtij viti. Krejt kjo sipas ambasadorit Gjerman në Kosovë Jorn Rohde, për shkak të situatës së brishtë mes Kosovës dhe Serbisë.

    Madje sipas tij, sulmi terrorist i 24 shtatorit në Banjskë të Zvecanit ka ndryshuar gjithçka.

    Ai po kërkon që autorët e këtij sulmi të ndëshkohen.

    “Ishte një sulm terrorist. Ajo që duam është paqe dhe stabilitet. Sulmet si ky janë saktësisht e kundërta e kësaj. Nëse nuk dënohen autorët e sulmit në Banjskë, si mund të rritet besimi mes dy vendeve. Personalisht, nuk mund ta imagjinoja se do të ndodhte diçka e tillë, dhe për këtë arsye NATO e shtoi praninë e saj dhe Gjermania do të bëjë të njëjtën gjë me një kontingjent të ri nga maji”, u shpreh Rohde.

    Mirëpo, shtimi i trupave gjerman në Kosovë sipas njohësit të çështjeve politike, Fitim Mulolli, ka edhe anë pozitive por edhe negative për vendin.

    Derisa Ambasadori gjerman vlerëson se mes Kosovës dhe Serbisë, mund të ketë konflikt të ngrirë, Mulolli thotë se pas sulmit të Banjskës, Kosova është në pozitë më të favorshme në procesin e dialogut.

    Ndërsa, duke folur për integrimin evropian, Rohde ka theksuar se nëse Evropa nuk vjen në rajon dhe nëse rajoni nuk i bën detyrat e shtëpisë, qytetarët e Ballkanit Perëndimor do të kërkojnë ikje në vendet evropiane./atvlive.tv/

  • Një 61-vjeçare sulmohet nga qentë endacak në Prishtinë

    Një 61-vjeçare sulmohet nga qentë endacak në Prishtinë

    Punët në qytet i kreu por gjatë rrugës për në shtëpi, Merita Mehmetit, i ndodhi e papritura. 61-vjeçarja sulmua nga një grumbull qensh endacak në rrugën “Bajram Kelmendi” në Prishtinë.

    Për shkak se 61-vjeçarja ishte në gjendje të rëndë emocionale, për sulmin foli biri i saj, Dren Rugova.

    “Nëna ka dalë t’i kryej disa obligime gjatë ditës edhe tu kthye në mesditë gjatë orës një e kanë kafshua qentë mbrapa te pjesa e gjurit, fatmirësisht ka pas njerëz e kanë fut në lokal për me qetësua se ka qenë e shqetësuar, dhe disa kalimtarë të vullnetit të mirë e kanë marrë e kanë dërgua te ambulanta lokale, e ka marrë një vaksinë dhe ia kanë trajtua plagën pastaj kemi shkuar në QKMF edhe aty ka marrë një vaksinë tjetër për me vazhdua me antibiotikun”, tha ai.

    Pikërisht në rrugën ku pësoi e moshuara, qentë vazhdojnë të jenë prezent.
    Andaj, që të evitohet ndonjë incident i radhës, Rugova kërkon përgjegjësi nga institucionet.

    “Viktimat po janë fëmijët, personat e moshuar, është shqetësuese se përveç viktimave askush nuk po reagon, dikush duhet me marr përgjegjësi për këto punë që po ndodhin, askush nuk po shqetësohet për sulmet nga qentë endacak përveç atyre që po pësojnë”.

    Njëjtë si nëna e Drenit, cak i qenve endacak ishte edhe një qytetar tjetër i kryeqytetit.

    Me një situatë të ngjashme u përball edhe një tjetër qytetar, porse ia doli më lehtë.

    “Mua më ka ndodh disa herë mirëpo fatmirësisht kam shpëtuar, shumicën e qenve në kryeqytet pi sjellin nga fshatrat përreth”, tha Agim Krasniqi.

    Njëkohësisht, të rrezikuar nga numri i madh i qenve endacak shprehen prindërit, të cilët çdo ditë detyrohen t’i përcjellin fëmijët e tyre për në shkollë.

    Ndryshe, çdo ditë 7 deri në 8 pacientë marrin trajtim mjekësor prej sulmeve nga qentë endacak në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë.

    Komuna e Prishtinës me qëllim evitimin e tyre ka miratuar rregulloren ku çdo qytetar që adapton një qen endacak do të përfitojë 50 euro në muaj.

    Por, një muaj më parë ATV-ja ka raportuar se interesimi për adoptimin e tyre është shumë i ulët./atvlive.tv/

  • Ky është i riu nga Podujeva që vdiq pasi u rrah brutalisht nga dy persona para disa ditësh

    Ky është i riu nga Podujeva që vdiq pasi u rrah brutalisht nga dy persona para disa ditësh

    Ka vdekur i riu nga Podujeva, pasi u rrah brutalisht para disa ditësh në rrugën “Drenica” në Podujevë.

    Bëhet fjalë për Lulzim Fejzullahun, 18-vjeçar. Lajmin për vdekjen e tij e kanë konfirmuar familjarët.

    Sipas familjarëve, i njëjti ishte goditur me veturë, e më pas ishte sulmuar me mjete të forta, duke i shkaktuar tashmë plagë vdekjeprurëse.

    Ditë më parë Policia ka thënë se për këtë rast janë arrestuar dy persona.

  • Ekspertja amerikane: Nëse nuk e ndalojmë Rusinë, radhën e ka Ballkani

    Ekspertja amerikane: Nëse nuk e ndalojmë Rusinë, radhën e ka Ballkani

    Ekspertja amerikane e sigurisë, Ivana Stradner, ka komentuar fjalimin e presidentit amerikan, Joe Biden, të mbajtur dje në Shtëpinë e Bardhë e ku flet për agresionin rus në Ukrainë dhe shtron pyetjen se çfarë mund të ndodh nëse Amerika largohet dhe Putin mposht Zelenskyn.

    Stradner ka thënë se për një kohë të gjatë ka paralajmëruar për rrezikun e një lufte në Ballkan dhe se më në fund SHBA-ja ka hapur sytë.

    Ajo ka thënë se nëse SHBA-ja nuk e ndalë Rusinë, radha është për Ballkanin, meqë Rusia kërkon një front të dytë në Evropë.

    “Unë kam paralajmëruar për një luftë në Ballkan për një kohë të gjatë dhe më në fund SHBA ka hapur sytë. Nëse nuk ndalojmë Rusinë, Ballkani është i radhës. Fronti i Dytë i Rusisë në Evropë”, ka shkruar ajo.

  • Gjermania: Në pranverë dërgojmë forcat shtesë në Kosovë për shkak të përkeqësimit të sigurisë

    Gjermania: Në pranverë dërgojmë forcat shtesë në Kosovë për shkak të përkeqësimit të sigurisë

    “Bundeswheri” gjerman përmes një njoftimi për media kanë bërë të ditur se si rezultat i përkeqësimit të situatës së sigurisë në Kosovë, Gjermania do ta rris numrin e forcave të saj që janë në Kosovë në kuadër të KFOR-it. Ky kontingjent gjerman i këmbësorisë do të zbarkojë në Kosovë në pranverë.

    “Bundeswheri bën një kontribut të rëndësishëm në stabilitetin dhe sigurinë e Kosovës përmes KFOR-it. Gjermania është shteti i parë që do të rris përkushtimin duke dërguar forca shtesë këmbësorie”, thuhet në njoftim e Bundesëher.

    Nga 80 ushtarë gjermanë sa janë aktualisht në Kosovë në kuadër të KFOR-it, numri i tyre do të shkojë në 300 së bashku me stafin mbështetës.

    Për këtë çështje ka folur edhe Gjenerali gjerman Bernd Schutt, duke thënë se trupat shtesë gjermane do të zbarkojnë në Kosovë në pranverë.

    “Në pranverë do të dërgojmë një kompani shtesë këmbësorie në veprim,” ka thënë gjenerallejtënant Schutt.

    Duke dhënë detaje për forcat shtesë që do të vijnë në Kosovë, Schut ka thënë se ata do të bëjnë patrullime, detyra të sigurisë dhe nëse do të jetë e nevojshme edhe de-përshkallëzim në rast të trazirave dhe protestave.

    “Portofoli i tyre i detyrave përfshin patrullimet, detyrat e sigurisë dhe, nëse është e nevojshme, de-përshkallëzimin gjatë protestave dhe trazirave,” shpjegoi gjenerallejtënant Schütt.

    Bundesëher njofton se shtimi i trupave gjermane në Kosovë në selinë e KFOR-it është pritur tepër mirë.

  • Ulutas mirëpret shtimin e forcave gjermane në Kosovë: KFOR i gatshëm t’i përgjigjet çdo sfide

    Ulutas mirëpret shtimin e forcave gjermane në Kosovë: KFOR i gatshëm t’i përgjigjet çdo sfide

    Komandanti aktual i KFOR-it, Ozkan Ulutas, ka mirëpritur vendimin e Gjermanisë për rritjen e numrit të forcave në kuadër të KFOR-it në Kosovë.

    Ai ka thënë se njoftime të tilla tregojnë vendosmërinë e shteteve aleate për t’u siguruar që KFOR-i ka kapacitetet e nevojshme për të përmbushur mandatin e saj.

    Ulutas ka thënë se KFOR do të vazhdojë të përpiqet për të parandaluar çdo përshkallëzim dhe se misioni ushtarak është i gatshëm për t’iu përgjigjur çdo sfide.

    “Ne do të vazhdojmë të përpiqemi për të parandaluar çdo përshkallëzim dhe jemi të gatshëm t’i përgjigjemi çdo sfide”, ka thënë Ulutas.