ATV

Author: G.O.

  • Damati në rastin e Konjufcës: S’ka elemente të veprës penale, qëllimi ishte mbrojtja e 8 mijë hektarë toke

    Damati në rastin e Konjufcës: S’ka elemente të veprës penale, qëllimi ishte mbrojtja e 8 mijë hektarë toke

    Musa Damati, avokat i deputetit të AAK-së, Pal Lekaj, ka deklaruar se aktakuza e Prokurorisë ndaj kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, nuk ka elemente të veprës penale dhe se qëllimi ishte mbrojtja e 8 mijë hektarë toke në rastin e demarkimit të kufirit me Malin e Zi, raporton Ekonomia Online.

    Sipas Damatit, veprimet politike nuk duhet të gjykohen, teksa kërkon nga institucionet e drejtësisë të merren me krimet e organizuara.

    “Veprime këto të cilat ishin bërë nga një numër i deputetëve të opozitës së asaj kohe me rastin e demarkimit kufirit si pjesë e kundërshtimit të demarkacionit me Malin e Zi e cila kishte për synim që Kosovës t’i kursente në aspektin territorial rreth 8 mije hektar tokë dhe unë mendoj si avokat si veprime të tilla politike si pjesë e rezistencës politike të deputeteve të opozitës në atë kohë ato veprime ishin të drejta dhe se nuk do duhej të rezultonin dhe të konkretizoheshin me aktakuza të tilla të pabazuar nga ana e Prokurorisë së Shtetit dhe Gjykatat tona duhet të merren me trajtimin e çështjeve të profileve të larta qe kanë të bëjë me krimet e organizuara e të cilët janë edhe të shenjëstruara nga e BE dhe jo të trajtojnë një numër të caktuar të deputeteve të opozitës duke i akuzuar atë për veprimet e tyre politike sepse në rastin konkret nuk kemi të bëjë dhe nuk kemi elemente  te veprës penale të cilat konsistojnë në krimin e figurës të posaçme të veprës penale me rastin e përdorimit që ndërlidhen me përdorimin e armës apo mjetit të rrezikshëm në këtë çështje”, tha Damati.

  • Bujqit në Greqi protestojnë para Parlamentit kundër çmimit të naftës

    Bujqit në Greqi protestojnë para Parlamentit kundër çmimit të naftës

    Bujqit grekë kanë protestuar duke i rënë borive të traktorëve të tyre pranë ndërtesës së Parlamentit grek të mërkurën, pasi e kaluan natën në qendër të Athinës për ta kundërshtuar rritjen e çmimit të karburantit dhe kostos së prodhimit për të dytën ditë radhazi.

    Së paku 8.000 bujq, bletarë dhe mbarështues të blegtorisë iu bashkuan protestës në sheshin “Syntagma” të martën, duke i bërë jehonë protestave të ngjashme nëpër Evropë.

    Shumë prej tyre e kaluan natën në shesh, para se të fillonin të lëviznin të mërkurën.

    “Ne e morëm këtë vendim dhe tani po presim rezultatin”, tha bujku Konstantinos Kyriakopoulos, 34 vjeç, nga rajoni jugor i Greqisë, Mesinia.

    Bujqit thonë se janë prekur edhe nga ndryshimi klimatik, pasi vërshimet e paparashikueshme, të nxehtit ekstrem dhe zjarret janë duke e bërë punën e tyre edhe më të rrezikshme.

    Ata i kanë bllokuar shkurtimisht rrugët dhe pikëkalimet për disa javë, derisa sindikatat e tyre kanë biseduar me qeverinë konservatore të kryeministrit Kyriakos Mitsotakis për ndihmë financiare.

    Fermerët polakë bllokojnë kufirin me Ukrainën për shkak të mospajtimeve për grurin
    Qeveria u ka ofruar atyre deri tani zbritje në faturën e rrymës dhe zgjatjen e zbritjes tatimore për naftën në bujqësi deri në fund të vitit 2024.

    Qeveria greke ka thënë se është e gatshme të bisedojë për një skemë të përhershme për zbritje tatimore, por nuk ka shanse për koncesione shtesë këtë vit.

    Në Indi, policia përdori gaz lotsjellës të mërkurën për t’i shpërndarë mijëra bujq protestues, të cilët kërkuan ta rifillonin një marsh në Nju Delhi, pasi e hodhën poshtë një ofertë të Qeverisë për çmimet e produkteve të tyre./REL/

  • Mbyllet për publikun gjykimi në mungesë ndaj serbit të akuzuar për krime lufte në Kosovë

    Mbyllet për publikun gjykimi në mungesë ndaj serbit të akuzuar për krime lufte në Kosovë

    Me propozim të prokurorit special Ilir Morina, është mbyllur për publikun gjykimi ndaj të akuzuarit Dejan Raciq, i cili ngarkohet për dhunim seksual gjatë luftës në Kosovë.

    Prokurori Morina deklaroi se nën supozimin ligjor që i akuzuari Raciq nuk e pranon këtë vepër penale pasi që i njëjti gjykohet në mungesë dhe meqenëse në këtë shqyrtim gjyqësor mund të diskutohen detaje lidhur me identitetin e viktimës, kërkoi që të mbyllet seanca.

    Prokurori po ashtu shtoi se gjatë fazës së hetimit në rastin konkret, gjyqtari i procedurës paraprake kishte nxjerrë urdhër mbrojtje ndaj të dëmtuarës dhe kishin obligim ligjor që ta zbatojnë të njëjtin.

    Edhe mbrojtësi i të akuzuarit Raciq, avokati Osman Mehmeti nuk e kundërshtoi propozimin për mbylljen e seancës.

    Andaj, me aprovim të gjykatësit Vesel Ismaili, gjykimi vazhdoi i mbyllur.

    Ndryshe në këtë gjykatë, më 20 nëntor 2023 kishte filluar mbajta e gjykimit në mungesë edhe ndaj të akuzuarit Çedomir Aksiq, i cili po akuzohet për krime lufte në fshatin Reçak.

    Gjykimi në mungesë parashihet me Kodin e Ri  të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës.

    Sipas aktakauzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës e ngritur më 27 nëntor 2023, Dejan Raciq akuzohet se në cilësinë e ushtarakut rezervist të Serbisë, në kundërshtim me rregulltat e të drejtës ndërkombëtare humanitare gjatë sulmit kundër popullatës civile shqiptare në tërë territorin e Kosovës, me përdorimin e dhunës dhe veprime tjera çnjerëzore kishte kryer dhunim seksual nga gruas së nacionalitetit shqiptar.

    Andaj, Raciq po akuzohet për veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile” nga neni 142 të Kodit Penal te Jugosllavisë, aktualisht e inkriminuar si “Krime kundër njerëzimit” nga neni 143, paragrafi 1, nënparagrafi 1.7 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi

  • “Thaçi dhe të tjerët”, pranohen si prova materiale disa faqe të librit të dëshmitarit Kurtaj

    “Thaçi dhe të tjerët”, pranohen si prova materiale disa faqe të librit të dëshmitarit Kurtaj

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë, trupi gjykues në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit ka pranuar si prova materiale disa faqe të librit të dëshmitarit Hajrush Kurtaj.

    Kurtaj, i cili është dëshmitari i 45-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar me kodin W04576, e që dëshminë e ka filluar më 1 shkurt, po e vazhdon dëshminë edhe sot, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Mbrojtja e Thaçit dhe të tjerëve kundërshtoi që faqet e librit të Kurtajt të pranohen si dëshmi.

    Por, pranimi i tyre si prova materiale u bë me kërkesë të ZPS-së, pasi të njëjtat u cituan gjatë seancës së sotme në dëshminë e dëshmitarit.

    Ndryshe, këtë dëshmitar edhe sot po vazhdon ta marrë në pyetje prokurori James Pace, i cili filloi ta pyeste për disa vende të komunës së Kaçanikut dhe Ferizajt.

    Prokrori Pace e pyeti dëshmitarin për vendet Kukaj, Biçec, Varosh, Jezerc e të tjera, si dhe për godinat që UÇK-ja ka përdorur në vendin e quajtur Ivaj dhe Bob.

    Në pyetjen e prokurorit se kush ishte përgjegjësi i njësitit të UÇK-së në Biçec, dëshmitari Kurtaj tha se përgjegjësi ishte Nazmi Osmani.

    Po ashtu, dëshmitari Kurtaj gjatë dëshmisë së tij tha se Brigada 162, të cilën e ka udhëhequr nga 15 maji deri 11 qershor 1999, nuk ka pasur asnjë përgjegjësi në asnjë pjesë të territorit të Ferizajt.

    Këtë deklaratë dëshmitari e dha duke iu përgjigjur pyetjes së prokurori Pace, se gjatë vitit 1998-1999, Brigada 162 a ka pasur ndonjë përgjegjësi në ndonjë pjesë të Ferizajt.

    Ndërsa, në pyetjen e ZPS-së për njësitin e UÇK-së në Jezerc, dëshmitari tha se nuk ka informata për këtë njësit, sepse nuk ka qenë kompetencë e tij.

    Ndërsa, kur dëshmitari është duke u pyetur për citate të librit të tij, ai edhe sot deklaroi që në librin e tij i ka rritur dhe zbukuruar gjërat.

    Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

    Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

    Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

    Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020. /BetimipërDrejtësi

  • ​Superliga e Kosovës, vëmendja te derbi mes Dritës e Ballkanit

    ​Superliga e Kosovës, vëmendja te derbi mes Dritës e Ballkanit

    Superliga e Kosovës i rikthehet sot aksionit me tri ndeshje tejet interesante, të vlefshme këto për xhiron e 21 të këtij sezoni.

    E gjithë vëmendja sot do të jetë te stadiumi ndihmës në Gjilani, ku Drita e pret në shtëpi kampionin, Ballkanin, raporton KosovaPress.

    Ndeshja zhvillohet me fillim nga ora 13:00.

    Po ashtu, krahas këtij derbi do të zhvillohen edhe dy takime të tjera.

    Gjilani është mysafir i Feronikelit ’74, kurse Prishtina luan si vendase në stadiumin “Sami Kelmendi” kundër Malishevës.

    Programi i sotëm i Superligës:

    13:00 Drita – Ballkani

    13:00 Feronikeli ’74 – Gjilani

    13:00 Prishtina – Malisheva

  • ​Dy superndeshje sot në Ligën e Kampionëve

    ​Dy superndeshje sot në Ligën e Kampionëve

    Liga e Kampionëve vazhdon edhe sot me dy ndeshje tejet interesante, të vlefshme këto për fazën e 1/16-ës së këtij sezoni.

    Të dy përballjet e sotme zhvillohen me fillim nga ora 21:00, ku spikat ajo mes Napolit dhe Barcelonës, raporton KosovaPress.

    Kampioni italian pret në stadiumin “Diego Armando Maradona” kampionin spanjoll, Barcelonën.

    Ndërkaq, krahas këtij takimi do të luhet edhe ndeshja mes Portos dhe Arsenalit.

    Programi i sotëm:

    21:00 Porto – Arsenal

    21:00 Napoli – Barcelona

  • Vriten tre civilë nga granatimet ruse në lindje të Ukrainës

    Vriten tre civilë nga granatimet ruse në lindje të Ukrainës

    Tre civilë janë vrarë dhe 13 të tjerë janë plagosur nga granatimet ruse në tri rajone lindore të Ukrainës, thanë autoritetet vendore të mërkurën.

    Një person u vra në Kramatorsk, në rajonin e Donjeckut, derisa tetë të tjerë u plagosën, tha guvernatori rajonal Vadym Filashkin.

    Në rajonin e Harkivit, dy bujq u vranë në vend kur vetura e tyre u godit në fshatin e Petropavlivkës në rrethinën e Kupianskit, derisa një grua u plagos, tha guvernatori rajonal Oleh Synyehubov.

    Në rajonin e Hersonit, katër njerëz u plagosën nga sulmet ruse me artileri, mortajë dhe dronë, thanë autoritetet vendore.

    Ndërkohë, Forcat e Mbrojtjes Ajrore të Ukrainës thanë se i rrëzuan 13 prej 19 dronëve të shkrepur nga Rusia në katër rajone ukrainase mëngjesin e së mërkurës.

    Ajo tha se i shkatërroi edhe një raketë S-300 dhe katër raketa Kh-22.

    Dronët u rrëzuan në rajonet Harkiv, Dnipropetrovsk, Zaporizhja dhe Donjeck, tha ajo.

    Katër dronët e mbetur nuk e arritën cakun, sipas saj./REL/

  • Mbi 45 mijë ushtarë rusë besohet se janë vrarë prej fillimit të luftës në Ukrainë

    Mbi 45 mijë ushtarë rusë besohet se janë vrarë prej fillimit të luftës në Ukrainë

    Së paku 45.123 ushtarë rusë janë vrarë prej se Moska e nisi pushtimin e Ukrainës para gati dy vjetëve, sipas një hulumtimi nga Mediazona dhe Shërbimi rus i BBC-së, të cilat i kanë identifikuar ushtarët e vdekur.

    Dy e treta e të gjithë të vrarëve të konfirmuar – vullnetarë, rekrutë, ish të burgosur dhe luftëtarë nga kompanitë ushtarake private – nuk kishin lidhje me ushtrinë para se të niste pushtimi, ka gjetur hulumtimi.

    Këtu përfshihen 5.406 ushtarë të mobilizuar, 80 për qind e të cilëve u vranë në vitin e dytë të luftës.

    Krasnodar, Sverdolvsk, Bashkortostan dhe Çelabinsk janë rajonet me numrin më të madh të të vdekurve.

    Gazetarët i kanë identifikuar 27.906 ushtarë rusë të vrarë vitin e kaluar – 57 për qind më shumë se humbjet e konfirmuara në vitin e parë të pushtimit.

    Nga tetori i vitit të kaluar deri këtë muaj – kryesisht në periudhën gjatë të cilës forcat ruse u futën në qytetin industrial Avdivka dhe në zonat përreth në rajonin e Donjeckut – hulumtuesit e konfirmuan vdekjen e 6.614 ushtarëve rusë.

    Avdivka ra javën e kaluar.

    Gazetarët e bazuan hulumtimin e tyre në të dhëna nga burimet e hapura si, shpallje vdekjesh në gazeta, mesazhe në rrjetet sociale nga të afërmit e viktimave, raporte nga administratat lokale, si dhe të dhëna nga varrezat. Hulumtuesit thonë se numri i vërtetë mund të jetë së paku dy herë më i lartë.

    Ministria e Mbrojtjes e Rusisë nuk i zbulon të dhënat për humbjet e ushtarëve dhe nuk komenton për shifrat e raportuar nga gazetarët.

    Në janar, drejtori i CIA-s, Willam Burns, tha në një shkrim të publikuar në revistën Foreign Affairs se së paku 315.000 ushtarë rusë janë plagosur apo vrarë gjatë luftës në Ukrainë./REL

  • Për herë të parë në Kosovë fillon vaksinimi i vajzave kundër kancerit të qafës së mitrës

    Për herë të parë në Kosovë fillon vaksinimi i vajzave kundër kancerit të qafës së mitrës

    Për herë të parë në Kosovë ka filluar vaksinim i vajzave kundër kancerit të qafës së mitrës.

    Në një njoftim të Komunës së Prishtinës thuhet se ky është një hap i rëndësishëm për shëndetin e vajzave.

    Vaksinimi thuhet se ka filluar të martën, ku nxënëset e moshës 11 vjeçare, të shkollës “Qamil Batalli” në Prishtinë, janë bërë të parata që janë vaksinuar me vaksinën Human Papilloma Virus (HPV).

    “Vaksina HPV ka një rëndësi të jashtëzakonshme për shëndetin e vajzave, duke ofruar një mbrojtje efektive kundër kancerit të qafës së mitrës; një sëmundje që po shfaq një rritje shqetësuese në numrin e rasteve”, thuhet në njoftim.

    Nënkryetarja e Komunës së Prishtinës, Jehona Lushaku – Sadriu, bashkë me drejtorin e Shëndetësisë, Izet Sadiku, kanë vizituar këtë shkollë.

    “Fillimi i vaksinimit në moshën 11 vjeçare për vajzat, është zgjedhur për shkak të efektivitetit të saj të lartë në këtë fazë, duke mbrojtur deri në 99% të grave nga ky rrezik në të ardhmen. Ky lajm pozitiv për vaksinimin është i rëndësishëm për të gjitha vajzat, duke ofruar mbrojtje të duhur për t’i parandaluar këto sëmundje”, citohet të këtë thënë nënkryetarja Lushaku.

    Andaj, për të parandaluar kancerin e qafës së mitrës, OBSH-ja rekomandon vaksinimin e vajzave të moshës 9 deri në 14 vjeçe, kur, siç thuhet, shumica nuk e kanë filluar ende aktivitetin seksual.

  • Vazhdon gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Vazhdon gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë vazhdon procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

    Të matën në këtë proces ka dëshmuar dëshmitari i 45-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar me kodin W04576, Hajrush Kurtaj, në gjykimin ndaj Hashim Thaci, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.

    Ky dëshmitar dëshminë e tij e pati filluar me 1 shkurt.

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, dje ka përfunduar dëshminë e tij dëshmitari i i 46-të i ZPS-së në me kodin W00498, në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.